Friday, December 24, 2010

Vjollca Vokshi: Fustani televiziv dhe stofi i demokracisë



Flokët të kuq. Fustan i zi i derdhur pas formave të trupit, i çarë në fund; njëfarë deltine e lumit që kur takohet me detin e zgjeron shtratin. Mungesë trembëdhjetëvjeçare pas largimit përmes plumbave në bordin e një helikopteri. Vendosur në Venezuelë, një vend në Amerikën e largët të Jugut, ku ndoshta, për t’ia latinizuar emrin, e quajnë Viola. Duke mos e ditur sigurisht se në Shqipëri emri i saj, Vjollca Vokshi, lidhej pazgjidhshëm me edicionin kryesor të lajmeve të orës 20.00 në të vetmin televizion kombëtar në gjysmën e parë të viteve ‘90-t. Prezenca, m’anë tjetër, ishte një nxitim hiresh femërore përzier me patos politik që prodhonin një split screen virtual, ku bashkoheshin një Lili Gruber italiane me një folëse të Fox News-it të sotshëm amerikan. E do apo e urren Vjollca Vokshin, ajo, pavarësisht animit politik, shërbeu si kallëp në të cilin u derdhën më vonë forma të tjera vajzash e grash të botës së Televizioni Shqiptar. Disa e kanë kapur modelin, disa jo, e ndonjë, ndoshta edhe ia ka kaluar, por ajo, ashtu si dashuria dhe urrejtja e parë, rri në krye të kujtesës, palëvizur.

Dhe është kthyer edhe njëherë pardje në krah të burrit me të cilin e ndau për pesë vjet kohën televizive në ekranin e vetëm shqiptar, Kryeministrit të sotshëm, asokohe Presidentit, Sali Berisha. Dyshja ka shkërbyer buzëqeshje, ka trokitur gotat e shampanjës dhe kanë ngrohur bisedthat sa me njërin e sa me tjetrin për t’u kthyer me mendje në kohën kur bashkë e të pandarë ishin numrat 1. Sepse ishin të dy risi në atë Shqipëri të dikurshme të padalë, të palarë, të uritur, gri dhe provinciale. Ajo ishte Vjollca e TVSH-së, ai ishte Presidenti Berisha. Njëra simbolizonte gruan e re që i kthente Shqipërisë së lodhur anën e vet të pasqyrës dhe në lojën kush është më e bukura fitonte gjithmonë ajo. Njerëzit përballë e donin këtë humbje: në atë gjysmë ore informacioni më shumë se lajmin ata kërkonin shenjat e ditëve të tyre të ardhshme, fatin e Shqipërisë së përbashkët. Askush nuk mund t’ua shërbente më mirë këtë dëshirim se një President energjik me flokët sqimatarë dhe një grua e hajthme me mollëza si prej Afërdite. Edhe kur paraditeve, te qoshku i gazetave, bilardoja e kthinës apo kafeneja e zhultë i shpëtonin këtij gënjimi (iluzioni) dhe bërtisnin kundër tij me të madhe: Berisha e Vokshi, mal më mal e fushatë më fushatë, transgresivë, autoritarë, të padurueshëm… prapë në mbrëmje i ktheheshin lajmeve të orës 20.00, robërimit prej Vjollcës e Saliut.

Trembëdhjetë vjet më vonë janë shumë: janë trembëdhjetë mënyra më shumë për ta parë Vjollcën e dikurshme dhe atë të renë. Por hutia që mund të shkaktojnë alternativat nuk mund të shmangë atë që është qendrore, faktin që TVSH nuk ka qenë “media e parë e mendimit ndryshe” siç guxonte të emërtohej takimi përkujtimor në 20 vjetorin post-komunist të këtij institucioni.

Kaq kohë mjafton, gjithashtu, për të kuptuar se në Shqipëri ka filluar të sendërtohet një fenomen i ri: infrastruktura e shtresës së lartë, e cila krijon, ruan dhe e zhvillon më tej rrjetin e saj। Një grua që kthehet në vendin e vet pas 13 vitesh dhe nën një investim personal organizon përvjetorin e 20-të të një institucioni në të cilin ka punuar një gjysmë dekade e ilustron këtë. Kur ajo ka në krah edhe shefin e qeverisë së vendit, argumenti bëhet edhe më i fortë. Kjo në vetvete nuk ka asnjë të keqe. E keqja është se kur një vend fuqizon shtresën e lartë pa formuar të mesmen, stofi i demokracisë nuk thuret mirë. Raste të ngjashme mund të gjesh me shumicë në Amerikën Latine prej edhe nga vjen e bukura zonja Vokshi.

Vjollca Vokshi rikthehet në Tiranë me një pyetje për Berishën

Ikona e TVSH-së deri në vitin ’97, Vjollca Vokshi, është shfaqur mbrëmë papritmas në pritjen e organizuar nga Televizioni Publik Shqiptar (TVSH), me temë “Media e parë e mendimit ndryshe, media kontribut për demokracinë”. Në fakt, siç konfirmojnë edhe burime pranë TVSH-së, aktiviteti i organizuar dje ka qenë kryekëput një iniciativë e saj personale. Arsyeja e vetme; nostalgjia për t’ju rikthyer edhe njëherë një epoke të vjetër, që e filloi lavdishëm, por që për shkak të ngjarjeve të trazuara të 97’, u detyrua që të largohej me helikopter për të mos u rikthyer për një periudhë të gjatë kohore. “Unë kam jetën time në Venezuelë dhe jam kthyer për nostalgji”, - është shprehur dje Vokshi, gjatë pritjes së organizuar nga TVSH-ja. Shumëkush në atë sallë nuk ka mundur që të shquajë se kush ishte e ftuara e nderit, e cila përgjatë gjithë kohës ka qëndruar krah Kryeministrit Sali Berisha, e shoqëruar edhe nga Drejtori Përgjithshëm i TVSH-së, Petrit Beci. E veshur me një fustan të zi elegant, me flokë të shkurtra dhe me një pamje krejt të re, Vokshi kishte lënë pas pamjen e saj të dikurshme kur ajo jepte edicionin qendror të lajmeve. Vjollca Vokshi, madje i ka kërkuar Kryeministrit Berisha se cili ishte ndryshimi mes medias aktuale dhe asaj të para 13 viteve më parë, kur ajo ende punonte në TVSH. Kryeministri Berisha është shprehur se sot ka diversitet mediatik dhe se TVSH-ja ka meritën e madhe për mbrojtjen e interesit publik dhe kombëtar. “Ju keni meritën e madhe se krijuat gazetarinë e re dhe në çdo rrethanë, si një rrjet publik, keni qëndruar në krye të mbrojtjes së interesit publik, interesit kombëtar. Vjollca (Vokshi) njëzet vjet më parë dhe tani jemi njëzet vite drite larg, pasi sot kemi një diversitet mediatik, por ju keni meritën se e themeluat këtë. Ky diversitet është themeluar mbi meritën tuaj dhe duhet të jeni shumë të lumtur për kontributin që keni dhënë e jepni”, tha ai. Gjatë fjalës së tij, kreu i ekzekutivit ka sjellë edhe një shembull nga eksperienca e tij personale, duke u kthyer pas në kohë e pikërisht në vitin ’88. “Në vitin ’88, m’u kërkua një intervistë dhe atij që më intervistoi i thashë se e jap me një mirëkuptim, ta transmetosh intervistën, nuk është se kishte gjëra kaq të spikatura, por kishte disa gjëra në të. Sigurisht, këtij nuk ia lejuan transmetimin dhe ky nuk e dha, por është e pashlyera në memorien time, kur unë zbrita nga spitali dhe erdha në televizionin shtetëror për të takuar atë që mori intervistën dhe për t’i thënë se përse nuk e kishte dhënë atë, një grup grash e vajzash, punonjëse aty, më rrethuan e më thanë se të kemi bërë për dy lekë. Unë i thashë atij se nuk mund të censuronte intervistën, por, natyrisht, ai e bëri se kishte njerëz edhe mbi drejtorin”, - tha ai.

Vjollca Vokshi, gazetarja e TVSH tani shtëpiake

".. Në atë situatë, kur organi i akuzës po i tundte "byzylykët", në fundin e shtatorit të '98-s Vjollca mori rrugën në drejtim të Rinasit për t'u rilarguar nga Shqipëria. Fillimisht atë e penguan të largohej, duke tentuar t'i sekuestronin pasaportën, dhe thuhet se ajo u lejua të hipte në avion vetëm pas ndërhyrjes së Nanos .."

Portret i paautorizuar i ish-gazetares. Largimi nga Shqipëria pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Nga z.Dashnor Kaloçi

Ndryshe nga disa vjet më parë, kur ajo ishte shumë e njohur dhe me një famë të madhe, madje duke mos i munguar për asnjë ditë ekranit të TV Shqiptar, sot pothuaj është harruar fare. Portreti dhe zëri i saj tashmë i përkasin një kohe të shkuar, pasi në vend të përgatitjes së kronikave dhe lajmeve tepër të bujshme, ajo merret me përgatitjet e ushqimeve dhe rrobave për vajzën e saj.

Ky ishte fati që jeta i dhuroi Vjollca Vokshit, një prej gazetareve më të famshme të TV Shqiptar, e cila që prej 1998-s jeton në një vend të largët të Amerikës Latine.

Në TVSH në '91
Falë erës së re të ndryshimeve politike, e cila nisi të ndihej edhe në Shqipëri, televizioni i vetëm shtetëror i asaj kohe shpalli një konkurs për gazetarë. Në atë konkurs ku u përfshinë 266 veta, Vjollca Vokshi dhe Reis Çiço ishin të vetmit që fituan, madje thuhet se ata morën pikët maksimale. Por sipas njërit prej gazetarëve të vjetër të TV Shqiptar, para se të fitonte atë konkurs, Vjollca Vokshi kishte tentuar edhe më parë që të futej në punë pranë atij institucioni që e kishte lakmuar dhe ëndërruar shpesh. Por edhe pse me një portret mjaft simpatik nga ato që i duheshin ekranit, atë nuk e kishin pranuar. Ajo gjë u bë realitet vetëm pas atij konkursi dhe pasi e realizoi ëndrrën e saj duke u emëruar si gazetare në Departamentin e informacionit për lajmet e jashtme, ajo iu fut punës me shumë zell. Disa ish-kolegë të saj e kujtojnë Vjollcën si një vajzë mjaft të edukuar, korrekte e tepër sistematike, e cila punonte për orë të tëra. Falë edhe dhuntive të lindura të saj, të cilat i jepnin një siguri absolute në vetvete, ajo arriti shumë shpejt që të bëhej një nga gazetaret më të spikatura dhe më të kërkuara të TVSH-së. Kurba e karrierës profesionale të Vokshit në ekranin e vogël arriti majat më të larta sidomos pas vitit 1995, kur ajo nisi të spikaste edhe si një folëse e shkëlqyer. Bashkë me kolegun e saj Reis Çiço dhe drejtorin e Departamentit të informacionit, Artan Tepelenën (të cilin Vjollca e kishte pasur shok shkolle), ata formuan një trini pothuaj të pazëvendësueshme. Ngarkesa e madhe e punës që iu desh të përballonte asokohe Vjollca Vokshi në TVSH, e privoi atë edhe nga shumë angazhime familjare apo të jetës së saj private. Një nga ato ishte dhe koha që ajo kalonte nën shoqërinë e një miku të saj italian, i quajtur Alberto, i cili kishte një biznes privat në Tiranë. Aq e vërtetë ishte kjo, saqë motra e tij, e cila linte kokën pas Vjollcës, detyrohej shpesh të shkonte dhe ta priste mikeshën e të vëllait tek shkallët e TV, pasi kishin mbaruar lajmet e edicionit të fundit në mesnatë.

Largimi në '97
Fundi i '96-s dhe fillimi i '97-s, që shënuan dhe kulmin e karrierës brilante të Vokshit, përkuan dhe me fillimin e trazirave antifajde, që pas Tiranës erdhën duke u përshkallëzuar me shpejtësi marramendëse në të gjithë Shqipërinë. Ato ngjarje zunë vend dhe mbushën të gjitha edicionet e lajmeve të ekranit të vetëm të TV Shqiptar, duke e pushtuar atë me gjithë agresivitetin e tyre. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, ku gjithçka që ndodhte kalonte nëpërmjet mediave dhe mekanizmave që i dirigjonin ato, TV Shqiptar i ra barra kryesore, duke u vënë në krye të atyre pak mediave proqeveritare. Si rezultat i kësaj, figura e Vjollca Vokshit, e cila kishte kohë që ishte konsoliduar në TV Shqiptar, u bë violinë e parë dhe ajo shfaqej në të gjitha edicionet e lajmeve. Mirëpo kjo gjë pati dhe anën tjetër të medaljes. Portreti dhe zëri i Vokshit pati një impakt negativ në sytë e protestuesve, që kishin mbushur rrugët dhe sheshet e Vlorës, të cilët e identifikonin atë gazetare të lajmeve njëlloj me Berishën. Ndoshta inati i tyre lidhej edhe me faktin se motra e saj, Moza, punonte në stafin e ngushtë të Presidentit Berisha. Kësisoj nuk munguan dhe anatemimet për të, madje sipas disa fjalëve që u përhapën në dhjetëditëshin e parë të marsit '97, thuhej se protestuesit vlonjatë kishin vënë 50 mijë USD për kokën e saj. Në atë situatë tejet të tensionuar, ku dhe familja e saj që banonte në një apartament të thjeshtë pranë fushës së "Ali Demit", nuk u kishte shpëtuar kërcënimeve, në 13 marsin e '97-s ajo u largua nga Tirana së bashku me mikun e saj italian. Ata mundën të imbarkoheshin në bordin e një helikopteri italian, të cilët me urdhër të Farnezinës u ulën në barin e stadiumit "Qemal Stafa", për të evakuuar të gjithë shtetasit e saj nga vendi fqinj që kërcënohej nga flakët e një lufte civile.

Rikthimi në gusht '97
Me të mbërritur në Itali, Vokshi dhe miku i saj italian, Alberto, u vendosën në shtëpinë e tij, ku thuhet se asaj iu bë një pritje mjaft e ngrohtë që nuk i ishte bërë askujt më parë në atë familje. Prej andej Vjollca ndiqte me interes zhvillimin e ngjarjeve në vendin e saj, ku kishte lënë dy prindërit, dy motrat dhe vëllanë me të cilët lidhej shpesh në telefon. Malli për familjen e detyroi atë që të kthehej në Tiranë në gusht 1997, ku akoma nuk ishin shuar flakët e katrahurës që ajo kishte lënë atë paradite të 13 marsit të atij viti. Pasi kishte humbur vendin e punës në TV Shqiptar, ajo filloi punë si gazetare në Radio-Kontakt që kishte hapur PD-ja pas daljes në opozitë. Aty ajo punoi po me atë përkushtim deri në fundin e shtatorit 1998, kur ndodhi dhe vrasja e liderit të PD-së, Azem Hajdarit. Po ato ditë që Vjollca vazhdonte të komentonte ato lajme në Radio-Kontakt, Prokuroria e Tiranës, e cila ishte nën ndikimin e selisë rozë, e akuzoi atë se kishte bërë thirrje për kryengritje të armatosur dhe paraqiti edhe padi penale kundër saj. Në atë situatë, kur organi i akuzës po i tundte "byzylykët", në fundin e shtatorit të '98-s Vjollca mori rrugën në drejtim të Rinasit për t'u rilarguar nga Shqipëria. Fillimisht atë e penguan të largohej, duke tentuar t'i sekuestronin pasaportën, dhe thuhet se ajo u lejua të hipte në avion vetëm pas ndërhyrjes së Nanos.

Në Venezuelë
Pas largimit nga Shqipëria, Vokshi u vendos në Itali, ku nuk qëndroi për shumë kohë, pasi bashkë me bashkëshortin e saj italian ikën që andej dhe u vendosën në Karakas të Venezuelës. Që nga ajo kohë Vjollca dhe Alberto jetojnë të qetë në atë vend të largët, pa streset që iu desh të përjetonin vite më parë në vendin e tyre. Vjollca rri në shtëpi duke rritur dhe u kujdesur për djalin e saj të vogël, ndërsa Alberto ushtron biznesin e tij me dural. Thuhet se jetojnë shumë mirë dhe nuk kanë ndër mend të lëvizin që andej ndoshta edhe për shumë kohë. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe motra e madhe e saj Moza, e cila së bashku me shoqen e saj Linda Ihsani (ish-shefe e kabinetit të Berishës) para disa muajsh i ka bërë një vizitë në shtëpi atje në dheun e largët. Që kur u vendos atje, Vjollca nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri, madje as para tre vjetësh kur i vdiq nëna. Nuk dihet me saktësi mungesa e saj në atë rast, por të afërm të saj e lidhin me lindjen e fëmijës. Ky ishte fati që ndoqi një nga gazetaret më të famshme të TV Shqiptar, e cila është e detyruar të jetojë larg vendit dhe ekranit të vogël që e bëri të njohur.

No comments: