Tuesday, December 4, 2012

MALËSIA E MADHE “ NDERI I KOMBIT “



MALËSIA E MADHE “ NDERI I KOMBIT “
Të dashtun vëllazen e motra malësor!
 I emocionuar së tepërmi nga kulminacioni qe pat festimi i madhërishëm i 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë, ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe krijimit të Shtetit Shqiptar për treven tonë Malësia e Madhe kam dëshiren e mirë të përshëndes të gjithë Ju për ngrohtësinë, ritmin dhe emocionet e pakufishme që i dhatë gjatë gjithë kohës kësaj feste madhështore, të shenjtë e plot atdhedashuri. Pa as më të voglin dyshim treguam se e meritojmë emrin e mirë e plot dritë të malësorit që edhe pse të ndarë kufijsh ne nuk mund të ndahemi nga gjaku, gjuha, historia, kultura e për më tej edhe sakrificat e përbashkëta që kemi përjetuar. Nuk mund të ndajmë prejardhjen e traditat tona, jetët e qindra e
mijra luftëtarë e luftetare të cilët për liri, mbrojtje territoresh tona, çlirim kombëtar e ndertim të demokracisë dhanë jetën e tyre, sakrifikuan pasuri e familje, lanë ofiqe e grada e të tjera privilegje vetëm për token e begatë që ka një emër shumë kuptimplotë e sinjifikativ, krenarë për brezat e djeshëm, të sotëm e të nesërme, trevë e lartësuar MALËSIA E MADHE.
Kujtdo që nuk e njeh Malësinë tonë e historinë e saj mund e do i dukeshin një legjendë luftrat dhe përpjekjet e saj për ekzistencë,  por brezat malësorë i kanë jetuar dhe mbrujtur me patriotizem të pashoq duke i lanë kurdoherë si pasuri të madhe brezave pasardhës. E ne brezat e sotëm veçse duhet ta meritojmë që dëshirat e tyre ti transmetojmë tek brezat që vijnë. A mundeshim që këto faqe të ndritur të historisë, të etno-kulturës e traditave të trevës tonë Malësi e Madhe ti linim veçse të pergojuar o jo ti materializojmë në altar? Jo kurrsesi. Ndaj me mëndje të kthjellët shumë intelektual, shoqata, deputetë, përfaqësues të pushtetit etj. të Malësisë së Madhe i parashtruam me fakte e prova ( të firmosura e vulosura ) e i paraqitem para Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani që emri e vepra e bashkmalësorëve tanë dhe e trevës tonë Malësi e Madhe të nderohet e të respektohet me ligje. Presidenti i nderuar z. Nishani pati nderin e merituar që në kuadër të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë të lartësojë Malësinë e Madhe me titullin “ Nderi i Kombit “. Duke qënë i bindur që në heren e parë se për asnjë çast nuk është vënë në dilemë, pasi siç e pohoi edhe vetë z. President teksa mbajti fjalën e rastit në Teatrin “ Migjeni “ me datë 25 Nëntor 2012 gjatë dorëzimit të titullit, por edhe duke përcaktuar qartë edhe në motivacionin përkatës ishte i mirënjohur me historinë e Malësisë së Madhe dhe se ishte i lumtur që Malësisë së Madhe kishte nderin ti japë titullin e lartë “ Nderi i Kombit ”.  Ndaj në emrin Tuaj dua të falenderoj Presidentin e Republikës z. Bujar Nishani e ta Uroj ashtu siç dimë ne malësorët: Paçi faqen e bardhë e zoti qoftë kurdoherë me ju z. President për të ndriçuar rrugen tane në të mirë të Shqipërisë e Kombit Shqiptarë, drejt përparimit dhe integrimit në familjen e madhe eurpiane. Dora Juaj z. President që nënshkroj titullin e lartë “ Nderi i Kombit “ për Malësinë e Madhe qoftë kurdoherë dora e vlerësimit dhe e bashkimit të të gjithë shqiptarëve.
 
 
Prania ime dhe e bashkmalësorit tonë të nderuar Prof. Dr. Martin Berishaj në podium teksa merrnim titullin e lartë “ Nderi i Kombit “ për Malësinë e Madhe ishin të mbushur por edhe shpërndanim emocione tek çdo malësor i ndodhur në sallë, në brendësi të territorit të Malësisë së Madhe ( pa kufinj shtetërorë ) apo kudo që ndodhej e ndodhet edhe tani. Ashtu siç jam i bindur se të tilla emocione janë të shpërndara anëkënd trojeve shqiptare e kudo ku ndodhen shqiptarë, pasi gëzimi i yni për Malësinë e Madhe i nderuar me titullin e lartë “ Nderi i Kombit “ është edhe gëzimi i tyre.
Ndaj në të tilla momente emocionuese më lind vetëm një urim i veçantë që është padyshim urim edhe i Juaji: Gëzuar “ Nderin e Kombit “ Malësia jonë e Madhe, me tradita kurdoherë të vyera të besës, bujarisë, trimërisë e dashurisë së madhe. Lavdi të përjetshme historisë dhe atyre burrave e burrneshave që lartësuan treven e Malësisë së Madhe. Përshendetjet dhe urimet ma të mira për çdo malësor e malësore, për çdo familje e fis malësor brenda e jashtë territorit pa kufinj të Malësisë së Madhe. Nuk mund të gjej mbyllje më të përshtatshme për këtë shkrim se sa vargjet: Po ku je Malsia e Madhe/Mir e di ke pas shum halle/Je kreshnike, je e mir’/Jam krenar që jam yt bir.
Me respekte nga bashkëmalësori Juaj
SYTKI NDRECAJ
N/PREFEKT MALËSI E MADHE

No comments: