Friday, August 5, 2011

Niebel: Berishën dhe Ramën i këshillova për dialog, afrimit me BE është në dorë të tyre

Ministri gjerman i Bashkëpunimit ekonomik për Zhvillimin, Dirk Niebel, ka konfirmuar edhe një herë qëndrimin e BE se nuk do të ndërhyjë për t’u imponuar palëve politike në Shqipëri një zgjidhje të... krizës. Ai tha se Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë drejt BE, por, ritmet e afrimit varen nga Shqipëria dhe nga dialogu politik. “Gjermania bashkëpunon me Shqipërinë, tanimë, prej një kohe të gjatë. Ky bashkëpunim udhëhiqet nga i njëjti qëllim i përbashkët: mbështetja e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Por ritmet e afrimit me BE-në janë krejtësisht në dorë të Shqipërisë.

Pasi, theksoj përsëri, BE-ja nuk është vetëm një komunitet ekonomik, por në radhë të parë një komunitet vlerash. Dhe për të qenë pjesë e tij, një ndër kushtet paraprake është bashkëpunimi mes forcave politike, bashkëveprimi mes qeverisë dhe opozitës. Natyrisht, të dyja palët duhet të gjejnë rrugët dhe mënyrat për të bashkëpunuar”, theksoi ministrit gjerman. Ai ka komentuar edhe qëllimin e vizitës në Shqipëri, duke zbardhur edhe takimet me Ramën dhe Berishën. “Në të gjithë programin e kësaj vizite, takimet, bisedat, jemi përqendruar në çështje të bashkëpunimit ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, që kjo e fundit të ketë mundësi të përshpejtojë ritmet e progresit të përafrimit me strukturat dhe vlerat e BE-së. Natyrisht, çështjet e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve janë të lidhura ngushtë me situatën politike, me aspektet sociale etj., pra të gjitha lidhen me bashkëpunimin ekonomik për zhvillim. Në këtë kontekst, në bisedat që zhvillova me kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama i këshillova që të rihapin sa më parë dialogun politik. Afrimi me BE-në është një proces, ku rëndësi nuk ka vetëm zhvillimi ekonomik, por edhe përvetësimi i kulturës politike evropiane, i vlerave të saj. Dialogu politik është pjesë e këtyre vlerave, i vlerave të komunitetit të BE, ku Shqipëria aspiron të anëtarësohet. Në këtë kuptim, dialogu politik e çon Shqipërinë drejt të qenit edhe ajo pjesë e vlerave të këtij komuniteti”, theksoi Niebel.

No comments: