Saturday, November 19, 2011

A ishte Pater Gjergj Fishta, fashist?!

Nga Ben Andoni

Do të ishte botimi i fundit historik i pak ditëve më parë të historianit Prof. Arben Puto, që të ngjallte një furi të paparë tek njerëzit që merren me letrat shqipe. At Gjergj Fishta dhe Konica, mes të tjerëve, ishin në syrin e ciklopit. Për At Gjergj Fishtën, poetin kombëtar, aludimi ishte i thjeshtë: përshëndetja e fashizmit dhe marrja e beneficeve prej tyre në këmbim të heshtjes së tij ishte bërë me dashje. Patetikët nuk mund ti shpëtonte ky rast për tu hedhur: Si? Ati? Kurrën e kurrës. Si edhe herë tjetër, njerëzit u përpoqën të kthejnë sytë tek studiuesit. Për fat, njëri prej tyre, Tonin Çobani, me vitet e shumta të punës për të jo vetëm që përvijoi qëndrimin e dikurshëm, të mbajtur në një përmbledhje esesh të tij, por shkoi dhe më tepër: Duke argumentuar sepse i gjithë qëndrimi i tij duhej justifikuar. “Akademia Italiane nuk mund të ngatërrohet me fashizmin italian dhe strukturat e tij. Fishta ishte anëtar i Akademisë Italiane”, shkruan ai për Milosaon.
Për hir të së vërtetës, faktet janë kokëforte dhe para tyre argumentet gjithnjë e humbin betejën. “Gjergj Fishta vdiq në vitin 1940, kur vendi ishte në kulmin e zisë së robërisë, kurse ai vetë në majën e një lavdije, përndritja e së cilës ngjante ogurzesë në sfondin mortor fashist”, shkruan Ismail Kadare në një monografi për të. Më poshtë, shkrimtari nuk mund të mohojë zhgënjimin kur shprehet se varrimi i tij i organizuar me madhështi nga qeveria kuislinge shqiptare, nga kleri katolik vendas e nga Vatikani shtuar me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të mëkëmbësit të Italisë në Shqipëri Françesko Jakomoni, ishte njëkohësisht varrimi i një epoke në letërsinë shqipe.
Fjalë të rënda, por nga goja e Kadaresë, mbarin një ngjyresë e cila nuk mund të mohohet. Letrarët e asaj kohe, por më së shumti ata që erdhën më pas nuk mund tia falnin. Z. Çobani në përmbledhjen e tij me ese bën një përcaktim sërish në mbrojtje të figurës së tij. “Ky përjetim intensiv dhe polariteti i skajshëm i kulturave që përplaseshin në Shqipëri do të mbanin përherë ndezur te Gjergj Fishta një shpirt të trazuar, që do të realizohej me shpërthime spontane e shprehje të zgjedhura gjuhësore të veprës së tij letrare”. Është nga thëniet më përcaktuese për karakterin e tij.
Kalvari postmortor i Atit fillon aty nga viti 1949. Për gati një dekadë, ai kish humbur disi në përpjekjet e shqiptarëve për ti mbijetuar Luftës së Madhe dhe shëndrrimit të egër të komunistëve. Pak ditë para Krishtlindjeve 49, Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur para tiranasve e akuzoi publikisht. Dyzimi kishte marrë fund. Ai sishte më ai poeti kombëtar, por njeriu që përshëndeti Fashizmin. E gjithë ajo përpjekje titanike e burrit në lëmin e krijimit dhe i gjithë ai angazhim politik në favor të çështjes shqiptare ishte barazuar me zero. Letrarët e kohës mbyllën gojën. Klerikët u tkurrën: Kohë të këqia po mbërrinin. Evidenca të shumta flasin kundër Fishtës dhe mbështetjen e tij fashiste. Plaku, ndërkohë që i afrohej të 70-tave, një moshë që atëherë ishte shumë e thyer sipas një dëshmimi në hetuesi të një kleriku thuhej se :”Disa muaj para se Shqipnia të pushtohej nga Italia, në një bisedë miqësore që pata me pater Gjergj Fishtën, mësona nga ai se Italia së shpejti do të na çlironte nga regjimi shtypës i Ahmet Zogut”. Por një dëshmi tjetër, që edhe kjo vendoset në një libër të Rakip Beqajt, një misionari të Sigurimit, është edhe më e çuditshme. Ai i konfesion konsullit të përgjithshëm italian Koch në vitin 1933 në ligjëratë të drejtë: “E vetmja mundësi jetesë për Shqipërinë, sipas gjykimit të At Fishtës, që dukej se fliste në emër të urdhrit të tij është ajo që Shqipëria të vihet nën një mandat, të cilin Italia duhet ta marrë nga Lidhja e Kombeve”, përfundon relacionin.
Të jetë e vërtetë se kjo është bërë me gjithë zemër. Pietro Kuaroni, misionari që përgatiti pushtimin gati dhjetë vjet më parë, në kujtimet e tij e përshkruan gati me nota poetikë patër Fishtën: ”françeskanët ishin urdhër shqiptar mbi gjithë të tjerët, sepse ata ishin të shkëlqyer nga i pari tek i fundit, nga Ati i përgjithshëm për lavdinë e Urdhrit, patër Gjergj Fishta, poet e senator italian, që i rrotullonte ata sytë e mrekullueshëm të zinj, lëmonte mustaqet e tij prej musketieri dhe bënte të ndritnin dhëmbët e tij të bardhë”. Duhet të pranoj se kurrë, si në Shqipëri, unë nuk kam admiruar fuqinë transformuese të kishës katolike, thekson burri që i njohu si askush tjetër shqiptarët. Po vetë Fishta? E gjithë ajo që mungon në studimet tona, monografitë e vërteta të bashkëkohësve, tashmë na bëjnë një nga dëmet më të mëdha për patër Fishtën. Italianët e asaj kohe mëtojnë se filofashizmi i Fishtës, besohet është në dukje dhe shërbente sipas tyre që kisha katolike shqiptare të kishte të njëjtat privilegje si jo simotër italiane. A duket si justifikim? De Roca hedh një vështrim interesant duke e shpjeguar këtë: me një sens protagonizmi tashmë në fund të jetës që kur i shkruante françeskani Musolinit (Promemoria e Fishtës pa datë, por e shkurt apo marsit 1940 në ASMAE, Sottosegretariato Albania), shumica e popullsisë për fat të keq i u bindje “parimeve morale e shoqërore aziatike” dora fashiste i dukej poetit shpëtimtare për fatet e vendit të tij. Ndoshta jemi përpara një iluzioni pleqërie, sidomos, shton ai në fund. Tek “Miti antifishtjan”, studjuesi ndoshta më i apasionuar pas tij mbas viteve 90, Çobani kemi një dëshmi tjetër që lidhet me fjlët e fundit, që ai ia beson një italiani”Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar më vjen keq që më duhet të vdes”...Këtë publicisti nuk e konfirmon dot dhe në vazhdën tonë patetike kjo duket e tepërt. Madje duket edhe disi e pavërtetë. Edhe pse “Hylli i Dritës”, që e drejton ai nuk botohet në kohën e pushtimit për të shmangur konjukturën, pak kohë më vonë mesazhi i tij drejtuar Vikor Emanuelit i hedh poshtë të gjitha...”...Të himt e Italis në luftë, të himt e ushtrisë gjermaane në Paris u dhanë shkeljmin demokracive, idetë e revolucionit francez u zhgulën, hinë në të kaluemen, hinë në shtillin e pamasë të historisë qi kjo”.... ”përkundër saj nji botë e re shifet kah ngrihet, që i sjell syt kah dy persona-zheni qi kan sod fatin e popujve në dorë:kah Musolini e Hitleri”, e citon Prof. Arben Puto. Por figura e patër Fishtës sështë kaq e lehtë për tu parë. Vetëm pak muaj para se të mbyllë sytë, më 26 shkurt 1940, patër Fishta mban një fjalim në Romë, ku mes të tjerave shpjegon se “Përgjatë rrjedhës së shekujve, të ndryshëm kanë qenë pushtuesit në Shqipëri, por asnjëri prej tyre nuk e nënshtroi dhe nuk e pushtoi dot shpirtin e shqiptarit”. Shpjegim interesant dhe me finesë në kushtet e pushtimit të vendit, ku shumë intelektualë e quajnë një lloj zgjidhje.
Megjithëkëtë, figura e Fishtës bëhet më e afërt me publikun me dritëhijet e tij ndërsa përpjekjet për ta afruar dhe larguar nga mjedisi i tij mbeten disi të kota. Me një mal zhgënjimesh nga bashkatdhetarët e tij, kolegët, fqinjët duken se të gjithë skenarët janë të mundshëm. Por ajo e një lloj komforti drejt pleqërisë duket më e besueshme. Plaku zgjodhi të ishte akademik, ta mbante mirë me fashistët ashtu si një poet shumë më i madh se ai, Ezra Paund (atëherë shumë më i ri në moshë dhe nga një vend armik me Italinë) bëri në të njëjtën kohë. Dhe, flamuri italian me sëpatat e Liktorit dukej “normal” mbi arkmortin e tij. Një gjë, që komunistët sdo tia falnin kurrë, ndërsa shumë nga kolegët do të fërkonin të kënaqur duart, sepse parandjenin që vetëm kështu do ti humbte emri, një kundërshtari që smund të luftohej direkt me armët e Zotit: ndershmërinë dhe vetveten. Në këtë hulli, do mjaftonte vetëm “Lahuta e Malcisë”, krahas veprave të tjera, që patër të mos humbiste...edhe pse në fund të jetës e mendoi si të mirëqenë fashizmin... Historiani italian Dela Roka do e trajtonte pa mëshirë legjendën e shqiptarëve duke e kthyer në një personazh real të historisë patetike shqiptare.

Nga Roberto Moroco dela Roka*

Pak javë pas agresionit italian eksponentët më të lartë të bashkësisë katolike shqiptare shprehnin zyrtarisht pëlqimin e tyre për regjimin e ri, duke e rreshtuar kështu gjykimin e tyre politik krahas atij të krerëve myslimanë dhe ortodoksë të vendit. Dhe më 4 maj Mëkëmbësia italiane mund të raportonte nga Tirana: ”...gjithë ipeshkvinjtë katolikë të Shqipërisë duke qenë të pranishëm përfaqësuesi i etërve françeskanë dhe rektori i kolegjit të Jezuitëve të Shkodrës, erdhën në selinë e Mëkëmbësisë për të shprehur ndjenjat e besnikërisë së tyre ndaj Mbretit Perandor dhe ndaj Duçes dhe për të më komunikuar kënaqësinë e tyre të plotë për gjendjen e re të krijuar në vend.
Arqipeshkvi Thaçi duke folur në emër të të gjithëve, deklaroi se kishte besim që, nën mbrojtjen e Italisë, Shqipëria më së fundi do ta ketë të garantuar zhvillimin e vet shoqëror, ekonomik dhe shpirtëror (Tele-ekspres për ambasadën italiane pranë Selisë së Shenjtë, 6 Maj 1939 në të cilën referohen njoftime të transmetuara nga Mëkëmbësia e Tiranës në “ASMAE, Serie Affari Politici 1931-145, Santa Sede b.43)”.
Akti i nënshtrimit në realitet nuk u krye me entuziasëm spontan, që ndoshta italianët e pritnin si një gjë të natyrshme pas veprës së mbrojtjes së interesave katolike në Shqipëri. Edhe konsullata italiane e Shkodrës e komentonte këtë akt duke nënvizuar se si ishte i kushtëzuar nga dhënia e sigurimeve paraprake “se lijet themelore nuk do të ndryshojnë pa pasur parasysh nevojat e kishës dhe pa dëgjuar mendimet e (ipeshkvijve)”.
Çianoja më 12 prill kishte ndjerë një mëri më të madhe nga ana e katolikëve dhe e klerit të tyre ndaj sulmit italian të së Premtes së Zezë. Atë ditë në Tiranë po diskutohej për formën që do të lidhte Shqipërinë me Italinë:”Por gjërat nuk po shkojnë si në vaj, siç dukej. Ka shumë kundërshtime ndaj bashkimit personal...e kuptojnë se dhënia e kurorës Viktor Emanuelit III do të thotë të shënosh fundin e pavarësisë shqiptare. Kam diskutuar gjatë me shumë nga krerët: më të ashpër janë shkodranët e nxitur nga kreri katolik, i cili megjithatë bindet lehtë porsa shpërndaj pakot me franga shqiptare, që i mora me vete për çdo rast...”(Ditari i Çianos).
Në mbrëmjen e po asaj date, Çianoja kishte pasur një bisedë të gjatë me delegatin apostolik Nigris, i cili nuk kishte ngurruar ti kërkonte disa garanci për të ardhmen e Shqipërisë: një respektim efektiv të autonomisë së shpallur të vendit; heqja dorë nga futja e fashizmit në Shqipëri, sepse do të kuptohej si një pushtim politik që i shtohej atij ushtarak; një kujdes të veçantë ndaj karrieristëve dhe afaristëve që sigurisht do të dilnin në numër të madh në gjendjen e re. Kur mori vesh për ardhjen e Çianos, që parashikohej më 12prill në aeroportin e Tiranës, Nigris: u kujdes që të mos ndodhej në qytet në atë ditë, me pretekstin e angazhimeve nëpër rrethe që nuk mund të shtyheshin dot, në mënyrë që të takonte ministrin italian vetëm në mbrëmje, privatisht, kështu që askush të mos dyshonte se edhe ai dhe Selia e Shenjtë distancoheshin nga agresioni italian. Nigrisi e kishte përjetuar 7 prillin si një ditë të mbrapshtë, jo vetëm për “sakrilegjin” e së Premtes së Zezë: agresioni italian vlerësohej prej tyre si një “krim” i vërtetë, përveçse si një gabim tragjik për vetë atdheun e tij, Italinë.
Disa françeskanë krijuan një “celulë antifashiste”-kështu e cilësuan pushtuesit, që u mposht falë arrestimeve, pezullimit të ndihmave ekonomike ndaj urdhrit fetar, transferimeve të detyrueshme. Ndonjë klerik iku në Jugosllavi. Për të mos komentuar agresionin “Hylli i Dritës” përkohësisht kishte ndërprerë botimin (referencë e konsullit Meloni nga Shkodra).
Në Shkollat e Shkodrës të drejtuara nga françeskanët dhe nga motrat stigmatine (të lidhura me françeskanët), ashtu si edhe në shoqatat e e ndryshme të frymëzuara nga klerikët e shenjtorit të Azisit (Shoqëri Antoniane, shoqata e ish-nxënësve etj) shfaqeshin sipas autoritetev italiane “ndjenja nacionalizmi të ekzagjeruar dhe antipatie dhe urrejtje ndaj Italisë. Ndër fretërit që dalloheshin për “qëndrim moskuptimi” ndaj rendit të ri në dokumentet italiane del shpesh emri i Anton Harapit, i cili duket si paradoks por nuk është i tillë se pas 8 shtatorit 1943 do të jetë protagonist i skenës politike shqiptare përkrah gjermanëve.
Disa françeskanë bënin përjashtim nga ky drejtim politik. Kështu patër Bernardin Palaj rreptësisht italian deri më 7 prill 1939, por filoitalian në çastin e agresionit u bë kapelan i milicisë duke shkelur urdhrat e eprorëve të tij ushtarakë që i kërkonin të ishte jashtë veprimtarive politike...
...Por sidomos duhet përmendur këtu At Gjergj Fishta, françeskan që nderohej atëherë si intelektuali më i shquar shqiptar. Ky letrar me një të kaluar të pasur përpjekjesh për pavarësinë kulturore e politike shqiptare e deri më 1939 kish qenë kundërshtar i flaktë i italianëve. Pas 7 prillit bëri një kthesë të shpejtë. Pasi u mbush me ndere dhe shpërblime nga italianët vendosi të bashkëpunojë me ta, duke pranuar para të gjithash emërimin si akademik i Italisë. Derisa vdiq, më dhjetor 1940, Fishta u përpoq të ishte një trait dunion ndërmjet pushtuesve dhe katolikëve shqiptarë. Për sa u përket çështjeve politike brenda urdhrit të tij, Fishta arriti derisa ti sinjalizojë policisë italiane lëvizjet e françeskanëve që përndiqeshin, si edhe të kallëzojë eprorin provincial, ndërsa njëkohësisht, çështë e vërteta orvatej të shfrytëzonte favorin që gëzonte pranë pushtuesve për të shmangur masa më të mëdha ndaj urdhrit. Nuk është e lehtë të kuptohet mënyra e të vepruarit të Fishtës, sigurisht shpjegimi i Tonsit, sipas të cilit filofashizmi i Fishtës ishte vetëm në dukje dhe shërbente si mjet që Kishës Katolike shqiptare ti jepeshin të njëjtat privilegje që kishte kisha katolike italiane përballë qeverisë së Romës, duket tepër justifikues. Është fakt që Fishta duke vepruar në një mënyrë të ngjashme, në shumë drejtime, me kleriko-fashistët italianë, mundohej pa rezerva për një marrëveshje me fashizmin dhe për të mbështetur regjimin e ri shqiptar. Në mbarim të jetës së tij, kishte kapur një çast të mundshëm të një protagonizmi të mundshëm në aventurën politike me italianët. Është shumë e dyshimtë që thellë brenda Fishtës të ishte fashist nga pikëpamja ideologjike, por sigurisht në atmosferën e një Shqipërie me kulturë politike kryesisht të një natyre autoritare dhe ku i shkruante françeskani Musolinit (Promemoria e Fishtës pa datë, por e shkurt apo marsit 1940 në ASMAE, Sottosegretariato ALbania), shumica e popullsisë për fat të keq u bindej “parimeve morale e shoqërore aziatike” dora fashiste i dukej poetit shpëtimtare për fatet e vendit të tij. Ndoshta jemi përpara një iluzioni pleqërie, sidomos.
Italianët, falë edhe disponueshmërisë së Fishtës brenda një kohe të shkurtër do ta mposhtnin qëndresën e françeskanëve. Këta nga ana e tyre, ndiqnin njëfarë loje të dyfishtë duke vazhduar të pretendonin nga italianët, megjithëse nuk i donin, ndihmat ekonomike që ishin mësuar të merrnin. Ndërprerja e këtyre ndihmave ishte një armë bindëse në duart e fitimtarëve për të moderuar italofobinë e fretërve.

*Marrë nga “Kombi dhe feja në Shqipëri” e autorit Roberto Moroco della Roka

No comments: