Thursday, November 28, 2013

Surpriza, Fiorit të “Fiksit” do t’i duhet ta ndajë karrigen me Albana Osmanin

Ka qenë një surprizë për shikuesit e “Fiks Fare” në “Top Channel” shfaqja të premten në mbrëmje në ekran e Albana Osmanit, në vend të Fiori Dardhës. Dy muaj pas daljes së Fiorit në ekran si moderatorja e këtij formati të rëndësishëm televiziv me largimin e Saimir Kodrës, drejtori i “Fiks Fare” ndryshon strategji. Albana Osmani në këtë dalje të saj të parë ka postuar foto të realizuara në studion e “Fiks Fare”, duke njoftuar fansat e saj në faqen zyrtare në Facebook:
“Sonte unë nis një eksperiencë të re në ‘Top Channel’. Faleminderit për besimin në mua Filip Çakulli. Pas pak në ‘Fiks Fare’!” Më pas pyetjeve të fansave se nëse ajo ka zëvendësuar Fiorin, ajo u përgjigjet: ”Fiori do jetë aty, dinjitoze siç ka qenë. Unë jam pjesë e “Fiks Fare” dhe të tjera risi ju presin.” Nga ana tjetër, Fiori ka dhënë një përgjigje për fansat e saj nëpërmjet gazetës “Panorama”:
“Më prisni të hënën, se aty do më keni!  Kjo e sotmja ishte një surprizë, por do të vazhdoj të jem në ‘Fiks Fare’”, shprehet ajo. Për të kuptuar më shumë rreth kësaj strategjie të re që drejtuesit kanë menduar për programin investigativ dhe argëtues “Fiks Fare”, i morëm një prononcim kryeredaktores, Denisa Haxhijaj. “Fiori Dardha nuk është larguar, dhe do të vazhdojë të jetë bashkë me Doktorin dyshja e përhershme e ‘Fiks Fare’, që do të alternohet me dyshe të tjera suprizë, si kjo e Albana Osmanit me Doktorin”, tha Haxhijaj.

No comments: