Tuesday, September 21, 2010

Personi i cili përdor alkoolin, bëhet person asocial, shkëput lidhjet me miqtë, kolegët, dashamirët, pastaj nuk ndjen as obligim ndaj familjes së tij

Luksemburgu, në krye për alkoolin

Ekzistojnë mënyra dhe drejtime të ndryshme që individin e çojnë gjerë tek përdorimi pijeve alkoolike. Për këtë shkak, kur t'i marrim parasysh disa çështje që ndoshta në shikim të parë duken jo problematike, ato e bëjnë individin që të gjejë një dukuri, e cila sipas tij (personit që dëshiron të përdorë alkool), është e arsyeshme dhe një lloj rrugëdalje nga gjendja që posedon. Si shkak kryesor që shpie në alkoolizëm në aspektin sociologjik të njeriut, janë problemet sociale, të cilat e drejtojnë individin në konsumimin e tij. Konsumimi i alkoolit bëhet në mënyrë për t'u ikur tensioneve, problemeve e telasheve të ndryshme, pastaj personat e bëjnë shprehi dhe pinë 5 deri 10 herë më shumë alkool si pasojë e rritjes së tolerancës ku vjen deri tek amnezia (harresa) alkoolike ku personi harron gjërat e një nate me parë kur ka qenë duke pirë. Dhe kështu ai fillon të pijë alkool edhe në vetmi, d.m.th pa praninë e shoqërisë (ku tani më, në vetmi ka filluar dëshira patologjike e tij), kjo çon në humbje të kontrollit të këtij konsumuesi që është shenjë e varësisë fizike.

Në fazën e mëvonshme, tek alkoolisti fillon pagjumësia, izolimi, gjykimi i vetvetes, stresi i madh dhe pendimi. Këto bëhen shkak për të konsumuar sasi edhe me të madhe alkoolike, ose dhe më keq se kjo; sjell mendime të tilla tek alkoolisti sa që ai të bëjë vetëvrasje si shkak i këtyre problemeve. Personi i cili përdor alkoolin, bëhet person asocial, shkëput lidhjet me miqtë, kolegët, dashamirët, pastaj nuk ndjen as obligim ndaj familjes së tij. Tani më ai ka vetëm një dëshirë dhe një obligim të vetëm në jetën e tij e ajo dëshirë është pirja e alkoolit. Ai nuk është më në gjendje për të bërë asgjë që ngrisin moralin dhe vlerën e tij. Ky person ka arritur "NË FUND", por ky fund mund të jetë dhe fillimi i një fundi pozitiv apo me një thënie tjetër, rruga drejt mjekimit të alkoolizmit…

Ndikimi i alkoolit në organizmin e njeriut

Pijet të cilat kanë përmbajtje alkoolike, veprojnë shumë shpejt në organizëm dhe kjo ndodh sepse alkooli ka peshë të vogël molekulare dhe në këtë mënyrë, depërton lehtë në mukozë dhe shumë shpejt resorbohet (thithet). Kështu që kalon nëpër qeliza e sidomos në qelizat nervore të konsumuesit. Thithja e alkoolit fillon qysh në lukth e sidomos thithet më shpesh në zorrët e holla dhe në këtë mënyrë arrin në mëlçi ku dhe fillon zbërthimi i alkoolit. Ai, pastaj trajtohet në rrugë të ndryshme, përmes mushkërive ose veshkave (urinës). 90% e tij zbërthehet në dyoksid karboni dhe ujë. Nëpër të gjitha organet që kalon alkooli në organizëm lenë gjurmë negative, deri në dëmtime të plota të këtyre gjurmëve. Ndaj dhe konsumimi i tij konsiderohet sëmundje e jo ves dhe personi është alkoolist. Thënë shkurt, alkooli dëmton pjesët organike më kryesore të njeriut.

Studimi tek gratë

Studimi i kryer nga shkencëtarët e Universitetit Oksford zbulon se gratë të cilat konsumojnë një pije alkoolike në ditë ballafaqohen me rrezik më të madh për të zhvilluar lloje të caktuara të kancerit. Sipas studiuesve, rreziku rritet për çdo pije shtesë që konsumohet. Në studim u përfshinë më shumë se një milion gra të moshës mesatare që jetojnë në Britaninë e Madhe dhe të cilat mesatarisht konsumojnë një pije alkoolike në ditë. Studiuesit mësuan se gjatë një periudhe shtatëvjeçare, gati 69,000 nga këto gra u diagnostikuan me kancer.

Doktoresha Jodi Moffat nga Instituti Britanik për Hulumtimin e Kancerit që e organizoi këtë studim, thotë se lloji i alkoolit të konsumuar nuk ka qenë faktori kryesor. "Një pjesë interesante e këtij studimi është se shkencëtarët po synonin të gjenin në se rreziku ishte i ndryshëm për lloje të ndryshme të alkoolit të konsumuar. Për shembull, në se pija ishte verë, apo përzierje e llojeve të ndryshme të alkoolit - duke përfshirë edhe birrën. Ata erdhën në përfundim se ajo që është e rëndësishme, është sasia e alkoolit të konsumuar e jo lloji i alkoolit të konsumuar". Studiuesit thonë se gati 13 përqind e kancereve të gjirit, mëlçisë, të zorrës së trashë dhe të grykës, mund të jenë shkaktuar nga përdorimi i alkoolit.

Statistikat e përforcojnë këtë gjë. Në një grup prej 1,000 grash, të cilat mesatarisht konsumojnë nga një pije në ditë, 15 prej tyre mund të preken nga kanceri deri në moshën 75. Dy pije në ditë do ta dyfishonin këtë rrezik. Tri pije në ditë do të rrisnin rrezikun në 45 raste të tjera të kancerit, që në kushte normale nuk do të paraqiteshin. Sipas studiuesve, shumica e rasteve të kanceri do të mund të ishin në gji. Doktor Robert Breuer nga Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se rezultatet nga këto studime përputhen me rezultatet e studimeve të tjera, të cilat kanë treguar se kur është fjala për kancerin, nuk ekziston një sasi e caktuar, e padëmshme e alkoolit që mund të konsumohet. "Si këshillë e përgjithshme, konsumimi më i vogël i alkoolit, pa dyshim që është më i mirë se përdorimi më i madh. Por, edhe konsumimi në sasi të vogla, të cilat rekomandohen në dieta, përmban rrezik. Zakonisht është një rrezik shumë i vogël, por është diçka për të cilin njerëzit duhen të jenë të informuar kur ata marrin vendime për konsumimin e alkoolit për vete". Por studimi i Universitetit Oksford ka gjetur se konsumimi i alkoolit rrezikon më pak të zhvillojë disa lloje kanceri, duke përfshirë atë të gjendrës tiroide dhe disa kancere të tjera. Studiuesit thonë se nevojiten kërkime të tjera për të mësuar më shumë për efektet e alkoolit.

Disa studime të publikuara flasin për ndikimin pozitiv në sëmundjet kardiovaskulare nga konsumimi i verës së kuqe. Por doktori Robert Breuer thotë se këto dobi mund të jenë falë faktorëve të tjerë, si aktivitetet fizike ose sasisë së vogël të yndyrnave. "Sinqerisht, unë mendoj se ende nuk dihet në se konsumimi mesatar i alkoolit është, apo nuk është i dobishëm. Unë mendoj se është shumë e mundur, sidomos, kur është fjala për sëmundjet e zemrës. Por, është shumë e mundur që shumë veti mbrojtëse që ne mendojmë se vijnë nga konsumimi i alkoolit mund të vinë nga faktorë të tjerë". Studimi i Universitetit të Oksfordit zbuloi se kur alkooli është në trup, ai shndërrohet në një kimikat që mund të shkaktojë kancerin, duke dëmtuar ADN-në. Po ashtu, studimi thotë se njerëzit të cilët konsumojnë alkool dhe duhan njëkohësisht, janë më të rrezikuar, pasi alkoholi mundëson që indet në gojë të thithin kimikatet nga duhani, që shkaktojnë kancerin.

1. Luksemburgu

Konsumimi vjetor i alkoolit: 15.5 litra për banor

Konsumimi i birrës: 84.4 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç (birra); 18 (pijet e tjera alkoolike)

2. Franca

Konsumimi vjetor i alkoolit: 14.2 litra për banor

Konsumimi i birrës: 35.5 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç (birra); 18 (pijet e tjera alkoolike)

3. Irlanda

Konsumimi vjetor i alkoolit: 14.2 litra për banor

Konsumimi i birrës: 131.1 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

4. Hungaria

Konsumimi vjetor i alkoolit: 12 litra për banor

Konsumimi i birrës: 75.3 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

5. Çekia

Konsumimi vjetor i alkoolit: 11.8 litra për banor

Konsumimi i birrës: 156.9 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

6. Spanja

Konsumimi vjetor i alkoolit: 11.5 litra për banor

Konsumimi i birrës: 83.8 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

7. Danimarka

Konsumimi vjetor i alkoolit: 11.5 litra për banor

Konsumimi i birrës: 89.9 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç (vetëm në bare ka limite)

8. Portugalia

Konsumimi vjetor i alkoolit: 12.9 litra për banor

Konsumimi i birrës: 59.96 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç

9. Zvicra

Konsumimi vjetor i alkoolit: 11.2 litra për banor

Konsumimi i birrës: 57.3 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç (për birra); 18 (për pije të tjera alkoolike)

10. Austria

Konsumimi vjetor i alkoolit: 11.1 litra për banor

Konsumimi i birrës: 108.3 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç (për birra); 18 (për pije të tjera alkoolike)

11. Gjermania

Konsumimi vjetor i alkoolit: 10.5 litra për banor

Konsumimi i birrës: 116.8 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 14 vjeç (për birra); 16 (për verë); 18 (për pije të tjera alkoolike)

12. Anglia

Konsumimi vjetor i alkoolit: 10.4 litra për banor

Konsumimi i birrës: 99 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

13. Belgjika

Konsumimi vjetor i alkoolit: 10.3 litra për banor

Konsumimi i birrës: 93 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç

14. Holanda

Konsumimi vjetor i alkoolit: 10.1 litra për banor

Konsumimi i birrës: 79 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 16 vjeç; 18 vjeç (për pije të tjera alkoolike)

15. Australia

Konsumimi vjetor i alkoolit: 9.8 litra për banor

Konsumimi i birrës: 109.9 litra për banorë

Mosha ligjore e përdorimit të alkoolit: 18 vjeç

Radiograma e diktatorit Hoxha për Masakrën e Tivarit

Dokumentet e formosura nga Enver Hoxha; "Të arratisurit dërgojani divizionit serb"

Radiograma e diktatorit Hoxha për Masakrën e Tivarit

Gjenocidi i ekzekutimit të mbi 5000 mijë kosovarëve në periudhën shtator 1944 e deri qershor 1945 nga Ushtria Nacional Çlirimtare jugosllave e ndihmuar nga divizionet shqiptare vazhdoi edhe pas masakrës famëkeqe të 31 marsit në Tivar. Pasi të mobilizuarit kosovarë kishin pikasur qëllimin e vërtetë të mbledhjes së tyre, i cili nuk ishte aspak ndjekja e fashistëve për të çliruar Kosovën, por eliminimi fizik i tyre, ata filluan që të dezertonin nga radhët e ushtrisë së Kosmetit. Një mbështetje për të mobilizuarit e traumatizuar në këtë periudhë nga dhuna sistematike e kryer nga UDB-ja, ishin divizionet V dhe VI shqiptare, të cilat kryenin misionin e caktuar nga diktatori Hoxha. Por si duket, skema e rekrutimit të kosovarëve nga divizionet shqiptare dhe dorëzimi më pas i tyre në radhët e ushtrisë jugosllave filloi të zbulohej nga kosovarët, të cilët po dezertonin edhe nga divizionet shqiptare. Ky shqetësim vë në lëvizje krerët drejtues të divizionit V, pjesë e të cilit ishte edhe Ramiz Alia, ku i kërkojnë një mendim urgjent komandës së përgjithshme për të vepruar sa më shpejt. Kjo vërtetohet nga letërkëmbimi që Komisari Politik i divizionit V, Gafur Cuci, bërë në datën 28 maj 1945. "Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do të shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni", shkruan Cuci për komandën e përgjithshme të UNÇSH. Në Arkivin Qendror të është gjetur edhe një dokument tjetër, i cili implikon divizionet shqiptare në dorëzimin e kosovarëve në ushtrinë jugosllave. Në këtë dokument dërguar nga Divizioni V për komandën e përgjithshme, ku udhëheqës ishte Enver Hoxha, i kërkohej këtij të fundit si të vepronin me kosovarët e kapur, pasi Shtabi Operativ i Kosmetit i urdhëronte që t'i dorëzonin të mobilizuarit në Divizionin 52 serb. "Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit, që sot janë në divizionin tonë, t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës, çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër", thuhet në letrën e datës 30 maj 1945. Po në këtë datë, diktatori Enver Hoxha, udhëheqësi i komandës së përgjithshme, i kthen një përgjigje, me anë të së cilës i kërkon krerëve të Divizionit V ta informojnë rreth numrit të kosovarëve që ky divizion ka mobilizuar në terren. "Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren", shkruan Enver Hoxha. Divizioni V informon Enver Hoxhën nëpërmjet një letërkëmbimi një ditë më vonë, në 1 qershor 1945, ku i jep numrin e të arratisurve dhe të të mobilizuarve kosovarë. "Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ja kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398", shkruan sekretari politik i divizionit të V, Gafur Cuci. Ajo e cila do ta faktojë më së miri bashkëpunimin e Ushtrisë Nacional Çlirimtare shqiptare dhe asaj jugosllave në dorëzimin e kosovarëve nën komandën e jugosllavëve dhe më pas eliminimin fizik të tyre, është radiograma e dërguar nga Enver Hoxha. Në përgjigje të urdhrit jugosllav për t'iu dorëzuar atyre kosovarët e divizionit të V, diktatori Hoxha jep miratimin e kësaj lëvizjeje. "Të arratisurit e dorëzuar në divizionin tuaj dërgojani Divizionit 52", urdhëron Hoxha. Regjimi komunist dhe drejtuesit e tij në Shqipëri heshtën dhe nuk pranuan asnjëherë që kishin bashkëpunim apo dijeni në këtë masakër. Por letërkëmbimet e zbardhura në gazetën tonë hedhin poshtë mosdijeninë, ndërsa faktojnë diçka më shumë që jo vetëm kanë qenë në dijeni, por edhe që kanë patur gisht në gatimin e masakrës më famëkeqe të kombit shqiptar.

Dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos për masakrën

Xoxe: E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës... Mirë t'iu bëhet!

Lidhjen mes komunistëve serbë dhe atyre shqiptarë për Masakrën e Tivarit e vërtetojnë edhe dëshmitë e dy prej njerëzve që kanë qenë pjesë e divizioneve shqiptare V dhe VI me mision në Kosovë. Në librin "Dëshmi dhe udhëkryqe të historisë", ku është edhe Masakra e Tivarit, shkrimtari dhe publicisti Apostol Duka jep dëshmitë e Shefqet Peçit dhe Arif Haskos, të cilët shprehen për këtë ngjarje. I pari që ka hedhur dritë mbi këtë masakër ka qenë Shefqet Peçi, i cili pasi informon Koçi Xoxen për situatën dhe veprimet midis divizioneve shqiptare dhe serbe, vetë Xoxe i kthehet duke i thënë të mos merakoset për ca të vrarë të Kosovës. "I bëra njëmbëdhjetë faqe informacion Komitetit Qendror, që në Tiranë t'a mësonin si qe puna dhe të ankoheshin te Titua. Kur u ktheva në Tiranë, u poqa me Koçi Xoxen dhe e pyeta se ç'ishte bërë me atë informacionin tim dhe ai më tha qetësisht: 'E mo, Shefqet, ç'bëhesh merak për ca të vrarë të Kosovës...' Por ata nuk ishin ca, po mijëra të rinj, o shoku Koçi, iu ktheva me zemërim. Mijëra, mijëra, por të gjithë ishin bashkëpunëtorë të Rexhep Mitrovicës dhe Xhemë Gostivarit, që i kishin lyer duart me gjak partizanësh jugosllavë dhe e patën me hak gjysmën e lekut, e mbylli bisedën Koçi", shprehet Peçi. Ndërsa Arif Hasko, në atë kohë komisar i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, pohon me shumë përgjegjësi se, "Në ditët e fundit të marsit të vitit 1945, ndodhesha rastësisht në Shkodër, ku më ndodhi edhe një incident me partizanët e Brigadës së 22-të Sulmuese, të cilët nuk më njihnin dhe më arrestuan, nga që më panë të veshur bukur dhe menduan se mund të isha ndonjë ballist ose kolaboracionist i maskuar. Në ato çaste mërzie, më lajmëruan nga Tirana me fonogram se aty do të vinin ca kosovarë (vullnetarë), të cilëve ishte mirë t'iu flisja për luftën kundër fashizmit, për vëllazërimin midis shqiptarëve dhe popujve të Jugosllavisë etj", shprehet Hasko në librin e Apostol Dukës. Gjithashtu, komisari i Divizionit të Dytë Sulmues të Ushtrisë Nacionalçlirimtare tregon edhe për keqtrajtimet dhe torturat që kryheshin për kosovarët nga ushtritë jugosllave. "Interesohem dhe mësoj se një kolonë të madhe kosovarësh e kishin rrasur në Tebojë, në ca kazerma të braktisura. Ishte paraditja e 31 marsit. Shkoj dhe i gjej të rrahur, të masakruar, disa edhe të lidhur nga duart. Sa hyra mes tyre, ata ulën kokat, asnjëri nuk deshi të më shihte në sy. Rrethoheshin nga shoqërues malazez, të armatosur mirë, anash ishin ngritur mitralozët. I pyes shoqëruesit se ku po i çonin dhe më thonë se janë rekrutë që do të plotësojnë formacionet e Armatës së Katërt Jugosllave. Pyes se përse nuk kanë armë, përderisa janë rekrutë dhe më thonë se do t'i marrin kur të shkojnë në vend, kërkoj shpjegime se përse shumë prej tyre janë të keqtrajtuar dhe më thonë se ata kanë dashur të arratisen. Në këto kushte, nuk kam ç'të flas, thashë dhe u largova i revoltuar", shprehet Hasko. Për të forcuar dëshminë e dhënë nga Shefqet Peçi, ne po iu publikojmë edhe rrëfimin që ka dhënë Hasko përsa i përket dijenisë së udhëheqjes së UNÇSH për këtë masakër. Sipas tij, jo vetëm që ata ishin në dijeni, por edhe se për krerët e UNÇSH kjo masakër nuk përbënte asgjë. "Pasdite, ata i nisën me ngut për në Malin e Zi, ndërsa të nesërmen a të pasnesërmen, u përhap me shpejtësi lajmi se i kishin vrarë e masakruar të gjithë në qytetin e Tivarit. Kur u ktheva në Tiranë, ia tregova ndodhinë Koçi Xoxes dhe ai nuk shfaqi asnjë shenjë shqetësimi. "Mirë t'iu bëhet! - më tha. - Janë të gjithë pasues të Xhemë Gostivarit e Rexhep Mitrovicës… E di mirë këtë problem, më ka shkruar edhe Shefqet Peçi…", thekson Hasko për shkrimtarin Duka. Ish-Presidenti i fundit komunist, Ramiz Alia, ka hedhur poshtë akuzat e Kryeministrit Sali Berisha për implikimin e tij dhe komunistëve në Masakrën e Tivarit, të ndodhur në mars të vitit 1945, kur UDB-ja jugosllave, sipas udhëzimeve të qeverisë së saj në Beograd, ekzekutoi mbi 5000 kosovarë të pafajshëm. Por nga dëshmitë e dhëna dhe nga letërkëmbimet e publikuara nga gazeta jonë, vërtetohet se Enver Hoxha dhe Ramiz Alia kanë qenë pjesë e gatimit të masakrës famëkeqe në historinë e kombit shqiptar.

Divizioni V, datë 28.5.1945

Komandës së përgjithshme.

Në lidhje me telin tonë N,exrtra rez datë 22.5.1945. Ata që gjer dje kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit dhe sot janë dorëzuar në reshtat tona, fillojnë të dezertojnë se është hapur parrulla që ne do shkojmë në kufirin grek. Dezertimet po ngjasin nga këta të fundit dhe prej atyre që për të mos u hedhur në ushtrinë jugosllave nga frika ardhën me ne, ndërsa pjesa tjetër qëndron mirë. Në rast lëvizjeje për në një tjetër sektor të gjithë ata që kanë dezertuar nga radhët e ushtrisë së Kosmetit mund të na dezertojnë. Mejtoni dhe na lajmëroni.

Për shtabin e Divizionit V.

Komisari Polititk Gafur Cuci.

Divizioni V, 30.5.1945

Komandës së Përgjithshme

Shtabi Operativ i Kosmetit prapë na i kërkon të gjithë të dorëzuarit ose të kapurit që sot janë në divizionin tonë t'ia dorëzojmë Divizionit 52. Me këta të Shtabit Operativ të Kosmetit mezi merremi vesh se bëjnë gjithsecili pas kokës çdo përgjegjës zyre. Për shembull, oficeri i artilerisë na dërgoi një urdhër.

RADIOGRAMË

Divizionit V

Na lajmëroni sa bëhet numri i të arratisurve që janë dorëzuar në divizionin tuaj dhe sa bëhet numri i kosovarëve që keni mobilizuar në terren.

ENVER

Divizioni V, 1.6.1945

Komandës së Përgjithshme

Numri i të arratisurve që janë dorëzuar në repartet tona arrin deri në 155 veta, me përjashtim të disa kriminelëve që ia kemi dorëzuar M.P sipas kërkesës së tyre. Numri i kosovarëve që janë mobilizuar është 1398.

Gafur Cuci

Radiogramë 5 qershor 1945

Divizionit V

Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj dërgojani divizionit 52.

Enver

Përgatiti: Kreshnik MERSINLLARI

Hetohet kreu i bankës së Vatikanit


BBC

Prokurorët në Itali po hetojnë presidentin e Bankës së Vatikanit, Ettore Gotti Tedeschi, nën dyshimet për shkeljen e ligjeve për pastrim parash.


Autoritetet italiane konfiskuan më shumë se 30 milion dollarë nga fondet e bankës.


Zoti Gotti Tedeschi dhe një tjetër menaxher dyshohen se i kanë anashkaluar ligjet që i detyrojnë bankat që japin informacione për financat.


Kjo bankë, e cila njihet zyrtarisht si Instituti për Vepra Fetare, menaxhon llogaritë bankare të Kishave romano-katolike.


Herën e fundit që banka e Vatikanit u përfshi në një çështje të debatueshme ishte viti 1982.


Atëherë ajo u lidh me kolapsin e një banke private, Banco Ambrosiano, e akuzuar për lidhje me krimin e organizuar.

Monday, September 20, 2010

Avokatët sulmojnë ashpër Topin për dekretet e Gjykatës së Lartë

“Kandidaturat e Topit, përzgjedhja nuk është transparente”

Dhoma e Avokatisë sulmon kreun e shtetit, Bamir Topi, për mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të të gjitha niveleve. Në një deklaratë për shtyp Dhoma e Avokatëve shqiptarë deklaron se Presidenti Topi nuk është transparent në përzgjedhjen e kandidaturave dhe ka thelluar edhe më shumë hendekun e korrupsionit në këtë proces.
Akuzat
Dekretet e Presidentit Topi janë cilësuar si të padrejta nga Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë, e cila përmes një deklarate për shtyp, thekson se korrupsioni ka përfshirë edhe punën e institucionit të Presidencës. “Me keqardhje konstatojmë se këto fenomene jo vetëm qe nuk po luftohen por përkundrazi po thellohen të stimuluara nga zbatimi i një procesi aspak të drejtë ligjor dhe bindës që shpesh është reflektim i interesave të ngushta të klaneve, duke braktisur kriteret e ndershmërisë, profesionalizmit dhe atë të karrierës në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve në të gjitha shkallet e gjyqësorit, përfshire edhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese”, citohet në deklaratë. Avokatët theksojnë më tej se “Komuniteti i avokatëve ka bindjen se një gjyqësor i pavarur, i paanshëm, profesional e i ndershëm, mund të vendoset dhe funksionojë, atëherë dhe vetëm atëherë kur në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve të zbatohen në mënyrë transparente dhe rigoroze jo vetëm kriteret formale por mbi të gjitha ato profesionale dhe morale”.
Nisma
Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë tha mbështeti nismën e Presidentit i Topi për ngritjen e Grupit Konsultativ me qëllim përcaktimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë për emërimet në gjykatat më të larta të vendit. “Kriteret e përcaktuara dhe të miratuara nga Presidenti i Republikës përveç aspekteve formale përfshinë mbi të gjitha kriterin moral, profesional, dhe të karrierës që duhet të konkurrojnë tek kandidatët cilësorë”, thuhet në deklaratë. Po më tej, ky dikaster citon se ka mbetur i zhgënjyer nga kreu i shtetit, i cili braktisi këtë proces. “Me keqardhje konstatojmë se ky proces u braktis nga Presidenti i Republikës duke u deformuar dhe kthyer në një show demagogjik, rezultat i te cilit solli mospërfshirjen në listën e kandidatëve të dekretuar të personaliteteve të fushës së drejtësisë me integritet të lartë profesional dhe moral brenda dhe jashtë vendit. Kjo nuk beri gjë tjetër veçse krijoi një precedent të rrezikshëm i cili i dha qytetari antivlerave, si paaftësia dhe korrupsioni”.

Pse po vonohet ngritja e shtatores së presidentit Rugova?!


Blerta Maliqaj
Ministri Haziri: Jemi të “varur” nga komuna

Fotografia e madhe e presidentit Ibrahim Rugova, ngjitur në murin e një pallati në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka nisur të zverdhet, e në fakt nuk mund të presim më shumë nga një “letër”. Tashmë u bë një kohë e gjatë pritjesh për një shtatore, që pa dyshim i mungon kryeqytetit dhe Kosovës. Premtime pas premtimesh, projekti për një shtatore kushtuar presidentit Rugova veçse po “pluhuroset” sirtarëve të institucioneve të ndryshme.

Mungesa e ofertave për t’iu përgjigjur konkursit, të cilin kohë më parë e ka shpallur Komuna e Prishtinës, për shtatoren e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ka bërë që Drejtoria e Urbanizmit e kryeqytetit të fillojë hartimin e një projekti ideor që ka të bëjë me këtë çështje. Mirëpo, përveç kësaj ende nuk ka asgjë konkrete që do të çonte në ngritjen e shtatores së njërës prej figurave më emblematike të shtetndërtimit në Kosovë. Pavarësisht nga premtimet, si nga ana e ministrave të mëparshëm të Kulturës, ashtu edhe nga Komuna e Prishtinës, se shumë shpejt kryeqyteti i Kosovës – Prishtina në mesin e shtatoreve e monumenteve të shumta të personaliteteve të dalluara do ta ketë edhe shtatoren e presidentit Rugova, asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim përveç premtimeve. Ministri i Kulturës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se institucioni të cilin ai e drejton në këtë çështje ka rol dytësor nga Komuna e Prishtinës. “Natyrisht që do të ndodhë, në këtë rast ne e kemi një rol sekondar, sepse qyteti i Prishtinës, Presidenca dhe institucionet e tjera, janë ato që po punojnë për këtë qëllim. Ne e përfaqësojmë Qeverinë në këtë iniciativë dhe, natyrisht, jo vetëm shtatorja në sheshin kryesor të kryeqytetit, por do të bëhet edhe ligji për presidentin, do të merren edhe disa iniciativa të tjera që çojnë në drejtim të vendosjes së emrit dhe figurës së autoritetit të tij si themelues i shtetit, aty ku e ka vendin”, ka thënë për “Botën sot”, ministri Haziri. Ai gjithashtu ka deklaruar se në këtë rast Ministria është e varur komplet nga Komuna e Prishtinës, për shkak të planifikimit urban dhe planeve që duhen të miratohen në Asamblenë Komunale. Ndërkaq implementimin e këtij projekti, në atë pjesë që i takon Ministrisë, Haziri premton se do ta bëjnë atëherë kur të jenë kryer punët nga Komuna. Mirëpo ai e vlerëson lart punën e të parit të Prishtinës në këtë drejtim, se ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, duke i dhënë dinamikë dhe frymë krejtësisht tjetër shtatores së dr. Ibrahim Rugovës. Ç’është e vërteta ne në kryeqytet ende nuk po vërejmë ndonjë hap në realizimin e këtij projekti, i cili ka rëndësi të madhe jo vetëm për Prishtinën, por edhe për gjithë Kosovën. Ndërkaq, këshilltari i Isa Mustafës, Asdren Osaj, ka thënë: “Komuna e Prishtinës disa herë e ka shpallur konkursin për projektin e sheshit Ibrahim Rugova, mirëpo në mungesë të ofertave ajo është detyruar që ta anulojë disa herë këtë proces”. Osaj ka thënë për “Botën sot” se Komuna e ka angazhuar Drejtorinë e Urbanizmit që të fillojë hartimin e një projekti ideor, rreth rregullimit të sheshit Ibrahim Rugova. Mirëpo, siç deklaron edhe vetë Osaj, ende nuk ka asgjë konkrete për këtë.

Saturday, September 18, 2010

Masakra e Tivarit, zbardhen dokumentet mbi Ramiz Alinë

Si u dorëzuan nga Enver Hoxha tek brigadat serbe mijëra shqiptarë të Kosovës

Mbi 5000 shqiptarë të vrarë është bilanci i masakrës më të tmerrshme në historinë e kombit shqiptar. Më e tmerrshme dhe pa u dënuar asnjëherë nga pushtetarët e asaj kohe si nga pala jugosllave po ashtu edhe ajo shqiptare. E përmendim shtetin dhe udhëheqësit e saj shqiptar pasi kjo masakër në një farë mënyre, megjithëse janë fshehur shumë të dhëna që faktojnë bashkautorësinë e tyre në vrasjen e mbi 5000 mijë shqiptarëve, përsëri historia i nxjerr zbuluar ata. Po cili është roli i udhëheqësve shqiptarë të vitit 1945 në ekzekutimin makabër të vëllezërve tanë kosovarë? Nëpërmjet disa fakteve duhet të ndezim një shkëndijë të vogël, e cila do të ndezi përgjithnjë dritën e madhe të së vërtetës së genocidit shqiptar të muajve mars-prill 1945.

Si nisi kjo ngjarje

Shtabi Operativ i "Kosmetit" i urdhëruar nga Shërbimi Sekret i Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, me qëllim të shpërbërjes së bërthamës së qëndresës shqiptare në Kosovë, gjatë muajve mars-prill, por edhe më tej të vitit 1945, mobilizon me dhunë shqiptarët për t'i dërguar në frontin e dytë të ashtuquajtur të "Adriatikut" në veriperëndim të Jugosllavisë. Skenaristët e Masakrës së Tivarit, për dërgimin e mobilizuesve shqiptarë në pjesët veriperëndimore të Jugosllavisë, kishin zgjedhur rrugën Prizren - Kukës - Shkodër - Tivar - Dubrovnik - Rijekë. Për këtë front mobilizuan shqiptarët nga Vushtrria, Besiana (ish-Podujeva), Prishtina, Kaçaniku, Ferizaji, Gjilani, Lipjani, Shtimja, Theranda, Burimi, Peja, Gjakova, Rahoveci, Sharri, Prizreni. Intervali i mobilizimit do të prekte edhe territorin e Shqipërisë dhe për këtë forcat e UNÇJ duhet të bashkpunonin me UNÇ shqiptare, të cilat do të lejonin kordonin e gjatë të "kosovarëve fatkeqë" nën drejtimin e udhëheqësve jugosllavë, pa u cenuar në territorin shqiptar. Deri në këtë moment historia tregon se udhëheqësit shqiptarë me në krye Enver Hoxhën, nuk do të ishin drejtpërdrejtë bashkautorë në masakrën e shfarosjes së burrave të rezistencës kosovare. Por marrëveshja e bërë midis UNÇJ me ushtrinë e kuqe ruse, me forcat bullgare dhe me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ të Shqipërisë në 2 shtator të vitit 1944 do të faktojnë të kundërtën.

Çfarë synonte marrëveshja?

Në vjeshtën e vitit 1944, Shtabi Suprem i UNÇJ-së i drejtuar nga Josip Broz Tito, në emër të internacionalizmit, do të bëjë marrëveshje me ushtrinë e kuqe ruse, pastaj me forcat bullgare dhe më 2 shtator 1944 edhe me SHP të UNÇ të Shqipërisë, për të zhvilluar operacione të përbashkëta ushtarake kundër forcave gjermane në Jugosllavi. Kjo marrëveshje, e cila kishte synimin parësor luftën kundër fashizmit, devijoi në një plan tjetër ku do të eliminoheshin të gjithë kosovarët, të cilët do t'i bënin rezistencë forcave jugosllave. Luftimet më të ashpra në Kosovë brigadat sllavokomuniste, do t'i zhvillojnë gjoja "kundër Forcave të Mbrojtjes Kombëtare të Shqipërisë Etnike dhe bandave shqiptare që po mbretërojnë në Kosovë". Për të argumentuar këtë qëndrim, letra e Miladin Popoviçit, të cilën në emër të KK të PKJ-së ua dërgoi të gjithë komisarëve politikë në Kosovë, e shpjegon më së miri qëllimin e marrëveshjes së 2 shtatorit 1944. Në letër ndër të tjera, M.Popoviç shkruan: "Edhe pse Kosovë-Metohia janë pa pushtues, ne nuk sundojmë në gjithë terrenin. Pengesa janë bandat e armatosura që përhapin shovinizëm. Tash kemi detyrë të patjetërsueshme spastrimin e Kosovës dhe të Metohisë nga këto banda. Bandat duhen likuiduar energjikisht dhe pa mëshirë. Tokat e atyre që nuk dorëzohen deri në afatin e caktuar do të konsiderohen të shtetit e këtë (konfiskim - vërejtja ime Sh.B) do ta bëjnë shtabet (e UNÇJ-së-vërejtja ime Sh.B). Në fshatrat që është bërë rezistencë duhen gjetur organizatorët dhe duhet dorëzuar gjyqit ushtarak, që do t'i gjykojë menjëherë e fshatarët t'i çarmatosë…". Sipas marrëveshjes, UNÇJ-UNÇSH, në fillim të tetorit 1944 në Kosovë do të futen Brigadat III dhe V të Korparmatës I të UNÇ të Shqipërisë. Marrëveshja UNÇ jugosllave-UNÇ shqiptare: Brigada e III dhe e V nga Shqipëria për spastrimin e Kosovës nga çetat që bëjnë rezistencë. Këtu do të dilte fare hapur emri i më të përfolurit për pjesëmarrje në genocidin kundër shqiptarëve, Ramiz Alisë.

Si e mori urdhrin Ramiz Alia për të qenë pjesë e forcave të UNCSH në mobilizimin e shqiptarëve që do të bënin rezistencë kundër pushtimit jugosllav në Kosovë

Për shumë vite me radhë Ramiz Alia e ka mohuar prezencën e tij në mobilizimin dhe ekzekutimin e mijëra shqiptarëve, të cilët u bënë pengesë e ushtrisë jugosllave në pushtimin e Kosovës. Kjo për shkak të regjimit 50-vjeçar të diktaturës më të egër në historinë komuniste botërore. Duke u mbrojtur nga komoditeti që jepte regjimi komunist në fshehjen e shumë krimeve makabre të bëra nga udhëheqësit politikë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe eleminimin e dokumenteve, Ramiz Alia nuk është prononcuar asnjëherë për çka ndodhi netët e fundit të marsit 1945. Komisari politik Ramiz Alia, i dyshuari kryesor në vrasjen e mijëra shqiptarëve në librin e tij të botuar së fundmi është munduar të shtrembërojë të vërtetën, por gjithsesi në mes rreshtash ku Alia tregon për momentet e caktimit të tij në krye të Divizionit V nga komisari i Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, shumë njerëz do të zbulojnë misionin e fshehtë që do të kishte Divizioni V dhe VI në mobilizimin dhe ekzekutimin e kryengritësve kosovarë. Ndër të tjera, në librin e tij "Jeta ime", Alia shkruan se urdhri i erdhi nga Enver Hoxha, ku i kërkoi që të kryente më së miri këtë detyrë pasi ky mision kishte një rëndësi të veçantë politike. Çfarë ka dashur të nënkuptonte Enver Hoxha me "rëndësinë e veçantë politike"? A mos vallë ky mision ishte një ndër nderet e diktatorit Hoxha në shërbimin ndaj Jugosllavisë? Këto përgjigje duhet t'i japë Ramiz Alia, i cili refuzon gjithmonë të hedhë dritë në prapaskenat e miqësisë së udhëheqësve shqiptarë dhe atyre jugosllavë.

Një pjesë e bisedës midis Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë e shkruar nga ky i fundit në librin "Jeta ime"

Enver Hoxha:

Ti je caktuar si Komisar Politik i Divizionit V, që bashkë me divizionin VI do të vazhdojnë ndjekjen e ushtrisë fashiste në territorin jugosllav.

Ramiz Alia:

Puna si Komisar Politik më trembte për mungesë përvoje dhe për moshën e re që kisha në atë kohë.

Enver Hoxha:

Partia ka besim tek ti se do ta kryesh më së miri këtë detyrë. Mbështetu tek shokët dhe bashkë me to, që komandat dhe shtabet të kryejnë me nder misionin e madh që u është besuar. Vendimi për dërgimin e dy divizioneve tona për të ndjekur ushtrinë gjermane edhe në Jugosllavi ka rëndësi të veçantë politike. Kështu ne ndihmojmë popujt vëllezër të Jugosllavisë për çlirimin e tyre nga fashizmi.

Pse u zgjodh Ramiz Alia?

Shumë pikëpyetje janë ngritur se përse Ramiz Alia do të ishte njeriu adapt për kryerjen e këtij misioni. Pa asnjë hamendësim, por bazuar në të vërteta historike, Ramiz Alia nuk është shqiptar në gjak. Nga pema gjenealogjike atërore konstatohet se Ramiz Alia ka atësi serbo-boshnjake. E ëma erdhi në Shkodër në fillim dekadën e dytë të shekullit të kaluar. Gjithashtu, Ramiz Alia kurrë në jetë nuk përmend origjinën e vet, të familjes, farefisit në kujtimet e shumta. Pra, as ardhja dhe as hapat sistematike të Ramiz Alisë në jetë nuk janë një okazion human, por një program i cipuar i shërbimeve jugosllave të asaj kohe. Si pinjoll besnik i gatuar që në embrion me antishqiptari, agjenti serb Alia i infiltruar përmes lëvizjes komuniste, antinazifashiste u bë promotor i deshqiptarizmit të Kosovës dhe ndihmëtar i instalimit të kolonëve serbo-boshnjak.

Faktet që dëshmojnë se Ramiz Alia ka qenë bashkautor i ngjarjeve të marsit 1945

Ramiz Alia mohon të ketë dijeni se ç'ka ndodhur natën e 31 marsit 1945, duke mohuar kështu edhe se ishte në dijeni që kosovarët e mobilizuar nga çetat partizane shqiptare iu dorëzoheshin atyre jugosllave, ku i priste fundi i hidhur i eliminimit fizik. Duke kërkuar në arkivën qendrore të Shqipërisë rreth ngjarjeve të vitit 1945 vihet re eliminimi i dokumenteve zyrtare që kompromentonin udhëheqësit shqiptarë të kohës përgjatë regjimit komunist. Në arkivën qendrore të Shqipërisë është një terr informacioni përsa i përket periudhës shkurt-qershor të vitit 1945 për letërkëmbimet midis Shtabit të Përgjithshëm dhe dy divizioneve V dhe VI të forcave UNÇSH të dërguara në Kosovë. Nga kërkimi i gjatë në këto arkiva, Gazeta "Rilindja Demokratike" ka bërë të mundur gjetjen e disa dokumenteve ku tregojnë urdhrat që vinin nga Shqipëria për në Kosovë dhe anasjelltas.

Menjëherë pas marrjes së detyrës si Komisar Politik i Divizionit V, i cili u çua me misionin "politik" të Enver Hoxhës, Ramiz Alia filloi të kërkonte mendime nga Shtabi i Përgjithshëm për mënyrën e kryerjes në përpikmëri të detyrave të ngarkuara në kryerjen e misionit si dhe të jepte informacione për ngjarjet e ditës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë. Në letrën drejtuar Shtabit të Përgjithshëm në datën 3 mars 1945, Alia informon udhëheqësin e UNÇSH, Enver Hoxhën se në datën 7 të po këtij muaji, ai dhe forcat e divizionit të tij do të niseshin drejt Novi Pazar-it dhe Mitrovicës. Por ai nuk shkruan se sa do të zgjasë misioni i tij në Mitrovicë. Kjo mbetet e vetmja letër që ekziston në arkivat e shtetit për muajin mars të vitit 1945 nga të tjerat që janë eliminuar nga regjimi komunist për të zhdukur çdo provë që konpromenton lidhjen e Masakrës së Tivarit me udhëheqësit e Partisë Komuniste shqiptare.

Letra dërguar Shtabit të Përgjithshëm nga Ramiz Alia dhe Rahman Parllaku (Komandant i Divizionit V) 3 mars 1945

Komandës së Përgjithshme

Sipas urdhërit të Komandës së Përgjithshme jugosllave përcjellë me anë të korpusit të II jugosllav, forcat e divizionit tonë po lëvizin në drejtim Novi Pazar, Mitrovicë. Lëvizja do të fillojë në datën 7.3.1945 në mëngjes. Për lëvizjen e forcave tona u morëm vesh me mjekët dhe ramë dakord me qenë se nuk lëvizjen Tonë??, jemi marë vesh edhe me Divizionin VI, i cili do të vendoset në Vuçiternë e rrethe.

Manitë dhe kapriçot e Llazi Sërbos në sheshin e xhirimit

Roland Gjoza

Ai ishte një i ikur prej kësaj bote që s'e kuptoi. Kështu i dukej dhe përditë ndahej prej njerëzve. Ai bënte inversin e rinisë së tij të zjarrtë, ato fije që kishte lidhur me talentin dhe shpirtin e tij të jashtëzakonshëm, me shumë miq artistë e njerëz të thjeshtë, gjahtarë, ëndërrimtarë djerraditës, letrarë të panjohur, serenatistë, fotografë të shpërfillur, dështakë, fundërrina të alkoolit, aventurierë, regjisorë të shquar, aktorë të mëdhenj, femra të bukura, i këputi një nga një, pa e ditur se në duart e kësaj aradhe larushitëse mbeten fijet e tij. Ai donte t'i harronte dhe ata gjithashtu, po kjo s'ndodhi. Ai mbeti miku i madh i zhgënjyer dhe i dëshpëruar. Prej harrimit. Ai nuk e donte harrimin. Po atë e harruan, se në skenë ndërruan aktorët, erdhën rishtarët diletantë, politikanët, që luajtën dhe vazhdojnë të luajnë Shekspirin, ndërsa aktoret u dëbuan në kafenenë më të afërt. Ata ende surbin kafenë duke ëndërruar dhe presin se pritja ju është kthyer në fiksion. Llazi Serbo priste në shtëpi. Ai kishte vetëdijen e aristokratit elegant, sqimatar e të përkorë, poterexhi. E shqetësonte dhe një rrudhë në kostumin e rolit, dhe një palë këpucë që e vrisnin, po edhe një dialog i keq. Ai u nxirrte punë regjisorëve. Pyetini, t'ju tregojnë episode dhe në fund pasi të qeshin bujshëm me rrëmujën që krijonte ky aktor egocentrik, nervoz e i paparashikueshëm, do të heshtnin të menduar, e do t'i japin të drejtë.
Tekat
Ai kërkonte 'qiqra në hell'. Ku t'ia gjenim tamam ato këpucët e Petro Nini Luarasit te filmi "Kush vdes në këmbë"? Ai i rrjedhur donte me domosdo ato. Ikte, e linte xhirimin përgjysmë dhe ne viheshim ta kërkonim, pastaj pasi e gjenim te shtëpia e Ferdinand Radit, mikut të tij, i merrnim anën me të njohur se atij nuk i mbushej mendja. "Më gjeni këpucët që të vij, përndryshe u ktheva në Korçë". Sikur të thoshte, u ktheva në Venecia. Dhe e bënte. "O Llazi, po si i do"? "Hapni albumet e fotografëve të Korçës, sidomos ato të Sotirit dhe shqyeni xelat, aty i keni këpucët, kërkojini dhe do t'i gjeni. Unë dua të luaj Petro Ninin në atë kohë, jo me '44-ën. Dhe kalin, jo ngordhësirë, se ju i bini shkurt, po si i zoti, me dinjitet..."
Kali ishte një mrekulli më vete dhe ai e bëri mik që në shikimin e parë. Ishte stërnip i Nakllonit, kalit të racës, dhuratë e Stalinit, që kushtonte dy-tre milionë dollarë. Sa pa kalin, me atë elegance marramendëse, u bë tjetër njeri, tejet i sjellshëm siç ishte kur i ecnin punët dhe kjo i çuditi ata që punonin me të, ngaqë e ndjenë sikur u shpërfillën njëfarësoj prej një kali. Llazi Serbo e nuhaste kallpin dhe binte menjëherë në dashuri kur zemra i trazohej prej ndonjë shpirti flori që lëshonte tingëllimë të hollë që prej së largu. Po, kështu ishte, ai donte shpirtin e vërtetë, jo falsin. Atij i jepej plotësisht dhe me kohë pësonte zhgënjim, se Llazi donte vëmendje dhe lodhje të madhe, aq sa të rraskapiste me manierat e tij prej artisti poterexhi.
Doruntina e Kadaresë
Me te gjithë u prish dhe me të gjithë mbeti mik. Edhe me mua që po shkruaj këto radhë. Sepse atij i hipi në kokë të bënte film. Po film, ama. Sa e donte atë shkëlqimin e uruar. E ndjente se e kishte diku në ajër si një parandjenjë joshëse dhe donte ta kapte. Për dreq në atë kohë isha shef i skenarit dhe ia rrëzuam Doruntinën e Kadaresë. Llazi Serbo të bëjë Doruntinën? Provoja një si panik, më ishin cënuar rëndshëm ca korniza që na bëjnë rëndom të vegjël. Nuk besoja kurrsesi që kjo kryevepër e Kadaresë të gjente përsosjen në kuadrin prej fillestari të Llazi Sërbos, madje e quajta një aventurë të një kokëkrisuri. Po ai s'hiqte dorë, e solli sërish skenarin që mbante firmën e tij si skenarist, si regjisor dhe interpretues të rolit kryesor, Stresit. Kësaj radhe, kishte shtuar dhe e emrin e Kadaresë si bashkëskenarist. Skenari ra për të dytën herë. Ju thashë, ai kishte magjinë e një aktori që kishte lënë gjurmë të forta dhe bënte menjëherë miq. Edhe Kadareja e kishte pranuar këtë kompromis, natyrisht për hir të simpatisë dhe këmbënguljes së tij të hatashme. E solli për të tretën herë me emrin e Viktor Gjikës si bashkëregjisor. Ishte i papërballueshëm dhe i pamposhtur në fiksionin e tij. Të gjithë e bënin nga dashamirësia dhe emri i mirë që kishte si aktor, po nuk i besonin fort. Mos harroni, ishte sprova e parë e tij në kinematografi dhe jo me një vepër dosido, po me Doruntinën e vështirë që as Kosta Gavras s'e kishte realizuar dot. Llazi ishte mahnitur jo vetëm me artin e madh të Kadarese, po veçmas me mesazhin e përjetshëm dhe aq pranë natyrës së tij; fjala e mbajtur. Prandaj kishte shumë miq, se ai e mbante fjalën, zhgënjehej dhe dëshpërohej pa masë se koha që kishte ardhur s'ishte për fjalën e mbajtur.
Humbja
Pastaj do të kalonin vite dhe ai do të humbiste pothuaj. Atje në Korçën e tij aristokratike, që e ngashënjente fund e majë. U mbyll në shtëpi. Punonte, e ndjente se përjashta në ajrin e kryeqytetit ishte ajo parandjenja që e nxiste për t'ia bërë trak me një vepër të madhe që sërish të ringjallej dhe të shpëtonte prej vetmisë. Por vitet kalonin dhe ai edhe me shumë u harrua. Pastaj na erdhi një ftesë prej tij, do të bënte një darkë të madhe në Korçë. Një mbrëmje e paharruar, po krejt e çuditshme sikur aty të merrte pjesë dhe Edgar Allan Poe. Llazi Sërbo, më i bukur se kurrë, kostum të prerë hijshëm, pa një cen, këpucë lustrina kërcitëse, jashtë dëborë Korçe. Brenda në lokal, qirinj si në nëntëqindën e mangallë të mëdhenj me prush. Ai vetë sikur dilte nga një qytetërim, ashtu na u duk, sa për të dhënë një kumt. Aq i mirë, fisnik, i dashur me të gjithë, sa pak i lodhur, fjalaman, po shumë i këndshëm. Asnjëherë nuk pamë një femër të mbështetur në krahun e tij, për një kohë, aq sa ta mbanim mend, sepse ai zhgënjehej shpejt dhe ishte i paparashikueshëm në marrëdhënie. Prej një fjale, vetëm prej një fjale me dy kuptime e humbje. Prandaj ai quhej prej miqve dhe i humburi. E kujtoja në rininë time aq elegant, një Trintinja joshës, me shumë mister në atë qëndrimin e tij të veçantë, veshur si dendi, aq sa e lejonte ajo kohë dhe gjimnazistët e thërrisnin gjithë pasion; Ej, kingo! E kisha parë me disa femra të bukura zgjedhur sipas shijes së tij, po për një kohë fare të shkurtër. Ai e kishte të shkruar të mbetej vetëm, në kërkim të një vepre të madhe që do t'i vinte vulën, po ndershmërisht ama, se këtë kërkonte me këmbëngulje e me arrati kapriçioze prej zhgënjimit, famën, që gjithsesi e meritonte. Kërkonte lavdinë njerëzisht, midis miqsh, pa shitur mend, po tepër kërkonjës deri në manierë. Donte njeriun e plotë dhe artistin e plotë. Prej kësaj brenge që e hëngri edhe rrojti gjer më sot se do kishte shkuar me kohë. Atij i ishte mbushur mendja se mund të bënte shumë e shumë më tepër dhe vuante prej hapësirave përherë e më të pakta. Ai priste ta kërkonin, i mbyllur brenda, priste si dikur, kur i luteshin dhe kërkesat ishin të pafundme, po kohët kishin ndryshuar. Teatri tejet i varfër, gati për mëshirë, në kohën e lëmoshës, filmi, pothuajse i rrallë, sepse s'i duhej më kujt, njerëzit i kujtonin artistët e mëdhenj vetëm kur vdisnin me një brerje ndërgjegjeje për harresën.
Darka
Pra, e lashë te ajo darka e ringjalljes se Llazi Serbos. Mizaskenë, foni, skenografi, regjisurë e hollë tejëertej, një mondanitet i përmbajtur përplot shije. Po, ai ishte regjisori, dhe në një darke si kjo, se s'kishte ku të tregohej tjetër. Dy hapa më larg teatri i mbyllur dhe pijetorët plot me djerranetësh. Foli shumë bukur për artin e madh dhe artistin dhe e mbylli me ndershmërinë qe e ka çmimin të lartë. Ai e kishte gjetur kësisoj qetësinë te ky vetëizolim larg artit banal. Ishte një darkë si e sajuar enkas për të treguar se ai dinte të bënte një film me stimë të madhe, me atë elegancë aristokratike që rëndom i mungonte estetikës së kuadrit, që për të, ishte një estetikë pa estetikë. E tepronte ca, po ndoshta kjo kishte të bënte më fort me enigmën e tij për të shkëlqyer me një film të madh. Ai, nëse do të vinte, në radhë të parë do të reformonte estetikën e kuadrit duke zgjedhur vepra mjeshtrish të prozës, këto m'i tha si në intimitet me shumë pathos dhe nervozizëm. Ai ngutej sikur nuk i kishte mbetur më kohë e mjaftueshme, i dukej sikur po e pengonin për shkak të zilisë. Vetmia e stërzgjatur e kishte nxitur për ta përshpejtuar misionin e tij, famën, me një vepër të madhe, jo një famë dosido, vetëm shqiptare, po të gjithëbotshme, ndoshta atëherë mund të dilte nga vetizolimi. Ishte si një sozi e atij asketit të malit të shenjtë, Athos, që veçohet në guvën e vet shkëmbore dhe në kohën e gjatë të një sakrifice të skajshme pret t'i shfaqet shenjti e t'i bëjë dritë duke i thënë se është i shenjuari i bekuar që do të shpallet! Ndoshta e kishte parë vërtet në një nga netët e tij vetmitare dhe kjo darkë ishte lajmi i mirë, një shenje për shtegtimin, daljen në shkretëtirë. Ai po nisej, po me pare kishte punë me miqtë. Prandaj kishte aq gjëra të çuditshme ajo natë dhe aq shumë mistike. Gjithashtu s'kishte gëzim më të madh e përdëllyes se sa ky takim i papritur me të humburin. Ai ishte mire, veshur si për një ceremoni me tapet të kuq, një ringjallje e beftë, e paparashikuar, përplot shpresë. Disa madje e preknin, vallë ishte e vërtetë kjo, që Llazi Serbo të kish mbetur ai i pari, eleganti, bukuroshi, i zgjedhuri dhe i luturi për role që gjithsesi edhe sot kujtohen me nostalgji; gjermani te "Nusja dhe shtetrrethimi", Martini, te "Operacioni zjarri", Petro Nini Luarasi te "Kush vdes në këmbë".
Harresa
Pas viteve 90-te, ai ishte regjisor i suksesshëm i disa pjesëve teatrale, po ajo fama e roleve të tij në kinematografi nuk po rikthehej më. Mbaj mend "Opera për tre grosh", të Brehtit. Një triumf i vërtetë. Shkëlqimi i interpretimit të tij qe tronditës, u duartrokit gjatë, por nuk doli në skenë për të përshëndetur, u zhduk. Jo, s'ishte gjë kjo, ai kërkonte me tepër. Ai sërish donte të shprehej, po në një kohë tjetër, që nganjëherë s'vjen për mirë dhe, teksa kërkonte të ngjitej, i ngashënjyer prej pompës së politikës që e mashtroi artin, e la në baltë, toka i vithisej nën këmbë, mori të tatëpjetën, se mjerisht ishte koha e topave që partitë ia drejtonin njëra-tjetrës me batarë e gjëmim dhe vetëm dy-tri role spikatnin, mjerisht, dy tre role politikanësh që s'kishin nevojë për artin e Kadri Roshit, Sulejman Pitarkës, Agim Qiriaqit, Llazi Sërbos, se ishin vetë të mjaftueshëm dhe mjaft të suksesshëm. Ç'të bënte Llazi Serbo ndërkaq, ai për shkak të përsosjes, ambicies artistike, aristokracizmit gjer në hollësi të sqimës, harroi dhe të kishte një grua, pa harroi të kishte dhe fëmijë, sepse asketit të malit të shenjtë të vetmisë, nuk i dilte koha për Doruntinën dhe Tat Tanushin, që edhe ato ishin një ëndërr e mrekullueshme, po jo një përmbushje, se artistit prej kohësh i kishin plaçkitur artin. Jam i bindur se po të ishte gjallë Mitrush Kuteli, nuk do të refuzonte të vinte emrin e tij si bashkëskenarist me Llazi Sërbon, siç bëri dhe Kadare, sepse atij nuk i bënte dot ballë njeri, as vetë Zoti. Llazi Sërbo ishte si një fëmijë, si ai fëmija i çuditshëm që kërkon me pafajësi prekëse dhe guxim të tepruar stolitë e çmuara që s'jepen te një fëmijë. Sikur të mos ia jepnin, ai ju qepej, gjersa ata të dorëzoheshin me buzë në gaz. Pastaj ai u dorëzua dhe vetë dhe u izolua në shtëpinë e tij në vetmi. Dhe pastaj u harrua. Dhe prej harresës e nxori vdekja. Vdekja e bëri prapë të njohur. Vdekja! Kjo i kishte mbetur më në fund!
Nju Jork 2010

Friday, September 17, 2010

Secili vdekjen e vet


Ajo që aktori i filmave tanë i bëri vetes duke e vrarë me çifte, na ka
pikëlluar e dëshpëruar pa masë të gjithëve; sa mua që s'kam parë deri
më sot asnjë film shqiptar, po aq edhe ata që për shfaqjen e atyre
filmave paguajnë, si dhe mijëra të tjerët që gdhihen e ngrysen mbi
televizor duke parë lëveret artistike me partizanë trima, gjermanë
frikacakë, italianë qesharakë, diversanta budallenj, dhe natyrisht të
gjithndodhurit sigurimista syshkabë e inteligjentë sa s'thuhet.
Kjo vet-vdekje e kobshme që erdhi kaq papritur e dikujt që ishte jo
vetëm aktor por edhe dëshmitar i fëlliqësirave filmike-teatrore nga më
të pështirat e historisë së rruzullit, ishte pra, për të gjithë ne,
një humbje sa e madhe dhe misterioze. Sidomos misterioze. Për një
numër arsyesh, tashmë të mbuluara nga dheu i varrit, njëra më e errët
se tjetra. Le të mundohemi të hedhim sadopak dritë mbi arsyet e kësaj
ndodhie të pazakontë.
Së pari, të bën përshtypje një gjë: Shënimi i lënë nga aktori lidhur
me ngjashmërinë e lakmuar të vdekjes së tij me tjetrën vdekje të
paradokohëve, atë të Bekim Fehmiut. Në fakt, Bekim Fehmiu, sipas
dëshmive të nipit të tij, i dha fund me dashje jetës për një arsye të
vetme; sepse ishte katandisur aq keq me shëndet sa kishte probleme me
pelenat të cilat nuk mund të duronte t'ia ndërronin të tjerët, ose
shkurt, për arsye të asaj që populli ynë e quan "dhjerje nën të". Pra
arsyeja pse aktori shqiptar me famë botërore që luajti në mënyrë
gjeniale Uliks-in në filmin omonim, ai që pas një jete gjeniale
preferoi një vdekje më se njerëzore, është më se e kuptueshme. E
pakuptueshme dhe misterioze ndërkohë, është dhe mbetet, dhe do mbetet,
se si dhe pse aktori ynë që gjithë jetën luajti role plehu pretendoi
vdekje gjeniu ?! Dhe të mendosh se pretendimin për një vdekje të madhe
si të Bekim Fehmiut, aktori ynë që s'pati aspak probleme pelenash, e
la amanet me shkrim, luan mendsh krejt.
Mund të kërcejë përpjetë ndonjëri, apo disa, duke uluritur se nuk
flitet kështu për një të vdekur. Sepse një numër aktorësh të kohës së
shkuar, për t’u shfajësuar, e kanë pohuar me gojën e tyre se me filmat
që kanë luajtur janë tallur, se gjithçka ka qenë propagandë etj. etj.
Këto mund të jenë deridiku edhe të vërteta, por këto dhe të tjera nuk
shfajsojnë askënd përderisa dihet se thertorja nuk ka brenda vetëm
thika dhe hanxharë, por edhe mjete paqësore aspak të mprehta, si për
shembull, trungu i trashë ku vihet koka.
Së pari, aktori ynë nuk vdiq, por vet-vdiq, gjest ky, që e dënojnë
njësoj, si Bibla edhe Kurani. Së dyti, dhe më e rëndësishmja: përtej
Vdekjes, Jetës, Kuranit, Biblës, unë dhe mijëra të tjerë nuk mund t'ia
lejojmë vetes të ndiejmë më tepër keqardhje për një njeri që nëpër
filma luajti me aq zell role kriminelësh të cilët njerëzit tanë i
pushkatuan rrëzë kanaleve, i varën në degë lisash dhe i sëmurën e i
kalbën nëpër burgje dhe internime. Se vërtet mund të jenë të pafundme,
kaltërsitë e Qiellit, mëshira e Zotit, Universi dhe budallallëku
njerëzor, por jo edhe durimi ynë.
Prandaj le t'i lemë dënglat keqardhëse universale dhe të vazhdojmë me
arsyet misterioze.
Dihet se shqiptarët e kanë për zanat t'ia vjedhin jetën njëri-tjetrit.
Rasti tragjik i aktorit tonë, duke pasur parasysh sa thamë më lart për
Bekim Fehmiun, mund të ketë lidhje me një tjetër pretendim të tij; atë
të krijimit të një precedenti të kundërt, përvoje apo trendy të ri, të
paparë e të padëgjuar deri më sot, atë të vjedhjes së vdekjes së
tjetrit. Ky supozim në dukje i sforcuar, e ka një bazë reale nga, me
gjasa, mund të jetë nisur aktori fatkeq. Pa marrë parasysh përgojimin,
lidhur me të cilin ne shqiptarët shquhemi, prishja dhe shprishja aq e
shpeshtë e varreve dhe kockave e më të mëdhenjve të historisë tonë,
është një fakt që dihet. Mes numrit të pafund të shembujve, të
shkruarit e një libri qindrafaqësh për Lasgushin e madh nga një
gjytyrym hendekhedhur, i cili prej Lasgushit nuk di asnjë rresht, a
s'është provë ?! Nga ky këndvështrim, garën tashmë të njohur të
kockalëvizësve të më të mëdhenjve tanë, qëllimi i vetëm i të cilëve
s'është gjë tjetër përpos vjedhja e vdekjes së tjetrit, s'është çudi,
aktori ynë, me gjestin e tij, këtë vjedhje ka tentuar ta
institucionalizojë.
Aktor rolesh me partizanë fytyrëvrenjtur, sythellë e flokëshumë, që
vrasin e presin e ulurasin sa majtas e djathtas me rrotull fëmijë me
yll të kuq në ballë, duke i instruktuar si të bëhen vrasësa sa më të
pabesë dhe spiuna sa më të fëlliqët, s'është çudi edhe tjetra; Gjatë
viteve heroi ynë mund të ketë vënë re ndonjë ngjashmëri mes vetes dhe
ndonjërit prej partizanëve të Mozaikut mbi Muzeun Kombëtar. Ky fakt
mund t'ia ketë rritur përbindshëm bindjen për pavdekshmërinë e vet. Aq
sa, tashmë, kur ai Mozaik shumëfish i mbuluar pa asnjë shpresë
rizbulimi, mund t'i ketë shkaktuar po aq dëshpërim sa bëri... atë që
bëri. Këtu duhet theksuar diçka. Ngjashmëria e flliqsirave të Mozaikut
me persona realë nuk është kurrsesi një trillim i imi. Pak ditë më
parë mora vesh një lemeri dhe shëmti të skëterrshme të
paimagjinueshme: Njëri nga piktorët e Mozaikut, në njërën nga ato të
egërsirat e çmendura me pushkë përpjetë, ka dashur të pavdekësojë,
përpjetë hidhu dhe kurrë mos e beso po deshe, por është absolutisht e
vërtetë, hiç më pak se motrën e vet të vdekur.
Kur u ndërrua sistemi, pas nomenklaturës që duhej të ishin, dhe qenë,
të parët që duhej të zhdukeshin nga skena, fill pas tyre, ata që
domosdoshmërisht duhej largoheshin, si nga skenat e filmave dhe
teatrove, po ashtu dhe nga sytë e publikut, do duhej të ishin ata që
luajtën filma vrroma dhe teatro pocaqira, shkurt, ata që ua shpëlanë
trutë shqiptarëve. Por ç'ndodhi ? Ata jo vetëm që s'u larguan, por u
afruan edhe më tepër, dhe ndërmend s'e kanë të shkulen. Sot e gjithë
ditën, pikërisht ata, ndjekur nga lukunira gazetarësh sahanlëpirës,
nëpër ekrane e gazeta, revista e ceremonira, promovime e dallavere,
vazhdojnë ende ta cilësojnë njëri tjetrin "korife'", "legjendë",
"gjeni" etj. etj. Të ketë qenë vallë gjesti me çifte gjahu i aktorit
tonë një pendesë e vonuar, si të thuash, një ndjesë për rolet e
lëtyrta, shpresë që pas një jete provizore të zezë të gëzonte një
vdekje të pafundme të bardhë ? Një justifikim i tillë mund të bëhet
vetëm nga mëshira. Por as kjo s'qëndron. Sepse, pikërisht ata që në
rrethana të tilla do duhej të ishin më të mëshirshmit, pra miqtë e
tij, po thonë se ai kishte vajtur aq larg sa vetja i dukej Klint
Istvud.
Meqë jemi te miqtë, miqtë të bëjnë hatanë. E di ç'tha njëri prej të
tijve këto ditë ? Tha se mes jetës së fatkeqit tonë dhe asaj të Bekim
Fehmiut ka një paralele ! Sa i poshtër dhe dinak ky mik. Nëse ka jetë
që s'kanë asgjë të përbashkët mes tyre, ato janë pikërisht jetët
paralele. Për arsyen e thjeshtë se paralelet nuk takohen ! Thuam tani
se kush e urren më tepër aktorin e vetëvrarë: miku i tij dinak, i cili
me këto që shkruan në gazetë e vret edhe pas vetëvrasjes, apo unë që
për të me pastërtinë më të madhe po them dy fjalë ?!
Por bëmat qëllimkëqia të mive s'kanë të mbaruar.
Një tjetër mik i tij, në këto ditë zije për të ndjerin, dëshmon tjetër
gjë. Thotë se, ai, heroi ynë, bënte ç'bënte dhe sajonte skenarë. Që
shkruante skenarë s'ka asgjë të keqe. Jo sipas meje, por sipas mikut
të tij, këta skenarë ai ua shpinte të mëdhenjve për firmë. Sipas
mikut, aktori e ka bërë këtë në mënyrë që, para komisioneve, bashkë me
veten, të mëdhenjtë t'i paraqiste si bashkautorë skenari. E ata, s'do
mend, për ta hequr qafe, kanë firmosur. Tani njëra nga të dyja, se
tjetër s'ka; ose miqtë gënjejnë, ose heroi ynë nga të tilla turpe
veten vrau.
Një variant tjetër që ma tha njëri dje është ky: Aktori ynë, me
shpresën e marrë se aktorët e moshuar të Hollivudit, as Bekim Fehmiun
as vdekjen e tij, nuk e njohin, vajti me tjetër shpresë; Se, kur këta
hollivudianë t'i afroheshin fundit, të imitonin atë që luajti filma me
partizanë te Shqipëria e Re, domethënë të vrisnin veten me çifte si
ai. Madje, imagjinata e atij që ma tha këtë, vajti edhe më larg,
fluturoi edhe më. Sipas tij, kjo zilepsje e pashoqe pas Shqipërisë së
Re nuk ndalet aty. Sipas tij, pas precedentit të parë me çifte, të
moshuarit e Beverly Hills-it, do ishin pasionuar aq tepër me këto lloj
vdekjesh alla shqiptarçe, dhe do ishin zilepsur aq shumë mes vedi, sa
do prisnin me ankth për të mësuar; Cilën po priste Elisabet Taylor-i,
atë të, larg qoftë, Tinka Kurtit, apo, Perëndia mos e dhëntë, atë të
Margarita Xhepës, Ben Kingsley, Zoti na ruaj, atë të Robert Ndrenikës,
apo, ngjallu Abas Ali, atë të Reshat Arbanës etj. etj. Pavarësisht se
sa rëndësi ka në hedhjen dritë ndaj së vërtetës, unë këtë që më tha ky
mik, i imi, jo i aktorit, nuk e besoj.
Këtë nuk e besoj, por besoj tjetrën. Atë që një pogradecar serioz
rrëfen; "Ndodhi kështu... kryetari i Bashkisë së Pogradecit... në
vitin 1998 lëvroi një fond të veçantë për ngritjen e një monumenti për
Lasgush Poradecin. U miratua fondi 12 milionë lekë të vjetra. Asokohe
krejt papritur paraqiten dy autorë nga Korça, skulptori... së bashku
me aktorin Llazi Sërbo (për çudi të të gjithëve edhe Sërbo shfaqet si
skulptor, kur të gjithë talentin ia njohin për aktor). Bocetit të
Lasgushit të paraqitur në Bashki iu bë kundërshti e hapur dhe e fortë
nga artistët e rrethit, piktorë e skulptorë që e cilësuan “punë të
dobët”. Megjithatë bashkia hapi fondin dhe u realizua i ashtuquajtur
monument i derdhur në allçi dhe i lyer me varak të verdhë që të jepte
idenë e bronzit. Megjithë kundërshtimet edhe nga qytetarët, monumenti
mbi 2.5 m i lartë u vendos në hollin e Pallatit të Kulturës. Në trup
poetit i ishte ngjitur një gjarpër me gjasë simbolikën e diktaturës që
i ishte qepur mbi xhaketë poetit. Kjo vepër qëndroi aty për disa muaj
dhe një ditë, nuk dihet me urdhër të kujt, u hoq nga holli i sallës së
shfaqjeve e cila u dha me qira...".
Mund të thuash sa të duash, se s'ka jetë njerëzore pa hove mëngjesesh
dhe dëshpërime muzgjesh, se jeta është e dashur dhe e bukur, sepse nuk
dihet kur përfundon, se vetëvrasja është një zgjidhje e përhershme e
cilitdo problem provizor, se të dëshpëruarit më të mëdhenj janë
shakaxhinjtë më të mëdhenj, se nuk ka kuptim t'i japësh fund jetës
tënde kur atë punë nuk e lë kurrë pa e bërë vetë jeta. Dhe për të
gjitha këto, e plot të tjera, nuk ke pse e vret veten edhe sikur të
vuash, bashkë me të zezën e ullirit, duke kaluar nga e purpurta e
Onufrit, edhe të kuqen e gjakut të pushkatimeve dhe burgjeve, të
cilave u bënin hosana filmat. Por më e rëndësishmja është që, me çifte
a me teke, duke llapur a duke shkruar, duke gënjyer a duke vjedhur,
secili të lihet i lirë ta zgjedhi vet vdekjen e vet. Pa marrë parasysh
faktet dhe hamendjet e mësipërme, aktori ynë, këtë e bëri. Ai brenda
ZOO-së tonë, nuk qëlloi ndonjë shtazë tjetër, por veten e vet. Për
këtë meriton një falënderim, dhe një: Ndjes' pastë.

gazeta MAPO, 17 shtator 2010

www.edisonypi.com

Gjosho Vasija-Rapsodì: “Metamorfoza e djallit..“

–”Hé Gjosho Vasija, a po m’njeh?!?!”


–”Shih pashë buken ke po shoh….

posi gjanem nuk po t’njoh?

Kemë pasë shpijat pranë e pranë,

t’kam njoftë babë e t’kam njoftë nanë.

kemë luejtë bashkë në kohë t‘f’minis

masandej në moshë t’rinisë

shpejt u fute n’gjij t’partisë

dhe u bane komunist

si ma i ndezti aktivist,

me nji fjalë të dhanë kulturë

tue vu gur e tue ba murë

me ndertue atë diktaturë”–…



—”Çka me bà…Asht mbyllë tash dera,

kanë qenë krejtë do kohna tjera.”—


—”Vertetë kjenë do kohna tjera…

Komunizmi kje kolera,

kje trathtija, vrasja e mnera.

Injoranca deri n’bindje

se do’e çojmë atdheun në Lindje.

Edhe moret thikat n’dorë,

edhe niset pa hiç zorë

me i ra tok’s kryq e terthurë

tue shtrij n’popull diktaturë

N’gjak u mbluene votrat tona,

helm u hodh mbi sofrat tona,

ç’u mbush toka me kufoma,

si e si me urdhen t’shkjaut

me ia nxjerrun shpirtin vllaut…

Sot besoj se kjo doktrinë

si e kalbun, qelbësinë

duhet vàr tek nji vetrinë,

ku sejcili kalimtar

të ndalohet, puna e parë,

e pa zor e pa poterë

do ta pshtyjnë nja 30 herë”—..


“—Ke të drejtë, mjerim çdo skaj,

por dhe nè nuk patem faj..

Fillë sa hymë na gjujten n’rrena,

rrena e rrena, çdo orë rrena

erdh nji ditë e na u mbush ena

që besuem se me t’vertetë

do t’i japim vendit jetë.”—


—”Sot ku je, çka je tue bà,

a po merresh me ndoj gjà,

me thye tokë a me prè drù,

ndoj pullaz me rregullue,

me kullotë kund dhen a dhì,

a por ndoshta je ndry n’shpi

fukara me lugë, pa lugë,

se ke zor me dalë në rrugë,

frigë se t’gjujnë fmija me gurë

si pjestar në ‘diktaturë?”—


“—Po, diçka kam ardhë verdallë

mos me mbetë si peshku n’zallë..

Shpejt u mblodhem, biseduem,

fillë nga triskat u liruem,

disa i hodhen nder fekale,

disa i treten nder kanale,

se ma ftyra e diktatorit

nuk e dij ku a tretë prej zorit

por mbaj mend i bamun n’copa

copa e copa ku pat gropa –

Masandej si qethen dhent

edhe ne i qethem mendt

edhe fillë e “no koment”

filluem punen n’Parlament.”


“—Komunista në Kuvend???

Ti po rrenë a me gjithë mend,

Deputet me hy n’atë prak,

ju që’i keni duer’t me gjak,

ju bash mjeshtrat e torturës,

baballar’t e diktaturës?”—-


“–Njashtu asht, por kjo spjegohet….

Kur me drù pop’lli nenshtrohet

e me rrena perpunohet,

rrena e rrena e kaçarrena

deri që t’i mbushet ena,

e ti bahet shqiptar ngratit

jo ma larg se tesha e shtatit,

ajo turmë harron disprimin,

dhe miqësohet me rregjimin,

sa që deri diktatorin

per si babë e rreh krahnorin..

Sot prap jemi të nderuem,

të pershndetun, të trajtuem

kemi prona me 8 kate

e dikush me 12 kate….

Që ta dijsh Gjosho Vasija

asht e thjeshtë ketu historia…

Komunizmi kurr nuk vdes

sa t’kenë bota faqezes,

ai livizë ose ndrron ves,

der djè lkurë e n’diktaturë

sot me rrogë e me veturë,

der djè i kuq e sot bojë rozë

me nji fjalë e thanun n’prozë

ajo pëson metamorfozë,

pra nuk vdes, por rrin i gjallë

sepse kemë nji mende djallë,

e nji popull krejtë budallë.”—


“–Kam ba mirë unë si shqiptar

që jam zhdukë si mergimtar

mos me’i pà mà’ ato vrastarë,

ato qej, ato kusarë…..




Gjosho – Mergim—2010

Friday, September 3, 2010

Shqipëria në prag të heqjes së vizave

Deputetë të Parlamentit Europian mendojnë se Shqipëria dhe Bosnja i kanë plotësuar kushtet teknike për heqjen e vizave të udhëtimit për në hapësirën Shengen.

Sipas tyre ka ardhur koha që edhe Kosova të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave.

Shqipëria dhe Bosnja duket se i kanë plotësuar mirë dhe shpejt edhe detyrat e fundit që ekspertët e Komsionit Europian kishin identifikuar 3 muaj më parë si pengesa të fundit për t’i hapur rrugën vendimit politik të Bashkimit Europian për heqjen e vizave.

Eurodeputetja sllovene, Tania Fajon është shprehur të enjten se Shqipëria ka shënuar hapa të mira për sa i përket masave të riintegrimit.

Fjala është për regjistrimin, sistemimin e banimit, punësimin e atyre që kapen si të parregullt në hapësirën e BE dhe kthehen në Shqipëri në bazë të marrëveshjes së ripranimit.

Edhe për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, autoritetet shqiptare kan bërë progres të mirë—është shprehur Fajon.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, e konsideruar si thembra e Akilit për integrimin e Shqipërisë, eurodeputetët mendojnë se përpjekjet janë intensifikuar.

Si një hap pozitiv në këtë drejtim shihet fillimi i zbatimit të ligjit antimafia me sekuestrimin e disa pasurive gjatë muajve të fundit

Autoritetet shqiptare i kanë mirëpritur opinionet e shprehura në komisionin për punët e brendshme të Parlamentit Europian ditën e enjte, njofton korrespondenti i BBC-së.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Ralf Gjoni u shpreh se liberalizimi i vizave është tashmë një realitet, por autoritetet në Tiranë janë të vetëdijshëm që hapi tjetër mbetet ai i hapjes së negociatave për statusin e vendit kandidat për në BE.

Raporti përfundimtar i ekspertëve të Komisionit Europian është parashikuar të paraqitet brenda muajit shtator dhe pritet që të jetë pozitiv si për Shqipërinë ashtu edhe për Bosnjën.

Gjasat janë që, ashtu si një vit më parë për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, heqja e vizave të zbatohet nga fundi i muajit dhjetor.

Festivali i teatrit ballkanik - moment ballafaqimi

Banneri i Festivalit në hyrje të Teatrit Kombëtar në Tiranë
Banneri i Festivalit në hyrje të Teatrit Kombëtar në Tiranë

Në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë ka filluar i pari festival i teatrit profesionist nga vendet e Ballkanit. 8 trupa nga rajoni, do të konkurojnë mes tyre për trofetë e regjisorit, autorit dhe aktorit më të mirë.

Salla e Teatrit Kombëtar në Tiranë e ka nisur shumë më herët se zakonisht sezonin artistik 2010 -2011. Dhe hapja ka qënë e veçantë, pasi për një javë rresht spektatorët do të jenë prezent në një festival premierë, ku trupa profesioniste nga 8 vende ballkanike, Shqipëria, Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnjë Hercegovina dhe Greqia, do të konkurojnë mes tyre. Regjisori i njohur i skenës së teatrit shqiptare, Gëzim Kame është drejtori i këtij Festivalit. Regjisori Gezim Kame flet për DWBildunterschrift: Regjisori Gezim Kame flet për DWAi nuk e fsheh kenaqësinë se projekti i tij dhe nga stafi që e mbështet pas një kohe të gjatë tashmë është bërë realitet. Kështu hidhet baza për një event mjaft të rëndësishëm artistik rajonal, që do të krijojë padyshim traditën e vet në të ardhmen, thotë Kame për DW.

“Ideja është që siç thotë Sokrati ‘O njeri njih hundën tënde' edhe në këtu është mirë të njohim njeri-tjetrin, tërë këto lloj mentalitetesh, që ekzistojnë rreth e qark nesh. Duke njohur njeri-tjetrin, duke përkrahur njeri-tjetrin, dorë për dore mund të shkojmë drejt Evropës pastaj, pra më larg nga vetja”.

Momente të rëndësishme ballafaqimi

Të mërkurën në natën e parë të Festivalit u ngjit në skenë mikpritësja, Shqipëria, me pjesën e Luixhi Pirandelos “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”. Regjisori Mehmet Xhelili flet për DWBildunterschrift: Regjisori Mehmet Xhelili flet për DWRegjisori i shfaqjes Mehmet Xhelili thotë për DW se e konsideroi performancën e trupës si një premierë, pavarësisht se ajo është dhënë dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar.

“Unë i konsideroj festivalet, takimet si një moment tepër të rëndësishëm në aspektin e krijimtarisë që është ballfaqimi. Unë kam një ide se nëse ka një drejtim ku teatri duhet të luftojë shumë ky është ballafaqimi me teatrin europian në tërësi dhe në një farë mënyre edhe në planin ballkanik si në këtë Festival”.

Mbrëmjen e së enjtes do të konkurojnë bullgarët, me një shfaqje që është e ndryshme nga të tjerat. Gjithçka pa fjalë e tekst, e konceptuar dhe ndërtuar me ndihmën e teatrit plastik dhe fizik. Regjosorja bullgare Nevena Miteva në mikrofonin e DWBildunterschrift: Regjosorja bullgare Nevena Miteva në mikrofonin e DWDy regjisoret, Neneva Miteva dhe Nadia Asenova tentojnë që të sjellin një atmosferë bullgare të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, duke ia përçuar atë spektatorit përmes efekteve multimediale. Neneva Miteva është njëkohësisht dhe Drejtore e Teatrit Bullgar dhe ajo e ka për herën e katërt ardhjen në Shqipëri.

“Kam qenë dy herë në një festival që organizohej në Korçë dhe një herë në një konkurim trupash skenike në Elbasan. Jemi shumë të impenjuar, pasi ky konkurim është shumë më i rëndësishëm. Bëhet mes profesionistësh. Unë e njoh repertorin e këtij Festivali, kam lexuar për pjesët që kanë zgjedhur kolegët tanë dhe them me bindje se do të ketë shumë rivalitet”.

Bashkimi i forcave siguron mjetet

Nadia Asenova shton se pjesa konkuruese e secilit nga pjesëmarrësit nuk shkon më shumë se 2 orë çdo mbrëmje. Ajo për të cilën jam e interesuar është diskutimi mes kolegëve dhe krijuesve nga trupat e tjera, thotë ajo për DW.Regjisorja bullgare Nadia Asenova flet për DW: : Regjisorja bullgare Nadia Asenova flet për DW

“Sepse është shumë mirë kur ne shikojmë se çfarë bëjnë kolegët tanë. Si arrijnë të mbijetojnë me projektet teatrore në vendet e tyre, çfarë mund të bëjmë për të hyrë në marrëdhënie dy ose më shumë palëshe, për të ndërtuar projekte të përbashkëta, të shkojmë dhe të vijmë te njeri-tjetri. Duke ndarë mendimet, duke bashkuar forcat do të jemi në gjendje dhe të gjejmë burime të nevojshme financiare për të garantuar ecurinë profesionale”.

Në ditën e tretë do të konkurojnë aktorët e trupës së Podgoricës me dramën “Më shumë se terapi”, duke vijuar të nesërmen me shfaqjen teatrore “4 orë” nga Serbia. Në të njëtën ditë do të jetë në një ambjent tjetër të Teatrit Kombëtar të Tiranës, “Karriget”, që do të sillet në skenë nga teatri i dramës së Bitolës në Maqedoni. Të dielën në konkurim do të jetë Teatri “Dodona” i Prishtinës me “Një përkujtim në kafe teatër”, të shkruar dhe nën regjinë e Aqif Mulliqit dhe pjesa “Hamsterët e vegjël dhe të mjerë”, me të cilën do të prezantohet trupa nga Tuzla e Bosnjë Hercegovinës. E fundit në konkurim do të jetë “Ditari i një të çmenduri” me të cilën përfaqësohet Greqia.

Të martën e ardhshme pritet që të shpallen çmimet nga një juri ndërkombëtare. Do të shpallet regjisori më i mirë i Ballkanit, autori më i mirë, por dhe aktori e aktorja më e mirë për rolin kryesor, si dhe fituesit për interpretimin më të mirë në rolin mbështetës.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

Tuesday, August 31, 2010

One dead, two injured in three car accident on Hillsborough Avenue

Moris Rakaj (Pinellas County Sheriff's Office

TOWN N' COUNTRY, Fla. - A man is dead after troopers say he caused a three-way car accident Saturday morning in Tampa.

According to Florida Highway Patrol, 28-year-old Moris Rakaj of Clearwater was driving his Ford Contour westbound on Hillsborough Avenue, west of Countryway Boulevard.

Jeffrey Marcus, a 38-year-old from Tampa, was driving his Saturn Sky in front of Rakaj at a slower speed. Troopers say Rakaj reportedly failed to notice the Saturn and crashed into the rear of Marcus' vehicle.

Investigators say the collision caused Rakaj lose control of his Contour and cross over the median into eastbound traffic on Hillsborough Avenue and into the path of Michael Hayden's Toyota Camry. Investigators say the 60-year-old Hayden ended up crashing into the right side of Rakaj’s vehicle.

Rakaj’s car ended up facing south in the eastbound lane along with the Camry, while the Sky was on the grass shoulder on the westbound side of Hillsborough Avenue.

Rakaj didn’t survive the accident.

Hayden was taken to St. Joseph’s Hospital in serious condition. Marcus was taken to Town & Country Hospital with minor injuries.

Copyright 2010 Scripps Media, Inc. All rights reserved. This material may not be published, broadcast, rewritten, or redistributed.