Wednesday, April 4, 2012

Zbulohet godina/ Selia e partisë së Topit përballë PD, gati programi dhe spoti

Habjon Hasani
Tiranë Mbështetësit e presidentit Bamir Topi kanë nisur numërimin mbrapsht për shpalljen e partisë së re, pasi u kanë dhënë zgjidhje çështjeve organizative. Njëra prej tyre është selia e partisë, e cila tashmë mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. E pozicionuar në krah të Institutit të të Përndjekurve Politikë, përballë Parlamentit dhe në një distancë të shkurtër nga selia e Partisë Demokratike, godina 4-katëshe në krah të Komunitetit Musliman është parë si vendi më i mirë i mundshëm nga mbështetësit e presidentit Bamir Topi për startin e partisë së re . Burime të gazetës MAPO bëjnë me dije se tashmë është mbyllur kontrata me pronarët e godinës, ndërsa kanë filluar punimet për përshtatjen e dy kateve të sipërme të saj për zyrat e partisë së Topit. MAPO është interesuar dje pranë personave që ushtrojnë aktivitet tregtar në këtë godinë, të cilët shprehen se pritet që në këtë godinë të vendoset partia në krijim e sipër e presidentit Bamir Topi. “Ka nisur rikonstruksioni lart. Po bëhen zyrat e reja. Ne na është thënë se do bëhen zyra për partinë e Bamir Topit. Pritet të hyjnë pas rikonstruksionit, por si kohë të saktë nuk di të them”,-thotë një prej tregtarëve që ushtron aktivitetin e tij në katin e parë të godinës. Ai shton se partia e re do të shtrihet në katin e dytë dhe të tretë të godinës, në një hapësirë të konsiderueshme, ndërsa bizneset në katin e parë do të vazhdojnë aktivitetin sipas kontratës. Tregtarët tregojnë për MAPO-n se kanë parë shpesh në këtë godinë Aleksandër Biberajn, një ndër eksponentët kryesorë të partisë që pritet të shpallet, duke u interesuar për punimet. E ndërsa në selinë e re të partisë vazhdojnë me shpejtësi punimet, themeluesit e partisë më të diskutuar të momentit po kujdesen për detajet e fundit, para shpalljes së saj. Burime nga të njohurit si mbështetës të presidentit Topi në këtë iniciativë politike bëjnë me dije se aktualisht janë duke punuar në krijimin e logos së partisë, emri i së cilës mbahet ende sekret, posterave promocionalë dhe, ç’është më e rëndësishmja, programi dhe statuti i partisë. Të gjitha këto përgatitje kanë shtyrë edhe datën e shpalljes së partisë së re, së cilës presidenti Bamir Topi pritet t’i bashkohet pas mbarimit të mandatit të tij. Nisma politike e etiketuar deri më tani si partia e Topit u ravijëzua si projekt në kohën e përplasjeve të Presidentit me mazhorancën, të cilat e shtynë atë të deklaronte se nuk synonte një mandat të dytë dhe se do të rikthehej në politikën aktive. Një tjetër akt në favor të projektit politik të presidentit Topi ishte largimi nga Partia Demokratike e deputetit Gazmend Oketa, me deklaratën se do t’i bashkohej kësaj partie. Oketa paralajmëroi fundin e marsit si ditën e shpalljes së partisë së re, por përgatitjet morën kohë përtej parashikimeve. E ndërsa duket se pjesa më e madhe e përgatitjeve është mbyllur, themeluesit tashmë të njohur për publikun të partisë së re nuk kanë përcaktuar ende datën e zyrtarizimit. E megjithatë, shpallja e partisë së projektuar nga presidenti Bamir Topi është vetëm çështje ditësh.

Selia
Partia e re do të vendoset brenda “korpusit” të disa godinave kryesore, si Parlamenti i Shqipërisë, selia e Partisë Demokratike, dhe Instituti i ish-të Përndjekurve Politikë, shtresë që synon të tërheqë pas vetes kjo parti.
Data
Mbetet ende e papërcaktuar data e zyrtarizimit të partisë së re, por edhe elemente të tjera, si emri, logoja dhe mënyra e drejtimit, gjatë kohës që Topi është duke ushtruar mandatin e tij si President i Republikës.
Aleancat
Deputeti Gazmend Oketa ka pohuar se koalicionin më të madh synojnë ta krijojnë me qytetarët shqiptarë që ndihen të papërfaqësuar nga politika, me të rinjtë e të rejat e arsimuara, ish-pronarët, ish-të përndjekurit apo mësuesit e mjekët.

No comments: