Tuesday, December 28, 2010

Prokurori Dyla: Rrëfej 11 orët e hetimit të ekspertëve të Hagës

Blendi Fevziu:

Ish-prokurori i Matit, Arben Dyla, i cili ka shoqëruar në Rripë ekspertët e Gjykatës së Hagës, rrëfeu mbrëmë në “Opinion” dy ditët e hetimit në të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë”. Ai hodhi poshtë pretendimet se aty janë gjetur qetësues muskujsh e medikamente të tjera njerëzore, si dhe sqaroi arsyet pse pretendimet për trafik organesh janë të pabaza.

Zoti Dyla, kishit informacion paraprakisht për atë që po ndodhte, kishte ndodhur në Rripë të Burrelit?

Ne nuk kemi pasur absolutisht asnjë lloj informacioni. Informacioni i parë na ka ardhur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë, e cila na ka informuar se në rrethin e Matit do të vinte një grup ekspertësh të tribunalit të Hagës dhe ne duhet të merrnim masat për akomodimin e këtyre personave dhe shoqërimin për të kryer një verifikim, pasi kishte të dhëna, ata kishin të dhëna se në territorin e Matit, një banesë kishte shërbyer si burg i UÇKS-së. Grupi prej 12 ose 14 personash.

Kur ka qenë ekzakt koha?

Duhet të ketë qenë shkurt ose në mars të vitit 2004. Grupi prej 12 ose 14 personash është paraqitur në mëngjes në zyrën time, i kam akomoduar në një hotel të Burrelit, më pas ...

Pra ishte vetëm thjesht verifikim, nuk ishte një hetim

Nuk ishte një hetim, ishte thjesht verifikim. Pasi janë sistemuar në hotel, jemi nisur dhe në kontaktin paraprak..

Ndërkohë, ju vetë kishit dëgjuar gjë për ekzistencën e kësaj shtëpie në Rripë të Burrelit?

Absolutisht asnjë lloj informacioni.

Ishin ata që ju thanë që duhet të shkonit në këtë shtëpi dhe kishin koordinata të sakta...

Fillimisht na thanë që kërkohej një shtëpi karakteristike shqiptare, që ishte nga ana e majtë e rrjedhës së Matit, por adresë të saktë nuk na dhanë.

Kishin fotografi apo materiale të tjera?

Nuk më kanë treguar absolutisht asnjë lloj gjëje. Gjatë rrugës kam ndaluar dy ose tre herë, duke i demonstruar, ose duke i treguar shtëpi, i verifikonin nëpërmjet dylbive, hapnin hartat, aty pashë se kishin edhe aparat pozicionimi satelitor.

GPS?

Më krijuan idenë që kishin informacion të saktë për banesën. Ndaj në një moment, nuk kam ndaluar, kam ecur vetëm përpara, si makina e parë, duke lënë të më drejtonin makinat që vinin pas, pikërisht këto të ekspertëve të tribunalit të Hagës. Na kanë çuar drejtpërdrejt në banesën e Abdulla Katuçit.

Pra, ishin ata që ju drejtonin paraprakisht, pa ju thënë se ku po shkonit?

Po. Dua t’u them se banesa e Abdulla Katuçit ishte fundi i rrugës së fshatit Rripë. Pra ishte pika e fundit e rrugës. Aktualisht është bërë rruga dhe është bërë ura, por në momentin që kemi shkuar aty përfundonte dhe rruga. Në kontaktin paraprak, që kam pasur me të zotit e shtëpisë, në prezencë edhe të ekspertëve të tribunalit të Hagës, i kam pyetur fillimisht nëse në banesën e tyre kishin qenë ushtarë të UÇK-së. Më janë përgjigjur që “jo”. Kishte shërbyer si spital për UÇK-në - më janë përgjigjur që “jo”, nëse kishte refugjatë kosovarë, më janë përgjigjur që “jo”, nëse kishin familjarë që kanë qenë të lidhur me UÇK-në, më janë përgjigjur që “jo”. I kam pyetur edhe për një fakt, se nëse para nesh kishin shkuar persona të tjerë? Më thanë që gjashtë muaj më parë, në atë banesë kishin shkuar dy persona, të cilët i ishin prezantuar si inxhinierë rrugësh, si shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët ishin të interesuar për ndërtimin e rrugës së Arbrit, e cila në vijë ajrore duhet të jetë 2 ose 3 kilometra, më në jug. Këto persona kanë biseduar me të zotin e shtëpisë, Abdulla Katuçi, kanë fotografuar shtëpinë, kanë parë shtëpinë, me pretendimin se nesër kur të fillonin punimet e rrugës, këtë banesë do ta merrnin me qira për inxhinierët, fakt të cilin i zoti i shpisë nuk e ka pranuar, pasi nuk kishte shtëpi tjetër se ku të jetonte.

Pra, dy persona ishin paraqitur si inxhinierë dhe mesa duket, kishin fotografuar dhe kishin marrë të dhënat për shtëpinë?

Kanë fotografuar, kanë hyrë brenda..

Ishin shqiptarë apo?

Me të zotin e shtëpisë kanë folur shqip, por një shqipe me dialekt. I zoti i shtëpisë më tha ishin shqiptarë, por shqiptarë nga Mali i Zi, nuk ishte një shqipe e pastër. Por, më pas grupi i ekspertëve ka vazhduar të kryejë verifikime në përgjithësi rreth banesës.

Çfarë domethënë verifikime rreth banesës?

Kërkonin indicie për të provuar faktin nëse kjo banesë kishte shërbyer si burg i UÇK-së. Pra, deri në këtë moment, personalisht të vetmin informacion kisha se kjo banesë kishte shërbyer si burg i UÇK-së. Që kjo banesë ka shërbyer si klinikë për trafik organesh, unë e kam marrë vesh pas botimit të librit të zonjës Del Ponte.

Po ju e dini që ka shërbyer si burg për UÇK-në?

Jo, jo nuk kishte asnjë të dhënë. Nuk kishte pasur asnjë familje kosovare, nga familjet që ishin deportuar nga Kosova. Jo UÇK-së, jo e jo, por asnjë kosovar nuk kishte pasur në atë banesë. Atëherë grupi i ekspertëve ka vazhduar verifikimet, unë gjatë gjithës kohës kam qenë në mbikëqyrje të veprimeve që kryheshin nga ana e tyre.

Në raportin e Dik Martit pretendohet që grupi i ekspertëve, madje edhe në deklarimin paraprak të një eksperti peruan që ka qenë bashkë me ta, deklarohet që janë gjetur shiringa, pajisje mjekësore, madje edhe një aparat për transfuzionin e gjakut, i cili është shumë i sofistikuar për t’u përdorur në Rripë të Burrelit?

Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Janë gjetur dy flakonë, si flakonë peniciline, që tërhoqën vëmendjen e grupit të ekspertëve.

Ku u gjendën?

Në plehrat e banesës. Plehrat e banesës ishin në buzë të një përroi, që kalon në afërsi të banesës, rreth 10-15 metra larg. Tërhoqën vëmendjen e këtij grupi ekspertësh, kanë pyetur familjarët në lidhje me këto flakonë.

Vetëm dy flakonë..

Vetëm dy flakonë si të penicilinës. Më thanë që janë medikamente të përdorura nga ana e tyre. Kurioziteti i grupit të ekspertëve, si ka mundësi që këto mbetje spitalore janë pranë një banese, familjarët iu përgjigjën që në fshatin Rripë nuk kishte qendër shëndetësore, pra banorët i blejnë medikamentet nëpër farmaci dhe vijnë ndihmës- mjekë ose mjekë që i kryejnë shërbimet nëpër banesa. Gjithashtu, gjatë kontrollit të mbeturinave është gjetur edhe një peshë, një copë e fortë, e bardhë, si një fije nejloni të themi. Edhe kjo tërhoqi shumë vëmendjen e ekspertëve.

Për çfarë mund të shërbente?

U ngrit dyshimi se ishte material që përdorej nga ushtria për luftë kimike ose nga mjekët në rast operacioni. Edhe në këtë rast, kam pyetur familjarët e Avdulla Katuçit. Përgjigjja ishte, është mbetje e një mbulese tavoline, si ato që përdoreshin përpara viteve ’90, ku pjesa sipër është e pastifikuar, ndërsa nga konsumi mbetej një pjesë beze shumë e fortë, dhe ajo ishte mbetje, mbetje e kësaj mbulese tavoline. Të dyja këto edhe flakonet, edhe mbetja e kësaj mbulese tavoline janë lënë në grumbullin e plehrave, nuk janë marrë si prova.

U fotografuan?

U fotografuan dhe u filmuan. Po nuk janë marrë si prova. Marrja si provë ishte detyrë e organit procedurial hetimor, që ishte Prokuroria e Rrethit gjyqësor Mat.

Dhe deri këtu jemi thjesht te verifikimi. Ata verifikuan, gjetën vetëm dy flakone të vegjël, të ngjashëm me ato të penicilinave dhe një copë. Ndërkohë që pretendohet po në raportin e Dik Martit, që brenda shtëpisë është gjetur një sipërfaqe katrore, në të cilën ishte vendosur një tavolinë e gjatë, ose një shtrat spitali. U kryen këqyrje brenda në godinë?

Në fakt, në godinë gjatë ditës, pasi veprimet kanë zgjatur nga ora 9 e paradites deri në orën 20 të ditës së parë.

Nga ora 9 e paradites deri në orën 8 të mbrëmjes?! Rreth 11 orë. Çfarë këqyrën në 11 orë? Vetëm një ditë qëndruan, apo u kthyen prapë të nesërmen ?

Janë kthyer prapë të nesërmen. Atëherë unë po e filloj në rrjedhë kronologjike, që të dal edhe më pas te përgjigja e pyetjes suaj. Një nga verifikimet e kryera ishte në varrezat e fshatit Rripë. Varrezat e fshatit Rripë janë 200 metra larg banesës e Abdulla Katuçit. Objekt kurioziteti ishin disa varre të vjetër, ku vetëm gurët ishin pikat e identifikimit të tyre.

Që do të thotë të vjetër, ndoshta 100-vjeçarë?

Ndoshta 110-vjeçarë. Në fakt, e shkuara jonë deri tek varrezat, një grup i madh personash tërhoqi vëmendjen e të gjitha banorëve të Gurrës. Kurioziteti se kujt i përkisnin këto varre, unë iu jam përgjigjur duke pyetur banorët, duke pyetur se kujt i përket ky varr, kujt i përket ky, dhe banorët më janë përgjigjur me emra konkretë për secilin nga varret.

Pra i identifikuan të gjitha varret?

Të gjithë varret. Dhe nuk ishte një numër i pakët banorësh, duket të ishin rreth 50 banorë që erdhën në atë moment. Një pjesë prej tyre kishin edhe të afërmit, i kishin varret e të afërmve të tyre. Drejtuesi i këtij grupi, që besoj duhet të ketë qenë zoti Baraybar, më ka thënë që identifikimi më i saktë është analiza e ADN-së, prandaj duhet zhvarrimi. I jam përgjigjur që zhvarrimi është një veprim procedurial hetimor, i cili kryhet në kuadër të një procedimi penal, jo në kuadër të një verifikimi. Kodi penal procedurial shqiptar e parashikon një veprim të tillë..

Nuk bënë asnjë lloj kërkese?

Asnjë lloj komenti. Më thanë nëse do të grumbullohen prova, atëherë ky veprim në të ardhmen mund të realizohet. Nga aty, jemi larguar përsëri në banesën e Avdulla Katuçit. Besoj se duhet të kemi ndenjur rreth 5 orë, pa kryer asnjë lloj veprimi, asgjë. Herë pas herë i kam kërkuar...

Përse kanë qëndruar disa orë. Çfarë bënë?

Efekti i qëndrimit për disa orë ishte se duhet të pritej mbrëmja që të kryhej ky verifikimi brenda banesës. Pra rreth orës 7-8 të darkës është kryer verifikimi me solucionin luminal...Ky solucion, në kontakt me hemoglobinën, siç mësova aty, bëhej fosforeshent. Nga një spërkatje e njërës nga dhomat prej banesës u konsistua një njollë fosforeshente.

Që janë detyrimisht njolla gjaku...

Ishin njolla gjaku, por nuk mund t’i verifikonin njolla gjaku njeriu apo kafshe. Kishte njolla gjaku në banesë, nuk mund të themi njolla të mëdha gjaku, por më tepër spërkatje. Më informuan se nuk mund të identifikohej nga luminali, nëse ishte gjak njeriu apo kafshe. Nga spërkatja u konstatua një pjesë në qendër të dhomës, që nuk kishte mbetje gjaku, dhe vinte në formë drejtkëndëshi. Ndërkohë që nga spërkatja, u konstatua se edhe në pjesën e mureve, përveç dyshemesë, kishte njolla fosforeshente.

Pra, spërkatja e gjakut ishte rreth e rrotull kësaj tryeze apo një objekt katror dhe në mure. Në lartësi të ulët të mureve?

Edhe në lartësi të lartë. Domethënë edhe mbi supin e njeriut. Pas këtij veprimi me luminal janë spërkatur pothuajse të gjitha ambientet e shtëpisë. Në asnjë nga dhomat e tjera nuk u gjet.

Kjo ishte dhoma e ndenjes?

Nga i zoti i shtëpisë kam mësuar se kjo shërbente si dhomë ndenje. Për këtë fakt, kam pyetur familjarët dhe nga i zoti i shtëpisë, kam mësuar që kjo dhomë, vite më parë shërbente si thertore, dhe pasi ishte rregulluar dy ose tre vite më parë, njëra nga nuset e shtëpisë kishte lindur një fëmijë, lindje e cila ishte shoqëruar me hemorragji. Fakti i lindjes në shtëpi krijoi shumë dyshime tek grupi i ekspertëve.

Përse krijoi dyshime?

Krijoi dyshime, pasi për mentalitetin e tyre, lindjet në shtëpi janë të papranueshme. Pra kjo ishte diçka që i krijoi shumë përshtypje. Pasi është kryer ky verifikim, atëherë jemi ngritur dhe kemi ikur.

Në bisedat me ju, shprehën ndonjë rezervë apo pothuajse nuk komunikonit...

Absolutisht asnjë lloj rezerve. Përveç këtij debati të parë në varreza, kemi pasur një debat të dytë, pasi duke parë njërën nga dhomat e banesës të Abdulla Katuçit, grupit të ekspertëve iu tërhoqi vëmendjen se përse ishte e shtruar me parket dhe kërkuan të lyhej parketi dhe të kryej verifikimi me luminal. Dhe këtë veprim nuk e kam lejuar të kryhet, duke i thënë që në qoftë se merrnin përsipër shpenzimet.

Nuk shpreheshin se nga i kishin marrë indiciet për këtë shtëpi?

Jo, në asnjë rast. Pas përfundimit të veprimeve në dhomë me luminalin dhe pasi dolëm jashtë jam interesuar për veprimet e ditës së nesërme, pasi duhet të merrja masa prapë për shoqërim. Në bisedë më është thënë që të nesërmen, nuk do të kishin shumë punë, pra të dhënat që kishin grumbulluar deri në atë moment, nuk i mbështesin pretendimet e tyre. Nesër do të behej vetëm një verifikim në varrezat e fshatit dhe më pas do të largoheshin. Atëherë të nesërmen më kanë kërkuar paraprakisht ujë fiziologjik. Ditën e dytë janë shoqëruar nga një kolegu im. Kanë kryer vetëm fotografimin dhe filmimin e varrezës dhe më pas janë larguar në drejtim të Maqedonisë.

Në momentin që mbaroi ditën e parë, a pati ndonjë procesverbal të ekspertëve të Hagës për gjithë kryerjen ose verifikimin që u bë në zonë?

Jo, nuk është mbajtur asnjë procesverbal. Nuk na është kërkuar që të mbanim asnjë procesverbal.

Grupi prej 12 apo 14 personash që thoni, përbëhej nga çfarë kombësish?

Nuk besoj se ishin të gjithë të një kombësie. Duhej të kishte hungarezë, duhet të kishte amerikanë, duhet të kishte indianë, 2 ose 3 duhet të ishin nga Amerika latine.

Kishte ndonjë shqiptar me ta?

Përveç përkthyesit, ishte një shqiptar nga Maqedonia, nuk kishte asnjë shqiptar tjetër.

Pra vetëm kaq ka qenë gjithë historia. Ju më pas e ndoqët, biseduat me familjarët për këtë çështje?

E kam verifikuar nga disa burime. Kam komunikuar me drejtues të pushtetit vendor, me banorë të zonës, me inspektorë të policisë, në të gjitha rastet më është konfirmuar fakti se në atë fshat nuk ka pasur absolutisht jo ushtarë të UÇK-së, por as refugjatë nga Kosova.

A informuat ju instancat në prokurorinë shqiptare me shkresë?

Patjetër. Kam informuar zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë për verifikimin e kryer në atë ditë. Pas botimit të librit të zonjës Del Ponte, realisht u vura në dijeni për qëllimin e vërtetë të grupit, që paska qenë për hetimin e trafikut të organeve dhe jo për burgun e UÇK-së. Atëherë kam bërë një informacion akoma më të detajuar, autoritete më të larta të shtetit shqiptar.

Familja Katuçi që banon në atë shtëpi, që prej ç’viti banon?

Prej shumë e shumë vitesh.

Nga sa veta përbëhej familja?

I zoti i shtëpisë me të shoqen, kishte dhe dy djem të martuar dhe në mos gaboj, kishte edhe një djalë emigrant në Itali, familje e cila gëzonte respektin e atij komuniteti.

Sipas Dik Martit, aty ka qenë një burg pas luftë së Kosovës dhe është përdorur jo vetëm për trafik të organeve, por edhe për trafikim të prostitucionit.

Jo. Nuk rezulton absolutisht asgjë. Nëse për trafikun e organeve mund të jetë një aktivitet shumë i fshehtë, ne nuk e kishim informacionin e plotë dhe të saktë, por të paktën për trafikimin e femrave, institucionet shqiptare, policia shqiptare ka organizma të specializuara që merren vetëm me këtë aktivitet. Të paktën kjo nuk do të na shpëtonte.

Zoti Dyla, si shpjegohet që grupi i ekspertëve në përgjithësi, tribunali i Hagës ka identifikuar këtë shtëpi? U interesuat më pas, qoftë për kuriozitet, në mos detyrë për ta hetuar?

Nuk e di sesi është identifikuar kjo shtëpi. Ndoshta është një zonë shumë e veçuar, që nuk rrihet shumë nga kalimtarët dhe është larg rrugëve të komunikacionit, larg kufijve. Nuk e di. Unë tani bëj një lidhje logjike, me intervistën e dhënë nga zoti Baraybar, para disa kohësh, i cili pranon faktin që në mënyrë klandestine, ka hyrë në Shqipëri për të bërë verifikim, që është absolutisht e kundraligjshme. Është prezantuar si inxhinier rrugësh në këtë banesë.

Ka qenë ai personalisht që ka mbërritur në këtë banesë. Dhe e thotë vetë?

E pranon vetë. Pasi ka identifikuar banesën, e ka fotografuar, e ka parë mirë e bukur, ka hyrë, vjen pas gjashtë muajsh dhe thotë që hajt se po gjejmë një banesë në fakt më duket jo vetëm e paligjshme, por edhe e pamoralshme.

A mundet që Prokuroria Shqiptare të kryente një hetim të pavarur, apo nuk ka nevojë se të dhënat nuk japin asnjë dyshim?

Nëse do të ketë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, patjetër që autoritete shqiptare mund të nisin një procedim penal. Po në stadin aktual, as zonja Del Ponte, as Dik Marti nuk vënë në dispozicion burimet e provave apo çfarë provash ato kanë, duket shumë e vështirë që të fillohet një procedim penal, vetëm të mbyllet me kaq.

No comments: