Thursday, November 28, 2013

101 vjet Pavarësi, krerët e shtetit bashkë në Vlorë

Sot shënohet 101 vjetori i Festës së Pavarësisë. Festimet kanë përfshirë të gjitha zonat shqipfolëse.  Gjithë krerët e shtetit shqiptar, Presidenti Bujar Nishani, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta kanë qenë së  bashku në Vlorë, në qytetin e Flamurit.
Festimet nisën në orën 11:00 ku u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit. Kurorën e parë te varri i Ismail Qemalit e vendosi Presidenti Nishani,
i ndjekur nga Kryetari i Parlamentit Ilir Meta si dhe nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa kurorën e fundit me lule e ka vendosur Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Të pranishëm në aktivitetin e Vlorës janë edhe autoritete nga Kosova.
Pas ceremonisë, kryeministri Edi Rama në një prononcim të shkurtër është shprehur: “Falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar sot në Vlorë, ne si qeveri jemi të angazhuar ta çojmë shtetin përpara. I uroj gjithë shqiptarëve Gëzuar këtë festë të madhe!”.
Presidenti i Republikës,Bujar Nishani, Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kanë program të përbashkët vetëm në nisjen e ceremonive të festimit të Ditës së Flamurit në Vlorë.  Më pas, programi i festimeve mes Presidentit dhe Kryeministrit Rama ndahet.
Aktivitetet janë paraprirë nga mesazhe të shumta urimi. Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti Nishani ka marrë mesazhe urimi nga presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, ai austriak, Heinz Fischer, i Izraelit, Shimon Peres, nga Presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka uruar homologun shqiptar, Edi Rama për festën e 28 Nëntorit. “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni urimet më të përzemërta me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar, për një Shqipëri me perspektivë evropiane”, – shkruan Thaçi.

Aktivitete të shumta do të zhvillohen edhe në Tiranë. Ato startojnë në orën 09:00 dhe përfundojnë në orën 20:00. Siparin e festave e hap panairi në rrugën pedonale “Murat Toptani”, gjatë gjithë ditës së sotme do të zhvillohen lojëra popullore në ambientet e parkut “Rinia”. Gjithashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave. Ansambli do të vendoset në sheshin para monumenteve të Vëllezërve Frashëri në orën 11:00-12:00 dhe në sheshin para Galerisë Kombëtare në orën 12:00-13:00. Ndërkohë Banda e qytetit do të performojë një sërë këngësh patriotike si dhe një repertor të përzgjedhur enkas për këto festime, përgjatë rrugës pedonale “Murat Toptani” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Kosovë, 28 Nëntori ditë pushimi dhe feste, por jo festë zyrtare
Ndonëse 28 nëntori nuk figuron në kalendarin e festave zyrtare të Republikës së Kosovës, nesër të gjithë nëpunësit civil do të kenë ditë pushimi.Kështu ka vendosur Ministria e Administratës Publike. “Për nder të 28 Nëntorit –Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, nesër, më 28 .11.2013, për nëpunësit civilë do të jetë ditë pushimi”, thuhet në njoftimin e MAP-së, nënshkruar nga Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm.  Kryeministri Hashim Thaçi, presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentar Jakup Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë shtetëror kanë uruar të gjithë shqiptarët me rastin e përvjetorit të 101 të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Pengohet vendosja e flamurit kombëtar në Kalanë e Shkupit

Një grup aktivistësh shqiptarë sot kanë tentuar të vendosin flamurin shqiptar në Kalanë e Shkupit, mirëpo ata janë ndaluar menjëherë nga policia.
Siç mësohet nga agjencia e lajmeve INA, të rinjtë kanë denoncuar rastin duke theksuar se ata kishin planifikuar vendosjen e flamurit kombëtar gjigant në njërin nga muret kryesore të Kalasë, mirëpo janë parandaluar nga policia.
Ngjarja ka ndodhur derisa po vendosej flamuri, pasi që të rinjtë janë hetuar nga policia. Gjithashtu bëhet e ditur se nuk ka pasur ndonjë incident dhe se grupi i të rinjve është larguar.  Ndërkohë, në këtë lokalitet ka prani të një patrulle policore e cila siguron hapësirën e Kalasë.
Lugina e Preshevës feston dhe proteston për 101 vjetorin
Lugina e Preshevë sot do të festojë por edhe do të protestojë me rastin e përkujtimit të 101 vjetorit të pavarësisë.
Kështu sot nga ora 13 ftohen gjithë qytetarët që të marrin pjesë masovikisht në protestën gjithë popullore që do të mbahet në qendër të Preshevës.
“Festa e ditës së flamurit për Luginën e Preshevës do të jetë edhe festë por dhe protestë.Protesta gjithëpopullore do të organizohet nga forumet rinore të subjekteve politike nën patronatin e komunës së Preshevës”, theksuan organizatorët e protestës.
Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët që të enjten nga ora 13 të tubohen masovikishtë për të ngritur   zërin kundër diskriminimit në përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare.
Kryetari Mustafa ka thënë se Lugina është i vetmi vend i cili nuk mund të përdor simbolet kombëtare. Ai me këtë rast ka uruar gjithë shqiptarët ku do që jan
28 nëntor 2013 (gazeta-Shqip.com)

No comments: