Friday, December 24, 2010

Festivali i 11-të i shekullit XXI

SHKRUAN: Aida Tuci 24-12-2010 11:07

I tillë u shfaq mbrëmë në natën e parë, Edicioni i 49-të i Festivalit të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, që i hapi udhë rrugëtimit të 38 këngëve që do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve. Një skenografi e thjeshtë në dukje, por që perceptohej si një teknologji në zhvillim. Këngë të të gjitha zhanreve, deri dhe me motive të traditës, por që fatmirësisht e rëndësishme ishte se asnjëra nuk tingëllonte në asnjë notë komerc edhe pse mbrëmë u interpretuan vetëm 19 këngë, 3 prej të cilave i përkisnin kompeticionit të të rinjve. Ashtu siç dhe ishte deklaruar, ky ishte vërtet festivali i risive. Që te treshja e drejtuesve: këngëtarja Jonida Maliqi, këngëtari lirik Josif Gjipali dhe aktorja Mirela Naska, që mbrëmë prezantuan një prezantim jashtë tradicionales jo vetëm të festivalit të RTSH-së por dhe të prezantimit tradicional shqiptar në përgjithësi. Një treshe që bëhej bashkë në skenë vetëm kur skenaristet e festivalit, Zefina Hasani dhe Iva Tiço, kishin diçka më shumë për të thënë për publikun, sesa vetëm prezantimi i thjeshtë i këngëtarit të radhës. Tre prezantues që edhe pse herë pas here shfaqnin dhe individualizmin e tyre artistik në skenë, reflektonin gjithsesi harmoni dhe ishin komunikues mes tyre dhe ashtu në largësinë mes skenës dhe paskuintave. Një rikthim përtej çdo këndvështrimi profesional për Dorian Ninin, që u ngjit në skenën e festivalit si këngëtar me këngën “Mirë se vini në Shqipëri”, e kompozuar nga Jetmir Barbullushi. Si për të përligjur dhe titullin e këtij shkrimi, Dorian Nini nuk ngjitej në skenën e një festivali në “staturën” e këngëtarit që pas festivalit famëkeq të RTSH-së, ai që njihet tashmë si Festivali i 11-të. Për të vazhduar me këngëtarët më të palodhur, përsa i përket pjesëmarrjeve në festivalin e RTSH-së, Selami Kolonja me këngën e kompozuar prej tij, me një titull paksa oriental “Marmara” dhe me “veteranin” e festivaleve tashmë Etmond Mancaku, që erdhi si kantautor me “Dashuri pas emrit”. Çifti më i përfolur i festivalit Miriam Cami & Alban Skënderaj duket se, pavarësisht “dyshimeve” paraprake se ata janë shpallur paraprakisht fitues të festivalit, me performancën e tyre në natën e parë duket se “Ende ka shpresë” për të qenë kandidatë të mundshëm për në Eurovizion. Agim Poshka që në këto 10-vite nuk i është ndarë festivaleve. Festivali i 49-të i këngës në RTSH tashmë e ka nisur rrugëtimin e tij për shpallur këngën që do të na përfaqësojë në Festivalin Europian. Kjo peshë i mbetet mbi supe jurisë kryesore të festivalit, e cila përbehej nga artistë që i kanë dhënë ndër vite skenës së Festivalit si: Edison Miso, David Tukiçi, Aleksandër Peçi, Manjola Nallbani, Robert Radoja, por dhe ata që nuk i përkasin aspak zhanrit të muzikës si: Artan Minarolli apo si producenti: Edmond Tullumani. Ndërkohë që në të njëjtën staturë qëndrojnë edhe ata që do të vlerësojnë 6 këngët e reja si: Gerta Heta, Jerida Sakaj, Andi Islami, Evis Trebicka dhe Suada Braho. Kjo juri me mesatare moshe shumë të re do të përzgjedhë 2 këngëtarët e rinj, nga 6 që prezantohen në këtë festival, që do të fitojnë të drejtën të konkurrojnë me këngëtarët e tjerë për çmimin e madh. Mbrëmë juria e të rinjve me vetëm një “Po” dhe”Jo” publike kualifikuan për në finale këngëtaren e re, Maria Prifti me këngën “Pasuri e pasurive” me muzikë nga Frederik Ndocit dhe tekst të Agim Doçit. Ndërsa juria kryesore zgjodhi ne fund 8 finalistët e katëgorisë “BIG” të natës së parë, të cilët zyrtarisht janë dhe kandidatë për çmimin e madh: Miriam Camin dhe Alban Skënderajn, Dorian Ninin, Marsida Saraçin, Dorina Garucin, Orges Toçen, Kamela Islamajn, Herci Matmujan dhe Selami Kolonjën. I ftuar special i natës së parë ishte grupi “Manga” fitues i vendit të II-të në “Eurovizion” të vitit të kaluar të cilët i dhanë fund spektaklit ndryshe këtë vit të natës së parë të Festivalit të 49-të në RTSH.

No comments: