Agjensia e Spektakleve “Buna 1″ organizoi për herë të parë në qytetin e Shkodrës një mbrëmje në Teatrin “Migjeni”, kushtuar 10 personazheve të vitit 2013, titulluar “BEST 10 NORTH”, duke nderuar emrat e personaliteteve më të spikatur për kontributin e tyre në vite në sferat e ndryshme të jetës si: Shkrimtari më i mirë, Piktori më i mirë, Regjisori më i mirë, Aktori më i mirë i humorit, Aktori më i mirë i dramës, Këngëtari më i mirë, Sportisti më i spikatur, Biznesmeni më i suksesshëm, Politikani i vitit, Çmimi i mirënjohjes dhe Çmimi i karrierës.
Drejtuesit e këtij spektakli, moderatorët Siçiliana Mazi dhe Simon Shkreli, i uruan mirëseardhjen 500 pjesëmarrësve të ftuar në sallën e Teatrit “Migjeni” dhe telespektatorëve që po ndiqnin nëpërmjet ekranit të Digitalb edicionin e parë të “Best North 2013″, të cilët po e pritnin me padurim startimin e kësaj mbrëmje vërtetë të bukur, për të nderuar me çmime personazhet më të mirë të vitit që lamë pas, ata që na emocionuan dhe na nderuan me punën e tyre gjatë gjithë vitit, jo vetëm në Shkodër, por edhe jashtë saj.
Ndjehej një kënaqësi e veçantë të shikoje gjithë ata personalitete të nderuar e të bashkuar në një mbrëmje festive kaq të bukur, një pamje e mrekullueshme që të shijonte në çdo moment të saj, me një publik artëdashës dhe figura të shquara të artit shkodran, shkrimtar, sportist, piktor, biznesmen etj., që dinë të vlerësojnë shumë mirë artin, por edhe sepse është hera e parë që organizohet në Shkodër një spektakël kaq i madh, ku jepen çmime të ndryshme, duke premtuar nga organizatorët se ky aktivitet do të kthehej në traditë vit pas viti.
Nuk u la pa u falenderuar edhe skenografi Hysni Halili për punën e mrekullueshme që ai kishte bërë si dhe fonisti Fatmir Gogovi, i cili edhe pse në pension, dha mbështetjen dhe kontributin e tij profesional për këtë eveniment tepër të rëndësishëm, pa harruar “prapavijën” e këtij tempulli të mrekullueshëm.
Juria është gjithmonë vendimtare, por në këtë spektakël ishte një juri krejt e veçantë, jo e emëruar. Kush më mirë do të votonte për ta përveç publikut shkodranë.
Secili personazh i nominuar është vlerësuar në sferat e tij përkatëse, të fushës që ushtrojnë dhe mbas kandidimeve, të cilat kanë qenë të afishuara në ëebsitin www.buna1.net, publiku ka votuar se kush do të jetë ai personazh që do të marrë çmimin e parë për krijimtarinë dhe kontributin e tij.
Pas shumë duartrokitjesh filloj ndarja e çmimeve, ku çmimin e parë, Shkrimtari më i mirë për vitin 2013, e fitoi Skënder Drini, të cilin ia dorëzoi Presidenti i “Universitetit të Veriut Argenti” z.Lutfi Behri. Vijoi më pas ndarja e çmimeve për piktorin më të mirë, të cilin e fitoi Ermira Jahja dhe për ta dorëzuar këtë çmim, u ftua një person nga publiku, por mjaft i nderuar, si një personalitet i basketbollit shqiptar, z.Korab Llazani
Ndoqëm më pas rradhën për çmimin e biznesmenit më të suksesshëm të vitit 2013, të cilin e meritoj z.Gjergj Liqejza. Çmimin ia dorëzoi Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë së Sigurimeve “Sigal, Unica Grup Austria” z.Avni Ponari. Përmes ovacioneve, publiku i mrekullueshëm që ndodhej në sallën e Teatrit “Migjeni”, me duartrokitjet e tyre të ngrohta, konfirmonin magjinë e kësaj mbrëmje të madhe.
Kështu programi vazhdoi me një pjesë tjetër të spektaklit, duke u ndaluar pak tek çmimet dhe për të ftuar në skenë një këngëtare të mrekullueshme shkodrane Rezarta Smaja, e cila përshëndeti të pranishmit në sallë me këngën “Me zemër”, e cila u mirëprit nga publiku. Më pas spektakli vazhdoi në rrjedhën e vet. Aktori më i mirë dramatik për vitin 2013 u shpall aktorja e Teatrit “Migjeni” Rita Gjeka. Për ti dhënë çmimin, ftohet në skenë aktorja e mirënjohur, partnerja e saj, Merita Smaja. Përmes emocioneve të mëdha, aktorja fituese kërkoi nga publiku, me humor, një gërshërë, për ta ndarë këtë çmim me kolegen e saj Meriten, dhe duke thënë se po e mbajmë këtë çmim një muaj njëra dhe një muaj tjetra.
Një ndër kulmet e kësaj mbrëmje, kur publiku po priste me padurim, ishte nominimi i aktores së madhe shkodrane, mjeshtres së madhe të humorit shqiptar z.Zyliha Miloti, e cila meritoi nga votimi i publikut çmimin e aktores më të mirë të humorit, çmim të cilin nëpërmjet emocionesh të shumta, ia dorëzoj Drejtori i Teatrit “Migjeni”, z.Edmond Angoni.
Çmimi i radhës ishte përsëri për teatrin, që sigurisht këtë vit në Shkodër ka shkëlqyer. Për të dhënë këtë çmim, në skenë u ngjit ish Drejtori i Teatrit “Migjeni”, z.Lorenc Mosi, i cili ndër të tjera falenderoi edhe Agjensinë e Spektakleve “Buna 1″ me President dhe Producent z.Arben Mazi që organizoi këtë mbrëmje kaq të bukur dhe plot emocione.
Hapësirën publicitare, kushtuar falenderimit të sponsorëve të spektaklit, e bënë shumë të këndshme, numri koreografik i një grupi të rinjsh, që gjithmonë, nën kujdesin e koreografit të mirënjohur, Vladimir Seiti, sjellin grintë e alegri para spektatorëve. Duhet nënvizuar se koreografi i mirënjohur Vladimir Seiti, para pak ditëve në Tiranë, fitoi çmimin e tretë në një garë mbarëkombëtare me mbi 50 grupe pjesmarrëse.
Spektakli vijoi duke ftuar në skenë dy zonja të nderuara të qytetit të Shkodrës, Keti Bazhdari dhe Majlinda Angoni, të cilat u nderuan me dy çmime në Tiranë, për kontributet e tyre sociale. Ato u përcollën me duartrokitje. Radha erdhi për çmimin e sportistit më të mirë, ku tranieri i basketbollit z.Bledar Gjeçaj, i dorëzoi çmimin sportisti më i mirë, basketbollistit të ekipit të “Vllaznisë” Gjon Ndoja.
Shkodra është burimi i zërave të mrekullueshëm, që kalojnë edhe kufijtë kombëtar. Për të shpallur këngëtarin më të mirë të vitit 2013 dhe për t’i dhuruar çmimin e fituesit, ngjitet në skenë pedagogia e pianos z.Irena Mhilli, e cila shumë e përmalluar, shpalli fituese këngëtaren e madhe shkodrane, laurate e “Voice of Italy”, të mrekullueshmen Elhaida Dani.
Më pas u shpall Politikani i vitit, deputeti Agron Çela, të cilin Prefekti i Shkodrës z.Paulin Radovani e ftoi në skenë për të marrë çmimin. Z.Agron Çela, i cili i emocionuar falenderoi publikun, Agjensinë e Spektakleve “Buna 1″dhe Drejtorinë e Teatrit “Migjeni”, duke thënë se të gjitha premtimet gjatë fushatës do t’i bëjmë realitet.
Për të mbajtur të ndezur atmosferën, moderatorja e këtij spektakli, e cila për herë të parë drejton një spektakël dhe skenarin e këtij spektakli ajo e ka ndërtuar vetë, por edhe një këngëtare e re, që ka qenë pjesëmarrëse tek “Kënga Magjike“ për tre vite me radhë, ajo ka arritur të dalë fituese në natën finale, ku është bërë e njohur me këngën “Xhelem,xhelem“, përshëndeti këtë publik të mrekullueshëm dhe personalitet fitus me këngën “S’të fal”, me tekst të Rozana Radit dhe muzika Adrian Hila.
Çmimi i mirënjohjes iu dha fotografit të paharruar Angjelin Nenshati, i cili filloi aktivitetin e tij shumë i ri. Pasioni për profesionin, dashuria për qytetin e tij, Shkodrën, përgjegjësia qytetare, e dallon personalitetin e tij. Syrit të tij nuk mund t’i shpëtonte asgjë. Në çdo ngjarje të qytetit do ishte i pranishëm me syrin e tij magjik. Krijues, plot fantazi e ndjeshmëri, objektiv i brezave të ardhshëm. Historianëve do u shërbejë thesari i tij që përbëhet nga afro 500.000 negativa, pasuri e familjes dhe e kombit. Prandaj dhe quhet thesar.
Ky çmim iu dorëzua familjes nga Presidenti dhe Producenti i “Buna 1″ z.Arben Mazi, i cili në fjalën e tij e vlerësoi si “Marubi e Dytë”.
Magjia e kësaj nate kulmoi, kur emblema e qytetit të Shkodrës, i njohur nga krijimtaria e tij e denjë artistike, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku jetojnë shqiptarë. Poezi, tregime, romane të realizuara me mjeshtri artistike, kanë dalë nga penda e tij e fuqishme. Sigurisht gjinia më e dashur e tij dhe më produktive është diçka tjetër. Drama. Veprat e tij janë fituese të dhjetra çmimeve, të vëna në skenë në Shkodër, Tiranë, Gjakovë, Prishtinë, Shkup, Tetovë, Ulqin, në diasporë, pra kudo ku ka shqiptarë. Ndër etërit e dramaturgjisë shqiptare. Jam i bindur që e kuptuat se e kam fjalën për dramaturgun e shquar Prof. Fadil Kraja. Për t’i dorëzuar çmimin e karrierës “Mjeshtrit të madh” Fadil Kraja, në skenë u ngjit vetë Prefekti i Shkodrës z.Paulin Radovani.
Përmes emocioneve të papërshkruara e mori fjalën Pr.Fadil Kraja i cili me mençurinë dhe mjeshtërinë e fjalës së tij tha: “Në qershor të vitit 1945 vjen në Shkodër Ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik Ilia Ehrenburg, shkrimtar e personalitet i njohur në shkallë botërore. Erdhi në Shkodër në kërkim të dy pikturave të Rembrandit, të blera në kohën e Revolucionit të Tetorit, në Petersburg nga tregtari shkodran Mark Kakarriqi. I gjeti në fototekën e Marubit të cilën, kur e vizitoi u mahnit aq shumë nga kjo pasuri përrallore sa i tha Gegë Marubit: Të tillë fototekë nuk e kemi as në Moskë, as në Leningrad. Gega iu përgjigj në gjuhën frënge: Zoti ministër, një proverb tek ne thotë: Në kaçubën e vogël mëshihet lepuri i madh.
Kjo kaçubë e vogël në mes të Europës, që quhet Shkodër, fsheh “lepuj të mëdhenj”, ruan vlera të mëdha. Ne kemi detyrë t’i zbulojmë ato, t’ua heqim pluhurin e harresës dhe t’ua bëjmë të njohura njerëzve, për të mirë të Shkodrës dhe gjithë Atdheut.
Sivjet Teatri “Migjeni” mbush 65 vite si teatër profesionist, i dyti pas Teatrit Kombëtar. Por, gjithashtu këtë vit mbushen 127 vite nga shfaqja e dramës së parë shqipe, “Nata e Betlehemit” e arbëreshit Leonard De Martoini, 1887, si dhe 95 vjetori i daljes në skenë e së parës femër shqiptare, Roza Kakarriqi, tek drama “Erminia e vorfen” e Viktor Hygo, 1919. Më vjen mirë që sot nderohen dy gra që ndihmojnë artin në Shkodër. Është gjë e bukur të kemi sa më shumë Mecenatë në qytetin tonë, sepse sa më shumë njerëzit të merren me art, kulturë e sport, aq më pak do kemi drogë e kumarxhi, vjedhje e korrupsion, vrasje e terrorizëm dhe policia e gjykatat do kenë punë më pak”.
Moderatorët e shkëlqyer të këtij spektakli Siçiliana Mazi dhe Simon Shkreli konfirmuan se në këtë mbrëmje të paharrueshme kemi edhe një çmim tjetër të karriere të cilin nuk mund ta linin pa këtë çmim. I dashuruar pas sportit, objektiv në analizat e tij të thella shkencore, vëzhgues deri në detaje të të gjitha ngjarjeve sportive, mik i të gjithë sportistëve, i respektuar nga sportdashësit. Emrin e tij e njohin të gjithë shkodranët dhe shqiptarët, kur nëpërmjet valëve të radios transmetonte me pasion, emocion dhe me objektivitet, aktivitetet sportive e sidomos ndeshjet e futbollit, i respektuar Ymer Sterniqi.
Çmimi iu dorëzua nga trajneri i mirënjohur i boksit z.Zef Gjoni. Jashtë mase i emocionuar z.Ymer tha: “Kam 52 vite para mikrofonit të Radios e Televizionit, por këto emocione nuk i kam patur asnjëherë në karrierën time, siç i kam sonte në këtë sallë. Ju faleminderit.
Qershia përmbi tortë ishte mbyllja e spektaklit, kur në skenë dolën për të përshëndetur të ftuarit, zërat e mrekullueshëm të këngëtares Mukades Çanga dhe grupit “Karaifilat që ka Shkodra”, të cilët nëpërmjet një potpurie popullore shkodrane, treguan se spektakle të tilla nuk mund të organizohen pa praninë e kësaj pasurie të madhe që shoqëron evenimente të tilla. Kjo potpuri ndoshta ishte dhe urimi “natën e mirë”, që ata i dhuruan spektatorëve në mënyrë melodioze, për t’i kujtuar se në këtë skenë, nuk do të mungojnë kurrë aktivitete të tilla, që shkodranët i kanë aq shumë për zemër.
Nga Ramazan Çeka
No comments:
Post a Comment