Sunday, April 8, 2012

Rexhep Qosja: Nuk preket Himni për një parrullë politike

TIRANE - S’mund të ndërhyjnë në Himnin Kombëtar. Ka mjaft hapësira për të respektuar të drejtat e gruas. Kjo do të cenonte rëndë momentin historik, të vërtetë, traditën... Akademiku Rexhep Qosja, ka reaguar ashpër dje pas një deklarate të Avokatit të Popullit për përshtatje në tekstin e himnit kombëtar. Për “Shqiptarja.com”, Akademiku Qosja sjell këtë intervistë telefonike, ku argumenton mbi të drejtat dhe barazinë gjinore, dhe deri ku mund të shkojnë ato, pa e prekur traditën dhe të vërtetat historike.

Profesor, a kemi të drejtë të ndërhyjmë sot, tek Himni Kombëtar?
Jo, them se jo. Nuk bëhen këto ndërhyrje në himnin kombëtar. Ai është krijuar atëherë kur është krijuar. Ka një emër, ka nj autor, ka një traditë, s’mundet... Unë nuk e përfill një propozim të tillë.

A shkelet e drejta e autorit në këtë rast?
Absolutisht po. Shkelet rëndë.

Po si dokument historik, a cënohet?
Si dokument historik kemi të bëjmë me një ndërrim të autenticitetit, origjinalitetit, vlerës. Atëkohë është menduar ashtu. Pse burrë? Kanë luftuar burrat, nuk kanë luftuar gratë. Ka edhe raste të veçuara që kanë luftuar gratë, si në rastin kur partizanët i futën në radhët e luftës edhe gratë, pak a shumë. Por jo, s’ka qenë traditë për shqiptarin. Nuk mund ta ndërrojmë të kaluarën. Ka qenë e këtillë.
Nuk më duket propozim i arsyeshëm.

Me këtë arsyetim, mos dalim kundër barazisë gjinore?
Kemi mundësi të tjera, hapësira të tjera, fusha të tjera, shumëçka tjetër ku gratë mund të ndihen në pozita të barabarta. Dhe ka dashur zoti, siç thotë populli, po bëhen realitet këto gjëra. Gruaja shqiptare sot është e liruar prej zakoneve e diskriminimeve që pësonte dikur. Nuk kemi nevojë të bëjmë ndërhyrje në himnin kombëtar për një parullë politike.

Po nëse ky propozim shkon paralelisht me propozimet e BE-së për integrim?
Jo, të ndërrojmë himnin!!! Le të plotësohet gjithçka që kërkon Bashkimi Evropian. Megjithëse ata kërkojnë që të jetë prania e grave 30 përqind në kuvend. Po pse nuk e bëjnë 50 përqind nëse duan të jenë plotësisht të barabartë. Përse nuk e kanë bërë vetë këtë gjë në vendet e tyre? Pse vetëm Suedia ka një përqindje të lartë, pothuajse të barabartë mes meshkujve e femrave në Parlament? Jam absolutisht për një barazi të plotë të gruas me burrin, por jo të ndërrohet himni kombëtar.

Kjo ndërhyrje është kërkuar në kontekstin e 100-vjetorit të Pavarësisë. A e përligj ky përvjetor këtë ndërmarrje?
Asgjë nuk e arsyeton ndërhyrjen apo ndryshimet në himnin kombëtar. Kurrëfarë përvjetori, as 100 as 200-vjetor, sikur të ishte. Jo jo... Është 100-vjetori i pavarësisë. Le ta kremtojmë në mënyrë sa më të bukur, sa më të arsyeshme, sa më të ndershme, sa më të plotë. Por jo ta ndërrojmë historinë. Ka qenë e tillë, me të mirat e të këqijat, fitoret dhe dështimet. Pse, për hir të 100-vjetorit të bëjmë edhe ndryshime në himnin kombëtar? Asnjë politikë serioze nuk do ta kërkonte këtë.

Në këtë rast ideja është hedhur nga avokati i popullit...
E kam ndjekur shpesh në televizion Avokatin e Popullit. Më ka lënë përshtypje shumë të mira. Por ky propozim i tij, nuk më duket për përshtypje të mirë.

Profesor, kundërshtimi juaj, mos lidhet pak me lidhjen shpirtërore që ju keni me Asdrenin si tekstshkruesin e himnit, nj autor që e keni studiuar gjerësisht dhe i keni kushtuar vite të tëra pune?
Nuk ka lidhje. Unë e kam studiuar Asdrenin siç do të studioja çdo shkrimtar tjetër. Unë madje e them se ai himn kombëtar, i cili nuk është plotësisht origjinal, është adoptim i një vjershe rumune, si tekst letrar nuk është antologjik, nuk është i shkëlqyer, por është bërë himn kombëtar dhe tekstet e himneve kombëtare të shumë popujve nuk janë tekste antologjike, janë të atilla, siç janë bërë në një moment të caktuar historik, dhe popujt i nderojnë, i respektojnë, nuk i ndryshojnë.
Unë kështu mendoj. E di se ka të tjerë që mendojnë ndryshe. Demokraci është. Le të urdhërojnë e të mendojnë ndryshe, mendimi im është i këtillë. Pra jo se e ka shkruar Asdreni. Edhe po ta kishte shkruar Naim Frashri, Zef Serembe, Fan Noli, apo Lasgush Poradeci, që mund të kishin bërë një vjershë mbase edhe më të bukur, por e ka dashur puna ashtu, dhe e ka shkruar Asdreni. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, kanë qëlluar në Bukuresht kur kanë ardhur të shpallin Pavarësinë në Vlorë. Iu është dashur Himni dhe Asdreni e ka bërë tekstin për himnin kombëtar, iu është dashur flamuri dhe një grua e ka qëndisur edhe flamurin. Kështu ka ndodhur atëherë e ne duhet ta respektojmë atë moment historik, atë kohë, ata njerëz.

(ap/im/shqiptarja.com)

Mbreti në hije…

Nga Alfred Lela/Fotot: Armand Sallabanda/ Revista Mapo mumri i Shkurtit
Intervista / Princi Leka flet për amanetin e të atit dhe për dëshirën që të jetë i pari në Dinastinë Zogu që do të bëhet gjysh. Lidhjen e tij me Mbretëreshën Geraldinë dhe kujtimi i Mbretit Zog.
Në një natë të acartë shkurti, bashkë me Edi Lesin, një koleg që ka punuar me Princin Leka në ministrinë e Jashtme, bëjmë për nga Pallati Mbretëror. Edi ka luajtur rolin e ndërmjetësit për një bisedë me Trashëgimtarin e fronit, dhe falë tij, shmangen ato momentet mbushur me siklet e kortezi kur bashkëbiseduesi të është jo vetëm i panjohur, por edhe një i panjohur emri i të cili shoqërohet me titullin Princ. 
Në fillim si duhet t’Ju drejtohemi, pra cila është etiketa e duhur sipas ceremonialit, dhe si u pëlqen Ju personalisht, Naltmadhni, Princ Leka…?
Faleminderit për pyetjen, sigurisht që kjo varet nga konteksi, në rastin konkret mund të më drejtoheni edhe thjesht me emrin Leka, por sipas protokollit me titullin Naltmadhëri i drejtohen vetëm Mbretit, ndërsa djalit të tij, Princit, i drejtohen me termin Lartesë.
Lartesë. Nëse do të bënit një kategorizim të njerëzve që u drejtohen, secili me një nga këto cilësime që përmenda më sipër, si do i ndanit ata?
Së pari, askënd nuk do të ngarkoja me faj për mosnjohjen e terminologjisë protokollare, sigurisht duke përjashtuar në këtë rast diplomatët, ndërsa për pjesën tjetër kjo mosnjohje është e justifikueshme, pasi për rreth gjysëm shekulli kjo terminologji sipas ideologjisë komuniste përbënte herezi.
Si u drejtohet e fejuara Juaj? A ka ajo ende një emër ‘përkëdhelës’ për Ju?
Sigurisht që brenda çiftit nuk ka protokolle.
Në çift sigurisht që jo, por Protokolli i Oborrit ruhet në praninë në bisedë të Sulejman Gjanës, zv kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe me sa duket këshilltar i Princit. Gjana duket si një nga ata burrat e ardhur nga një kohë tjetër. Është i gjatë, i zbardhylët ka sy të çelët dhe është i veshur me kostum e kravatë. Shto këtu edhe një shall bezhë që sikur shkrihet me dritën e zbehtë të dhomës me kubaturë të lartë. Gjana flet në një gegnishte të qashtër dhe thotë se ka lindur në Belgjikë. Po të mbyllësh sytë për një moment e të shkëputesh në kohë, Gjanën mund ta zëvendësosh me një prej shoqëruesve të Ahmet Zogut ndërsa Princin me gjyshin e tij. Kjo dhomë mund të jetë kudo: në një hotel në Francë apo një kështjellë në rrethinat e Londrës. Çdo gjë që ka ndodhur e do të ndodhë me monarkinë, shqiptarët patjetër do ta lidhin me Mbretin Zog dhe trashëgiminë e tij.   
Kur të ndodhë betimi Ju do të emërtoheni Leka, Mbret i Shqiptarëve siç pat bërë edhe gjyshi juaj, për të shenjuar ‘shqiptarët’ dhe jo veç Shqipërinë?
Titulli që unë trashëgoj është Naltësia e Tij Mbretërore Princ i Kurorës Leka II i Shqiptarëve.
Dua të ndalem te betimi Juaj si Mbret. A ka ndodhur ky betim mbi varrin e Mbretit Leka I, siç e tha shtypi, apo më shumë ishte një fjalë lamtumire?
Betimi im nuk ishte zyrtar, por lidhej me amanetin e Tij dhe detyrimin tim si djalë dhe si Princi i Shqiptarëve për të ndjekur rrugën e Tij.
Cili ishte ky amanet? A mund të bëhet publik?
Amaneti i tij ishte shumë i thjeshtë: Të vazhdoj me devotshmëri rrugën e tij!
Ç’parashikon Statuti i Mbretërisë kur, ku, dhe si do të ndodhë betimi i Princit Leka si Mbreti Leka II?
Kurorëzimi im, pavarësisht se kur, do të bëhet në përputhje me vullnetin e lirë të shqiptarëve.
Ç’doni të thoni me ‘vullnet i lirë i shqiptarëve’?
Me votën e tyre të lirë, nëpërmjet Parlamentit ose një referendumi të pamanipuluar.
Në dekorin e madh që shoqëron Familjen Mbretërore Shqiptare, referendumi i vitit 1997, me pyetjen ‘a jeni për Monarkinë apo për Republikën?’ është një moment i errët. Zgjedhjet e 1997-ës ishin më tronditëset në historinë post-komuniste të Shqipërisë. Mbretërorët fituan bindshëm në disa zona të vendit dhe me po kaq bindje kontestuan rezultatin final, të cilin e konsideruan të manipuluar. Pjesë e kësaj proteste ishte edhe ‘bravadoja ushtarake’ e të ndjerit Mbreti Leka, i cili u shfaq i armatosur, bashkë me ndjekësit, në afërsi të Pallatit të Kongreseve. Kaosi që pasoi prodhoi një të vdekur në anën e Mbretërorëve dhe një urdhër arresti për Mbretin Leka që u detyrua të largohej nga Shqipëria. I njohur me këtë dekor e këtë histori, ndoshta Princi Leka duhet të ketë patur mëdyshje në lidhje me rolin e tij të ardhshëm.
A keni menduar ndonjëherë: unë nuk dua të jem Mbret ‘i një mbretërie që s’ekziston’. Dua t’i jap fund këtu dhe të vazhdoj jetën si pasardhës i Mbretit Zog, por pa etiketimet e ceremonitë, thjesht si qytetar i vendit të tij dhe timit?!
Ju përmendet fjalën “amanet” dhe besoj se ia dini kuptimin, pra shqiptarët nuk do ta pranonin kurrë mosmbajtjen e amanetit. Familja Mbretërore nuk është vetëm e imja, por i përket të gjithë shqiptarëve.
Amaneti është që Ju të betoheni si Mbret dhe të bëni çdo përpjekje për rikthimin e Monarkisë si formë regjimi…
Amaneti nuk është i lidhur vetëm me sistemin. Për mua do të thotë të jem i përkushtuar në çështjen kombëtare. Do të thotë të punoj dhe të jetoj për Vendin tim, për të gjithë Shqiptarët pa dallim. Që edhe fëmijët e mi të flasin Shqip dhe ta shikojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të jem në Shërbim, siç kanë qenë të gjithë paraardhësit e mi.
Kur i bën një vijë fati Familjes Mbretërore Shqiptare, ajo, dashur pa dashur, të lidh me fatin e monarkive të tjera europiane të pas Luftës së Dytë Botërore. Në mërgim, duke pritur, herë në dritë, por më shumë në hije, i gjen të gjithë mbretërit, mbretëreshat apo princat europianë: italianët, grekët, jugosllavët, bullgarët e të tjerë. Ata parakalojnë në sytë e opinionit publik fatin e trishtë të përmbysjeve të mëdha që solli Lufta e Dytë në Europë. Shkëlqimi i tyre është i një kohe tjetër dhe brenda kësaj drite që birret e birret ata përcjellin njëri –tjetrin. Aty janë edhe mbretërorët shqiptarë, që zhvendosen sa nga një cep i Europës në tjetrin, për të marrë në sy edhe Amerikën e për të provuar si destinacion përfundimtar të largëtën Afrikë të Jugut. Në këtë zhvendosje brenda lëkurës tëndë, si i thonë, nuk mund të mos ndjehesh leqelëshuar e fatalist.
Familja Juaj, por në përgjithësi shumica e familjeve  mbretërore në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, mund të konsiderohet e pafat? A ndjeheni Ju i pafat?
Gjatë diktaturës komuniste të gjithë shqiptarët ishin të pafat, ndërsa sot unë e shoh veten me fat, pasi më në fund Familja Mbretërore u kthye në Atdhe.
Kur nuk jam pjesë e bisedës i hedh sytë rreth e rrotull dhomës ku jemi ulur. Princi e kap këtë dhe shpjegon se dhomat në Pallat janë me dekoracione të ndryshme dhe kjo ku po rrimë është me motive afrikane. Familja e Tij ka kaluar shumë vite në Afrikën e Jugut dhe nëse historia e mbretërorëve shqiptarë në kontinentin e errët mund të shpejgohej përmes këtyre maskave të varura nëpër mure, ato do të pikonin trishtim. Ato maska, në një mënyrë a tjetër shërbejnë, jo vetëm si ‘historik i shpejtë’ i një pjese të jetës së Familjes Mbretërore, por edhe si urë lidhëse mes Mbretit Leka dhe Princit Leka. Mes të atit me të birin.
Nëse do e përshkruanit me disa fjali babanë Tuaj, Mbretin Leka I, cilat do të ishin ato?
Babai im, Mbreti Leka I, gjithë jetën ia kushtoi çështjes kombëtare dhe besoj se përfaqësoi mëse miri simbolin e unitetit kombëtar. Si pasardhësi i Tij i jam mirënjohës, pasi atdhedashurinë ma ka kultivuar edhe mua që në fëmijëri.
Më thoni Ju lutem, dhe nëse mundeni, cili ka qenë reagimi i parë kur e patë apo u thanë se babai Juaj kishte mbyllur sytë përgjithmonë?
Më lejoni të mos i përgjigjem kësaj pyetjeje.
A jeni besimtar në përgjithësi? Ju jeni pjesë e një familjeje dybesimëshe por, cila fe ka luajtur rol më të madh nën jetën Tuaj, Krishtërimi apo Muhamedanizmi?
Une besoj në Zot,dhe të dyja besimet me të cilat jam rritur më kanë hapur më shumë horizont drejt kulturave që secila prej tyre përfaqëson.
Princi Leka është një djalë i gjatë. Ky vertikalitet trembës zbutet megjithatë nga manierat e tij, e folura e qetë, sytë e paqtë dhe një theks anglez në të folur që e bën të duket më shumë një Windsor se sa një Atilë.
Ju jeni një individ ekzotik, edhe për një vend plot ekzotizma si Shqipëria: keni theks të huaj në të folur, jeni shumë më i gjatë se mesatarja e shqiptarëve; keni tipare më të zbardhylëta se sa mesatarja e vendit e cila, mund të thuhet, është ‘e zeshkëta’ dhe; jeni zëbutë, në një vend ku më hapësirë gjejnë bërtimat e çirrjet. A ndiheni nganjëherë ndopak si i huaj? Si dikush i cili nuk e ka vendin këtu?
(Qesh) Ndoshta keni të drejtë, por unë e dua këtë vend  siç është,edhe me paradokset e tij. Përsa u përket tipareve dhe fizikut tim mendoj se jam një malësor i vërtetë.
Unë nuk besoj se do i shmangeni frerëve të të qenit ‘politikisht korrekt’, por nganjëherë, shqiptarët, që në një situatë tjetër mund të ishin nënshtetasit tuaj, a nuk janë, deri diku, të paqeverisshëm?
(Qesh) Barcaletë: Mbreti Zog, Bulevardin e ndërtoi shumë të gjerë që autobusët  të ecnin horizontalisht, kjo pasi çdo shqiptar dëshiron të ulet në vendin e parë. Por, le të kthehemi seriozë: ndoshta hapësirat duhen zgjeruar që secili individ të gjejë vendin e tij.
Një zgjerim i mundshëm i hapësirave do të ishte Shqipëria e bashkuar, që së fundi etiketohet me emra të ndryshëm në varësi të atij apo asaj që e artikulon predispozitën: E Madhe, Natyrale, Etnike e të tjera. Për këtë, Princi Leka, kur të kurorëzohet, ashtu si i gjyshi dhe i ati do të quhet Mbreti Leka II i Shqiptarëve. Sigurisht mund të flasim për hapësirë të zgjeruar, ëndrra dhe idelae të mëdha të matjanit Ahmet Zogu nga Burgajeti që u shpall Mbret i Shqiptarëve.
A keni qenë në Burgajet të Matit, në vendlindjen e gjyshit Tuaj? Cilat janë ndjesitë që patët kur vizituat tokën e të parëve?
Në Burgajet shkoj vazhdimisht  dhe ndjehem shumë i lidhur me zonën e Matit.
Ka një mendim që qarkullon prej dekadash dhe që i ka rrënjët te qëndrimi i komunistëve ndaj Mbretit Zog, sipas të cilit, ky i fundit e tradhëtoi vendin kur u largua më mërgim, në vend që të rrinte këtu e të luftonte…
Kjo është më tepër një çështje e propagandës së sistemit komunist. Parlamenti shqiptar vendosi largimin e përkohshëm të Mbretit, pasi qëndrimi i tij rrezikonte pavarësinë e shtetit. Mbreti Zog nuk pranoi të bëhej një vegël e pushtuesve dhe të mbretëronte nën bajonetat e tyre. Mbreti Zog ishte rasti me unikal në Europë që nuk u rreshtua në rradhët e koalicionit nazifashist.
Ndërkohë, qëndrimi ndaj Mbretëreshës Geraldinë, qoftë edhe nga komunistët, ka qenë i butë, ose më pak mohues. Pse mendoni se ka ardhur kjo?
Me sa duket, pas 10 vitesh mbretëri, shqiptarët prisnin me padurim Mbretereshën e tyre e cila do te simbolizonte vazhdimësinë e kësaj familjeje. Përveç kësaj, ajo që në fillim u angazhua për t’i shërbyer Shqipërisë dhe i qëndroi deri në fund besnike idealeve të Mbretit Zog. Ajo e deshi këtë vend dhe dëshira e saj ishte të prehej në tokën shqiptare. Jam shumë i lumtur që kjo dëshirë iu realizua!
Na flisni pak për Mbretëreshën Geraldinë, gjyshen tuaj, në nivel personal. Cila ka qenë marrdhënia Juaj me të?
Unë kam qenë shumë i lidhur me gjyshen time. Ajo më donte shumë, më tregonte historitë e familjes, më fliste për dashurinë e saj për Mbretin Zog, për Shqipërinë që e kujtonte me aq mall! Unë jam rritur me gjyshen time pranë dhe për këtë jam me fat. Ajo ka qenë frymëzim për ne dhe për të gjithë shqiptarët që sakrifikuan dhe e lidhën fatin e tyre me fatin e Familjes Mbretërore.
A Ju ‘vizitojnë’ në ëndrra të afërmit tuaj që kanë ndërruar jetë: babai Juaj, gjyshi, gjyshja, nëna? A vijnë ata si bartës të amanetit mbretëror, apo thjesht si njerëz të gjakut tuaj?
Nuk ëndërroj shpesh të afërmit e mi, por janë gjithnjë në mendimet e mia. Nukmund të them që vijnë nëpër ëndrra, por mund të pohoj se prindërit e mi janë gjithmonë prezent. I kam dashur shumë dhe vazhdoj t’i ndjej pjesë të jetës time, dhe kështu do të jetë gjithmonë.
Në oborr të Pallatit shfaqen edhe dy qen të mëdhenj. Në hyrje, te porta kryesore, qëndrojnë dy roje. Shto këtu këshilltarin e Princit, të fejuarën dhe këta, pak a shumë, këta duhet të jenë rezidentët e përhershëm të Pallatit. Të paktë për të mbushur një hapësirë të tillë dhe në kontrast të fortë me Oborrin e dikurshëm mbretëror ku gjezdiste Princ Tati, Princeshat motra, nëna Mbretëreshë, Mbretëresha Geraldinë, adjutantë e shërbëtorë të ndryshëm. Vetmi. A nuk vjen era vetmi?
A ndiheni i vetmuar? Ju jeni fëmija i vetëm i një Mbreti i cili ishte gjithashtu fëmija i vetëm i një mbreti tjetër. A do të jeni edhe Ju një Mbret njëfëmijësh, si paraardhësit Tuaj, apo do të shohim një Oborr Mbretëror plot e përplot? A keni folur për këtë me të fejuarën?
Disa ditë më parë isha duke parë me interes pemën e familjes dhe kam vënë re që asnjë anëtar i familjes së linjës Zogolli, nuk është bërë asnjëherë gjysh. Nisur nga kjo kam shumë dëshirë të ndryshoj fatin e familjes. Padyshim që e ndjej mungesën e prindërve, dhe sidomos të një motre apo vëllai, me të cilët do të ndaja gëzimet dhe hidhërimet! Por jam i lumtur që kam pranë Elian, e cila me kupton dhe me është gjendur pranë në çdo kohë. Fëmijët janë vullneti i Zotit, por ajo që unë do të doja shumë është të bëhem një ditë gjysh, gjë të cilën nuk e arriti dot as Mbreti Zog dhe as babai im, Mbreti Leka.
Asnjë prej atyre që e kanë pasuar nuk mund t’i shpëtojë krahasimit me të. Ai ishte Mbreti Absolut, Zogu I i Shqiptarëve, i pamëshirshëm me armiqtë dhe i kujdeshëm me miqtë, përllogaritës gjakftohtë dhe trim sipas një stili shqiptarësh të vjetër; njohës i mendjes shqiptare dhe përdorues mjeshtëror i saj; interpretues i Kanunit, fesë, sentimenteve, por edhe shtetndërtues, me aq lëndë të pakët sa të ofron një hapësirë ku fisnorja bën ligjin dhe ku ligji nuk njihet për mbret. Mbret i një kohe tjetër sigurisht, por edhe Mbret për çdo kohë, gjithashtu. Por Princi Leka duket se ka nga ajo lënda tjetër, një lloj qetësie dhe durimi, një lloj vetëdije se t’i japësh kohë kohës është gjithashtu një gjest mbretëror. Mes Zogut I dhe Lekës II shtrihet, e paanë, historia. Por të gjithë e dimë se ajo merr kthesa kur të gjithë shpresojmë se asgjë nuk ndryshon më brenda saj. Princi Leka, ky Mbret i pashpallur, ky Mbret në pritje, e ka në të atë genin zogollian dhe duket se gjyshi i ashpër do të gjejë brenda butësisë së vet kohën e duhur për të bërë aleancë me historinë.
Gjyshi Juaj, Mbreti Zog, është identifikuar si njohës i psikologjisë shqiptare dhe rrjedhimisht një menaxhues i mirë i ndarjeve fetare, krahinore e klanore ndër shqiptarë. Kjo cilësi, veç të tjerash, e ndihmoi atë të formonte shtet aty ku shtet nuk kish patur më parë. A është kjo psikologji shqiptare më kompatibël me një formë të qeverisuri si monarkia, dhe pse?
Mendoj se pyetja juaj e ka vetë përgjigjen brenda, prandaj dhe unë besoj në idealin e Mbretërisë Kushtetuese, si një sistem që siguron stabilitet politik, ekonomik e social, dhe kjo u provua jo vetëm gjatë kohës së Mbretërisë në Shqipëri, por edhe nga përvoja e shteteve më të përparuara të Europës.
Nga disa, shihet si shenjë ‘tërheqjeje’ ose ‘dorëzimi’ fakti se Ju jeni zyrtar i Republikës? A shihni ndonjë paradoks te kjo: dikush që pret të betohet si Mbret u shërben strukturave republikane të shtetit?
Detyra ime është të jem në shërbim të vendit tim në çdo rrethanë, përvoja institucionale do më shërbejë edhe më shumë për të ardhmen.
Bashkë me Edin çapitemi përmes një nate të acartë shkurti pasi jemi përshëndoshur me Princin Leka këshilltarin e tij dhe me rojet te porta. Pedonalja ka pak lëvizje. Në të djathtë gjendet ministria e Brendshme, ku princi Leka punon si këshilltar. A ka një paradoks te kjo: një trashëgimtar që synon fronin mbretëror punon si zyrtar i Republikës? Përgjigjen e kësaj e morët pak më lart, por çdo përgjigje, në fund të fundit, do të kishte qenë e pamjaftueshme. E mjaftueshme duket se është vetëm koha në dispozicion të Princit. Ai ka kohë për të gjitha: të martohet, të lindë trashëgimtarë, ta zgjerojë Oborrin dhe të punojë në pritë të historisë. A nuk pat bërë të njëtën gjë edhe parardhësi i tij, Mbreti Zog?

Vatra historiku dhe personalitetet:

Historia e Federatës Panshqiptare të Amerikës "Vatra" dhe organit të saj "Dielli", pasuri e very kombëtare
 
 
 
* VATRA një libër ku spikasin vlerat hulumtuese dhe perceptuese të autorit, i cili ka ditur të ruajë një raport të drejtë midis materialit historik e arkival të kohës dhe atij biografik për fakte dhe ngjarje të Federatës Panshqiptare "VATRA". Ky raport është zgjidhur drejt dhe mirë edhe në gërshetimin e personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA të viteve 1912-1920.

* Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me kreun aktual të Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori e ka dhënë të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe.
 
 
 
BEQIR SINA, New York
 
 
 
 NEW YORK CITY : Dhjetë vite më parë, Prof.Assoc.Dr.Beqir Meta, mik i dëshmuar i Vatrës, u dhuroje lexuesve të saj shqiptarë nje vepër historike, kushtuar periudhës së parë të historikut, të kësaj organizate, fatlume që i solli aq e aq të mira atdheut dhe bashkësisë shqiptare të kontinentit Amerikan. Një shoqatë, kjo, e cila tani është në përgatitjet e fundit, për të festuar ashtu si i ka hije dhe si e meriton - kjo flakadania e atdhetarizmit dhe patriotizmit shqiptarë në Amerikë, Federata Panshqiptare e Amerikës "VATRA"
    Për këtë monografi "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, pasardhësi i kolosëve që udhëhoqën me plot lavdi këtë shqoatë, i ka thënë gazetës kombëtare Bota Sot, gazetarit tonë në New York, se " Kjo periudhë që quhet edhe "periudha e Artë" e historisë se "VATRES", përfshin vitet 1912-1920, dhe është një monografi që ska dyshim se do t'u bashkëngjitet kryeveprave të shkruara deri tani për Vatrën .
   Duke e risjell në kuadrin e 100 Vjetorit të themelimit të VATRES, botimin e kësaj monografie më duhet të ri-kujtojë se ish Kryetarin i shoqatës Vatra, zotin Agim Karagjozi, një figurë e njohur dhe personalitet i komunitetit. Pasi ai shpreh kënaqësinë e bordit të PanFederatës Vatra për sponsorizimin e kësaj vepre, duke e vlerësuar si një studim monografik shkencor për periudhën më të rëndësishme të saj ai shprehej atëhere  se: "Për ta pasqyruar në mënyrë sa më të plotë e reale mendimin politik të "VATRA"-s, veprimtarinë e saj të shumanshme politike e diplomatike dhe punën e madhe kulturore e propagandistike të atyre viteve, autori ka shfrytëzuar burime të shumta dhe një dokumentacion të pasur. Mjafton qoftë dhe një vështrim sipërfaqësor i kësaj monografie për të konstatuar se renditjen e materialeve autori e ka bërë në bazë të problematikës dhe kjo ndihmon lexuesin për shfrytëzimin me kriter të materialit shkencor-arkivor sipas interesave dhe pikësynimeve. Libri, padyshim përbën një sukses të prof. dr. Beqir Metës." thotë  "Kryetari i Përjetëshëm" , ish kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, zoti Agim Karagjozi, 

 

Duke lexuar librin e Metës, "Federata Panshqiptare "VATRA" , shohim se aty ka dokumentet e pasura arkivore të shfrytëzuara mjeshtërisht nga autori janë një elementi rëndësishëm që përkojnë me idenë dhe vihen në shërbim të saj, duke ia rritur dukshëm vlerat kësaj monografie. Materiali arkival e biografik është i shumtë. Pikërisht për këtë monografia Federata Panshqiptare "VATRA" ka vlera njohëse dhe edukative. Ashtu si dhe shprehej njëri nga recensuesit e veprës, as. prof. dr. Muharrem Dezhgiu, kur thotë se "monografia Federata Panshqiptare "Vatra" synon të japë me besnikëri fizionominë, sukseset, dështimet, avantazhet dhe kufizimet e saj, pikëpamjet politike të drejta dhe iluzionet e saj". Ndërsa recensuesi tjetër, prof. as. dr. Merenglen Verli e konsideron këtë monografi një arritje të re në studimin e historisë së emigracionit shqiptar në SHBA dhe në trajtimin e disa prej problemeve thelbësore të historisë së Shqipërisë në vitet 1912-1920. Duke konfirmuar miratimin dhe vlerësimin pozitiv të Departamentit të Historisë Moderne në Institutin e Historisë, prof. dr. Verli shpreh bindjen se monografia Federata Panshqiptare "VATRA" është pritur me interes nga lexuesit shqiptarë dhe të hapësirës mbarë shqiptare në botë. Nga ana e saj, redaktorja letrare e veprës, Pranvera Hasani, evidenton faktin se fantazia e autorit i ka qëndruar besnike realitetit historik, duke theksuar sidomos disa pika kyçe të aktivitetit patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë, në funksion të çështjes sonë kombëtare.

Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me ish kreun e Federatës Panshqiptare, "Vatra", zotin Agim Karagjozi, autori  ka dhënë me botimin e tij libri të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA, gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe. Ndër studimet më të përkryera të prof. dr. Beqir Metës të përfshira në këtë vepër mund të veçohen ato me titull "Denoncimi i politikës aneksioniste greke ndaj Shqipërisë", "Reagimi i "Vatrës" kundër pushtimit të Shqipërisë nga shtetet ndërluftuese", "Vatra" në lëvizjen kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore", "Marrëveshja e përfaqësuesve të "Vatrës" me Romën", "Mbrojtja e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes (1919-1920) si dhe "Përpjekjet për të siguruar përkrahjen e SHBA". Në këtë këndvështrim monografia e prof. dr. Beqir Metës mbështetet në një dokumentacion të pasur e literaturë të gjerë, të shfrytëzuar me kujdes prej tij. E ndriçuar nga të dhëna e fakte të gjurmuara brenda vendit dhe në diasporën shqiptare të asaj kohe të lavdishme, kjo monografi, botim i shtëpisë botuese  "Globus R" i shtohet vargut të botimeve të çmuara, edhe nga autorë të tjerë që kan shkruar për historinë e Vatrës, por edhe të figurave qëndrore të saj, si ajo e Nolit (Autobiografia e Fan Stilian Nolit e shkruar nga Prof. Nasho Jorgaqit ) dhe Konica,(Faik Konica, jeta në Uashington - autor Ilir Ikonomi). Këto vepra janë nderi që i bëhet vetë Federates Panshqiptare "VATRA", në këtë 100 Vjetor të themelimit të saj, si deshmi e re, e traditave tona të mrekullueshme dhe e gjenisë krijuese të popullit tonë, që në çdo epokë, nga e cila ka kaluar ka ditur të nxjerrë njerëz të shquar të, të gjitha fushave. 

Historia e “Vatrës” është drejtësisht histori e lëvizjes nacionale shqiptare në Amerikë

Vatra është organizata që mobilizoi forcat kombëtare në Amerikë dhe me anë të këtyre forcave shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. I ndjeri Faik Konica e ka përshkruar punën e “Vatrës” me këto fjalë në gazetën “Dielli” më datë 7 korrik 1922:

"Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimit e vendit, “Vatra”, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtarëve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptarëve, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e “Vatrës” u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsidiuan agjenci, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë, dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga “Vatra”….

Vazhdon i nderuari Konica: Shuma e tërë e harxheve te bëra nga “Vatra” si zëvendëse e shtetit është: 197.072.89 dollarë amerikanë. Këto shpenzime, u bënë që në fillim dhe deri në vitin 1922 kur bëri llogarinë e sipërme Faik Konica.

Themelimi i “Vatrës”.

Mbledhja e parë për të bashkuar të gjitha organizatat e shqiptarëve të Amerikës në një federatë u bë më 24 dhjetor 1911, në Boston. Kjo mbledhje u thirr prej shoqërisë “Besa-Besën”. Në këtë mbledhje morën pjesë Faik Konica, At Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Mbledhjet vazhduan deri më 28 prill 1912, kur “Vatra” u themelua zyrtarisht. Rekordi i komisionit të bashkimit më datën e sipërme, mban këto fjalë:



"E quajmë të formuar Federatën Panshqiptare “Vatra” të Amerikës, prej shoqërive “Besa-Besën”, “Flamuri i Krujës”, shoqërisë kombëtare dhe “Dallëndyshja”". Ne këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve.

Sekretar AT Fan Noli, arkëtar Llambi Chikozi, menaxher i gazetës “Dielli” Kristo Kirka, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës së gazetës “Dielli”: Paskal Aleksi, Elia Tromara dhe Kosta Vasili. Federata Panshqiptare “VATRA” , u njoh prej shtetit të Masacusetit dhe mori charten më 13 qershor 1912. Në chartën figurojnë këta emra: Faik Konica, Llambi Chikozi, Fan S. Noli , Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kotta. Faik Konica 15 mars 1875-15 dhjetor 1942, Theofan (Fan) S. Noli janar 6, 1882 - mars 13, 1965.

ROLI I “VATRËS” NË LUFTËN BALLKANIKE DHE NË LUFTËN E PARË BOTËRORE.

Si e thamë më parë, “Vatra” u themelua më 12 prill 1912, në tetor të atij viti plasi Lufta Ballkanike dhe më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë “Vatra” dërgoj Faik Konicën në Evropë dhe kisha jonë kombëtare dërgoi At Fan Nolin.

Faik Konica mbeti në Evropë deri sa mori fund Lufta e Parë Botërore, At Fan Noli u kthye në Amerikë më 1915 dhe mori përsipër fatin e “VATRËS” në dorë. Gjatë Luftës së Parë Botërorë “VATRA” u forcua shumë. Gjatë kësaj kohe gazeta “Dielli” u bë e përditshme nën drejtimin e zotit Kosta Chekrezi.

Gjate kësaj kohe u organizua trupa vullnetarësh, u themelua banda “VATRA” në udhëheqjen e prof. Thoma Nasit, u emëruan gjithashtu delegatë në Londër me në krye të nderuarin Mehmet Konica. Në afërsi të fundit të Luftës së Parë Botërore në qershor të vitit 1917 , “VATRA” hapi Fushatën Historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë Tij Peshkop Nolit:

"Mbahu nëno, mos kij frikë. Se ke djemtë në Amerikë"

Kur hyri Amerika në lufte në prill të 1917, At Fan Noli bashkoi personalisht Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë, Wilsoni e mbajti fjalën deri në fund. Pa përkrahjen e Wilsonit sot nuk do të kishim Shqipëri.

Më 1920 me anë të “VATRËS” Qeveria shqiptare mori hua nga Vatranët, të cilën nuk e pagoi me nder ashtu siç u zotua.

Librat e fundit që u botuan me anë të “VATRËS” janë:

“Historia e Skënderbeut dhe Bethoveni dhe Revolucioni Francez” në gjuhën angleze. Këto dy libra monumentale të qëndisura bukur prej Imzot Nolit, u botuan me djersën e VATRANËVE. Gjysma e shpenzimeve të librit "KREMTORIA" që botoi Peshkopata u mblodhën nga VATRANËT.

Më pas “VATRA” nëpërmjet kuvendeve të saj vendosi të përqendroi veprimet e saj në këto pika: “VATRA” duhet të mundet të mbledhë në gjirin e saj rininë; kryesisht “VATRA” duhet të mbetet si një organizatë letrare dhe mirëbërëse, “VATRA” duhet të krijoje një fond të veçantë për studentet ashtu sikundër ka bërë dhe më parë.

Editori i “Diellit”.

Komisioni i Vatrës për vitin 1954-1955, kryetari nderit peshkop F. S. Noli (ph. d) kryetar Gregory Speros, nënkryetar adem K Vishocica, arkëtar Llambi Misho, sekretar Shefqet Kamber (Benca), editori i “Diellit” G. M Panariti, pjesëtar të komisionit, Kemal Veisel, Nicholas Vesio, Pandeli Michael, Koli Janollari, Van Konari, pjesëtar rezerve: Seit Beqo Selenica, John Tassey Chris Theodore. anëtarët e këshillit: Ismail Emin, Ramadan Ali Arza, Petraq Andon, Sadik Kamber Pepellashi, Ismail Mevlani, Xhafer Pojani.

Nga Federata “Vatra” - Boston Mass. Dhjetor 1954.

Gazeta “Dielli” u themelua prej shoqërisë “Besa-Besën” më 15 shkurt 1909, si fletore e përjavshme. Më 11 mars 1913 pasi shoqëria “Besa-Besën” u tret (lexo: bashkua) me “Vatrën” dhe “Dielli” u bë prioritet i federatës, nisi të dalë dy herë në javë. Më 18 nëntor 1914 nisi të dalë tri herë në javë. Më 9 nëntor, 1915, nisi të dalë e përditshme.

Redaktorë të “Diellit” kanë qenë këta zotërinj: At Fan Noli që më 15 shkurt, 1909, deri më tetor 15, 1909. Z. Faik Be Konica që më tetor 22 1909 deri më 18 mars 1910. Komisioni i shoqërisë “Vatra” e drejtoj “Diellin” pa redaktor që më 25 mars deri më 29 prill 1910. Faik Be Konica që më 6 maj deri më 1 korrik 1910. “Dielli” pushoj së botuari që më 1 korrik deri më tetor 1910. At Fan Noli që më 7 tetor 1910 deri më 7 korrik 1911. Z. Eft’him Nasi që më 13 korrik deri më shtator 14 1911. Z. Kristo Floqi që më 21 shtator 1911 deri më 18 korrik 1912. Z. Faik Be Konica që më 1 gusht 1912 deri më 8 korrik 1913, po në janar të këtij moti Faik Beu shkoi në Evropë dhe barra e redaksisë që atëherë i mbeti më tepër z. Eft’him Nasi. Z. Kristo Dako që më 11 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Paskal Aleksi që më 29 gusht 1913 deri më 13 shkurt 1914. Z. Denis Kamburi që më 17 shkurt deri më 14 korrik 1914. Z. Eft’him Nasi që më 10 korrik deri më 6 nëntor 1914. Z. Koste Çekrezi që më 10 nëntor 1914 deri më 20 dhjetor 1915. I Per. At Fan Noli që më 21 dhjetor deri më 6 korrik 1916. Z. Bahri Omori që më 7 korrik e deri më sot.

I pari menaxher i “Diellit” ishte z. George Konda Gjoleka që kur u themelua gazeta deri më 5 maj 1911. Z. Lambi Çikozi që më 12 maj 1911 deri më 25 prill 1912. Z. Kristo Kirka që më 9 maj 1912 deri më 20 maj 1913. Z. Lambi Çikozi që më 23 maj deri më 8 korrik 1913. Z. Kristo Dako që më 11 deri më 22 korrik, 1913. Z. Hamid Lumi që më 25 korrik deri më 26 gusht 1913. Z. Vangjel Gjika që më 29 gusht 1913 deri më 8 maj 1914. Z. Dennis Kamburi që më 12 maj deri më 3 korrik 1914. Z. Lni Kristo që më 7 korrik 1914 deri më 7 korrik 1915. Z. Muke Përmeti që më 9 korrik 1915 deri më 21 prill 1917. Z. Akif Përmeti që më 16 korrik 1917 deri më sot.

(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i “VATRA”-s i vitit 1918 edituar për botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga “VATRA” në shtypshkronjën e “Diellit” në 1918)
 
 
 
(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i VATRA-s i vitit 1918 edituar per botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga VATRA ne Shtypshkronjen e Dielli-t ne 1918

boston-vatra
Ky fakt tregon se mbledhjet e 15, 17 marsit dhe 22 e 24 marsit te vitit 1912 per bashkimin e shoqerive ne nje te vetme nuk kaluan pa probleme e debate, sepse asnje nga shoqerite nuk pranonte te tretej nen nje organizate te madhe duke humbur identitetin. Atehere Konica shprehu konceptin federativ me perfaqesues nga cdo shoqate dhe ne cdo 50 anetare kishte nje perfaqesues ne Komitetin Organizator me nje kuote anetaresimi 3 dollare ne vit. Faik Konica shtroi per diskutim dy emra per shoqerine e re: “Parmenda” (me kuptim kulturor) dhe “Vatra” (me kuptim patriotik) qe te mblidheshin rreth saj te gjithe shqiptaret si nje familje e madhe pa ndryshim besimi ne mes tyre fetarisht ose politikisht. Mes brohoritjeve shoqeria e re u quajt Federata Pan – Shqiptare e Amerikes “Vatra”. Komisioni i Bashkimit perbehej nga:
Fan S. Noli
Faik Konica
Kristo Floqi
Paskal Aleksi.
Delegatet e shoqerive:
Elia Tromara
Llambi Cikozi
Kristo Kirka
Kosta Vasil
Koste Kota

25.IV.1968: Prof. Koliqi i paraqet Shëjtnis së Tij Paulit VI Kryetarin e «Vatrës», z. Anthony Athanas. Në mes shifen: Shkelqesa Emzot Perniciaro e on. Dr. Rozolin Petrotta.
II prof. Koliqi presenta a S. S. Paolo VI il Presidente dell'Associazione albanese-americana «Vatra».(
*Foto e marrë nga revista Shëjzat.)
Vullnetaret shqiptaro-amerikane, qe i pergatiti Aqif Permeti (I pushkatuar nga diktatura komuniste) ne mjediset e marra me qera ne Boston dhe qe me 1920 ne kohen e luftes se Vlores, 200 prej tyre, shkuan ne Shqiperi per te ngritur frymen Kombetare(foto e marrë nga albumi i gazetës Dielli)
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik dhe fotoalbumit të Vatrës dhe organit të saj Dielli
Krediti për këto foto i shkon vetëm arkivit historik të albumit historik të Vatrës dhe organit të saj

Saturday, April 7, 2012

Të rinjtë themelojnë partinë e ndryshimit


Dritan Broka, kryetar i partisë Civile
Dritan Broka, kryetar i partisë Civile

Ditën e nësërme më 8 prill qytetarët e Tiranës do të bashkëthemelojnë një ndër partitë politikë më të reja në vend. Mësohet që quhet Partia Civile dhe do të drejtohet nga i riu Dritan Broka i cili njihet për aktivizmin e tij në çështje të rëndesishme qytetare. Ai njihet si ndër njerëzit më kritikues të punëve qeveritare dhe ndër organizatorët e protestave shoqërore në vend. Partia Civile mësohet se do të jetë një forcë reale që do të bazohet në parimet të drejtëpërdrejta qytetare dhe jo drejt ideologjive të majta e të djathta.
Burime brenda partisë Civile janë shprehur që kjo është parti e hapur për të gjithë qytetarët, ku të gjithë janë të ftuar të jenë bashkëthemelues të kësaj partia e më pas për tu zgjedhur në struktura drejtuese sipas parimit një anëtar një votë. Fushata për bashkëthemelimin e Partisë Civile do të filloj në qytetin e Tiranës, më pas do të vazhdoj në qytete të tjera të vendit.
“Sjellja e një epoke të re, larg ideologjive të majta e të djathta. Të afrojmë politikën me qytetarin duke bashkëvendosur me to. Jemi për bashkimin kombëtar sepse çdo shteti i takojnë pronat e veta. Jemi për një shoqëri të hapur duke i dhënë prijoritet brezave të rinj për të mbyllur shtegun e së keqes. Të vendosim vet ne civilët sepse askush tjetër nuk mund të vendos për ne. Jemi komunitet i revoltuar nga gjendja e vendit… tashmë eja ta ndryshojmë…” janë shprehur pjestar të kësaj partie.
Por nuk dihen se kush do të jenë veccantitë e kësaj force të re politike apo sa elektorat do të krijojë kjo forcë.

Vëllai i Arben Brocit flet rreth reagimeve të politikës

Ruçi ka kërkuar takim për vrasjen, por s’bëri asnjë hetim

  
06/04/2012  Vëllai i Arben Brocit flet rreth reagimeve të politikës për vrasjen e 2 prillit dhe zhdukjen e provave

2 prilli i vitit 1991 do të mbahet mend gjithmonë nga shqiptarët. Është një ditë e zezë, kur katër djem të rinj nga qyteti i Shkodrës humbën jetën në protestën antikomuniste. Kanë kaluar 21 vjet nga ajo masakër dhe ende nuk është zbardhur ngjarja. Për të folur mbi këtë ngarje në emisionin “Rrno për me tregue” në televizionin “Shijak” të drejtuar nga gazetari Nebil Çika ishte i ftuar vëllai i një prej të vrarëve në këtë protestë antikomuniste. Artan Broci, vëlli i Arben Brocit, tregoi disa detaje lidhur mbi këtë ngjarje. Si e ka përjetuar ai, çfarë mban mend për atë ditë të zezë.

- 2 prilli është një ngjarje shumë e rëndësishme për familjen tuaj. Sot është 21-vjetori i vrasjes së vëllait tuaj, është ditë e dhimbshme për ju. Do të doja që emisionin ta fillonim me atë që ju mbani mend dhe ato që ju keni parë t’ia transmetoni edhe opinionit publik.

- 2 prilli kujtohet me shumë dhembshuri jo vetëm nga falja ime, por dhe nga i gjithë qyteti i Shkodrës. Është dita që familja ime humbi Arbenin, por jo vetëm ai. Edhe tre djem të tjerë të Shkodrës humbën jetën atë ditë. Kjo ngjarje la një gjurmë mjaft të fortë në qytetin e Shkodrës.

- Ju ishit në moshë madhore, mund të na thoni disa detaje në lidhje me këtë ngjarje?


- Unë kam qenë maturant. Një ditë më parë nga ngjarja, më 1 prill, u zhvillua një protestë. Atë ditë nuk kishte dhunë. Aty ishin edhe anëtarë të Partisë Demokratike. Më datën 2 studentët e gjimnazit “Jordan Misja” dolën në protestë, përsëri paqësisht, për manipulimin e zgjedhjeve. Ka qenë mëngjes dhe forcat e policisë ndërhyn menjëherë. Unë isha në shkollë. Kur dëgjuam krismat, dolëm direkt nga mësimi. Një person më tha se Arbeni nuk ishte mirë, por faktikisht atë e kishin vrarë.

- Ndoqëm disa pamje nga ngjarjet që ndodhën më 2 prillin 1991. Janë pamje shumë tragjike në lidhje me atë që ndodhi, çfarë komenti mund të bëni ju për këto pamje?

- Këto pamje janë shumë të rënda. Veçanërisht për familjen time. Është një plagë që nuk do të mbyllet asnjëherë në familjen Broci. Është vërtet e dhimbshme të shikosh djem të rinj që përcillen në banesën e fundit pa e nisur jetën akoma.

- Që nga dita e zezë e vitit 1991 përkujtohet me një vëmendje të madhe ajo ngjarje. Vëllai juaj dhe 3 dëshmorët e tjerë janë nderuar me titullin “Martirë të Demokracisë”. Sa jeni të kënaqur nga ky nderim që u kanë bërë?


- Arbeni ka qenë iniciator i Partisë Demokratike. Dhe ai nuk ka qenë rastësisht në ngjarjet e 2 prillit. Ato vendime që janë marrë në lidhje me vëllanë tim dhe 3 djemtë e tjerë janë deri diku të kënaqshme. Përpara disa kohësh u vendos që edhe në Qytetin Studenti të vendosej një statujë në nder të tyre, por nuk u realizua. Statuja duhej vendosur pasi Arbeni ka qenë student i dhjetorit, gjithashtu ka shkuar edhe në takimin me Ramiz Alinë. Ne mendojmë se duhen më shumë nderime për ata djem, por mbase këto janë edhe mundësitë që ka shteti shqiptar. E them këtë se në vitin 1993 u bë një dekorim për Arbenin dhe u la me kaq. Ndërkohë që vit pas viti ngjarja përkujtohet me shumë interes nga forcat politike në vend. Por në asnjë vit nuk i është bërë i njëjti nderim siç i është bërë më 1993-shin. Nuk duhet harruar se është përsëri e djathta në pushtet, ashtu si në vitin 1993. Teorikisht është e djathta në pushtet. Unë nuk kam pritur ndonjë vlerësim nga Presidenca pas vitit 1997, por prisja diçka nga Presidenti aktual, pasi Topi ka qenë nënkryetari i PD-së.

- Zoti Broci, dua të qëndrojmë në një çështje. Vëllai juaj dhe tre djemtë e tjerë u vranë. Ngjarja e dhimbshme e familjes suaj është edhe ngjarja më e përdorur nga politika. Janë në qendër të debateve midis së majtës dhe së djathtës. Si ju duket ky përdorim politik i kësaj ngjarjeje?

- Në pikëpamjet e moralit, them se nuk duhet të përdoren këto ngjarje, por ne nuk mund t’i ndalojmë ato. A ka të drejtë PD-ja ta përdor këtë ngjarje? Sigurisht q ka të drejtë, pasi Arbeni ishte themelues i saj. Unë do të them diçka që nuk e kam thënë as një herë. Gramoz Ruçi është personi më i sulmuar nga PD-ja. Në vitin 1997, pas ardhjes së tij në pushtet me anë të Partisë Socialiste, ai ka pasur një interes të vazhdueshëm për t’u takuar me ne, kërkesë të cilën e kam refuzuar kur kam mësuar qëllimin e tij. Për të mësuar cili është qëllimi, ai me ka përcjell këtë mesazh: “Unë kam qenë në emigracion që nga viti 1991 deri më 1997. Unë nuk jam i përfshirë në ngjarje, nuk jam i përlyer, por do të bëj ç’është e mundur për ta zbardhur atë ngjarje.” Në 8 vjet që PS-ja ishte në pushtet ai nuk bëri asnjë tentativë për këtë që më ka thënë, çka tregon se ai është kthyer në Gramozin e vitit 1991.

- Ju thatë se PD-ja u themelua nga Arbeni. Ai u vra si drejtuesi i Partisë Demokratike në Shkodër. Ju thoni se përdorimi i tij është i ligjshëm, por nuk shkon në vijë të drejtë me përpjekjet e PD-së për ta rikthyer apo për ta rizbardhur këtë ngjarje?


- Duhet të ndajmë moralin nga profesionalizmi. Ne kemi hartuar që në vitin 1994 një paketë kodesh, Kodi Penal, Kodi Civil etj. Këto kanë standardizuar kodet nga ai inkuizitor para ‘90-s, duke qenë se para ‘90-s kodi inkuizitor, ku partia bënte edhe dënimet. Pas ‘90-s u kalua në një kod akuzator. Dua të them se PD-ja nuk i ka pasur të gjitha pushtetet që të zbardhte këtë ngjarje. Nuk di që Prokuroria e Përgjithshme pas 1997-s të ketë hapur ndonjë çështje të tillë. Unë di që deri më 1996-n, kur ishte PD-ja në pushtet, u bënë disa tentativa për ta rihapur këtë çështje. Që nga 1997-a e deri tani nuk është bërë asnjë lloj tentative për ta zbardhur këtë çështje.

- Pas atyre ngjarjeve u hap një proces gjyqësor për të zbardhur këtë çështje. Kemi disa premtime për zbardhjen e kësaj çështjeje, por nuk ndodhi asgjë?


- Duhet të kemi parasysh se gjykimi nga hetimi janë dy gjëra shumë të ndryshme. Sot unë kam një koncept krejt tjetër nga ia që kam pasur në vitin 1991. Një çështje penale zbulohet 90% në vendin e ngjarjes. Në çështjen “2 prilli” nuk ka pasur asnjë ekzaminim të vendit të ngjarjes. Ka pasur një tendencë nga Prokuroria e Përgjithshme e asaj kohe për të mos e zbardhur ngjarjen. U bënë disa arrestime, por u liruan më 1997-n.

- Zoti Broci, tani ju jeni një jurist i njohur në Shqipëri. Nga ato prova që janë dhënë publikisht, me ato deklarata që janë dhënë publikisht, a mund të bëhet një hetim i asaj ngjarjeje?


- Unë kam thënë edhe më përpara se disponoj një kopje origjinale të dosjes “2 prilli”. Kam rreth 12 volume, të cilat në vitin 1997 u tentua të asgjësoheshin, pasi u dogjën shumë gjykata, shumë prokurori.

- Janë kërkuar që të asgjësohen?


- Po, janë kërkuar që të asgjësohen, por unë kam marrë 12 volumet e dosjeve për masakrën e 2 prillit. Siç kanë bërë disa aktorë, që janë gjykuar mbas 1997-s me dosje gjysmë të grisura dhe kanë fituar pafajësinë, ashtu donin të bënin edhe më çështjen e 2 prillit. Mbase dikush ka qenë i interesuar për të asgjësuar materialet.

- Me këtë dosje a mund të gjykohet ndryshe?


- Ka probleme të forta të hetimit. Ka pasur një tendencë jo për të zbardhur çështjen në pikëpamjet profesionale. Një lloj siç është edhe sot, kur shumë ngjarje ngelin të pazbardhura. Nuk dua të shfajësojë gjyqtarët, por besoj se nuk ka gjyqtar që nuk gjen një fajësi apo pafajësi, nëse disponon të gjitha materialet. I vetmi organ që mbledh provat është prokuroria. Në çështjen “2 prilli” ka shumë prova që janë në erë. Ju e dini se edhe sot e kësaj ditë nuk është zbuluar arma me të cilën është qëlluar Arben Broci. Është bërë këqyrje ligjore dhe ekspertiza ka ardhur dy orë para se ai të varrosej. Mjekët nuk kishin as metër për të bërë këqyrje, prandaj them se ka qenë hetim formal.

- A mund të rihapet çështja sot, duke e parë në syrin e një eksperti?


- Nuk është e pamundur, pavarësisht se jemi jashtë çdo afati në pikëpamje të ligjit. Në këto ligje nuk parashkruhet gjenocide, por krimi kundër njerëzimit.

- A mund të quhet “krim kundër njerëzimit” ose “gjenocid” vrasja e 4 personave dhe plagosja e shumë të tjerëve?


- Në Kodin Penal nuk është parashikuar numri i personave. Aty thuhet “vrasje masive”. Është shumë e vështirë për t’u realizuar, pasi nuk mund të gjendet prova për këtë ngjarje. Kanë kaluar 21 vjet dhe arkivat janë boshatisur të tëra. Siç e thatë ju pak më parë, janë shumë fjalime që nuk ekzistojnë më. Akte të ministrisë, arkivat sekrete e shumë të tilla janë zhdukur. Është shumë e vështirë për të shkuar te një pjesë e aktorëve që kanë bërë atë masakër, por jo e pamundur.

- Kalojmë në një pijë tjetër. Jemi 21 vjet pas ngjarjes. Kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera, siç është vrasja e Azem Hajdarit. Po e marr si precedent ngjarjen e 2 prillit në Shkodër. Kjo dëshirë për moshapjen e dosjeve të komunizmit sa ndikon në zhvillimin demokratik të vendit?


- Unë do të jap një statistikë. E djathta në përgjithësi ka vuajtur për juristë. Njerëzit e tjerë kanë dhënë prova që kanë qenë bashkëpunëtorë. Sistemi i drejtësisë duhet të pastrohet nga llumi i vjetër. Nuk jam ekstremist, që t’i përkas një strukture të caktuar. Duhet që këta njerëz të largohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë. Qoftë ligji për lustracionin, qoftë ndonjë gjë tjetër duhet t’i largojë ata. Nuk mund të rrinë akoma në drejtësinë e vendit njerëz që kanë dënuar me pushkatime në komunizëm. Kjo është e papranueshme.

- Këta njerëz të kapur kanë një material që i vërteton se ata kanë marrë pjesë në krimet e komunizmit. A ka ndonjë lloj presioni ndaj këtyre personave nga individë që kanë pasur akses në dosjet e komunizmit? A janë këta nëpunës të drejtësisë në presion për të marrë vendime gjykate për ata persona që kanë dijeni për implikimin e tyre në krime?


- Sigurisht që po, në pikëpamjen time. Është shumë e rëndësishme që në një gjykim nuk duhet të ketë angazhime të tjera. Shumë të majtë kanë marrë drejtësi. Këta persona që thoni ju unë i njoh shumë mirë. Ata kanë një lloj ngërçi në marrjen e vendimeve të tyre. Pra, këta lloj njerëzish kanë një problem të fortë me moralin.

- Por shantazhi a ekziston te këta individë?


- Dikush mund ta gjykojë si shantazh, por perceptimi është i lirë. Fakti ka treguar se edhe mund të ketë ndodhur kështu.

- Nëse këta persona do të iknin, kjo praktikë shantazhi do të ikë? Dua të kalojmë në një pikë tjetër. Kam bërë një investigim, nga ku del se të gjithë ata persona që kanë marrë pjesë në zbardhjen e çështjes së 2 prillit kanë pasur një karrierë shumë të suksesshme. Këtu flas për fusha ku ata merrnin pjesë: politikë, hetuesi etj...


- Një pyetje mjaft interesante kjo. Duhet ta konfirmoj edhe unë se një pjesë e madhe e tyre kanë bërë karrierë. Janë hetues që kanë qenë në nivele drejtuese dhe sot janë në majat e pushteteve në vend. Unë jam i prirur të mendoj se asgjë nuk është e rastësishme, pasi mund të ketë rastësi me një dhe jo me disa.

- Është rasti i vizitës së Ramiz Alisë në familjen tuaj. Çfarë u diskutua në atë vizitë?


- Ka qenë një ngjarje mjaft e rastësishme. Ne ishim mjaft skeptikë, pasi thoshim: “Pse ai erdhi për vizitë 6 muaj mbasi kishte ndodhur ngjarja?” Duke gjykuar pjesën e traditës, ne kemi pritur edhe vrasësin në varrim. U bë një kërkesë që ai do të angazhohej për të zbardhur ngjarjen.

- Një fisnikëri e madhe nga ju kjo. Çfarë tha ai konkretisht lidhur me ngjarjen?


- Siç ju thashë, ne kemi pritur edhe hasmin. Ai erdhi me premtime që do të zbardhte çështjen, do të gjente fajtorët. Kishte marrë disa informacione të përgjithshme mbi familjen dhe filloi të bënte marifete. Ishte një farsë shumë e rëndë. Në fund ai mori përgjigjen nga qytetarët e Shkodrës.

- A keni pasur kontakte me drejtuesit e tjerë të politikës së tjerë të vendit? Si kanë qenë marrëdhëniet me ta?


- Me përjashtim të Dilaver Paparës, ish-shefi i rendit i Shkodrës, të gjithë të tjerët nuk kanë pasur asnjë angazhim në këtë çështje. Nuk ka pasur asnjë tentativë për të kërkuar falje. E vetmja ndërhyrje që unë kam bërë ishte për lirimin e sekretarit të parë të Shkodrës.

E liruat ju personalisht?


- Në atë kohë isha gjyqtar në gjykatën e Tiranës. Një koleg imi më kërkoi një mendim në lidhje për lirimin e tij, pasi ishte në gjendje shëndetësore shumë të rëndë. I thashë se “ne jemi një familje me shpirt human”, ndaj ia të vdiste në shtëpi dhe jo në burg. Dhe realisht mbas dy muajsh ai vdiq. Mbas kësaj nuk kam pasur asnjë lloj kontakti me të tjerët.

- Ju jeni një familje me qëndrim të hershëm antikomunist, sa ka qenë përcaktues ky orientim i familjes suaj në atë që i ndodhi Arbenit?


- Ne jemi një familje me tradita. Historikisht kemi dhënë kontribut për të mirën e kombit. Një nga stërgjyshërit e mi, Mustafa Broci, është vrarë në luftën kundër malazezëve më 1864 në luftën e Kornicës. Pastaj kanë vazhduar problemet e tjera me regjimin komunist. Ishte marrja e pronave, burgosja e babait tim dhe vrasja e Arbenit. Këto kanë qenë faktor kyç në formimin tonë antikomunist. Kjo ka qenë arsyeja pse Arbeni u indetifikua si organizator i lëvizjes së dhjetorit. Kjo ka qenë një zgjedhje e tij dhe jo një detyrim që ia kanë dhënë me zor. Siç duket edhe për shkak të formimit që ai kishte. Ishte i deleguar në takimin me Ramiz Alinë, krijuesi i PD-së në Shkodër. Ishte caktuar edhe në organizimin e zgjedhjeve të marsit. Ky ka qenë aktiviteti i tij në politikë.

- Ka një debat sot të hapur për ish të-përdjekurit politikë. Një debat se sa janë ata kundërshtarë të regjimit dhe sa janë ata të vlerësuar. Ç’mund të na thoni për këtë?


- Është një pyetje me goxha interes. Për mendimin tim të persekutuarit e regjimit komunist duhet të kishin krijuar partinë e tyre dhe të mos kishin ngelur në formën e shoqatës. Angazhimi dhe kalimi sa me xhelatin dhe me engjëllin ka deformuar rolin e kësaj çështjeje. E majta që është sot dhe ka qenë dje xhelati i tyre, nuk mund të përkrahë këtë shtresë dhe as ata nuk mund të mbështeten te kjo forcë.

- Edhe kjo forca tjetër, PD-ja, ose e djathta, nuk duket se është aq e angazhuar në mbështetjen e tyre. Sot nuk kemi asnjë deputet që të jetë një ish-i burgosur politik. Si ju dekret ky fakt?


- Asnjë nuk të pret me krah hapur. Të gjithë duhet të përpiqemi. Mos mendo se sot çdo forcë politike, qoftë edhe e djathta, po vjen në shtëpi dhe po të merr brenda në parti. Brenda partisë ka lobime të ndryshme, ka dhe përfaqësi. Jozefina Topalli është pinjolle e një familjeje të persekutuarish. Nuk mund të thuash se pasardhësit e tyre nuk kanë dashur që të angazhohen në brendësi të tyre. Unë personalisht nuk kam dashur të angazhohem në politikë. Kam pasur oferta, por kam zgjedhur të qëndroj në profesionin tim.

- Është rikthyer prapë një debat në opinionin publik për çështjen e hapjes së dosjeve. Mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme për zbardhjen e krimeve. Ka pasur një nga mazhoranca për të hapur dosjet, por u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Sa është e mundur sot që të realizohet dhe sa i duhur është?


- Mundësitë janë. Mazhoranca ka 71 vota dhe mund ta bëjë. Mendoj se edhe vetë e majta do që të hapen dosjet që të shkëputet nga e shkuara. A është e rëndësishme kjo? Të them të drejtën, po. Nuk ka asnjë lloj pengese për ta ribërë prapë.

- Refuzimi ishte problem i ligjit apo i Gjykatës Kushtetuese? A mund ta kalojë ligji Gjykatën Kushtetuese, pasi, kur u refuzua ligji i parë, tre nga anëtarët ishin me konflikt interesi?


- Po në qoftë se Gjykata Kushtetuese ka shprehur papajtueshmërinë me ligjin, ka pasur një sens. Qeveria e vendit duhet të çojë një ligj tjetër të modifikuar dhe jo të njëjtin ligj. Në qoftë se dërgon të njëjtin ligj, atëherë do ta kthejë përsëri mbrapsht ligjin. Ne duhet të shkëputemi një herë e mirë nga sistemi i komunizmit. Është shumë e rëndësishme për Shqipërinë që të ecë përpara. Sot ka profesione të lira, ku këta njerëz mund të punojnë. Nuk duhet që të vazhdojnë të vendosin drejtësi kur janë vetë të përlyer me gjak. Ne nuk mund t’i gjykojmë ata, pasi ka kaluar shumë kohë, por ata duhet të dalin një herë e mirë nga organet drejtuese të vendit.

- Një pyetje të fundit. Sot, 21 vjet pas masakrës së 2 prillit, sa e shihini të realizuar ëndrrën e vëllait tuaj?


- Shumë faleminderit për pyetjen! Lajtmotivi i parë i studentëve të dhjetorit ka qenë: “Liri-demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Në fakt, një pjesë e asaj ëndrre është realizuar. Tani jemi në NATO, mund të lëvizim të lirë. Bashkimi me Kosovën është bërë i mundur de facto, por jo de juro. Unë nuk e harroj kurrë një thënie të tim vëllai se më 2013-n Kosova dhe Shqipëria do të jenë bashkë. Nuk e di nga e kishte këtë informacion. Të them të drejtën, shpesh e kujtoj. Ja që u realizua dhe pjesa më e madhe e vizionit të tyre është realizuar.

- Një pjesë e atyre që u ngritën kundër janë ende në pushtet, si ju duket kjo në planin personal?


- Është shumë e vështirë që të shkëputemi 100% nga kjo pjesë. Me futjen e ligjit të lustracionit dhe ligjeve të tjera besoj se do të bëhet e mundur shkëputja nga prej tyre.

100 gjëra që duhet të bëni për tu ndjerë i lumtur!

Si mund të jemi të lumtur? Sa herë ia kemi bërë vetes këtë pyetje? Në të vërtetë të jesh i pasur dhe me famë mendohet se të bën të lumtur. Në kulturat perëndimore hidhen ide se bukuria është një nga mënyrat për tu ndjerë të lumtur. Ky mendim mund t’i sjellë sukses tregut, por jo atyre që e zotërojnë këtë bukuri.
1. Kurrë mos e vini veten tuaj përfund
2. Kur jepni dorën për të ndihmuar dikë, duhet të jeni të kujdesshëm të mos ju shkelin me këmbë
3. Ndihuni krenar për atë që keni arritur në jetë
4. Pranoni suksesin tuaj së bashku me humbjen
5. Përpiquni për progres, jo për përsosmëri
6. Mos harroni të dëgjoni zërin tuaj
7. Së paku një orë në ditë uluni dhe mos bëni asgjë
8. Mos e ngushtoni zemrën tuaj kundër dhimbjes së jetës, por luftoni
9. Shijoni çastet e bukura që ju dhuron koha
10. Mos rrini të mbyllur
11. Festoni të gjitha ditëlindjet tuaja, pa marrë parasysh se kaloi dhe një vit
12. Shqyrtoni jetën tuaj për kufizimet dhe pyesni veten pse arritët atje
13. Mbillni një pemë dhe shkulni nga kopshti barërat e këqija
14. Zvogëloni dëshirat për mendimet e këqija
15. Qani kur ndjeheni keq
16. Gëzohuni me triumfin e njerëzve të tjerë
17. Mos lejoni që dikush të tallet me ju
18. Faleni veten për gabimet që bëni pa marrë parasysh sa i rëndë është ai
19. Zgjidhni shoqëri të mirë
20. Asnjëherë mos merrni një pilulë për dhimbjen që mund të ndjeni
21. Përdorni entuziazmin tuaj për tu veshur bukur dhe jepini vetes një shkëndijë për të ecur përpara
22. Shikojini në sy personat që doni kur bisedoni
23. Ecni në shi me çadër të mbyllur
24. Gëzojini të tjerë me një gjest të bukur
25. Mbani sytë dhe veshët hapur për të marrë mesazhet që ju duhet nga njerëzit dhe ngjarjet në jetën tuaj të përditshme
26. Jini të durueshëm
27. Hani ushqime bio
28. Ecni dorë për dore me të vërtetën
29. Shkoni me pushime sa herë të keni mundësi
30. Qeshni sa më shumë gjatë ditës
31. Mos e lini veten në vetmi
32. Jini të përkushtuar, por jo xheloz
33. Mos mbani mëri me njerëzit
34. Harroni të shkuarën dhe jetoni të tashmen
35. Mos gjykoni të tjerët për veprimet e tyre
36. Dërgojini një mesazh mendjes suaj
37. Kujtojini vetes se arritjet tuaja në jetë janë reflektim i asaj që ju keni bërë
38. Shkoni shpesh në piknik
39. Pranoni frikën tuaj dhe përballuni me të
40. Kujtojini vetes suaj sa të rëndësishëm jeni për dikë
41. Mos lejoni që mendimet e të tjerëve t’ju prishin humorin
42. Thuaj një lutje
43. Mendoni gjithnjë se jeni me fat
44. Jini të sigurt kur thoni jo
45. Shikoni anën pozitive të situatave negative
46. Mos harroni se jeni një qenie shpirtërore në një trup fizik
47. Shmangni mendimet negative të të tjerëve
48. Fluturoni në një balonë
49. Shmangni grindjet
50. Pranoni gjërat që mund t’i ndryshoni
51. Shihni jashtë vetes për zgjidhjen e problemeve
52. Mos harroni se ndjenjat janë për njerëzit
53. Mbrojeni veten nga ndikimet e këqija
54. Qëndroni në atë që besoni
55. Respektoni dëshirat e të tjerëve
56. Kapni çdo moment të jetës me dëshirë
57. Dhuroni çdo gjë që ju nuk e përdorni
58. Kurrë mos abuzoni me alkoolin
59. Merrni përgjegjësi për atë që ju bëni dhe mendoni
60. Përkëdheleni veten
61. Asnjëherë mos abuzoni me një fëmijë
62. Punoni si vullnetarë për të ndihmuar njerëzit në nevojë
63. Përmbahuni ndaj ushqimeve që ju bëjnë keq
64. Mos hyni në biznes pa qenë të sigurt
65. Jetojeni jetën me sportivitet
66. Gjeni një prizëm për të shfryrë zemërimin tuaj
67. Mendoni për bollëk në vend të mungesës
68. Mendoni se jeni një i mbijetuar dhe jo një viktimë
69. Përqafoni një kafshë
70. Jeni të hapur me jetën
71. Shihni suksesin si diçka që tashmë e keni dhe jo si një gjë që duhet ta arrini
72. Përjetoni shkëlqimin dhe frikën e një muzgu
73. Mësoni të jetoni të ardhmen
74. Në vend që të besoni në mrekulli, luftoni për to
75. Faluni shumë gëzim fëmijëve
76. Ndryshoni qëndrimin tuaj dhe e gjithë jeta juaj do të ndryshojë
77. Mos përdorni pushtetin tuaj kundër dikujt
78. Kur zemra juaj është në kundërshtim me kokën, ndiqni zemrën tuaj
79. Gjithmonë kujtoni se e kaluara është zhdukur gjithmonë
80. Jetojeni jetën tuaj sipas asaj që ju mendoni se është e drejtë për ju
81. Pranoni gabimet tuaja
82. Shihni si rritet pema që ju keni mbjellë
83. Shihni mikun në vend të armikut në një fytyrë të huaj
84. Shihni se si ushtria e milingonave ndërton folenë e vet dhe reflektoni për jetën tuaj
85. Besojini vetes suaj
86. Mos nxitoni me vendimet që merrni
87. Zgjidhini problemet tuaja ngadalë
88. Pranoni komplimentet nga të tjerët dhe do të shihni të vërtetën për veten tuaj
89. Uluni në lëndinë pa u brengosur për njollat e barit
90. Mos e dënoni veten për defektet tuaja
91. Mos u përulni para askujt
92. Tregojini njerëzve sa i vlerësoni ata
93. Kurrë mos merrni vendime që janë vetëm për të mirën e të tjerëve
94. Flisni pak dhe dëgjoni shumë
95. Trajtojeni mirë trupin tuaj
96. Lexoni librat që ju pëlqejnë
97. Plotësojini çdo tekë vetes suaj
98. Mendoni se dikush tjetër mund të jetë më keq se ju
99. Dashuroni deri në fund
100. Mendoni se çdo sekondë nuk kthehet më

Maksim Haxhia: Berisha donte dënimin e Pashkos e Imamit

TIRANE- Ish-prokurori i Përgjithshëm, Maksim Haxhia, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” deklaron për herë të parë si e propozoi Azem Hajdari në këtë post, si refuzoi Ministrinë e Mbrojtjes, marrëdhëniet e acaruar me ish-Presidentin Berisha, ish-ministrin e Mbrojtjes Zhulali për Sazanin dhe ish-ministrin e Rendit, Kopliku.
Ish-kryeprokurori rrëfen përgatitjen e dosjes për Ramiz Alinë, për 2 prillin, për Ilir Metën, si mbrojti nga burgu dy drejtuesit e qazetës Koha Jonë, Nikollë Lesi dhe Aleksandër Frangaj, presioni për dënime në shkallë të gjërë. Kryetari I Dhomës Kombëtare të Avokatisë, prof. as. dr. Maksim R. Haxhia tregon se udhëheqja e atëhershme kërkoi goditjen përmes drejtësisë të "mocionistëve" Ceka, Pashko, Imami, Keko dhe Zogaj por dhe si përdorën pretekste për ta shkarkuar, pasi nuk dha dorëheqjen siç ia kërkuan. Në një rrëfim të gjatë, Maksim Haxhia flet për përplasjet dhe klanet në PD, të cilat vepronin si njësi më vete dhe që sollën dhe shkatërrimin e drejtësisë shqiptare.

Zoti Haxhia, jeni Kryeprokurori i parë për periudhën postkomuniste. Si erdhët në krye të Prokurorisë shqiptare?
Është e vërtetë që unë kam qënë Kryeprokurori jo vetëm i parë pas rrëzimit të regjimit totalitar komunist, por mund të them që kam qënë dhe prokurori më i ri në atë periudhë. Kuptohet që në atë periudhë kërkohej një kryeprokuror që të mos kishte implikime në pozicionet e drejtësisë së nomenclatures komuniste. Unë në atë kohë kam qënë pedagog, shef katedre dhe zv.dekan në fakultetin e drejtësisë.

Cili ishte personi që ju propozoi në krye të Prokurorisë shqiptare dhe si u arrit të përzgjidhej emri juaj?
Kuptohet që lidhjet e mia kanë qenë me studentët, me iniciativën e tyre për grevën e urisë, heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti, pluripartizmin dhe hapjen e shoqërisë shqiptare drejt ekonomisë së tregut dhe pronës private. Lidhjet e mia ishin me studentët, të cilët ishin dhe iniciuesit e lëvizjes demokratike në Shqipëri, siç ishte dhe heroi I demokracisë, i ndjeri Azem Hajdari. Pikërisht Hajdari ishte dhe promotori i propozimit për emërimin tim. Fillimisht qe një përpjekje për të më emëruar ministër të Mbrojtjes, ku natyrisht presidenti i asaj kohe Sali Berisha insistoi, me atë njohje që i kishin referuar. Por unë refuzova disa herë, pasi nuk më lidhte asgjë me Ministrinë e Mbrojtjes. Por me idealet e kohës kërkoja të kontribuoja në profesionin tim, për të cilin kisha akumuluar dhe një bazë tetorike dhe praktike. Kështu që përfundimisht m'u propozua posti i Prokurorit të Përgjithshëm.

Ishte detyrë e vështirë, i parashikoje presionet politike...?
Gjithsesi, unë e pranova këtë detyrë. Kuptohet që nuk doja të luaja "djalin e përkëdhelur", megjithëse e parandjeja se ishte detyra më e vështirë e kohës. E them këtë sepse në fund të fundit, të gjitha presionet do të përfundonin tek prokuroria. Qoftë nga forcat demokratike, të cilat aspironin për drejtësi, por që po ta themi dhe në mënyrë të sinqertë kishin dhe sensin e hakmarrjes ndaj nomenklaturës, qoftë dhe për t'i hapur rrugë zhvillimit dhe për të frenuar eksodet. Por ishte dhe mentaliteti i kohës, sepse shoqëria shqiptare vinte nga një mbyllje e gjatë dhe nuk mund ta pranonte që dhe shtypi të merrte atë zhvillim që mori në atë kohë, siç ishte gazeta 'Koha Jonë' apo gazetat e tjera që filluan në atë kohë, të cilat dashur pa dashur filluan të bëhen opozitë e fortë e qeverisë së kohës, qeveri e cila harroi se kishte ardhur dhe kishte marrë një mision demokratik, por që harroi dhe një gjë tjetër të rëndësishme, misionin informues të medias.

Pra u përballët me presionet dhe përplasjet e para...?
Ritheksoj, në mes të këtyre përplasjeve ishte prokuroria, e cila përgithësisht përbëhej nga prokurorë të rinj, pasi u lëvizën të gjithë për shkak të një reforme totale. Mjete nuk kishim, eksperincë nuk kishim, mbështetje nuk kishim. Aq më tepër që unë nuk militoja në strukturat e larta të PD, që të kisha dhe unë përkrahjen e ndonjë klani të caktuar. Gjithashtu filluan dhe eksodet nga Shqipëria në drejtim të vendeve fqinje.

Po përplasjet e para reale kur filluan, duke ua bërë të vështirë detyrën?
Kishim ngjarjen e Poliçanit, ku pretendohej se ishte implikuar dhe deputeti I Partisë Socialiste, atëherë në opozitë, Ilir Meta. Kam qënë vetë personalisht në vendngjarje, bëmë diferencimet tona juridike, duke u pozicionuar dhe qëndruar në ato linja ku unë I kisha vënë qëllim vetes, që të mos implikohesha politikisht.
Pra pavarësisht se kisha presione politike, isha më se i vendosur që prej
këtyre presioneve politike të evidentoja dhe të merrja vetëm atë që ishte juridike, jo të bëhesha mashë për të realizuar qëllimet politike ndaj një grupi apo ndaj një grupi tjetër.

Por, situatat e vështira nuk mbaruan, me sa duket mandati juaj do të ishte me përplasje të tilla...?
Më 8 gusht u krijua dhe grupi i mocionistëve me Neritan Cekën, të ndjerët Gramoz Pashko e Teodor Keko, me Zogajn, Imamin etj, të cilët kuptohet si grup i parë në një fluks të madh siç ishte pozicionimi dhe autoriteti i Partisë Demokratike, ishte e pakonceptueshme një dalje e tillë. Në këtë këndvështrim kuptohet pati dhe presione dhe reagime për ndonjë ndërhyrje të fortë juridike kundër tyre, pasi ishin pozicionuar kundër PD. Por që unë isha i vendosur, zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Pra, ka pasur presione nga të gjitha anët dhe për gjithçka...?
Ka pasur një sërë denoncimesh për gazetarët, të cilat unë nuk i pranova. Unë nuk mbroja ata nëse do të kishin ndonjë aktivitet riminal, apo që kishin elementë penale, or duke kërkuar të isha gjithnjë sa më profesional. Edhe shtresa e të përndjekurve politikë që ndoshta nuk e kuptuan pozicionin tim, ose isha i parakohshëm në atë situatë bënë presionin e tyre. Të gjitha këto krijuan rrethanat dhe presionin që mua më çuan deri në largimin nga detyra.

Me zotin Berisha keni komunikuar apo jeni takuar në atë kohë dhe si kanë qënë marrëdhëniet me të si President i asaj kohe?
Në atë kohë unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira me Berishën dhe ai në atë kohë ishte i përkushtuar për drejtësinë. Duke e pare sot në retrospektive, e shoh shumë ndryshe pozicionin e tij.... Pasi bëj një analizë të të gjithë ecurisë politike, sociale të vendit mund të them që Berisha në atë kohë ka qënë nën trysninë e grupeve të ndryshme brenda partië, sepse kërkonin një prokuror që të kënaqnin dhe ata kërkesat e tyre. Ndoshta unë, duke qenë profesionist dhe i paanshëm, më quanin si një njeri që doja të mbroja nomenklaturën komuniste ose të bëja lojën e ndonjë klani brendapërbrenda PD. Kështu që erdhi momenti qe dhe zoti Berisha u vu në një pozicion të tillë, që u bë pjesë e konfliktit. Pas kësaj situate, konflikti i agravua, pasi pa miratimin e Berishës nuk mund të bëhej asnjë hap. Siç duket ishte e natyrshme që unë duhej të sakrifikohesha përballë të gjithë atyre klaneve që ishin në PD-në e asaj kohe.

Ju kërkuan dorëheqjen...?
Mua m'u kërkua dorëheqja dhe nuk e dhashë. Dhe jo se nuk e njihja institucionin e dorëheqjes, por sepse arsyet për të cilat më është kërkuar një gjë e tillë, nuk më bindën. Aq më tepër që unë isha i përkushtuar dhe isha ëndërrimtar për atë mision që kisha marrë. Sakrifikova për këtë mision, pasi pata një bursë në Gjermani, 5 vjet për doktoraturë dhe sakrifikova për të ardhur në këtë detyrë. Por nuk ishte vetëm kjo, por që dhe gjithë brezi ynë në atë kohë kishte ideale dhe ishim të përkushtuar për një sistem të ri, me ato parime, secili në fushën e vet.

Si nisi shkarkimi juaj në atë kohë...?
Kur më kanë thirrur në interpelancë në Kuvend me grupin e ish-mosionistëve, kryetari i Kuvendit, i ndjeri Pjetër Arbnori, pasi në bazë të dispozitave kushtetuese mua nuk më takonte të thirresha në interpelancë në Kuvend si Prokurori i Përgjithshëm, por vetëm ministrat, më tha që 'mund të ikni pasi nuk lejohet'. Në një bisedë konfidenciale me të, I thashë se "unë do të vij në interpelancë, pavarësisht se nuk më takon, por do të vij vetëm e vetëm se dua të iki nga detyra. Më mirë iki tani dhe gjejnë ndonjë sebep dhe ia lë vendin bosh një personi që mund të përshtatet dhe të kënaqë interesat e klaneve se sa të përdhos të ardhmen time. Më mirë iki tani me këtë kosto",i thashë.

Po çfarë kërkonin realisht...?
Konflikti filloi që me ministrin e Rendit të asaj kohe, Bashkim Koplikun, pasi filluan ca kontrolle banesash te ish-ushtarakët e Laçit që i bënin në 2 të natës, ndërkohë që mund t'i thërrisnin vetëm duke u marrë armën. Unë këtë e kundërshtova duke filluar dhe penalizimet në Ministrinë e Rendit, sepse ishte atribut I Prokurorit të Përgjithshëm që të jepte lejen për kontrolle.

Pastaj konflikteve sikur u "hape" derën...?
Një konflikt tjetër ishte dhe problemi i Sazanit. Kishte një eksod me një anije nga Sazani, ku ishin disa ushtarakë me fëmijët e tyre. Për herë të parë gjetëm një grup të organizuar për eksodet drejt Italisë, sepse deri atëherë ishin kështu në mënyrë sporadike dhe të paorganizuara, kapej një anije dhe me të ikej. Anija u rrëmbye dhe vajti në Itali, dhe gjithë këta persona, bashkë me familjarët nuk erdhën. 14 veta që ne zbuluam i vumë përpara përgjegjësisë. Me të ndjerin ministrin e Mbrojtjes, Safet Zhulali patëm një konflikt, pasi ai kërkonte që të penalizoheshin të gjithë ushtarakët që ishin në anije, me idenë se përse nuk luftuan për të mbrojtur anijen. Unë i thashë se nuk mund të luftonin, pasi nuk jemi në kushtet e filmit 'Duel i Heshtur', ndërkohë që në anije kishte fëmijë dhe gra.

Dhe të gjitha këto përplasje me politikën e kohës bëheshin kur goditeshin gazetarët, por dhe "fabrikoheshin" juristë me kurse tremujore te "plepat" në Durrës...?
Kam qënë kundërshtar i prerë ndaj kurseve të përshpejtuara të përgatitjes së juristëve, të cilët për tre muaj kurs u bënë gjyqtarë. Kam pasur përplasje të forta dhe për problemin e gazetarëve. Më është bërë presion, madje më është kërkuar me këmbëngulje arrestimi i disa gazetarëve të Koha Jonë, por unë nuk e kam pranuar një urdhër të tillë, pasi nuk kishte asnjë element të veprës penale, jo se doja thjeshtë t'I mbroja. Bëhet fjalë për Nikollë Lesin dhe Aleksandër Frangajn. Ata më erdhën të dy në zyrë dhe unë i garantova ata se, duke vënë në funksion anën time profesionale dhe se si e shoh unë këtë problem, pasi shqyrtova akuzat, se sa të jem unë Prokuror i Përgjithshëm në këto veprime nuk ka vepër penale. Jo se desha t'i mbroj por s'kishte shkelje.

Goditjet të bëheshin se s'kishe mbështetje politike...?
Përplasje kisha, siç e thashë dhe më lart për problemin e mocionistëve, që më bëhej presion të bëja diçka kundër tyre. Ishte dhe problemi I Hajdin Sejdisë që pati një konflikt juridik. Këto ishin elementë të një treguesi që unë s'isha pjesë tu u bë derisa çështja shkoi në Gjykatë. Pastaj unë e lashë sepse kështu erdhën situatat.

Po për arrestimin e ish-presidentit Ramiz Alia...?
Po, unë kam qënë Prokuror i Përgjithshëm në momentin e mbledhjes së dokumentacionit për procedimin penal ndaj ish-presidentit Ramiz Alia. Kam kërkuar me insistim që çdkush që kishte prova t'i sillte, në mënyrë që të krijohej dosja për të dhe më pas të kalonin për gjykim. Atëherë pas dy ditësh, unë më 17 shtator të vitit 1992, u shkarkova dhe pastaj Ramiz Alia u arrestua nga pasardhësi im në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm.

Pas kësaj kohe ju keni ushtruar profesionin e avokatit...?
Për hir të së vërtetës unë kam qënë shumë I apasionuar pas procesit akademik. Kërkova të kthehesha pranë fakultetit juridik, por m'u mohua kjo mundësi dhe kështu fillova në profesionin e avokatit. Që në fillesat e punës sime si avokat më zgjodhen në krye të avokatëve të Tiranës, sepse kryetar i përgjithshëm u zgjodh I nderuari Kleanthi Koçi.

Ju keni pasur çështje të rëndësishme që keni mbrojtur, cilën vlerësoni si më të rëndësishmen...?
Unë kam pasur shumë çështje, por nuk mund të them se cila ka qënë çështja më e rëndësishme. Në gjuhën tuaj gazetareske mund të thuhet çështje e rëndësishme dhe persona të rëndësishëm. Por për një avokat nuk ka çështje dhe persona të tillë. Për një avokat ka një çështje, të cilët duhet t'I përkushtohet me përgjegjësi dhe ta vlerësojë maksimalisht, si për atë që ka një çështje të vogël se për atë është një çështje e madhe, dhe si për atë që ka një çështje të madhe, pasi sërisht është çështje e madhe për të. Si ai që është fukara, si ai që është i pasur, si ai që ka një poizicion social si ai që nuk e ka një të tillë. Jam munduar të jem i përkushtuar, por mund të them që nuk ka profesion më të vështirë se sa avokati. Është shumë i vështirë, pasi me hallet e tua çmendesh dhe jo më të jetosh dhe me hallet e tjetrit. Aq më tepër që tjetri të ka besuar jetën, të ka besuar lirinë, të ka besuar familjen, të ka besuar pasurinë, përgjegjësia jote shumëfishohet. Dhe me këtë përgjegjësi duhet të ruash balancat që të ushtrosh maksimalisht profesionin tënd, dijet profesionale, ta mbrosh sa më me efektivitet sa më me besnikëri, kuptohet duke shfrytëzuar dhe ndonjë lidhje me prokurorinë, gjykatën apo palën, në kuptimin e drejtë që të të mos mohohet e drejta që të takon për palën që t'i mbron si avokat.

Keni pasur përballë dhe prokurorët dhe gjyqtarët, si e mendoni ecurinë e drejtësisë në Shqipëri, sa profesionale është?
Kjo është pyetja që unë e kam pritur prej kohësh dhe që mendoj se duhet të jetë objekt i një tryeze të përbashkët me politikanë, juristë, ekonomistë, me shoqërinë civile dhe me ndërkombëtarët. Unë kam qëndrimin tim të prerë që konsiston: Demokracia në Shqipëri do të vendoset vetëm ateherë kur të vendoset drejtësia. Drejtësia në Shqipëri do vendosetatëherë kur të perfeksionohet Gjykata e Lartë. Gjykata e Lartë do të perfeksionohet atëherë kur një president të jetë I përgjegjshëm që të përfillë e të respektojë gjithë mendimin e shoqërisë civile dhe duke lënë të fundit fare interesat politike, në emërimin e gjyqtarëve. Këtu fillon dhe mbaron përgjegjësia dhe tulla e parë e themelit të drejtësisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Eshtë kjo drejtësi që është dhe po e vuajmë ne sot, sepse nuk janë respektuar pikërisht piketat e kriteret e përgjedhjes së gjyqtarëve. Kam insistuar, dhe në emër të komunitetit që përfaqësoj që pika më e dobët, pra dhe korrupsioini politik, dhe ai krahinor, klanor dhe korrupsioni financiar, është në këtë pikë.

(aq/shqiptarja.com)

Maks Haxhia: Preferoj Nanon President, Gërdeci jo aksident
TIRANE - Ish-prokurori dhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim R.Haxhia, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën "Shqiptarja.com" flet për sistemin e drejtësi, emërimet skandaloze në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese, KLD dhe Avokatin e Popullit dhe se preferenca e tij për President është Fatos Nano. Njëherësh ai thotë se "Gërdeci" nuk ishte një aksident por vepër e grupeve që s'donin anëtarësimin në NATO. Sipas tij, NATO kishte lajmëruar për këtë incident një muaj përpara.

Ju keni pasur në dorë këto kohët e fundit çështje të nxehta. Ka pasur presione nga politika?
Në eksperiencën time 22 vjeçare si avokat dhe 30 vjeçare si jurist, kuptohet që të thuash se nuk ka pasur presione është që të mbulosh gjithçka me dafina. Për të qënë realist ka pasur presione. Por presioni nuk bëhet tek avokatët, rrallë bëhet. Presionet i ke tek prokuroria dhe tek gjykata. Në çështjet që ju përmendet duke marrë shkas nga çështja e "Gërdecit", kjo është një temë që nuk zgjidhet me këtë intervistë. Por vetëm mund ta përmbledh që, ata që janë të pandehur, dhe personalisht që ai që kam mbrojtur unë, Mihal Delijorgji, mund të them me plot gojën që është i pafajshëm. Eshtë fryrë dhe është spostuar përgjegjësia reale tek një person që ka bërë një biznes të ligjshëm.

Por ka pasur reagim dhe nga familjarët...?
Natyrisht që ky konkluzion nuk u vjen mirë shumë shtresave dhe familjeve, të cilat kanë mbajtur një qëndrim që nuk ka qënë dinjitoz, por që unë i justifikoj me hallin që kanë pasur. Por halli i tyre lehtësohet kur vihen përpara drejtësisë jo njerëz që nuk kanë qënë kurrë fajtorë....

Mendoni se përgjegjësia është më lart...?
Përgjegjësia është zinxhir. Në këto lloj ngjarjesh nuk ka përgjegjësi individuale. Ndërsa sot unë po bëj një deklaratë e cila nuk është bërë seriozisht, apo është anashkaluar më përpara. Ngjarja e Gërdecit nuk është aksident njerëzor, por është një ngjarje e paralajmwruar. Dhe po të citoj deklarimin e një personi të rëndësishëm në ministrinë e Mbrojtjes, në procesin e zhvilluar i cili tha: Një muaj më përpara na kanë thirrur në qendrën e NATO-s, Ministrin e Mbrojtjes dhe mua dhe na kanë thwnë tekstualisht kështu "bëni kujdes, se nga të dhënat që kemi ne nga informacionet sekrete (NATO do të thotë gjithë bota, në krye CIA), grupe individësh dhe grupe të interesuar për të minuar procesin e futjes së Shqipërisë në NATO janë të interesuar të krijojnë incidente për të ulur reputacionin e Shqipërisë si i garantuar dhe i mbështetur nga fuqitë e mëdha me në krye SHBA për t'u anëtarësuar në NATO". Dhe është e vërtetë, pas një muaji ndodhi ky incident.

Por nuk është analizuar kjo deri më tani...?
Nëse kjo do bëhej analizë, dhe kam shumë materiale në dosje që kanë shumë të dhëna, me specialistë që unë i kam kërkuar për ekspertimin hetimor, kurrë nuk ndizej baruti nga karroca, e cila ka ardhur pas 20 minutash sipas tyre. Sepse djali i atij që është vrarë dhe që pretendohet se ka sjellë karrocën thotë që babai i tij atë ditw nuk ka ardhur të saldojë karrocë në shtëpi sepse unë po lidhja hardhitë. Pra kjo është e vërteta. Dhe specialistët thonë se baruti pa dotenator nuk shpërthen. Po të shikoni me vëmendje ngjarjen që jepet nga mediat, ka një shpërthim. Edhe dëshmitarët thonë se dëgjuam një plasje pastaj zjarr. Këto janë elementë që habitem përse shteti shqiptar, përse shoqëria shqiptare, përse media shqiptare nuk e vlerësojnë këtë rrethanë.

Por ata akuzohen nga Prokuroria dhe është dhënë vendimi...?
Përsa i përket anës juridike, procesi jo vetëm që ka shkelje të tmerrshme dhe të papranueshme procedurialisht, por nuk është pranuar në asnjë rast që të pandehurit të jenë përgjegjës për këtë shkelje. Dritan Minxholli flinte aty, rrinte 24 orë aty dhe si mund ta akuzosh për vrasje atë. Ky proces tërë të keqen e ka nga prokuroria. E cila, duke mos qënë e aftë të bënte punën në afate, sepse ashtu e filloi çështjen me akuzën e shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive, dhe e kaloi në vrasje për të fituar afate më të gjata. Kushdo e kupton se kur thuhet një aksident njerëzor, ai nuk është bërë me dashje, sepse asnjë njeri nuk do që të vrasë. Por si ky proces ka pasur dhe procese të tjera në karrierën time dhe kënaqësia më e madhe është kur merr pafajsinë, më shumë se sa vetë personi të cilin mbron. Dhe po kaq emocione të mëdha provon dhe kur rri prapa derës së gjykatës që pret vendimin.

Si e vlerësoni drejtësinë shqiptare, emërimet e reja në krye të gjyqësorit dhe plotësimin e vendeve vakante në gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe në KLD?
Uhnë kam qënë fatmirësisht në grupin e teknik kur u përgatit Kushtetuta e vitit 1998 dhe kam insistuar sëbashku me kolegët e mi të stafit teknik që të vinim kritere, sa më serioze, sa më pak të manipulueshme për emërimet në Gjykatën e Lartë dhe në Kushtetuese. Pse? Sepse duke lënë kritere evazive, atëherë bëhej gjithçka. Bëra lobing atëherë me disa deputetë me kryetarin e ndjerë Sabri Godo, Majkon, Gjinushin etj që të vendoseshin kritere të qarta por nuk u dëgjuam. Dhe Godo më tha: I dashur Maks, mos kujto se këta nuk e dinë rëndësinë e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, mos kujto se këta nuk e kuptojnë çfarë do të thotë kritere, por këta vënë këto kritere, sepse që tani i kanë përcaktuar emrat se kush do të jenë. Dhe kriteret vendosen për emrat dhe jo emrat për kriteret. Pra për sa kohë të vëmë kritere që të fitojë filani dhe filani nuk ka për t'u bërë drejtësi.

Si i mendoni anëtarët e drejtuesit e këtyre gjykatave...?
Po ta shikosh me kujdes, pikërisht ata që plotësojnë minimumin e kritereve ata janë vendosur. Po të shohim Gjykatën e Lartë, pikërisht ata që kanë plotësuar minimumin e kriterit janë vendosur. Por një gjë nuk kuptoj, këta që venë në Gjykatën e Lartë, janë 9 vite, pas nëntë vjetëve ku do shkojnë. Eksperienca ka treguar se asnjë nuk mbetet i respektuar nga shtetit shqiptar, ai i lë rrugëve, qoftë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të Kushtetueses, qoftë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Pra unë kam qënë gjithmonë që pa 50 vjeç minimumi, nuk janë të gatshëm profesionalisht dhe për probleme të tjera për të qënë pjesë e këtyre institucioneve. Pra, duhet të jenë mbi 50 vjeç, të jenë persona me integritet, të kenë miratimin e komunitetit nga kanë ardhur, të kenë një status ekonomik dhe e fundit kush ka tituj akademik, aq më mirë dhe të mos jenë të prononcuar politikisht. Pra jo se nuk i dinë këto, por nuk duan ti bëjnë, sepse duan të vendosin njerëzit e tyre.

Keni bërë ndonjë propozim ju...?
Dhe ne, si Dhomë Avokatie i kemi kërkuar dhe Presidentit aktual që kandidatët që kalojë për Gjykatën e Lartë, nëse ka pesë vende bosh, ne si komunitet i avokatëve, i gjyqtarëve, i prokurorëve ti shikojmë dhe të themi se nga këto që kanë ardhur këta janë 10 më të mirët. Pastaj ndër 10 kandidatë, zgjedhja e pesë kandidatëve është çmimi subjektiv i Presidentit. Por i gjithë komuniteti thotë shkoi ky apo ai, por ishte në dhjetëshe ama, plotëson standrtet më të larta. Këtu plotësojnë standardet ata që s'kanë standarde, pra katapultohen njerëzit në këto pozicione dhe nuk dihet nga dolën, siç është rasti i këtij Elvis Cefës. Më vjen keq se nuk e njoh, por ai s'ka lidhje me drejtësinë. Madje nëqoftëse mendohet që do të jetë dhe nënkryetar i KLD është e tmerrshme, sepse nënkryetar i KLD duhet të jetë patjetër nga trupa e nëntshes së KLD që vjen nga gjyqësori, sepse ata e njohin më mirë gjyqësorin, e drejtojnë më mirë atë. Aq më tepër që ky nuk ka as eksperiencë avokatie, as gjyqësore, as prokurorie, pasi do marrë vendime, do jetë pjesë e vendimmarrjes.

Por nënkryetarin e KLD e propozon Presidenti...?
Aq më tepër që nënkryetari i KLD është personi më i afërt i Presidentit. Ne i dërguam një letër grupeve parlamentare, parlamentit ku u thamë që dhoma kombëtare e avokatisë të dërgojmë dhe ne disa kandidatura që të vendoset. Sot po deklaroj një qëndrim personal, që nëse duam të tregohemi të përgjegjshëm për këtë detyrë, ta stopojmë procesin e zgjedhjes së nënkryetarit të KLD. Sepse kushdo që do të shkojë në këtë post, do jetë personi bashkëpuntor më i ngushtë i Presidentit. Ky president është në ikje, dhe mendimi im është ta lënë zgjedhjen kur të vijë presidenti i ri dhe ai ta zgjedhë personin me të cilin do të bashkëpunojë. Pasi ligji e procedura e zgjedhjes së nënkryetarit e KLD thotë me propozim të Presidentit dhe miratimin e anëtarëve të KLD. Atëherë ky president do të propozojë një nënkryetar që do të punojë me presidentin e ardhshëm. S'kam gjë me kandidaturat, por duhet të jemi më të përgjegjshëm. As ata vetë nuk duhet të bëhen pjesë e një sistemi që nuk e njohin.

Po Avokati i Popullit, është zgjedhur përmes një procesi transparent nga PS...?
Në parantezë, personalisht dhe me aq sa kam parë dhe në bashkëpunim me kolegët, nuk kemi absolutisht asnjë gjë me personin konkret që tashmë është zgjedhur Avokat i Popullit. Përkundrazi, ne mund të themi fjalët më të mira. Por nëqoftëse ka proces më të përdhosur për mua, është procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit. I cili, jo vetëm la një shije të hidhur por krijoi një precedent tepër tepër të rrezikshëm. Deformoi, kuptimin, rolin dhe aktivitetin e Avokatit të Popullit, vetëm e vetëm se ndërhyri politika në këtë proces. PS ka bërë një nga gabimet e saja më të mëdha, sepse Avokati i Popullit e cila është një eksperiencë e huazuar nga vendet nordike, është një figurë e cila duhet të marrë konsensusin e gjithë shoqërisë civile. Duhet të vijë nga sgoqëria civile, jo nga politika. Ai mirë që erdhi nga politika, por u bë dhe me konsensusin e dy partive të mëdha. Pra, Avokati i Popullit u politizua, është anëtar apo simpatizant i PS, kur çdo kush mund t'i kërkojë të ikë, sepse je zgjedhur nga PS dhe s'je pjesë e konsensusit të shoqërisë civile, e cila duhej të bënte përzgjedhjen dhe të dërgonte kandidaturat dhe jo PS. Prandaj politika e ka paralizuar aktivitetin e këtij institucioni që në embrion.

Kur flitet për drejtësinë, menjëherë mendja të shkjon te Presidenti që do zgjidhet. Janë disa kandidatura, Nano, Topalli, Bode, Beja etj. Mendimi juaj?
Eshtë një proces shumë i rëndësishëm, pasi është e para punës kryetari i shtetit dhe do të jetë ai që do ti lidhë të gjithë, në kuptimin në kuptimin e mirë të fjalës, do t'i bashkojë, do t'i harmonizojë, do t'i urtësojë, do t'i bëjë bashkëpunues dhe kuptohet duhet një figurë që duhet t'i ketë këto cilësi. Kandidatutat i kemi të dëgjuara dhe nuk kemi asnjë kandidaturë zyrtare. Kuptohet që çdo forcë politike kërkon të vendosë kandidaturën e vet, në kuptimin e skanimit që ka, që e realizon më lehtë. Nëqoftëse kërkohet një proces më civil, mirë do të ishte që kandidaturat zyrtare të hidheshin në shoqërinë civile. Unë kam dëgjuar shumë kandidatura dhe kam dhe unë preferencën time. Por të mos harrojmë që Presidenti është personi përgjegjës për drejtësinë, është kryekomandant i FA. Atëherë këto dy pozicione të rëndësishme, bashkë me atë që thashë që të jetë harmonizues i forcave politike për ta integtuar vendin në BE, duhet të shikohen sa janë të materializuara te kandidatura e ardhshme, dhe sa garantuese është kjo kandidaturë për t'i realizuar ato. Sepse do të gjejë një drejtësi të shkatërruar, të korruptuar, jo profesionale nga paraardhësit e tij. Gjithashtu dhe ushtria, situata politike, marrëdhëniet pozitë-opozitë, Kodi Zgjedhor dhe Zgjedhjet që janë përpara. Ne kemi nevojë për një President të tillë, por me kuadrin kushtetues që ka ky nuk e ka kopetencën e gjithashshme për të realizuara të gjitha ato veprime që thamë. Por do të jetë hapi i parë për të shkuar drejt ndryshimeve Kushtetuese.

Ndonjë preferencë...?
Përsa i përket kandidaturave konkrete, unë kam dëgjuar shumë, ka personalitete, problemi është nëse do zgjidhet ai që duhet, pasi eksperienca pak e ka treguar këtë. Fatos Nanon e preferoj pasi është shumë bashkëpunues. Me thënë të drejtën ka dhe një kontribut. Pra unë e preferoj Fatos Nanon për president, ashtu sikurse preferoj profesorë nga shoqëria civile. Por këmbëngul, presidenti i ri që do vijë duhet që të njohë shtetin. Duhet të njohë të drejtën administrative, ç'është shteti, ç'janë institucionet, si funksionon, si dhe duhet të mbajë balancën. Por eksperiencën e kemi që nëse janë pesë kandidatë në listë, zgjidhet i gjashti. Uroj që kjo të mos ndodhë.

Jeni kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, ku konsiston puna juaj dhe projektet tuaja për të ardhmen?
Unë do të bëja një paraqitje të tillë për avokatinë shqiptare. Avokatinë shqiptare unë e krahasoj pasionin e brezit të ri për fenë. Si avokatia dhe feja patën një shkëputje në Shqipëri. Pra ne nuk trashëguam aktivitet fetar, mentalitet fetar, respekt fetar. Gjë që dotë thotë që e filluam çdo gjë nga e para. Dhe ishte meritë e atyre që e përthithën dhe e përhapen dhe instaluan dhe fenë, por dhe avokatinë. Ne vijmë nga një mentalitet që e shohim avokatin bashkë me fajtorin dhe avokati barazohet shpesh me fajtorin. Dhe nëse humbet gjyqi, njëra palë gjithnjë akuzon avokatin. Sot janë 4500 avokatë të licensuar, por që e ushtrojnë aktivitetin rreth 1200 avokatë. Shumë shpejt avokatia do të bëhet një institucion shumë i madh, duke patur parasysh se ne organizojmë dy herë provime në vit, janë 17 fakultete juridike private dhe 6 publike. Pra fluksi që do të vijë është shumë i madh. Pavarësisht nga opinioni në institucione ku avokatia u është bërë pengesë, pasi gabimisht avokatia shihet si një institucion që do të ndihmojë drejtësinë, kjo nuk mund të ndodhë. Pasi ajo është për t'i marrë drejtësisë maksimalen në favor të klientit të vet.

Kur keni filluar të organizoheni...?
Ne kemi filluar nga hiçi, më 2010 kemi filluar të organizohemi, kemi krijuar regjistrat, kemi krijuar kartën e identitetit, rrobën e avokatit, kontributet financiare, kemi organizuar provimin, kemi bërë statutin, ligjin për avokatinë, kodin e etikës, kemi organizuar në të gjithë Republikën dhomat e avokatisë dhe ajo që mund të them është se jemi i vemti institucion shqiptar që jemi pranuar në BE. Pra dhoma kombëtare e avokatisë është anëtare e dhomave të avokatisë të vendeve të BE. Në këtë kuadër ne thithim gjithë eksperiencat dhe raportojmë për aktivitetet. Por mes nesh ka dhe avokatë që luajnë rolin e sekserit apo luajnë rolin e penguesit të një procesi. Por po ti analizosh dhe ata ka një të drejtë. Sepse po të shohësh një proces, ku nga 10 kërkesa që bën prokurori, pranohen 11 dhe nga 10 kërkesa që bën avokati nuk pranohet asnjë, duhet të gjejë rrugë për të përfituar, për të zgjatur për të zvarritur procesin.

Pra dhe për këtë e ka fajin gjykata...?
Pra nëse do të kishim një drejtësi me integritet moral dhe profesional, do të disiplinonte jo vetëm avokatinë por dhe prokurorinë. Nëse një avokat kur sheh drejtësi me integritet, e garanton dhe klientin, të cilit i thotë drejtën humb ose fiton. Dhe jo të hysh për të fituar dhe të humbësh dhe anasjelltas. Avokatia ka filluar procesin e bashkëpunimit me USAID-in dhe qeverinë britanike ku po ngrihet shkolla e avokatisë. Kemi krijuar qendra trajnjimi dhe asistence ne Durrës, Vlorë dhe Tiranë dhe për asistentët dhe avokatët. Avokatia ka dhe organin e vet botues, Revista e Avokatisë. Mund të them me plot gojën që avokatia në këto vite ka bërë një hop cilësor. Nuk e prish avokati gjyqësorin, një mijë avokatë nuk prishin një gjykatë, por një gjykatë prish një mijë avokatë. Por ka dhe porokurorë dhe gjyqtarë të përkushtuar dhe që duhen stimuluar nga shteti.

(jm/im/shqiptarja.com)