Wednesday, October 24, 2012

Tirana shpartallohet në Kukës, “hakmerret” Flamurtari…

U luajtën ndeshjet e para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, teksa 16 skuadra zbritën në fushën e blertë në përpjekje për të sfiduar kundërshtarin e radhës dhe për të mbetur sa më gjatë të jetë e mundur në këtë rrugëtim, i cili në fund do të kurorëzojë më të mirin, me trofeun e dytë kombëtar, për nga rëndësia. Të ndara në dy grupe, A dhe B, skuadrat e Superiores janë munduar të bëjnë sadopak llogari edhe në funksion të kampionatit, duke tentuar të kursejnë energji, pasi gara hyn tashmë në fazë delikate, vështirësia e ndeshjeve rritet dhe mundësitë për të rikuperuar gabimet që mund të bëhen janë të vogla. Tirana shpartallohet në Kukës, duke bërë figurën më të shëmtuar ndaj skuadrës debutuese në Superiore, por duke treguar qartazi situatën kritike në të cilën ndodhen kryeqytetasit e shumë trofeve në vendin tonë. Një goditje e rëndë para një tjetër sfide delikate e domethënëse për ta, ndaj Skënderbeut në fundjavë, për kampionat. Përmbys Luftëtari brenda pak minutash, falë dopietës së kapitenit Nora, ndërkohë që njëlloj hakmarrjeje ka ardhur edhe për kuqezinjtë e Flamurtarit ndaj Besës. Goli i Memelli, shënuar që në minutën e 18-të, nuk është superuar dot nga kavajasit, që japin simptomën e parë negative se larg stadiumit të tyre gjërat nuk shkojnë edhe aq në vijë. Vllaznia bie në Peqin, ku goli për vendësit ka për autor djalin e trajnerit Magani, Endri, duke e lënë të hapur rrugën e kualifikimit në sfidën e kthimit. Kastrioti thelloi krizën e Apolonisë, duke i mundur fierakët brenda në fushën e tyre, me rezultatin 2-1, cka do të thotë se krutanët duhet të nisin llogaritë e turit tjetër. Barazime pa gola në Lushnjë dhe Berat, ku pjesët e dyta kanë qenë më ngacmuese për palët, ndërkohë që trajnerët respektivë kanë bërë llogaritë edhe për ballafaqimet që i presin në kampionat, këtë fundjavë. Skënderbeut i mjafton një gol i të riut Kame për ta mbyllur me fitore ndeshjen e parë me Kamzën, edhe pse ka luajtur me rezervat, ndërkohë që kualifikimi mund të konsiderohet punë e kryer për të.


KUPA E SHQIPERISE, TURI I DYTE
Grupi A
Kamza-Skënderbeu  0-1
Golat: Kame 38′
Gjyqtarë: K.Cjapi (Fier)
Kukësi-Tirana  4-0
Golat: Popovic 25′, 60′, Allmuca 86′, 88′
Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë)
Apolonia-Kastrioti   1-2
Golat: Ribaj 90′ / Karapici 4′, Fataki 40′
Gjyqtarë: E.Dyrmishi (Tiranë)
Shkumbini-Vllaznia   1-0
Golat: E.Magani 77′
Gjyqtarë: B.Ziri (Fushë-Krujë)

Grupi B
Lushnja-Teuta   0-0
Gjyqtarë: K.Meta (Tiranë)
Besa-Flamurtari   0-1
Golat: Memelli 18′
Gjyqtarë: O.Sokoli (Tiranë)
Luftëtari-Bylisi   2-1
Golat: Nora 86′, 90+2′/ Izucuku 85′ (pen)
Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan)
Tomori-Laçi   0-0
Gjyqtarë: A.Koci (Durrës)


GRUPI A

Skënderbeu luan me rezervat, i mjafton Kame
Shahin Berberi e ka konsideruar këtë ballafaqim si njëfarë testi kontrolli për kampionatin, ndaj nuk i ka tendosur maksimalisht të tijtë, ndërkohë që në anën tjetër kuqebardhët janë paraqitur po ashtu me lojtarë të stolit të rezervave deri më tani, teksa nuk figuronin në 11-she asnjë nga titullarët, duke nisur nga portieri Shehi e përfunduar te dyshja e sulmit, Plaku-Pejic. Ka pasur minuta në këtë sfidë për të ardhurit rishtas këtë verë te kampionët e vendit në fuqi, Caushaj dhe Kuli, të cilët kanë luajtur pak në 7 javët e deritanishme të kampionatit. Në prani të pak spektatorëve në “Selman Stermasi”, ku u përballën të dyja skuadrat, korcarët kanë humbur qysh në dhjetë minutat e para lojtarin e ri të talentuar, Tahirllari, që ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe është dërguar me urgjencë në spital. Sidoqoftë, pavarësisht se është paraqitur në këtë ndeshje kupe me skuadrën e dyatë, Skënderbeu ka qenë “violinë e parë”, duke kontrolluar lojën dhe krijuar raste të konsiderueshme për konkludim, derisa i riu Kame zhbllokon shifrat në minutën e 38-të, duke humbur afër fundit të pjesës së parë një tjetër mundësi të artë për t’i dyfishuar shifrat.Në pjesën e dytë janë bërë shumë zëvendësime nga të dy trajnerët respektivë, duke e kthyer ndeshjen në një mundësi për ta shënuar emrin sa më shumë futbollistë, që deri dje kanë ngrohur stolin.
Popovic-Allmuca, poker ndaj bardhebluve
Verilindorët e Kukësit e kanë pritur me padurim Tiranën e 24 titujve të kampionit e 14 trofeve të Kupës së Shqipërisë. Interesant është fakti se trajneri Lekbello nuk ka kursyer asgjë në favor të supersfidës së fundjavës në kampionat, ndaj Skënderbeut në Korcë. Në ndeshjen e parë të këtij turi të kupës kanë qenë të gjithë titullarët bardheblu, me përjashtim të Gilman Likës, i cili është ruajtur nga ndonjë dëmtim në fushën me bar sintetik të Kukësit. Sidoqoftë, kjo nuk ka ndikuar shumë në rrjdhën e lojës së zhvilluar, ku vendësit kanë qenë më kërkues e më të qartë, duke gjetur pas disa mundësish të volitshme edhe golin e epërsisë. Shtatlarti serb Popovic ka shënuar në kuadratin e Ilion Likës në minutën e 25-të, duke konkretizuar përpjekjet e vendësve, ndërkohë që dhjetë minuta para mbarimit të pjesës së parë ka rrezikuar seriozisht edhe Alikaj, shumë pranë dyfishimit të rezultatit. Kryeqytetasit e kanë vuajtur presingun e kuksianëve, sidomos në mesfushë, ku nuk u lejohet asnjë hapësirë. Çalon në ndërtimin e aksioneve dhe nuk ka frymëmarrje formacioni mik, që shfaqet pothuajse si para pak ditësh, në ndeshjen e kampionatit ndaj Kastriotit. Goli i dytë personal i Popovic, i dalë në dritë në minutën e 60-të, pas një gabimi të mbrojtjes kryeqytetase, nxjerr në pah situatën aspak pozitive të Tiranës. Lekbello ul në stol sulmuesin Cota dhe Ferrajn, me fillimin e pjesës së dytë, duke shpresuar te dirigjimi i Karabecit dhe freskia e Peposhit në repartin ofensiv, një manovër e dështuar edhe kjo, sepse verilindorët nuk kanë lëshuar aspak terren, përkundrazi, kanë vijuar të këmbëngulin në kërkim të golit të radhës. Bardheblutë zgjohen disi në cerekorëshin e fundit të lojës, kur Karabecit dhe Dushkut u thotë “jo” portieri vendës, Argent Halilaj. Fundi ishte i tmerrshëm për udhëtuesit, teksa një ish i tyre, Igli Allmuca, do të shënonte dy herë brenda dy minutash, për ta vulosur rezultatin përfundimtar 4-0 në favor të Kuksit, i cili praktikisht është në turin tjetër. Te Tirana pritet “tërmet”, dicka normale pas këtij turpërimi, që kalon cdo cak e kufi.
Apolonia s’sheh dritë në “fund të tunelit”
Apolonia mbetet e njëjta, në krizë të thellë rezultatesh dhe me një performancë sportive që lë shumë për të dëshiruar. Madje kjo situatë e fierakëve nuk ndryshon as kur luajnë në fushën e tyre, ku dalëngadalë duket se po braktisen edhe nga ultrasit më fanatikë. Këtë e tregon numri i paktë i tifozëve në “Loni Papuciu” këtë të mërkurë. Sikur ta parandjenin disfatën e bardhejeshilëve tifozët vendës, që e kanë parë veten shumë herët në disavantazh, kur Karapici për krutanët do të shënonte golin e parë të kësaj sfide kupe. Nuk kanë forca të besuarit e Gjokës për të regauar, kanë humbur edhe besimin në vete, ndaj s’e kanë shumë të vështirë miqtë që të kenë komandën e ndeshjes, madje t’i mbyllin 45 minutat e para me një gol të dytë, që ka për autor Fatakin. Pjesa e dytë e sheh Apoloninë tërësisht në sulm, duke krijuar raste të shumta, por aty shfaq mungesë kolaudimi të shënjestrës. Gjoka aktivizon edhe Ribajn, me shpresën se prej këmbëve të tij mund të dilte te goli, por ai ka ardhur shumë vonë, në minutat shtesë, kur nuk kishte më kohë në dispozicion për të shpresuar te barazimi. Krutanët arrijnë të mbrojnë me qetësi e qartësi taktike avantazhin e 45 minutave të para, duke qenë “de facto” i kualifikuar për më tej.
Magani i fushës vendos sfidën e Peqinit
Magani i kishte lënë pushim titullarët e tij kryesorë, gjë të cilën nuk e bën në të njëjtat përmasa kolegu i vet kuqeblu, Shpëtim Duro. Te Vllaznia bie në sy aktivizimi nga fillimi i treshes Rexha-Nallbani-Begaj, lojtarë titullarë në fillim të kampionatit, por që e humbën këtë status gjatë rrugës. Duro i ka dhënë një mundësi tjetër dyshes së vet të sulmit, Rexha-Hajdari, për ta treguar veten dhe për t’i pasur në konsideratë në sfidat vijuese, në të dyja kompeticionet, ashtu sikurse ka preferuar ta shohë në “aksion” edhe kosovarin Nallbani. Pjesa tjetër e skuadrës së kryeqendrës së veriut ka qenë e plotë, duke dëshmuar angazhimin maksimal të Vllaznisë në Kupën e Shqipërisë. Ku edhe synimet janë maksimale. Minuta aktivizim ka pasur edhe për Hysën në pjesën e dytë, me shtatshkurtërin që impenjon më shumë prapavijën peqinase, duke sjellë alarm në dy-tri raste edhe për Kotorrin. Kundërpërgjigjia e beftë, por e suksesshme, ka ardhur nga i riu Endri Magani, që ka prishur në minutën e 77-të bardhësinë e shifrave, duke i dhënë tjetër drejtim fatit të këtij ballafaqimi. Duhet thënë se Shkumbini vërtet luante këtë të mërkurë ndaj kuqebluve në fushën e vet, por mendërisht duket se ka “konsumuar” një tjetër Vllazni, atë të fundjavës në kampionat. Duke qenë se kalendari i javës së 8-të i vë sërish përballë shkodranëve, në “Loro Borici”, bardhekaltrit e Gugash Maganit kanë vendosur ta hedhin “njërin kungull”, sepse nuk i mbajnë dy të tillë “nën sqetull”. Thënë ndryshe, kualifikimi i të besuarve të Shpëtim Duros për në turin pauses të kupës duket thuajse punë e kryer.
GRUPI B
Memelli dhe Flamurtari rikthehen njëherësh
Kavajasit dhe vlonjatët viheshin përballë brenda pak ditësh, teksa në javën e 7-të të kampionatit ishin verdhezinjtë që fituan minimalisht 1-0, falë golit të Malinic. Kësaj here luhej në “Niko Dovana” të Durrësit, për shkak të përplasjeve bashki-klub në Kavajë, në lidhje me biletat falas në stadiumin “Besa”. Për bregdetarët e trajnerit Hulian Rubio do të shënonte në minutën e 18-të Migen Memelli, duke bërë sadopak autokritikë për paraqitjet zhgënjyese në kampionat. Ky moment i ka relaksuar disi psikologjikisht kuqezinjtë e Vlorës, që kanë luajtur me formacionin e tyre më të mirë, ashtu sikurse ka bërë edhe kundërshtari, Besa e Ilir Dajës. Kavajasit kanë reaguar pas disavantazhit, por janë sërish vlonjatët që i afrohen më pranë golit, sidomos me anë të Muzakës dhe Lenës. Pjesa e dytë ka një Besë më impenjative, teksa trajneri Daja i shton formacionit të vet menjëherë dy sulmues të mirëfilltë, Xhihanin dhe Malinic, në tentativë për të rikthyer ekuilibrin rezultativ dhe mbajtur gjallë shpresat e kalimit të turit, kur dihet se “akti” i dytë do të luhet në Vlorë.
Nora përmbys gjithcka, kualifikimi i hapur
Trajneri Dede ka kursyer dicka në formacion e tij në funksion të kampionatit, edhe pse bluzinjtë kishin paralajmëruar për një hakmarrje ndaj Bylisit, referuar asaj që i ndodhi fundjavën e shkuar në Ballsh, në javën e 7-të të kampionatit. Gjithsesi, meritë për qëndresën dhe reagimin potencial ka kundërshtari, me në krye trajnerin Agim Canaj. Ky i fundit ka preferuar t’i mbajë në tonus të gjithë titullarët e vet, duke i aktivizuar në stadiumin gjirokastrit, ku ka guxuar për të marrë edhe fitoren, me qëllim që ta ketë më të sigurtë kualifikimin për në turin tjetër të kupës. Përgjithësisht është zhviluar një lojë e barabartë mes këtyre dy skuadrave, teksa bluzinjtë nuk e kanë superuar dot ngërcin psikologjik të dështimeve në javët e fundit të kampionatit, edhe pse i janë afruar disa herë portës së Frashërit, me protagonist kapitenin Nora. Ky i fundit ka qenë heroi i ndeshjes në fund të saj, kur ka konkluduar dy herë brenda pak minutash, duke superuar disavantazhin momental të Izucukut, që do të realizonte nga pika e bardhë e penalltisë për miqtë. Trajneri Dede ka kryer zëvendësime në pjesën e dytë (Licaj-Rraboshta dhe Boci-Zholi, Caco-Milic), duke synuar të rifreskojë disi skuadrën e vet, ndërkohë që mallakastriotët nuk zhbilancohen në asnjë drejtim, madje janë ata që “flirtojnë” jo pak me golin. Fakti se do ta luajnë në fushën e tyre ndeshjen e kthimit, i favorizon paksa ballshiotët sa i takon kualifikimit, duke qenë se kanë shënuar në fushën kundërshtare.
Lushnja dhe Teuta, si të ishte miqësore
Në “Roza Haxhiu”, si me një marrëveshje të heshtur, të dyja skuadrat e kanë kthyer ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë në njëlloj miqësoreje. Loja e zhvilluar nga vendësit, por edhe durrsakët, ka ngjarë shumë me një test kontrolli në funksion të sfidave të vërteta në fundjavë, për hesap të kampionateve respektive. Lushnja ka ruajtur titullarët, por edhe energjitë, për t’i shpalosur ndaj Pogradecit në transfertë, ndërsa Teuta ia ka bërë hyzmetin më shumë mospësimit të golit, me shpresën dhe besimin e plotë se në kthim do të kualifikohet ajo për më tej.
Tomori dhe Laci s’e lodhin njëri-tjetrin
Kristaq Mile e ka pasur një sy dhe një vesh te ndeshja e kampionatit, cka e tregon edhe formacioni që ka hedhur në fushë përballë Lacit. Kurbinasit kanë qenë më të plotë sa u përket titullarëve, cka është pasqyuruar një një lojë të ekuilibër. Ka debutuar në stolin bardhezi trajneri Ramadan Shehu, i cili ka shfrytëzuar këtë mundësi për ta parë Lacin e tij në aksion, jo maksimalisht të angazhuar, por të paktën sa në një miqësore, prej së cilës mund të nxirren konkluzonet e duhura teknike. Dukej qartë se beratasit kanë hequr dorë nga objektivat në kupë, duke parë situatën kritike në kampionat, që kërkon përqendrim total të energjive për mbijetesë, ndërsa kurbinasit i kanë lënë të hapura llogaritë e kualifikimit për në kthim.

Wednesday, October 17, 2012

Obama dhe Romney përballen në debatin e dytë presidencial

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kundërshtari i tij republikan Mitt Romney zhvilluan mbrëmë debatin e dytë presidencial në Universitetin Hofstra të New Yorkut. Ndaj dy kandidatëve u drejtuan pyetje nga votues të pavendosur se për kë do të votojnë.  
 Presidenti Obama i tha kundërshtarit republikan Mitt Romney se plani i tij për mbajtur shkurtimin e taksave për të pasurit do të shtonte defiçitin dhe barrën mbi amerikanët.

“Nëse dikush vjen tek ju guvernator, me një plan për shpenzimin e 7 apo 8 trilion dollarëve por pa treguar se si do t’i gjejë këto para deri pas zgjedhjeve, nuk duhet  ta pranosh një marrëveshje  të tillë, as populli amerikan. ” 

Gjatë debatit të dytë presidencial në Universitetin Hofstra në New York, zoti Romney akuzoi presidentin se dëshironte të rriste taksat për të pasurit. Ai tha se plani i tij do të çonte në rritjen e vendeve të punës dhe një buxhet të balancuar. 

“Unë kam drejtuar biznese për 25 vite dhe kam balancuar buxhetet. Kam patur Lojërat Olimpike dhe e kam balancuar buxhetin. Kam drejtuar shtetin Massachussetts dhe nga pozita e guvernatorit kam balancuar buxhetin për katër vjet.”
         Kandidatët u pyetën  nga votues ende të pavendosur se për kë do të votojnë.
Pyetja e parë erdhi nga një student i cili u kërkoi kandidatëve të dinte se çfarë do bënin që ai të gjente punë dhe të mbështeste veten financiarisht pas mbarimit të shkollës.
         Zoti Romney tha se ishte e papranueshme që studentët mbarojnë shkollën me shumë borxhe dhe me shanse të vogla për të gjetur punë. Ai tha se studentët e meritojnë shansin për punësim. Pa dhënë detaje ai tha se e dinte se çfarë duhej bërë që ekonomia të rritej përsëri.
         Nga ana e tij, presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për sistemin arsimor më të mirë në botë. Ai tha se do të krijonte më shumë vende pune duke ringjallur prodhimtarinë në Shtetet e Bashkura dhe ritrajnimi i punonjësve për industri të tjera, duke përdorur paratë e kursyera nga dhënia fund e luftërave në Irak dhe Afganistan.
         Pas pyetjeve mbi energjinë, ekonominë, vendet e punës dhe pagës së barabartë për gratë, një pjestare e audiencës e pyeti zotin Romney mbi imigracionin.
         Guvernatori tha se nuk do të jepte amnisti për imigratët e paligjshëm. Ai tha se donte një sistem efikas imigracioni duke bërë thirrje për dhënien e më shumë Kartave të Gjelbra/Green Card për punonjësit e kualifikuar. Ai akuzoi presidentin Obama se kishte dështuar në mbajtjen e premtimit për të realizuar reformën për imigracionin.
         Presidenti tha se kishte bërë gjithçka të mundur për të rregulluar sistemin e imigracionit. Një tjetër pjestar në audiencë donte të dinte se kush kishte mohuar shtimin e sigurisë për konsullatën amerikane në Benghazi, Libya dhe pse.
Zoti Romney e akuzoi presidentin se ju deshën dy javë për t’i treguar popullit amerikan se sulmi ndaj konsullatës dhe vrasja e ambasadorit amerikan dhe tre të tjerëve, ishte një akt terrorist.
Nga ana e tij, presidenti tha se e kishte quajtur sulmin në Benghazi një akt terrorist ditën që pasoi. Ai tha se sygjerimi që kushdo në qeverinë e tij do të përdorte dhunën në Libi për përfitime politike apo hedhur hi syve popullit amerikan është fyes.
Debati i tretë dhe i fundit presidencial do të zhvillohet javën që vjen në Florida.

Sunday, October 14, 2012

“Kemi ekip mediokër, De Biazi nuk ka faj”

Ata kanë kaluar një jetë në futboll dhe për më tepër në ambientin e Kombëtares. Në këtë këndvështrim, ndonëse tentojmë t’u marrim një ide të thatë dhe pa eksese emocionale, ata përsëri nuk arrijnë të dalin nga “vorbulla kuqezi”, duke dashur në një farë mënyre që jo vetëm të lëshojë kritika, por edhe sinjale pozitive, me shpresën e ndërtimit të një skuadre të denjë. Këta janë dy ish-kapitenët e ekipit tonë përfaqësues, Rudi Vata dhe Altin Lala. Pasi kanë ndjekur plot ankth e zhgënjim ndeshjen Shqipëri-Islandë, që të dy bëjnë një analizë, duke kaluar nga njëri ekstrem në tjetrin. Sipas tyre, humbja është tragjike, por e merituar nga ana e ishullorëve. Ndërsa, edhe pse gjykojnë se edhe një trajner shqiptar do të kishte bërë po kaq sa kundër të huajt që i kanë drejtuar kuqezinjtë, përsëri tentojnë të mbrojnë De Biazin. Madje, Vata e bën haptazi, duke fajësuar më shumë lojtarët dhe faktin se në skuadër ka shumë të rinj, të cilët nuk kanë ende eksperiencën e duhur për të nxjerrë ndeshje perfekte. Ndërsa, Lala është disi më kategorik dhe përgjithësues. Sipas tij, si fitoret dhe humbjet janë përgjegjësi si e lojtarëve dhe e trajnerit, gjë të cilat nuk mund t’ia faturosh vetëm një personi. E megjithatë, që të dy ishkapitenët besojnë që ka një “ilaç” për shërimin nga sëmundja me emrin “Islandë”: të fitohet ndaj Sllovenisë. “Nganjëherë fiton ndaj një skuadre, të cilën e konsideron si tepër të fortë, dhe humbet nga një ekip i dobët. Kështu, pas humbjes me Islandën, unë nuk kam pse të mos mendoj se Shqipëria mund të bëjë një ndeshje të madhe me Slloveninë dhe të jemi sërish aty në një hap me të tjerat”, – thekson Lala. Ndërsa, Vata thërret edhe FSHF-në në lojë: “Pres që federata të bëjë një analizë të thellë pas kësaj humbjeje, nga ku më pas të nxjerrë edhe shkaqet që na çuan deri këtu. Ndërkohë, duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës dhe askush nuk na ndalon që të besojmë te fitorja”.
RUDI VATA
“Kemi ekip mediokër, De Biazi nuk ka faj”

Jemi mundur nga kundërshtari, teorikisht më i dobëti i grupit, dhe për më keq në fushën tonë. Si do e komentonit këtë 90- minutësh?
Komenti dhe analiza ime është e thjeshtë: jemi një popull euforik, por harrojmë që nga pas kemi një kombëtare modeste. Them modeste, pasi nuk dua të përdor fjalën mediokre. Është e kotë të kërkosh shkaqe dhe arsye, kur ti nuk ke vazhdimësi në lojën tënde. Bën një ndeshje të bukur dhe më pas ia vë shkelmin, duke humbur jo vetëm me një ekip si Zvicra, rezultat që edhe mund të pranohet për vetë diferencat mes Shqipërisë dhe skuadrës së Hitcfeldit, por nuk mundet të pranohet një humbje me një skuadër si Islanda, e cila me një lojë të thjeshtë na vjen e na merr pikë të plota në fushën tonë. Megjithatë, unë gjykoj se hë për hë ne kemi një skuadër në ripërtëritje, me një grup lojtarësh të rinj, të cilëve u duhet lënë koha e nevojshme që të marrin atë eksperiencë që u duhet në ndeshjet me Kombëtaren.
Po thoni që ne nuk duhet të pretendojmë këtë edicion për të bërë një hap më shumë në renditje?
Po, pasi në radhë të parë nuk ke një skuadër që të jep garanci. Së dyti, ke një kampionat shumë të dobët, jo real, i cili nuk prodhon as lojë dhe as lojtarë. Së treti, je i varur në një farë mënyre nga lojtarët kosovarë. Është fat i madh për ne që ata mbrojnë ngjyrat e Kombëtares sonë. Megjithëse duhet të jemi realistë dhe të hapim sytë se një ditë të bukur dhe, uroj shumë shpejt, Kosova do të ketë kombëtaren e saj, ndërsa jam i sigurt se do të ketë një futboll më të mirë sesa ne.
Kalojmë paska tek analiza e ndeshjes. Ku mendoni se gabuam?
Historikisht kemi bërë të tilla gabime fatale në mbrojtje dhe historikisht nuk na ka munguar dëshira e madhe dhe zemra në fushë për ta fituar ndeshjen, por këto gjëra nuk mjaftojnë. Islanda vërtet është një skuadër më poshtë se ne në renditjen e FIFA-s, por në “Qemal Stafa” zbriti si e barabartë dhe shfrytëzoi në maksimum ato gjëra që e favorizonin kundrejt nesh: goditjet standarde. Unë pashë një skuadër, që luante thjesht me topin, kompakte në mbrojtje dhe diti me shumë mjeshtëri që të shënonte në ato pak raste që arriti të krijonte. Ne bëmë një volum të madh loje, por si gjithnjë nuk kemi qartësinë e duhur dhe konkretizim në lojën në sulm.
Çfarë do bënit ju nëse do të ishit në vend të De Biazit?
Nuk besoj se do arrija të bëja më shumë sesa ai, pasi unë personalisht e vlerësoj shumë si trajner; vjen nga shkolla italiane dhe përgjithësisht ka tentuar të implementojë filozofinë e tij në kombëtare. Por, kur nuk ke skuadër, atëherë është e vështirë që t’i vësh në jetë idetë e tua. Ndoshta unë ndaj Islandës do të kisha tentuar që të bëjë më shumë një lojë fizike sesa taktike, kjo nisur edhe nga terreni i rënduar. Gjithsesi, e theksoj se askush nuk mund ta ndryshojë një skuadër menjëherë, si me magji, as unë dhe as trajnerët e huaj. Në këtë këndvështrim gjykoj se, me këtë skuadër që kemi, nuk ka rëndësi nëse në krye kemi një trajner të huaj apo shqiptar, pasi kam përshtypjen se rezultatet do të ishin po ato.
Sakaq objektivi i Shqipërisë për këtë edicion është vendi i tretë në grup, a mendoni se pas kësaj humbjeje çdo gjë është e kompromentuar?
Sigurisht, por më shumë sesa ai objektiv ne duhet të tentojmë që të krijojmë një skuadër për të ardhmen. Dhe në këtë këndvështrim gjykoj se De Biazi duhet të ketë kohën e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë dhe, nga ana tjetër, pres që federata të bëjë një analizë të thellë pas kësaj humbjeje, nga ku më pas të nxjerrë edhe shkaqet që na çuan deri këtu. Ndërkohë, duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës dhe askush nuk na ndalon që të besojmë te fitorja.
ALTIN LALA
“Mungoi organizimi, ka përgjegjësi edhe tekniku”
Një humbje që nuk pritej, ndaj një skuadre që e konsideronim më të dobëtën e grupit, cili është komenti i Altin Lalës?
Po, e vërtetë dhe është për të ardhur keq. Unë e pashë ndeshjen dhe mund të them se në tërësi bëmë një lojë të mirë, por vuajmë gjithnjë nga gafa dhe rënia e përqendrimit në momente të caktuara. Jemi euforikë dhe nuk dimë të tregojmë durim, më së shumti kur përballë ke një skuadër, e cila ka ardhur që të marrë një barazim, pasi unë nuk mund ta mendoj se islandezët kanë pasur si objektiv që të fitonin ndaj nesh. Edhe ata kanë menduar që të paktën të mos humbnin, pasi luanin ndaj një kundërshtari teorikisht më të fortë.
Po thoni se Islanda mori më shumë nga çfarë pretendoi?
Po them që fitorja ndoshta edhe për ata mund të ketë qenë surprizë, pavarësisht se unë gjykoj që në njëfarë mënyre edhe ne i neglizhuam disi, ose më mirë nuk u përqendruam tek ato pika të forta të kësaj skuadre, të cilat ishin goditjet standarde. Duhej të kishim qenë më të kujdesshëm këtu, pasi u pa qartë që ata edhe rivënien në lojë e bënin gati si goditje këndi. Pastaj të mos harrojmë se ishte kjo Islandë që mundi në ndeshjen e parë Norvegjinë, ndaj duhej ta kishim marrë më shumë në konsideratë.
Përveç kësaj, ku mendoni se skuadra e De Biazit gaboi në këtë takim?
Shikoni, pasi ka mbaruar një ndeshje, është shumë e lehtë të bësh analiza dhe të kuptosh shkaqet e dështimit, por e rëndësishme është që këto gabime të mos bëhen më. Për shembull, pashë se ne kishim shumë dëshirë ta fitonim ndeshjen, mirëpo nuk kishim qartësi. Bëmë disa sulme gati të çoroditura, si në organizim dhe ide. Thjesht e kapnim topin dhe e hidhnim në drejtim të sulmit me shpresën se kundërshtari do bënte ndonjë gabim. Pra, nuk kishim hyrë në lojë me një koncept të qartë se si do arrinim te goli. Ose ndoshta kjo gjë mund të jetë bërë më përpara nga trajneri, por nuk u vu në zbatim nga lojtarët në fushë.
Mendoni se pas kësaj humbjeje, Shqipëria ka kompromentuar gjithçka për sa i përket këtij edicioni kualifikimesh?
Mendoj se ishte një humbje që nuk kapërdihet lehtë, por nga ana tjetër them se futbolli është i bukur edhe se të dhuron surpriza. Nganjëherë fiton ndaj një skuadre të cilën e konsideron si tepër të fortë, sikur humbet nga një ekip i dobët. Kështu, pas humbjes me Islandën unë nuk kam pse të mos mendoj që Shqipëria mund të bëjë një ndeshje të madhe me Slloveninë dhe të jemi sërish aty, në një hap me të tjerat. Kështu që nuk duhet rënë në pesimizëm, por duhen nxjerrë mësime nga humbja dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, pavarësisht kundërshtarit që do të jetë përballë. Unë besoj se jemi në një grup ku nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë surprizat. Ne nuk e kemi bërë ende një të tillë, por jam i bindur që do t’ia arrijmë.
Në këtë ndeshje më shumë sesa sulmi, gaboi mbrojtja, edhe pse aty luan një lider si Lorik Cana….
Po, bëmë gabime që duhej t’i evitonim, si te goli i parë dhe tek i dyti. Sakaq, e kam të vështirë që të komentoj zgjidhjet e trajnerit, pasi ai ka pasur një ide në kokë dhe nuk besoj se u fut në fushë për të humbur.
Rudi Vata ka theksuar se kemi ende një skuadër mediokre, por nuk fajëson De Biazin, po ju?
Them se skuadra reflekton në bazë të asaj që ke prodhuar në kohë. Nuk gjykoj që jemi krejt modestë, por duhet të përmirësohemi shumë. Ndërkaq, si në rastin kur humbim dhe në rastin kur fitojmë, trajneri ka përgjegjësinë e vet, ndaj nuk mund ta anashkaloj tërësisht edhe nga ky 90-minutësh.
Trishtim dhe alibi, te Shqipëria duan “kokën” e Sllovenisë
Pas humbjes ndaj Islandës, Kombëtarja shqiptare ka dalë paraditen e së shtunës në stërvitje, në kuadër të ndeshjes me Slloveninë, më 16 tetor. Humbja 1-2 ka lënë pasoja të thella te kuqezinjtë, ndërkohë që në fytyrat e lojtarëve dukej qartë trishtimi. Të parët që kanë shkelur në terrenin sportiv kanë qenë portieri Shehi dhe mbrojtësi Renato Arapi, ndërsa pas tyre mbërriti Bulku dhe pak më vonë pjesa tjetër e grupit, që mbyllej më dy qendërmbrojtësit: Mavraj dhe Curri. Tekniku i përfaqësueses, Xhani de Biazi, ndonëse ishte i pranishëm në stërvitje, nuk u mor marrë fare me seancën e paradites, e cila zgjati për rreth 70 minuta. Italiani është parë të qëndronte larg skuadrës, ndërsa diskutonte me ndihmësit e tij dhe u ngarkonte detyra. Cana, Dallku, Lila, Mavraj, Bulku, Kukeli, Sadiku dhe Cani, për shkak se kanë konsumuar shumë energji gjatë ndeshjes, janë stërvitur veç grupit. Ky grup lojtarësh ka kryer vetëm disa ushtrime aerobike, të cilët shërbenin më shumë për çlodhje dhe shkrifje të muskujve. Ndërsa, pjesa tjetër e skuadrës vijoji stërvitjen normalisht, sikurse ishte parashikuar. Për më shumë se 70 minuta ata kanë vënë skema të ndryshme në zbatim, madje kanë zhvilluar edhe disa minuta lojë.
Atmosfera Kuqezinjtë janë tronditur rëndë nga humbja e papritur që pësuan ndaj skuadrës së Islandës. Në ambientin, në të cilin Kombëtarja po përgatitet për ndeshjen e radhës, atmosfera nuk ishte gazmore sikundër përpara ndeshjes. Në terrenin sportiv mungonin shakatë, ndërkohë që në çdo bisedë të tyren kryefjalë ishte ndeshja e humbur. Ata diskutonin dhe shpjegonin me gjeste të gjitha lëvizjet apo gabimet e bëra në fushë. Kushdo që luan afër njeritjetrit në fushë, dukej që kishte diçka për të diskutuar. Pas çdo shpjegimi që bënin për humbjen me Islandën, fjalinë e mbyllnin me: Tani të fitojmë ndaj Sllovenisë! Askush nuk komentoi se si luan kundërshtari i radhës, apo cilat janë pikat e forta të tij. Në stërvitjen e parë, pas humbjes me Islandën, te Shqipëria sundonte trishtimi dhe njëkohësisht motivimi për sfidën e radhës. Ata mezi prisnin të shlyenin gabimet para tifozërisë së zjarrtë.
Deklaratat Thuajse askush nuk dëshironte të fliste për mediat, edhe për arsyen e thjeshtë se nuk kishin se çfarë të shprehnin më shumë. Gjithsesi, Armando Sadiku e pranoi se tani janë të fokusuar vetëm te sfida e radhës. “Ne jemi shumë të trishtuar për atë humbje, por duhet ta harrojmë. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse t’ua shlyejmë gabimin tifozëve, duke mundur Slloveninë”, – tha sulmuesi. Ndërsa Mërgim Mavraj, në profilin e tij në “Facebook”, shkruan ndër të tjera: “Tani ka mbaruar gjithçka (për humbjen ndaj Islandës). Nuk e kthejmë dot. Duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”.
Rivalët direkt, makthi i kuqezinjve në kualifikuese
Mbetemi vend numëro. Pas 3 ndeshjeve të para në kualifikuese, skuadra jonë është pak a shumë aty ku ka qenë edhe në vitet e shkuara, duke mos arritur asnjëherë që të bëjë diferencën, të paktën me ata kundërshtarë që i konsideron si inferiorë ose rivalë për t’u mundur. Humbja me Islandën, në një farë mënyre, na tregoi se nuk kemi ekip as për të pretenduar që mund të qëndrojmë në pozicionet e shortit (ishim në vazon e katërt, para Islandës dhe Qipros). Ndonëse ishullorët nuk janë teorikisht ekipi që duhet të mundim (duhet të pretendojmë të mundim Slloveninë, e cila shihet si favoritja e tretë në grup, dhe assesi të mos mendonim për humbje ndaj Qipros dhe Islandës) përsëri bie në mediokritet, duke mos bërë dot hapin e madh as në këto kualifikime. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe në edicionin e shkuar, kur u mundëm nga Bjellorusia dhe Luksemburgu në ndeshjet në transfertë. Madje 2-1 në Luksemburg vendosi në një farë mënyre edhe “divorcin” e Kuzhesë me FSHF-në. Ndërkohë, nëse u referohemi historisë së statistikave jemi identikë: në 2010-ën, kur edhe pse pretenduam se do kalonim Hungarinë, ato dy 90- minutësha na dhanë një leksion të mirë futbolli. Madje, humbja e dytë ndikoi direkt edhe në shkarkimin e trajnerit, Ari Han. Në 2008-ën rivalë direkt kishim Bjellorusinë dhe Slloveninë, por humbëm ndaj të dyjave. Në fund lamë pas vetëm sllovenët dhe u renditëm në vend të 5-të me 11 pikë (ishte koha e Oto Bariçit). Ndërsa në “Gjermani 2006″, edhe pse fitojmë me Greqinë (fitore historike), nuk bëjmë dot diferencën as me një skuadër si Gjeorgjia. Euforia e 2-1 në “Qemal Stafa” u zbeh menjëherë katër ditë më vonë në Tbilisi, ku humbëm 2-0 pas një loje pak të thuash mediokre. Historia vazhdon me po kaq “dhimbje” në EURO 2004 me Irlandën dhe në Botërorin 2002 me Finlandën. Në të dy rastet jemi një kundërshtar i lehtë për t’u kaluar dhe përtej pretendimeve mbesim diku nga vendi i parafundit. Sakaq, nuk duhet harruar se Islanda na ka lënë pas në grup edhe në EURO 1992, ku pasi na mundi në Rejkjavik 2-0, arritëm t’u merrnim një rezultat minimal në “Qemal Stafa”, por gjithsesi në renditje jemi përsëri ne të fundit me vetëm 2 pikë, ndërsa Islanda mban vendin e parafundit me 4 pikë.
SLLOVENIA
Handanoviç: Te Shqipëria njoh Ujkanin

Kapiteni i Sllovenisë, Samir Handanoviç, ka pohuar se e njeh pak – për të mos thënë aspak – skuadrën tonë përfaqësuese, duke injoruar në njëfarë mënyre senatorë si Erjon Bogdani dhe Lorik Cana, të cilët luajnë në të njëjtin kampionat, atë italian, me portierin e Interit. “Nuk e njoh Shqipërinë. I vetmi lojtar për të cilin kam pasur informacion është Samir Ujkani. Luan te Palermo dhe është një pikë e fortë e tyre. Gjithsesi, ne shkojmë për tri pikët në këtë ndeshje, pasi kemi objektiv kualifikimin”, – u shpreh Handanoviç.
Radosavljeviç:”Përsërisim 2-1 e vitit të shkuar
Lojtari i Sllovenisë, Aleksandër Radosavljeviç (luan me Venlo në Holandë), vë bast për një fitore të skuadrës së tij në Tiranë. “Në Shqipëri kemi luajtur ndeshje miqësore, kështu që e dimë se ata do të jenë shumë të motivuar. Nuk do të jetë e lehtë, por ne duhet të jemi të qetë dhe të presim për rastet që do na ofrohen. Vitin e kaluar kemi fituar 2-1 dhe do isha i lumtur nëse e përsërisnim këtë rezultat. Grupi është i tillë që çdokush mund ta kapërcejë kundërshtarin, kështu që mund te ketë surpriza”, – tha lojtari.
Starova: Ja përse nuk funksionon Kombëtarja shqiptare
Një nga emrat e spikatur të trajningut shqiptar, që ka provuar edhe rolin e drejtuesit të kombëtares si sekretar i përgjithshëm i FSHF-së para se të vinte presidenti Duka, ka analizuar teknikisht situatën në të cilën gjenden aktualisht kuqezinjtë, sidomos duke iu referuar zhgënjimit që la te të gjithë ndeshja e fundit, e humbur në shtëpi ndaj Islandës.
Për “Panorama Sport”, Sulejman Starova do të bënte këtë “skaner”:
Shqipëria tregoi edhe njëherë se ka probleme në organizimin dhe filozofinë e lojës. Sigurisht, ndeshja e djeshme u kushtëzua së tepërmi edhe nga faktorë të jashtëm, siç ishte shiu i vazhdueshëm që përkeqësoi terrenin, por megjithatë nuk duhet ta fshehim gjendjen e skuadrës sonë. Ekipi ynë përfaqësues vuan pozicionimin në fushë dhe nuk di të shfrytëzojë alternativat që ka në dispozicion. Ne dje humbëm ndaj një kundërshtari (në letër) inferior, por e bëmë këtë në mënyrën “e vjetër”: pësuam gola të evitueshëm dhe ishim të paqartë në tërësi. Shqipëria ka realisht probleme në zotërimin e topit dhe në menaxhimin e forcave dhe të mundësive të saj. Pse ndodhi kjo?
Mbrojtja Shqipëria ishte skuadra që duhej ta fitonte këtë ndeshje. Por që të fitosh një ndeshje nuk mund t’i kesh të dy qendërmbrojtësit në zonën tënde. Ata duhet të jenë më të avancuar, me qëllim që distanca me mesfushën dhe sulmin të jetë më e shkurtër. Kështu, skuadra është më kompakte dhe shpenzon më pak energji. Shqipëria nuk funksionon në lojën nga krahët dhe një motiv është mosshfrytëzimi i alternativave, apo keqmenaxhimi i tyre. Në krahun e djathtë luan Dallku, i cili sistematikisht së fundmi ka treguar se është i paaftë për të marrë krahun deri në fundore dhe për të ndihmuar sulmin. Është pak i kthjellët gjithashtu në fazën mbrojtëse, apo edhe në pasimet e shkurtra. Andi Lila do të ishte një alternativë më e mirë në të djathtë. Është krahu i tij natyral, ku mund të bëjë inkursione deri në fund, sepse është më i sigurt, por jep edhe më shumë rezultat në fazën mbrojtëse. Duket disi e pashpjegueshme që një i djathtë si Lila luan në të majtë. Aty përveçse arrin të mbrojë mirë, nuk është i dobishëm sa duhet në fazën ofensive. Nuk arrin të marrë dot krahun për shkak të cilësive që ka, por kjo i ul forcën sulmuese ekipit në atë krah. Akoma më e pashpjegueshme është që Ansi Agolli, një majtosh i mirëfilltë, rri në stol, ndërkohë që ai ka treguar se në të majtë i bën shumë punë Shqipërisë. Në rastin e golit përgjegjësia kryesore ishte e Mavrajt, sepse ishte detyra e tij ta largonte atë top.
Mesfusha Problemi i madh është se Bulkut dhe Kukelit u kërkohet që të mbrojnë dhe të ndërtojnë njëkohësisht. Kjo është praktikisht e pamundur për t’u bërë gjatë gjithë ndeshjes dhe akoma më e pamundur nëse mbrojtja jonë qëndron aq e tërhequr. Një tjetër problem është se edhe Mehës i kërkohet të mbrojë sistematikisht, përveçse të shpërndajë topat dhe të furnizojë sulmin. As ai nuk mund ta bëjë dot këtë, sepse sforcoja fizike është e papërballueshme. Skuadra duhet të jetë më e shkurtër në fushë, Meha duhet të dublohet më shumë nga mesfushorët e tjerë, me qëllim që pjesën dërrmuese të energjive të tij ta përdorë për të bërë inkursione të befasishme dhe për të dhënë pasime. Meha nuk mund të vrapojë si një shkatërrues, sepse kështu nuk lexon dot lojën. Lojtarë si Roshi e Lika duhen shfrytëzuar më mirë për të përmirësuar ofensivën nga krahët dhe për t’i dhënë hapësirë e liri veprimi Mehës. Kjo ndodh kur loja nga krahët mbështetet nga mbrojtës të mirë…
Sulmi Kemi lojtarë cilësorë në sulm, që luftojnë fort dhe sakrifikojnë shumë, por duhet t’i ndihmojmë më tepër. Problemi i Shqipërisë sot është zotërimi i topit dhe qartësia në fushë. Në ndeshjet që duhen fituar, sulmuesit duhet të shohin më tepër nga porta kundërshtare dhe jo nga porta jonë. Më tingëlloi disi e ekzagjeruar që lojtarët dhe trajneri para ndeshjes përsërisnin vazhdimisht se me një stadium plot do e mundnin Islandën. Nuk mundet t’ia lëmë mbi shpinë të gjitha publikut. Tifozët e bënë punën e tyre, e mbushën stadiumin, por ndeshjet i fitojnë lojtarët, jo tifozët.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
“Botërori 2014″, ndeshje kualifikuese, Grupi E
Stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”
SHQIPERI-ISLANDE  1-2
Golat: Cani 29′ / Bjarnason 18′. G.Sigurdson 81′
SHQIPERIA: Ujkani, A.Lila, Cana, Mavraj, Dallku, Kukeli, E.Bulku, G.Lika (Salihi 75′), Meha (Roshi 46′), Sadiku, Çani (Bogdani 85′). Trajner: De Biazi
ISLANDA: Halldorson, Steinson, Bjarnason, G.Sigurdson, Gilslason (Sævarsson 68′), Arnason, R.Sigurdson, Gunarson, Finbogason ( E. Jonsson  9-+2′), Hallfredson, Skualson. Trajner: L.Lagerbak
Gjyqtarë: Gjyqtarë: T.Asumaa, M.Heininen, M.Hanninen (Finlandë)
Kartonë të verdhë: Cani 73′, Kukeli 58′ / Arnason 51′, Gunarson 56′, Steinson 76′
MINUTAT
6′ Mesfushori i Islandës, Hallfredson, del i lirë në afërsi të zonës, godet me të majtën në ecje e sipër, por topi nuk i bindet, pasi kalon mbi traun e portës.
7′ Meha lëviz bukur mes mbrojtësve islandezë, futet në zonë dhe gjuan me të majtën, teksa topi kalon ngjitur me shtyllën pingule.
18′ Gafë në mbrojtjen kuqezi. Një rivënie anësore në formë krosimi e Gunarson çorienton Canën dhe Mavrajn brenda zone, të cilët nuk merren vesh me njëri-tjetrin dhe Bjarnason i pambuluar, gjuan me kokë afër Ujkanit. Ky i fundit fillimisht prek topin, por Bjarnason ndjek aksionin dhe e shtyn në rrjetë, 0-1 për Islandën.
24′ Inkursion i Bulkut nga e djathta, krosim në zonë dhe Sadiku afër portës nuk arrin ta dërgojë topin në rrjetë.
25′ Gulfi Sigurdson tenton me një goditje të fuqishme nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë.
29′ Aksion perfekt i kuqezinjve me protagonist Mehën, që brenda zone bën një veprim të shkëlqyer teknik duke dhënë një asist për Çanin, i cili afër portës e dërgon topin në rrjetë, 1-1.
51′ Bulku kërkon të befasojë portierin Halldorson me një goditje nga distanca, por topi kalon ngjitur me shtyllën.
56′ Çani ul një top për Sadikun në afërsi të zonës dhe ky i fundit nuk mendohet dy herë, godet fuqimisht me të majtën, por Halldorson bën mrekullinë, duke grushtuar në korne.
60′ Sulmuesi kuqezi, Çani, futet në zonë dhe pengohet nga mbrojtësi R.Sigurdson, por gjyqtari Asuma vazhdon lojën. Lojtarët shqiptarë pretendojnë për penallti.
66′ Sadiku gjuan fuqimisht me të djathtën nga një pozicion diagonal, por topi nuk i bindet.
78′ Bulku kroson nga e majta dhe Sadiku devijon topin, që shkon te Roshi, i cili afër portës bën më të vështirën, duke goditur jashtë portës me të majtën.
81′ Goditje dënimi për Islandën nga jashtë zone, teksa Finbogason duket sikur më shumë simulon. Mesfushori G.Sigurdson merr përsipër gjuajtjen dhe shënon një gol spektakolar. Topi prek fillimisht shtyllën dhe përfundon në rrjetë, 1-2 për Islandën.
85′ Bogdani i sapofutur në lojë merr një inkursion nga e majta, pason për Bulkun, që gjuan direkt, por jashtë portës.
(Video “Supersport”)
Islanda na bën “qull” në shtëpi, pasi mposht Kombëtaren shqiptare me rezultatin 1-2, në një ndeshje ku kuqezinjtë e De Biazit iu kthyen gafave amatore në mbrojtje. Shiu, që nuk pushoi gjatë gjithë sfidës në stadiumin “Qemal Stafa”, u shkoi më shumë për shtat ishullorëve. Edhe pse Shqipëria kërkoi me të gjitha mënyrat ta fitonte takimin, madje duke kaluar edhe në aventurë (me tre sulmues të mirëfilltë në fushë), në fund u ndëshkua nga një goditje standarde, ku ndoshta të gjithë në stadium prisnin një reagim më të mirë të portierit Ujkani. Dje, skuadra e De Biazit nuk arriti të bëjë të madhen ndaj të ashtuquajturave ekipe të vogla (trajneri kishte thënë përpara ndeshjes se ekipi i tij duhet të sillet si i madh përballë Islandës) dhe kësisoj u dorëzua në një takim ku edhe fatin nuk e kishte me vete. Dy humbje radhazi dhe vetëm një fitore është bilanci i tri ndeshjeve të para, por kur mposhtesh në shtëpi nga një ekip si Islanda, sigurisht që djeg shumë. Trajneri De Biazi i druhej Islandës dhe këtë e kishte paralajmëruar, por të besuarit e tij u ndëshkuan pikërisht nga një aksion për të cilin kishin punuar në stërvitje gjatë gjithë javës për të ndalur kundërshtarin. Nga ana tjetër, ekipi i trajnerit Lars Lagerbak, edhe pse ndoshta do të ishte i kënaqur me një barazim, arriti ta sfidonte Shqipërinë për mënyrën e vendosjes në fushë dhe anën fizike gjatë gjithë 90 minutave.
Pjesa e parë
Shqipëria nuk i bën një nisje të mirë takimit, pasi has në rezistencën e islandezëve, të cilët bllokojnë mesfushën dhe mundohen të fitojnë terren me kalimin e minutave. Disa lëvizje të Mehës janë pak për të parë një skuadër bindëse dhe që shkon drejt sulmit me një rrjedhë logjike. Ishullorët duken më të qartë dhe arrijnë të shfrytëzojë pikën më të fortë që kanë: goditjet standarde. Kapiteni Gunarson ka si specialitet rivëniet anësore, pasi e fut topin në zonë thuajse në formë krosimi. Këtë e bën më së miri në minutën e 18-të, kur gjen në gjumë mbrojtjen kuqezi. Canaj dhe Mavraj ia “ngecin” topin njëri-tjetrit, por sikur të mos mjaftojë kjo, edhe Ujkani shfaqet i pasigurt. Islanda kalon në avantazh pas insistimit të Bjarnason në zonë. Shqipëria duket apatike në fushë, duke mos funksionuar nga krahët. Gjithsesi, De Biazi këshillon Gilman Likën të ndryshojë krahun, ndërsa Meha dhe dy mesfushorët shkatërrues Bulku e Kukeli sikur bëhen më kërkues. Goli i barazimit nuk vonon dhe ka për protagonist Mehën, që pason tokazi për Çanin dhe sulmuesi nuk fal. Edhe pse me përkrahjen e madhe të tifozëve, kuqezinjtë e kanë të vështirë të përmbysin. Gjithçka mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë Kuqezinjtë e rinisin takimin me një zëvendësim. De Biazi aktivizon Roshin dhe largon Mehën, duke synuar forcimin e lojës nga krahët. Për thuajse 30 minuta në këtë fraksion Shqipëria bëhet dominuese në lojë, ndërsa Islanda mendon më shumë për mbrojtjen. Sadiku dhe Çani lëvizin mirë në sulm, mirëpo këtë herë kuqezinjtë nuk kanë as fat. Portieri Halldarson bën mrekullinë në një gjuajtje të Sadikut, ndërsa Roshi humbet një rast të artë për të kaluar ekipin në avantazh. De Biazi kërkon me ngulm fitoren dhe e bën Shqipërinë supersulmuese, duke aktivizuar edhe Salihin. Më pas në fushë hedh edhe Bogdanin, por golin e shënon… Islanda. Kjo i shokon kuqezinjtë, të cilët nuk kanë forcë reagimi për të shkuar të paktën te një barazim. As tri minutat shtesë nuk sjellin ndryshime. Në stadium ka vetëm zhgënjim.
Gafa e FSHF-së me flamurin islandez
Gafë e organizatorëve të ndeshjes Shqipëri-Islandë, që në këtë rast është institucioni i futbollit shqiptar. Pak para fillimit të sfidës, në momentin kur do të këndoheshin himnet e të dyja përfaqësueseve, në fushë nuk ishte flamuri i Islandës, por ai i Sllovenisë. Për fat të mirë ky gabim u kap në kohë dhe me shpejtësi zyrtarët e FSHF-së ndërruan flamurin përpara se të niste himni i Islandës. Megjithatë, flamuri slloven qëndroi në fushë për rreth 5 minuta, ndërkohë që kjo i habiti jo pak islandezët, të cilët dhanë edhe sinjalin se diçka nuk shkonte. Kujtojmë që katër ditë më pas Shqipëria luan ndaj Sllovenisë.
De Biazi s’u beson syve: E tmerrshme, na mundi Islanda!
Trajneri i Kombëtares shqiptare nuk e ka fshehur zhgënjimin pas kësaj disfate, duke e konsideruar gati katastrofike, kjo edhe për faktin se përballë kishim skuadrën teorikisht më të dobët të grupit
Humbja e parë në “Qemal Stafa”, si e analizon De Biazi?
Të vjen keq ta humbësh një ndeshje të tillë, në të cilën them se luajtëm më mirë se kundërshtari. Goli i parë ishte tërësisht për fajin tonë. Nuk duhet të bëjmë kësi gabimesh, pasi në fund jemi ne që marrim kosto të paimagjinueshme. Realisht ndiej keqardhje për mënyrën se si humbëm, sepse kisha përgatitur një ndeshje krejt tjetër dhe e them me plot gojën se nuk e meritonim një gjë të tillë. Është e tmerrshme të mendosh që kemi pësuar dy gola nga Islanda. U thashë lojtarëve të ishin shumë të kujdesshëm dhe të anashkalonin gabimet.
Ku e patë diferencën mes Shqipërisë dhe Islandës?
Ne bëmë gabime dhe krijuam raste për shënim, por bëmë vetëm një gol. Ndërsa ata u mbrojtën mirë dhe ishin finalizues më të mirë. Ndoshta goli i dytë lindi nga një goditje dënimi që nuk ishte, por unë nuk merrem me këtë gjë, pasi realisht mendoj se nuk e humbëm ndeshjen nga ajo goditje. Ne kishim gjithë javën që flisnim për rivënien anësore dhe pikërisht aty gabuam. Ndërkohë që ata çdo rivënie e kishin gati si një goditje këndi apo dënimi. Luajtëm një ndeshje shumë më të mirë se ndaj Qipros, por u ndëshkuam nga gabimet tona.
Ç’mund të thoni për Gilman Likën dhe për zëvendësimin e Mehës?
Gilman Lika luajti mirë, ishte në kondicionin e duhur fizik, por natyrisht në atë terren edhe ai e kishte të vështirë të shprehej. Nga Meha sinqerisht prisja më tepër, ndaj e zëvendësova kur pashë që nuk po arrinte të shprehej dot në një fushë kaq të rënduar. Futa Roshin për të forcuar lojën nga krahët dhe mendoj se pjesën e dytë ishim më mirë nga krahët.
Po Sadiku me Çanin?
Sadiku ka bërë një ndeshje të shkëlqyer, luftoi gjatë gjithë kohës. Futa Salihin për t’i dhënë më shumë mbështetje, më pas Bogdanin me synimin për të fituar takimin. Mirëpo këto nuk vlejtën, pasi u ndëshkuam me një goditje dënimi. Sa për Çanin, është një lojtar që do doja ta kisha gjithnjë në skuadër. Nuk ka ende kondicionin e duhur, por është shumë i vlefshëm për këtë ekip.
Trajneri i Islandës tha se nuk duhej të luhej në atë terren, po ju si mendoni?
Është e lehtë të flasësh tani, por gjithsesi jam i bindur se po të ishte kohë e thatë, ne do kishim bërë një tjetër ndeshje të madhe dhe me shumë gjasa mund të kishim fituar. Gjithsesi, delegati i ndeshjes vlerësoi se duhej të luhej dhe ne tentuam ta bëjmë më së miri pjesën tonë, por, siç e patë, pa ai arritur qëllimit.
Mund të themi se pas kësaj humbjeje ëndrra kuqezi shuhet njëherë e mirë?
Nuk di ç’të them. Është një humbje që nuk e prisja dhe që na komplikon ecurinë, por gjithsesi ne do vazhdojmë të luajmë me po të njëjtën dëshirë edhe në sfidat e ardhshme duke tentuar që të marrim maksimumin. Uroj që herën tjetër, ose më mirë në Islandë, të shkojmë ne dhe të bëjmë tri raste e dy gola sikundër bënë ata sonte (mbrëmë). Pastaj do ta shikoni se edhe unë do t’i bëj komplimentet e mia Lagerbakut (qesh me ironi).
Lagerbak: Ishim me fat, kërkova ndërprerjen e ndeshjes
Nuk kishte se si të mos ishte i gëzuar trajneri i Islandës, suedezi Lars Lagerbak, pas fitores së djeshme ndaj Shqipërisë. Gjithsesi, tekniku nuk kursen as lëvdatat ndaj skuadrës sonë, duke thënë me modesti disa komplimente për kuqezinjtë. “Ishte një fitore me shumë fat. Deri në momentin e shënimit të golit tonë, ndeshja ishte shumë e hapur dhe mund të fitonit ju, ashtu sikundër arritëm ne. Personalisht mendoj se keni një skuadër, e cila krijon volum loje, por nuk ka fat. Unë ju pashë edhe në ndeshjen ndaj Zvicrës, gjatë së cilës luajtët shumë mirë, gjuajtët disa herë në portë, por në fund fitoi Zvicra. E njëjta gjë edhe sot: ne shkuam tri herë te porta dhe bëmë dy gola, ndërsa ju… thjesht ishit të pafat”, – tha fillimisht Lagerbak. Më tej, ai sqaroi se gjatë pushimit të ndeshjes i kishte kërkuar delegatit të FIFA-s që të ndërpriste takimin për shkak të shiut. “Po, është e vërtetë që kërkova ndërprerjen e ndeshjes, pasi ishte një terren shumë i rënduar, në të cilin nuk mund të luhej futboll. Keq për ju dhe keq për ne. Por delegati më tha se gjendja e fushës ishte në limite midis të luajturit dhe ndërprerjes, në fund ai vlerësoi se duhej të vazhdohej”, – tregon tekniku i Islandës.
Alban Bushi: Islanda na mori mesfushën
Për Alban Bushin, Shqipëria gaboi në mbrojtje dhe nga ana tjetër nuk arriti të kontrollonte mesfushën, prandaj edhe humbi në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Islandës në “Qemal Stafa”. Drejtori teknik i Kombëtares shqiptare, në një bisedë për “Supersport” pas takimit, deklaroi ndër të tjera se arbitri finlandez u mohoi një penallti kuqezinjve. “Të them të drejtën nuk e nisëm mirë lojën. Pashë që Islanda na mori komplet mesfushën gjatë pjesës së parë. Megjithatë, edhe pse ata kaluan në avantazh, ne shënuam një gol me shumë thjeshtësi. Fakti që ata nuk na lanë të luanim topin, bëri që të mos ishim të rrezikshëm. Më duket se te goli i parë gabuam shumë në mbrojtje dhe kjo nuk duhej të ndodhte. Trajneri kishte punuar shumë gjatë javës për të shmangur gola të tillë, por ja që e pësuam. Më pas, mendoj se e dominuam lojën për gati 30 minuta të pjesës së dytë. Ishim më superiorë se Islanda dhe duhej ta fitonim takimin. Kam rezerva edhe për një penallti, e cila nuk na u dha gjatë kësaj pjese. Gjithsesi, konkluzioni i kësaj ndeshje është se fitoi ajo skuadër që gaboi më pak. Ne pësuam një gol më se të evitueshëm, në një kohë kur përpara se ata të shënonin të dytin, Roshi humbi një rast dhe gjithashtu Sadiku iu afrua golit. Kur ishte rezultati 1-1 duhej të fitonim për atë çfarë dhamë në fushë. Nëse merrnim tri pikë sot (dje), atëherë me Slloveninë do t’i bënim llogaritë ndryshe”, – deklaroi ish-sulmuesi i shquar i përfaqësueses, tashmë në rolin e drejtorit teknik. Në fund, i pyetur për zëvendësimet e trajnerit De Biazi dhe nëse duhet të bëheshin më shpejt ato, Bushi dha këtë përgjigje: “Nuk do ishte keq që të ishin më shpejt në fushë Bogdani me Salihin, pasi do t’i jepnin një tjetër impuls ndeshjes. Megjithatë, i patën minutat në dispozicion. Trajner De Biazi kërkoi ta fitonte takimin me zëvendësimet që bëri. Për mendimin tim, Sadiku ishte ndër më të mirët në fushë dhe meritonte një gol. Gjithashtu edhe Çani luajti shumë mirë, por siç e thashë edhe më lart, u ndëshkuam nga episodet. Nuk duhej të gabonim në mbrojtje”.
Cana: Bëmë gafa, keqardhje se zhgënjyem tifozët
Lorik Cana, kapiteni i Shqipërisë, u paraqit para mediave i zymtuar, por jo i thyer pas humbjes me Islandën. Analiza e tij ishte e thjeshtë, me fjali të shkurtra e shprehëse, të cilat gjithsesi nuk e zhbëjnë dot atë që ndodhi në fushën e “Qemal Stafës”. “Mendoj se luajtëm mirë, krijuam raste dhe pësuam gola aksidentalë, sidomos në fund me një goditje dënimi që ua dhuruam kot. Mendoj se rezultati nuk iu përgjigj lojës që bëmë. Nuk e di se çfarë ndodhi në të vërtetë dhe kjo gjë duhet analizuar më vonë me një mendje më të kthjellët. Ndoshta ishte problemi te pasimi i fundit, ndoshta ndonjë problem tjetër, por sonte (mbrëmë) merituam shumë më tepër”, – tha fillimisht Cana. Më tej, kapiteni i përfaqësueses sonë analizon ndeshjen duke u ndalur kryesisht te gabimet e mbrojtjes, por edhe te fakti se me këtë humbje kuqezinjtë zhgënjyen tifozët. “E rithem se ne dhamë shpirtin në fushë dhe bëmë të pamundurën jo vetëm që të fitonim, por më së shumti të gëzonim ata mijëra tifozë që na ndoqën edhe në këtë rrebesh shiu”, – përfundoi Cana.
Çani: Nuk ishte dita jonë
Ka pasur besimin e plotë të trajnerit De Biazi, i cili e ka përshirë në formacion, dhe Edgar Çani arriti t’ia shpërblejë duke shënuar golin e vetëm për Shqipërinë në humbjen e djeshme ndaj Islandës. Është thuajse në çdo aksion dhe lufton shumë për topin e parë. Por, të gjitha këto, nuk mjaftojnë.
Çani Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, ka takuar njeriun më të afërm të jetës, të ëmën. Madje, golin ia dedikon pikërisht asaj. “Jemi shumë të mërzitur, pasi nuk e meritonim kurrsesi këtë humbje. Kemi luajtur shumë mirë, punuam shumë për këtë përballje, por ishim të pafat. Megjithatë, futbolli i tillë është, dhe priten të gjitha. U ndëshkuam nga një goditje standarde, pasi kundërshtari për asnjë moment nuk na vuri në rrezik përmes sulmeve. Më vjen keq që goli nuk shërbeu për të arritur rezultat pozitiv. Megjithatë, edhe pse humbëm, luajtëm mirë. Duhet të shikojmë përpara për të bërë kthesën ndaj Sllovenisë. Kur shënon është diçka e bukur, por ama kur nuk fiton, ndjen keqardhje. Golin ia dedikoj mamasë, e cila ishte e pranishme në stadium, duke më mbështetur. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fokusohemi te takimi i radhës, të cilin do të luajmë sërish në fushën tonë ndaj Sllovenisë. Kam besim se nëse do të luajmë kështu dhe nuk do të bëjmë disa gabime, rezultati do të vijë”, – shprehet sulmuesi kuqezi në prononcimin e tij. Ishte goli një mesazh edhe për drejtuesit e klubit tuaj? “Sigurisht, ishte mesazh për ata dhe për të gjithë të tjerët. Megjithatë, unë isha i përqendruar gjatë kësaj ndeshjeje për të bërë më të mirën për ekipin përfaqësues. Gjithashtu, dua t‘i falënderoj edhe ata mijëra tifozë që na mbështetën për 90 minuta, megjithëse shiu nuk pushoi për asnjë moment. Shpresojmë, që t’i kënaqim me një fitore në ndeshjen e së martës ndaj Sllovenisë”, – përfundon sulmuesi i Kombëtares, Edgar Çani.
Sadiku: Terreni e favorizoi kundërshtarin
Nëse gjuajtja e rrezikshme e Armando Sadikut, rreth minutës së 60-të, nuk do të ishte devijuar me majat e gishtave nga portieri mik, sigurisht që sfida e djeshme do të kishte marrë rrjedhë tjetër. “Nuk u mendova gjatë për atë gjuajtje. Portieri e devijoi shumë lehtë. Për një moment mendova se shënova, duke qenë se topi ishte shumë pranë vijës”, – shprehet jo pak i mërzitur sulmuesi i Kombëtares. “Jemi shumë të dëshpëruar që u mundëm, por futbolli i ka këto. Në këtë lojë janë të mundshme të tri rezultatet. Bëmë një lojë të mirë dhe rrezikuam në shumë raste, por mendoj se terreni e favorizoi kundërshtarin. Ata kishin vetëm një mënyrë loje, me topa të gjatë mbrapa shpinës sonë. Megjithatë, kjo sfidë iku tashmë, ndaj ne duhet të përqendrohemi plotësisht në ndeshjen e së martës, të cilën do ta luajmë ndaj Sllovenisë. Duhet të mobilizohemi të gjithë dhe në fushë të japim më shumë se 100% për të marrë rezultat pozitiv”, – përfundon prononcimin Armando Sadiku.
Bulku: Ishim të pafat, por edhe gabuam
Ervin Bulku thekson se ndeshja u vendos vetëm nga dy episode dhe se Shqipëria realisht nuk e meritonte këtë humbje. “Ndoshta nuk e nisëm mirë, por nuk besoj se ishim të trembur. U ndëshkuam nga dy episode. Gjatë gjithë javës kemi punuar për rivënien anësore, por sërish e pësuam. Ndiej shumë keqardhje për golin e parë, sepse duhet ta evitonim. Ishte një moment hutimi në zonën tonë, ku asnjëri nga ne nuk arriti ta largonte topin. Pastaj pas shënimit të golit tonë menduam se e kishim lojën në dorë dhe se mund të fitonim, mirëpo edhe në pjesën e dytë krijuam shumë raste për shënim, por ishim të pafatë”, – ka pohuar Bulku.
Andi Lila: Arbitri gaboi në disa raste
Gjithmonë energjik dhe impulsiv. Mbrojtësi Andi Lila është i njëjti në çdo ndeshje. “Dhamë gjithçka në fushën e lojës dhe u ndëshkuam vetëm nga dy episode. Nuk duhet t’i pësonim ata gola. Zhvilluam një lojë të mirë dhe krijuam mjaft raste, por ishim të pafatë. Nuk e meritonim kurrsesi këtë humbje. Tani duhet të japim 300% në takimin e së martës ndaj Sllovenisë për të fituar. Është një ndeshje ku duhet të bëjmë menjëherë kthesën”, – shprehet Lila. Ndikoi arbitri te rezultati? “Mendoj se gaboi në disa raste. Megjithatë, nuk dua të merrem shumë me të. Ishim të pafat, në një kohë që edhe terreni na e vështirësoi më shumë punën”.
Topi dhe Arvizu, tifozët specialë të Kombëtares
Nuk ndodh gjithnjë që ta shikosh ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në stadium, në përkrahje të skuadrës sonë. Madje, në këto dy dekada të demokracisë, shumë pak ambasadorë kanë qenë ndjekës të futbollit, për më tepër në stadium. Por, dje në tribunën qendrore të “Qemal Stafa”-s, është parë edhe Aleksandër Arvizu, në shoqërinë e ish-presidentit të Shqipërisë, aktualisht kryetar i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi. Ky i fundit njihet si një dashamirës i thekur i futbollit, aq sa përpara se të merrte drejtimin e shtetit shqiptar në 2007-ën, ishte edhe president nderi i KF Tirana, skuadra e tij e zemrës. Sakaq, ajo që binte në sy, në krahasim me herët e tjera, ishte se si zoti Arvizu dhe zoti Topi kishin preferuar që të uleshin në zonën e tifozëve dhe jo në tribunën VIP, sikundër ka ndodhur gjithnjë, me personalitetet e këtij rangu. Ndoshta, vetë Arvizu dhe Topi kanë dashur që të dalin të paktën një herë nga “petku” i zyrtarit dhe të uleshin mes tifozëve, në mbështetje të skuadrës sonë kombëtare. Kujtojmë se ambasada amerikane dhe institucioni i presidentit të Republikës ka qenë gjithnjë gjatë kohës së zotit Topi në koherencë me të gjitha deklaratat publike, çka shton edhe më shumë faktin se përse Arvizu ishte nën shoqërinë e z.Topi.
Shiu e UEFA rrezikuan “Qemal Stafën”
Takimi i mbrëmjes së djeshme u rrezikua seriozisht që të mos vazhdonte, për shkak të shiut të rrëmbyeshëm që nisi të binte pikërisht në momentin e ndeshjes. Vetëm pak minuta pasi arbitri vërshëlleu fillimin e sfidës, në Tiranë filloi një stuhi shiu, e cila e vështirësoi jashtëzakonisht shumë jo vetëm lojën e të dyja skuadrave, por më së shumti terrenin. Në pushim të ndeshjes, delegati i FIFA-s pasi pa disa herë fushën, vendosi që ta shtynte atë për 20 minuta. Sakaq, në punë u vunë punëtorët e fushës, të cilët me mjete realisht primitive tentuan që të largonin sadopak ujin nga fusha. Përveç kësaj, përballja u rrezikua edhe para startit nga UEFA, pasi i dërguari i kësaj të fundit kërkoi me ngulm që të hiqej rrethimi para sheshit të hyrjes së stadiumit. Siç dihet, prej disa muajsh një kompani, me idenë e bërjes së një parkingu nëntokësor, mbylli sheshin duke krijuar kështu një përplasje mes FSHF-së, FIFA-s e UEFA-s. Inspektori i kësaj të fundit kërkoi që të largoheshin llamarinat, pasi në të kundërt ai do të kërkonte spostimin e sfidës. U desh heqja e disa llamarinave në hyrje dhe futja në shesh e shumë makinave, më së shumti e autobusëve të të dyja skuadrave, por edhe ndërhyrja e drejtuesve të FSHF-së, që inspektori i UEFA-s të bindej në një farë mënyre dhe të lejonte që takimi të luhej sipas programit.


Grupin tonë e kryeson Zvicra, ndjek Islanda
Helvetët e Otmar Hicfeldit janë frenuar në një barazim 1-1 në fushën e tyre nga Norvegjia, cka dëshmon potencialin e vikingëve në këtë grup. Në fakt duhej pritur të vinte minuta e 79-të, që të shënohej goli i parë i kësaj sfide të luftuar fort, teksa për vendësit do të zhbllokonte shifrat Gavranovic, i futur në lojë në pjesën e dytë, mirëpo nuk do të zgjaste shumë, pasi vetëm dy minuta më vonë do të barazonte për norvegjezët Hangeland. Dy skuadrat ndajnë kësisoji nga një pikë, me Zvicrën që mbetet në krye të grupit E, me 7 pikë pas tri ndeshjesh, e ndjekur Islanda me 6 pikë, pastaj vjen Norvegjia me 4 pikë. Nga ana e saj Sllovenia mori fitoren e parë në këto kualifikuese, duke mundur Qipron me rezultatin 2-1. Golat për sllovenët janë realizuar nga i njëjti autor, T.Matavz, në minutat 39-të dhe 62-të, ndërsa për qipriotët ka ngushtuar diferencën Aloneftis në minutën e 83-të. Kundërshtarët tanë të radhës janë tashmë në kuotën e 3 pikëve, as sa ka edhe Shqipëria me Qipron.
Pas katër ditësh, sa i përket grupit tonë kualifikues, do të kemi përplasje direkte mes dy kryesuesve, Islandës dhe Zvicrës, ndërsa Qipro prit në fushën e saj Norvegjinë. Kuqezinjtë tanë do të “përplasin brirët” me sllovenët.
Renditja, Grupi E
Nr
Skuadra
Nd
Fit
Brz
Hmb
G.Sh
G.P
Glv
Pike
1
Zvicra
3
2
1
0
5
1
+4
7
2
Islanda
3
2
0
1
4
2
+2
6
3
Norvegjia
3
1
1
1
3
4
-1
4
4
Shqipëria
3
1
0
2
4
5
-1
3
5
Qipro
3
1
0
2
3
5
-2
3
6
Sllovenia
3
1
0
2
3
5
-2
3
 JORGIS MEMO / LEONARD KARAJ / BESAR BOZGO

Tuesday, October 9, 2012

Një koalicion shpirtëror drejt integrimit

Dom Gjergj Meta
Në tonin e shakasë një herë një ipeshkvi i bënë pyetjen se pse është aq i suksesshëm me mediat e ai u përgjigj: sepse i lë gazetarët të bëjnë pyetjet që duan ata e unë jap përgjigjen që dua vetë. Pyetja e kësaj jave në “Mapo Weekend” mund t’i bëhej më mirë një analisti politik se sa një prifti katolik. Megjithatë, në rastin konkret unë nuk do ta shmang pyetjen, por do të mundohem ta ngre atë në një nivel tjetër, me anë të përgjigjes. Kur bëhet fjalë për politikë partiake nuk mund të merrem me emra konkretë, pasi (sidomos në Shqipëri) janë subjekt metamorfoze në bazë stinësh apo ngimjesh kulinare, por me atë çka tejkalon momentin dhe e hedh shikimin drejt një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë. Kam qenë gjithnjë i mendimit se në Shqipëri mungon një dialektikë e mirëfilltë si burim zhvillimi e rritjeje. Kjo për arsye të mungesës së një kulture të atij logos-i fillestar i cili, pasi ka zënë vend në mendjet dhe zemrat e njerëzve, në takimin dhe debatin mes këtyre të fundit, kthehet në ide, projekt dhe vullnet për ta realizuar atë. Në 20 vite postkomunizëm ende Shqipëria radhitet ndër vendet europiane me standard të ulët të një kulture dialoguese. Logjika monologuese e Partisë së Punës vazhdon ende të ketë përparësi në nënvetëdijen e shumë njerëzve, sidomos në anatemimin e kundërshtarit dhe shpalljen e tij si armik. Baza konfliktuale e shoqërisë sonë, që na shtihet si për dhuni qysh në shpërgenj, pasqyrohet dukshëm në shumë sektorë të jetës. Jo rrallëherë në këto vite ne kemi dashur e kemi kërkuar arbitër për lojën që zhvillohej në shtëpinë tonë. Edhe raport- progresi i KE-së është rezultati i një arbitri, i cili presim të kushtëzojë jetën tonë këtu. Edhe një herë më shumë ka rëndësi se çfarë thonë disa letra të mbushura herë me objektivitet e herë sipas oreksit, se sa çfarë në të vërtetë ka nevojë Shqipëria. Ndikimi i një raport-progresi ka vlerë sa koha e një palë zgjedhjeve, fatkeqësisht, por jo si një detyrë shtëpie për të ardhmen.
Nuk jam ndër euroskeptikët, por as nuk më entuziazmon fort kjo lloj Europe që po ndërtohet, e cila më shumë i jep rëndësi shifrave se sa vlerave, që me relativizmin (diçka ndryshe nga pluralizmi) e saj etik dhe fetar, është aq e brishtë saqë nuk e di se ç’e ardhme e pret. Dikur kam menduar që Europa është ajo e  katedraleve, universiteteve mesjetare, manastireve, katedrave të filozofisë e të shkencave. Sigurisht që është edhe ajo, por sot bindem që ajo po shket gjithnjë e më shumë drejt disa standardeve të brishta, të vendosura në aula parlamentesh e në zyra teknokratësh. Kështu që në Europë ne mund të hyjmë, dhe do të ndodhë shumë shpejt, por kjo vetëm sepse kemi bërë një makijazh të mirë e jo sepse brenda nesh ka ndodhur një metamorfozë e thellë, apo një metanoia (kthim) e mendësisë.  Kjo është shumë e qartë sa herë që merr telekomandën në dorë e dëgjon një edicion lajmesh a një debat. Të lodh gjuha e dhunshme që përdoret, të streson e të krijon boshllëk duke të hequr shpresat. Raport-progresi dhe reagimi ndaj tij është shumë i parashikueshëm, nuk ka asnjë surprizë dhe loja do të vazhdojë e vrazhdë e pa fryt. Qofsha profet i rremë!
Ndërkohë ende sa shoh unë, ne në Shqipëri kemi lidhur ngushtë e pashmangshmërisht integrimin me politikën e ç’është më e keqja me politikën partiake. Pse jemi aq të interesuar se çfarë mund të prodhojë një raport-progres në luftën politike në Shqipëri? Pse nuk e pyesim veten se sa ndikon në njerëzit e thjeshtë ky raport-progres? Apo sepse jemi të lidhur ngushtë me idenë se mjafton partitë të shkojnë mirë, pa ne rrimë edhe pa bukë? Integrimi politik është vetëm një pjesë e integrimit të vërtetë europian e ky i fundit nuk mund të varet vetëm nga vullneti politik i liderëve. Pse duhet patjetër lidhur ngushtë kjo gjë?Popër integrimin kulturor, arsimor, shkencor, juridik etj? Sa pak flitet për këto aspekte. A mjafton që partitë të shkojnë mirë e të bëjnë një palë zgjedhje të ndershme për t’u integruar?
I rikthehem edhe diçkaje tjetër. Si gjithmonë na kushtëzon ajo çka të tjerët thonë për ne dhe jo çka ne themi për veten tonë. Arbitri ende na duhet pasi nuk kemi besim në lojën e ndershme të kundërshtarit. Sa keq! Kjo tregon papjekuri të thellë e këtë populli ynë nuk e meriton.
Në vazhdën e asaj çka thashë më sipër, neve ndoshta do na duhej një koalicion i madh për integrimin europian, i cili nuk është vetëm një fakt partiak, por një e drejtë e shqiptarëve pavarësisht ngjyrës politike. Si i tillë, ky koalicion nuk mund të bëjë pa një bashkëpunim të të gjithëve. Unë utopikisht ëndërroj një koalicion ndërmjet të gjithë njerëzve me vullnet të mirë, ndërmjet partive, shoqërisë civile dhe çdo grupi interesi, qoftë edhe komunitetet fetare me kontributin e tyre specifik. Duke ia lënë fatin e integrimit vetëm partive politike, ne kemi humbur shumë herë trenin që na çon në Europë. Cicmic-et politike dhe partiake janë kthyer në pengesë për një afrim sa më të shpejtë të vendit me strukturat europiane. Them me strukturat, se me shpirtin europian që e nisi Europën, ndoshta nuk janë as vetë europianët.

I know it when I see it!
Gilman Bakalli
A e keni vënë re se askush nga njerëzit që pyeten nëpër rrugë apo studio televizive në lidhje me ngjarjet e pritshme politike, nuk përgjigjet: “E ku ta di unë?!”. Ose: “Unë nuk jam profet!”. E habitshme, apo jo? Të gjithë mendojmë se e zotërojmë atë shqisën e gjashtë si organ “thuajse-statistikor” që na e mundëson përllogaritjen e probabilitetit të ndodhshmërisë së një ngjarjeje. Me anën e kësaj tentakule, pa ndihmën e intervistave apo sondazheve, njeriu mesatar nuk heziton t’iu përgjigjet pyetjeve të tilla si “a mendoni se në të ardhmen njerëzit do të…?”Askush ama nuk e di nga buron kjo veti ekskluzivisht humane. Edhe kokat më të zgjuara të këtij vendi, merri nga akademia, universiteti, organizata, qeveria a ku di unë, e kanë problem të gjejnë një përkufizim për këtë. Fundja, ç’rëndësi kanë përkufizimet! Në raste të tilla, kur vihesh nën presion për të dhënë përkufizime në lidhje me gjëra që dihen, të vjen në mendje përkufizimi që Potter Stewart i bën pornografisë: “I know it when I see it!”
Mjafton fakti që jemi përmbytur nga parashikimet. Kaq përvëluese është kjo dëshira e njerëzve për të mësuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kaq përmasa të mëdha mund të marrë kjo dëshirë, saqë mund t’i detyrojë gazetarët të na pyesin mua, një pedagog universiteti, dhe Dom Gjergj Metën, një prift katolik, se çfarë do të ndodhë pas progres-raportit të KE, se çfarë do të bëjë Ilir Meta, me kë do bëjë koalicion ai para apo pas zgjedhjeve, e të tjera si këto!

Të pajisur me tentakulën që vibron papushim në mjedisin social disa individë, duke menduar se Zoti i ka bekuar me aftësinë për ta ndarë forcën e tyre parashikuese publikisht me të tjerët, kanë krijuar një biznes me aftësinë njerëzore për të parashikuar. Në gazeta, blogje, libra, radio e televizion, ekspertët e gjykimit politik e ekonomik bëjnë parashikime se si do vejë puna e euros, e dollarit, sa do jetë rritja ekonomike, kush do fitojë zgjedhjet, me kë do shkojë Ilir Meta, Bamir Topi e Nard Ndoka. Ka raste kur ekspertët e prognozave politike ngrenë shikimin e tyre larg, larg në horizonte dhe na tregojnë se si do jetë Shqipëria, politika dhe ekonomia e saj pas 10 vitesh. Duhet thënë se këta ekspertë gëzojnë një popullaritet të madh dhe trajtohen nëpër media me të njëjtin adhurim, të cilin grekët e lashtë ia jepnin orakullit të Delfit. Por ndryshe nga artikulimet e vagullta të Delfit, pohimet e analistëve tanë janë të sakta e precize (siç ishte për shembull parashikimi i atij ekspertit të prognozave politike se Edi Rama do të fitonte me 20 000 vota më shumë në zgjedhjet e 2011 për Bashkinë e Tiranës) dhe, duke gjykuar mbi bazën e seriozitetit joverbal me të cilin transmetohen në publik, ato nuk të krijojnë kurrfarë dyshimi për vërtetësinë e tyre. Mirëpo vërtetësia e tyre mund të verifikohet. Dhe meqë jemi tek verifikimi, rekordi i dështimit të parashikimeve politike nga analistët shqiptarë është perfekt!
Cili nga këta ekspertë parashikoi se brenda entuziazmit për fitoren e zgjedhjeve të 1996-ës qëndronte tharmi i katastrofës së 1997-ës? Kush arriti të parashikonte se Berisha do ringrihej nga gërmadhat e kësaj katastrofe për t’u bërë më i fortë se të gjithë kundërshtarët e tij më të flaktë? Cili nga këta analistë, edhe pse kishin nxirë të përditshmet me skemat dhe koalicionet e mundshme paszgjedhore arriti të parashikonte se, pas zgjedhjeve të 2009-ës Berisha do të qeveriste në koalicion me Metën? Askush! E, megjithatë e gjithë kjo armatë njerëzish të zgjuar vazhdon të bëjë parashikime për sjelljen politike të njërit apo tjetrit politikan shqiptar. E prapëseprapë gazetarët vazhdojnë të shtrojnë nëpër studiot televizive pyetjen: “Si e parashikoni rezultatin për zgjedhjet e …?”
Si është e mundur që gjatë këtyre dy dekadave askush prej analistëve politikë nuk ka dalë njëherë të vetme të pranojë publikisht se të gjitha parashikimet e tij ishin një bullshit për të përligjur honoraret, thjesht një ushtrim gjimnastikor i mendjes për të fituar bukën e gojës?
Duhet t’ia bëjmë si Philipp Tetlock, profesor në University of Californianë Berkley! Tetlock, i cili mund të konsiderohet si një ekspert i ekspertëve të parashikimit, ka vendosur të mbajë shënim çdo parashikim që del nga goja e këtyre ekspertëve dhe ta verifikojë atë duke ia nënshtruar provës së kohës. Në vitin 2005 ai ka botuar një libër me titullin “Expert political Judgement. How good is it. How can we know”, në të cilin ai dokumenton rreth 82 mijë parashikime të bëra gjatë dy dekadave nga 284 ekspertë. Rezultati? Aspak frymëzues! Parashikimet e ekspertëve ishin, mesatarisht, pak sa më të mira se hamendësimet e njerëzve të zakonshëm.
Çfarë do bëjë Ilir Meta? Ndoshta as ai vetë nuk e di! Siç nuk e dinte, besoj, që në 2009-ën do të bashkëqeveriste me njeriun, të cilin në 2002 e kishte arrestuar. Sigurisht, edhe ky akt ishte përtej parashikimeve të çdo eksperti politik të asaj kohe. Sipas Tetlock, suksesi i ekspertëve për të parashikuar me saktësi ngjarjet politike apo sjelljet e aktorëve politikë është ekuivalent me probabilitetin për sukses të një shimpanzeje, e cila rreket të godasë me shigjetë një tabelë.
Dhe ju mendoni se, pas këtij krahasimi, unë me Dom Gjergjin duhet t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në lidhje me ngjarjet e pritshme politike shqiptare?

E drejta për të treguar e Spartak Ngjelës

Nga Rudina Xhunga
“Unë jam i bindur se një ditë njerëzit do t’i marrin vesh të gjitha. Ato do të tregohen. Dhe ne që jemi të pafajshëm, duhet të dimë mirë një gjë: duke na burgosur me vite të tëra pa asnjë faj, duke na keqtrajtuar gjer në poshtërim e uri, në të njëjtën kohë na kanë dhënë një mundësi të madhe: të drejtën për të treguar…”
Kështu shkruante Spartak Ngjela në fletën e ditarit të 9 majit, e mërkurë 1984.
Një fletë e papërfshirë në librin e tij për burgun.
Në fakt nuk ka përfshirë asnjë fletë ditari, asnjë letër burgu, asnjë kujtim patetik. Avokati është sfidant, jo viktimë.
Kur i them që duhet t’i fusë patjetër, në ribotim, më bën të besoj se gaboj, ngaqë si gjithë femrat bëhem me viktimën. Mëshiroj kë ankohet.
Ngjelës nuk i pëlqen të ankohet në vëllimin e dytë, që pason të parin me të njëjtin titull: “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, të cilin UET Press e nxjerr në librari këtë javë.
Nuk është as Guliver, as Odise, është mjaftueshmërisht Ngjela, që rrëfen udhëtimin e Ngjelës së ri, në ferr. Nga blloku i parajsës së vëllimit të parë, direkt në burgun e ferrit. Nga udhëtimet në Paris, në Spaç edhe Ballsh. Pse, çfarë ndodhi, çfarë bëri?
Sonte në mbrëmje po pres me shumë kënaqësi ta dëgjoj në studion e emisionit “Shqip”. Ai është vetë audienca, kur bën debat. Sonte do të jetë ndryshe. Do të vijë për të rrëfyer.
Fjala rrëfim e ka humbur kuptimin në televizionet tona, sepse nuk mund të ketë rrëfim kur nuk ka njerëz.
Njerëzit që kanë ende për të thënë, kanë mbetur pak në këtë vend.
Të shumtët janë të padurueshëm. Por Spartak Ngjela nuk është nga të shumtët. As historia e tij nuk është nga të shumtat. Jo për faktin se është e rrallë. Por ai e ka përjetuar me aq krenari dhe di ta tregojë me aq dinjitet, sa e bën të  rrallë.
Nuk e di ende nëse avokati është iluzionist apo ëndërrimtar, apo dashnor i fjalës, apo tjetër. Dhe nuk më është e rëndësishme çfarë njerëzit janë, por çfarë ata ngacmojnë tek unë. Ngjela është nga ata që të shtyn sinorët. Kufijtë e imagjinatës, të harresë, të debatit. E bën aq lehtësisht, aq normalisht sa ti pas bisedës me të, e quan produkt tëndin, idenë e tij. Jo, është kimi e bisedës me Spartak Ngjelën.
Ky yni është një vend dhe kjo jona është një kohë ku çfarë të mungon më shumë është orientimi. Jemi si në një rrugë pa semaforë e vija të bardha, ku përplasen makina e njerëz dhe ti s’kupton më kush është fajtori e kush viktima.
Ngjela nuk është as semafor, as vijë e bardhë. As mëton të jetë. Por ka stofë, ka sfidë. Di të thotë jo, di të mos pranojë ta fyejnë. Di të të nxisë krahasimin me ç’burra politikë ka përreth.
Duke e lexuar, të bëhet edhe i besueshëm. Duke e lexuar, unë iu  riktheva kohës së regjistrimit të dialogut të tij me Berishën. Kush tjetër veç Ngjelës mund ta bënte?!
Këtë bën edhe në libër. Nuk ka frikë të tregojë, të sfidojë. Edhe veten. Nuk kam lexuar së fundmi kujtime politikanësh shqiptarë që nuk gënjejnë, ose nuk zbukurojnë, ose nuk mendojnë përse iu shërben ajo që do të thonë më pas.
Ngjela nuk i jep llogari as vetes për çfarë do të thotë. Nuk shqetësohet, kë do të shqetësojë. Nuk kërkon asgjë nëpër rreshta. Kërkon vetëm të tregojë.
Dhe ia del. Ia del të tregojë burgun e tij. Burgun e një burri të çuditshëm, që nuk ke për ta njohur dot, nëse nuk e lexon. Po qe se do ta njohësh. Me gjithë largësinë dhe distancën që ai ka nevojë të krijojë mes vetës dhe teje si lexues. (Distancë higjienike e quante Arbën Xhaferi).
Dhe sërish nuk e njeh dot plotësisht, por një ide më shumë e krijon, nëse ia del të hysh në ato faqe, nëpër ato dhoma, ato burgje, ato monologje të brendshme, ato dialogje me njerëz të mençur e të çmendur, që popullonin Burrelin e viteve të burgut të Ngjelës. Njerëz që flasin për kapitalizmin, socializmin, Enverin, Marksin, Kinën, marrëdhëniet ndërkombëtare, fenë, nacionalizmin.
Njerëz që jo të gjithë ia dolën të dalin. Edhe kush doli, mbeti aty gjithsesi, në Burrel. Aty ku hyn e s’del.
Aty është ende Shpëtim Karamuça. Ndonëse fizikisht lëngon në grevën e urisë, pa pranuar të shkojë në spital. Ai s’ka ç’të kurojë. Kanceri i tij është Burreli. Ka qenë bashkë me Ngjelën atje. Ka qenë gjithë besim e shpresë kur la burgun.Tani s’ka as zë për të treguar.
Ngjela ka zë. Ka edhe detyrimin të tregojë. Edhe për Shpëtimin, edhe për Daut Gumenin, edhe për…
Siç di vetëm ai, burri që të sfidon ta lexosh.
“Në Spaç e në Ballsh kam njohur persona që e kishin pasion spiuninë. S’mund të jetonin dot asnjë çast pa menduar si të gjenin një rast për të informuar. Dhe shkruanin, shkruanin gjithë ditën, e në më të shumtën e herës ca gënjeshtra, …mitomanë që ndihmojnë me gënjeshtra për të mbajtur gjallë terrorin”, shkruante Ngjela një të diel prilli të ’85, për grafomanët mitomanë që vazhdonin luftën e klasave në burg.
Ndërsa për vete, nuk ta thotë, por i pëlqen ta dëgjojë se është tregimtari që ndihmon të mbash gjallë kujtesën. Sepse mesa duket, kjo është thembra jonë e Akilit. Ne nuk mbajmë mend

Neo-nazisti që u bë pastor

Johannes Kneifel ishte 17 vjeç kur rrahu për vdekje një burrë. Pas pesë vitesh burg, ish neo-nazisti kaloi nëpërmjet një transformimi radikal. Tashmë ai po studion teologji, për t´u bërë pastor.
Ka një buzëqeshje të natyrshme në fytyrën e Johannes Kneifel teksa ai flet për ndryshimin radikal të jetës së tij. Dikur një ekstremist i djathtë dhe neo-nazist i dhunshëm, ai tashmë studion teologji.
Është një kthesë e dukshme. Në të ardhmen, Kneifel do të kujdeset për shpëtimin e shpirtrave të varfër. Në të shkuarën, jeta e tij udhëhiqej nga urrejtja dhe dhuna, të pirit dhe propagandës së djathtë ekstremiste.
Miq të gabuar
Kur ishte adoleshent, Johannes Kneifel u bë anëtar aktiv i skenës neo-naziste. Ai u nda nga prindërit, të cilët e dërguan në një shkollë me konvikt, pasi nuk mund t´a përballonin më tepër. "Unë vij nga një e shkuar e turpshme," thotë ai. Panorama e ekstremistëve të djathtë dukej sikur ishte gjëja e duhur për të. "Ndihesha sikur isha çliruar dhe po bëja diçka për të cilën isha krenar," thotë Kneifel.
Në shkollën me konvikt pranë Hanoverit, ai nisi një jetë dyfishtë. Gjatë ditës ishte një student i mirë, ndërsa në mbrëmje dhe gjatë fundjavave ai jetonte jetën e një racisti.
Ai pranon se gjatë asaj kohe jo thjesht e bënte këtë gjë; përkundrazi, ishte një racist i bindur. Ai llogaritej si një anëtar i grupimit nazist. "Jam i bindur se asokohe Johannes kishte miqtë e gabuar, të cilët ishin në gjendje ta manipulonin atë, më shumë se ç´mund të bënim ne për t´a udhëzuar," kujton ish-drejtori i tij Eckhard Nühring.
Johannes Kneifel
Nata që i ndryshoi jetën
Së bashku me një tjetër të ri neo-nazist, Kneifel bëri krimin, i cili do t´i ndryshonte rrënjësisht jetën. Në dhjetor të vitit 1999, në moshën 17-vjeçare, ai dhe shoku i tij u drejtuan për nga shtëpia e një banori të papunë të zonës. 44-vjeçari ishte etiketuar "hipi" në qytet, për shkak se ai ishte një kampion i paqes dhe kundër dhunës.
Dy adoleshentët kishin pirë së tepërmi dhe kishin si qëllim për t´i dhënë "një mësim" hipisë, sepse ai kishte guxuar t´i kritikonte ata herë pas here. Ata e rrahën 44-vjeçarin derisa ai humbi ndjenjat dhe më pas u larguan, duke e lënë të plagosur rëndë. Burri humbi jetën më pas në spital.
Sulmi fatal e dërgoi Kneifel në burgun gjerman më të madh të të rinjve. Vendimi i gjykatës ishte: pesë vite burgim për vrasje me dashje. Në gjyqin ndaj tij, ekspertë të shëndetit mendor i atribuan çrregullime të shumta psiqike dhe hodhën dyshimet nëse ai nuk mund të shkëputej ndonjëherë nga dhuna.
Pyetje dhe përgjigje
Pastori i burgut Dieter Kulks e shoqëroi Kneifel kur ai u nda nga ekstremistët e djathtë dhe nisi të ndiqte shërbesat fetare të kishës. Për pastorin, ndryshimi i Kneifelit ishte i besueshëm, për shkak se ai e kishte pranuar gjithmonë fajësinë e tij.
"Kjo është ajo çka ngriti pyetjen, se kujt duhet t´i përgjigjej për fajin e tij dhe se kush mund t´a falte atë për këtë faj," kujton Kulks. "Ky ishte fillimi i pyetjeve fetare."
Johannes Kneifel doli nga burgu si një i krishterë, i pasigurt në lirinë e rigjetur. Shumë shpejt ai e gjeti qëndrueshmërinë në një kongregacion të shenjtë baptist.
Në vend të propagandës së ekstremit të djathtë ai lexonte Biblën. Në vend të inxhinierit, ai ëndërronte që të bëhej pastor. Pas një viti praktikë me baptistët, Kneifel vendosi të studiojë teologji.
Ai e shkruajti në një libër historinë e tij, kthimin nga neo-nazist në pastor. Për të, ky ishte reflektimi më i dhimbshëm i mundshëm në jetën e tij të re. Për kritikët, ishte mëse e dukshme se ish-neonazisti po kërkonte vëmendje dhe donte të bënte emër, akuzë të cilën Kneifel nuk e pranon. "Njerëzit që largohen nga ekstremistët e djathtë shpesh tërhiqen në heshtje dhe anominat, sepse me një të kaluar të tillë është shumë e vështirë që të pranohesh në shoqëri," thotë ai.
Një shembull
Shumë shpejt Kneifel nisi të punojë si pastor në një kongregacion të pavarur baptist protestant. Ai donte të punonte në një vend ku kishte njerëz të tjerë "që kishin humbur rrugën". Veçanërisht ai donte të punonte me fëmijë dhe adoleshentë, me shpresën se mund t´i ndihmonte me anë të biografisë së tij.
01.10.2012 DW Politik direkt Johannes Kneifel Johannes Kneifel
Ai thotë se "zbulova që me të kaluarën time mund të jem dikush me të cilin këto njerëz mund të flasin, gjë që nuk mund t´a bëjnë kurrë më përfaqësues të tjerë të kishës. "Gjëja më e rëndësishme për mua është që të vazhdoj e t´i them vetes se gabimi im është shlyer dhe se kam shansin t´ja filloj nga e para. Një shans që m´u dha nga Zoti dhe shoqëria."
Vetëm nëse ai vetë e jeton këtë fillim të ri, ai mund të jetë një shembull për të tjerët. "Dua që t´i bëj njerëzit që janë në situata të ngjashme, që të kuptojnë se mund t´ja dalin mbanë e të nisin një jetë të re."

Monday, September 17, 2012

Liri Belishova, gruaja e fortë e sovjetikëve dhe afërsia me Enverin


Nga Spartak Ngjela
…Kishte vdekur polaku Bieruti dhe çeku Klement Godvald, por në rrethet e larta të udhëheqjes shqiptare që të dyja ngjarjet ishin pritur me tronditje. Më pas ishte rrëzuar Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bullgarisë, Çjervenkov; kishin ndodhur zëvendësime në Hungari dhe unë dëgjoja prindërit që, duke përcjellë fjalët e Enver Hoxhës, tregonin një farë shqetësimi kur thoshin se pas Kongresit XX do të zëvendësohen që të gjithë sekretarët e parë të partive komuniste të vendeve të Lindjes. Pikërisht për këtë, si dhe nga fjalët që dëgjoja, qoftë nga moshatarët e mi, qoftë nga rrethet që përmenda, pyeta një ditë nënën time, shkurt dhe thjesht: “Pse – i thashë – do ta zëvendësojnë Enver Hoxhën?” Kurse ajo sikur u step për një çast, pastaj si më e vendosur më tha me ngadalë: “Askush nuk është i përjetshëm në një post të lartë; socializmi është vepër e madhe… prandaj udhëheqësit qarkullojnë, sepse janë të thjeshtë”. Nuk po më shihte gjatë në sy dhe unë kuptova se diçka do të ndodhte edhe në Shqipëri. Më pas, tek rritesha e kam kujtuar shpesh e më shpesh këtë bisedë me Verën dhe jam bindur se edhe ajo e priste, por jo me entuziazëm, zëvendësimin e Enver Hoxhës. Ndoshta vërtet diçka priste, sepse duke qenë shoqe shumë e afërt me Liri Belishovën, patjetër që kanë biseduar me njëra-tjetrën rreth mendimit që kishin sovjetikët për Hoxhën. Më vonë, tek ia kam kujtuar nënës sime këtë kohë, ajo më ka thënë qartë se në ato vite pritej me ditë zëvendësimi i Enver Hoxhës. “Unë -më theksoi ajo- nuk kisha atëherë ndonjë ngarkesë negative kundër Enverit dhe në fillim m’u duk si diçka normale që edhe në Shqipëri të qarkullonin ose të lëviznin ujërat, por Enver Hoxha nuk e pa kështu dhe gjithçka e rrokullisi për keq, keq sa më s’bëhet…”
Liri Belishova dukej se ishte njeriu më i fortë në udhëheqjen shqiptare pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Kjo sepse Hoxha ishte i detyruar të sillej me të si një njeri shumë i afërt, sikur ishin një dhe unë e kisha dëgjuar në shtëpi se ai nuk i përfillte të tjerët përpara Lirisë, madje i bënte elozhe të hapura, sikur ishte një doktrinare e zonja, më e afta që kishte Partia, që dinte mbi të gjitha gjuhën ruse dhe kishte dhënë prova për besnikërinë ndaj marksizëm-leninizmit. Më vonë, pas shumë vjetësh, aty nga fundi i viteve ‘90, e kam pyetur vetë Liri Belishovën për këtë kohë dhe për elozhet e Enver Hoxhës ndaj saj dhe ajo më tha: “Të them të drejtën, Spartak, unë isha shumë e re atëherë dhe nuk i kuptoja fort mirë dredhitë e tij…” Por unë ndërkohë, për të sjellë mirë në kujtesë atë kohë iu drejtova edhe shtypit, dhe aty vërehej se Belishova ishte një anëtare me peshë e Byrosë Politike. Gjithsesi, fakti që Belishova kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik, madje ne Shkollën e Partisë “V.I. Lenin”, kuptohet që e bënte Belishovën të vetmin njeri që mund të përkrahej nga Moska. Sidomos, kur mendon mendjen diabolike të Hoxhës, që nuk i besonte askujt, kushedi sesa frikë e ka pasur Liri Belishovën në ato çaste.
Kështu pra, të gjithë e ndienin se diçka do të ndodhte edhe në Shqipëri, por në të njëjtën kohë konstatonin një qëndrim të ftohtë ndaj raportit sekret që Hrushovi kishte mbajtur në Kongresin XX. Madje, ky raport nuk ishte botuar askund, qoftë edhe si broshurë për përdorim të brendshëm, ndonëse të gjithë kishin rënë në kontakt me të nëpërmjet shtypit Perëndimor. Sikundër kam mundur të kuptoj edhe më vonë, gjithë duke e përcjellë në kujtesë këtë kohë të paskongresit XX, kam mbërritur në konkluzionin se ai kongres u kishte hapur perspektivën forcave intelektuale brenda Partisë së Punës. Ata ndiheshin atëherë të shtypur, sepse rrethi ku ata bënin pjesë atë pozicion kishte. Në fakt, në atë kohë, nomenklatura e lartë komuniste ndahej në tre rrathë dhe secili rreth patjetër që kishte nivelin e tij dhe optikën e vet të të parit  të gjërave, por të gjithë e dinin se Rrethi i Dytë dhe i Tretë i nomenklaturës shqiptare ishte shumë më intelektual se Rrethi i Parë, ashtu sikundër dihej se, në atë kohë, mbi tetëdhjetë për qind e Rrethit të Parë ishte emëruar nga Enver Hoxha, si përzgjedhje besnikësh. Hoxha gjithmonë ishte një shpirt i errët dhe ithtar i vlerave minimale, sepse ndryshe nuk kishte sesi ta utilizonte mediokritetin e tij si drejtues. Prandaj dhe pikërisht për këtë, ata që dinin të mendonin e shihnin Hoxhën si pengesë, nuk e pranonin lakeizmin e tij të pështirë ndaj sovjetikëve, ashtu sikundër nuk ia kishin pranuar këtë lakeizëm as ndaj jugosllavëve përgjatë viteve ‘40; nuk ia pranonin egërsinë në luftën e klasave, sepse e kishin kuptuar që kjo egërsi nuk ishte aspak një detyrë e tij ndaj doktrinës e ndaj Partisë që drejtonte, por ingredienti kryesor në ngulitjen e frikës në Shqipëri dhe në konsolidimin e absolutizmit të tij. Internime, burgje, vrasje, pushkatime, të gjitha këto bëheshin për të hapur hullinë e një sundimtari absolut nëpërmjet frikës dhe ndërkohë që pikërisht kjo metodë staliniane ishte goditur hapur si antimarksiste e leniniste, patjetër se prisnin që, nëpërmjet sovjetikëve, epidemia e antistalinizmit të hynte edhe në Shqipëri. Por në të njëjtën kohë, kjo gjendje antistaliniane, Enver Hoxhën, ndërsa e kishte trembur për vdekje, e kishte bërë edhe më agresiv, sepse ai ishte në pritje që destalinizimi të dështonte në Moskë. Ai priti gjatë për këtë dhe vetëm ai e ka ditur se çfarë ka hequr. Imagjinoni një njeri të sëmurë si ai, që e di se nuk ka të ardhme, që ka prerë koka, që e di se nuk e duan intelektualët e Partisë së tij, që e ka të qartë se i gjithë ngërçi i kohës vjen ngaqë rrathët e aftë nuk e duan pikërisht atë, por që ai e do pushtetin si i marrë, pra, imagjinojeni këtë njëri, që befas është gjendur përballë faktit që agai i vet në Moskë nuk e do më dhe kërkon ta heqë dhe menjëherë do të kuptoni se tek ai kishte humbur çdo ekuilibër human në atë kohë. Ky, pra, ishte Enver Hoxha i atyre viteve.
Megjithatë, të gjithë ata që prisnin ndryshime pozitive nga fryma e Kongresit XX, shihnin se në marrëdhënie me sovjetikët kishte një ngërç, por sovjetikët nuk hapeshin dhe, siç rezultoi edhe më vonë, nuk e hodhën në atë kohë në veprim agjenturën e tyre kundër Enver Hoxhës. Siç duket sovjetikët ose nuk e vlerësonin fare Enver Hoxhën, ose me megalomaninë e shtetit të madh, duke parë ndërkohë se këtu kishin flotë, kishin ushtarë dhe këshilltarë në të gjithë administratën, mendonin me mendje të fjetur se asgjë nuk mund të ndodhë kundër tyre në Shqipëri, sepse, ndryshe nga shumica e vendeve komuniste, nuk kishin konstatuar në popull asnjë ndjenjë antisovjetike, përkundrazi, shqiptarët dukej se i deshën sovjetikët si miq të vërtetë. Por, duke u mbështetur edhe te dokumentet e kohëve të fundit, nuk duhet lënë jashtë vëmendjes këtu edhe mendimi i KGB-së se, nëse eliminohej Enver Hoxha, në Tiranë fitonte fryma e Beogradit. Mendim ky që sigurisht ka qenë i gjithi në ndihmë të Hoxhës, që ky të mund të fitonte kohë dhe ta dominonte më pas gjendjen e rrezikut me ndihmën e kinezëve.

Sunday, September 9, 2012

Të besosh është mirë, të mos besosh është edhe më mirë

Artur Zheji
Credere e’ bene, non credere e’ meglio. Të besosh apo të mos besosh; kjo po, është një dilemë, në kohën e sotshme, ashtu si edhe në kohën e djeshme.
Të besosh për shembull që Berisha është edhe sot një Kryeministër i vlefshëm dhe Kryeministri i duhur, është mirë; të mos e besosh këtë, është akoma dhe më mirë, thotë fjala e urtë italiane.
Sepse tanimë strategjia e deritashme e Kryeministrit është e përcaktuar dhe dominohet dukshëm nga një frymëzim metafizik: ‘Ndryshoj duke mos ndryshuar!’
Dhe gjithashtu me pretendimin e pafshehur dhe sfidant: ‘Fitoj duke mos ndryshuar’.
Ai pretendon se qeveria është Ai, dhe se ai është Qeveria. Çdo ‘ndërhyrje’ apo ide e re, në këtë ekuacion, është e përjashtuar dhe tanimë. Askush nuk përpiqet dhe nuk ka pse të përpiqet të ndryshojë të pandryshueshmen. Berisha nuk lëviz dhe nuk do të lëvizë nga kjo llogore.
Të besosh se Rama, është Kryeministër dhe Kryeministri i duhur, në Qershorin që vjen, është mirë; të mos e besosh, është akoma edhe më mirë. Sepse ai, Rama, është ende duke u matur në hapat e vet të mëdhenj, që duhet të ndërmarrë për këtë. Hapa që lidhen me teknikën e duhur politike dhe njerëzore, për të frymëzuar dhe për të çliruar energji pozitive në Partinë Socialiste. ‘Populli i majtë’, që ankohet e thotë se jeton si fëmija në shtëpinë e ‘njerkës’, ka shpresë, ka dëshirë të shpresojë, por nuk mundet të jetë dot shpresëplotë vetëm me këto aktet e deritashme publike dhe politike të Ramës. Lëkundjet e shpresës sjellin, siç dihet, edhe lëkundjen e votës. Rama ç’pret?
Ai e di.
Marrëdhëniet e tij me Metën për shembull, janë konfuze. Ato janë tashmë të koklavitura, si marrëdhëniet e një dashurie klandestine dhe jashtëmartesore. Herë takohen dhe herë mesazhohen. Përkëdhelen në distancë dhe kanë shpallur mossulmim politik reciprok. Takohen kërcënueshëm, duke shpresuar të trembin Kryeministrin, por janë xhelozë për një dashuri më të madhe, Pushtetin, që Kryeministri ka dhe ata nuk e kanë. Kjo dobësi e tyre strukturore në lidhje me Pushtetin, dobëson edhe aktin politik që ata maten ta tentojnë, por nuk e ndërmarrin.
Janë ndjerë të tradhtuar nga njeri-tjetri disa herë. Janë urryer dhe pajtuar. Por sërish diçka e fortë i tërheq, ndoshta akoma edhe më shumë.
Nxjerrja e Doktorit nga loja politike. Por kjo nuk duket edhe aq e lehtë. Sepse Doktori nuk është pa rrënjë dhe pa dosje të stivosura nuk dihet se ku.
Edhe kjo gjasë, është mirë të besohet. Por akoma më mirë, të mos besohet.
Dilema mbetet aty. Një damë ende e pa zhvirgjëruar. Dhe Rama, i gjatë dhe i pashëm sa më s’ka, mbetet në vend numëro.
Të besosh se Meta do të garojë kundër Berishës, në zgjedhjet që vijnë, është tunduese dhe mikluese për Ramën; të mos e besosh këtë pandehmë, është ndoshta edhe më mirë. Sepse përllogaritjet politike të Metës, komplikohen çdo ditë.
Mënyra sesi ai, Meta, menaxhoi këtë trevjeçar të pushtetit dhe koalicionit me Partinë Demokratike, është pa bilanc ose me bilanc të diskutueshëm. Mungon në këto tre vite, sëpaku një akt politik domethënës, që të shënojë një rritje të popullaritetit politik të LSI-së dhe një rritje personale të prestigjit të Ilir Metës. Këto tre vite, kanë qenë tre vite me halle të mëdha për këtë parti të vogël. Tradhtira dhe denoncime publike, videopërgjime, gjyqe dhe sherre. Dhe mbi të gjitha, një kryetar partie në pozita mbrojtëse dhe më së shumti jashtë qeverisë. Për ministrat, no comment. Nuk dua të shtoj edhe më hatërmbetjet që më kanë mbërritur…
Të besosh që Bamir Topi, sot tashmë lideri zyrtar i partisë Fryma e Re Demokratike, do të copëtojë të Djathtën duke i hequr Partisë Demokratike monopolin e votave të djathta, është e arsyeshme. Të mos e besosh, është edhe më e logjikshme. Sepse shtrohen disa pikëpyetje në lidhje me atë çka do të jetë me të vërtetë e Re, në prurjen e Bamir Topit. Jo sepse Topi nuk është një figurë simpatike, dhe mbi të gjitha një politikan i qetë, por nuk është ende e perceptueshme cila është energjia që ai do të përçojë në politikën shqiptare. Kundërshtia ndaj Berishës, është një hap i parashikueshëm dhe i interpretueshëm, por gjithsesi i pamjaftueshëm.
Të jesh thjesht kundër Berishës, nuk mjafton më. E rëndësishme është sesi do të jesh dhe për çka do të jesh, kundër Berishës. Ose më saktë, duhet shtuar premisa dhe perceptimi se për çfarë është Pro ish-Presidenti Topi.
Për çfarë Reforme në fushën e ekonomisë, në fushën e sigurisë, në fushën e një morali të ri, të një qeverisjeje të re.
Por edhe kjo nuk mjafton.
Premtimit se çfarë Ndryshe, kjo forcë politike do të bëjë dhe di të bëjë, duhet shoqëruar se me kë dhe me cilat figura publike do ta bëjë. Dhe duke angazhuar cilën shtresë të shoqërisë shqiptare do të mund ta bëjë.
Të besosh se Berisha do të ndryshojë qëndrim ndaj performancës së Qeverisë së vet, duke e shëndoshur dhe duke e vitalizuar atë, ashtu si do të duhej në këtë fazë të zhvillimit të vendit, është një shpresë që duhet mbajtur gjithmonë gjallë, por mosshpresimi në këtë, është padyshim gjëja më e arsyeshme.
Viti elektoral sapo filloi.
Nëse privatizimi i Albetrolit do të derdhë gjithë ato para, 850 milionë euro, pra, në arkën e Qeverisë Berisha, në të vërtetë e ka ‘shpëtuar’ atë, nga çdo krizë e supozuar ekonomike apo nga çdo krizë likuiditeti. Kjo do të thotë se Berisha do të hyjë në vitin 2013 me arkën financiare të shëndoshur dhe me tregues financiarë të lakmueshëm në këtë periudhë krize globale.
Ta besosh këtë është mirë, të mos e besosh është edhe më mirë. Kjo vendoset nga tringëllima e 850 milionë eurove, nëse ato derdhen cash në arkën e Qeverisë.
Nëntoka shqiptare u jep edhe njëherë dorën shqiptarëve. Një dorë të begatë me verdhushka dhe shanse.
Menaxher i tyre, mbetet Berisha. Për aq sa shqiptarët do ta votojnë.
Duke e besuar dhe duke mos e besuar njëkohësisht.