Sunday, April 28, 2013

Korrupsioni problem kryesor në Shqipëri dhe në Kosovë



Nga Frank Shkreli

Të Premtën që kaloi, Departmenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës. Në parathënien e raportit, Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri thotë se raporti dokumenton rrugën, shpeshëherë të vështirë të zbatimit të të drejtave të njeriut, duke theksuar se megjithëse "është bërë përparim i dukshëm në disa vende, në një numër tepër të madh vendesh, qeveritë nuk ndajnë vizionin e “Deklaratës Universale për të
Drejtat e Njeriut”, për një botë ku njerëzit jetojnë, të lire, me dinjitet dhe me të drejta të barabarta", duke shtuar se raporti i këtij viti, në terësi, e bën të qartë se shumë prej sfidave më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane, sipas tij -- në thelb -- kanë të bëjnë, "me përpjekjet e pamohueshme dhe universale të njerëzve për liri dhe dinjitet."  Në parathënien e tij të raportit mbi të Drejtat e Njeriut në botë, Zoti Kerri thotë se "në ato vende ku mohohen liritë dhe të drejtat bazë të njeriut, është shumë më e lehtë që të zënë rrënjë influencat negative, të cilat kërcënojnë jo vetëm  stabilitetin ndërkombëtar por edhe sigurimin tonë kombëtar." Në raportin dërguar Kongresit amerikan, Zoti Kerri shkruan se "qeveritë dhe vendet që respektojnë të drejtat e njeriut janë më paqësore dhe më të begatshme, ato janë fqinjë më të mirë, aleatë më të fortë dhe partnerë më të mirë ekonomikë.   Sekretari i Shtetit Kerri tha gjithashtu se "Shtetet e Bashkuara përkrahin popujt dhe qeveritë që dëshirojnë he që mbështesin lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët, duke pasur parasyshë përvojën tonë se puna drejtë një bashkimi më të përfeksionuar -- të një demokracie të vazhdueshme dhe të qendrueshme edhe në vendin tonë -- nuk do të marrë fund kurrë."   Kryediplomati amerikan tha me këtë rast, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të flasin qartë dhe në mënyrë të përcaktuar në mbështetje të barazisë dhe dinjitetit bazë për të gjithë njerëzit kudo."

Në raportin vjetor   DASH thuhet se nga Irani e deri në Venezuelë është shënuar shumë pak përparim në avancimin e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës. Raporti nënvijon edhe vështirsitë me të cilat përballen organizatat jo qeveritare – të cilat raporti i cilëson si një burim i pazëvendsueshëm për vitalitetin e një shoqërie të lirë dhe demokratike –si dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarët,  duke nënvijuar se viti i kaluar ishte viti më vdekje-prurës për gazetarët ç'prej vitit 1997, dhe thotë se numëri i gazetarëve të burgosur është katërfishuar ç'prej vitit 2011.  Sipas raportit, shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut po regjistrohen në vendet e përfshira në të ashtuquajturën lëvizje e ''pranverës arabe''.  Raporti i DASH është kritik gjithashtu edhe ndaj Turqisë, vendi i cili sipas raportit, ka numërin më të madh të gazetarve të burgosur.  Kritikave të rënda për shkeljen e të drejtave të njeriut nuk u ikën as vendet si Rusia, Kina, Irani,  dhe Siria.

Raporti mbi të drejtat e njeriut,--si për çdo vend tjetër në botë -- përfshinë komente edhe mbi gjëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe në Kosovë.  Në përmbledhjen e raportit të publikuar për vitin 2012, DASH nënvijon se plaga e korrupsionit ka përfshirë të gjitha degët e qeverisë, përfshirë edhe sistemin gjyqësor. Raporti flet për ndarjet e theksuara në linja partiake para zgjedhjeve të këtij viti, kritikon konsolidimin e pushtetit nga partia në fuqi dhe fletz edhe për probleme të tjra në fushën e të drejtave të njeriut. Raporti flet gjithashtu edhe e për (mos) ndëshkimet e zyrtarëve të akuzuar për abuzime duke thënë se ndëshkimet ishin të rralla dhe jo të vazhdueshme. Në raport thuhet se "në përgjithësi, shumë zyrtarë qeveritarë dhe politikanë, si dhe gjykatës, gëzojnë imunitet nga ndjekja ligjore dhe ata që kanë interesa të mëdha biznesi, shpesh janë në gjëndje tu ikin ndëshkimeve". Raporti thotë se ka patur raste ku "zyrtarë të nivelit të ulët janë ndëshkuar për abuzime, por shton se ndërkohë, "zyrtarë të qeverisë që qaartazi ishin të implikuar në abuzime, u transferuan nga një një post në një tjetër, pa pësuar ndonjë ndëshkim."

Në një reagim ndaj raportit të DASH mbi gjeëndjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri, Zyra e Avokatit të Popullit në Tiranë e vlerësoi këtë raport duke thënë në një deklaratë për shtyp se, “Në konstatojmë se Raporti i Departamentit të Shtetit është një vlerësim dhe analizë e thelluar dhe e vërtetë e gjendjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë dhe se në te gjëjnë pasqyrim të gjitha problematikat dhe shqetësimet e ngritura edhe nga institucioni ynë si gjëndja e minoritetit rom dhe atij egjiptian, problemet e personave me aftësi të kufizuar, gjakmarrja dhe pasojat e saj, gjëndja e të drejtave të njeriut në vendet e kufizimit të lirisë, të drejtat e komunitetit LGBT, dhuna në familje dhe veçanërisht ajo ndaj grave”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit të Shqipërisë.

Mbi gëjndjen e drejtave të njeriut në Kosovë, raporti flet për problemet më të rëndësishme të të drejtave të njeriut në atë vend, përfshirë ngritjen e bllokimit të rrugëve në pjesën veriore të vendit nga ekstremistët serbë të Kosovës, kufizimin e të drejtave bazë të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe transportin e mallërave.  Në raport thuhet se "ekstremistët serbë ushtruan gjithashtu dhunë dhe kërcënime kundër kundërshtarëve të tyre në vend dhe ndaj forcave ndërkombëtare të sigurisë gjatë vitit 2012."

Raporti i DASH mbi të drejtat e njeriut nënvijon se edhe në Kosovë, korrupsioni është problem serioz, duke thënë se disa nga problemet kryesore në fushën e të drejtave të njeriut në atë vend janë, "korrupsioni, favorizimet në burgje, mbajtja për një kohë të gjatë nën arrest para gjyqit, mungesa e efikasitetit juridik, kërcënimi i medias nga zyrtarët publikë dhe elementët kriminalë, përparimi i pamjaftueshëm në kthimin e personave të çvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsioni në qarqet qeveritare, trafikimi i njerëzve dhe puna e fëmijëve në sektorin informal." Në raport thuhet se qeveria mori masa për të gjykuar dhe ndëshkuar disa nga zyrtarët që kanë kryer abuzime ..... por shumë prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndëshkimit ligjor, thekson Raporti i Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut për vitin 2012.
Në lidhje me Maqedoninë, raporti i DASH thekson si problemim më kritik dështimin e qeverisë për të respektuar plotësisht ligjin, duke përmendur dështimin e ndjekjes ligjore të procedurave parlamentare, ndërhyrjen në punët e gjyqësorit, si edhe nivelin shqetsues të korrupsionit në radhët e qeverisë dhe mos ndëshkimin e policisë për sjellje anti-ligjore.   Raporti përmend gjithashtu tensionet ekzistuese midis komunitetit shqiptar dhe atij maqedon, si një prej shqetsimeve kryesore të respektimit të të drejtave të njeriut në atë vend.  Raporti vjetor i DASH mbi të Drejtat e Njeriut mbulon të drejtat e njeriut të njohura ndërkombtarisht – dmth, të drejtat individuale, civile, politike dhe ato të puntorëve – siç janë përcaktuar në Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut, si dhe në amrrëveshje të tjera ndërkombëtare. Raporti përgatitet për çdo vit, si një kërkesë e bazuar në legjislacionin e Kongresit amerikan, për të gjitha vendet që marrin ndihma amerikane si dhe për vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.  Është këjo një praktikë që ka filluar zyrtarizimin e saj nga fillimi i viteve 1970, për të folur haptazi për zbatimin ose jo të standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Në dokumentin e vitit 2010 mbi Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara thuhet se ne e “konsiderojmë si një parim themelor të interesave tona kombëtare mbështetjen e paqës anë e mbanë botës – një bote në të cilën jo vetëm shtetet por edhe individët të gëzojnë të drejtat themelore që ata meritojnë.”  Prandaj, ky raport tha Sekretari Kerri, “dërgon një mesazh tepër të qartë se të gjitha qeveritë kanë përgjegjësi për të mbështetur dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut”.  Njëkohësisht, raporti sipas ndihmës sekretares së shtetit për demokraci dhe të drejta të njeriut, Uzra Zeya, “shërben edhe si një gur themel faktesh mbi të cilin dhe në bazë të cilit përcaktojmë politikat tona”, ndaj vendeve të ndryshme të botës.
Frank Shkreli




No comments: