Sunday, April 28, 2013

Ç’po i ndodh Kreshnikut?

Kreshniku si kamikaz politik
Xhevdet Shehu
Kreshnik Spahiut i doli kallaji shumë shpejt ndërsa shkëlqimi i është venitur krejt. Tashmë kemi Kreshnikun e vërtetë, një Kreshnik në panik që në tatëpjetën që ka marrë i janë këputur frenat dhe që nuk di se ç’bën. Mjafton të themi se dje, nga kërcënimet për burgosjen e Sali Berishës, kaloi me kërcënime ogurzeza ndaj të vetëve.
Njerëzit që dje kanë dhënë dorëheqjen nga strukturat e partisë së Kreshnikut për shkak të zgjedhjes së gabuar të tij për zgjedhjet e 23 qershorit, kanë marrë kërcënime të tipit “do ju zhdukim”. Këto kërcënime të bëra me telefonata, por edhe drejtpërdrejt, i pohuan dje për gazetën ‘DITA ’ dy nga të dorëhequrit që kishin aderuar dhe mbanin poste drejtuese në partinë e Kreshnikut. Ata janë Av. Rojmir Hamzaj, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Nënsekretar i Departamentit për Çështjet Juridike pranë Sekretariatit të Çështjeve Zgjedhore si dhe Prof. Dr. Ago Nezha, Mjeshtër i Madh, Sekretar për Çështjet e Bujqësisë në Aleancën Kuq e zi, Kryetar i shoqatës atdhetarekulturore ‘Labëria’. Ata bëjnë me dije se kërcënime të tilla të ngjashme kanë marrë edhe të larguarit e tjerë, që nuk janë pak por plot 17. Ky pra na paska qenë Kreshniku? Keqardhje për ata që vazhdojnë t’i besojnë ende dhe që vazhdojnë ta ndjekin. Në ditën e parë të vendimit të Kreshnikut për të dalë si parti më vete, folëm për përsëritjen e fenomenit ‘Milloshi’. Në fakt, i ndjeri Hysni Milloshi, megjithëse një komunist ekstrem, nuk bëri kurrë deklarata ekstreme dhe nuk u soll kurrë në të tillë mënyrë. Të distancuari nga partia e Kreshnikut me dorëheqjen e djeshme shprehen qartazi: Ky eshte nje akt i pa shembullt për një forcë politike që pretendonte të sillte një frymë të re dhe konstruktive në politikën shqiptare. Tkurrja e Aleancës Kuqezi kish kohë që ka filluar, shumë kohë përpara se kryetari Spahiu të shpallte verdiktin se do të garonte i vetëm më 23 qershor. Por shkrirja që po i ndodh kësaj partie duhet thënë se është e shpejtë. Më shumë se tkurrje dhe shkrirje, ky është një zhvlerësim total. Merret vesh se procesi i dorëheqjeve është i pandalshëm, në trajtën e një orteku që po bie në humnerë…

Dorëheqje masive nga AKZ, largohen 17 drejtues
Sipas burimeve nga anëtarët e Sekretariatit Qendror të Partise Aleanca KuqeZi kanë dhënë dorëheqie të parevokueshme:
1- Dashamir Uruci, ish Kryetari i Organizates Kosova, Ambasador i paqes, sekretar për çështjet ekonomike me Aleancën kuq e zi dhe President i asamblesë të Partisë për kryeqytetin;
2- Prof. Dr. Ago Nezha, Mjeshtër i madh, Sekretar për Çështjet e Bujqësisë në Aleancën Kuq e zi, Kryetar i shoqatës atdhetare-kulturore ‘Laberia’;
3- Dr. Maksim Qoku, Sekretar për Çështjet Zgjedhore pranë Aleancës Kuq e zi;
4- Prof. Dr. Dëfrim Shkupi, Sekretar për çështjet e Mjedist pranë Aleancës Kuq e zi, President i shoqatës “Gjeologët inxhinieri”;
5- Prof. Dr. Agim Koçillari, Sekretar për çështjet e Shëndetësisë pranë Aleancës Kuq e Zi;
6- Av. Ali Aliu, anëtar i Këshillit Kombëtar, të Aleancës Kuq e zi;
7- Prof. Medi Shehu, Dekan i Fakultetit të Infermierisë;
8- Zonja Rudina Kraja, Kryetare e forumit të  Grave pranë Aleancës Kuq e Zi;
9- Av. Rojmir Hamzaj, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe Nënsekretar i Departamentit për Çështjet Juridike pranë Sekretariatit të Çështjeve Zgjedhore;
10- Z. Genc Rama, shef i departamentit të Ekonomisë dhe anëtar i Këshillit Kombëtar pranë Aleancës Kuq e zi;
11- Z. Ermir Tafaj, nënsekretar për Çështjet organizative pranë departamentit të çështjeve zgjedhore të Aleancës Kuq e Zi;
12- Zonja Silvana Halleshi, kryetare e Aleancës Kuq e Zi për rajonin n. 2 të Tiranës;
13- Zonja. Elvira Luli, sekretare politike për qendrat e votimit;
14- Z. Pellumb Goxhaj, sekretar politik per rajonin numër 2 të Tiranës;
15- Z. Shefit Rustemi, anëtar i Këshillit drejtues Vlorë;
16- Z.Vitri Zyka, anëtar i Këshillit kombëtar Vlorë;
17- Z.Viron Curraj, anëtar i Këshilit kombëtar Vlorë.

Pse dhashë dorëheqjen
Letra publike e Av. Rojmir Hamzaj
Të dashur miq të mirë, do doja që kjo ditë e bukur pranverore të mund të shijohej në maksimum nga të gjithë juve që jeni përpjekur me të gjitha mundësitë ekonomike, kohore dhe shpirtërore për maksimalizimin e rezultateve të kesaj partie që e krijuam, e rritëm dhe u afeksionuam që ka emrin ALEANCA KUQ E ZI. Në ambjentet e punës, në terren, në zyrat dhe në kohë pushimi të një çaji apo kafeje pata fatin e madh të njoh çdo njerin nga ju dhe të ndaja momentet e mira dhe të këqija. Pashë që brenda jush ka një ëndërr, një motivacion, një forcë, një dëshirë dhe kurajo për të ndryshuar në themel atë që ka qenë e pisët, e errët, e ndyrë, e padrejtë, e patolerueshme, përtallje, pazarhane, vrasëse në keto 22 vite qeverisje. Gjëra që edhe ne që kemi jetuar për një kohë të gjatë jashtë shtetit, i kemi parë, ndjerë, vuajtur dhe toleruar, me shpresën që një ditë do mund të gjithë bashkë një mendje të gjendemi më të lidhur se kurrë për t’i vënë kazmën këtij sistemi që po na lodh, përbuz, vjedh e plaçkit rininë e të ardhmen e fëmijëve, vëllezërve, motrave e të prindërve tanë. Shikoja tek Aleanca Kuq e Zi, një mundësi për arritjen e këtyre aspiratave që besoj janë në mendjen e çdo shqiptari të djathtë apo të majtë që nuk është pjesë e sistemit të qelbur e korruptiv. Por sot këtë ditë të bukur e të ngrohtë vere më duhet t’jua prish me një vendim timin që është frut i një analize shumë të gjatë, duke ju vënë në dijeni për dorëheqien personale si anëtar i Këshillit Kombëtar, dorëheqjen si sekretar i Departamentit për Çështjet Juridike i Aleancës Kuq e Zi. Ka shumë arsye që më bëjnë të marr këtë zgjedhje të vështirë, por para së gjithash, bindja e të qenit krejtësisht i papërshtatshëm me këtë mënyrë të të bërit politikë, që nuk e mbështes dhe nuk e kuptoj. Partitë, në veçanti ajo të cilës i përkisja unë, besoj që nuk mund të jenë përfaqësuese e hallit të vërtetë të këtij populli të varfër që mbart dhimbje me dekada, pasi klasa dirigjente, në sherr të vazhdueshëm, është e interesuar më tepër në çështje personale sesa politike. Entuziazmi që më çoi të përqafoj politikën për të bërë politikë për popullin, tashmë dominohet nga logjika dhe arsyeja e shëndoshë që më bën të dorëzohem para këtij mentaliteti dhe sëmundjeje të pashërueshme të individit shqiptar që çdo gjë është një farsë dhe se gjërat e njerëzve që ndjekim dhe që ndëgjojmë janë siç kanë qenë, demagogji, retorikë e propagandë. Po vallë e meriton ky popull që të përtallet akoma? Besoj që jo. Unë u përpoqa, me përulësi dhe ndershmëri, për të krijuar marrëdhënie bashkëpunuese me ju dhe me kolegët këshilltarë të sekretariateve të ndryshme, për të bërë më të dukshme përpjekjet e të gjithëve me qëllim përmbushjen e aspiratave për një vend sa më të mirë. Në këtë lëvizje besova, besoj në kauzën dhe simbolet tona, dhe do jem me mendje tek juve kolegë të mirë e më pak të mirë, por nuk mund të besoj më tek ”mentorët” e liderit tonë dhe vetë ky i fundit. Kam urryer gjithmonë servilët, të paaftët, imoralët, të korruptuarit, pasi janë ata të cilët janë në pushtet dhe nuk do të kishte kuptim nëse ne do vazhdonim t’i luftonim e të risjellim po prapë pjellën e tyre me shokë e dashamirë të ngrënë e të ushqyer në kurriz të popullit. Kam thënë që në fillim që Aleanca Kuq e Zi është e ndarë në Kuq e zi, që jeni ju miq të dashur që jeni ushqyer si unë me byrekë 300 lekësh për dy vite radhazi dhe që besoni në një ditë me dritë, dhe Aleancistët që janë ata që kemi parë, dëgjuar, përjetuar, dhe që ndajnë me krahë milionat e pista dhe sulmojnë këdo që e shohin si frikë, si të re, plot me ide, si të paster, të papërlyer. Ju uroj suksese dhe shendet në familjet tuaja.
Me respekt, Rojmir Hamzaj

Spaletat e Spahiut në oborrin e Saliut. Përse u largova nga AKZ
Prof. Dr. AGO NEZHA
Partia Aleanca Kuq e Zi, doli në skenën politike Shqiptare, si një dallëndyshe me sqepin e patriotizmës, atdhetarizmës, bashkimit kombëtar dhe lirisë së individit. Këtë mision, e kopjoi, (për të mos thënë e vodhi), nga Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, e cila bëri një tubim me praninë e 70 shoqatave mbarë kombëtare, që denoncuan shitjen e 344km det, shtetit fqinjë, Greqisë. Në këtë tubim, u shfaqën dhe “Kreshnikët”, me dëshirën për ta përshëndetur këtë tubim, si një shoqatë me profil kombëtar. Më kërkoi mua fjalën që e drejtoja këtë tubim, në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës “Labëria”, që ja respektova kërkesën. Pa bërë shumë histori, kjo lëvizje më vonë u shndërrua në parti, e quajtura Aleanca kuq e Zi. Me slogane kombëtare, patriotike, me denoncime ndaj pushtetit dhe sulltanatit të tij, filloi të hedhë shtat, të rritet,  të shtohet, e të besohet, se do sjellë pranverën e politikës shqiptare. Duke vënë në piramidën e partisë, Myslym Pashain, njeriun që denoncoi publikisht me argumenta shkencore tradhtinë shtetërore, që shitën territore neozogistët e rinj, jo më si më parë nga toka, por nga deti, misioni i saj u bë më i besueshëm.  Në sfondin e këtij misioni, më tërhoqi edhe mua, si përfaqësues i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria”. Deri këtu s’ka asgjë të pa moralshme.
Por, me kalimin e kohës, pehlivani i kreut të partisë, Kreshniku, filloi të zbatoi strategjinë për misionin që kish marrë përsipër nga tutori i tij, patriarku Berisha. Nuk përfillte më as kolegët e tij dhe as mendimin intelektual. Krijoi një grup klientelistësh  që i përdorte për ti prirë përpara në tubime. Për tubimin që organizoi  me rastin e 7 Prillit, i mbytur në dëlirin e madhështisë, e kompozoi vetë skenarin dhe nuk pranoi asnjë korrektim kur u diskutua në sekretariat, duke u sjellur me arrogancën lilipute, që e karakterizon. Doli para turmës minore, me një pamje madhështore, i pa shoqëruar, nga asnjë nga figurat kryesore të partisë. Kjo sjellje, ra për keq në sytë e shikuesve, dhe u komentua gjatë, kur kryetari i partisë, parakalonte  përkrah kuajve. Një butafori diabolike. Dokinshotizma, anakronike. Ndaloi para kryeministrisë, me taborin e tij në krah dhe aty mbajti një fjalim se si do i bëj “gjëmën” Berishës. Dhe se Berisha, sipas tij na qenka trembur dhe ka migruar larg për të mos e kapur në “lak” Spahi Saliu. (Të parët tanë thonin: “ Lena mendjen o zot”, e veçanërisht sot, me këtë “patriot”.)
Por komedia nuk mbaron me kaq. Edhe për problemin e aleancës zgjedhore luajtën komedi. Ata, çdo ditë prodhonin nga një teori të re. Kryetari Spahiu, sekretariatin e ngriu. Konsultohej me një grup klientelistësh, që turbullonin situatën politike, me versione komike. Bënin pazare qesharake, duke nxjerrë çdo ditë nga një ofertë të re para opozitës. Lojën e luante, gjoja në favor të tij, por sipas dirigjentit që i ka caktuar rolin.
Pjesa më vitale e sekretariatit, ishte për aleancë me forcat opozitare, sepse kjo përputhesh me misionin dhe strategjinë e Aleancës Kuq e Zi, në bazë të programit, por rezultoi gabim. Ne nuk e kuptonim, se Spahiu, vinte nga Saliu dhe shkonte te Saliu, ku i frynte në vesh “veriu”. Kjo lojë cic- mic, vazhdoi për disa ditë, derisa u fashit dhe ajo që pritej nga dirigjenti u arrit. Arsyetimi, përse nuk bëri aleancë me opozitën ishte sa qesharak aq edhe i turpshëm.
Të gjitha vendimet,i mori jashtë çdo kodi demokratik, pa u konsultuar qoftë dhe formalisht, me sekretariatin e zgjedhur nga Kongresi i Partisë. Dhe për më tepër, nëpërmjet njërit prej sejmenëve të tij diabolik informon në median elektronike, se ky vendim ishte kolegjial, me ndonjë kundërshti të vogël (!). Për këtë vendim madhor, për jetën e Partisë, Aleanca kuq e zi, sekretarit dhe forumet e tjera të partisë, jo vetëm që s’janë mbledhur, por nuk kanë pasur asnjë informacion kolegjial, deri sa e lëshoi predhën në kufirin limit të mbylljes së afatit, për të deklaruar qëndrimin e tij refraktar.
Unë e kuptoj veprimin e tij, që s’varet nga kryetar Kreshnik, se  çdo vendim merret në Kullën e bajraktarit Berisha. Slogani i Kreshnik Saliut është: “Të rrëzojmë Berishën, përkrah Berishës.  Sa sofizma të tjera qesharake, kemi dëgjuar me bollëk nga ky doracak i pushtetit. Si mund të harrohen, deklaratat e tija solemne, sa të vij në pushtet Kreshniku, të nesërmen Saliun e pret rreziku. Kësaj, në gjuhën popullore i thonë: “qeni leh, e ujku pirdh”. Kreshniku kur flet, është, korr e mos lidh. Zot na ruajsh nga ky vigan liberator, e bëjmë duva që të mos ketë shumë gjëra në dorë.
Pra, mos u çudisni që ai, me mitingun e “madh” të 1 majit, do heq Saliun, duke bashkëpunuar me Saliun. Kreshnik Spahiu gënjehu dhe zhgënjehu një pjesë të ndershme, patriote, idealiste, që tashmë s’e besojnë, sepse nuk janë naiv. Ata erdhën në këtë parti, duke besuar në moralin patriotik, atdhedashurinë dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Në këtë situatë kondraversale, që prodhoi Kreshniku dhe hafiet e tij, u bë i pa mundur qëndrimi në këtë parti. Tashmë ajo është “private” e një personi që sic e ka deklaruar në mbledhje të sekretariati, pa ndrojtje: “unë e shes shtrenjtë përfaqësimin në parti, po s’fitova nga aktiviteti politik, nuk ka pse qëndroj në krye të partisë”.
E pra, në këtë parti, të kthyer në pronë private, divorcohen aktualisht dhjetë sekretar politik dhe shpërbëhen departamente nga më të rëndësishmit. Mediat e shkruara dhe elektronike, nuk duhet t’i kontribuojnë më kësaj maskarade të re në spektrin politik shqiptar, që e ka emrin “Aleanca kuq e Zi –Spahi” që opero me slogane “të rrëzojmë pushtetin”, duke i vendosur furka pushtetit, që të qëndrojë sa më gjatë në këmbë.
* Autori, sekretar per ceshtjet e Bujqesise ne Aleancen Kuq e zi, Kryetar i shoqates atdhetare kulturore

No comments: