
Shkaku
i dukshëm i shkatërrimeve të vitit 1997, ishte mashtrimi që iu bë
njerëzve të thjeshtë nëpërmjet firmave piramidale, por thelbi i
pakënaqësisë kishte nisur më parë nga barbaria e regjimit të Berishës, i
cili montoi sistemin e goditjes me levë pas koke, të intelektualëve të
thjeshtë, apo të politikanëve. Por sidomos, fyerja e rëndë që iu bë
njerëzve të thjeshtë, nga montimi i klikës së dhunës, prej injorantëve
të cilët kishin ardhur në pushtet, si përfaqësues të sistemit të
demokracisë së re, duke shkaktuar kështu një zhgënjim tepër të madh.
Mjafton të përmendim rrahjen e Teodor Kekos, Edi Ramës, Ndre Legisit,
Neritan Cekës, Preç Zogajt, etj, pa llogaritur këtu rrahjet në protesta
të Servet Pëllumbit, apo plot politikanëve të tjerë.
Sidomos goditjet ndaj njerëzve të thjeshtë, dhe marrjen e tyre peng me
anë të makinave pa targa. Thjesht, sistemi ishte bërë i përbindshëm deri
në neveri, por deri atëhere, njerëzit mbaheshin optimistë për shkak të
faturave të parave, që merrnin në firmat piramidale. Kjo paralizoi punën
dhe frymëzoi parazitizmin. Rrëzimi i firmave solli edhe zhgënjimin më
të madh në historinë e 7 viteve të pluralizmit, i cili deri atëhere i
kishte shkërmoqur krejtësisht shpresat e idealistëve për të ndërtuar një
shoqëri demokratike. Kjo vinte nga shkaku se Berisha kishte mbledhur
rreth vetes një tufë militantësh që i serviloseshin dita ditës, të cilët
nuk gëzonin as minimumin e respektit tek njerëzit e thjeshtë. Kishte
mes tyre njerëz të afërt të Berishës, ose të panjohur më parë prej tij,
militantë të pashkolluar, që drejtonin policinë, duke përdorur kurdoherë
dhunën dhe shkopinjtë e gomës dhe duke shpërdoruar të drejtat e postit
që mbanin. Kishte gjithashtu, lloj-lloj budallenjsh që hiqeshin sikur
merrnin vesh nga ekonomia, por që i lanë firmat piramidale të lulëzonin
nën hundën e tyre. Kishte shkrimtarë mediokër që pasi i kishin thurur
lavde komunizmit, tani po lëpinin pështymat e tyre dhe betoheshin për
demokracinë, kishte spiunë të vjetër e të rinj, me lloj-lloj
pseudonimesh, që e informonin besnikërisht Berishën, për çdo lëvizje të
kundërshtarëve apo edhe të miqve të tij, kishte gazetarë të njohur për
servilizmin e tyre edhe në komunizëm, por kishte edhe lloj-lloj pykash,
që ai i kishte bërë ministra apo zëvendësministra, për shkak të
padinjitetit të tyre, të cilët i lëvizte, si kukullat me tela.
Natyrisht, kishte edhe shumë njerëz me vlera të spikatura, fjala e të
cilëve dëgjohej gjithmonë e më pak në zhurmën e korit të servilëve.
1 marsi i vitit 1997Situata
ishte rënduar së tepërmi, në fundin e shkurtit të vitit 1997. Pas
shpërbërjes de fakto së pushtetit, hapjes së depove të municionit dhe
rrezikut të një lufte civile, Berisha rrëzoi qeverinë e tij dhe i kërkoi
ish kryeministrit Aleksandër Meksi, dorëheqjen. Ky i fundit kishte
kërkuar pak ditë më parë, vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, por
edhe dorëheqja e qeverisë nuk ndikoi për qetësimin e gjendjes. Dukej se
nofullat e pushtetit e kishin shkërmoqur në mënyrë të përbindshme
mirëbesimin e shoqërisë shqiptare dhe fill pas zhgënjimit, erdhi
rebelimi. Ndërkaq, Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe në
komandimin e situatës u vu shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede. Ndërsa dy
ditë më vonë pikërisht, më 3 Mars Sali Berisha i acaroi përsëri
shqiptarët duke u rizgjedhur si president, në Parlament, me 113, vota
pro, 4 abstenim dhe 1 kundër. Ndërkaq zyrtarët e shtetit nisën të ikin
nga Shqipëria. Disa kishin mbledhur ndonjë tufë dollarësh, për shkak të
resurseve që u kish dhënë detyra. Ndërsa, një pjesë prej tyre kishin
siguruar bursa jashtë shtetit, për fëmijët e tyre. Sapo liroheshin nga
detyra, shumica e tyre ia mbathnin. Madje një pjesë e zyrtarëve të lartë
nuk pritën që t’i dorëzonin as çelësat, zëvendësuesve apo e
pasardhësve, por ia mbathën që në 2 mars, duke lënë detyrën përgjysëm.
Në ato ditë nuk ishte aspak i çuditshëm fenomeni, ku shefat e qeverisë
niseshin me shërbime në mëngjes, në një qytet tjetër dhe përfundonin si
refugjatë jashtë shtetit. Pak ditë më pas iku ish ministri i Mbrojtjes
Safet Zhulali, me një anije peshkimi, duke zënë vend fillimisht, në
qytetin e San Benedetos, tek familja e një të njohuri të tyre. Por lajmi
erdhi, sikur Zhulali kishte ikur drejt Amerikës. Në fakt, ishte një
lajm i rremë që e kishte përhapur vetë Zhulali, ose miqtë e tij, për të
mos i gjetur adresën e saktë të vendqëndrimit. Ndërkohë, që dy fëmijët e
Berishës, Shkëlzeni dhe Argita shkuan në Itali, Ferdinand Xhaferri iku
në Maqedoni, me bashkëshorten, zv-kryeministri Vrioni shkoi drejt
Francës, por përfundoi në një shtet tjetër, ndërkohë që rreth 70 për
qind e zyrtarëve që trembeshin prej besnikërisë dhe servilizmit të tyre
ndaj pushtetit, ia mbathën me rrugë e mënyra të ndryshme. Pati edhe
shumë arratisje të zëvendësministrave drejt Greqisë e Turqisë. Disa javë
më vonë, vetë Bashkim Gazidede u arratis duke u vendosur në Turqi. Po
kështu edhe drejtuesit e lartë të Policisë dhe SHIK-ut, të cilët u
shpërndanë drejt Anglisë me pasaporta kosovare dhe emra të rremë, por
disa shkuan edhe në vendet arabe. Ato ditë u fol disa herë edhe për
arratisjen e Berishës. Në një farë mënyre “Rogneri” dhe lokalet e tjera,
ku haheshin darka të kushtueshme nga ish-ministrat, tani u zbrazën
fare. Ata që ndjeheshin fajtorë të gjendjes së krijuar, ose ata që
kishin frikë nga perceptimi i protestuesve, se mos rastësisht
cilësoheshin si shakatarë të situatës, ikën më shpejt se të tjerët. Në
ato ditë nuk ishte fare çudi që në një rrugë të Parisit, Athinës, apo
Romës të shihje ish zyrtarët e lartë të nomenklaturës së Berishës, të
cilët të gjithë pa përjashtim shanin ish presidentin e tyre. Një
paburrëri e pritshme prej tyre. Bënin atë gjë që nuk kishin guxuar ta
bënin ndonjëherë më parë. Por pjesa më e madhe fshiheshin nën pasaporta
të rreme dhe nën emra false. Pikërisht ato ditë, zëvendëskryeministri
Tritan Shehu doli e hyri disa herë në doganat kufitare, gjë që shkaktoi
çudinë e të gjithëve. Sepse dilte pa badigardë dhe pa kostum, apo
kollaro. Por më vonë, gjendja u sqarua dhe personi u kap nga policia e
huaj. Ishte pikërisht, një njeri tjetër, i afërt i Tritan Shehut, i cili
i kishte vjedhur pasaportën ish ministrit të Jashtëm duke udhëtarë me
pasaportën e tij diplomatike. Po ato ditë shumë fshatarë, me opinga apo
me triko leshi, ose të veshur me kanotiere, por edhe shumë hajdutë e
kriminelë mbërrinin në vendet e huaja, me statusin e diplomatit. Sepse
Ministria e Jashtme i kishte pajisur me pasaporta diplomatike, kundrejt
ryshfeteve. Ndërsa Shqipëria vazhdonte të digjej.
Vijnë ndërkombëtarëtGjatë
kësaj periudhe të zymtë, Parlamenti shqiptar i ngjante një çmendine, ku
një pjesë e madhe e deputetëve flisnin përçart. Shumica e tyre, donin
t’ua faturonin krizën të huajve, ku natyrisht ekzistonte një dyshim për
qarqet greke. Por deputeti Blerim Çela në një prej këtyre mbrëmjeve të
çmendura, iu vërsul SHBA, duke i kërkuar fajtorët, pikërisht, në vendin
më të madh të demokracisë botërore, i cili na kishte ndihmuar mjaft, në
instalimin e demokracisë sonë të brishtë. Ndërkaq, ikjet e politikanëve
vazhdonin. Madje një pjesë e vogël e tyre nuk u kthyen kurrë, por emrat e
tyre përbënin një anonimat për politikën shqiptare. Në thelb, ata nuk
kishin qenë kurrë deputetë të Shqipërisë, por Berisha i kishte
inkurajuar ta ndiqnin pas në politikë dhe i kishte ngritur në detyrë
ditë pas dite. Shumë prej këtyre deputetëve në ato ditë ngjanin si
hunjtë e gardheve, që Berisha i kishte shkulur nga gardhet private dhe i
kishte ngulur në karriget e Parlamentit, duke i dhënë emrin e
deputetit. Më 5 Mars, ish-kancelari austriak Franc Vranicki bëri një
deklaratë për kryesimin e delegacionin në Shqipëri. Ndërkombëtarët bën
gjithashtu presioni të shumta për ndërprerjen e ndihmave, nëse nuk
zbatoheshin kushtet e reja. Por vetë Berisha mezi priste të “pushtohej”
prej forcave shumëkombëshe. Ky ishte shpëtimi i vetëm për situatën e
krijuar. Ndërsa SHBA bëri një mesazh për qetësimin e situatës. Kështu në
6 mars Berisha bëri një marrëveshje me partitë politike për qeveri të
Pajtimit Kombëtar. Në këtë tryezë nuk mungoi asnjeri prej krerëve të
partive, përveç Fatos Nanos, i cili gjendej në burgun e Bënçës. Më 6
mars iku gazetarja Vjollca Vokshi, ndërkohë që kish ikur edhe Reis Çiço
dhe një gazetar i BBC. Kishin ikur edhe dhjetra gazetarë të tjerë të
RD-së, apo Albania-s, por edhe të gazetave të tjera. Ndërsa katër
gazetarë ishin rrahur dhunshëm, ku njeri prej tyre vuan edhe sot pasojat
e atij tmerri. Gabimisht, ata që iknin, cilësoheshin si pjesë e fajit
të pushtetit për shkak të propagandës mbështetëse ndaj Berishës. Më 8
mars, Vranicki u takua me të gjitha palët. Kishin mbërritur prej disa
ditësh të ashtuquajturit, "Vullnetarë të Korpusit të Paqes
Qeveria e Pajtimit Kombëtar Në
takimin përkatës për emrin e kryeministrit të qeverisë së Pajtimit
Kombëtar, nuk mori pjesë Fatos Nano, i cili shijonte akoma shijen e
hidhur të racionit të supës së burgut të Bënçës. Namik Dokle, propozoi
për kryeministër Pandeli Majkon, që ishte i pranishëm. Por Berisha i
tha: “Ti s’mund të jesh. Ti e di që unë i di disa gjëra për ty”.
Gjithashtu në këtë takim Berisha kundërshtoi edhe emrin e kryetarit të
PS të Vlorës, deputetin Elmazi, të cilin Berisha nuk e pranoi duke thënë
se, “ai drejtonte rebelët, që dogjën bashkinë”. Emri i tretë ishte ai i
Bashkim Finos, kryebashkiakut të Gjirokastrës, të cilin Berisha e
pranoi. Dokle e mori menjëherë në telefon Finon, duke i dhënë lajmin e
papritur: “Eja në Tiranë se të kemi bërë kryeministër. Po të dërgojmë
helikopterin”. Ndërkaq, Spartak Ngjela u zgjodh ministër i Drejtësisë.
Lajmi erdhi si “bombë”, sidomos për policët, të cilët tre ditë më parë e
kishin arrestuar atë duke e izoluar në komisariat. Por keqkuptimi u
zgjidh shpejt, sepse atë e kishin ngatërruar me disa dasmorë që
qarkullonin gjatë natës të dehur. Posti i ministrit të Drejtësisë ishte
një ëndërr për ish të burgosurin politik të burgut të Burrelit.
Kryeqyteti ishte i tronditur dhe pa autoritetin e shtetit. Por më 15
mars, shefi policisë rajonale Sali Shehu, nxori në patrullim tanket dhe
mjetet e blinduara. Dolën edhe policët. Dhe u duk se shteti i dobët nisi
të ripërtërihej. Kryeministri i ri deklaroi fushatën e zgjedhjeve që më
17 mars, por ligji doli 5 ditë më vonë. E gjithë fushata e zgjedhjeve u
zhvillua në kushtet të vështira. Një javë para zgjedhjeve, në Sant
Edigio, Nano, i cili kishte dalë ndërkaq nga burgu, dhe Tritan Shehu
nënshkruan paktin e zgjedhjeve. Pra, paktin e pranimit të rezultatit.
Qeveria e pajtimit Kombëtar
Qeveria
e Pajtimit Kombëtar ishte qeveria që drejtoi Shqipërinë gjatë periudhës
9 Mars 1997-29 Qershor 1997. Ajo u krijua si pasojë e ngjarjeve të
vitit 1997, të nxitura nga falimentimi i skemave piramidale. Kjo qeveri
erdhi 1 javë pas dorëheqjes së qeverisë së Aleksandër Meksit, më 2 Mars
1997 dhe u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit
dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e
trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e
qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u
zgjodh socialisti Bashkim Fino, kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Qeveria e
re u votua më 11 Mars 1997 nga parlamenti dhe u dekretua nga Presidenti
i Republikës, Sali Berisha më 12 Mars. Fino shpalli si program të
qeverisë 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e
qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të
popullit, zotërimin e gjendjes financiare dhe përgatitjen e zgjedhjeve
të lira. Bazuar në nenin 28, pika 7 dhe në nenin 33 të ligjit 7491, datë
29.04.1991 "Mbi organet kryesore kushtetuese", me propozim të
Kryeministrit Bashkim Fino, Presidenti shqiptar Sali Berisha dekretoi
Këshillin e Ministrave që vijon si më poshtë: