Sunday, January 26, 2014

100-vjetori i një krimineli. Nga Uran Butka

Një nga ngjarjet më të shëmtuara të këtij fillimviti ishte kremtimi i 100- vjetorit të lindjes së Mehmet Shehut në Muzeun historik kombëtar dhe trajtimi i tij si një figurë e shquar e burrë shteti, gjë që u pasqyrua me bujë edhe në mediat elektronike dhe shtypin e shkruar dhe tronditi opinionin, brenda e jashtë Shqipërisë.
Unë nuk kam ndërmend të risjell figurën e Mehmet Shehu, apo të jap konsiderata të plota për të, sepse e kam trajtuar gjerësisht mbi bazën e dokumenteve arkivorë në librat “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”,
“Një bombë në Ambasadën Sovjetike” dhe në botimet “Krimet e njerëzimit në Shqipëri”.
Do të sjell vetëm disa dokumente ( nga qindra që ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe arkivat e huaja), që rrëfejnë se Mehmet Shehu ka qenë një kriminel, që ka kryer, veç të tjerash, krime kundër njerëzimit.
1.Në luftën e Selenicës, 1 prill 1943, kundër 126 karabinierëve dhe 116 bersalierëve italianë të komanduar nga një nënkolonel, forcat nacionaliste të prof.Isuf Luzajt dhe ato partizane të Çetës Plakë të Vlorës, komanduar nga Neki Ymeraj,  i shpartalluan italianët, duke lënë mjaft të vrarë e të plagosur dhe duke zënë 83 robër. Menjëherë pas luftës, atje arriti Mehmet Shehu, komandanti i Brigadës I, i cili mori një pjesë të robërve me gjithë nënkolonelin, që e kishte pasur shok shkolle në Itali. A  i pushkatoi dhe i masakroi barbarisht dhe pa gjyq 83 robërit italianë, bashkë me nënkolonelin, natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër.(AQSH, Fondi.270, v.1943)
Për pushkatimin e nënkolonelit dhe të robërve italianë, shkruan edhe i biri i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e ankthit”
2. Krerët komunistë të Luftës NÇ në qarkun e Vlorës zbatonin udhëzimet dhe urdhërat e Dushan Mugoshës, i cili kishte synim të shkulte nga rrënjët atdhetarizmin e kësaj treve me tradita të shquara patriotike dhe të impononte me dhunë e terror komunizmin hibrid jugosllavo-shqiptar. Edhe M.Shehu Sh.Peçi, H.Kapo,  informonin për çdo gjë Dushan Mugoshën, i cili u jepte direktiva e urdhëra, i kritikonte dhe i vlerësonte, duke u bërë njeriu-referencë dhe personi i plotfuqishëm i Luftës NÇ. Në letrën e datës 30.11.1943 Mugosha, zv/komisar i Brigadës I, e qorton M.Shehun  për moskordinimin si duhet të forcave të Brigadës I  dhe i kërkon atij që forcat e kësaj brigade të jenë të pamëshirshme “ tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm” kundër nacionalistëve. “Pashë se kini rrezikue forca nga mungesa e koordinimit me Besnikun (Hysni Kapo, shën.im), por siç tha edhe vetë, ke ra në pozitat e Delos  që s’ka dasht në asnjë mënyrë. Por gabimi u ba, duhet të mendohet për një sulm tjetër, duke kordinue luftën me Besnikun si edhe me forca të tjera të brigadës, tue përdorë zjarrin  më të tmerrshëm dhe duke qenë të pamëshirshëm…Shiko sesa forca të Brigadës të nevojiten për me shkelë Dukatin dhe kërkoi menjëherë.”(AQSH, F.177, D.8, v.1943, letër e D.Mugoshës)
Dukati ishte një fshat i madh në qarkun e Vlorës, që s’e pranonte as fashizmin, as nazizmin, as komunizmin, ndaj D.Mugosha e urdhëroi M.Shehun “ për me e shkelë” Dukatin, tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm, ashtu siç ndodhi realisht. M Shehu po atë ditë, më 30 nëntor, e çoi menjëherë në vend porosinë e  Mugoshës dhe e sulmoi Dukatin me afër 1000 ushtarë, tue qenë  të pamëshirshëm e duke e kombinuar mësymjen me forcat e Hysni Kapos nga Tërbaçi. Kështu Mugosha fuste në armiqsi e në luftë  edhe Dukatin me Tërbaçin, dy fshatra pranë njëri-tjetrit, duke vrarë me një gur dy zogj.
Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, merrte pjesë edhe  batalioni  italian “A.Gramshi” që kishte dezertuar nga ushtria kapitulluese italiane dhe ishte inkuadruar në Brigadën e Parë Sulmuese. Jo vetëm pjesëmarrja aktive e batalionit italian të pajisur me altileri të rëndë kundër banorëve të një krahine  patriotike si Vlora, por edhe të një fshati si Dukati, si edhe goditja e fshatit me predha altilerie nga italianët, zgjoi zëmërimin e dukatasve, që rezistuan me heroizëm. Beteja  zgjati 14 orë, u vranë mjaft luftëtarë nga të dy anët ndërluftuese,  si dhe u plagosën shumë të tjerë nga popullsia, midis tyre edhe 4 gra, që shërbenin si ndërlidhëse midis dy lagjeve: Feride Aleni, Xhemile Shajake, Dudi Havara dhe Xhixhe Jazo. As në ato lagje, as në krejt fshatin Dukat s’kishte të huaj, as italianë as gjermanë, as rusë, por vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit. Forcat e Brig.I e rahën fshatin me mortaja të drejtuara nga oficerë italianë, duke shkaktuar djegien e disa shtëpive dhe vrasjen e banorëve të pafajshëm të fshatit. Sipas informacioneve arkivore, nga banorët e fshatit u vranë tetë vetë: Beqir Elmazi, Salo Mëhilli, Shyqyri Nezha, Murat Bodo, Muharrem Beqiri, Musa Aliçka, Bino Hasani dhe Selim Hasani si dhe 10 të plagosur, ndërsa nga komunistët 15 të vrarë, 4 robër, ndërmjet të cilëve edhe një italian. Në “Historinë e batalionit II të Brigadës I” shkruhet : “Pasi u rrethua fshati, filloi lufta në mëngjes,  bashibozukët ndodheshin brenda në shtëpijat e nëpër llogoret e përgatitura me kohë. Natyra e vendit ishte në disfavorin tonë. Përpjekja zgjati tërë ditën. Ne mundëm të hynim deri në mes të fshatit, duke vrarë 16 prej tyre dhe duke zënë 6 robër.. Tërheqja jonë u bë në rregull, mbetën nga ana jonë  dy të vrarë: Jashar Vlashi, zv.komandant kompanie dhe Agim Çomja, përgjegjës i rinisë së kompanisë…” (AQSH, F.177, d.8, v.1943)  Sipas një burimi të tretë, u vranë partizanët Fadil Dauti, Myrto Sadiku, shoqja Babushe Dogani dhe 6 të tjerë”.(H.Xhelo, 860 dit lufte)
Populli i Dukatit e rrëfen këtë  realitet tragjik të luftës civile  në varget:
S”jam fashist, po jam dukat,
As ti rus, po je tërbaç.
Po i thonë taksirat,
Që vjen e të vret në prag.

Në rast se në të ardhmen do të ngrihet ndonjë monument në kujtim të  viktimave të  luftës civile, këto vargje popullore mund të vendosen si një epitaf – sintezë i luftës së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ndërkohë, me dy vargjet e fundit përcaktohet qartësisht, se kush është shkaktar i kësaj lufte vëllavrasëse, kush e nxiti dhe kush “vjen e të vret në prag. Dukatasit antifashistë e atdhetarë qëndruan e luftuan në fshatin e tyre për t’u mbrojtur, siç e thotë edhe populli, në pragun e shtëpive të  tyre. As tërbaçasit nuk janë rusë, po janë shqiptarë. Janë  serbët që i ngatërrojnë shqiptarët, janë  komunistët ekstremistë M.Shehu e H.Kapo që shkojnë në Dukat për të vrarë vëllezërit e tyre. Në vatrat  e tyre. Kjo ishte tragjedia e luftës civile.
3.Një nga masakrat më të shëmtuara të M.Shehut  ishte ajo e Martaneshit, më 5 mars 1944. Brigada I marshonte nga Kaptina në Shëngjerg. Në fshatin Peshk parti një shkëmbim zjarri në largësi, që shkaktoi vrasjen e një partizani, Kamber Sadikut. Me urdhër të M.Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi, ndoshta edhe më tepër. Pleqtë dhe gratë vikasnin: “Pse i merrni lidhur? S’kanë bërë asgjë të keqe? Partizanë apo ballistë jeni? Kështu s’i ka marrë as gjermani!” I rreshtuan për t’i pushkatuar, por doli nga radhët partizane zv.komandanti i batalionit partizan të Martaneshit   Hysen Peshku dhe kundërshtoi: “Këta janë të pafajshëm, shoku komandant! Këta që janë rreshtuar për t’u pushkatuar, shumica janë baballarë e vëllezër të partizanëve të çetës së Martaneshit, nuk janë armiq.” Mehmeti dha urdhër që të rreshtohej edhe ai bashkë me ta dhe dha urdhër për zjarr. Kështu u vranë 22 njërëz krejt të pafajshëm dhe pa gjyq, me në krye kryeplakun e tyre, Rremë Çelën. Viktimat e tjerë ishin:  Hysen Peshku, Ibrahim Çela, Musa Balla, Fejzulla Grica, Shaban Grica, Rexhep Grica, Riza Grica, Abdulla Grica, Sulë Balla, Asllan Gurra, Ali Gjoka, Qerim Gjoka, Sulë Peshku, Kamber Peshku, Islam Çela, Liman Hasballa, Isa Çela, Gëzim Koçi.(S.Grica, Rilindja, 1993)
Më pas M.Shehu u përpoq t’i  lante disi duart nga kjo përgjakje, kur shkruan se “partizanët e Brigadës I luftuan 6 orë me xhandarët e Abaz Kupit dhe tradhëtarët e Martaneshit, se në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë”(Mehmet Shehu, vepra I), ndërsa  historianët  puthadorë e justifikojnë: “Martaneshi  si bazë e partizanëve, si një pishtar i lëvizjes,  që i kish dhënë dërmën aty e një viti më parë ushtrisë fashiste italiane, tani po i kthente pushkën Ushtrisë NÇ. Gjithçka  tregonte se Brigada nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë…Një ndikim veçanërisht të madh në shpartallimin e armiqve në Martanesh, parti pushkatimi  i disa reaksionarëve të kapur robër. Pasoja e saj pozitive u ndie menjëherë.”(Brigda I S, Tiranë 1977)
Në radhë të parë, Martaneshi nuk ka qenë asnjëherë bazë e ndikimit të A.Kupit dhe se A.Kupi nuk ka pasur as luftëtarë e as xhandarë në Martanesh.. Martaneshi ka qenë një krahinë më tradita partiotikë dhe luftarake, vatër e lirisë dhe e luftës antifashiste. Martaneshi nuk i ka kthyer pushkën Ushtrisë NÇ, siç thuhet në Historinë e Luftës NÇ, por terroristi Mehmet Shehu i ktheu pushkën Martaneshit duke pushkatuar  25 njerëz të pafajshëm.
Së dyti, nuk u bë asnjë gjyq, madje edhe vetë M.Shehu në veprën e vet të parë, nuk pretendon se është bërë një gjyq. Së fundi, e quajnë me ndikim veçanërisht të madh këtë masakër, e quajnë me “pasoja pozitive” pushkatimin e 22 njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm të Martaneshit! Po a ka masakër me pasoja pozitive? Është veçse një krim masiv kundër njerëzimit.
4.Përveç të vrarëve në luftë, pasuan të pushkatuarit e robërve të luftës si edhe viktimat e shumta nga popullsia e pafajshme, grabitjet e pasurive, djegiet e shkatërrimet. Në ballë të kësaj lufte u vu Mehmet Shehu, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, e cila, betejat e saj të para i bëri kundër forcave nacionaliste në gjithë vendin. Një  nga ato qe lufta në afërsi të Lushnjës, tek kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem,  më 21 tetor 1943. Mehmet Shehu shkruan: “ U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH, F.41, D.32, v.1943)
Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65  robërve , që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese ( vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës I S me pseudonimin Salë. Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë, kishte vetëm një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën civile si një zanat të vjetër. Këtë masakër e pranon edhe vetë  M.Shehu në një letër-autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, ku shkruan: “Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 10-20 ballistë nga më përgjegjësit…Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do t’i zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalsht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem  nga sentimentet dhe buçitjet e çastit, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë  e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”(Po aty, Letër e M.Shehut) E pohon me gojën e vet Mehmet Shehu masakrën ndaj njerëzve të pafajshëm e robërve të luftës, që s’ishin veçse shqiptarë, fshatarë të Myzeqesë.
Sipas dëshmive të Xh.Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte shpirti dhe mendja e Brigadës I. Fiqrete Sanxhaktari (Shehu) ndikoi tek Mehmeti për të hequr nga rreshti i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”, meqenëse balanca rëndonte nga ortodoksët, për t’i bërë qejfin Dushanit. Me gjithë  12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që M.Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave të luftës civile  arriti në rreth  80:
Prej katundit Remas: Rako Nako, Bani Lika, Ramë Koçi, Prof Gjata, Qazim Pina.  Kryekuq: Murat Malsori, Hysen Ismaili, Osman Plaku, Hamdi Çoku, Shyqyri Leka.   Shënkollas: Tafil Doka, Daut Gjata, Haxhi Dedej.  Grabian: Ndin Ndoni, Gaqo Ndoni. Çiflig: Beqir Cani, Sabri Bullari, Tafil Llusha, Roç Llusha, Ymer Bullari, Haxhi Sina, Arif Halili. Prej katundit Kalosh: Shemsi Arapi, Cen Arapi, Nazif Qylafi. Prej katundit Gur: Selim Kuqi, Til Bello. Shënepremte: Haxhi Murrizi, Kadri  Murrizi, Avni Murrizi, Hysen Murrizi, Ismail Murrizi. Sulzotaj: Trifon Gjeko, Alush Kasemi, Met Kasemi,  Prej katundit Biçak: Asllan Vrapi, Elmas Xhepa, Arif Muça, Rakip Xhepa, Bajram Agushi, Shaqir Sula, Çaush Xhepa, Shaban Sina, Haxhi Sina dhe  Ndoni Sako,  Fani Trungu, Gori Todi , Jani Gjeka,  Jorgji Gjoni, Jorgji Lala, Kozma Zhuka, Ibrahim Luzha, Nasi Zhuka, Koli Tashi, Kristo Shkoza, Loni Bita, Llazi Prifti, Lili Shkoza, Mihal Bita, Nasi Janko, Nasi Sako, Nasi Zaho, Perikli Prendi, Pali Zaka, Ristan Bani, Simon Gjini, Stefan Prendi, Todi Gjurgji, Vasil Përboti, Myslim Bedalli, Bajram Jeshili, Mehdi Pirra, Ruho Nako, Hysen Dupi, Latif Karafili, Muharrem Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Isuf Buzi, Ramazan Kofsha, Shefik Tota, Gori Lala.( AQSH, F.41, d.32 v.1943 dhe libri “Gjëmat e komunizmit)
Vlas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që erdhi pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar!”. M. Shehu iu përgjigj: “ Kjo s’është asgjë, me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku…”(Fatos Arapi, kush ishte Vlas Arapi)
Ja ç’thotë një kronikë e kohës: “Në vendin tonë lufta civile ka plasë pikërisht atëherë kur i huaji ndodhet në Shqipëri. Shqiptari po vret shqiptarin… Isa Toska dhe gjeneral Zanini ringjallen në personin e Mehmet Shehut”.(AQSH, F.41, d.32, v.1943)
5. Në afërsi të Labinotit ( e njohur si masakra në Malin me Gropa) Mehmet Shehu urdhroi pushkatimin e 140 ushtarakëve italianë të vetëdorëzuar tek Ushtria NÇ për t’u marrë rrobat  dhe këpucët, sipas propozimit të zëvendësit të tij, Tahir Kadaresë. Ja dokumenti: “ Këtu në afërsi të Labinotit ndodhen 20 oficerë dhe 120 karabinierë italianë, të cilët s’kanë lënë gjë pa bërë, ndërmjet tyre ka karabinierë që kanë vrarë personalisht shokë. Në krye të oficerëve është një kolonel që ka qenë nënkomandant i përgjithshëm i shtatmadhorisë së karabinierisë. Unë propozoj në lidhje me këta që t’i jepen në dorëzim batalionit II dhe me disa orë vonesë nga ne të kalojnë lumin dhe të ekzekutohen gjatë rrugës, larg nga fshatrat dhe në fshehtësi nga ushtarët italianë të brigadës. Të ekzekutohen përtej lumit, pse këtej ku janë jo vetëm që bën bujë, por është e vështirë dhe transporti i teshave personale që ata kanë.” (AQSH, F.177, D.8, v.1943)
M.Shehu, pasi e bisedoi me Enver Hoxhën dhe Ramadan Çitakun në Labinot   këtë propozim të T.Kadaresë dhe mori pëlqimin e tyre,  urdhëroi komandantin e batalionit II të Brigadas I, që t’i merrte në dorëzim nga komandanti Kadri Hoxha dhe t’i pushkatonte ushtarët dhe oficerët italianë me në krye nënkolonel Akile Rosito  dhe kolonel Gamuçi, që ishin bashkuar vullnetarisht me partizanët. Xhelal Staravecka dëshmon se në Orenjë kishte vrarë me dorën e vet 17 karabinierë, ndërsa italianët  e tjerë i pushkatuan, pasi i kishin zhveshur lakuriq për t’u marrë rrobat dhe këpucët. Ja, si e rrëfen ai këtë masakër:“ Më thirrën në mesnatë nga gjumi dhe më thanë: “Ngreu se të duan në shtab”. U ngrita, shkova në një shtëpi pa dritë  dhe kur kapërceva prakun, njoha Dushanin me sytë që i ndritnin…Më thanë: O Xhelal, në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd , shko atje, vraji se kemi nevojë për petkat e tyre për të veshur partizanët. Ruaju, mos të shpëtojë ndonjë fjalë, pse është konspirative. E na del sekreti në shesh se italianët tani janë miqtë e Aleatëve e protestojnë kondra nesh. Aq më tepër, po ta kuptojë këtë gjë Balli, merr një armë në dorë për të na luftuar.” Çfarë del nga goja e Dushanit, s’ka diskutim. Shkoj në Orenjë në qendrën e batalionit të Çermenikës  e të Brigadës II që ishte në formim e sipër. Të nesërmen, të 111 karabinierët bashkë me kolonel Gamuçin në krye dhe dhjetra oficerë të tjerë i mora duke u thënë se do të shkonim në Burrel. Mbas dy orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në pesë grupe dhe mbasi i xhvesha lakuriq, i pushkatova. 17 i kam vrarë vetë…”(AQSH, XH Staravecka, trakt:Torturë e terror).
Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij,  e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë ( edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative.”(AQSH, F.41, d.32, v.1943). Këtë krim kundër njerëzimit, për vrasjen e të vetëdorëzuarve, e pohon me gojën e tij Mehmet Shehu: ”I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”(Kadri Hoxha, luftëtar i paepur,Tiranë 2006).
6.Gjejmë në Arkivin e M B, mes të tjerash, dy dokumente që meritojnë vëmendje.
I pari, një telegram tepër urgjent drejtuar nga Mehmet Shehu Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel E. Hoxhës, ku i propozon që “12 vetë nga kryengritësit e Koplikut, të pushkatohen pa gjyq, të tjerët me burgime të përjetshme e burgime të rënda, ndëkohë që mund të dënohen me vdekje edhe 20 kryengritës të tjerë”.
Kreu i regjimit totalitar E. Hoxha i përgjigjet me radiogram urgjent: (Arkivi i MB, telegrame 9.2.1945)
Radiogram urgjent
Korpusit III-të
Gjegje radiogramit Nr. Extra datë 9 Fruer 1945
Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.
Enver Hoxha
Firma
Ky dokument tregon hapur se pushteti komunist që ishte vendosur në Shqipëri me anë të pushkës, po mbahej po me anë të pushkës. Pushkatimi i 12 personave me urdhër administrativ, pa vërtetuar fajësinë e tyre me anë të gjykatave, por vetëm për shkak të lidhjeve miqësore apo gjinore me kryengritësit, ishte një genocid i egër që kish filluar qysh gjatë luftës, që kish marrë përmasa më të gjëra pas Luftës së Dytë Botërore dhe që do të vazhdonte edhe për gjysmë shekulli në mënyrë intensive.
Telegrami i M.Shehut dhe radiogrami i E.Hoxhës mbajnë të dy datën 9.2.1945. Hoxha pa u menduar gjatë, por brenda ditës, pa gjykuar nëse ishin fajtorë ose jo, pa pritur vendimin e gjykatës, nënshkruan pushkatimin e tyre. Vendimi i gjykatës ushtarake për pushkatimin e tyre mban datën 28.2.1945, njëzet ditë pas ekzekutimit të tyre, duke shkelur në mënyrë flagrante çdo ligj e moral njerëzor.
Le të nënvizojmë edhe një fakt tjetër nga dokumenti i mësipërm: Mehmet Shehu i propozon Enver Hoxhës dënimin me 39 vjet burg të mjaft viktimave që siç theksohet në dokument “s’janë fajtorë kryesorë por janë vetëm popull i gënjyer”. Dhe Hoxha e miraton këtë dënim kaq të rëndë të fajtorëve “pa faj”, ashtu siç miraton edhe dënimin me burg për 6 këshilltarë të Melgushit “që kanë dijeni, por nuk i janë përgjigjur thirrjes për kryengritje”!
Po ashtu propozohet nga M.Shehu dhe miratohet urgjentisht nga E.Hoxha ekzekutimi i dënimit me nga 30 vjet burg i këshilltarëve të Bërdicës, të Beltojës, të Trushit etj, vetëm e vetëm se “kanë dijeni për veprimet e kryengritësve”.
7. Këto krime pas luftës, pra, në vitet e regjimit komunist, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe klika e tyre në pushtet, i vazhduan gjatë gjithë periudhës gjysëmshekullore të diktaturës së egër komuniste. Tipike është masakra me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, më 26 shkurt 1951. Ideator dhe realizues i kësaj masakre, që përbën një krim tjetër monstruoz kundër njerëzimit, ishte ministri i Brendshëm i asakj kohe, Mehmet Shehu.
Në mbledhjen e Byrosë politike të KQ të PPSh më 20 shkurt 1951, Mehmet Hoxha, pasi raportoi për këtë ngjarje, propozon masa represive në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”(AQSH, F.14, D.1/a, v.1951) “Të arrestojmë menjëherë, brenda kësaj nate, 100 apo 150 vetë dhe të pushkatojmë nja 10 apo 15 prej tyre, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”, -deklaron Mehmet Shehu pa iu dridhur qerpiku dhe pa e vrarë ndërgjegja për hdukjen e dhjetra njerëzve të pëfajshëm, që s’kishin asnjë lidhje me incidentin e Ambasadës Sovjetike. “Kjo masë të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi  nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji” –vazhdoi terroristi Mehmet Shehu.
Kemi të bejmë me një terrorizëm shtetëror të paparë, që shkel e përdhos edhe ligjet që ka miratuar vetë, që arreston, pushkaton, burgos e internon me qindra persona të pafajshëm, pa asnjë vendim gjyqësor, pa asnjë fakt ligjor, pa  respektuar asnjë procedurë ligjore, por vetëm me vendime të Byrose politike të partisë, të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha.
Kështu, përveç qindra të burgosurve dhe të familjeve të internuara pa asnjë vendim gjyqësor, u pushkatuan pa gjyq  22 intelektualë të shquar nga gjithë trevat shqiptare: Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafurr Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasoruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.
Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, edhe një njeri të vetëm të vrasësh pa faj e pa gjyq apo në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konsiderohet krim kundër njerëzimit, dhe jo, mandej,  mijra krime kundër njerëzimit që ka kryer Mehmet Shehu, i denjë për në gjyqin e Hagës!
Një popull nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar e civil, nëse nuk distancohet nga krimi e kriminelët, të çdo kohe qofshin, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë, nëse nuk është në harmoni me veten dhe të vërtetën.

No comments: