Saturday, February 25, 2012

Liri Belishova: Si e eliminoi Enveri Ymer Dishnicën


Ymer Dishnica


Liri Belishova duke rrëfyer për “Panorama”
“Firmëtari i Mukjes që u eliminua nga Enveri”
Historia e njërit prej liderëve të lëvizjes NÇL,  që pas lufte u “zhduk” nga politika, por s’u vra”
Pabesitë, prapaskenat dhe viktimat e Marrëveshjes së Mukjes ishin kryefjala e përshpirtjes me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Ymer Dishnicës. I sakrifikuar për paktin e nënshkruar në Mukje, ai,  komunisti i orëve të para, antifashisti i palëkundur, intelektuali emblematik, politikani gjithëpërfshirës, humanisti i shquar, u shpall i papërshtatshëm dhe u mënjanua deri në izolim të plotë. Mjaft nga të pranishmit në përkujtimoren e zhvilluar dje në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, bashkëkohës, familjarë, miq e të njohur të Dishnisës, sollën kujtime e mbresa të shumta nga jeta pa hije e tij. Në dokumentarin e përgatitur me këtë rast ishin zgjedhur momentet më të rëndësishme nga jeta dhe veprimtaria e firmëtarit të Mukjes, që fill pas luftës u “zhduk” nga jeta politike, për të mbetur konsekuent i profesionit të mjekut dhe idealeve të tij për lirinë. Për numrin e sotëm kemi zgjedhur kujtimet e Liri Belishovës, njërës prej figurave historike të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, njëherazi viktimë e persekucionit komunist dhe refleksionet e profesor Muharrem Dezhgiut mbi të vërtetat e doktor Dishnicës…   af.im
Është një koincidencë e bukur që 100-vjetori i lindjes së dr. Ymer Dishnicës përkon me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Dr. Dishnica ka lozur rol të rëndësishëm në luftën kundër okupatorëve fashistë në sajë të personalitetit të tij të shquar, si bir i një familjeje të dëgjuar atdhetare, që i ka dhënë Shqipërisë 5 dëshmorë. Ymeri ishte patriot i flaktë, që mbi çdo gjë vinte interesat e Shqipërisë. Ai ishte një nga intelektualët më të respektuar të kohës, që kishte kryer shkëlqyeshëm Liceun Francez të Korçës dhe pastaj për 8 vjet në Francë ishte diplomuar dhe specializuar si mjek me kualifikim të lartë dhe njëkohësisht kishte përfituar për t’u njohur me filozofinë dhe doktrinat politike, me demokracinë franceze, me letërsinë dhe përgjithësisht kulturën e këtij vendi. Ai kishte fituar eksperiencë në veprimtarinë politike, ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Antifashist të Emigrantëve Shqiptarë dhe ishte shumë aktiv në organizimin e veprimtarive politike e antifashiste. Të gjitha këto bënin që dr. Dishnica të gëzonte shumë autoritet dhe simpati, të tërhiqte në luftë masat, por edhe mjaft intelektualë e nacionalistë që e respektonin dhe ia dëgjonin fjalën e mençur. Ndihmoi në organizimin e rezistencë ilegale dhe në formimin e reparteve partizane, por sidomos lozi rol të rëndësishëm në organet e larta antifashiste dhe të PK që të jepeshin orientime të drejta politike. Veçanërisht e ndihmoi luftën si orator dhe publicist i shkëlqyer dhe shumë aktiv.
Dy ngjarje të rëndësishme të Luftës Antifashiste, Konferenca e Pezës dhe Marrëveshja e Mukjes, tregojnë më së miri kush ishte Ymer Dishnica, tregojnë se ai e konsideronte bashkëpunimin e të gjitha forcave antifashiste të domosdoshme për të luftuar okupatorët. Konferenca e Pezës, 16 shtator 1942, aprovoi platformën e drejtë të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në luftë për një Shqipëri të pavarur, demokratike, të bashkuar (etnike). Merita kryesore për organizimin e kësaj Konference u takon doktor Dishnicës dhe Koço Tashkos, Mustafa Gjinishit, Nako Spirut. Enver Hoxha ka shkruar vetë se ai ka shkuar në Pezë në vigjilje të hapjes së Konferencës dhe i gjeti të gjitha gati, edhe referatin e tij. Edhe rezolucionin e Konferencës e kanë shkruar Ymer Dishnica e Nako Spiru.
Dr. Dishnica meriton lavdërimet më të larta, që si kryetar i delegacionit të Frontit Nacional-Çlirimtar arriti marrëveshjen me Ballin Kombëtar në Mukje në fillim të gushtit 1943. Vendimet e marra këtu (luftë imediate e me të gjitha fuqitë kundër okupatorëve për një Shqipëri të pavarur, demokratike, etnike në bazë të vetëvendosjes dhe krijimi i Komitetit të Shpëtimit) ishin shumë të drejta për luftën pas çlirimit. Dr. Dishnica u dëshmua këtu jo vetëm si patriot i vendosur që vë mbi çdo gjë lirinë e Shqipërisë e të Kosovës, por edhe si demokrat për një pushtet pluralist e jo për diktaturë. Por, sipas urdhrave të Miladinit, Enver Hoxha e anuloi Marrëveshjen e Mukjes, sepse donte gjithë pushtetin në dorën e PKSH (të tijin), dhe pse duke iu nënshtruar jugosllavëve, sakrifikoi Kosovën dhe territoret e saj shqiptare në Jugosllavi. Pas Mukjes, PKSH-ja e zhvilloi luftën në dy fronte: vazhdoi luftën kundër forcave jokomuniste për të vendosur diktaturën e saj. Kjo e bëri fitoren mbi okupatorët të hidhur, se në vend të demokracisë u vendos diktatura.
Dr. Dishinca u dënua në mbledhjen e Vithkuqit, ku Milidani dhe Enver Hoxha kërkuan dënimin me vdekje të Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, por pas ndërhyrjes energjike të Nako Spirut, u vendos të përjashtohej nga Byroja dhe KQ. Duke marrë parasysh popullaritetin që gëzonte Ymer Dishnica, e mbajtën formalisht si anëtar të Shtabit të
Ymer Dishnica në vitet e Luftës
Përgjithshëm dhe të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist, madje në qeverinë e parë e caktuan ministër të Shëndetësisë. Por kjo nuk vazhdoi shumë. Në vitin 1946, pas dënimit të mikut të tij, Sejfulla Malëshovës, u kritikua rëndë për oportunizëm dhe pas likuidimit tragjik të Nako Spirut, mikut tjetër, e syrgjynosën bashkë me familjen në Berat. Mirëpo as kjo nuk i mjaftoi Enver Hoxhës. Në vitin 1955 e dënuan me 6 vjet burg për agjitacion e propagandë. Në Berat qëndroi deri në përmbysjen e diktaturës, duke mjekuar me përkushtim mijëra të sëmurë.
Dihet se Ymer Dishnica ka qenë komunist përpara se të themelohej PKSH. Gjatë viteve që jetoi në Francë ishte anëtar i Partisë Komuniste Franceze. Por ç’lloj komunisti ka qenë Ymeri, do të mjaftonte të bëjmë pyetjen: përse Miladin Popoviçi nuk preferoi një personalitet si dr. Dishinca, po Enver Hoxhën që s’kishte kryer asnjë vit universitet dhe që (siç shkruan vet) deri në formimin e PKSH kishte qenë vetëm simpatizant i Grupit të Korçës?! Pse dr. Dishinca e pati të shkurtër jetën në PKSH dhe për afër 50 vjet u persekutua? Sepse ai kurrë nuk do t’u nënshtrohej shovinistëve jugosllavë, kurrë nuk do të vinte interesat e kolltukut përpara interesave të Shqipërisë, siç veproi Enver Hoxha, kurrë nuk do të ishte bërë diktator i përgjakshëm si Enver Hoxha.
Dr. Dishnica ishte idealist, patriot, antifashist, demokrat e human, intelektual i formuar me kulturën përparimtare europiane dhe e lidhi me komunizmin iluzioni se kjo ishte rruga më e mirë për të bërë Shqipërinë vend të lirë e të përparuar. E gjithë veprimtaria e Dishnicës është pozitive, në interes të Luftës Antifashiste dhe Shqipërisë. Ai nuk ka përgjegjësi për politikën e mbrapsht të krimit e diktaturës enveriste, sepse ai u dënua menjëherë pas Mukjes.
Përkundrazi, ka disa dokumente që vërtetojnë se ai bashkë me Nako Spirun dhe Gogo Nushin, kanë refuzuar të zbatojnë urdhrat e Enver Hoxhës për të pushkatuar intelektualë të pafajshëm, antifashistë, madje komunistë.
Konsekuent i idealeve të tij, dr. Dishnica nuk mund të mos mbështeste me të gjitha mundësitë përmbysjen e diktaturës dhe futjen e Shqipërisë në rrugën e zhvillimit demokratik dhe të integrimit euroatlantik. Ne jemi shumë krenarë që kryetari i parë i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës ishte dr. Dishinca, i cili me gjithë moshën e thyer, u angazhua me përkushtim.
Bashkëshortja e dr. Dishinicës, Flora jonë luftëtare e orëve të para, të tre fëmijët, Peri, Kozeta dhe Tatiana, të gjithë qytetarë të nderuar, e rrethuan atë me dashurinë, përkujdesjet, ngrohtësinë familjare, burim lumturie të pazëvendësueshëm. Ai iu la trashëgim vetëm një dhomë e një kuzhinë, por për atë pasurinë tjetër, shumë të rëndësishme, shumë pak njerëz mund të jenë krenarë sa ata.
Dr. Ymer Dishnica ka zënë vend në Panteonin e kombit tonë. Atë e nderon gjithë Shqipëria, e nderojnë veçanërisht ata që bënë Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ata mijëra pacientë që i kuroi me përkushtim e u shpëtoi jetën, forcat demokratike që udhëheqin Shqipërinë në rrugën europiane të demokracisë e prosperitetit. Pikërisht për këto arsye, kryesia e Organizatës së Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare do t’i propozojë Presidentit të Republikës që doktor Dishnica të nderohet me dekoratën “Nderi i Kombit”. Por, nderimi më i madh për dr. Dishnicën është të mbajmë gjithnjë parasysh amanetin e tij: “Duajeni Shqipërinë dhe mos u kurseni për lulëzimin e saj”.
Berisha: Dr. Dishnica ka firmën në ato akte, që shndrisin në historinë tonë

Berisha ne aktivitetin me rastin e 100-vjetorit te Ymer Dishnices
I pranishëm në përkujtimoren e 100-vjetorit të doktor Ymer Dishnicës, Kryeministri Berisha e vlerësoi atë si një nga intelektualët më të shquar, më atdhetar të kombit shqiptar, një personalitet politik i pamposhtur i historisë sonë, por, gjithashtu, edhe një nga humanistët më të mëdhenj. Ymer Dishnica, u shpreh Kryeministri, ka firmën në ato akte që shndrisin dhe do të shndrisin gjithnjë në historinë tonë kombëtare. Ai ishte një nga personalitetet kryesore të Konferencës së Pezës, por dhe organizator kryesor i Konferencës së Mukjes, e cila realisht hodhi themelet e një Shqipërie të ardhme pluraliste, demokratike, por edhe të një bashkimi të pashmangshëm të trojeve shqiptare. Por kjo firmë në Konferencën e Mukjes, nënvizoi Berisha, i kushtoi karrierën atij. Diktatori, shtoi më tej Kryeministri, e demonizoi njeriun që simbolizonte në të vërtetë një nga aktet më madhore të historisë sonë kombëtare, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë. Ai e vendosi atë në një kalvar persekutimi të pafund. Është shumë e vërtetë se dr. Dishnica nuk pësoi fatin e shumë bashkëluftëtarëve të tij, por është e vërtetë, nga ana tjetër, se nuk u mposht kurrë, qëndroi i pamposhtur në dinjitetin e tij. Ai u shndërrua në personalitetin, qytetarin më të dashur për banorët e Beratit, me shërbimet që u ofronte, dhe humanizmin që dëshmonte.
LIRI BELISHOVA

Enveri i ndëshkoi firmëtarët e Mukjes për pushtet personal

Klika që sabotoi krijimin e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar
Ymer Dishnica, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit të Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar e nënshkruan Marrëveshjen e Mukjes me bindjen se ajo ishte në vazhdën e traditave më të mira atdhedashëse të shqiptarëve. Në ato çaste vendimtare për kombin kalonin në plan të dytë interesat e pjesshme dhe viheshin në plan të parë interesat kombëtare.  Me krijimin e Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë u jetësua në shkallën më të lartë, platforma e Konferencës së Pezës për bashkimin e shqiptarëve në shkallë kombëtare. Ky komitetet ishte organi më i lartë i drejtimit të luftës që do të koordinonte bashkëpunimin e dy forcave politike. Kjo formë organizimi e bashkimi e shqiptarëve, në drejtimin e një organi të përbashkët në kohë lufte, ishte një domosdoshmëri për arritjen e çlirimit kombëtar. Për të gjitha zhvillimet e mbledhjes së Mukjes, Ymer Dishnica njoftoi Komitetin Qendror të PKSH, me anë të një letre drejtuar Enver Hoxhës. Pritej që marrëveshja të gjente miratimin e udhëheqjes së PKSH, por nuk ndodhi kështu. Enver Hoxha, nën ndikimin e plotë të Miladin Popoviçit, nuk u besonte shpjegimeve e arsyetimeve të Ymer Dishnicës për zhvillimin e bisedimeve në barazi të plotë. Në një mbledhje urgjente të drejtuesve kryesorë të PKSH në Vithkuq të Korçës, u dënua si e papranueshme Marrëveshja e Mukjes. Në mungesë u dënuan Ymer Dishnica e Mustafa Gjinishi, si përgjegjës për nënshkrimin e saj. Që nga ky çast filloi kalvari i vuajtjeve për Y. Dishnicën. Ai u ndodh në pozitë të dyfishtë. Jo vetëm duhej të sillte argumentet për qëndrimin e drejtë e parimor që kishte mbajtur, por duhej të bënte kujdes për mënyrën e qëndrimit, për t’i shpëtuar asgjësimit fizik, pasi e njihte mirë situatën ne udhëheqjen e Partisë. Në mënyrë të natyrshme, Ymer Dishnica nuk mund ta pranonte lehtë denoncimin e Mukjes. Ai ishte i bindur se kishte luftuar mjaft për të fituar Partia dhe Lëvizja Nacionalçlirimtare sepse ishte arritur një marrëveshje në interes të frontit të përbashkët të shqiptarëve. Duke u shprehur se “vendimi për të mos njohur Marrëveshjen e Mukjes qe një bombë për ne”, me një delikatesë të një intelektuali të mençur, ai sqaronte me durim se “nuk duhet harruar se aty në vend bëhet diagnoza më e mirë”. Në këtë mënyrë i tërhiqte vëmendjen Enver Hoxhës se “të na kishit dëgjuar edhe neve para se të merrnit vendime aq të prera”. Me këtë përgjigje të parë ai donte të thoshte se vendimi për denoncimin e Marrëveshjes së Mukjes ishte i prerë, i ashpër, i njëanshëm dhe me pasoja të rënda. Ymer Dishnica, në përgjigjen e 14 gushtit 1943, i bënte një “apologji” të vërtetë Marrëveshjes së Mukjes, jo duke u nisur vetëm nga interesat e partisë që i përkiste, por duke u nisur nga interesat e luftës së popullit shqiptar. Duke sqaruar me durim të gjithë ata që nuk donin ta kuptonin se ç’ishte bashkimi, ai thoshte: “Shtroheshim për bashkim e të mos pranonin as edhe caktimin e një Komiteti të përbashkët të përkohshëm, komitet në të vërtetë marrëveshjeje dhe koordinimi, atëherë ç’fuqi reale i jepnim parimit të bashkimit”. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër veçse një komitet koordinimi e marrëveshjeje “pa prekur aspak indipendencën e organizatave, të shtabeve e të çetave”. Megjithatë, në Konferencën e Labinotit (shtator 1943), ku u dënua zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, Ymer Dishnica nuk mundi t’i mbronte pikëpamjet e tij, nuk mundi t’u rezistonte akuzave që iu bënë. Ai, së bashku me Mustafa Gjinishin, u konformuan me vendimin e Partisë për dënimin e Marrëveshjes së Mukjes. Ymer Dishnica e kuptoi se PKSH po largohej nga platforma e bashkimit të të gjithë shqiptarëve. Anulimi dhe dënimi i Marrëveshjes së Mukjes ishte dëshmi e një lufte të brendshme që zhvillohej në gjirin e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, e cila zhvillohej midis asaj pjese të shëndoshë të udhëheqjes që inicioi dhe realizoi Marrëveshjen (përfshirë këtu dhe anëtarët e delegacionit të KPN) dhe pjesës tjetër ekstremiste dhe fanatike partiake të udhëheqjes së KPN. Në një farë mënyre, kjo ndarje ishte reflektimi i dy rrymave që ekzistonin në PKSH. Klani i Enver Hoxhës, i cili mbështetej nga Miladin Popoviçi, doli më i fuqishëm. Dënimi i Mukjes i dha goditje dhe dobësoi pozitat e nacionalistëve brenda Frontit Nacionalçlirimtar ku bënin pjesë edhe ata komunistë të quajtur “çlirimistë”, si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi etj. Ideali për të luftuar kundër pushtuesit në gjirin e PKSH që nga ky çast ishte tronditur dhe çdo ditë që kalonte do ta bindte se ai ishte një iluzion. Udhëheqja e Partisë ishte shndërruar në një klikë terroriste, që po asgjësonte kundërshtarët si brenda, dhe jashtë saj, për të marrë e vetme pushtetin. Vendimi i marrë në Vithkuq më gusht 1943, mbetej në fuqi për t’u ekzekutuar. Në gusht të vitit 1944 u vra Mustafa Gjinishi. Ndërsa Ymer Dishnica u spostua nga detyrat partiake duke i lënë funksione administrative, derisa e larguan nga Tirana për në Berat, e së fundi për ta dënuar për agjitacion e propagandë. Qëndrimi bashkëpunues i Ymer Dishnicës me të gjitha forcat antifashiste shqiptare gjatë Luftës II Botërore, përbënte vlerën më të madhe të tij si atdhetar e antifashist, ndonëse për këtë qëndrim u akuzua për butësi mikroborgjeze dhe oportuniste nga klika antikombëtare e Enver Hoxhës, e cila e ndoqi gjatë gjithë jetës. Vepra e tij e ndërgjegjshme në shërbim të vendit si intelektual atdhetar, antifashist, te imponon homazh e respekt në l00-vjetorin e lindjes.
Prof. Muharrem Dezhgiu

No comments: