Preç Zogaj
(Ese politike/ Tokë pa kontinent)
Nuk dua të hyj në fatin e marrëveshjes gjithnjë të paqartë të Edi Ramës dhe Spartak Ngjelës para zgjedhjeve. Ka qenë zgjedhja e zotit Ngjela të vazhdonte të besonte te zoti Rama. Besimi është një virtyt, pa të cilin nuk ia vlen të jetohet, thotë nobelisti polak Çezlav Milosh. Edhe pse qëllon të ketë si anë të pasme të medaljes zhgënjimin. Nuk gjykoj pra as përse vazhdoi të besonte Ngjela kur Opozita e Bashkuar pushoi
së ekzistuari, as përse nuk ia mbajti fjalën Rama kur doli në bregun e fitores mbi supet e Ilir Metës. Kjo është një histori mes tyre. Një histori që nuk mund të përgjithësohet as për të mirë, as për të keq.
Por kjo që ndodhi këtë javë mes tyre del tërësisht nga kuadri i vetjakes dhe fiton përmasën dhe jehonën e publikes. E kam fjalën për kritikat e Ngjelës kundër “emërimeve qesharake” dhe në tërësi kundër qasjes partizane, amatoreske dhe abuziviste që po demonstron zoti Rama në administrimin e pushtetit. Kritika konkrete për akte konkrete. Që janë shqetësime dhe pataksje të mbarë opinionit publik. Që janë kritika dhe akuza të opozitës politike të vendit. Kryeministri duhet të mbajë parasysh gjithë këtë regjistër kur merr përsipër të përgjigjet.
Cila ishte në fakt përgjigja që dëgjuam në intervistën e tij në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu? U përpoq të tallej me Ngjelën, duke thënë se kishte respekt për të edhe kur ia fuste kot! Shpiku një armik, “pjesën barbare dhe primitive të shoqërisë”, së cilës iu vërsul me krenari duke e bërë copë pse nuk dashka që vajzat të shkojnë në hekurudhë, pardon, që vajzat të bëhen drejtoresha! Bëri të indinjuarin për të maskuar indinjuesin.
Nuk kemi dëgjuar gjer më sot asnjë kontestim normal dhe serioz kundër emërimit të vajzave si gjini, si grupmoshë, si gjendje civile. As nga opozita, as nga qytetarët, as nga Spartak Ngjela apo analistë te tjerë të shtypit opozitar. Askush nuk e ka me vajzat si vajza. Të gjithë e kanë me kriteret, me ligjin, me premtimet, me standardet, me zakonet e mira, me normat.
Kryeministri kishte premtuar në fushatë se çdo emërim do të bëhej me konkurs. Të gjitha emërimet e deritanishme i ka bërë pa konkurs. Njerëzit kanë të drejtë të skandalizohen me këtë mashtrim elektoral të rendit njëqind për qind. Unë nuk befasohem dhe as kam dëshirë të zhbiroj në këtë pikë. Besoj se kështu do të ndodhë me shumicën dërrmuese të premtimeve demagogjike të zotit Rama. Por kjo është temë me vete. Problemi me emërimet është se kryeministri ka shkelur e po shkel shumë më shumë se një premtim elektoral për të bërë konkurse. Ai po shkel brutalisht parimet elementare të transparencës, meritës dhe karrierës në administratë. Ai po promovon si askush tjetër para tij parimin e zi të shtetit-rrumpallë “gjithkush mund të bëhet gjithçka” që është kushtrimi më i madh që mund t’u lëshohet mediokritetit, papërgjegjshmërisë, injorancës dhe harbutërisë nga katedra kryeministrore. Nuk flet asnjë fjalë për emërimet në postet kyçe, për notat në shkollë të të emëruarve, për përgjegjësitë dhe veprat e tyre në jetë. Si mund të jenë të panjohur për publikun funksionarë të këtyre niveleve? Ky fakt flet më qartë se asgjë për anomalinë e emërimeve. Rama hesht sepse nuk ka çfarë të tregojë. Të vërtetën nuk e thotë dot. E di se do të bëhej në mos qesharak, i përçmushëm për njerëzit. Në vend që të replikojë me “çfarë ka thënë Spartaku”, mundohet ta kanalizojë përgjigjen te “pse po e thotë Spartaku”. Në vend që të shpjegohet për rastet, zemërohet dhe sulmon kot “barbarinë” që ka në mendjen e tij.
Por kryeministri flet me akte. Emërimet e tij na thonë qartë se meritokracia që ka trumbetuar me bujë nuk ka të bëjë fare me notën- ajo mund të jetë pa problem pesë ose gjashtë. Nuk ka të bëjë me karrierën, me përvojën- këto janë fjalë boshe në oborrin e shtetpartisë së vjetër me emër të ri (“Shoku Shevqet nuk njeh ekonominë, por njeh shumë mirë partinë”. Është e vjetër kjo. E vjetër dhe pavdekshme). Me çfarë ka të bëjë atëherë meritokracia e zotit Rama, kur nuk ka të bëjë as me notat, as me përvojën, as me karrierën? A mund të jetë meritokracia një ekstravagancë e kryeministrit? A mund të jetë një shkrepje e sëmurë si ato të perandorit romak Kaligula që emëronte kalin e tij senator? A mund të jetë një “bingo” për njërin dhe për tjetrin në trallisjen e fitores plebishitare? A mund të jetë e gjithë kjo si një evokim i kujtimeve partizane të qeverisë së malit, ashtu siç është përcjellë nëpër breza gjatë komunizmit nga librat e leximit të shkollës fillore dhe tetëvjeçare? Kam frikë se jo. Kam frikë se e gjithë kjo është dukja, jo thelbi i fenomenit. Në thelb të emërimeve pa konkurs dhe pa karrierë ka interesa abuzive dhe korruptive. Ka edhe intriga politike për të djegur ndonjërin a ndonjërën. Shaka të rënda këto në kohë krize. Por mendjelehtësia nuk sheh.
Një rrezik i veçantë po mbyll dalëngadalë rrethin e qeverisjes së Ramës në këtë start të saj. Midis fjalimeve që ka mbajtur dhe akteve që duhet të bëjë ai nuk mund të jetë i njëjti. Ka ardhur si nëpër qiell, i mbështjellë me një re fjalësh të bukura, populiste dhe demagogjike shumica. Tani është i detyruar të qeverisë, i detyruar të bëjë akte, i detyruar të zbulohet tjetër për tjetër, i detyruar “t’ia fusë kot”, po të përdorim shprehjen e tij për Ngjelën. Kjo, qeverisja pra, do të jetë lakuriqësia e vërtetë e zotit Rama, jo një foto e zakonshme nudo që kundërshtarët e tij e patën qarkulluar gabimisht, kot së koti, një ditë të shkuar.

No comments:
Post a Comment