
Ish gjyqtari ekuadorian, Byron Moreno është arrestuar të mërkurën në aeroportin John F. Kennedy në New York, derisa po tentonte të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me së paku gjashtë kilogramë drogë, të llojit heroinë, që i kishte fshehur nën pantallonat e tij.
Ish gjyqtari kontrovers, i cili me vendimet e tij skandaloze ishte vendimtar në eliminimin e Italisë në Botërorin 2002 në Kore të Jugut dhe Japoni, është ndaluar nga agjencia më e rëndësishme e antidrogës në SHBA, Dea. Sipas të dhënave doganore në SHBA, Moreno - që aktualisht është i angazhuar si komentues sportiv në një radio dhe në një kanal televiziv në vendin e tij, e kishte fshehur drogën në rrobat intime.
Gjatë karrierës së tij, Moreno ishte suspenduar disa herë nga Federata e Futbollit e Ekuadorit, pasi kishte kurdisur ndeshje të cilat i drejtonte vetë. Njëri prej rasteve skandaloze ishte kur në ndeshjen në mes të Deportiva Universita de Quito dhe Barcelona Sporting Club e kishte shtyrë lojën për 13 minuta, derisa Deportiva kishte fituar 4-3. Për këtë gjest, jug-amerikani ishte suspenduar me 20 ndeshje mos-referim./Express/
No comments:
Post a Comment