Wednesday, March 9, 2011

20 vjet nga eksodi i marsit 1991, si paralajmërohej ngjarja nga qeveria

Shpëtim Koli

Përplasjet e ashpra mes refugjatëve të ardhshëm dhe policisë në portin e Durrësit. Letra e Kiço Mustaqit për Gramoz Ruçin dhe raportimi nga Italia, se nga brigjet shqiptare erdhën 20 mijë vetë

Qysh në janar 1991 dukej që Shqipëria do kishte një emigracion masiv e të pakontrolluar. Vrasjet në kufi gjatë gjithë vitit 1990, ngjarjet e ambasadave të korrikut 1990, në kushtet e pranimit të pluralizmit në dhjetor 1990, kishin rritur tashmë etjen për largim masiv nga Shqipëria, pasi vendi i dalë nga një regjim komunist gjakatar, nuk kishte mundësi të shpejta mëkëmbje ekonomie. Niveli i jetesës kishte shkuar në fund, papunësia ishte e madhe, në treg mungonin të gjitha mallrat e domosdoshme për të jetuar, ndërsa shpresa ishte thuajse e vdekur. Forcat opozitare të kohës, ishin përballë vështirësish se duhet të sillnin ndryshimin nga njëra anë dhe të kthenin e forconin besimin nga ana tjetër, në një mjedis shoqëror ku përzihej konservatorizmi komunist me etjen për ndryshim.

Pa folur për kalimin nga kufiri tokësor, duhet thënë se pikat më të nxehta për eksod masiv, mbeteshin Durrësi dhe Vlora. Pas tyre vinin Saranda dhe Shëngjini.

Më 9 janar 1991, Dega e Punëve të Brendshme, Vlorë, njoftonte Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, se nga ky rreth kishin kaluar kufirin 506 persona, kryesisht të rinj. Mbizotëronin 260 vetë nga Himara, 31 nga Vunoi, 35 nga Piluri, 68 nga Kudhësi, dhe 112 persona nga Qeparoi. Gjithsej, 12 ishin anëtarë të Partisë së Punës.

Ngjarja e Durrësit

9 shkurti i vitit 1991 tregoi se eksodi i pakontrolluar ishte në prag. Ishin përhapur lajme se do kishte eksod në Durrës. Menjëherë nga i gjithë vendi shpërthyen shtetas shqiptarë në portin e Durrësit. Vlerësohej nga autoritetet se mund të ishin 15 mijë persona. Të gjithë këta kishin dashur të hynin në tragetin e linjës Durrës – Trieste. Në një raport të Drejtorisë së Policisë Popullore thuhej se forcat e policisë në Durrës kishin vlerësuar situatën qysh më parë dhe për këtë qëllim kishin ushtruar kontrolle në periferi të Durrësit, duke mundur kësisoj të largojnë rreth 1 mijë shtetas. Ishin kryesisht të rinj, por nuk mungonin as gratë dhe fëmijët. Prej tyre kishte me pasaporta, por asnjë me vizën e shtetit ku donin të shkonin. Midis shtetasve që tentonin të hynin në mjete lundruese dhe policisë ishte zhvilluar një përleshje e ashpër. Pas tërheqjes të grumbulluarit kishin shkatërruar në dëshpërim e sipër objekte tregtare të Durrësit. Përfaqësuesit e forcave të rendit, me mjete të ndryshme, i kishin komunikuar të grumbulluarve se nuk ishin të vërteta lajmet për anije që prinin të merrnin refugjatë. Si edhe kuptohej, askush nuk i kuptonte apo besonte fjalët e forcave të rendit. Në derën e portit të Durrësit ishte krijuar në këtë mënyrë një “digë” e Policisë së Durrësit, dy batalioneve të sigurisë së rendit, repartit nr.326. midis turmës dhe forcave të rendit filloi përplasja. Turma hodhi në drejtim të tyre gurë e mjete të tjera për të bërë të mundur çarjen e “digës”. Policia ndërhyri me shkopinj gome, për bërë të mundur çarjen e turmës, e cila kishte bërë tre barrikada, në largësi 20 – 30 metra nga njëra – tjetra. Plagosje të shumta ndodhën midis të dy “palëve”. Nga mjediset afër, mbi forcat e rendit, hidheshin vazo me lule, pllaka betoni, tulla, etj. Kjo “betejë” vazhdoi për rreth 3 orë. Nuk dihej sa do vazhdonte, nëse nuk do ndërhynte makina ujëshpërndarëse mbi turmën. Në kthim, turma theu e dogji gjithçka që gjeti rrugës. Gjatë rrugës, ajo hodhi parulla të tilla si “Enver – Hitler”, “Poshtë qeveria”, “Poshtë policia”, etj. Në orën 13:00, turma ishte shpërndarë. Pas dy orësh, disa të rinj nga Durrësi e Kavaja, u grumbulluan para Degës së Punëve të Brendshme Durrës, duke hedhur gurë e mjete të forta aty. Policia qëlloi në ajër. Pastaj këtu kanë ardhur përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Azem, Hajdari dhe Arben Imami. Këta i kanë folur turmës, duke i thënë se qeveria i kishte të gjitha fajet, por zgjedhjet duhet të bëheshin me qetësi, pa veprime të dhunshme. Sipas njoftimit në fjalë, turma ishte larguar, por pas disa minutash ishte parë sërish në Bulevardin e Durrësit, duke hedhur parullat: “Enver – Hitler”, “Poshtë Ramiz Alia”, “Rroftë Partia Demokratike”, “Liri – Demokraci”. Edhe këtu pati një përleshje me policinë. Organet përkatëse regjistruan 35 policë të plagosur, por pranuan se edhe nga turma numri i të plagosurve duhej të ishin shumë i madh. Policia kishte ndaluar 47 persona. Në fund, policia analizonte se thashethemet rreth eksodit ishin përhapur qysh nga muaji janar. Ishte thënë se Italia do dërgonte 3 tragete për të marrë shtetas shqiptarë.

Eksodi i 6 marsit 1991, largohen edhe furrxhinjtë e Durrësit

Ministria e Punëve të Brendshme, u gjend krejt e papërgatitur në përballimin e një gjendjeje të tillë. Një largim kaq masiv i shtetasve shqiptarë, këtë herë jo nëpërmjet ambasadave, por nga rrugët detare, nga portet solli një gjendje amullie të përgjithshme. Vendi ishte në prag të zgjedhjeve të para të 31 marsit 1991 për Kuvendin Popullor, ndërsa pak ditë më parë kishte përjetuar rrëzimin e monumenteve të Enver Hoxhës në Tiranë, Korçë si dhe në qytete të tjera bustet më të vegjël të vëna në ndërmarrje, institucione, etj. Njoftimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nëpërmjet komunikatës ditore nr. 56 të datës 8 mars 1991, bëjnë fjalë se në Vlorë gjendja ishte qetësuar dhe pas grumbullimeve të para, kishin mbetur 200 persona. Në Orikum ishin rreth 200 veta. Më 7 mars, një peshkarexhe e ardhur nga Saranda ishte afruar në molin e Himarës. Kishte marrë me vete disa civilë, nënoficerin e Postës Kufitare, Dëfrim Hoxha, komandantin e postës së policisë me tre ushtarë dhe të gjithë ishin nisur në drejtim të Italisë. Komunikata vijon me gjendjen në portin dhe qytetin e Durrësit. Interesante është shpjegimi se qyteti kishte nisur të kishte probleme me bukën, pasi një pjesë e mirë e furrxhinjve kishin ikur në Itali. Pritej që të vinte bukë nga rrethet e tjera të vendit. Njoftimi shpjegon se anija “Partizani” qëndronte e mbushur me shtetas, të cilët nuk largoheshin, edhe pse ajo ishte e prishur. Komunikata shënon se deri në orën 9:00 kishte ardhur një makinë nga Elbasani. Nga kjo situatë, në burgun e Bardhorit në Kavajë, kishte pasur revoltë. Si pasojë ishte prishur një portë. Të burgosurit kishin ofenduar e qëlluar me gurë forcat e rendit. Pas ndërhyrjes së tyre, kishte mbetur i vrarë një i burgosur dhe tre të plagosur.

Njoftimet për eksodin vinin edhe nga Lezha. Porti i Shëngjinit, si njëri nga vendet ku ishin nisur emigrantët e ardhshëm, përveç ikjeve të shumta, shënonte rreth 700 – 800 vetë që prisnin aty në pritje të mjeteve të tjera detare.

Ngjarja e eksodit masiv, e detyroi Këshillin e Ministrave ta shpallë portin e Durrësit zonë ushtarake. Statistika e largimeve të eksodit të marsit 1991, gjithmonë u tha me përafërsi. Numrin e saktë të të ikurve, natyrisht e kanë autoritetet italiane. Në atë kohë u tha se kjo shifër shkonte në rreth 20 mijë persona. Pas mbarimit të kësaj “vale” të eksodit, rreziku i rikthimit të saj ishte i madh. Po ato ditë marsi, në mesin e muajit, njoftimet zyrtare ishin të atilla që paralajmëronin një eksod të mundshëm. Me anë të një komunikimi, ministri i Mbrojtjes Popullore, Kiço Mustaqi, njoftonte ministrin e Punëve të Brendshme Gramoz Ruçi, se kishin të dhëna se më 15 – 17 mars 1991, në portin e Durrësit do kishte dyndje njerëzit, prandaj duhej patjetër të merreshin masa për ta parandaluar atë. Mbarimi i zbarkimeve me sukses në Itali, forcoi bindjen te shqiptarët se autoritetet italiane nuk do t’i kthenin të larguarit. Gjerësisht në këtë kohë, rrjetet italiane të medias filluan të përdorin fjalët “refugjatë shqiptarë”. Pas mbarimit të zgjedhjeve të 31 marsit 1991, për Kuvendin Popullor dhe sidomos pas formimit të qeverisë së stabilitetit, në qershor 1991, një frikë tjetër u përhap për një eksod të mundshëm. Dhe ishte pikërisht gushti i këtij viti, koha kur u përsërit ky eksod. Këtë herë autoritetet italiane, duke gjykuar se në Shqipëri ishin mbajtur zgjedhje, se ishte zgjedhur një qeveri shumëpartiake, etj, nuk dhanë strehim për këto emigrantë. Pjesën më të madhe të tyre e kthyen në Shqipëri.

No comments: