Friday, December 24, 2010

A e kanë gjetur shkencëtarët varrin e Jezu Krishtit?

LISA MILLER/JOANNA CHEN
23/12/2010 Kërkimi për një varr të humbur

Në Jerusalem, në atë qytet të lashtë e të shenjtë, shtëpitë e njerëzve janë të ndërtuara mbi eshtra. Prej mijëra vitesh, qindra breza hebrenjsh, myslimanësh dhe të krishterësh janë prehur në tokën e vet të shkëmbinjtë. Tova Bracha e ka ditur gjithmonë se ngastra e vogël prej betoni pranë ndërtesës ku ajo banon fsheh nën vete një varr të lashtë hebre, por nuk është se e ka vrarë shumë mendjen lidhur me këtë gjë. “Thjeshtë, nuk më dukej e rëndësishme, duke parë që gjithsesi ka kaq shumë varre që janë gjetur rreth e rrotull Jerusalemit”, thotë. Duke nxituar për në shtëpi pas të shtunës së hebrenjve, me duart e zëna nga çantat e pazarit, Bracha qesh kur i thuhet se ai varr mund të ketë një interes të konsiderueshëm nga pikëpamja fetare. Ndoshta mund të bëjë pasuri duke shitur xhingla për turistët, thotë me shaka. Ndoshta vlera e shtëpisë së saj do të disafishohet.

Discovery Channel, së bashku me Harper San Francisco kanë nxjerrë “Varri i Familjes së Jezusit”, një dokumentar televiziv dhe një libër që synojnë të tregojnë se varri që ndodhet pranë shtëpisë së Tova Bracha, në një lagje relativisht të panjohur të quajtur Talpioti Lindor, është pikërisht copëza e tokës ku prehet familja e Jezu Krishtit. Drejtuar nga një regjisor i mirënjohur televiziv, Simcha Jacobovici dhe prodhuar nga regjisori i “Titanic”, James Cameron, “Varri i Familjes së Jezusit” është, si film dhe si libër, një narrativë plot suspensë në lidhje me zbulimin në vitin 1980 të një shpelle varrimi hebreje të shekullit të parë, si dhe 10 kuti me eshtra, të gjetura brenda.

Me ndihmën e statisticienëve, arkeologëve, historianëve, ekspertëve të ADN, kamerave robotike, epigrafeve, si dhe një ekspert të “Skenës së Krimit” nga Long Island i New Yorkut, Jacobovici ka ndërtuar një çështje në të cilën ai argumenton se eshtrat e Jezusit, Marisë dhe Mari Magdalenës, së bashku me ato të të afërmve të tjerë më pak të njohur, kanë qenë vendosur dikur pikërisht në këtë shpellë. James Charlesëorth, i Seminarit Teologjik të Princeton është konsultuar me Jacobovicin në lidhje me këtë projekt dhe ndihet i intriguar: “Mund të pretendohet fuqishëm se ky ka qenë klani i Jezusit”. I përballur me pasojat teologjike dhe historike të asaj që ai vetë e quan “rizbulim”, Jacobovici është optimist. “Njerëzit do të duhet të besojnë atë që duan të besojnë”, thotë ai.

Kritikët u armatosen menjëherë për betejë. “Simcha nuk ka asnjë lloj besueshmërie”, thotë Joe Zias, që ka qenë përgjegjës për antropologjinë dhe arkeologjinë në Muzeun Rockerfeller në Jerusalem, nga viti 1972 deri në 1997 dhe që ka numëruar personalisht varret në Talpiot. “Ka marrë këtë zotin Cameron, që bëri “Titanic”-un, çfarë di ky njeri për arkeologjinë? Unë jam arkeolog, por nëse do të shkruaja një libër mbi operacionet në tru, ju do të thoshit: Kush është ky zotëri? Njerëzit duan shenja dhe mrekulli. Projekte të tillë janë një tallje për profesionin e arkeologut”. Përgjigja e Cameron: “Unë nuk pretendoj të jem arkeolog apo studiues i Biblës. Jam një regjisor filmash. Mu duk një projekt imponues. Mendoj se jemi mbi baza të shëndosha”.

Ja se çfarë dimë ne. Një të premte pasdite në vitin 1980, një brigadë ndërtimi zbuloi një varr të lashtë. Nuk ishte diçka e pazakontë. Viti 1980 shënoi një bum ndërtimesh në Jerusalem; u zbuluan qindra varre dhe, bashkë me ta, mijëra eshtra njerëzish. Në shekullin e parë, në kohën e Jezusit të Nazaretit, familjet hebreje që i kishin mundësitë ndërtonin varre në kodrat përreth Judesë dhe vendosnin eshtrat e të afërmve të tyre në këto varre. Trupi i një të sapovdekuri vendosej në një sergjen guri. Kur trupi dekompozohej, anëtarët e familjes i fusnin eshtrat në një kuti dhe këtë e vendosnin më pas në një qoshe. Me kalimin e brezave, varret nisën të mbushen me kuti, dhe familjet, me dëshirën për të ruajtur sa më shumë vend, shpesh herë vendosnin eshtrat e tre – deri gjashtë – të afërmve në një kuti të vetme. Sot në Izrael, varre të tillë të shekullit të parë janë kaq të kudogjendur, saqë ata përdoren në kopshte apo në dhoma pritje si themele.

Sado që të zakonshme të ishin këto zbulime, brigada e ndërtimit në Talpiot e dinte se çfarë duhej të bënte. Ata ndalën menjëherë punën dhe thirrën Autoritetin e Sendeve Antike në Izrael, ose agjencia qeveritare që kontrollon dhe mbron thesaret arkeologjikë të Izraelit dhe që menaxhon Muzeun Rockerfeller. Atë të diel, një ekip i vogël arkeologësh nga Autoriteti mbërritën për të gërmuar. Nën presionin e ndërtuesve, arkeologët punuan shpejt. “Përpiqesha të regjistroja sa më shumë që të mundesha, pa menduar shumë thellë”, thotë arkeologu Shimon Gibson, i cili në atë kohë ishte një vëzhgues i ri në moshë. “Koha ishte flori, dhe unë përpiqesha të mos më mbërthente paniku teksa matja dhe shkarravisja në letër... Ishte një evakuim emergjence”. Mbetet njerëzore në varr, thotë ai, iu dhanë autoriteteve fetare, të cilët i rivarrosën në përputhje të ligjit hebre.

Dhjetë kuti u dërguan në magazinën e Autoritetit. Gjashtë prej tyre kishin mbishkrime – për tu kujtuar anëtarëve të familjeve se kujt i përkisnin eshtrat brenda në kuti. Ja emrat që arkeologët gjetën në varrin në Talpiot, emrat që Jacobovici zbuloi se ishin kyç për dokumentarin e tij: “Jezusi, biri i Jozefit; Maria; Mariamena; Mateu; Juda, bir i Jezusit; dhe Joze, shkurtim i Jozef. Raporti zyrtar i hartuar prej arkeologut Amos Kloner nuk gjente asgjë për tu shënuar në këtë zbulim. Varri, thuhej në të, ishte në përdorim prej tre apo katër breza hebrenjsh. Në antikitet, ai ishte dëmtuar dhe rrënuar. Emrat mbi kuti ishin të zakonshëm në shekullin e parë (për shembull, 25 % e grave quheshin Miriam apo kishin emra me këtë prejardhje). Raporti nuk spekulon në lidhje me lidhjet familjare, ai as nuk bën asnjë lidhje mes mbishkrimeve dhe figurën që të krishterë të panumërt, prej 2 mijëvjeçarësh besojnë se u ngrit fizikisht nga të vdekurit dhe, sipas traditës, “u ngjit në parajsë”. Pasi bëri inventarin, Zias i vendosi kutitë në rafte të magazinës, aty ku qëndruan të patrazuara për mbi 20 vite.

Edhe sot, Kloner thotë se nuk ka asgjë të pazakontë në lidhje me atë varr. “Është një varr tipik hebre, me përmasa të mëdha”, thotë ai. “Emrat mbi kuti janë shumë të zakonshëm, ose me prejardhje të zakonshme”. Prania e emrave të Familjes së Shenjtë, thotë ai, “është thjeshtë rastësi”.

Jacobovici kundërshton me forcë. Një vëzhgues hebre me interes në historinë Biblike, Jacobovici u fiksua pas këtyre lloj zbulimeve në vitin 2002, kur po punonte me një tjetër program të Discovery, për një tjetër kuti me eshtra. Në të thuhej “Xhejms, bir i Jozefit, vëlla i Jezusit”. Ndryshe nga eshtrat në Talpiot, që u zbuluan, siç thonë arkeologët “in situ” dhe si rrjedhim u pranuan si autentike, kutia e Xhejms erdhi në dritë nga një tregtar sendesh antike që quhej Oded Golan. Pavarësisht burimit të pasigurt, Jacobovici – dhe një numër studiuesish – e morën si të vërtetë kutinë e Xhejmsit, si lidhjen e parë definitive të një sendi me Jezusin e Nazaretit. Filmi i transmetuar në Discovery u shoqërua nga një stuhi publiciteti – deri kur ndërhyri Autoriteti i Sendeve Antike në Izrael, që e shpalli si fals mbishkrimin dhe Golanin falsifikator. Gjyqi ndaj tij vazhdon edhe sot; vetë Golan i mohon kategorikisht akuzat.

Jacobovici nuk është një njeri që heq dorë kollaj. Ai besonte atëherë, dhe beson edhe sot në vërtetësinë e mbishkrimit, dhe ai mori përsipër detyrën e investigimit plot zell të kutive në Talpiot. Ai kish ngecur në ato kuti të magazinës së Autoritetit gjatë kërkimeve që kish kryer për rastin e Xhejms dhe u befasua nga mbishkrimet, si dhe nga refuzimi i Autoritetit për ti konsideruar si të vlefshme për kërkime të mëtejshme, refuzimi i tij pra, për “të bërë lidhjen”, siç thotë ai. Politika, feja dhe arkeologjia janë të pandara në Izrael; opinionet jo të pranuara gjerësisht, të çdo lloji, nuk janë të mirëpritura – dhe, për të thënë më të paktën, hedhja e ideve se dikush ka gjetur eshtrat e Jezusit do të kish qenë një veprim krejt i pambështetur mes të krishterëve. Sidoqoftë, Jacobovici nuk druhet se mund të bëhet jopopullor. Me ndihmën e Cameron, ai mori mbështetjen e Discovery si dhe një buxhet 3.5 milionë dollarë.

Regjisori e mbështet mbi katër shtylla çështjen që ngre. Së pari, thotë ai, studimet biblike të kohëve të fundit argumentojnë se emri i vërtetë i Mari Magdalenës ishte Mariamen, një emër i zakonshëm në shekullin e parë me prejardhje nga Miriam. Së dyti, testet e ADN tregojnë se mbetje njerëzore mikroskopike të marra nga kutia e Jezusit dhe ajo e Mariamenës nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, të paktën gjenetike, duke lënë kështu të hapur mundësinë që dy njerëzit, eshtrat e të cilëve kanë qenë dikur në ato kuti ishin të martuar. Së treti, cipa e gjelbër e bronzit në kutitë e Talpiot – domethënë, korja minerare e grumbulluar gjatë shekujve – i përshtatet asaj të kutisë së Xhejmsit. Ky “zbulim”, nëse do të jetë i vërtetueshëm, është i ndërlikuar, por shumë i rëndësishëm për argumentin e Jacobovicit: përputhja do të thotë që, sipas tij, kutia e Xhejmsit ka qenë fillimisht në varrin e Talpiot, gjë e cila do tu jepte përgjigje pyetjeve dhe dyshimeve në lidhje me vërtetësinë e kutisë së Xhejmsit. Kjo rrit gjithashtu mundësinë që varri ti përkasë Familjes së Shenjtë. Jezusi kishte katër vëllezër, sipas Ungjillit të Markut; dy prej emrave të tyre – Jozef (ose Joze) dhe Xhejms – u gjetën në varrin në Talpiot.

Teknika që përdor Jacobovici për të vërtetuar përputhjen mes kutisë së Xhejmsit dhe varrit në Talpiot është një teknologji që ai vetë e quan “marrje gjurmësh të gishtave mbi koren e bronztë”, që ai dhe bashkautori Charles Pellegrino (një shkencëtar i cili ndihmoi James Cameronin të shkruajë “Fantazmat e Titanikut”) e shpikën praktikisht për qëllime të këtij projekti. Duke krahasuar përbërjen minerale të ciflave të varrit në Talpiot me ato të kutisë së Xhejmsit, dhe duke i parë më pas këto në një mikroskop që përdoret për vëzhgimin e elektroneve dhe me ndihmën e një specialisti investigativ, Jacobovici dhe Pellegrino thonë se ata përputhen. Por a është e vërtetë? Është e pamundur ta mësosh me siguri. Për John Dominic Crossan, lider i Seminarit të Jezusit, një organ liberal, si dhe autor i “Çgroposja e Jezusit”, pyetja më e madhe lidhet me ngjarjen më të hershme: kush e shkatërroi varrin, kur , çfarë bënë aty dhe përse?

Pjesa e katërt e argumentimit të Jacobovicit është statistikore. Individualisht, pranon ai, të gjithë emrat në varrin e Talipt janë të zakonshëm. Charlkesworth, i Seminarit Teologjik në Princeton thotë se ka në zotërim një letër të shekullit të parë, që e ka shkruar një person që quhet Jezus, dhe që i drejtohet një tjetër personi që edhe ai quhet Jezus, dhe dëshmitar i të cilës është një person i tretë, edhe ky me emrin Jezus. Por prania e këtyre emrave në të njëjtin vend, me këto veçanti, sa gjasa ka që të ndodhë? Andrey Feuerverger, një statisticien në Universitetin e Torontos, thotë se mundësitë janë 600-1 në favor të idesë që varri i përket Familjes së Shenjtë.

Arsyeja e shëndoshë, si dhe Bibla, edhe sot e kësaj dite regjistri historik më i mirë ekzistues në lidhje me jetën e Jezusit të Nazaretit argumentojnë kundër pretendimeve të Jacobovicit. Të katër ungjijtë thonë se Jezusi u kryqëzua në prag të së shtunës; të katër thonë se varri ishte i boshatisur kur dishepujt u zgjuan të dielën në mëngjes. “testamenti i ri është shumë i qartë në lidhje me këtë”, thotë Alan Segal, profesor i fesë në Kolegjin Barnard. “Jezusi u vendos në një varr që nuk i përkiste atij dhe më pas ai u ngrit, dhe aty nuk mbeti më asgjë”. Që skenari i Jacobovicit të funksionojë, atëherë duhet që dikush të ketë larguar trupin e Jezusit, të shtunën, dhe më pas ta ketë vendosur në mënyrë të fshehtë në një varr familjar të paguar – e gjithë kjo, përpara se të agonte e diela. Siç vazhdon të argumentojë Segal, “përse familja e Jezusit do të kishte një varr jashtë Jerusalemit, nëse ata ishin nga Nazareti? Përse do të kishin një varr, nëse janë të varfër”?

Nëse ky do të kish qenë varri i Jezusit, Marisë dhe Jozefit, atëherë çfarë mund të thuhet për varret e tjerë të shenjtë, të pranuar nga tradita dhe të caktuar nga studiuesit, përreth botës? Kisha Katolike pranon dy vendndodhje për varrin e Marisë: njëri poshtë Dormition Abbey në Jerusalem, tjetra në Ephesus. Konstantini ka thënë në vitin 328 se vendi përfundimtar ku prehet Jezu Krishti, vendi prej nga kua i u ngrit, ndodhet në shkëmbin tek Kisha e Varrit të Shenjtë në Jerusalem. Në një libër të botuar vitin e kaluar, James Tabor, një studiues i Biblës në Universitetin e Karolinës së Veriut si dhe zëri kryesor akademik që mbështet në mënyrë entuziaste dhe të kualifikuar pretendimet e Jacobovicit, shkruan se ai kërkoi dhe gjeti një varr legjendar të Jezusit në qytetin Safed.

Jacobovici është një rebel, nj lloj Indiana Jones dhe teksa kjo histori nis e shpaloset, ai do të akuzohet për shumë gjëra. Arkeologët që kanë shoshitur rërën për dekada të tëra, me më pak famë dhe më pak buxhet, do ta quajnë atë një oportunist që po shfrytëzon valën e nxitur prej Dan Brown. (Në film përmendet edhe hipoteza që Jezusi dhe Mari Magdalena kishin një fëmijë, eshtrat e të cilit ndodhen në kutinë me mbishkrimin “Juda, bir i Jezusit”). Miq kuriozë do të bëjnë thirrje për studime të mëtejshme. Ndoshta Tova Bracha do të gjejë pelegrinë në derën e saj, njerëz në kërkim të përgjigjeve, të cilat kanë turbulluar dhe frymëzuar njëkohësisht njerëzimin që nga koha kur varri ku u vendos të prehej Jezusi u gjet i boshatisur në atë agim të largët në Jerusalem.

No comments: