Sunday, February 12, 2012

HISTORIA E GAZETËS QË BËRI HISTORI

Nga MUJË BUÇPAPAJ

Pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike, gjendja e lirisë së mediave në Shqipëri ishte e vajtueshme. Partia në pushtet kontrollonte totalisht mediat e shkruara, si dhe ato audiovizive dhe ajo që është më e keqja, i kishte drejtuar ato kundër demokratëve të papërvojë dhe me mundësi të pakta për të ngritur një sistem të tyrin informues. Një stuhi sulmesh të stilit të propagandës së vjetër u lëshuan kundër liderëve demokratë, të cilët paraqiteshin si “huliganë”, “shkatërrues” dhe kërcënues të rendit dhe sigurisë së Shqipërisë.
Vendi i vogël ballkanik ishte i fundit në rajon, që po përpiqej të përshtaste rregullat e reja të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut. Qeveria komuniste, ndërsa ishte detyruar të pranonte pluralizmin pas presionesh të forta të Lëvizjes Studentore dhe atyre ndërkombëtare, shfaqte synime të qarta për të lejuar një opozitë të dobët, të kontrolluar dhe me mundësi të vogla për ta sfiduar në zgjedhjet e 31 marsit 1991.
Në këto rrethana, shtypi i lirë do të ishte prova e parë e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Pas plot 46 vjetësh izolimi total dhe mohimi të fjalës së lirë, Partia Demokratike kishte vendosur të nxirrte gazetën e saj. Ishte një kohë pritjeje, por edhe përgatitje për stafin e ri, i cili do të drejtonte gazetën, siç ishin edhe disa gjëra të natyrës teknike. PD, e themeluar më 11 dhjetor 1990, më 12 dhjetor të këtij viti u shpall publikisht gjatë një tubimi historik në Qytetin “Studenti” Tiranë. Pluralizmi ishte pranuar politikisht, por nuk ishte legalizuar akoma në mënyrë institucionale, ligjore.
Më 17 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë formalisht do të dekretonte ligjin e lejimit të pluralizmit politik në vend, ndërsa më 19 dhjetor vetë PD do të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë si një parti legale. Tani, ajo nuk kishte pengesa që të ndërtonte strukturat e saj në të gjithë vendin, si dhe të kishte shtypin e saj. Pas themelimit të PD-së, dalja e numrit të parë të gazetës së saj do të shënonte një dallim thelbësor të ndryshimit të sistemit të ngurtë të mohimit të fjalës së lirë.
PD, e sapolindur, vazhdonte të kishte selinë e saj provizore tek godina numër 15 në Qytetin “Studenti”. Ato dy-tri dhoma të përshtatura thjeshtë mbajnë akoma edhe kësaj dite hijen e asaj lëvizjeje dhe shndërrimi. Drejtuesit e Komisionit Nismëtar me në krye Azem Hajdarin, çdo ditë që kalonte po e shikonin që gjendeshin në vështirësi të mëdha komunikimi me mbështetësit e tyre dhe opinionin në tërësi për shkak të mungesës së medias së partisë së tyre. Deri në këtë kohë, drejtuesit e lartë demokratë mund të publikonin idetë e tyre pa censurë vetëm tek “Zëri i Amerikës”, pasi RTSH dhe gazetat e kontrolluara nga Partia e Punës në pushtet, përveç censurës dhe deformimeve të ideve dhe koncepteve të tyre, i kishin vënë në shënjestër disa prej eksponentëve të Komisionit Nismëtar të PD e sidomos Azem Hajdarin. Shtypi i majtë vazhdonte të zbatonte parimet leniniste, sipas të cilit kundërshtari politik ishte edhe armik i partisë.
Në fund të dhjetorit 1990, koncepti për ndërtimin e gazetës kishte ardhur duke u formësuar. Komisioni Nismëtar kishte ngarkuar për këtë çështje Mitro Çelën dhe Preç Zogajn, që të dy gazetarë të njohur në vend. Mitroja njihej si natyrë opozitare për shkak të disa shkrimeve problemore-ekonomike, si pasojë e publikimit të tyre me urdhër të Partisë Komuniste, ai ishte larguar nga gazeta “Zëri i Popullit”, ndërsa Preçi vinte nga “Zëri i Rinisë” dhe kishte një të kaluar të vështirë dhe mosbesimi me regjimin për shkak të biografisë së familjes së tij tërësisht antikomuniste.
Nuk dihet se kush e pati propozuar në Komisionin Nismëtar të PD, por shumë shpejt u mor vesh se, kryeredaktor i gazetës së opozitës ishte emëruar Frrok Çupi edhe ky një ish-gazetar i “Zërit të Popullit” i larguar prej kësaj gazete “për shkelje të vijës së partisë”. Ai, për disa vite, ishte detyruar të punonte në një ndërmarrje të Tiranës si punëtor krahu. Në vitet 1989-1990, kishte botuar disa reportazhe mjaft të mira në shtypin e Tiranës.
Në këto ditë të ndërtimit të stafit të ri të gazetës pati përpjekje prej shumë gazetarëve, që të përfshiheshin në redaksinë e saj, por ishte shumë e vështirë. Më vonë, në stafin drejtues të gazetës do të emëroheshin shumë gazetarë, të cilët faktikisht nuk kishin luajtur asnjë rol deri më 12 dhjetor 1990, kur ishte shpallur PD, por që njiheshin për një frymë oponente ndaj regjimit. Këtu bëjnë përjashtim studentët, të cilët ishin të gjithë anëtarë të Lëvizjes së Dhjetorit. Më kujtohet një episod nga ditët e fundit të dhjetorit, kur selia e Partisë Demokratike ishte akoma tek godina numër 15 e Qytetit “Studenti”. Në njërën nga dhomat e pajisura thjesht me një tavolinë dhe disa karrike të marra nga salla e televizionit, në katin e dytë të godinës zhvillonte mbledhjet e punës edhe kryesia e re apo Komisioni Nismëtar i PD-së. Në fakt në këtë periudhë, në ato ambiente studentësh ishte vështirë të mbaje ndonjë rregull apo distancë. Aty të gjithë e ndjenin veten heronj, heronj të një lëvizjeje të madhe. Në një nga këto mbledhje kam njohur për herë të parë edhe Frrok Çupin. Kishte një pamje të heshtur. Në një moment kur na thanë se do të fillonte mbledhja e kryesisë, u ngritëm dhe dolëm të gjithë, meqenëse nuk ishin në Komisionin Nismëtar.
U ngrit të dilte jashtë edhe Frroku, por dikush i tha, mesa më kujtohet Azemi: “Ti, Frrok, do të qëndrosh, pasi je kryeredaktori i gazetës”. Më kujtohet si sot, Frroku i ulur në një karrike nga fundi i sallës, i mbështjellë me një pardesy kafe, mjaft të përdorur.
Në korridor po prisnim bashkë me Lazër Stanin. Lazri më tha se i ishte premtuar për të punuar qysh në fillim në stafin e gazetës dhe për këtë ndjehej i kënaqur. Unë në këtë kohë isha student pasuniversitar, studioja për skenar të filmit artistik, kisha bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme me shtypin, kisha marrë pjesë si shumë intelektualë të rinj në Lëvizjen e Dhjetorit dhe natyrisht kisha dëshirë të punoja qysh në fillim në redaksinë e “RD-së”, por gjërat nuk ishin të lehta.
Berisha, qysh në ato momente, ishte për atë që stafi i gazetës të zgjidhej sipas një modeli jopartiak, por krejt të pavarur. Biles pati zëra se “RD-ja” do të ishte një gazetë e pavarur nga PD-ja.
Në fakt një vit më parë, pikërisht për reportazhet cilësore që kisha botuar tek “Zëri i Rinisë”, kisha marrë çmim vjetor, ndërkohë që kisha marrë edhe disa çmime vjetore për poezi dhe një poemë të botuar tek kjo gazetë. Në vitin 1999, kisha botuar një vëllim poetik, i cilësuar nga kritika e kohës si i suksesshëm. Ai ishte vëllimi i vetëm poetik që botohej në atë kohë pa ndonjë vjershë për partinë apo për udhëheqësin, siç ishte në modë atëherë.
Tirana, në atë periudhë, po ziente. Intelektualët ishin përfshirë në debate të forta në rishikimin e vlerave të regjimit komunist, ku prinin shkrimtarët dhe artistët. Atë fund dhjetori, në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qe mbajtur Pleniumi i Lidhjes, ku unë merrja pjesë.
Pati debate të forta mes shkrimtarëve gjysmë desidentë dhe drejtuesve të Lidhjes. Shkrimtarët një nga një refuzuan të hidhnin kandidaturat e tyre për deputetë në zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, të parashikuar për në muajin shkurt 1991. Dihej se kjo ishte një lojë e PPSH dhe Ramiz Alisë, për të justifikuar nevojën e lejimit të pluralizmit politik. Pak më vonë u organizua një veprimtari për Gjergj Fishtën po në Lidhjen e Shkrimtarëve. Edhe kjo veprimtari e drejtuar nga Rudolf Marku, Aurel Plasari, Skënder Buçpapaj, Ndrek Luca, etj., pati debate të forta. Intelektualët e Tiranës kishin marrë përsipër ideimin e luftës për demokraci. Në një nga këto ditë, më 29 dhjetor, është mbledhur edhe stafi i ri i gazetës. Në këtë mbledhje të parë të Këshillit Botues të gazetës, i cili më 5 janar do të ndryshonte, siç tregon Mentor Shehu, anëtar i Këshillit Botues, Preç Zogaj ka prezantuar edhe Frrokun si kryeredaktor. Në këtë mbledhje është debatuar rreth mënyrës së organizimit të gazetës “RD”, aq sa mund të konceptohej një gazetë opozitare. E rëndësishme ishte se ajo do të ishte antiregjim dhe do të merrte përsipër edukimin demokratik. Aty është bërë edhe plani për numrin e parë, madje janë ndarë edhe disa tema.
Më 31 janar 1990, PD do të zhvendosej nga godina nr.15 në Qytetin “Studenti” tek një vilë dykatëshe në Rrugën “Fortuzi”, afër Hotel “Arbërisë”. Një vilë e shkatërruar dhe pa mirëmbajtje. Gazeta kishte një dhomë në katin e dytë të ndërtesës.
Në fillim nga Komisioni Nismëtar u tha se, gazeta do të dalë më 3 janar, por ky vendim do të ndryshonte shumë shpejt. Piktori Mentor Shehu, i cili ishte ngarkuar të bënte faqosjen e “RD-së”, këmbënguli që grafiku që u kishte caktuar Poligrafiku për botimin e gazetës ditën e martë dhe të premte ishte i papërshtatshëm për Partinë Demokratike. Sipas Mentorit, prej të premtes deri tek e marta tjetër i binte gati pesë ditë të pambuluara nga gazeta e partisë, ndërkohë që PPSH kishte disa gazeta të përditshme dhe periodike që sulmonin ashpër PD dhe drejtuesit e saj. Kështu që, me ndërhyrjen e drejtuesve të PD vendoset që gazeta të dilte të mërkurën dhe të shtunën.
Më 5 janar 1991, pas përpjekjesh të mëdha, sidomos të Frrokut dhe Mentorit (që të dy e gdhijnë në shtypshkronjë), por edhe të Preçit dhe studentëve Fevziu, Shkullaku dhe Blushi, gazeta pa dritën e botimit.
Në këshillin e parë botues do të ishin Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirjan Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo.
Në editorialin e “RD-së” “Fjala e parë”, thuhej se, “sot, Rilindja Demokratike thotë fjalën e parë të saj. Kjo Rilindje ka marrë mbi vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë të thotë fjalën e vërtetë”. Në faqe të parë, gazeta kishte përshëndetjet e Ismail Kadaresë, Rexhep Qoses dhe Dritëro Agollit.
Vetë titulli i gazetës doli nga një togfjalësh që kishte përdorur Qosja në përshëndetjen e tij. Siç dihet, kokën e gazetës e punoi piktori i njohur i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Bujar Marikaj. Në faqen 2 zinte një vend të dukshëm shkrimi i Preçit, “PD nuk është mace e zezë”, e konceptuar si një replikë me gazetën “Bashkimi”.
Në këtë numër është botuar edhe shkrimi i Sali Berishës “Ylli ynë polar, çështja jonë kombëtare”, në të cilin jepej platforma e PD për zhvillimin e vendit, integrimin në Europë, si dhe qëndrimet e saj ndaj zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Ky shkrim do të merrte shumë polemika edhe disa vite më vonë, duke u bërë objekt i shumë analistëve të vendit dhe atyre të huaj përsa i përket qëndrimit ndaj çështjes së Kosovës. “PD do të luftojë pa u lëkundur që vëllezërit tanë në Kosovë të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat demokratike, përfshirë edhe atë të vetëvendosjes, që janë të sanksionuar në Kushtetutën jugosllave, Kartën e OKB-së dhe aktet e Helsinkit. PD nuk mund të pranojë si të përjetshëm ndarjen e kombit shqiptar. Prandaj edhe ne do të luftojmë me mjete paqësore dhe në kuadrin e proceseve integruese europiane të realizohen të drejtat e tyre për përparimin dhe bashkimin kombëtar”. Ky tekst ishte mbajtur si një fjalim në Sheshin “Demokracia” në Qytetin “Studenti”. Edhe Gramoz Pashko, në një intervistë dhënë gazetës, paraqiste strategjinë ekonomike të PD, e cila synonte reformimin tërësor të sistemit ekonomik ekzistues drejt një ekonomie, siç shprehej Pashko, “të iniciativës së lirë”. Frrok Çupi, në një shkrim të tijin, duke përshkruar vështirësitë e botimit të numrit të parë, shpreh frikën e mosdaljes së numrit të dytë. Mentor Shehu, një nga themeluesit e gazetës dhe faqosësi i saj i parë, tregon se, “stafi i parë i gazetës që paguhej me bordero, ka qenë i përbërë nga Frrok Çupi kryeredaktor, Mentor Shehu, faqosës dhe një reporter”. Mentori kryente një punë voluminoze që nga faqosja e numrit, dërgimi i materialeve, redaktimi i tyre dhe derisa dilte gazeta. Pas pak ditësh, afërsisht një jave, në gazetë vjen edhe Emin Barçi. Emini ishte përfshirë në Lëvizjen Studentore dhe pas themelimit të PD, ai ishte një njeri, i cili kishte siguruar vend, siç thuhej atëherë, në sektorin e shtypit në një nga dhomat e katit të parë të godinës numër 15. Aty kishte një makinë shkrimi dhe një shaptilograf, të cilët i përdorte një vajzë bjonde.
Nga kopjet e para të gazetës del se, “studentët Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Ben Blushi dhe Edi Paloka, ishin si vullnetarë që paguheshin me honoraret e shkrimeve që bënin, kryesisht në sektorin e informacioneve. Dritan Kaba në këtë kohë do të bënte edhe punën e fotografit, ndërsa Abdurrahim Këllezi, ish-korrektor i gazetës ‘Zëri i Rinisë’ dhe Agim Fortuzi, ish-korrektor i ‘Bashkimit’, ishin dy korrektorët e parë të ‘Rilindjes Demokratike’”.
Më vonë në redaksi kanë ardhur Genc Tirana dhe Arben Ruka, ish-gazetarë të “Bashkimit”, ndërsa është miratuar si korrespondent për Myzeqenë, Bujar Xhaferri. Pas tyre vjen Bashkim Trenova, ish-shef i Sektorit të Jashtëm i “Zërit të Popullit” dhe së fundi drejtor i Arkivit të Shtetit, si dhe Filip Çakuli, ish-gazetar i njohur i “Hostenit”, shkrimtar i njohur i humorit shqiptar, Visar Zhiti poet disident, i dënuar politik. Po gjatë vitit 1991 do të vinin edhe Skënder Shkupi, Rakip Sulçe, Xhevat Mustafa, etj.
Në këtë periudhë gazeta “RD” do të kishte tirazhin më të lartë dhe kërkesat në treg për të ishin të jashtëzakonshme. Gazeta, megjithëse kishte një çmim prej 1 lek të rinj, shitej me 10, 25 e deri 50 lekë. Lufta për të kontrolluar gazetën dhe ecur përpara shprehet qartë edhe në ndërrimin e shpeshtë të kryeredaktorëve në periudhën janar 1991, prill 1992.
Kryeredaktor i parë do të ishte Frrok Çupi, i cili do të largohej në qershor të vitit 1991. Pas tij do të vinte Napoleon Roshi, ish-drejtor i Radios së Jashtme dhe ish-gazetar i “Bashkimit”, pastaj Mitro Çela, i cili do të drejtonte gazetën nga fundi i vitit 1991 deri pas fushatës së suksesshme të 22 marsit 1992. Gjatë kësaj periudhe, unë bashkë me Skënder Shkupin dhe Merita Shkupin do të themelonim gazetën e Tiranës “Tribuna Demokratike” dhe si kryeredaktor do të më binte të bashkëpunoja si me Mitron, ashtu edhe me Filip Çakulin, si zëvendëskryeredaktor i “RD-së”. Në prill 1992, vjen kryeredaktor Bashkim Trenova, në vend të Mitros, i cili kishte fituar një vend në Parlamentin shqiptar si deputet i PD-së. Pas Bashkimit, aty nga fundi i vitit 1994, drejtimin e gazetës do ta merrte Lorenc Ligori, zëdhënës i PD gjatë kohës që në krye ishte Eduart Selami. Ligori, pas rreth një viti pune, në vjeshtë të vitit 1995 do t’ia linte këtë post Lazër Stanit. Stani do të qëndronte në krye të gazetës deri më 12 mars 1997, kohë pas së cilës do të vinte Xhevat Mustafa, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri në maj 1997, kur do të zëvendësohej nga Astrit Patozi, ish-kryeredaktor i gazetës “Albania”. Patozi do të drejtonte gazetën deri në korrik 2005, kur ai do të zgjidhej deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Prej kësaj kohe dhe në vazhdim gazeta “RD” drejtohet nga gazetari i përkushtuar Bledi Kasmi. Bledi si të thuash është rritur në gazetën “RD.” Ka ardhur në redaksi qysh kur ishte student në gazetari në vitin 1994 dhe më vonë ka kaluar shef redaksie e kryeredaktor.
Stafi i gazetës “RD” është i madh, ashtu siç është edhe emri i saj. Disa prej drejtuesve apo gazetarëve të saj shumë shpejt filluan që të mos e ndjenin më veten të gatshëm për të punuar me platformën politike të PD dhe u distancuan prej saj.
Sot, pas njëzet vjetësh, “Rilindja Demokratike” vazhdon me sukses detyrën e saj të informimit të pavarur dhe të mbrojtjes së demokracisë në stilin e saj të njohur, duke mos bërë kompromise dhe lëshime. Edhe gjatë viteve 1997-2005, drejtuesit e gazetës dhe gazetarët e saj i janë nënshtruar një dhune dhe represioni të paparë nga organet shtetërore, nëpërmjet gjyqeve të montuara, kërcënimeve, gjobave të rënda dhe sulmeve të egra, deri edhe me armë zjarri, siç i ka ndodhur autorit të këtyre radhëve më 20 gusht 1997 nga njerëz të veshur me uniformë. Gazeta “RD” ishte një gazetë e urryer nga regjimi i pas rebelimit të vitit 1997. Ajo diskriminohej nga qeveria dhe entet e saj në dhënien e reklamave, duke e vënë atë para vështirësish të panumërta. Megjithatë, gazeta dha një shembull të mbijetesës në një periudhë të rëndë për demokracinë dhe pluralizmin pas vitit 1977 dhe në vazhdim deri më 3 korrik 2005, kur rierdhi në pushtet PD dhe aleatët e saj.
Edhe sot, pas njëzet vjetësh, “Rilindja Demokratike” vazhdon të jetë një nga zërat më të besueshëm dhe profesionalë të shtypit shqiptar, me ndikim të konsiderueshëm në opinionin shqiptar dhe jetën politike të vendit.
Gjatë këtij tranzicioni të gjatë respektimi i lirisë së mediave dhe të të drejtave të tjera themelore të njeriut, ka kaluar nëpër një shteg me ulje-ngritje të forta, por qysh prej 5 janarit të vitit 1990, kur doli numri i parë i gazetës “RD” e deri më sot, kjo media ka luajtur një rol historik si media e parë e lirë në vend. Unë dhe shumë kolegë të tjerë të nderuar, jemi vërtetë krenarë që kemi qenë pjesë e stafit të kësaj gazete për shumë vite me radhë. Në këtë përvjetor, i urojmë gazetës “RD” jetë të gjatë, ndërsa stafit të saj aktual punë të mbarë dhe shumë suksese!

Whitney Houston, vdekja e divës së muzikës rrethohet nga misteri, ekspertiza pas 6 javësh


Autopsia nuk ka zbuluar ende asgjë në lidhje me detajet e vdekjes Houston, e cila mendohet se po pregatitej të bënte një banjë. Ajo u gjet pa ndjenja në dhomën e saj nga një gruaqë besohet se ishte asistentja klithmat e të cilës në momentin e zbulimit janë dëgjuar edhe në dhomat ngjitur. Ndërkohë raporti për shkaqet e vdekjes mund të vonohet sipas agjencive të lajmeve deri në 6 javë pasi pritet një analizë e detajuar toksikologjike. Sipas një faqeje lajmesh rozë Houston është gjetur me kokën nën ujë në vaskën e dhomës së hotelit ku rrinte.
Më herët
“Ra një Titan tjetër i muzikës”, shkruan CNN ndërsa publikon një foto të Whitney Houston me Majkëll Xhekson. Houston
humbi jetën të shtunën në orën 10:55 pasdite, në moshën 48 vjeçare. Ajo u gjet e vdekur në dhomën e hotelit në Beverli Hills dhe u shpall e tillë pas ndërhyrjes së mjekëve, ndërsa arsyet janë ende të paqarta. Tronditja dhe hidhërimi i fansave të saj në mbarë botën ishte i menjëhershëm: Houston ishte një ikonë e skenës botërore. Për një dekadë e gjysëm ajo shiti 170 milion albume. Hitet e saj numër 1, përfshi edhe singëllin më të shitur të të gjitha kohërave në SHBA, “I Will Always Love You.” Ajo fitoi Emmys, Grammys, çmimet Billboard Music. Dyzina të tëra çmimesh. Ndërkohë vdekja e saj është ende e dyshimtë raporton CNN. Ajo ishte duke luftuar kundër drogës dhe dukej se po fitonte, ndërsa pritej një rikthim i saj në skenë. Një këngëtar tha se i kishte parë një ditë më parë bashkë me të bijën duke notuar në pishinën e hotelit dhe dukeshin të lumtura. Se çfarë ka ndodhur saktësisht në hotel mbetet ende për t’u ekzaminuar. Policia tha se këngëtarja u gjet pa ndjenja nga truprojat e saj. Mjekët u përpoqën ta kthenin në jetë por dështuan. Ndërkohë policia tha se nuk kishte shenja të dukshme të ndonjë ndërhyrje kriminale. Houston lindi në Newark në Nju Xhersi, më 9 gusht 1963 dhe kumbara e saj ishte Aretha Franklin. Ajo kishte një zë të veçantë dhe një karrierë në ngjitje që arriti kulmin në fillim të viteve 90’, kur këngëtarja thuhet se vendosi standardin e artë të inteprertimit të himnit të SHBA me zërin e saj të rrallë ajo solli në “jetë” qindra këngë  që u bënë hite.
Whitney Houston, momentet e fundit të jetës së divës së muzikës
Policia ka bllokuar dhomën e hotelit të këngëtares Whitney Houston, ku po kërkohet padyshim për ekzistencën apo jo të substancave narkotike. Në fotot e fundit këngëtarja u fiksua një natë më parë ndërsa largohej nga një bar në Hollivud. Nisur nga fotot, ajo dukej mjaft e çorientuar dhe e stresuar, ndërsa shumë të pranishmëve i bëri përshtypje gjendja e rënduar. Siç duket, do të ishte kjo gjendje që do të përcaktonte edhe fatin e saj tragjik.
Kanë nisur të ngrihen shumë hamendësime rreth vdekjes së mbretëreshës së muzikës, Whitney Houston. Ende mbetet enigmë arsyeja e vdekjes, por është njoftuar se ajo kishte festuar në një mënyrë krejt të veçantë një natë më parë. Ajo vdiq në Beverley Hilton, hotel ku po qëndronte për të performuar në Grammys party. Siç raportohet nga media të ndryshme, ajo ishte parë me një grup të zgjeruar miqsh në barin e hotelit. Burimet kanë thënë se ata kanë qëndruar për një kohë të gjatë duke pirë sasi të mëdha alkooli. Shërbimi i emergjencës u thërrit në dhomën e Whitneyt në katin e katërt kur rojet po përpiqeshin ta mbanin në jetë. Përpjekjet qenë të pasuksesshme dhe ajo vdiq në orën 10:55 pm. Siç konfirmoi policia e ShBA-së, Whitney Houston u gjet e vdekur në dhomën e një hoteli në Beverly Hills në Los Angeles të Kalifornisë. “Mjekët e emergjencës bënë të gjitha përpjekjet e mundshme, por nuk mund të arrinin më asgjë”, tha një zëdhënës i policisë. Ndërkohë, po bëhen hetime mbi shkakun e vdekjes. Por nuk ka të dhëna për ndonjë krim. E njohur gjithashtu për një betejë të gjatë ndaj varësisë prej substancave narkotike, Houston dyshohet të ketë ndërruar jetë nga një mbidozë, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas asaj që raportojnë disa media amerikane, ajo ishte parë për herë të fundit në publik ditën e enjte, tërësisht jashtë forme dhe e dehur. Personi i fundit me të cilin foli këngëtarja ishte e bija, disa orë përpara se një truprojë ta gjente me një puls shumë të dobët në dhomën e saj.
Houston u konfirmua e vdekur pas mbërritjes së shërbimeve të urgjencës, pavarësisht se ata u përpoqën për 20 minuta me radhë ta mbanin në jetë. Vdekja e Whitney Houston vjen një natë para ceremonisë së Çmimeve Grammy në Los Angeles, ku gjashtë herë fituesja e çmimit Grammy kishte mbledhur me qindra artistë për programin.

Bobby Brown: Të dua Whitney
Bobby Brown u ngjit në skenë vetëm pak orë pas marrjes së lajmit për vdekjen e ish-gruas së tij, duke lëshuar një mesazh tejet domethënës “I love you!”. Mediat raportojnë se ish-bashkëshorti ka qenë duke kënduar në një skenë në Mississippi pas marrjes së lajmit dhe ka deklaruar publikisht mesazhin e fundit për ish-gruan duke i thënë “të dua”. Houston, e cila vdiq pak orë më parë, ka lënë pas vajzën 19-vjeçare Bobbi Kristina, të cilën e kishte gjatë marrëdhënies tejet të rënduar me bashkëshortin e saj për plot 15 vite. Por kjo performancë ka qenë mjaft e vështirë, ndërsa ai ka qarë në skenë dhe publiku i ka dhënë kurajën të mund të jepte mesazhin ndonëse pa kënduar dot këngët e planifikuara.

Whitney superstar
Në vitet 1980 dhe 1990 Whitney Houston konsiderohej si golden girl e industrisë së muzikës. Me këngën “I wanna Dance with Somebody” ajo ishte numri një i hiteve edhe në Gjermani. I dyti hit i saj ishte himni i olimpiadës “One Moment in Time”. Kënga e saj “I will Always Love You”, për filmin “The Bodyguard”, ku ajo luan rolin e një këngëtareje krah yllit të Hollivudit, Kevin Costner, u kthye në një himn dashurie për një gjeneratë të tërë dhe në mbarë botën është kënga më e shitur e një këngëtareje.
Houston, zëri i së cilës kapte tri oktava, është vlerësuar me gjashtë Grammy dhe me disqe të pafundme ari dhe platini. Ajo ka mbajtur shtatë herë radhazi pozicionin një në hite. Këngëtarja me këtë ka tejkaluar rekordet e deritanishme të Beatles dhe Bee Gees.

Probleme me drogë dhe anulim koncertesh
Së fundi Houston luftonte me problemet me drogën dhe alkoolin. Zëri e linte atë në baltë. Ndonëse në vitin 2009 u publikua albumi i comeback-ut të saj, turnetë në vitin pasues u karakterizuan prej kritikave: asaj iu desh të anulonte një sërë koncertesh për shkak të sëmundjes dhe të përballej me kritikat e tifozëve, të cilët zhgënjeheshin nga kënga dhe prezantimet e saj

Luiza Xhuvani: Jeta ime mes skenës, dramave të tranzicionit dhe politikës


Luiza Xhuvani, një nga aktoret më të spikatura të kinemasë dhe teatrit vjen në një rrëfim për rolin e saj në filmin serial, i cili sapo ka nisur të shfaqet në ekranin e “Top-Channel”. “Në kërkim të kujt” është një prodhim i ri, i cili ka mbërthyer para ekranit teleshikuesit, në një dramë brenda të njëjtit tranzicion shqiptar të njëzet viteve të fundit. Aktorja, e cila në këtë film ka rolin e doktoreshë Afërditës, tregon sesi e sheh ajo rolin e saj brenda kësaj drame, marrëdhëniet me kolegët, por mbi të gjitha si e sheh veten në gjithë tranzicionin shqiptar. “Jam totalisht brenda kaotizmit, absurdit, zhgënjimit, shantazhit, padrejtësisë nga kjo shoqëri. Ndërkohë mbart edhe dashuri, edhe dhimbje, edhe shpresë. Pikërisht kjo shpresë e bën këtë jetë të bukur. Dhe në dhimbjen më të madhe, në trishtimin më të madh ka gjithmonë një fije optimizmi”, – shprehet Luiza. Ndërkohë ajo flet edhe për marrëdhënien e saj me politikën dhe sesi arti shpeshherë mund t’iu paraprijë ndryshimeve në shoqëri.

Jonida Hitoveizi
Luiza, jeni rikthyer pranë publikut si aktore. Përse zgjodhët të ishit pjesë e serialit “Në kërkim të kujt”?
Në fakt është hera e parë që marr pjesë në një serial. Le ta quajmë premierë dhe jo rikthim. Mendoj se aktori duhet të provojë të gjitha zhanret. Mbi të gjitha më tundon sheshi i xhirimit, që është pjesë e jetës sime. Po ashtu nuk zgjodha, por pranova të marr pjesë në një serial për disa arsye profesionale dhe njerëzore. E para, sepse është një film bazuar në një skenar, i cili shpërfaq realitetin e vendit tonë në një periudhë të vështirë, ashtu siç është me të mirat dhe të këqijat e tij. E dyta, personazhi që unë interpretoj përfaqëson atë kategori shoqërore, që krahas potencialit të tyre profesional mbartin edhe vlera të mëdha humane e që në të shumtën e rasteve janë të padukshëm, janë heronjtë e heshtur. Njerëz që kontributin e tyre e fshehin me modestinë si një virtyt i pavlerësuar. Të gjithë e dimë se sa përgjërohemi tek mjeku në ditën e hallit dhe sa shpejt e harrojmë kontributin e tij, ku mbi të gjitha ai është edhe human. E treta, sepse isha pjesë e një ekipi aktorësh, më të mirët e tregut shqiptar.
Si jeni ndjerë brenda gjithë asaj drame që zhvillohet në këtë film serial?
Dramën e këtij filmi, në një formë apo në një tjetër e kanë përjetuar të gjithë shqiptarët. Në rastin konkret, sa i bashkëngjitem si qytetare aq edhe distancohem në aspektin profesional. Ka dy momente të rëndësishme në krijimtarinë e një aktori. Impakti i parë me skenarin ose dramaturgjinë është të jetë social. Merresh me idetë, mesazhet, qëndrimet e më pas kur vjen momenti i realizimit merresh me atë që thuhet thjesht profesion. Unë pranova profesionalisht një doktoreshë, në pamje të parë e ftohtë dhe e rezervuar, herë-herë edhe skeptike në marrëdhëniet shpirtërore. Pra doja të fshihja këtë mesazh nën petkun e një korrektësie profesionale, për ta bërë disi të veçantë jo një mjeke me një dashuri evidente tejet emocionale, me sy të përlotur e me dhimbje (elemente të cilat i kam ezauruar në rolet e mëparshme).
U menduat përpara se të pranonit rolin në një serial së pari dhe pastaj atë të doktoreshës?
Padyshim. Përpara çdo pune aktori bën një analizë të të gjithë faktorëve, të cilët e bëjnë të pranojë apo refuzojë një rol. Por gjithçka nuk kishte të bënte me faktin se është një film serial televiziv. Është film artistik. Ajo që më intrigoi më shumë ishte se personazhi i doktoreshës ka një karakter të thellë human. Duke ditur një veçori specifike të filmit televiziv, që ngjan si një dialog i drejtpërdrejtë me spektatorin e thjeshtë, madje me atë më të thjeshtin, që në të shumtën e rasteve i mungon privilegji ta shohë filmin në sallat kinematografike.
Si e shihni kinemanë shqiptare sot? Çfarë e ka ndalur disi tempin e saj duke e krahasuar edhe me vitet e para ‘90-ës, ku dukej se prodhohej më shumë?
Kjo është një analizë që ia vlen për t’u diskutuar, por në thelb është tejet e thjeshtë. Si kudo, por në veçanti ka një tkurrje ekonomike karshi kulturës dhe artit. Ka tendenca për vepra artistike propagandistike, gjë që ul ndjeshëm stimulimin krijues. Kjo tkurrje fondesh ka dy kahe. Atë të krizës së përgjithshme ekonomike dhe atë të një mentaliteti politik që kurrë në këto vite të fundit s’e ka parë artin dhe kulturën të paktën si një gjysmë-prioritet. Njerëzit duhet të shikojnë dramat e tyre, të shohin emocionet e tyre, të gjejnë pika referimi, të justifikojnë dështimet e tyre, të motivojnë vlerat e tyre e për më tepër të rikonfirmohen mes tyre dhe brenda vetes. Këtë e bën vetëm arti. Fatkeqësisht, kjo është tepër e vakët në kohën që po flasim.
Cilat skena në këtë film ju kanë prekur në shpirt përtej rolit?
Për momentin që po flasim nuk e kam parë filmin. Ndjej në mënyrë instiktive se seria e katërt dhe e pestë do të jetë amplituda më e madhe emocionale, por nuk mund të gjykoj sepse jam pjesëtare e jo shikuese e tij. Ju duhet ta dini se filmi xhirohet i fragmentarizuar. Nuk mund të jap një gjykim të saktë.
Filmi flet për dramat e tranzicionit shqiptar….Po ju vetë a ju ka përfshirë në ndonjë moment kjo gjë?
Edhe unë jam pjesëtare e kësaj shoqërie. Bëj një jetë sociale si gjithë të tjerët, sigurisht me specifikat e mia. Vetëkuptohet që jam brenda totalisht kësaj shoqërie. Jam totalisht brenda kaotizmit, absurdit, zhgënjimit, shantazhit, padrejtësisë nga kjo shoqëri. Ndërkohë mbart edhe dashuri, edhe dhimbje, edhe shpresë. Pikërisht kjo shpresë e bën këtë jetë të bukur. Dhe në dhimbjen më të madhe, në trishtimin më të madh ka gjithmonë një fije optimizmi. Pikërisht këtu e kam lidhur personazhin tim, e kam shtrënguar fort. Ne artistëve të të gjitha zhanreve na takon misioni që t’u dhurojmë njerëzve edhe përmes trishtimit – gëzimin, edhe përmes dështimit-fitoren. Në ditët më të zeza të kujtojmë ato më të bukurat. Kjo që po them unë ka të paktën 3000 vjet që ekziston që në legjendën e Iasonit.
Dukeni përherë e më në formë. A ka ndonjë sekret për hijeshinë e saj Luiza Xhuvani?
Do ta them shkurt. Ne nga jugu kemi një shprehje (me humor) ‘Qofsha siç më dinë, mos qofsha siç jam’. Qofsha siç më shohin e mos qofsha siç shoh veten!!!
Luiza, a është e vërtetë që ju jeni aktorja e preferuar e Gjergj Xhuvanit?
Duhet t’ia bëni Gjergjit këtë pyetje. Nuk është përgjigje që mund ta jap unë. Por me sa di unë, ka edhe aktore të tjera të preferuara që janë evidente edhe në këtë serial.
Në gjithë filmat që keni luajtur a ka ndonjë personazh, i cili ju është bërë pjesë e jetës më shumë se të tjerët?
Çdo rol që kam interpretuar ka qenë pjesë e jetës sime. Për sa kohë ti jeton me të, me shqetësimet e gëzimet e tij, me koshiencë apo subkoshiencë, ai dashur padashur të ka rrëmbyer pjesën e tij të jetës. Kjo është e bukura e profesionit tonë. Jetojmë jetë të ndryshme, marrim dhe japim me ta e natyrisht rritemi profesionalisht por edhe në aspektin intelektual e njerëzor.
Luiza, aktrimi është jo vetëm pasioni por edhe profesioni juaj. Politika ç’vend zë tek ju?
Një vend shumë të rëndësishëm. Jam përkushtuar me të njëjtin pasion dhe çuditërisht nuk më ka penguar në krijimtarinë time artistike, përkundrazi më ka ndihmuar shumë. Kjo, pasi më ka bërë të shikoj fenomenet, individët, pra thithjen e burimit njerëzor në këndvështrime të reja. Kam përfituar një këndvështrim të ri në evoluimin e karaktereve, në botëkuptimin mes moralit dhe prakticizmit, mes së vërtetës dhe hipokrizisë. Jam mësuar që gjërat që bëj t’i dua. Sot mund të them që të dyja, politika dhe aktrimi, pse jo edhe obligime të tjera sociale, flenë të qeta me njëra-tjetrën brenda një konflikti në zhvillim për t’i pasuruar reciprokisht.
Kinemaja dhe politika duken si të ndryshme, por në njëfarë pike të dyja kanë fuqinë e ndikimit dhe të ndryshimit tek shijet apo mendimet e njerëzve. Cila ka më tepër fuqi apo imitohet më kollaj sipas jush?
Kinemaja fikson politikën. Shpesh histori të caktuara politike, për të mos thënë gjithmonë koha i sjell nëpërmjet kinemasë. Do të jetë e bezdisshme të jap shembuj për politika të paktën 2000-vjeçare, që nga Greqia e lashtë e deri në ditët e sotme. Deri tek drejtues shtetesh, që ende janë gjallë, vijnë nëpërmjet kinemasë. Siç ka thënë Çaplini: “Vlera kryesore e kinemasë është të fiksosh kohën”. Kjo për artistët e aftë tashmë është një aksiomë. Ka dhe raste disi të rralla kur arti i paraprin politikës, por kjo vlen për shoqëri tej mase të emancipuara. Le të shpresojmë që arti shqiptar nesër t’i vendosë vulën e kohës së sotmes.
Luiza, së fundi a ishte e vështirë të gjeje kohën për në sheshxhirim duke parë edhe angazhimet e tjera që ju keni?
Një nga gënjeshtrat më të mëdha është kur njeriu thotë s’kam kohë. Në një ditë 24-orëshe, le të përjashtojmë 6 orët e gjumit, ka kohë gjithmonë për të bërë një mori gjërash që do. Pothuajse të gjithë politikanët shqiptarë kanë një të dytë që merr prioritet sipas momentit. Dikush jep mësim, dikush shkruan, dikush pikturon, dikush vrapon, dikush intrigon, dikush shtrohet në dreka e darka e dikush përfiton. E tillë është jeta. Jo vetëm unë, por edhe kolegë të tjerë kemi kaluar edhe 48 orë pa gjumë duke iu përkushtuar politikës. Personalisht, dua të përmend një shprehje hungareze që thotë: ”Zemra është e vogël, por ka shumë qoshe. E rëndësishme është që ajo të furnizohet me gjak”.

Thursday, February 9, 2012

Çfarë u tha në takimin e New York me Lulzim Bashën ? (VIDEO…)



AlbDreams.
Në një prononcim të vetin biznesmeni shqiptaro amerikan,pronari i kompanise telefonike “Iliria Telecom”,Dede Beleshi zbardhë shume nga enigmat e atij takimi.
Kush i ftoj biznesmenet nga Michigani në New York në darkën e punës  për nderë të Kryetarit të Bashkise së Tiranës ?
Çfarë u diskutua në atë takim dhe a pati biseda të veçanta nga Lulzim Basha me biznesmen shqiptaro amerikan?
U takuan Ndue Ftoni dhe Dede Beleshi me Luzim Bashen ?
Vërtetë e kanë ftuar Kryetarin e Bashkise së Tiranes për një vizitë pune në Michigan?
Foli kush për mirënjohjen e marrë nga Ndue Ftoni në prag të vitit të ri nga Unioni Artistik Mbarëkombetar në Shkoder?
Si është e verteta e takimit të Kryeministrit Berisha me Ndue Ftonin  në New York ?
A mund të bëhet binjakzimi i disa komunave e bashkive të Shqiperise me distrikte në Michigan?
Si qëndron e verteta e  kompanisë “Iliria Telecom” në Tiranë ?
Këto dhe të tjera në një video prej 15 minutash e filmuar në zyren e punë së Dede Beleshit nga AlbDreams Studio.Ndiqeni.

Monday, February 6, 2012

Të rikthejmë dënimin me vdekje?-


Tek shkruaj këto radhë të vrerosura, kam përpara fotografinë e Megit, 25-vjeçare dhe me një bukuri dhe vështrim magjepsës. Megi u vra në rrugë, nga një plumb kriminal kallashnikovi, që ndërpreu në mënyrë absurde dhe të padenjë një jetë të shenjtë njerëzore. Një dhimbje e thekshme për një familje që ka thurur mijëra ëndrra për atë vajzë. Mijëra ëndrra të një vajze 25- vjeçare, që bëhen pluhur nga një vrasje e ndyrë dhe e pakuptimtë.

Artur Zheji
Një dhimbje e pashërueshme në jetë të jetëve për një familje të nxirosur padrejtësisht. Një dhimbje që do të vërtitet si mallkim mbi jetët e asaj shtëpie që e rriti dhe po e nxirrte në jetë. Një dhimbje që mallkon edhe jetët tona, të cilat nuk mund të jenë më po ato që ishin, tani që Megi Jokiç është detyruar të banojë nën tokë.
Unë nuk e kam njohur kurrë Megin dhe ndoshta nuk do ta njihja kurrë, por tek prezantohem me të, në faqet e një gazete që përshkruan vrasjen e saj makabre dhe çnjerëzore, një tërbim i pafrenueshëm eksiton gjithë qenien time. Ndjehem i çnderuar deri në palcë, që kjo zonjushë me sy të bukur, u këput pa kuptuar dot se pse, në tokën e ftohtë të këtij dimri, nga një plumb qorr i një krimineli.
Po sikur të isha unë? Sigurisht më mirë unë se Megi.
Po sikur të ishin fëmijët e mi? Mos do të themi më mirë Megi se fëmijët e mi?
Po sikur të ishin fëmijët tuaj o lexues? Përsëri do të na e nxinte goja më mirë Megi?
Vetëm nga ky test mjeran kuptojmë se sa poshtë kemi rënë si shoqëri, se në çfarë niveli mizerabël ka rënë ndërgjegja jonë kolektive.
Egoiste, cinike e pafe dhe e pa din e iman!
Si mund të vritesh pa shkak në rrugë, në shtëpi, në lokal, në makinë e ngado?
Dhe duhet të themi se armët e vitit ’97 u mblodhën? Nga dalin kaq kollaj dhe kaq vrastarë këta kallashnikovë të kudogjindshëm, që publikisht thuhet se janë mbledhur?
Jo Zotërinj të politikës dhe të ofiqeve të larta, armët janë sheshit, janë ngado dhe me çmim të lirë. Atëherë, ose t’i mbledhim ose t’i liberalizojmë, që të vetëmbrohemi edhe ne. armatosja nuk është një privilegj vetëm për vrasësit e këtij vendi. Sepse ai që grabit dhe vret e ka ose e gjen fare lirë një armë dhe po shqeu derën e shtëpisë sime, pa më thoni, me se dhe me çfarë do ta mbroj dot unë familjen time?
Me duar, apo me thikën e kuzhinës?
Me telefon?
Duke telefonuar policinë?
E para, nuk kam një adresë të saktë të shtëpisë sime dhe jo për fajin tim.
E dyta, nuk e di se për sa orë ja mbërrin, nëse mbërrin, në derën time policia shpëtimtare.
E treta, sa të vijë policia, nëse vjen dhe e gjen dot derën time, grabitësi dhe vrasësi është larguar pa lënë gjurmë dhe si kumtohet rëndom në deklaratat e policisë, është larguar në drejtim të panjohur, duke kryer më parë çka kish për qëllim.
Bilanci i vrasjeve apo qërimit të hesapeve në këtë Vend të vogël, është i frikshëm dhe më e frikshme është mosdijenia që kemi, nëse dikush ka ndërmend të ndërmarrë një hap, disa hapa dhe hapat e duhura,  për ta ndaluar këtë hemorragji kombëtare gjakderdhjeje.
Të mbledhë armët ose të armatosë popullin!
Që populli, Ne Populli, të mbrohemi vetë ndaj banditizmit masiv që na ka zënë pritë në çdo cep të jetës sonë.
Vrasja e Megit nuk është një rastësi, nuk është një dukuri atipike, porse një emër më shumë e një liste të gjatë, të neve popullit të vrarë si të ishim qen rrugësh!
Sigurisht e parafytyroj që dikush apo disa rrudhin buzët duke e klasifikuar këtë shqetësim si të ekzagjeruar, por le t’i hedhin një sy fotografisë së Megit, apo qindra të tjerëve që janë këputur dhe do të këputen nga plumbat e një ushtrie të mirëfilltë kriminale që bredh rrugëve të qyteteve tona të pambrojtura. Sepse nëse nuk ka kundërmasa energjike dhe të ‘egra’, për ta ndaluar këtë ekspansion kriminal, të kësaj ushtrie kriminale që kërkon të kapë peng shoqërinë shqiptare, jemi të gjithë pjesë e asaj liste, ne të shumtët që lëvizim pa eskortë.
Sepse kur dëgjon më pas vendimet e Gjykatave për vrasësit dhe grabitësit, të zë dyfish tmerri. Shumë shpejt gjinden të lirë midis nesh, të uritur për para, revansh dhe gjak.
Mos vallë duhet pra të kthejmë sytë nga rivendosja e dënimit me vdekje, sipas parimit po more jetën time, Shtetit dhe Ligji të merr jetën tënde prej maskarai?
Kam qenë gjithmonë kundër dënimit me vdekje, kulturalisht dhe politikisht, por sytë e trishtuar të Megit dhe të viktimave të panumërta të kriminalitetit të egër shqiptar, duan një drejtësi të Drejtë dhe të Ashpër.
Ndoshta më të Ashprën!
Përndryshe një diktaturë e re, pa zëdhënësa dhe pa tavolina të rrumbullakëta, por me Partinë e mirorganizuar të Krimit, po vendos dhe do të vendosë pushtetin e saj faktik, si një Antishtet, që mjerisht ushqehet, fuqizohet, bëhet e paprekshme dhe mbështetet tërthorazi nga dobësia e thellë e Shtetit Shqiptar. Ky Antishtet vret dhe më pas blen pafajësinë apo dënimet qesharake në Gjykatë, me paratë që i grabit po kësaj shoqërie, duke e kalbur çdo ditë atë, duke thyer revoltën dhe ndjeshmërinë ndaj të Keqes që na ka mbërthyer nga gryka.
Ndoshta frika e vdekjes, si pasojë e akteve të tyre vrastare, do t’i frenojë ato pak çaste përpara se sa të marrin jetën e tjetrit.
Më mirë  ta vuajnë frikën e vdekjes ata që përgatiten të marrin jetë, se sa Megi dhe të tjerë, që ecin rrugëve të qytetit, pa e ditur që janë ca qengja që shkojnë drejt thertores.

Monday, January 30, 2012

Analisti amerikan në 1913: Shteti shqiptar, sajesë e Europës


Tepelena e fotografuar gjate luftes se pare boterore nga fotoreporteret franceze

E ardhmja e Shqipërisë së pavarur sipas Albert Bushnell Hart
“Mund të civilizohet, por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime, dështime dhe luftëra civile”
Ndërsa jubileu i 100-të i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë këtë vit ka marrë udhë, duket se ende shumëçka rreth kësaj ngjarjeje madhore në historinë e çdo vendi të qytetëruar mbetet për t´u zbuluar e trajtuar. Shumë kontribute, vlerësime e fakte kanë nevojë t´i nënshtrohen një gjykimi sa më realist.
Nën këtë këndvështrim, duket se një vend duhet të gjejnë edhe individë e studiues të huaj, të cilët, duke i parë gjërat me ftohtësi e larg emocioneve, na mundësojnë sot të shohim më me realizëm seç shihej, jo vetëm pavarësia e Shqipërisë, por edhe e djeshmja dhe e ardhmja e shqiptarëve në sytë e botës së civilizuar. Një ndër ta është edhe profesori amerikan, Albert Bushnell Hart, që jetoi në vitet 1854–1943, e i cili në enciklopeditë amerikane e më gjerë njihet si historian e shkrimtar, lektor në Universitetin e famshëm të Harvardit e botues i disa veprave e studimeve në zë për kohën, duke bërë emër sidomos si njohës shumë i mirë i historisë amerikane.
Pikërisht, në kohën e luftërave ballkanike, që përkojnë me periudhën kur Shqipëria tashmë kishte shpallur pavarësinë e saj – dhe mundohej përmes kaosit e turbullirave që ngrinin krye, të ruante atë pak sovranitet të fituar me gjak – ai angazhohet me analiza e komente rreth situatës në Ballkan, ku edhe shqiptarët do të ishin pjesë e tyre. Më së shumti, mendimet e tij thitheshin nga prestigjiozja amerikane, “New York Times”, e cila duket se përcillte me shumë interes ngjarjet në kontinentin plak, ndërsa rajoni i ngërthyer nga masakrat, trazirat, kaosi e pasiguria, po zinte edhe faqet e para të shumë platformave madhore botërore.
Janë pikërisht vitet 1912-1914, ku ai na shfaqet me analiza e prognoza, mbi atë se çfarë mund të vinte nga trazirat ballkanike dhe cila do të ishte e ardhmja e tij. Kështu, ndërsa qeveria provizore e Ismail Qemalit ishte ende objekt i diskutimeve dhe Shqipëria “de facto” i nënshtrohej observimit të rreptë të koncertit të 6 fuqive europiane, me statusin zyrtar të një vendi neutral, ai shfaq hapur skepticizmin e tij mbi probabilitetet e mbajtjes më këmbë të këtij shteti të ri nga vetë shqiptarët, por nga ana tjetër nuk e vë fare në diskutim se ky shtet, kurrsesi, nuk duhej aneksuar e qeverisur nga ndonjë fqinj i tij. Interesant është fakti se ai nuk e përmend në asnjë rresht emrin e kreut të qeverisë e asnjë nga liderët shqiptarë.
Gjithsesi, ai e justifikon nga ana tjetër vendimin e Fuqive të Mëdha (të cilat ai në artikull i cilëson me termin “Europa e bashkuar”), me faktin se kishin ekzaminuar rreziqe, të cilat shtetet ballkanike nuk ishin në gjendje t´i dallonin.
Më shumë duket sikur mbizotëron tek ai ideja se Shqipëria duhej të ishte një protektorat i një fuqie të vetme, ndoshta austro-hungareze, ashtu sikurse Bosnja, çka gjithsesi mbetet vetëm një aludim i shprehur në formë jo eksplicite prej tij, duke vijuar t´a vlerësojë si absurditet atë që ai e cilëson  “autonomia” europiane e Shqipërisë, shprehje të cilën “New York Times” e ka përdorur, në rastin konkret, për të pagëzuar të gjithë artikullin (shih: Europe’s “Autonomous Albania” Absurd, Says prof. Hart; Albert Bushnell Hart; New York Times; 19.10.1913).
Ai u bën gjithsesi një pritë të fortë paragjykimeve ndaj shqiptarëve, duke vlerësuar lart traditat, virtytet dhe historinë e tyre, duke e sjellë atë më pranë lexuesit amerikan. Ai aludon madje edhe për ish-presidentin amerikan, Theodore Roosevelt (në kohën kur shkruhej artikulli i prof.Hart, Roosevelt tashmë i kishte konsumuar dy mandatet e tij presidencialë në periudhën 1901-1909) për të marrë fronin e Shqipërisë, me shumë gjasa, i ndikuar edhe nga lajmet se Europa tashmë po përpiqej të gjente një mbret për shqiptarët. Gjithsesi, Ismail Qemali, siç bënin të ditura edhe vetë mediat amerikane, qysh në maj 1913 e kishte refuzuar një ide të tillë, duke mos e marrë madje, fare seriozisht si propozim.
Por ajo çka vlen më shumë për ne, është fakti se ai na shfaqet njëkohësisht edhe si njëri ndër parashikuesit më të saktë të fatit të Shqipërisë e të shqiptarëve, duke na bërë të mendojmë sot, rreth 100 vjet më pas, se prognozat e tij paskëshin qenë vërtet realiste. Ai e mbyll artikullin e tij me fjalët: askush nga fqinjët ballkanikë të Shqipërisë nuk e ka forcën fizike apo potencialin njerëzor për ta çuar Shqipërinë drejt civilizimit…. Dy milionë banorët e saj nuk mund të lihen në fatin e tyre dhe as të fqinjëve të tyre. Ata mund të civilizohen dhe një ditë madje të shndërrohen potencialisht në një fuqi ballkanike; por deri atëherë do të duhet të përjetohen zhgënjime, dështime dhe luftëra civile, para se Shqipëria të mund të bëhet njëra nga anëtaret e familjes botërore të kombeve të lira.
Në krye të artikullit të sipërcituar, ai tenton që në hyrje të thyejë një përcaktim negativ e paragjykues mbi shqiptarët, sugjeruar atij nga një serb, i cili i cilësonte shqiptarët në mënyrë sarkastike e gjithëpërfshirëse, thjesht si plaçkitës e vrasës ordinerë.
“Ky karakterizim jashtë kornizave normale –pohonte asokohe profesori amerikan – përputhet me paragjykimet e çdo njeriu që ka pasur rastin të hyjë në kontakt të ngushtë me popujt e Ballkanit. Grekët erdhën në atë tokë ku jetojnë rreth 25 shekuj më parë; romakët 20 shekuj më parë; bullgarët rreth 11 shekuj; por shqiptarët gjendeshin aty ku janë sot, para se grekët e parë të shfaqeshin në tokë. Ky popull (d.m.th. shqiptarët) flet ende një gjuhë aq të vjetër sa edhe ajo e etruskëve. Ky popull nuk është asimiluar dot kurrë nga pushtimet e po kështu civilizimi s´ka mundur dot të depërtojë”.
Më poshtë ai shkruan se: ky popull është malësori skocez i Ballkanit, indiani amerikan që ka akses në vendkalimet tregtare…. Ju mund ta urreni një shqiptar apo ta doni atë, ta vrisni apo të shënjestroheni prej tij për t´u vrarë, por ai megjithatë mbetet  unik, dhe, edhe pse pjesërisht barbar, kërcënon të bllokojë të gjitha planet për të zgjidhur çështjen ballkanike.
Pyetjes se ku ndodhet Shqipëria, ai i përgjigjet se shumë nga fqinjët e saj kanë përfytyrime të ndryshme rreth çështjes së kufijve të saj dhe pohon se: Zyrtarisht pritet që një komision i veçantë ndërkombëtar të merret me përcaktimin përfundimtar të tyre, por se Shqipëria në përgjithësi përshkruhet si vendi që ndodhet i shtrirë në bregun Adriatik, nga Mali i Zi deri në brigjet përballë Korfuzit, e duke u shtrirë më pas në brendësi të kontinentit, nga Prishtina drejt Shkupit e Manastirit.
Më poshtë ai përmend se në këto troje (në atë kohë) shqiptarët numërojnë më shumë se 2 milionë banorë, duke parashikuar se, nëse i nënshtrohen një rregulli e qeverisjeje siç duhet, ata kanë prirjen ta shtojnë këtë numër në të ardhmen.
Pasi përshkruan më pas historinë e hershme te tyre, si një vendkalim strategjik në kohën e Perandorisë romake, këta të fundit renditen si të vetmit që arritën t´i fusin përkohësisht shqiptarët në rrugën e rregullit e civilizimit.
Ndërsa konstaton se nga shumë burime Shqipëria përshkruhet në raportet e huaja, e ndarë kryesisht në tri rajone, ai thekson se në fakt kjo ndarje nuk duhet marrë si e mirëqenë, pasi shqiptarët kanë një shkallë të lartë tribalizmi e, në këtë kontekst, mund të numëroheshin 20 ndarje apo nënndarje.
Po kështu, ndërsa flet për tri religjione prezente në atë kohë në Shqipëri, ai vë në dukje se si Vatikani, ashtu dhe Greqia e sulltani, i mbajnë duart ende të shtrira drejt Shqipërisë, duke tentuar të ndikojnë në fatin e këtij shteti të sapopavarësuar.
Prej tij na vjen edhe një interpretim interesant, i cili përputhet plotësisht me atmosferën kaotike në të cilën ndodhej Shqipëria e asaj kohe, ku spekulantët e aventurierët, ardhur nga vende të huaja, kishin gjetur terren për të vënë në jetë planet e tyre. Kështu, diku ai pohon se katër vjet më parë, një djalosh aventurier francez, me emrin Gabriel Louis Jaray, kaloi katër apo pesë ditë duke përshkuar Shqipërinë Veriore – duke e cilësuar veten modestisht si i pari europian që kishte ndërmarrë këtë udhëtim. Ai më pas i renditi ato çka pa në një libër me shënime, i cili në fakt nuk e meriton emrin që mbart: “L`Albanie inconnue”.
Ky francez njihet publikisht për botimin e një libri (botuar në Paris nga shtëpia botuese “Hachette”, në vitin 1913, me 238 faqe) me mbresat e tij gjatë udhëtimit që ndërmori në trojet shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut, në vitin e largët 1909. Kësaj vepre, sapo doli në qarkullim, edhe vetë mediat amerikane i kushtuan vëmendje, duke marrë për bazë shumë nga përshkrimet e vlerësimet e Jaray-it mbi shqiptarët. Të botuara pikërisht në kohën kur edhe prof. Hart analizonte gjendjen në Ballkan e shkruante edhe për Shqipërinë, duket ato kishin ngjallur edhe një farë xhelozie nga prof. Hart, pasi ky i fundit, jo vetëm që s´ishte dakord me disa përcaktime të autorit, por fizikisht, me ç´konstatojmë, nuk kishte qenë ndonjëherë në vendin e shqiptarëve, gjë e cila e bënte atë të ndihej disi inferior.
Kështu, si kundërvënie ndaj autorit, profesori amerikan thekson me doza ironie se: një rajon, i cili është shënjuar në mënyrë të detajuar në hartat e inxhinierëve austriakë dhe ku janë shtruar sipërfaqe të tëra me hekurudhë, zor se mund të cilësohet “i panjohur”.
Por nga ana tjetër, ai rrëfen me vlerësim e pozitivitet për eksperiencën e një mikut të tij nga Chikago, me emrin Charles R. Crane, i cili gjatë qëndrimit në Stamboll, ndërsa ishte takuar me disa bajraktarë shqiptarë dhe kishte marrë ftesën e tyre për të kaluar një herë edhe nga Shqipëria, ishte befasuar kur autoritetet turke e kishin paralajmëruar të mos shkonte në atë vend, pasi kushdo që shkon atje, sipas tyre, do të gjente vdekjen. Madje, edhe nën protestën e zotit Crane, ata kishin këmbëngulur për ta pajisur këtë të fundit me një eskortë shoqëruese.
Ndërsa kishte hyrë në zonën e fshatrave shqiptare pranë qytetit të Manastirit, një grup vendësish i kishin dalë përpara dhe të habitur nga prezenca e taborit shoqërues turk, e pyesin të irrituar se nga kishte ardhur dhe cilat ishin qëllimet e tij. Ndërsa i jep shpjegim se eskorta i ishte dhënë me pahir nga autoritet turke, fshatarët shqiptarë e kërcënojnë, duke i thënë se nëse eskorta shoqëruese nuk do të largohej brenda gjysmë ore, ata do t´i vrisnin të gjithë.
Mirëpo, pas këtij kërcënimi vijon konstatimi se “pas largimit pa rezistencë e të menjëhershëm të eskortës turke, udhëtimi dhe misioni i amerikanit nga Chikago, vijoi më së miri, duke u gjendur nën shoqërinë bujare të shqiptarëve, të cilët e përcillnin atë të sigurt nga fisi në fis”.
“Në fakt – thekson autori -  arsyeja e vërtetë se pse zyrtarët turq, e kishin penguar vizitorin amerikan të mos shkelte në ato zona, ishte fakti se ata kishin frikë se ai mund të bëhej dëshmitar i asaj çka kishte mbetur nga ndërhyrja e trupave turke, pas shtypjes së një kryengritjeje”.
Ndërsa flet më poshtë edhe për përpjekjet e dhunshme të turqve për t´i mbajtur shqiptarët nën kontroll, ai konstaton tashmë nën një realitet të ri, se misionarët amerikanë po bëjnë një punë të lavdërueshme në qytetin e Korçës. Ai flet për çiftin e bashkatdhetarëve të tij, Kennedy, i cili kishte formuar ndërkohë një opinion shumë të mirë për shqiptarët.
“Kur në Korçë ishte instaluar administrata pushtuese greke, këta të fundit shumë shpejt kishin çuar ndër mend se prezenca dhe misioni i çiftit amerikan kishte synime spiunazhi dhe i kishin dhënë urdhër të largoheshin nga Korça. Në fakt – thekson autori – për çiftin Kennedy s´kishte aspak dyshim se shqiptarët do të ndiheshin shumë më mirë nën një administratë shqiptare sesa nën atë greke”.
Ndërsa flet për burra dinjitozë e aftësi luftarake të shqiptarëve, të cilët edhe në Perandorinë turke kishin mbajtur ofiqe të larta dhe madje kishin iniciuar e drejtuar revoltat e marshimet e xhonturqve në Stamboll, pasi konstaton se shqiptarët kanë një ndjenjë të fortë për vendlindjen, edhe pse shumë prej tyre kanë preferuar të bredhin e punojnë sa andej-këtej, madje deri në Amerikë, edhe pse ndër fqinjët sllave mbizotëron mendimi se ata s´janë veçse një popull barbar e grabitësish, megjithëse shfaqin një nivel të ulët kulturor, profesori amerikan, Albert Hart, pohon se “gjithsesi shqiptarët janë bërë tashmë një faktor kyç” në situatën që paraqiste Ballkani në atë kohë.
Diku ai përmend se: “në këtë popull të ndarë e të copëzuar, ku asnjë klan e fis nuk pranon të vihet nën kontroll as nga vetë shqiptarët, përpos liderëve të klaneve e fiseve të tyre, Lufta e madhe Ballkanike e 1912-s erdhi si një rrufe e papritur. Disa nga shqiptarët iu bashkëngjitën turqve, disa të tjerë trupave pushtuese ballkanike, por shumë shpejt u bë e qartë se serbët, malazezët, grekët dhe bullgarët, të gjithë kishin hartuar plane konkrete për Shqipërinë, të cilën e shihnin si territor që duhet t´a ndanin mes tyre, pas largimit të Turqisë. Kur Turqia ra, shqiptarët menduan të shpallnin pavarësinë e tyre: kolonë grekë mbërritën nga Jugu, malazezët morën Shkodrën, kryeqytetin nominal të Shqipërisë së Veriut, serbët ndërkohë avancuan drejt perëndimit, duke dalë në brigjet e detit Adriatik”.
Profesori amerikan pohon se “s´ka pasur kurrë një komb shqiptar të njohur deri atëherë ndërkombëtarisht, porse në mënyrë të koordinuar e të papritur, Europa e zbuloi një të tillë”. Përfundimi i tij në këtë rast duket disi tendencioz e jo fort i bazuar, por gjithsesi ai vijon më tej, duke sjellë në vëmendje se njëra nga arsyet e mundshme se pse, sipas tij, Shqipëria “autonome” e Europës kishte diçka jonormale brenda, ishte fakti se “shqiptarët tashmë po shfaqen të dështuar në traditën e tyre të vjetër për t´u bërë ballë depërtimit të pushtuesve të huaj”. Duket se vlerësimi i fundit motivohej pikërisht nga situata konkrete e performanca e qeverisë shqiptare në atë kohë, kur mbi territorin e saj, po vërshonin shumë ushtri e trupa të huaj, duke i cenuar seriozisht sovranitetin e sjellë ngado ndjenjën e kaosit e të papërgjegjshmërisë.
Por, duke iu rikthyer sërish terrenit shumëngjyrësh religjioz të Shqipërisë dhe kombinacioneve të racave, minoriteteve e gjuhëve të ndryshme që haseshin në territorin e saj (duke e trajtuar edhe si një fenomen ballkanik), duke konstatuar edhe mungesën e një gjuhe e një alfabeti të unifikuar, ai thekson se “do të jetë tejet e vështirë të mbahet më këmbë një shtet i tillë”.
Skepticizmin e tij në lidhje me “Shqipërinë autonome” ai e lidh, përtej arsyeve të lartpërmendura, edhe me faktin se ky vend pra, vështirë se do të mund të ofrojë dot unitet dhe se “i mungon disponimi i duhur për t´iu nënshtruar rregullave qeverisëse, se nuk ka ndonjë eksperiencë parlamentare e kushtetuese, s´ka traditë monarkike e trashëgimi princërore”.
Por më tej prof. Hart aludon fare hapur se “kjo është vetëm një sajesë e Komunitetit Europian, pjesërisht për të penguar tri shtetet sllave për të arritur në Adriatik. Është një shtet me kryeqytet Shkodrën, i shtrirë gjeografikisht në skaj të vendit, praktikisht thuajse i paarritshëm nga banorët në rajonet e tjera të vendit, për të qenë sa më pranë influencës austriake e italiane”.
Ndërsa vijon të rendisë edhe disa arsye të tjera që lidhen me “dëshirën e shqiptarëve për të mbajtur gjithmonë armë, mungesën e gatishmërinë e tyre për të paguar taksa, për t´u rreshtuar nën armë nën një shërbim të rregullt ushtarak, ndërtuar rrugë, shkolla e thithur investime etj.,” ai megjithatë pohon se “sidoqoftë, shqiptarët nuk janë ajo racë barbare që pretendojnë fqinjët e tyre, megjithëse ky vend – sipas tij – nuk është ende gati të marrë përsipër përgjegjësinë të ndërtojë një shtet modern”.
Sot, si dëshmitarë të asaj çka kanë mundur të ndërtojnë e të realizojnë shqiptarët, 100 vjet pas konstatimeve e prognozave me bazë skepticiste të profesorit amerikan, mund të themi se fatmirësisht disa prej tyre nuk janë vërtetuar. Duke mos dashur të gjykojmë nga baza thellësisht nacionaliste, kurrsesi nuk mund të besonim e të vlerësonim se skpeticizmi i studiuesit amerikan kundrejt aftësive shtetformuese të shqiptarëve, lidhet me ndonjë ndikim keqdashës nga fqinjët e qarqet më antishqiptare të kohës,  por mbetet i bazuar e motivuar tërësisht e thjeshtësisht nga zhvillimet e situata e pashpresë, në të cilën gjendej Shqipëria e asaj kohe.
Parë nga perspektiva e sotme, kur tendenca e gjykimi nuk është e nuk mund të jetë më bardhezi, kontributi i tij sidoqoftë, nuk i duhet lënë harresës. Në një kohë shumë të nevojshme për shqiptarët, ai, në një mënyrë indirekte, diti të përcillte në mënyrë realiste, jo vetëm problematikën, por edhe karakterin e këtij populli, për një publik e komb me tradita demokratike e për më tepër, me shumë ndikim në fatet e mëtejshme të shqiptarëve, siç ishte ai amerikan. Në një aspekt më të ngushtë profesional, nëse do të shihnim thelbin e mendimeve të tij, e vlerësonim sidomos prognozën mbi sfidat që e prisnin Shqipërinë për t´u renditur me dinjitet në familjen e madhe të kombeve të lira, së ardhme, do të shihnim se atij në shumëçka duhej t´i japim të drejtë.
ARMAND PLAKA

Sunday, January 29, 2012

“Hoteli i drunjtë”, kur media shndërrohet në roman



Iva Tiço
Një njeri i famshëm humbet punën, nuk gjen dot gruan dhe rrezikon burgun. Një detektive e re do te vihet në gjurmë të së zhdukurës, nën të fshehtat rrëqethëse e të habitshme nëpër rrugët e Shqipërisë. Diana Çuli ka zgjedhur që kësaj radhe të vijë me një rrëfim të stilit policesk, një lloj trilleri me ngjarje të të përditshmes dhe me elementë hetimi. Një detektive private dhe një gazetar. Një roman që përtej subjektit dhe zbërthimit të të panjohurave është i mbushur me plot histori të së përditshmes. Një roman nga ata që flasin për Tiranën e Shqipërinë e ditëve të sotme, për njerëz që dalin në televizion dhe ministra të korruptuar. Një nga ata romane që të shtien lehtë në ngasjen për të bërë paralelizma me ngjarje dhe persona konkretë, por që autorja, si gjithë shkrimtarët e tjerë, preferon t’i quajë një “tipizim letrar”. E nëse dikush gjen veten në këto histori, atëherë “ia kam arritur qëllimit”, thotë shkrimtarja. Nuk ka pasur aspak qëllim të provokojë. Thjesht ka rrëfyer një ngjarje. Ose disa ngjarje të lidhura bashkë. Dhe e ka bërë në një gjini ku nuk jemi mësuar ta shohim.


Ishte kjo hera e parë që provoni të shkruani një libër me elementë të një rrëfimi policesk?
Po, nëse e shohim si një ndërtim tërësor. Megjithatë, kush ka marrë mundimin të lexojë librat e mi, aty gjen gjithnjë elementë misteri dhe kërkimi, sepse mua më tërheq mjaft në një vepër letrare fakti kur diçka kërkohet të zbulohet. Për shumë arsye, edhe sepse kështu vepra ka më tepër tension.

Cila ka qenë fillesa e këtij romani? Frymëzimi apo ngjarja e parë që të çoi tek ai?
Gjithçka që na rrethon në jetën tonë të përditshme. Unë do ta zëvendësoja fjalën frymëzim me vëzhgim. Sepse shkrimtarët vëzhgojnë, ky është një tipar i tyre thelbësor. Pra, çfarë kam vëzhguar unë, që më ka shtyrë të trajtoj një temë të tillë? Mund të përgjigjem se, gjatë vëzhgimit tim të mass media-s shqiptare, si sillet, si vepron, si i trajton qeniet njerëzore, problemet e tyre dhe si ndikon në shoqëri, më lindi dhe ideja se një roman me një subjekt që lidhet me median, mund të dalë interesant. Përsa i përket ngjarjeve, mjafton të shohësh gjysma spektaklesh e të lexosh faqe gazetash – aty ke një lëndë të madhe për ta përpunuar e për ta shndërruar në materie letrare.

A është më ndryshe shkrimi i një subjekti të tille, ku lexuesi duhet te mbahet pezull nga kapitulli në kapitull? Ju vete e kishit zgjidhjen që me lindjen e intrigës, apo gjërat ndryshuan gjatë rrugës?
Padyshim. Duhet një teknikë e veçantë për të shkruar një vepër me subjekt zbulimin e një të fshehte. Duhet t’i mbash frymën pezull lexuesit dhe këtu fillon vështirësia, nevoja e një ushtrimi të mjeshtërisë, për të arritur aty ku dëshiron autori. Këtë roman mund ta kem rishikuar disa herë, e kam “mbajtur vesh” në çdo faqe se sa i binte ritmi, ku ngadalësohej, ku dukej se po zvarritej, ku nuk shkonte intriga dhe dukej e stisur, etj. etj. Shumë gjëra, gjithashtu, ndryshuan gjatë rrugës, tek e shkruaja. Sikur personazhet më tundnin kokat e më thoshin se ata nuk do të vepronin ashtu si i drejtoja unë. Kjo është metaforë, kuptohet, për të shpjeguar sadopak se nuk është aq e lehtë.

Figura kryesore e librit, është një e re, beqare, rreth të tridhjetave. Ndërkohë që rinia juaj ka qene shumë ndryshe nga ajo e personazhit, si keni mundur të futeni në lëkurën e një personazhi të tillë?
Rinia ime ka qenë shumë e ndryshme dhe nga ajo e Dorotesë njëzetvjeçare tek Engjëj të armatosur, në vitet “40-’44. Personazhet nuk janë pasqyrim i jetës së shkrimtarit. Ne mund të përshkruajmë njerëz të kohëve të shkuara, deri në antikitet dhe s’ka asnjë problem – është çështje studimi dhe perceptimi. Ndërsa për të rinjtë e sotëm e kam shumë më të lehtë, se i kam para syve. A nuk ka shumë gra të reja sot në karrierë, të zonjat, të pavarura, të bukura, të shkathta? Liliana është njëra prej tyre.

Mbani ditar me ngjarjet që dëgjoni e lexoni apo takoni njerëz të shtresave të ndryshme shoqërore, vetëm me idenë se një ditë mund t’ju duhen për t’i “shfrytëzuar” për letërsi?
Nganjëherë mbaj shënime në blloqe, që më vonë i humbas. Çaste, ide që më mbijnë në kokë dhe që sa shkoj në shtëpi mund t’i harroj, ndonjë tipar të veçantë të ndonjë personi, por nuk e kam diçka të përhershme. Unë kam punuar dhe punoj vazhdimisht me njerëz të të gjitha shtresave në Shqipëri. Kam takuar dhe takoj, prej më shumë se tridhjetë vjetësh lloj lloj tipash e personazhesh, sepse kam punuar si gazetare, si veprimtare shoqatash dhe jam futur dhe në zonat më të thella e më ka lidhur puna me gjithfarë tipash. Po ashtu jam marrë edhe pak me politikë, kam bërë fushata zgjedhore deri në zona të largëta rurale, kam patur lidhje pune me njerëz në qeveri, në administratë, në shoqëri civile – e gjithë kjo përvojë është një “ditar i madh”, ku kam të shënuara mijëra faqe tiparesh dhe sjelljesh njerëzore.

Libri i merr ngjarjet në përditshmërinë e Tiranës. Është më e thjeshtë të shkruash për të përditshmen? Apo është më thjeshtë të merresh me të shkuarën si tek “Engjëj të armatosur”?
Janë dy vështirësi të ndryshme. Në romanet me temë nga e shkuara, duhet studiuar shumë për të njohur periudhën historike, sfondin social, politik, ekonomik, duhet të kuptosh se si e perceptonin lirinë, po jo vetëm atë kombëtare, si ishin raportet burrë grua, ato familjare, të mësosh e të përvetësosh dhe hollësi të tilla si për shembull çfarë hanin njerëzit në atë kohë, si visheshin, si ecnin, pinin kafe jashtë apo vetëm në shtëpi etj., sepse, nga mosdija mund të bësh ndonjë budallallëk. Kjo kërkon punë të madhe, nganjëherë edhe shumëvjeçare. Nga ana tjetër, në librat me temë nga jeta e përditshme, ku këto gjëra i di përmendësh dhe nuk më duhet të studioj, ka një tjetër lloj vështirësie. Lexuesit të gjykojnë më fort, sepse ata e jetojnë vetë përditshmërinë , e kanë të vështirë nganjëherë të ndajnë krijimin letrar nga jeta reale dhe të thonë se “ky nuk mund të veprojë kështu” apo “ku ka kështu lloj tipi në shoqërinë tonë!!”. Ta zëmë, më thonë: e ku ka agjenci detektivësh në Shqipëri ! E ku qenka kjo gruaja detektive !! Sepse një temë me ngjarje nga jeta jonë të duket sikur është vetë pjesë e jetës tënde.

Libri në pamje të parë është një rrëfim i stilit policesk, por përtej subjektit, duket dhe si një analize e të mirave dhe të këqijave te medias shqiptare. Mendoni se media në Shqipëri mund të ndodhë të shkatërroje jetë të pafajshme?
Nuk kam pasur qëllim të bëj analiza, sepse unë kam shkruar një roman dhe jo një artikull mbi rolin e medias në shoqëri. Por, e kuptoj pyetjen tuaj. Subjekti i romanit tim merret me median në shoqërinë shqiptare dhe personazhi kryesor është një gazetar i njohur. Ai përballet me një sërë problemesh, që i shkaktohen nga vetja, po dhe nga të tjerët. E akuzojnë për korrupsion, i ikën gruaja, vuan nga ato që u ka bërë të tjerëve përmes emisionit të tij. Por, nuk mund të them se e kam përshkruar kështu, sepse media jonë ka shkatërruar jetë njerëzish. Unë vetëm ngre një sipar dhe u rrëfej një histori mediatike. Ju takon  juve, pastaj të gjykoni, nëse kjo rrëfenjë i ngjan jetës sonë të përditshme apo është thjesht një fantazi e largët.

Jeni treguar e kujdesshme që në fillim të librit të shkruani se çdo përkim me ngjarje dhe persona realë është thjesht i rastit. Por nuk është aspak e vështirë që të lexosh aty ngjarje reale. Së paku nuk mund të mohoni për shembull historinë e Safo Markos. Është një nga pjesët më të dhimbshme të librit, jo element thelbësor për subjektin e personazhet… Një ilustrim, por që me disa ndryshime të vogla përputhet shumë mirë me atë që ka ndodhur në të vërtetë.
Këtu nuk bëhet fjalë për mohime ose jo. Në roman ka disa nën-histori, ku shumëkush mund të gjejë ngjashmëri me histori të vërteta, siç po gjeni dhe ju tani. Unë nuk mund të pohoj se e kam fjalën për atë histori pikërisht, sepse nuk do të thosha të vërtetën. Ajo i ngjan shumë si histori, por nuk është historia e saj pikë për pikë. I ngjan dhe disa historive të tjera të tilla, sepse fatkeqësisht shoqëria jonë ka përjetuar vuajtje dhe ndodhi të tilla në një numër të madh familjesh. Pra, unë “tipizoj” letrarisht një fenomen të njohur. Këtë mund të pranoj dhe për personazhet të tjerë, që juve ju ngjajnë me persona realë.

Në të tilla histori të së sotmes, a ndjen mbi vete fenomenin e autocensures? Ndoshta do doje të thoshe më shumë, por ke frike mos lëndon njerëz…
Po kë lëndoj unë në një roman!? Nuk kam përshkruar në mënyrë letrare një ngjarje të njohur nga publiku. Emrat nuk janë të vërtetë, ngjarjet janë të krijuara prej meje, “të këqinjtë” i kam shpikur unë. Mos vallë ndonjë “ i keq” lëndohet dhe thotë : ej, ky jam unë, pse më ke bërë kaq të keq ? Ose kaq të keqe? Atëherë, paskërkam goditur në shenjë, sepse njerëz të tillë ekzistokan. Prandaj, do të thosha se kur shkruaj një vepër letrare nuk ndjej autocensurë, përsëris, sepse nuk ritregoj artistikisht një histori reale. Nëse dikush gjen veten tek grupi i atyre që të ngjethin mishin, ky nuk është problemi im.

Çfarë jeni duke shkruar për momentin?
Tani po merrem përsëri me Sartrin. Pas përkthimit të trilogjisë “Rrugët e lirisë”, Shtëpia Botuese Fan Noli më ofroi të vazhdoj me dy novela të njohura të këtij autori: “Mizat” dhe “Neveria”. Ndoshta do ta kem si pauzë derisa ta hedh Liliana Dukën, personazhin tim, në zbulime misteresh të reja.

Megjithë krijimtarinë e pasur viteve të fundit, po të bësh një kërkim të thjeshtë në internet, emrin Diana Çuli do e gjesh menjëherë të lidhur me titullin ”Dreri i Trotuareve”. Të vjen keq apo mirë për këtë? 
Më  vjen shumë mirë që Dreri vazhdon të jetojë kaq gjatë. Pastaj…në internet varet çfarë siti gërmon. Në të tjera vende unë gjej të tjerë tituj librash të mi. Ndoshta duhet të bëj një web të posaçëm, ku lexuesi të gjejë dhe veprat e mija të tjera dhe çfarë thuhet për to dhe të jetë më shumë i informuar. Kur të kem kohë, ndoshta… Por edhe sikur të më mbetet vetëm ky libër, përsëri është një çmim shumë i madh që më jep lexuesi.

Friday, January 27, 2012

Kadareja urrejtje të përjetshme për Arshi Pipën, Agollin, Trebeshinën dhe Xhaferrin

Në prag të 76 vjetorit të ditëlindjes së tij, Kadare ndihet shumë pak i penduar për armiqësitë e shumta që ka lënë në gjurmët e jetës së tij, ku fama e madhe e shkrimtarit nuk mundi dot që të shmangte keqkuptimet. Nëse do të ndjehej i penduar plotësisht, ai mund të ngrinte telefonin për t’i bërë një “zile” Agollit, apo Trebeshinës, të cilët janë ende gjallë. Ndërsa dy të tjerët, Pipa dhe Xhaferri nuk jetojnë më dhe pajtimi me ta është një mision i pamundur. Gatë gjithë jetës së tij, Kadare ka pasur shumë adhurues, ndofta me miliona, por tepër pak miq të vërtetë të cilët mund t’i ketë mbajtur gjatë. Ndërkaq, historia e marrëdhënieve të tij me të tjetër është e mbushur me një listë të gjatë armiqësie, ku padyshim vendin e parë e zënë shkrimtarët dhe më tej, një pjesë e madhe e politikanëve. Në rradhët e para të kësaj liste qëndrojnë Arshi Pipa, Bilal Xhaferri, Dritëro Agolli dhe padyshim Kasem Trebeshina. Ndërkohë shumë shkrimtarëve të tjerë, ose nuk i ka përmendur ndonjëherë, duke bërë sikur nuk i njeh fare, ose i ka lënë të fyer nëpërmjet mospërfilljes së tij, prej titani.
Përplasja me Arshi Pipën
Keqkuptimet e Kadaresë me Arshi Pipën kanë nisur herët dhe kanë vazhduar tepër gjatë. Gjatë njëfarë kohe Kadareja nuk linte rast pa përdorur për të fyer Arshi Pipën, duke e cilësuar atë si provokator. Ndërsa më vonë e ka akuzuar si letërshkruesin e parë kundër Kadaresë, në jurinë e Stokholmit, për të sabotuar çmimin “NOBEL”. Por në thelb, misteri i së vërtetës për këtë grindje është tepër i thjeshtë. Arshi Pipa, në fillimet e viteve ‘80, përktheu librin e Kadaresë, “Kronikë në Gur”, me një parathënie të tijën, ku thoshte midis të tjerave se ky libër përbën një disidencë të pastër kundër shtetit komunist dhe Enver Hoxhës. Këtë e botoi më pas, më 1987, edhe në revistën “Telos” të Nju Jorkut. Botuesi i librit e kundërshtoi parathënien e Pipës dhe madje krejt, botimin e librit të Kadaresë. Në këtë parathënie Pipa e cilësonte Kadarenë si “antikomunist”. Por Kadareja u acarua shumë nga kjo ngjarje e cila atij iu duk si provokim. Dhe për këtë shkak, pa e lexuar parathënien, Kadareja nisi sulmin, duke e sharë Pipën me epitete të rënda. Kështu sherri midis tyre u përhap shumë dhe megjithë indiferencën e përgjithshme të botës letrare jashtë shtetit shqiptar, sot do të ishte interesante të rilexohej mllefi I tyre kundër njëri tjetrit. Por më vonë rreth vitit 1988, Kadareja deklaron se e lexoi parathënien e Pipës dhe nisi të pendohet për sharjet e tij ndaj Pipës. Për këtë gjë më vonë në momentet e pendesës Kadareja ka shkruar: “Normalisht unë duhej të isha mirënjohës ndaj profesor Pipës për përkthimin. Dhe kam qenë, në fillim, tepër mirënjohës. Unë duhet t’i isha mirënjohës gjithashtu edhe për parathënien tepër interesante, por nëse do të mund ta takoja, atëherë do t’i thosha: “Profesor, ju faleminderit për vlerësimin tuaj, por ju keni theksuar jashtëzakonisht shumë tingëllimin antikonformist të romanit tim. Ju e nxirrni atë si një vepër disidente, antikomuniste, që denoncon luftën e klasave e terrorin komunist, madje demaskon personalisht shefin e këtij terrori, Enver Hoxhën. Thënë ndryshe, ju keni mbiçmuar shumë meritat e mia si shkrimtar liberal, madje më quani haptas “rebel”. Asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk mund të shkruante një vepër të atillë siç e mendoni ju kaq haptas kundër regjimit e aq më pak kundër Enver Hoxhës”. Në këtë mënyrë Kadareja ishte përgatitur t’i kërkonte një ndjesë të thellë dhe publike Arshi Pipës. Por pikërisht në vitin 1989-90, atëhere kur Kadareja mendonte se ishte bërë “antikomunist” Arshi Pipa, në “Zërin e Amerikës”, e sulmoi ashpër Kadarenë, duke e akuzuar si një komunist të pandreqshëm. Thelbi i akuzave të Pipës ishte ky: “Kadare, meqenëse s’ka bërë asgjë për demokracinë nuk ka të drejtë të flasë për të”! Natyrisht kjo e tërboi fare Kadarenë, i cili brenda vetes po përgatiste pajtimin me Pipën. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Sepse edhe pas ardhjes në Shqipëri, Arshi Pipa nuk u interesua asnjëherë për Kadarenë, ndërkohë që ky i fundit i ndiqte me kujdes intervistat e Arshi Pipës gjatë vizitave të fundit. Kësisoj, ata të dy mbetën dy armiq enigmatikë dhe misteriozë me njëri tjetrin.
Me Bilal Xhaferrin
Historia e sherrit të Kadaresë me Bilal Xhaferrin është e mbushur me të vërteta dhe të pavërteta. Midis gjërave më të besueshme që thuhen për ta është fakti se ata të dy ishin nga shkrimtarët më premtues të realitetit shqiptar, ndërkohë që i përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore. Kadareja quhej i përkëdheluri i sistemit, ndërsa Bilal Xhaferrit, shteti komunist i kishte pushkatuar babanë. Një gjë është e sigurtë: Todi Lubonja i donte që të dy dhe librat e tyre i lexonte me zell. Madje, Bilal Xhaferrin e lexonte qysh në dorëshkrim. Kaq e vërtetë është kjo, saqë njëra prej akuzave ndaj Lubonjës në mbledhjen e Byrosë Politike ishte se kishte mbajtur afër një poet, babanë e të cilit e kishte pushkatuar regjimi komunist. Në këtë mënyrë sherri midis dy shkrimtarëve të rinj e të talentuar nisi në formën e një zilie dhe ambicieje midis tyre. Kjo ishte më e dukshme tek Bilal Xhaferri, i cili në diskutimin e romanit, “Dasma”, në prani të Fadil Paçramit, e kritikoi rëndë romanin e Kadaresë. Ndërsa Fail Paçrami i tronditur nga kjo ngjarje iu drejtua Bilalit me fjalët: “Rri urtë se ty të kemi pushkatuar babanë”. Pas kësaj mbrëmjeje, nisi rrokullisja e madhe e Bilal Xhaferrit, i cili nisi të shihej prej të gjithëve si “armik i Kadaresë”. Atëherë, thuhej vazhdimisht në mjediset e shkrimtarëve se “Kadareja është inatçi” dhe “po të mori inat Kadareja të shkatërron karrierën dhe jetën”. I njëjti fat ndoqi edhe Bilal Xhaferrin pas përplasjes me Kadarenë, por deri tani nuk është vërtetuar se për fatkeqësitë e mëvonshme të Xhaferrit ka “gisht” Kadareja.
Grindjet me Kasem Trebeshinën
Ndaj Kasem Trebeshinës duket se Kadareja ka një urrejtje të përjetshme. Po kështu ndodh edhe në anën e Trebeshinës, i cili e quan vazhdimisht Kadarenë si njërin prej shkaktarëve kryesorë të fatkeqësive të tij. Madje e akuzon edhe për shkatërrimin e fatit të shumë shkrimtarëve apo poetëve të tjerë. “Ai u ka shkatërruar jetën shumë shkrimtarëve”, thotë Kasemi. Ndërsa Kadareja e akuzon Trebeshinën si themeluesin e Sigurimit të Shtetit, por para së gjithash ai e akuzon si vrasës për dy vrasje të bëra në vitin 1943 dhe44. Për këto vrasje Kadareja shkruan . ”Vrasja e kryer prej tij te bregu i kënetës, në vitin 1943, sado që në pamjen e parë mund të duket e rëndomtë për një kohë të tillë lufte, është një vrasje e veçantë. Është një krim fondator, siç u tha, një gjak i derdhur në themelet e tiranisë së ardhshme shqiptare. Vrasjet pas shpine të vitit 1943, shumica e të cilave nuk janë zbuluar ende gjer më sot, ishin programi i parë i krimit mbi të cilin do të bazohej gjithë ngreha e rendit komunist. Vrasje pas shpine me motivin e përjetshëm të smirës, të fshehta, të maskuara me tjetër motiv, do të ishin thelbi i historisë së padukshme të diktaturës. Nga rrëfimi i vrasësit nuk mbetet asnjë pikë dyshimi për krimin”. Përveç të tjerave mllefi dhe urrejtja e Kadaresë për Trebeshinën është shprehur edhe në shumë raste të tjera, brenda librave të tij, ose në bisedat e përditshme. Por edhe Trebeshina nga ana e tij, ka bërë të njëjtën gjë. Duket se marrëdhëniet e dy shkrimtarëve nuk do të njohin asnjëherë pendesë, apo pajtim në asnjë rast dhe në asnjë lloj rrethane.
Përplasja me Agollin
Të dy kanë qenë shokë gjimnazi në shkollën “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës. Pastaj, kanë ecur njëkohësisht në rrugën e letërsisë duke bërë garë me njeri-tjetrin, por secili në korsinë e vet. Të dy kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe më pas kanë ndenjur bashkë për shumë kohë. Aq e vërtetë është kjo gjë, saqë Dritëro Agolli është njohur me bashkëshorten e tij, Sadije Agolli, pikërisht në dasmën e Kadaresë, ku ajo ishte e ftuara e Helena Kadaresë. Më tej, ata rrinin gjatë me njëri tjetrin, duke qenë shpesh të shoqëruar edhe me gratë e tyre. Më vonë ishin edhe komshinj në një pallat, ku Agolli banonte një kat sipër Kadaresë, diku në kryqëzimin e rrugës së Dibrës. Dëshmitë e të dyve shprehin qartë disidencën e bisedave ku përfshihej humori për Enver Hoxhën, apo për Byronë Politike. Por sherri i tyre ka nisur në vitin 1983, kur sipas Kadaresë, Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Sipas Kadaresë këtu përfunduan bisedat disidente kundër diktaturës dhe Dritëro Agolli mori pamjen e një zyrtari institucional. Por Agolli nga ana e vet e quan të pashpjegueshme sjelljen e Kadaresë ndaj tij, duke kërkuar që gjërat të vihen në vend duke rikthyer paqen midis të dyve.
Ilir Bushi

Wednesday, January 25, 2012

Kriza ul çmimet e ndërtimit, Tiranë- Elbasan 110 mln euro më pak



Sabina Veizaj
Maxhoranca dhe opozita kanë miratuar me konsensus dje në komisionin e Ekonomisë dhe Financave marrëveshjen prej 50 mln dollarësh, kredi e dhënë nga banka Abu Dhaib për ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan. Diskutimi rreth marrëveshjes ka nxitur debate mes mazhorancës dhe opozitës, pasi nëndrejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Skënder Çota deklaroi se kostoja e rrugës Tiranë- Elbasan do të kushtojnë 110 mln dollarë më pak se parashikimi. Para që i kursehen buxhetit të shtetit. “Kjo është mënyra e ndërtimit të një vepre madhore që synon të shkurtojë kostot për buxhetin, mënyra e prokurimit e bën më të qartë dyshimin e ndërtimit të 56 km të tjerë dhe ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës”, – u shpreh deputeti socialist, Erion Braçe, anëtar i komisionit kuvendor të Ekonomisë. Opozita hodhi hije dyshimi mbi uljen e shpenzimeve të kësaj vepre madhore, duke theksuar se për veprat të tilla gjithmonë është kërkuar rritje shpenzimesh dhe jo më ulje. Opozita kërkoi që me gjithë uljen e kostos së rrugës prej 110 mln dollarësh të mos abuzohet me cilësinë e saj, pasi ajo është pasuri e qytetarëve. Skënder Çota, nëndrejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, argumentoi se kursimi prej 110 milionë dollarësh vjen si rezultat se segmente të caktuara të rrugës janë kërkuar për t’u ndërtuar nga kompani të ndryshme, gjë që ka sjellë uljen e kostos. Pra, autostrada Tiranë-Elbasan nuk do të kushtojë më 400 milionë dollarë sipas projektit fillestar, por 290 milionë dollarë. Kursimi prej 25 për qind të shpenzimeve të parashikuara, që ndryshe do të thotë 110 milionë dollarë më pak të shpenzuara nga buxheti i shtetit, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë të kompanive për të marrë pjesë në ndërtimin e segmenteve në dy anët e tunelit të Krrabës. Sipas Çotës, ulja e kostos së ndërtimit të kësaj vepre nuk reflektohet në uljen e cilësisë së punimeve. Nëndrejtori Cota bëri me dije se deri tani punimet i kanë superuar të 41 % të projektit. Aktualisht po punohet me 0.5-1 % progres çdo ditë. Ndërsa kryetari i komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho e argumentoi shkurtimin e kostos për ndërtimin e autostradës Tiranë – Elbasan me reflektimin e krizës ekonomike globale, gjë që ka sjellë kërkesa të firmave të ndërtimit me kosto më të ulëta. Sipas Spahos, ky është efekti i parë pozitiv i krizës ekonomike për vendin tonë. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave pritet që të diskutojë edhe një kredi tjetër në vlerën e 24 milionë dollarëve, që jepet nga fondi i OPEC-ut. Pritet që tuneli i Elbasanit të jetë gati për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Autostrada Tiranë – Elbasan është 26.9 km e gjatë. Sipas projektit, rruga është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të; loti i dytë është tuneli, ndërsa loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit.

Sommario

“Kjo është mënyra e ndërtimit të një vepre madhore që synon të shkurtojë kostot për buxhetin. Mënyra e prokurimit e bën më të qartë dyshimin e ndërtimit të 56 km të tjerë dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës”, – u shpreh deputeti socialist, Erion Braçe



Disa nga parametrat e autostradës Tiranë-Elbasan

Shpejtësia e projektimit është     100-120 km/h
Gjerësia e një vije kalimi është     3.75 m
Gjatësia e rrugës në mbushje     18.5 km
Gjatësia e rrugës në gërmim     17.4 km
Gjatësia totale e viadukteve     4.65 km
Gjatësia totale e tuneli për të dy tubat 4.3 km
Numri i mbikalimeve         7
Numri i nënkalimeve         4
Numri i viadukteve         21
Numri i kryqëzimeve në disnivel

Ina Rama-Kuvendit: Provat tona kundër Ballës, Doshit dhe Bares

Prokurorja e Përgjithshme i kërkon Kuvendit imunitetet e 3 deputetëve socialistë. SMS për Taulant Ballën: Çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica? Filmimet për Tom Doshin: Lin dhe Gjin Ndreu, para se të konfrontohen me policinë kontaktojnë me deputetin. Kërkesa e Bares: Nuk përcaktoi drejtuesit e tubimit dhe ndihmësit e tyre

Tiranë Një sms telefonik i Taulant Ballës, pamjet filmike të Tom Doshit dhe përgjegjësia për tubimin e Besnik Bares, kanë veçuar tre deputetët socialistë prej kolegëve të tyre, në hetimin e Prokurorisë për organizatorët e demonstratës së dhunshme. Në kërkesat dërguar Kuvendit për heqjen e imuniteteve të deputetëve Balla, Doshi dhe Baraj, Prokurorja e Përgjithshme zbardh hetimet e kryera deri më tani në këtë pistë, si dhe dyshimet që implikojnë tre deputetët me “axhendën” e një pjese të protestuesve. “MAPO” boton kërkesën e Prokurores së Përgjithshme për deputetët socialistë, e cila është diskutuar dje në mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve në Kuvend.
Unë Ina Rama, Prokurore e Përgjithshme e Republikës, pasi u njoha me aktet e procedimit penal nr. 285/20, të vitit 2011, të regjistruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së
Rrethit Gjyqësor Tiranë, vendimin për shpalljen e moskompetencës lëndore dhe kalimin e akteve për këtë procedim Prokurorisë së Përgjithshme, konstatova:
Nga hetimet e kryera rezulton e provuar se më datë 21.01.2011, në intervalin kohor midis
orës 13:30-17:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” Tiranë, para godinës së
Kryeministrisë është zhvilluar një demonstratë protestë, e njoftuar më parë nga subjekti  politik, Partia Socialiste e Shqipërisë. Gjatë këtij grumbullimi masiv njerëzish, persona të  ndryshëm, pjesëmarrës në protestë, kanë qëlluar me sende të forta në drejtim të forcave të caktuara për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, si dhe objektit ku ndodhen zyrat e  Këshillit të Ministrave. Në një moment,  nga efektivat që kishin marrë nën mbikëqyrje objektin e Këshillit të Ministrave, është qëlluar me armë zjarri. Nga kryerja e veprimeve hetimore për këtë ngjarje është evidentuar se, si pasojë e  përdorimit të armëve luftarake kanë gjetur vdekjen shtetasit Ziver Veizaj, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, si dhe janë plagosur 6 persona të tjerë, prej të cilëve shtetasi Aleks Nika ka gjetur vdekjen pas disa ditësh. Nga ana tjetër rezulton se, si pasojë e veprimeve të dhunshme të pjesëmarrësve në protestë, janë dëmtuar me mjete të forta 36 punonjës të forcave të policisë, efektivave të Gardës së Republikës, si dhe janë shkaktuar dëme materiale në pasuri shtetërore dhe private. Për një numër të konsiderueshëm shtetasish pjesëmarrës në protestë, të cilët rezultojnë të kenë goditur me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të forcave të Policisë së Shtetit dhe efektivave të Gardës së Republikës, është proceduar me arrestimin e tyre në kushtet e flagrancës, si të dyshuar për kryerjen e veprave penale të goditjes për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës. Materialet provuese në ngarkim të këtyre shtetasve, mbi bazën e së cilave është vendosur arrestimi i tyre në kushtet e flagrancës, kanë qenë pamjet filmike që disponoheshin nga ekspertët e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, si dhe raportet e shërbimit, të mbajtura nga strukturat e policisë. Në kuadër të këtij procedimi penal, nisur nga pasojat tepër të rënda të verifikuara në vendngjarje, organi i akuzës ka kryer veprime hetimore për të zbardhur nëse personat që
kanë kryer veprime të dhunshme gjatë tubimit, kanë qenë të organizuar, dhe nëse po,  identifikimi i tyre. Nga të dhënat e grumbulluara gjatë hetimit janë evidentuar të dhëna dhe indicio që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, zotërinjtë Tom Doshi, Taulant Balla, Besnik Baraj, me veprimet e tyre gjatë tubimit të datës 21.01′.2011, kanë konsumuar veprën penale të “organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal.
  1. Nga pamjet filmike të administruara në këtë procedim penal evidentohet se personat përpara objektit të QNK (Piramidës), në krah të selisë së Këshillit të Ministrave, pranë të cilëve ka qenë edhe deputeti Taulant BALLA, kanë qëlluar me gurë e sende të tjera në drejtim të objektit të Kryeministrisë.
Pokështu, sipas procesverbalit të këqyrjes së telefonit celular nr. 069 58 51 808, që i
përket shtetasit Igers Vangjeli, rezulton se ky i fundit ka qenë në kontakt me deputetin
Balla, pasi është evidentuar një sms me këtë përmbajtje: “Taulant, çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica?” Ky tekst mesazhi na bën të dyshojmë për një
lloj varësie të disa protestuesve nga orientimi i këtij deputeti. Referuar këtyre të dhënave ngrihen dyshime se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Taulant BALLA ka kryer veprime, të cilat mund të kenë shtyrë një numër të caktuar protestuesish për të ndërmarrë veprime të dhunshme kundër forcave të policisë.
2-Referuar deklarimit të deputetit Tom DOSHI, dhënë me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit datë 21 shkurt 2011, rezulton se ai ka organizuar pjesëmarrjen e personave nga komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Gur i Zi, Oblik etj, në tubimin e protestës të datës 21 janar 2011. Nga pamjet filmike të administruara në funksion të këtij procedimi penal, evidentohet se shumë protestues të ardhur nga Shkodra apo zona të tjera përreth, janë organizuar nga ana e deputetit Tom DOSHI për të marrë pjesë në tubimin e protestës së datës 21 janar 2011. Po nga të njëjtat pamje filmike mund të dallohet se shtetasit Lin Ndreu dhe Gjin Ndreu, tashmë të dënuar me vendim të gjykatës, por edhe shtetas të tjerë pjesëmarrës në këtë protestë, përpara se të konfrontohen me forcat e policisë, kontaktojnë në mënyrë të përsëritur me deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, shtetasin Tom DOSHI.
3-Si përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste e Shqipërisë, kryetari i kësaj partie për Tiranën, deputeti Besnik BARAJ, me shkresën nr. 2 prot, datë 19.01.2011, ka njoftuar Drejtorinë e Policisë Tiranë për kryerjen e një tubimi proteste më datë 21 janar. Në përgjigje të kësaj kërkese, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë i është drejtuar kërkuesit me shkresën nr. 430/14 prot., datë 20 janar 2011, duke i bërë me dije se në respekt sa parashikon ligji Dr. 8773 datë 23.04.201 Për Tubimet“, kërkuesi duhet të përcaktojë drejtuesit e tubimit dhe ndihmësit e tij, duke i pajisur këta me shenja dalluese, konform nenit 10 të këtij ligji. Gjithashtu, nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë është kërkuar edhe përcaktimi i orarit të përfundimit të tubimit, si edhe itinerari që do të ndiqej nga pjesëmarrësit. Në vijim të korrespondencës, z. Baraj, me shkresën nr. 3 prot., datë 20.01.2011, e njofton përsëri Drejtorinë e Policisë për zhvillimin e tubimit, por duke shpërfillur kërkesat e nenit 10 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.201 Për Tubimet, pasi nuk ka përcaktuar se kush do të ishin personat konkretë që do drejtonin tubimin dhe as ndihmësit e tyre, të cilët dhe do të garantonin mbarëvajtjen e tubimit. Kështu, siç dhe kishin njoftuar, më datë 21 janar 2011, subjekti politik kërkues zhvilloi tubimin e protestës, i cili nga pjesëmarrësit degradoi në veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë, të Gardës së Republikës dhe pasurisë shtetërore dhe private. Në kushtet kur deputeti Besnik Baraj është përfaqësuesi i subjektit politik që merr përsipër zhvillimin normal të një tubimi paqësor dhe për shkak të mosmarrjes së masave të nevojshme në përputhje me ligjin për tubimet, shpërfillje e cila ndikoi në degradimin e protestës në akte të dhunshme, janë fakte të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se ai ka konsumuar elementët e veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme“, parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal. Në referencë të rrethanave të përmendura rezulton se ekzistojnë të dhëna dhe indicio, për të cilat çmohet e nevojshme të zhvillohen hetime për sqarimin e pozicionit të deputetëve Taulant Balla, Tom Doshi e Besnik Bare në raport me këtë vepër penale.


Protestuesi nga Librazhdi: Ja pse i shkrova deputetit Balla
Dëshmia e Igers Vangjelit, i cili kishte ardhur nga Maqedonia për demonstratën e 21 janarit. “U arrestova në momentin që po nisesha për në Librazhd me autobusin pa lekë”

Procesverbal për marrjen e të dhënave nga personi ndaj të cilit zhvillohen hetime, Igers Vangjeli, ditëlindja 24.05.1990. Me vullnetin e tij të lirë, ai deklaroi: U njoha me shpjegimet e mësipërme, e kuptova se ndaj meje zhvillohen hetime për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të policisë”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur pranë Kryeministrisë Tiranë. Për momentin nuk kërkoj avokat në hetim. Unë vetë jam student në Maqedoni, vazhdoj arsimin e lartë në këtë shtet. Më datë 17.01.2011 jam kthyer nga Maqedonia në Shqipëri për në banesën time, të cilën e kam në Librazhd. Jam simpatizant i Partisë Socialiste, pra kam bërë përpjekjet e mia që të aderoj dhe të afirmohem në këtë parti. Pasi jam kthyer në banesë në Librazhd, nga biseda që kam bërë me shokët e mi, simpatizantë të PS-së, e kemi lënë që në datën 21 janar të merrnim pjesë në protestë. Së bashku me mua në këto bisedime që bëra me shokët e mi në Librazhd ishte i pranishëm edhe shoku im Marjuz Golemi. Më datë 21 janar 2011, rreth orës 11:00, unë së bashku me Marjuzin jemi nisur nga Librazhdi me një furgon ngjyrë jeshile, pronarin e furgonit nuk e njihja, për të marrë pjesë në protestë. Në Tiranë, unë dhe Marjuzi kemi arritur në orën 13:20 dhe kemi zbritur nga furgoni në rrugën e Elbasanit. Pasi kemi zbritur nga furgoni, unë dhe Marjuzi kemi shkuar në banesën e një mikut tim në Tiranë, i cili quhet Bujar Bici. Kemi ngrënë bukë te shtëpia e Bujarit dhe më pas së bashku me Marjuzin kemi dalë në demonstratë. Me Marjuzin, si vendndodhje ndodheshim te ‘Kullat Binjake’. Kur dolëm te demonstrata ku kishte shumë njerëz, kam dëgjuar disa krisma dhe më pas ka shpërthyer një re tymi me ngjyrë të bardhë. Protestuesit janë larguar me vrap nga vendi ku doli tymi, se të shkaktonte djegie nga sytë. Së bashku me protestuesit jam larguar edhe unë. Në këtë kohë nxjerr telefonin nga xhepi dhe i shkruaj një mesazh deputetit të Librazhdit, Taulant Balla, me këtë përmbajtje: ‘Pse u tërhoq shumica e protestuesve dhe çfarë do të bëjmë?’ Protestuesit, pasi janë larguar nga tymi që të shkaktonte djegie të syve, janë afruar prapë. Pas përdorimit të tymit nga ana e policisë, kam parë një zjarrfikëse, e cila po lagte me presion protestuesit para Kryeministrisë. Duke qenë se presioni i ujit ishte i lartë dhe të dëmtonte nga ana shëndetësore, unë dhe Marjuzi kemi kaluar në pjesën e prapme të ‘Kullave Binjake’, me qëllim që të mos na kapte presioni i ujit. Kam parë protestues të ndryshëm që qëllonin me gurë ndaj Kryeministrisë dhe punonjësve të policisë; kam parë se po djegin makina. Godisnin me shkopinj dhe mjete të tjera të forta punonjës të policisë dhe makina. Më vonë, duke qenë se autobusi i protestuesve që kishin ardhur nga Librazhdi ishte pa lekë, jam nisur për të hipur në autobus, por më kapi policia. Kam për të sqaruar se në vendin ku ndodhesha unë në demonstratë kishte edhe persona të tjerë që kishin ardhur nga Librazhdi për të protestuar. Unë gjatë gjithë kohës në demonstratë kisha me vete Marjuzin. Unë mora pjesë në këtë demonstratë sepse kisha dëshirë të afirmohesha në forumet e Partisë Socialiste, pasi më datë 29 janar 2011 do të merrja pjesë në Asamblenë e Forumit Rinor, ku do të flisja në emër të rinisë socialiste të Librazhdit. Për këtë gjë kisha vënë në dijeni edhe deputetin e zonës sonë dhe ai ishte dakord që unë të merrja pjesë në këtë mbledhje dhe të flisja. Procesverbalin e deklarimit, pasi e lexoj dhe konstatoj se thëniet e mia janë shkruajtur ashtu siç u shpreha në hetim, e nënshkruaj pa vërejtje.

Sms në telefonin e Igers Vangjelit
1-Gersi. Taulanti jam, po ju kërkoj kudo, më ço një sms kur ta hapësh.
Mesazhi i dërguar nga numri 06820…në emër të shtetasit Taulant Balla, datë 21.01.2011 ora 23:49:58
2-Taulant, çfarë të bëjmë tani? Pse u tërhoq shumica?
Dërguar në numrin 06820… në emër të shtetasit Taulant Balla