Saturday, December 21, 2013

Fajtorë ne dhe ata!

BLENDI FEVZIU

  Shqipërisë i është refuzuar për të disatën herë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian! Skepticizmit të Holandës dhe Danimarkës, këtë herë i është bashkuar Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe! Në fakt, më shumë se lajmi i rëndë në vetvete (i paralajmëruar nga votimi i Parlamentit holandez), ajo që të bën përshtypje është paaftësia e shoqërisë dhe politikës shqiptare për të bërë një analizë
të thellë dhe realiste të asaj që ka ndodhur. Është paaftësia jonë për të kuptuar se cilat janë përgjegjësitë që kemi ne, çfarë duhet të korrigjojmë dhe ku duhet ta ngremë zërin dhe t’i kërkojmë Europës së Bashkuar që të zbatojë të njëjtat standarde me të cilat po klasifikon fqinjët tanë. Dyzet e tetë orë nga marrja e vendimit, ende askush nuk u ka dhënë përgjigje disa pyetjeve fondamentale: Si shpjegohet që Gjermania, deri tani neutrale, u rreshtua bindshëm kundër statusit? Përse Britania e Madhe, mbështetëse kryesore e zgjerimit të BE, doli kundër? Përse aprovimi i tri ligjeve që konsideroheshin kusht deri tani nuk vlejti dhe ç’ka ndodhur nga maji, kur ato u aprovuan, e deri tani? A po ndryshon diçka në përqasjen e Bashkimit Europian ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, përderisa tri vendet më të rëndësishme të tij, Gjermania, Franca dhe Britania, tani kanë dalë publikisht kundër? A ka një pendesë ndaj izolimit 25-vjeçar të Serbisë dhe a po luhet korrigjimi i kësaj politike në kurriz të Shqipërisë? A ka një bindje në Bashkimin Europian se shqiptarët kanë marrë më shumë se sa meritojnë këta 23 vjet, duke nisur nga Pavarësia e Kosovës e deri tek anëtarësimi në NATO? Dhe e fundit e më kryesorja, a ka luajtur rol në veton europiane ftohja me SHBA pas vendimit për mosmarrjen e armëve kimike siriane?
Jo vetëm që asnjë pyetje nga këto s’ka marrë përgjigje, por debati thelbësor dhe më i rëndësishëm i këtij vendi ka degraduar për 48 orë në recitime banale ku palët akuzojnë njëra–tjetrën për probleme të politikës së brendshme dhe askush nuk tenton të sqarojë, ose minimumi të analizojë diçka më thellësisht. Duke mos iu dhënë dot përgjigje pyetjeve të mësipërme, po tentoj të jap një version personal të kësaj gjendjeje. Një version i cili ndahet në dy kolona kryesore: përgjegjësia jonë dhe përgjegjësia europiane.
Përgjegjësia jonë është evidente dhe e përsëritur. Si ata fëmijët që nuk ndërrojnë kurrë sjelljen dhe stilin e tyre, politika shqiptare shfaqet dhe rishfaqet e paaftë të ndërtojë një dialog të brendshëm; hakmarrëse në thelb; abuziviste me deklaratat dhe akuzat ndaj njëri–tjetrit, me një gjuhë urrejtjeje që nuk e gjen në asnjë nga vendet e tjera fqinje. Maxhoranca dhe opozita kanë qenë të paafta për të ndërtuar një dialog normal, së paku në problemet jetike që ky vend ka. Kanë qenë më të paafta se qeveria e Serbisë dhe e Kosovës, që kanë ndërtuar një dialog mbi një urrejtje etnike 100-vjeçare dhe mbi mijëra viktimat e luftës atje. Edhe konsensusi i fundit, ai për ligjin e administratës, u hodh poshtë nga vetë ata që e kishin votuar. Akuzat ndaj njëri-tjetrit dhe pastaj tejkalimi i tyre kanë luajtur një rol po ashtu primar. Burime diplomatike në Bruksel kanë deklaruar se akuzat e PS ndaj gjyqit “Meta” janë shqyrtuar me shumë seriozitet nga Danimarka, por se ata nuk dinë nëse PS iu qëndron ende këtyre akuzave tani që është në një koalicion me LSI e Metës? Po ashtu, burime të tjera deklarojnë se kjo gjë ka ndikuar edhe në Holandë. Ky kapërcim 180 gradë, natyrisht që është normal në Shqipëri, por s’mund të jetë normal në asnjë vend të Bashkimit Europian.
Korrupsioni galopant dhe paaftësia e Drejtësisë për të gjetur edhe një përgjegjës të vetëm të nivelit të lartë për të, po ashtu ka luajtur rol deciziv në këtë vendim. Si edhe problemet e krimit të organizuar dhe lidhjet e tij të forta me politikën!
Ka një seri tjetër arsyesh, që ne duhet t’i shohim në sy dhe t’i përballim. Në të kundërt, nga viti në vit do vijojmë të recitojmë akuzat ndaj njëri–tjetrit, duke e hedhur topin nga një kamp politik në tjetrin, por duke mbetur aty ku jemi!
Përgjegjësia e Europës, pa dyshim, këtë herë, sipas meje, është më evidente se kurrë. Unë besoj se akuzat e ish-kryeministrit Berisha për “albanofobi” dhe ato të Kryeministrit aktual për “ekstremistë brenda BE”, edhe pse të rënda për t’u thënë nga dy politikanë të nivelit të lartë, qëndrojnë. Duke mos pasur përgjegjësinë politike për t’i thënë gjërat me nënkuptim, ende i qëndroj idesë që kam elaboruar në vitin 2011, se qëndrimi i disa vendeve të BE ndaj Shqipërisë është jo thjesht paragjykues, por racist!
Krahasimi i Shqipërisë, pa dyshim, duhet bërë me fqinjët. Serbia e nisi procesin e MSA më 8 nëntor 2007, mori statusin e vendit kandidat më 28 shkurt 2012, vetëm 4 muaj pasi ishte rekomanduar nga KE, dhe iu hapën negociatat më 2013-n.
Maqedonia e ka marrë statusin e vendit kandidat më 17 dhjetor 2005, por procesi i saj i mëtejshëm u bllokua për një problem që lidhet me emrin dhe konfliktin që ka në këtë drejtim me Greqinë.
Mali i Zi aplikoi për status më 15 dhjetor 2008, e mori atë më 17 dhjetor 2010 dhe filloi negociatat më 2012-n.
Asnjë nga këto vende nuk ka standardet demokratike dhe ato të ligjshmërisë më mirë se Shqipëria. Shqipëria ka aplikuar për statusin në prill 2009 dhe ende katër vjet e gjysmë më pas mbetet pa një përgjigje. Një kohë që s’e ka kaluar asnjë vend tjetër. Deri më sot ishte bërë përgjegjëse sjellja e ashpër e opozitës. Sot, opozita shqiptare është tërësisht në favor të procesit integrues dhe e ka dokumentuar këtë me një rezolutë në Parlament. Por edhe një opozitë e ashpër në konceptin politik, është më e mirë se sa një vend ku opozita rrihet në Parlament, si në Maqedoni; ku niveli demokratik është dukshëm më inferior se sa ai i Shqipërisë apo se opozita në Mal të Zi, që thuajse nuk ekziston. Një vend me katër rotacione politike që nga viti 1992 si Shqipëria, garanton standarde demokratike më të mira se sa Mali i Zi, që në 23 vjet s’ka bërë asnjë rotacion të vetëm.
Korrupsioni dhe drejtësia në Serbi dhe në Mal të Zi janë dukshëm më problematike se sa në Shqipëri, dhe kjo shënohet në disa dokumente të institucioneve të specializuara për këtë gjë!
E fundit, Shqipëria ka luajtur një rol tejet moderues në rajon, dhe për këtë gjë meritonte më shumë. Ajo e kishte rrugën e saj integruese me vendet e ish-Lindjes komuniste, me Rumaninë dhe Bullgarinë, dhe jo me vendet e ish-Jugosllavisë, që u përfshinë në një konflikt të tmerrshëm etnik në fillim të viteve ’90!
Nuk e di përse Europa beson se një vend që e preferon BE-në në 90% të popullsisë së tij duhet të penalizohet për probleme gjeopolitike apo për paragjykime racore apo fetare! Një përgjigje bindëse kërkon edhe kjo, gjithsesi!

No comments: