Shkruar
nga Çelo Hoxha
Në mbledhjen e korrikut 1961 Enveri i dërgoi mesazh që ai
të fliste në emër të shkrimtarëve të rinj, kështu nisi
ngjitja e shpejtë e Kadaresë
ANALIZA E TEKSTIT
Në korrik 1961, në një nga sallat e Universitetit të
Tiranës, u zhvillua një mbledhje e gjerë e shkrimtarëve dhe
artistëve të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e diktatorit.
Shkrimtarët, siç tregon Ismail Kadareja në kujtimet e tij, gjendeshin në një
konflikt brezash, të vjetrit përballë të
rinjve. Në kujtimet e tij, botuar në gazetën “Drita” më 28
prill 1985, Kadareja tregon me detaje se si ai nisi, u ngjit pikiatë në
letërsinë shqipe, i shtyrë nga një dorë e
fshehtë.
Dora e fshehtë ishte ai që Kadareja e quan udhëheqësi:
diktatori Enver Hoxha.
Në mbledhje të vjetrit flisnin njëri pas tjetrit. Në një
nga pushimet e mbledhjes “një shok” i Kadaresë që rrinte në presidium, iu afrua
shkrimtarit 25-vjeçar dhe e pyeti:
“Pse nuk flet askush prej jush”. Ata që s’flisnin ishin të
rinjtë.
Shoku i presidiumit ia bëri këtë pyetje, me porosi të Enver
Hoxhës. Diktatori kishte kërkuar që të fliste dhe dikush nga të rinjtë dhe,
përmes “shokut”, ai zgjodhi
Ismail Kadarenë. Pyetja e “shokut”, pse nuk flet askush nga
ju, ishte sugjerim që Kadareja të merrte fjalën e të fliste në emër të të
rinjve.
Dhe kështu ndodhi. Kadareja menjëherë shkroi fjalimin në
pjesën tjetër të pushimit. Në seancën e pasdites mori fjalën. Foli i pari nga
të rinjtë.
Kur doli në podium, diktatori i dha shenjë se kishte
mbështetjen e tij dhe e siguroi se “shoku” kishte patur miratimin e tij të
zgjidhte mes të rinjve personin që do të
bëhej lideri i tyre. Kur Ismail Kadareja doli në podium,
ende pa nisur fjalën, diktatori ndërhyri për t’i dhënë kurajë e për t’i
konfirmuar mbështetjen e tij: “Ja, tani do
t’ju dëgjojmë dhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur.”
Pas këtij inkurajimi, Ismail Kadareja u bë me krahë dhe
ende s’e ka pushuar fluturimin e tij në shërbim të komunizmit. Ja si e
përshkruan vetë: “Këto fjalë të Tij ma
dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm që e lexova
diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i Tij,
shtova mjaft fraza që nuk i kisha të
shkruara.”
Gjithë vepra e Kadaresë është ajo që ai rrëfen për atë
mbasdite: një tekst i shkruar dhe disa fjalë ekstra, të shtuara nga entuziazmi.
Shkrimtarët, të vjetër e të rinj, folën gjithë ditën, por
në fund sigurisht nuk ranë dakord për asgjë. Ata thjesht ishin aty për të
argëtuar diktatorin. Zgjidhjen e kishte
vetëm ai dhe ai nuk i merrte leje kujt kur zgjidhte të
fliste.
Ato që Ismail Kadareja thotë për fjalimin e diktatorit atë
ditë, nuk janë thënë ende as për fjalët e profetëve. Kadare ka qenë i magjepsur
nga ai njeri.
Fjala që mbajti diktatori në atë mbledhje, sipas Kadaresë,
ka qenë leva shtytëse për shumë shkrimtarët të rinj, mes tyre dhe Kadareja, që
u ngjitën me shpejtësi në
piramidën e letrave shqipe.
“Mund të thuhet me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të
viteve ‘60 ia detyron lançimin e tij këtij fjalimi”, - thotë Kadareja në
kujtimet e tij. Ne s’kemi asnjë arsye
pse t’i vëmë në dyshim fjalët e tij.
Dikush mund t’i vejë në dyshim kujtimet e Kadaresë, por ne
nuk kemi arsye për një gjë të tillë. Ato që rrëfen Kadareja janë të besueshme
edhe për faktin se janë në
harmoni me mënyrën e funksionimit të gjërave në një regjim
totalitar. Enver Hoxha, si udhëheqës totalitar, ishte në kontroll të gjithçkaje
dhe askush nuk mund të
pretendojë se ka patur një karrierë publike të shkëlqyer pa
përkrahjen e tij.
Në 1961-shin, ndërkohë që marrëdhëniet kishin marrë
tatëpjetën, Enver Hoxha kishte nevojë për përkrahjen e shkrimtarëve dhe
artistëve, sepse ata ishin njerëzit
që do të bënin propagandën. Në mars qeveria kishte nxjerrë
një vendim për dhënien e lejeve krijuese, duke u dhënë shkrimtarëve dhe
artistëve mundësinë e
kushteve më të mira të punës, që do të thoshte, se një
pjesë e tyre nuk do të merrej me gjë tjetër veç punës letrare dhe artistike.
Në korrik ai organizoi mbledhjen që sheshoi problemin midis
brezave dhe sigurisht u kujtoi të gjithëve, sidomos brezit të ri, se ata mund
të llomotitnin për gjithçka e
gjithë kohën, por ajo që kishte rëndësi ishte fjala e tij.
Të vjetërve ua zbuti nivelin e arrogancës, kurse të rinjve u dha kurajë dhe u
hapi rrugën që të viheshin në
shërbim të tij. Kujtimet e Ismail Kadaresë janë, në një
farë mënyrë, shprehje e mirënjohjes për ndihmën që Enver Hoxha i dha në
1961shin.
Kjo është një gjë e mirë, sepse tregon që ai ka qenë njeri
me karakter. Veçse, për aq kohë sa mendonte se komunizmi ishte i përjetshëm.
Për shkrimin e këtyre kujtimeve Kadareja dhe adhuruesit e
tij mund të mundohen ta justifikojnë me “ashtu ishte koha”, por është fakt që
askush nuk e ka detyruar t’i
shkruante ato kujtime. Me shkrimin në gazetën “Zëri i
popullit”, 15 prill 1985, Kadareja e kishte bërë detyrën, për t’u justifikuar
te eprorët e tij politikë, të cilët, ishte
normale, prisnin diçka nga pena e tij në lidhje me vdekjen
e Enver Hoxhës. Shkrimi i kujtimeve, shkrimi i elegjisë, shkrimi në gazetën “Le
Mond” në mbrojtje të Enver
Hoxhës, janë shumë për t’u justifikuar me “ashtu ishte koha”
ose “nga frika”.
Titulli i origjinalit: Kujtime për shokun Enver Hoxha
Ismail Kadare
Tani që Udhëheqësi i vendit nuk është më midis nesh,
kujtimet për Të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës
së tij monumentale, por një
pjesë siu generis, që nuk përfshihet në librat,
fjalimet, ditaret, porositë e letrat e tij, por është e shpërndarë në qindra,
në mijëra njerëz. E megjithëse e tillë, kjo
pjesë e veprës, këto kujtime që Ai ka lënë, biseda në
fjalë, gjeste, pamje, gjendje shpirtërore, janë një pasuri e tërë që ndihmojnë
për të plotësuar e ndriçuar anë të
tëra të personalitetit të tij si udhëheqës, burrë shteti,
mendimtar marksist, filozof, shkrimtar dhe njeri.
Kujtimet për Të nuk kanë nevojë për zbukurime, ato kanë
nevojë vetëm për saktësi, sepse duke qenë të sakta ato e kanë vetvetiu brenda
edhe bukurinë dhe
thellësinë dhe peshën e vërtetë. Prandaj ata që kanë pasur
fatin të kenë kujtime me Të, janë të ndërgjegjshëm se ç’thesare të çmuara
mbajnë në duar, thesare,
pasurinë e të cilave duhet t’ua zbulojmë të gjithëve.
***
Në verë të vitit 1961, klima letrare në vendin tonë ishte
sa e gjallë aq edhe e komplikuar. Të angazhuar në luftën e madhe që bënte
populli e Partia për përballimin e
bllokadës së re revizioniste, që porsa kishte filluar,
forcat krijuese ishin në një aktivitet të plotë. Ishte e natyrshme që në këto
kushte, kur kërkoheshin rrugë të reja
zhvillimi për ta bërë letërsinë tonë edhe më shumë të
lidhur me problemet e kohës, të kishte mjaft debate e polemika, disa herë të
mprehta.
Klima letrare u komplikua pikërisht nga disa keqkuptime që
lindën gjatë debateve lidhur me traditën dhe novatorizmin në letërsinë shqipe
të realizmit socialist.
Polemika, e cila shpërtheu edhe në shtypin letrar, kishte
rrezik të çonte drejt ndarjes artificiale të shkrimtarëve, në të rinj e në të
vjetër, gjë tepër e dëmshme,
sidomos në kushtet ku po ndodhej vendi ynë, kur më tepër se
kurrë kërkohej forcimi i unitetit.
Në një atmosferë të tillë, në korrik të vitit 1961 në
Tiranë u organizua një mbledhje e madhe e gjithë forcave krijuese. Mbledhja do
të ishte vendimtare për t’i dhënë
një zgjidhje apo një zhvillim të mbarë debatit që po vlonte
prej kohësh. Por mbledhja merr një rëndësi edhe më të madhe, sepse në të
asistonte shoku Enver Hoxha.
Mbledhja u bë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës.
Në një pjesë të materialeve të saj u pasqyruan ato keqkuptime e teprime që
ishin shfaqur gjatë polemikës
së deriatëhershme. Duhet thënë, se për ne, shkrimtarët e
rinj, gjendja ishte jo pak e vështirë. Nga disa autoritet të kritikës e të
letërsisë u bënë shkrime disa herë
të pamerituara ndaj nesh. Kishte rrezik të thellohej ndarja
artificiale në “të rinj” e “të vjetër” dhe zhvillimi i letërsisë sonë të
ngadalësohej prej koncepteve
konservative.
Shoku Enver, i cili asistoi në të gjitha seancat, dëgjonte
me vëmendje diskutimin e secilit.
Në një nga pushimet, një shok, që ishte në presidium, më
tha:
- Përse nuk flet askush prej jush? Me sa kuptova unë nga
biseda e tij në pushim, shoku Enver dëshiron t’ju dëgjojë edhe ju të rinjve.
Këto fjalë sikur më hoqën në çast një farë mpirje që më
kishte zënë gjatë kësaj mbledhjeje. Nxora një letër dhe fillova të përgatitem
me shpejtësi.
Në seancën e pasdites kërkova fjalën. Isha i pari që po
flisja nga “të rinjtë” dhe merret me mend që auditori priste me interes se si
do t’u përgjigjeshim ne shumë
kritikave që u bënë.
Në kohën që zura vend për të folur përpara mikrofonit,
shoku Enver, i cili me siguri e kishte kuptuar tronditjen shpirtërore të
shkrimtarëve të rinj në këtë mbledhje,
tha:
- Ja, tani do t’ju dëgjojmë dhe juve. Jeni të rinj, por
jeni të pjekur.
Këto fjalë të Tij ma dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm
që e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga
inkurajimi i Tij, shtova mjaft fraza
që nuk i kisha të shkruara.
Pas meje folën edhe të tjerë. Shoku Enver vazhdonte të
dëgjonte me vëmendje çdo diskutim. Tani Ai dhe gjithë mbledhja kishin dëgjuar
të dy palët polemizuese.
Duhet thënë se teprime e keqkuptime kishte nga të dy anët,
edhe nga ne “të rinjtë”, por, megjithatë, nuk mund të thuhet se të dy palët
kishin të drejtë, ose të dy
palët kishin gabim. Dikush kishte në thelb të drejtë e
dikush jo.
Ishte pikpërisht ky thelb që kapi në mënyrë të shkëlqyer
shoku Enver në fjalimin e tij që pritej me padurim. Ai i bëri një zbërthim të
thellë marksist-leninist problemit,
foli për raportin dialektik midis traditës dhe
novatorizmit, shpjegoi se shkrimtarët e rinj s’ka si të kenë interesa të tjera
nga ato të popullit e të Partisë, se ata janë të
lidhur me vendin e me kohën, dhe se ndarja në “të rinj” e “të
vjetër” nuk i shërben askujt.
Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm në
të gjithë jetën letrare artistike. U shpërndanë menjëherë keqkuptimet që kishin
lindur gjatë debatit, u lanë
mënjanë etiketat e kota që i kishim vënë njëri-tjetrit, u
kuptuan se shumë probleme të ngritura në valën e polemikës ishin fiktive dhe se
gjithë shkrimtarët, të rinj e të
vjetër në moshë, punonin për një qëllim.
E çliruar kështu, në sajë të ndërhyrjes së Udhëheqësit prej
një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim
të ri e të vrullshëm, në
kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që
prisnin shkatërrimin e saj. Takimi dhe fjalimi i shokut Enver me shkrimtarët
dhe artistët në korrik të vitit 1961,
hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe. Mund të thuhet
me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të viteve 60 ia detyron lançimin e tij
këtij fjalimi.
Gazeta “Drita”, 28 prill 1985, faqe 8-9-10.
Kadare:
Si më zgjodhi shoku Enver shkrimtarin e tij personal
No comments:
Post a Comment