Sunday, August 8, 2010

Studimi: Emigrantët shqiptarë, më kursimtarët e Europës

Ervin KOÇI

Emigrantët shqiptarë konsiderohen si më “nikoqirët” e Europës, për sa i përket kursimeve dhe administrimit të të ardhurave të tyre. Ata i kanë kursimet vjetore 6 herë më të larta sesa paratë që dërgojnë në vendin e lindjes. Por pavarësisht kësaj, remitancat vitet e fundit po vijnë në rënie. Të dhënat e Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale, tregojnë se 49 për qind e emigrantëve shqiptarë duan të kthehen në vendin e tyre për të investuar në hapjen e bizneseve. Emigrantët gjatë vitit 2009 kanë kursyer 3.5 miliardë euro, por investimi i këtyre parave në Shqipëri kërkon strategji dhe mbështetje nga qeveria shqiptare. “Niveli i kursimeve, është dukshëm më i lartë sesa është niveli i remitancave. Emigrantët shqiptarë kursejnë në vendet e emigrimit gjashtë herë më tepër sesa dërgojnë në vendlindjen e tyre. Këto kursime mund të përdoren kryesisht për investime dhe i gjithë problemi është se si mund të joshen kursimet e emigrantëve për t’u përdorur për investime në vendlindje”,- ka deklaruar Ilir Gedeshi, drejtor i Qendrës së Studimeve Ekonomike dhe Sociale. Vetëm në Itali, 20 mijë biznese menaxhohen suksesshëm nga shqiptarët, të cilët nuk kanë prona në vendin ku punojnë por në Shqipëri, çka tregon se lidhja me vendin e origjinës është e fortë. E megjithatë specialistët mendojnë se Shqipëria me liberalizimin e vizave mund të përballet me një fluks të ri eksodi, ku shqiptarët do të kërkojnë mundësi të reja punësimi, siç ndodhi para pak vitesh në Rumani.

Emigrantët
“Familjet shqiptare janë të prira të bëjnë bashkim familjar në vendet ku jetojnë pasi kanë një lidhje të fortë me njerëzit e tyre. Kjo na bën që të parashikojmë që remitancët të ulen në vazhdimësi, por kursimet e tyre do të rriten. Rreth 26 për qind e shqiptarëve kanë mendim për të investuar në Shqipëri, por i rëndësishëm është koordinimi i qeverisë me ta”,- thekson Nicoolaas Zwager, ekspert i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkim. Sipas specialistëve, mendohet se remitancat në vitet e ardhshme do të jenë gjithnjë në ulje, pasi pjesa më e madhe e emigrantëve janë bashkuar me familjet e tyre. Sipas statistikave më të fundit të një raporti të bërë nga Banka e Shqipërisë, rezulton se dërgesat e emigrantëve po shterojnë. Kjo e fundit ka ndjekur me kujdes situatën në tre vitet e fundit duke konstatuar çdo vit e më tepër pakësimin e këtij “serumi” që deri tani ka mbajtur gjallë ekonominë shqiptare që duket në agoni. Sipas raportit të BSH-së, dërgesat e emigrantëve të njohura më termin ekonomik si “remitanca”, u pakësuan ndjeshëm në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar vitin e tretë radhazi në rënie. Sipas bilancit të hyrje-daljeve valutore të vendit, që u publikua nga BSH-ja, “emigrantët sollën në atdhe 170 milionë euro gjatë periudhës janar-mars 2010, nga 183 milionë euro që kishin sjellë në të njëjtën periudhë të vitit 2009”. Tremujori i parë i këtij viti ishte më i keqi i regjistruar në këtë drejtim që nga viti 2005.

Arsyet
Shkaku kryesor i rënies së remitancave besohet se është ashpërsimi i krizës ekonomike në Greqi. Të dhëna indirekte tregojnë se gjithnjë e më shumë emigrantë po kthehen përgjithmonë nga fqinji ynë jugor, pasi nuk arrijnë më të gjejnë punë. Në këtë vend kanë emigruar kryesisht shtetas shqiptar që përbënin forca pune të pakualifikuara, sidomos nga zonat rurale, të cilët bënin më tepër punë të rënda krahu. Por kjo kategori ishte më pranë nivelit të varfërisë në vend dhe e shtyrë nga kjo, emigronte kryesisht në Greqi për të siguruar të ardhura për jetesën e familjeve të tyre në Shqipëri. Vitin e kaluar, emigrantët sollën në atdhe 781 milionë euro ose 52 milionë euro më pak se në vitin 2008. Megjithëse me rënie prej 6.7 përqindësh, remitancat vlerësohen nga ekspertët si shumë të qëndrueshme, për shkak se rënia ishte më e paktë nga ajo që pritej. BSH-ja thotë se të ardhurat nga emigrantët varen veçanërisht nga situata e punësimit në Greqi, Itali dhe vende të tjera europiane.

BOX//////////////////////////
Emigrantët zhvlerësojnë valutën, bie vlera e euros dhe dollarit

Kjo javë krahasuar me një javë më parë ka sjellë një zhvlerësim të lehtë të valutave në raport me monedhën kombëtare lek. Sezoni turistik dhe kthimi i emigrantëve për pushime prej disa javësh po jep efektet e tij në kursin e këmbimit të lekut me euron dollarin dhe paundin. Siç ka ndodhur 4 javë me radhë, edhe kjo javë mbyllet me rënie të vlerës së dy valutave kryesore, euros dhe dollarit amerikan. Të shtunën në tregun valutor të Tiranës një euro këmbehej në blerje me 136 lekë, në një kohë që një javë më parë kursi i këmbimit ishte fiksuar në 136.5 lekë. Kjo javë pra ka sjellë një zhvlerësim të euros me rreth 0.5 lek. Këto vlera janë të përafërta edhe me kursin zyrtar të këmbimit i fiksuar nga Banka Qendrore. Ndërkohë, sipas shifrave të mesditës të së shtunës së 31 korrikut, rezultoi që dollari ishte zhvlerësuar edhe më shumë. Ai këmbehej me 104.1 lekë në një kohë që një javë më parë këmbehej me 105 lekë, pra me zhvlerësim prej 0.9 lekësh. Me rreth 0.6 lekë ndryshon kursi i këmbimit për shitjen e monedhave të huaja, duke pasur një marzh të njëjtë fitimi mes blerjes e shitjes për njësitë valutore. Sipas ekspertëve, kjo tendencë që është vënë re gjatë gjithë muajit korrik për shkaqe të njëjta, pritet të vazhdojë edhe muajin tjetër.


Remontet në linja, nisin kufizimet e energjisë elektrike nga ora 09:00-16:00

Operatori i Sistemit të Transmetimit e ka përfshirë sistemin e linjave dhe të nënstacioneve në një remont të gjerë në shkallë vendi. Për këtë arsye kompania ka njoftuar se nga data 2 deri më 6 gusht do te ketë ndërprerje një ose dyditore të furnizimit me energji në zona të ndryshme të vendit. Furnizimi me energji elektrike do të ndërpritet në orën 09:00 të paradites për t’u rikthyer në orën 16:00 sipas një grafiku të përcaktuar më parë. Bazuar në këtë grafik, OSSH-ja ka planifikuar të ndërhyjë në linjat e Tiranës duke ndërprerë energjinë për zonat periferike, në linjën Kavajë-Rrogozhinë duke ndërprerë energjinë për Rrogozhinën. Po ashtu, ndërprerje do të ketë në Përrenjas, Rubik, Rrëshen, Vaun e Dejës, Tepelenë, Skrapar, Lushnjë e Selenicë. Remonti i linjave është një praktikë punë e përvitshme, e cila realizohet kryesisht në muajt e verës. Kjo është ndërhyrja e dytë në sistem që OSSH-ja po bën me stafin e saj teknik, ndërkohë që ende nuk është njoftuar për programim të remonteve dhe ndërprerjeve të tjera.

Grafiku i remonteve 2-6 gusht 2010

Linja Tiranë-Mëzez-Valias Ndërprerje Mëzez, Kashar, Valias, Laknas, Tapizë
Linja Kavajë-Rrogozhinë Ndërprerje Rrogozhina
Nënstacioni Përrenjas Ndërprerje Përrenjasi dhe zonat përreth.
Nënstacioni Rubik Ndërprerje Rubiku, Rrësheni, Kaçinari
Nënstacioni Vau i Dejës Ndërprerje Bashkia Vau i Dejës
Nënstacioni Tepelenë Ndërprerje Krahës, Qesarakë, Tepelenë
Nënstacioni Çorovodë Ndërprerje rrethi Skrapar
Linja Lushnjë-Hysgjokaj Ndërprerje Lushnja, një pjesë e fshatrave
Nënstacioni Selenicë Ndërprerje Selenica



Takimi, modele italiane për zhvillimin e bujqësisë shqiptare

Shfrytëzimi i modeleve dhe përvojës italiane në mbështetjen e bujqësisë janë një përvojë që mund të shfrytëzohet edhe në Shqipëri. Për këtë është diskutuar nga ministri shqiptar i Bujqësisë, Genc Ruli, i cili në krye të një delegacioni ekspertësh ka vizituar Italinë me ftesë të homologut të tij italian. Duke synuar ripërtëritjen e bashkëpunimit mes dy dikastereve dhe konkretizimin e kësaj në një marrëveshje bashkëpunimi, ministri shqiptar Ruli dhe ai italian Galan, janë përqendruar në tema të tilla si zhvillimi rural, agro-turizmi dhe sistemi i financimit dhe sigurimeve në bujqësi. Pjesë e bisedimeve kanë qenë edhe referimet e ekspertëve italianë për problematikën e bujqësisë në kuadrin e zhvillimeve evropiane. Kështu janë sjellë modelet e institucioneve të zhvillimit rural në qendër dhe rajone, funksionimet e agjencive të pagesave, ngritja e sistemeve të sigurimit të produkteve bujqësore nga fatkeqësitë e natyrës. Po ashtu janë sjellë në vëmendje të ekspertëve shqiptarë edhe përvojat e fermerëve italianë në prodhimet bio dhe shëndetin e kafshëve.

No comments: