Friday, January 27, 2012

Kadareja urrejtje të përjetshme për Arshi Pipën, Agollin, Trebeshinën dhe Xhaferrin

Në prag të 76 vjetorit të ditëlindjes së tij, Kadare ndihet shumë pak i penduar për armiqësitë e shumta që ka lënë në gjurmët e jetës së tij, ku fama e madhe e shkrimtarit nuk mundi dot që të shmangte keqkuptimet. Nëse do të ndjehej i penduar plotësisht, ai mund të ngrinte telefonin për t’i bërë një “zile” Agollit, apo Trebeshinës, të cilët janë ende gjallë. Ndërsa dy të tjerët, Pipa dhe Xhaferri nuk jetojnë më dhe pajtimi me ta është një mision i pamundur. Gatë gjithë jetës së tij, Kadare ka pasur shumë adhurues, ndofta me miliona, por tepër pak miq të vërtetë të cilët mund t’i ketë mbajtur gjatë. Ndërkaq, historia e marrëdhënieve të tij me të tjetër është e mbushur me një listë të gjatë armiqësie, ku padyshim vendin e parë e zënë shkrimtarët dhe më tej, një pjesë e madhe e politikanëve. Në rradhët e para të kësaj liste qëndrojnë Arshi Pipa, Bilal Xhaferri, Dritëro Agolli dhe padyshim Kasem Trebeshina. Ndërkohë shumë shkrimtarëve të tjerë, ose nuk i ka përmendur ndonjëherë, duke bërë sikur nuk i njeh fare, ose i ka lënë të fyer nëpërmjet mospërfilljes së tij, prej titani.
Përplasja me Arshi Pipën
Keqkuptimet e Kadaresë me Arshi Pipën kanë nisur herët dhe kanë vazhduar tepër gjatë. Gjatë njëfarë kohe Kadareja nuk linte rast pa përdorur për të fyer Arshi Pipën, duke e cilësuar atë si provokator. Ndërsa më vonë e ka akuzuar si letërshkruesin e parë kundër Kadaresë, në jurinë e Stokholmit, për të sabotuar çmimin “NOBEL”. Por në thelb, misteri i së vërtetës për këtë grindje është tepër i thjeshtë. Arshi Pipa, në fillimet e viteve ‘80, përktheu librin e Kadaresë, “Kronikë në Gur”, me një parathënie të tijën, ku thoshte midis të tjerave se ky libër përbën një disidencë të pastër kundër shtetit komunist dhe Enver Hoxhës. Këtë e botoi më pas, më 1987, edhe në revistën “Telos” të Nju Jorkut. Botuesi i librit e kundërshtoi parathënien e Pipës dhe madje krejt, botimin e librit të Kadaresë. Në këtë parathënie Pipa e cilësonte Kadarenë si “antikomunist”. Por Kadareja u acarua shumë nga kjo ngjarje e cila atij iu duk si provokim. Dhe për këtë shkak, pa e lexuar parathënien, Kadareja nisi sulmin, duke e sharë Pipën me epitete të rënda. Kështu sherri midis tyre u përhap shumë dhe megjithë indiferencën e përgjithshme të botës letrare jashtë shtetit shqiptar, sot do të ishte interesante të rilexohej mllefi I tyre kundër njëri tjetrit. Por më vonë rreth vitit 1988, Kadareja deklaron se e lexoi parathënien e Pipës dhe nisi të pendohet për sharjet e tij ndaj Pipës. Për këtë gjë më vonë në momentet e pendesës Kadareja ka shkruar: “Normalisht unë duhej të isha mirënjohës ndaj profesor Pipës për përkthimin. Dhe kam qenë, në fillim, tepër mirënjohës. Unë duhet t’i isha mirënjohës gjithashtu edhe për parathënien tepër interesante, por nëse do të mund ta takoja, atëherë do t’i thosha: “Profesor, ju faleminderit për vlerësimin tuaj, por ju keni theksuar jashtëzakonisht shumë tingëllimin antikonformist të romanit tim. Ju e nxirrni atë si një vepër disidente, antikomuniste, që denoncon luftën e klasave e terrorin komunist, madje demaskon personalisht shefin e këtij terrori, Enver Hoxhën. Thënë ndryshe, ju keni mbiçmuar shumë meritat e mia si shkrimtar liberal, madje më quani haptas “rebel”. Asnjë shkrimtar në Shqipëri nuk mund të shkruante një vepër të atillë siç e mendoni ju kaq haptas kundër regjimit e aq më pak kundër Enver Hoxhës”. Në këtë mënyrë Kadareja ishte përgatitur t’i kërkonte një ndjesë të thellë dhe publike Arshi Pipës. Por pikërisht në vitin 1989-90, atëhere kur Kadareja mendonte se ishte bërë “antikomunist” Arshi Pipa, në “Zërin e Amerikës”, e sulmoi ashpër Kadarenë, duke e akuzuar si një komunist të pandreqshëm. Thelbi i akuzave të Pipës ishte ky: “Kadare, meqenëse s’ka bërë asgjë për demokracinë nuk ka të drejtë të flasë për të”! Natyrisht kjo e tërboi fare Kadarenë, i cili brenda vetes po përgatiste pajtimin me Pipën. Por kjo nuk ndodhi asnjëherë. Sepse edhe pas ardhjes në Shqipëri, Arshi Pipa nuk u interesua asnjëherë për Kadarenë, ndërkohë që ky i fundit i ndiqte me kujdes intervistat e Arshi Pipës gjatë vizitave të fundit. Kësisoj, ata të dy mbetën dy armiq enigmatikë dhe misteriozë me njëri tjetrin.
Me Bilal Xhaferrin
Historia e sherrit të Kadaresë me Bilal Xhaferrin është e mbushur me të vërteta dhe të pavërteta. Midis gjërave më të besueshme që thuhen për ta është fakti se ata të dy ishin nga shkrimtarët më premtues të realitetit shqiptar, ndërkohë që i përkisnin dy shtresave të ndryshme shoqërore. Kadareja quhej i përkëdheluri i sistemit, ndërsa Bilal Xhaferrit, shteti komunist i kishte pushkatuar babanë. Një gjë është e sigurtë: Todi Lubonja i donte që të dy dhe librat e tyre i lexonte me zell. Madje, Bilal Xhaferrin e lexonte qysh në dorëshkrim. Kaq e vërtetë është kjo, saqë njëra prej akuzave ndaj Lubonjës në mbledhjen e Byrosë Politike ishte se kishte mbajtur afër një poet, babanë e të cilit e kishte pushkatuar regjimi komunist. Në këtë mënyrë sherri midis dy shkrimtarëve të rinj e të talentuar nisi në formën e një zilie dhe ambicieje midis tyre. Kjo ishte më e dukshme tek Bilal Xhaferri, i cili në diskutimin e romanit, “Dasma”, në prani të Fadil Paçramit, e kritikoi rëndë romanin e Kadaresë. Ndërsa Fail Paçrami i tronditur nga kjo ngjarje iu drejtua Bilalit me fjalët: “Rri urtë se ty të kemi pushkatuar babanë”. Pas kësaj mbrëmjeje, nisi rrokullisja e madhe e Bilal Xhaferrit, i cili nisi të shihej prej të gjithëve si “armik i Kadaresë”. Atëherë, thuhej vazhdimisht në mjediset e shkrimtarëve se “Kadareja është inatçi” dhe “po të mori inat Kadareja të shkatërron karrierën dhe jetën”. I njëjti fat ndoqi edhe Bilal Xhaferrin pas përplasjes me Kadarenë, por deri tani nuk është vërtetuar se për fatkeqësitë e mëvonshme të Xhaferrit ka “gisht” Kadareja.
Grindjet me Kasem Trebeshinën
Ndaj Kasem Trebeshinës duket se Kadareja ka një urrejtje të përjetshme. Po kështu ndodh edhe në anën e Trebeshinës, i cili e quan vazhdimisht Kadarenë si njërin prej shkaktarëve kryesorë të fatkeqësive të tij. Madje e akuzon edhe për shkatërrimin e fatit të shumë shkrimtarëve apo poetëve të tjerë. “Ai u ka shkatërruar jetën shumë shkrimtarëve”, thotë Kasemi. Ndërsa Kadareja e akuzon Trebeshinën si themeluesin e Sigurimit të Shtetit, por para së gjithash ai e akuzon si vrasës për dy vrasje të bëra në vitin 1943 dhe44. Për këto vrasje Kadareja shkruan . ”Vrasja e kryer prej tij te bregu i kënetës, në vitin 1943, sado që në pamjen e parë mund të duket e rëndomtë për një kohë të tillë lufte, është një vrasje e veçantë. Është një krim fondator, siç u tha, një gjak i derdhur në themelet e tiranisë së ardhshme shqiptare. Vrasjet pas shpine të vitit 1943, shumica e të cilave nuk janë zbuluar ende gjer më sot, ishin programi i parë i krimit mbi të cilin do të bazohej gjithë ngreha e rendit komunist. Vrasje pas shpine me motivin e përjetshëm të smirës, të fshehta, të maskuara me tjetër motiv, do të ishin thelbi i historisë së padukshme të diktaturës. Nga rrëfimi i vrasësit nuk mbetet asnjë pikë dyshimi për krimin”. Përveç të tjerave mllefi dhe urrejtja e Kadaresë për Trebeshinën është shprehur edhe në shumë raste të tjera, brenda librave të tij, ose në bisedat e përditshme. Por edhe Trebeshina nga ana e tij, ka bërë të njëjtën gjë. Duket se marrëdhëniet e dy shkrimtarëve nuk do të njohin asnjëherë pendesë, apo pajtim në asnjë rast dhe në asnjë lloj rrethane.
Përplasja me Agollin
Të dy kanë qenë shokë gjimnazi në shkollën “Asim Zeneli”, të Gjirokastrës. Pastaj, kanë ecur njëkohësisht në rrugën e letërsisë duke bërë garë me njeri-tjetrin, por secili në korsinë e vet. Të dy kanë studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe më pas kanë ndenjur bashkë për shumë kohë. Aq e vërtetë është kjo gjë, saqë Dritëro Agolli është njohur me bashkëshorten e tij, Sadije Agolli, pikërisht në dasmën e Kadaresë, ku ajo ishte e ftuara e Helena Kadaresë. Më tej, ata rrinin gjatë me njëri tjetrin, duke qenë shpesh të shoqëruar edhe me gratë e tyre. Më vonë ishin edhe komshinj në një pallat, ku Agolli banonte një kat sipër Kadaresë, diku në kryqëzimin e rrugës së Dibrës. Dëshmitë e të dyve shprehin qartë disidencën e bisedave ku përfshihej humori për Enver Hoxhën, apo për Byronë Politike. Por sherri i tyre ka nisur në vitin 1983, kur sipas Kadaresë, Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Sipas Kadaresë këtu përfunduan bisedat disidente kundër diktaturës dhe Dritëro Agolli mori pamjen e një zyrtari institucional. Por Agolli nga ana e vet e quan të pashpjegueshme sjelljen e Kadaresë ndaj tij, duke kërkuar që gjërat të vihen në vend duke rikthyer paqen midis të dyve.
Ilir Bushi

No comments: