Friday, October 22, 2010

Kazakistani, vendi mes stepës dhe pushtetit të kultit të Nazarbayevit

Kazakistani ka naftë, qymyr dhe uranium dhe një kryeqytet të mbushur me ndërtime madhështore. Presidenti i vendit shpreson që Kazakistani të shndërrohet në lider të vendeve të rajonit për sa i përket ekonomisë, por ndërkohë ka ngritur një kult jashtëzakonisht të madh personaliteti dhe nuk, është shumë i mirëpritur në arenën ndërkombëtare.

Është një nga ato mbrëmjet e buta e pa re të verës në Astana, ku qielli mbi stepë nuk është tërësisht i errët. Një tribunë është ngritur në Parkun e të dashuruarve në krah të majtë të Ministrisë së Gazit dhe Naftës. Artistët më të mirë të Kazakistanit janë duke performuar skena historie nomade e vendit dhe tenori italian, Andrea Boçeli, është duke kënduar ndërkohë që të ftuarit VIP-a duartrokasin nga kënaqësia. Presidenti rus, Medvedev, ka udhëtuar së bashku me homologun e tij turk, Abdulla Gul, princin e kurorës së Abu Dhabit, Mohamed bin Zayed Al Nahyan dhe Mbretin e Jordanisë, Abdullah. Me ta janë bashkuar edhe krerët e shteteve të Armenisë, Bjellorusisë, Kirgistanit, Taxhikistanit dhe Ukrainës.

Në krye të të gjithëve ndodhet, ai, kreu i vendit, Presidenti Nursultan Abishuly Nazarbayev. Pas pak orësh, ai do të mbushë 70 vjeç. Si djali më i madh i një bariu nga një zonë e thellë e vendit, ai ka bërë një rrugë goxha të gjatë për të mbërritur në bash të vendit. Fillimisht ishte një punëtor çeliku dhe më pas u bë sekretari i parë i Partisë Komuniste të Kazakistanit pak para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Madje, thuhet se Presidenti i fundit i Bashkimit Sovjetik, Gorbaçov, kishte ndërmend që ta bënte Nazarbayev, zëvendësin e tij në detyrë. Gjatë 20 viteve të fundit, ai ka qenë Presidenti i vendit të tij.

Është mbrëmja e 5 korrikut e këtij viti. Ceremonia e hapjes do të mbahet në kryeqytet në tendën më të madhe të botës “Khan Shatyr”, e projektuar nga arkitekti i famshëm britanik, Norman Foster. Foster ka ndërtuar një godinë të denjë për lavdërime të mëdha. Ajo është e lartë 102 metra me një formë konike. Pjesa më e madhe e brendisë përbën edhe atë që konsiderohet si qendra më e madhe zbavitëse në vend. Brenda kësaj godine ka pemë palmash të importuara nga Karaibet, pishina gjigante me rërë nga Malajzia, kopshte, parqe, kinema, tempuj, qendra për zbavitjen e fëmijëve dhe shumë kafene e dyqane, si dhe një supermarket të madh. Në fakt, vetë Presidenti nuk donte festime të mëdha, por njerëzit që i rrinë pranë i bënë një “surprizë” duke bërë festimet për kryeqytetin e vendit ditën e ditëlindjes së tij, pra më 6 korrik. Pra, ata organizuan një takim madhështor me shumë krerë shtetesh të rajonit. Në fakt, Presidenti i vendit nuk është se e priti keq një gjë të tillë, madje ai e kishte ëndërruar një gjë të tillë, pavarësisht deklaratave që bëri. Në këtë mënyrë, vëmendja e të gjithë botës do të përqendrohej në vendin e tij, në Kazakistanin që po lulëzon dhe mbi të gjitha do të përqendrohej te njeriu që është në qendër të gjithçkaje. Sipas këtij njeriu, kryeqyteti i vendit të tij, Astana është shndërruar në projektin më të madh në të gjithë rajonin e ish-Bashkimit Sovjetik. Ai më pas deklaroi para audiencës se ishte falë iniciatiores së tij që në vitin 1997 kryeqyteti nga Almaty u zhvendos në Astana në stepat me erë. “Në atë kohë ky vendim, i imi pati shumë kundërshti dhe keqkuptime, por jam i bindur se sot të gjithë më japin të drejtë për vendimin e marrë. Idetë përparimtare e kanë gjithmonë shumë të vështirë për të çarë përpara”, ka deklaruar Presidenti i vendit me krenari para të ftuarve të rëndësishëm.

Tashmë Nazarbayev ka mbërritur në hapin e fundit të planit të tij: me Khan Shatyr, ai shpreson që të “qetësojë” edhe kritikët e fundit që ishin kundër kësaj zhvendosjeje. Astana, në fund të fundit, është kryeqyteti i dytë më i vjetër në botë, pas Ulan batorit të Mongolisë. Por tani, edhe pse temperatura mund të mbërrijë në dimër deri në minus 40 gradë Celsius, njerëzit mund të shijojnë stinën e nxehtë në pallatet madhështore të tij. Nëse shkretëtira e Dubait mund të ketë një fushë të madhe akulli me përmasat olimpike, Kazakistani i ftohtë mund të ketë palmat dhe ujin e nxehtë në pikun e dimrit.

Sundimtari i Kazakistanit ka shpenzuar 10 miliardë dollarë për këtë projekt në stepat e vendit për të transformuar këtë zonë dikur rurale në “sallonin”më të bukur të vendit. Aty ndodhet pallati borë i bardhë presidencial, godinat e ministrive të vendosura nëpër kulla të mëdha e të larta prej qelqi, xhamia e Nur-Astanasë në të cilën mund të futen brenda 5000 besimtarë, një lagje e re për diplomatët, zona të cilat janë parashikuar vetëm për dyqane dhe supermerkate dhe apartamente luksoze që kanë një kosto prej 4000 eurosh metri katror.

Me këtë qytet të ri të shkëlqyer, Nazarbayev u është kundërvënë edhe atyre që janë tallur me vendin e tij si një komedian britanik që bëri një film humoristik për këtë vend.

Kazakistan është shteti i nëntë më i madh në botë. Kufiri i tij verior me Rusinë është thuajse 7000 kilometra i gjatë. Në Lindje kufizohet me Kinën, në Perëndim me Detin Kaspik dhe në jug prek Kirgistanin, Uzbekistanin dhe Turkmenistanin. Aktualisht, është vendi që drejton Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE).

Ky vend ka male rreth 7000 metra të larta dhe një nga zonat më të mëdha të stepave. Territori i tij mbart sasi shumë të mëdha të naftës dhe gazit, si dhe flori, qymyr dhe ky vend është edhe prodhuesi më i madh në planet i uraniumit.

Por vendi jashtëzakonisht i madh dhe i pasur i Nazarbayevit ka një problem: ka vetëm 16 milionë banorë. Sipas statistikave i bie që të ketë një banor për kilometër katror. Në kontrast me këtë statistikë është dendësia e Gjermanisë që ka 230 banorë për kilometër katror duke pasur thuajse të njëjtën sipërfaqe. E megjithatë, Nazarbayev mendon se asgjë nuk mund ta ndalojë vendin e tij që të bëhet një nga 50 shtetet më të fuqishme të botës, ose një tigër i vërtetë i Azisë. Sipas vetë fjalëve të tij, vetëm 50 vjet më parë edhe vetë Singapori ishte një nga vendet më të varfra të botës, ndërsa tani të ardhurat për frymë janë rritur 85 herë më shumë. Dhe këtë objektiv, ai kërkon që ta realizojë në vitin 2030. Në të gjithë kryeqytetin e ri ka postera të mëdhenj në të cilat profetizohet ky zhvillim i vendit duke shkruar me të madhe se Kazakistani do të shndërrohet në një vend lider në rajon dhe më gjerë. Në të shkruhet edhe se gjatë dhjetëvjeçarit të fundit falë shfrytëzimit të pasurive nëntokësore të ardhurat për frymë janë rritur në këtë vend nga 700 dollarë për frymë në 8000. Deklarata patriotike të tilla nuk janë shumë popullore për vendet fqinje me Kazakistanin. Sikundër shpjegon edhe vetë Presidenti i Kazakistanit, popujt e rajonit nuk kanë mjaftueshëm energji apo ushqim. Sipas tij, një pjesë prej këtyre vendeve, për shembull Kirgistani ku pati këtë verë protesta shumë të ashpra, nuk ka mundur që të menaxhojë siç duhet situatat dhe shtetin për shkak të dobësisë së liderëve. Vetëm Kazakistani ka një njeri të tillë, dhe ky njeri është vetë ai, i madhi, Nazarbayev. Ndërkohë, sipas një ish-zëvendësministri të Kazakistanit, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Nazarbayev është shndërruar në një autokrat. Ky ish-zyrtar i lartë aktualisht është sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë. “Ai emëron Kryeministrin, si dhe krerët administrativë të të gjithë rajonit, gjykatësit e të gjitha niveleve, si dhe komisionin zgjedhor dhe drejton ndërkohë edhe partinë në pushet Drita e Atdheut, që është e vetmja parti në vend që përfaqësohet në Parlament. Ai dënon dhe godet të gjitha mediat që synojnë të fitojnë pavarësi dhe i ka shtypur me grusht të hekurt të gjithë kundërshtarët e mundshëm politikë në vend”, deklaron ish-zyrtari i lartë. Sipas tij, korrupsioni ka prekur nivele të frikshme dhe dasia mes të superpasurve dhe shumë të varfërve të shumtë në vend sa vjen e po bëhet gjithnjë e më e madhe.

Për më tepër me persekutimin që Presidenti u bënte gjithë disidentëve, opozita është zhvendosur jashtë Astanasë. Partia e Lirisë i ka zyrat e saj qendrore në Almaty, ish-kryeqyteti i vendit. Në radhët e saj bëjnë pjesë ish-zyrtarë të lartë të gjithë të larguar nga partia e Presidentit. Por ata kanë shumë pak ndikim në fatet e vendit. E megjithatë, ish-zëvendësministri dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë flet me entuziazëm dhe optimizëm për 250 mijë ndjekësit e tij. “Koha e Nazarbayevit ka përfunduar. Regjimi i tij është duke u dobësuar jashtë mase dhe përditë e më tepër”, thotë sekretari i përgjithshëm.

Por jo të gjithë janë me një ndjenjë konstatim të tillë. Sipas mbështetësve të tij, ai nuk është një diktator dhe se është shfaqur menjëherë pas rënies së Bashkimit Sovjetik për të mbushur një boshllëk dhe se në fund të fundit ka bërë një punë më të mirë se krerët e shteteve fqinje si Kirgistani dhe Taxhikistani që kanë qenë shumë të paqëndrueshëm. Sipas tij, ky President është i vetmi njeri që mund të mbajë vendasit e bashkuar, si dhe është garantori një rehatie modeste, që gëzohet nga një pjesë e vogël e shoqërisë.

Nëse je në Kazakistan, një gjë e ke të pamundur: shmangien e figurës së kudondodhur dhe të kudopasqyruar të Presidentit të vendit. Portretet e tij të përmasave shumë të mëdha janë të vendosura kudo nëpër qytete dhe nëpër autostrada.

No comments: