Wednesday, March 9, 2011

Pasuria, ILDKP gjobit Tepshin dhe Sallabandën

ILDKP u rikujton të gjithë subjekteve që mbartin detyrim për deklarim “Periodik/Vjetor” se afati i fundit i dorëzimit të deklaratave është data 31 Mars 2011

TIRANË- Mosdeklarimi i pasurisë brenda afateve ligjore vijon të mbetet një problem i vazhdueshëm për zyrtarë të niveleve të ndryshme. Në listën e publikuar dje nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dallohen edhe dy emra ish-ambasadorësh, Qazim Tepshi dhe Aleksandër Sallabanda, të cilët janë gjobitur me 250 mijë lekë të vjetra, për mosdeklarim të pasurisë brenda afateve që parashikon ligji. Krahas tyre, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) ka gjobitur edhe 12 zyrtarë të tjerë, për mosdeklarim në afat pa shkaqe të arsyeshme ligjore, si edhe për shkelje të rregullave të deklarimit të interesave private. “Inspektorati i Lartë, i cili aktualisht po zhvillon kontrolle në të gjithë institucionet publikë, për respektimin e kërkesave ligjore mbi deklarimin e pasurisë dhe konfliktin e interesave, ka evidentuar dhe ka aplikuar masën administrative “gjobë” për 12 zyrtarë, të cilët nuk kanë respektuar afatet e përcaktuara në ligj, për plotësimin e deklaratës “Pas largimit nga funksioni”.

Gjithashtu, ILDKP ka aplikuar masën ndëshkuese “gjobë” për 2 zyrtarë të tjerë, pasi gjatë kontrollit të kryer mbi deklaratat e tyre të interesave private, janë evidentuar shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të ILDKP-së. Po përmes njoftimit zyrtar, ILDKP u rikujton të gjithë subjekteve që mbartin detyrim për deklarim “Periodik/Vjetor” se afati i fundit i dorëzimit të deklaratave është data 31 mars 2011. Ndaj zyrtarëve që nuk plotësojnë detyrimin ligjor, sipas afateve ligjore, ILDKP njofton se do të zbatohen sanksionet përkatëse. Pak kohë më parë, ILDKP-ja kallëzoi penalisht dy zyrtarët lokalë, kreun e komunës Dajt, Kujtim Qefalia dhe ai i komunës Gosë, Sinan Shala, me akuzën e “mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive”. Menjëherë pas këtij njoftimi, qeveria vendosi shkarkimin e dy kryekomunarëve në fjalë.

Lista e zyrtarëve të gjobitur

Për shkelje të rregullave të deklarimit të pasurisë

(Neni 41/1/ë, ligj nr.9367, dt.7.4.2005)

1. Mexhi Salliu Kryetar, Komuna Sinaballaj 10.000 lekë

2. Gjek Cali Kryetar, Komuna Balldre 10.000 lekë

Për vonesa në deklarim, pa arsye ligjore

(Neni 41/1/c, ligj nr.9367, dt.7.4.2005)

1. Julian Ahmeti Ish-Përmbarues, Tiranë 25.000 lekë

2. Laureta Bejkosala Ish-Regjistruese, ZRPP Vlorë 25.000 lekë

3. Ermira Mhilli Ish-Përmbaruese, Shkodër 25.000 lekë

4. Qazim Tepshi Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme 25.000 lekë

5. Martin Tusha Ish-Përmbarues, Pukë 25.000 lekë

6. Ani Dasho Ish-Dr. i Përgjithshëm, Min.Financave 25.000 lekë

7. Mehmet Çërraga Ish-Përmbarues, Elbasan 25.000 lekë

8. Aida Seseri Ish-Drejtoreshë, MPPTT 25.000 lekë

9. Sami Vrapi Ish-Doganier, Tiranë 25.000 lekë

10. Eugen Hoxha Ish-Doganier, Bllatë 25.000 lekë

11. Ilirjan Beqiraj Ish-Doganier, Kakavijë 25.000 lekë

12. Aleksandër Sallabanda Ish-Ambasador, Ministria e Jashtme 25.000 Lekë

No comments: