Tuesday, December 28, 2010

CD-ja e Kadriovskit, prokuroria “rihap” dosjen e vdekjes së të shoqes

SHKRUAN: Leonard Bakillari

Tiranë- Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimet për akuzat që Daut Kadriovski adresoi pak ditë më parë ndaj krerëve të Partisë Socialiste. Pas vendimit për regjistrimin e procedimit penal, që vë Kadriovskin në pozitat e të akuzuarit për shpifje, grupi i hetimit nuk ka humbur kohë, por menjëherë ka nisur hetimin mbi pretendimet që ngre ish-trafikanti. Fillimisht, organi i akuzës ka administruar të dhënat e siguruara në sistemin TIMS, ku rezulton se Daut Kadriovski, një prej ish-trafikantëve më të kërkuar në 13 shtete, rezulton të ketë hyrë disa herë në Shqipëri, edhe pse gjendja e tij shëndetësore kohët e fundit paraqitet e rënduar. Në radhën e veprimeve të prokurorisë është edhe rishikimi i dosjes hetimore për vdekjen e ish-bashkëshortes së tij Dile Mirashi, të cilën vetë Kadriovski e quan Aida dhe thotë se ka qenë e implikuar në trafikimin e 20 kilogramëve kokainë. Burime të rezervuara thanë për MAPO-n se tashmë është gati urdhri i prokurorisë për të nxjerrë nga arkivi dosjen hetimore që i njëjti institucion ka përpiluar në vitin 2003 për vdekjen e dyshimtë të Dile Mirashit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se grupi hetimor që ka marrë në dorë kallëzimin penal të deputetit socialist Erjon Braçe do të verifikojë me imtësi të gjitha aktet që gjenden në dosje, pasi asokohe është bërë një hetim i plotë për këtë çështje. Një nga arsyet që angazhoi maksimalisht strukturat hetimore në vitin 2003 kishte të bënte me faktin se e ndjera ishte arrestuar në shoqërinë e një prej njerëzve më të kërkuar të kohës, Daut Kadriovski, për të cilin kishte urdhër-arrest nga të paktën 13 shtete, ku akuzohej për trafik ndërkombëtar droge. Vetëm pak muaj pas lirimit nga qelia, Dile Mirashi u gjend e vdekur në banesën e saj, pasi kishte konsumuar një kafe. Ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi hemorragjinë cerebrale si shkakun e vdekjes, por ndryshe pretendon Kadriovski në dëshminë e tij, që iu dërgua me postë deputetit socialist Erjon Braçe. Kadriovski pretendon në “intervistë”, se ish-e dashura e tij, të cilën e quan Aida, është vrarë nga Edi Rama e Erjon Braçe, të cilët i kishin mbetur borxh për një sasi droge që kishin blerë prej saj dhe kërkonin të shtinin në dorë një tjetër sasi të konsiderueshme kokaine. Kadriovski rrëfen se për këtë arsye Edi Rama, Erjon Braçe dhe një person tjetër me inicialet A. Ç. kanë përdorur një të njohurën e tyre të përbashkët me emrin Vera, e cila pasi ka ftuar për kafe Aidën (Dile Mirashin) në banesën e saj, i ka hedhur lëndë helmuese në kafe. Sipas tij, ky fakt i është bërë i ditur nga një polic i burgut ku ai mbahej i izoluar, i cili gjithashtu i ka treguar se Aida ka gjetur shtëpinë të trazuar, ndërsa vetëm pak çaste më pas ka ndërruar jetë. Për të gjitha këto pretendime, Kadriovski pretendon se ka prova që zbulojnë vrasësit e vërtetë të bashkëshortes së tij, ndërsa prokuroria thotë se hapi i parë është studimi i dosjes hetimore për vdekjen e shtetases Dile Mirashi. Burimet pohojnë se objekti i kallëzimit të paraqitur në prokurori nga deputeti Erjon Braçe është akuza e shpifjes, por para se të arrihet në përfundimin se Kadriovski ka shpifur, organit të akuzës do t’i duhet të verifikojë të gjitha pretendimet që ngre Daut Kadriovski.

No comments: