1 marsi i vitit 1997
Situata ishte rënduar së tepërmi, në fundin e shkurtit të vitit 1997. Pas shpërbërjes de fakto së pushtetit, hapjes së depove të municionit dhe rrezikut të një lufte civile, Berisha rrëzoi qeverinë e tij dhe i kërkoi ish kryeministrit Aleksandër Meksi, dorëheqjen. Ky i fundit kishte kërkuar pak ditë më parë, vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe dorëheqja e qeverisë nuk ndikoi për qetësimin e gjendjes. Dukej se nofullat e pushtetit e kishin shkërmoqur në mënyrë të përbindshme mirëbesimin e shoqërisë shqiptare dhe fill pas zhgënjimit, erdhi rebelimi. Ndërkaq, Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe në komandimin e situatës u vu shefi i SHIK-ut Bashkim Gazidede. Ndërsa dy ditë më vonë pikërisht, më 3 Mars Sali Berisha i acaroi përsëri shqiptarët duke u rizgjedhur si president, në Parlament, me 113, vota pro, 4 abstenim dhe 1 kundër. Ndërkaq zyrtarët e shtetit nisën të ikin nga Shqipëria. Disa kishin mbledhur ndonjë tufë dollarësh, për shkak të resurseve që u kish dhënë detyra. Ndërsa, një pjesë prej tyre kishin siguruar bursa jashtë shtetit, për fëmijët e tyre. Sapo liroheshin nga detyra, shumica e tyre ia mbathnin. Madje një pjesë e zyrtarëve të lartë nuk pritën që t’i dorëzonin as çelësat, zëvendësuesve apo e pasardhësve, por ia mbathën që në 2 mars, duke lënë detyrën përgjysëm. Në ato ditë nuk ishte aspak i çuditshëm fenomeni, ku shefat e qeverisë niseshin me shërbime në mëngjes, në një qytet tjetër dhe përfundonin si refugjatë jashtë shtetit. Pak ditë më pas iku ish ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali, me një anije peshkimi, duke zënë vend fillimisht, në qytetin e San Benedetos, tek familja e një të njohuri të tyre. Por lajmi erdhi, sikur Zhulali kishte ikur drejt Amerikës. Në fakt, ishte një lajm i rremë që e kishte përhapur vetë Zhulali, ose miqtë e tij, për të mos i gjetur adresën e saktë të vendqëndrimit. Ndërkohë, që dy fëmijët e Berishës, Shkëlzeni dhe Argita shkuan në Itali, Ferdinand Xhaferri iku në Maqedoni, me bashkëshorten, zv-kryeministri Vrioni shkoi drejt Francës, por përfundoi në një shtet tjetër, ndërkohë që rreth 70 për qind e zyrtarëve që trembeshin prej besnikërisë dhe servilizmit të tyre ndaj pushtetit, ia mbathën me rrugë e mënyra të ndryshme. Pati edhe shumë arratisje të zëvendësministrave drejt Greqisë e Turqisë. Disa javë më vonë, vetë Bashkim Gazidede u arratis duke u vendosur në Turqi. Po kështu edhe drejtuesit e lartë të Policisë dhe SHIK-ut, të cilët u shpërndanë drejt Anglisë me pasaporta kosovare dhe emra të rremë, por disa shkuan edhe në vendet arabe. Ato ditë u fol disa herë edhe për arratisjen e Berishës. Në një farë mënyre “Rogneri” dhe lokalet e tjera, ku haheshin darka të kushtueshme nga ish-ministrat, tani u zbrazën fare. Ata që ndjeheshin fajtorë të gjendjes së krijuar, ose ata që kishin frikë nga perceptimi i protestuesve, se mos rastësisht cilësoheshin si shakatarë të situatës, ikën më shpejt se të tjerët. Në ato ditë nuk ishte fare çudi që në një rrugë të Parisit, Athinës, apo Romës të shihje ish zyrtarët e lartë të nomenklaturës së Berishës, të cilët të gjithë pa përjashtim shanin ish presidentin e tyre. Një paburrëri e pritshme prej tyre. Bënin atë gjë që nuk kishin guxuar ta bënin ndonjëherë më parë. Por pjesa më e madhe fshiheshin nën pasaporta të rreme dhe nën emra false. Pikërisht ato ditë, zëvendëskryeministri Tritan Shehu doli e hyri disa herë në doganat kufitare, gjë që shkaktoi çudinë e të gjithëve. Sepse dilte pa badigardë dhe pa kostum, apo kollaro. Por më vonë, gjendja u sqarua dhe personi u kap nga policia e huaj. Ishte pikërisht, një njeri tjetër, i afërt i Tritan Shehut, i cili i kishte vjedhur pasaportën ish ministrit të Jashtëm duke udhëtarë me pasaportën e tij diplomatike. Po ato ditë shumë fshatarë, me opinga apo me triko leshi, ose të veshur me kanotiere, por edhe shumë hajdutë e kriminelë mbërrinin në vendet e huaja, me statusin e diplomatit. Sepse Ministria e Jashtme i kishte pajisur me pasaporta diplomatike, kundrejt ryshfeteve. Ndërsa Shqipëria vazhdonte të digjej.
Vijnë ndërkombëtarët
Gjatë kësaj periudhe të zymtë, Parlamenti shqiptar i ngjante një çmendine, ku një pjesë e madhe e deputetëve flisnin përçart. Shumica e tyre, donin t’ua faturonin krizën të huajve, ku natyrisht ekzistonte një dyshim për qarqet greke. Por deputeti Blerim Çela në një prej këtyre mbrëmjeve të çmendura, iu vërsul SHBA, duke i kërkuar fajtorët, pikërisht, në vendin më të madh të demokracisë botërore, i cili na kishte ndihmuar mjaft, në instalimin e demokracisë sonë të brishtë. Ndërkaq, ikjet e politikanëve vazhdonin. Madje një pjesë e vogël e tyre nuk u kthyen kurrë, por emrat e tyre përbënin një anonimat për politikën shqiptare. Në thelb, ata nuk kishin qenë kurrë deputetë të Shqipërisë, por Berisha i kishte inkurajuar ta ndiqnin pas në politikë dhe i kishte ngritur në detyrë ditë pas dite. Shumë prej këtyre deputetëve në ato ditë ngjanin si hunjtë e gardheve, që Berisha i kishte shkulur nga gardhet private dhe i kishte ngulur në karriget e Parlamentit, duke i dhënë emrin e deputetit. Më 5 Mars, ish-kancelari austriak Franc Vranicki bëri një deklaratë për kryesimin e delegacionin në Shqipëri. Ndërkombëtarët bën gjithashtu presioni të shumta për ndërprerjen e ndihmave, nëse nuk zbatoheshin kushtet e reja. Por vetë Berisha mezi priste të “pushtohej” prej forcave shumëkombëshe. Ky ishte shpëtimi i vetëm për situatën e krijuar. Ndërsa SHBA bëri një mesazh për qetësimin e situatës. Kështu në 6 mars Berisha bëri një marrëveshje me partitë politike për qeveri të Pajtimit Kombëtar. Në këtë tryezë nuk mungoi asnjeri prej krerëve të partive, përveç Fatos Nanos, i cili gjendej në burgun e Bënçës. Më 6 mars iku gazetarja Vjollca Vokshi, ndërkohë që kish ikur edhe Reis Çiço dhe një gazetar i BBC. Kishin ikur edhe dhjetra gazetarë të tjerë të RD-së, apo Albania-s, por edhe të gazetave të tjera. Ndërsa katër gazetarë ishin rrahur dhunshëm, ku njeri prej tyre vuan edhe sot pasojat e atij tmerri. Gabimisht, ata që iknin, cilësoheshin si pjesë e fajit të pushtetit për shkak të propagandës mbështetëse ndaj Berishës. Më 8 mars, Vranicki u takua me të gjitha palët. Kishin mbërritur prej disa ditësh të ashtuquajturit, "Vullnetarë të Korpusit të Paqes
Qeveria e Pajtimit Kombëtar
Në takimin përkatës për emrin e kryeministrit të qeverisë së Pajtimit Kombëtar, nuk mori pjesë Fatos Nano, i cili shijonte akoma shijen e hidhur të racionit të supës së burgut të Bënçës. Namik Dokle, propozoi për kryeministër Pandeli Majkon, që ishte i pranishëm. Por Berisha i tha: “Ti s’mund të jesh. Ti e di që unë i di disa gjëra për ty”. Gjithashtu në këtë takim Berisha kundërshtoi edhe emrin e kryetarit të PS të Vlorës, deputetin Elmazi, të cilin Berisha nuk e pranoi duke thënë se, “ai drejtonte rebelët, që dogjën bashkinë”. Emri i tretë ishte ai i Bashkim Finos, kryebashkiakut të Gjirokastrës, të cilin Berisha e pranoi. Dokle e mori menjëherë në telefon Finon, duke i dhënë lajmin e papritur: “Eja në Tiranë se të kemi bërë kryeministër. Po të dërgojmë helikopterin”. Ndërkaq, Spartak Ngjela u zgjodh ministër i Drejtësisë. Lajmi erdhi si “bombë”, sidomos për policët, të cilët tre ditë më parë e kishin arrestuar atë duke e izoluar në komisariat. Por keqkuptimi u zgjidh shpejt, sepse atë e kishin ngatërruar me disa dasmorë që qarkullonin gjatë natës të dehur. Posti i ministrit të Drejtësisë ishte një ëndërr për ish të burgosurin politik të burgut të Burrelit. Kryeqyteti ishte i tronditur dhe pa autoritetin e shtetit. Por më 15 mars, shefi policisë rajonale Sali Shehu, nxori në patrullim tanket dhe mjetet e blinduara. Dolën edhe policët. Dhe u duk se shteti i dobët nisi të ripërtërihej. Kryeministri i ri deklaroi fushatën e zgjedhjeve që më 17 mars, por ligji doli 5 ditë më vonë. E gjithë fushata e zgjedhjeve u zhvillua në kushtet të vështira. Një javë para zgjedhjeve, në Sant Edigio, Nano, i cili kishte dalë ndërkaq nga burgu, dhe Tritan Shehu nënshkruan paktin e zgjedhjeve. Pra, paktin e pranimit të rezultatit.
Qeveria e pajtimit Kombëtar
Qeveria e Pajtimit Kombëtar ishte qeveria që drejtoi Shqipërinë gjatë periudhës 9 Mars 1997-29 Qershor 1997. Ajo u krijua si pasojë e ngjarjeve të vitit 1997, të nxitura nga falimentimi i skemave piramidale. Kjo qeveri erdhi 1 javë pas dorëheqjes së qeverisë së Aleksandër Meksit, më 2 Mars 1997 dhe u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u zgjodh socialisti Bashkim Fino, kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Qeveria e re u votua më 11 Mars 1997 nga parlamenti dhe u dekretua nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha më 12 Mars. Fino shpalli si program të qeverisë 4 pika kryesore: stabilizimin e rendit publik dhe vendosjen e qetësisë, stabilizim të situatës ekonomike dhe të furnizimit të popullit, zotërimin e gjendjes financiare dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira. Bazuar në nenin 28, pika 7 dhe në nenin 33 të ligjit 7491, datë 29.04.1991 "Mbi organet kryesore kushtetuese", me propozim të Kryeministrit Bashkim Fino, Presidenti shqiptar Sali Berisha dekretoi Këshillin e Ministrave që vijon si më poshtë:
Kabineti
Bashkim Fino Kryeministër PS
Belul Çela Brendshëm PD
Shaqir Vukaj Mbrojtjes PS
Arian Starova Jashtëm PLD
Arben Malaj Financave PS
Spartak Ngjela Drejtësisë PLL
Eduard Ypi Privatizimeve PD
Astrit Kalenja Shëndetësisë PBK
Myqerem Tafaj Arsimit PD
Haxhi Aliko Bujqësisë PSD
Kastriot Shtylla Energjitikë PR
Foto Dhuka Transportit PBDNJ
Ëngjëll Ndocaj Kulturë PDK
Elmaz Sherifi i Punës PS
Vasillaq Spaho i Çështjeve Sociale PR
Ekrem Kastrati-Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, Partia Demokratike
Lush Përpali-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Brendshme, Partia Socialiste
Ali Kazazi-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Partia Demokratike
Pavli Zëri-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Jashtme, Partia Socialiste
Bashkim Fino Kryeministër PS
Belul Çela Brendshëm PD
Shaqir Vukaj Mbrojtjes PS
Arian Starova Jashtëm PLD
Arben Malaj Financave PS
Spartak Ngjela Drejtësisë PLL
Eduard Ypi Privatizimeve PD
Astrit Kalenja Shëndetësisë PBK
Myqerem Tafaj Arsimit PD
Haxhi Aliko Bujqësisë PSD
Kastriot Shtylla Energjitikë PR
Foto Dhuka Transportit PBDNJ
Ëngjëll Ndocaj Kulturë PDK
Elmaz Sherifi i Punës PS
Vasillaq Spaho i Çështjeve Sociale PR
Ekrem Kastrati-Sekretar i Përgjithshëm në Këshillin e Ministrave, Partia Demokratike
Lush Përpali-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Brendshme, Partia Socialiste
Ali Kazazi-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes, Partia Demokratike
Pavli Zëri-Sekretar shtetëror në Ministrinë e Jashtme, Partia Socialiste
Nga: Ilir BUSHI
No comments:
Post a Comment