Gjergj Fishta në Paris
Prej brigjeve gjëmuese të Euksinit e deri në borën e amshueshme të
Alpeve Julie ; prej brigjeve bubulluese të Ekrakeraunve e deri ndër
karma të thepisuna të Karpateve, ende të rime me gjak njeriu, në ato
shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në
za në histori të fiseve dhe të kombeve.
Sot kjo familje asht shue. Marrë përbri prej tallazeve të luftave të
gjata e të pandame, ajo u përpi dhe u zhduk përbrenda gërmazave të
pangishëm të vorbujve te historisë, e kështu nuk mundi ma, ç’më atë ditë
kur Gentiusi, mbreti i mbramë i Ilirëve, më 168 para Krishtit, ndriti
triumfin e Lucë Emil Palit për me pa diellin e majes së lumnisë së vet
të hershme.
Porse, si të thuesh, si nji shkatërrinë e dhimbshme anijeje të mbytun
në det, prej humbjes së kësaj familjeje trako-ilire, sot, atje ndërmjet
Thesalisë dhe Malit të Zi, prej brigjeve lindore të Adriatikut e deri
në bregore të Vardarit, shpëtoi gjallë nji grusht njerëzish, të cilët
kishin zanë vend ose mbas mburojes së disa maleve titanike, ose nën
hijen e kandshme të disa fushave pjellore dhe plot jetë , banesë e
përmallshme e hyjnive të moshës përrallëzore. Ata u banë ballë me fuqi
kurrë të përkulshme të shpirtit të vet bujar, qoftë thellimeve të furive
të shekujve, qoftë edhe padrejtësisë së hipokrizisë njerëzore. Të
stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qëndrese, ende këta e flasin atë
gjuhë të të Parëve të vet ma të hershëm; ende e ruejn të pandryshueshëm
karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshëve të vet dhe sot ata
gjithnji e punojnë shi atë tokë të cilën e punuen të parët e tyne
prehistorikë.
Ky popull asht bash ai populli i vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe
aq zi i gjykuem në Europë. I vjetër sa fosilet, sa stalaktitat e
shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i lindun të thuesh prej
vetë rrenjeve të vjetra, ai asht sot zot autokton i pakundershtueshëm i
tokave të veta.
Po qe se përnjimend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej
Konferencës së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve si
dhe përcaktimin e kufijve të tyne, e drejta e lypë që Shqipnia të qitet
shtet më vete përmbrenda kufijve të vet etnikë dhe gjeografikë. Por çka
se, simbas teorisë wilsonjane (të Presidentit amerikan Willson) për me
mundë nji popull me u sundue në vetvete, përpos kombësisë, duhet të
mirret para sysh edhe ndërgjegja e tij kombëtare. Tashti, për në qoftë
se si ndërgjegje kombëtare duhet të kuptohet ndjesia për liri si edhe ai
dëshir që mund të ketë nji popull për t’u zhdrivillue në vetvete,
gjithnji përmbrenda qarkut të forcave të veta, unë them se edhe në këtë
pikpamje Konferenca duhet t’ia njohë Shqipnisë pamvarësinë si dhe
sovranitetin e vet. E njimend, e po thomëni, cili popull në Ballkan ka
ndjesi ma të thella për lirinë e vet sesa populli shqiptar ?
Kaluen po pushtuesit mbi Shqipni,
por nuk qenë kurrë zotnuesa mbi shqiptarë. Ashtu si ai cubi, i cili hyn
tinës dhe me trathti në shtëpinë e qytetarit të paqtë e, si shtjen
mbrenë drojen dhe pshtjellimin, del jashtë pa mundun kurrë me thanë se
ka sundue aty mbrendë: njashtu hynë pushtuesit e huej në Shqipni pa
mujtë kurrë me i shtrue dhe me i zotnue shqiptarët. E mos kujtoni,
zotni, se unë këtu jam tuj ju thanë sende të cilat mos t’i kenë vu re
edhe shkrimtarë të huej me vlerë. Kështu, fjala vjen, e ndritshmja Miss
Durham, thotë në nji libër të vetin mbi Shqipni :
“Pushtime të hueja janë përshkue mbi komb shqiptar, por të gjitha
kanë kalue pa lanë kurrfarë gjurme, si ujët që rrëshqet mbi shpinë të
rosës”.
Për lirinë e vet, zotni, shqiptari ban fli shpinë, tokën dhe mjerisht
edhe besimin. Fakti veç që shqiptari në mes të sa ndollive dhe te
papriturave politike e për nji periudhë kaq të gjatë shekujsh, ka
mbrrijtë me e ruejt gjuhën, doket dhe karakterin e vet kombëtar, – dhe
këtë jo vetëm në Shqipni, por edhe jashtë kufijve të sajë, – kjo difton
çiltas se ai asht dhe don të mbesë shqiptar. E gjithë kjo ngjet sepse
ndërgjegja kombëtare ka lëshue rrajë të thella në shpirt të tij. Por ma
mirë se kurrkund njeti, dashunia e popullit shqiptar për liri dhe
pamvarësi kombëtare, duket në faqet e historisë, për të cilën mundemi me
thanë se asht e endun vetëm prej luftash për liri e pavarësi. Unë këtu,
për mos me e vu fort në provë durimin e Zotnisë suej, po ju përmend
vetëm punët e mëdha, që ndërgjegja kombëtare e këti populli, kreu që
prej të XV qindvjetë e mbrapa.
Botën mbarë në zi do ta mbështillte. – Të flegruem droje shuejtën
zanin mbretnitë e Europës. Kur qe, mbi kep të Krujës titanike, po del
nji hije burri, vetullat ngërthye si dy hulli rrufeje, me dy sy zjarmi e
nji mjekër të thinjtë, e cila shtëllungë gjatë nofullës i derdhej, si
ajo mjegulla rreth nji shkëmbu të thepisun. Mbi krye trishtueshëm flakë i
shkëlqen tarogëza përkrenarja me brirë që tmerrshëm kah i vezullon nën
rreze të diellit, kometë zharitëse danë ndër sytë e armikut. Ai asht
fatosi i ndimun Gjergj Kastrioti,
i madhi Gjergj Kastrioti, Skanderbegu. Me flamurin kuq e zi shpalosun
përpara, poshtë rrëmoreve të maleve të thepisuna, stuhi bore prej ndonji
kulmi të rrëmbyeshëm, vërsulen vetëtimthi mbi formacionet e turqve, të
cilët, prej së largu tuj ua pa hovin, thonë se kulshedra me dragoj po u
turret.
Por mundet ndokush me më thanë se Skanderbegu këto lufta i ka ba për
qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjeje kombëtare, pra për
me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet.
E mos kujtoni se me dekë të Skanderbegut u shue ndjesia e lirisë dhe e pamvarësisë në shpirtin e shqiptarëve. Historia e Turkisë
ka shenjue jo ma pak se 54 kryengritje të mëdha të cilat gjatë
rrjedhjes së katër shekujve kombi shqiptar i bani qeverisë otomane ose
për me pshtue prej zgjedhës së sajë, ose për me e ngushtue që mos t’ia
mohonte të drejtat e tija. Edhe pamvarësia e Greqisë
asht nji lule e rimuun me gjak të shqiptarit. Zhavellët dhe Boçarët
kanë qenë shqiptarë e shqip kanë folë dhe me trimëni shqiptare kanë
luftue. Jo besa, por Greqinë e kanë lirue shqiptarët dhe jo ma pak janë
mundue se sa disa Pushtete të mëdha të cilat aso kohe bajshin spekullime
mbi Greqi, njashtu si do Zoti po bajnë sot edhe mbi Shqipni. Këtë punë,
me pasë për ta pyet si dijetar dhe jo si diplomat, kishte me ju a
vertetue edhe Venizellos vetë; por, në mos dashtë me ju a thanë ai, ja u
kallzon Lamartine, i cili, tuj folë mbi pamvarësi të Greqisë, thotë se
kjo nuk qe tjetër veçse rezultati i reaksionit të elementit shqiptar
kristjan mbrenda Greqisë kundra elementit turk.
Arsyeja pra pse kombi shqiptar nuk mujti me dalë shtet në vete, nuk
qe puna se ati i mungonte ndërgjegja kombëtare ose ndjesia për liri e
pamvarësi, por qe fakti se shi ditën në të cilën ai ishte gati me fitue
lirinë e vet, Shtetet e Ballkanit ia ngjitën kthetrat dhe e banë rob nën
zgjedhë të veten. Dhe këtë e banë jo për me e mbajtë nën shërbim e
robni të veten, por për me e shue shqimit e me e qitë faret. Kështuqë
prej kësaj pikpamje duhet me e thanë se shqiptarët gabuen, dhe gabuen
randë fort, që u çuen aso kohe kundra Turkisë, sepse për ta do të kishte
qenë dam fort ma i vogël me u vue nën zgjedhë të Turkisë, se sa me u
gri prej kristjanëve.
Po e shoh, Zotni, se kjo fjalë në gojën time disi po ju a vret veshin
dhe po ju duket nji paradoks në vetvete. Janë faktet që më japin arsye.
Në vitin 1478 turqit marrin Shkodrën
dhe me te mundet me u thanë se u pushtue e tanë Shqipnia. Por
megjithëkëtë, turku ia njohti Shqipnisë nji farë autonomie: na e la
gjuhën dhe kanunet tona, – por askund nuk lexohet në histori se ky mbyti
qindra mija shqiptarë përnjiherë, sadoqë populli hoqi zi e si asht me
zi prej tij. E tash ndini si u suell kristiani me Shqipni e me
shqiptarë. Në vjetin 1912 kërcet lufta turko-ballkanike dhe ballkanikët
pushtojnë Shqipninë. Nji herë mbysin pak me thanë dyqindmijë shqiptarë,
vrasin meshtarë katolikë sepse nuk ndigjonin me e mohue fenë ; grijnë
mysliman sepse edhe ata nuk duen me dalë dinit. Rrenojnë me themel
qindra e qindra katunde, veçse si e si me e farue kombin shqiptar. Në
vjetën 1914, ushtritë ndërkombëtare, mbas sa intrigash të poshtra,
pushtojnë Shkodrën. Në këto ushtri kombi shqiptar ka pasë mbështetë
gjithë shpresën e vet, sepse këta ishin demek të shprehunit e forcës që
do të rregullonte botën dhe, si të thuesh, ata ishin pasqyra të
qytetnisë europiane. Por megjithëkëtë ata nuk sollën kurrnjisend
përsëmbari në Shqipni. Ndrye mbrenda qarkut dhetë kilometrash në
Shkodër, as që e çilën nji rrugë, as që e lëshuen nji urë, as hapën nji
shkollë, nji gjykatore, nji spital, nji send të vetëm që t’i vyente
përparimit dhe qytetnimit të popullit shqiptar. I gjithë kujdesi i tyne
për Shqipni, përmblidhet në këta: kurrsesi mos me e lanë Shkodrën me ba
pjesë në Shqipninë tjetër dhe që në Statutin e Shtetit Shqiptar t’u
qitte nji paragraf i posaçëm me të cilin të njiheshin në Shqipni
çifutnit nji tagri me shqiptarë, sadoqi aso kohe nuk kishte në Shqipni
me thanë asnji çifut. Mandej, kur doli prej Shkodre, Komanda
Nderkombëtare dogji të gjitha aktet dhe arkivat e veta.
Në vjetën 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën me rrethina, sadoqi
Shqipnia ishte shtet neutral dhe nuk kishte shpallë luftë me kurrkend.
Në fillim të vjetës 1915, italianët pushtojnë Vlonën,
kinse për qëllim që me u përkujdesë për shqiptarët e sëmutë të
Shqipnisë jugore. Në 1916, Austro-Hungaria pushton Shqipninë. Me e thanë
me fjalë të tjera, ata dojshin ta mbajshin Shqipninë si nji krahinë të
veten. Për ma tepër: grekët dogjën 360 katunde në Shqipninë jugore, tuj i
mbytë të gjithë ata që dishmoheshin shqiptarë.
E sot Konferenca e Paqes lypë që shi ndër ndër këto vise të bahet
plebishiti për të caktue kufijt e Shqipnisë. Ç’ironi e helmueme!
Prej këtyne punëve, – për mos me folë për të tjera, – duket çiltas se
shqiptarët, prej pikpamjes kombëtare, kanë pasë arsye me drashtë ma
shumë kristjant se sa turqit. Turku, si për princip, si në teori, ia ka
pasë njohtë Shqipnisë nji farë autonomie, sadoqë me Skanderbeun e pat
kundërshtue përparimin e tij në Ballkan.
Thonë armiqt tonë, si dhe do mbrojtësa të tyne, se vërtetë që kombi
shqiptar asht ma i vjetri ndër popuj të Ballkanit dhe se ka nji dashuni
të gjallë për liri dhe pamvarësi të veten; veçse shka se megjithëkëto,
Shqipnia nuk mund të qitet shtet më vete sepse shqiptarët janë :
a) barbarë,
b) nuk janë të zotët me përparue dhe me u qytetnue vetë dhe se
c) eksperienca ka tregue se në kohën e Princ Widit, Shqipnia nuk mund të mbahet shtet më vete dhe krejt i pamvarun…
Pra, simbas mendimit të armiqvet tonë, ose ma mirë me thanë, simbas
fjalëve të vetë atyneve, lypset që Shqipnia të coptohet e t’u jepet
atyne në dorë për me e sundue dhe për me vu rregull, – meqë shqiptarët
janë barbarë e të egër e nuk janë popull që di me qitë shtet më vete,
pra me qeverisë. Për me thanë të vërtetën, po të marrim parasyshë mjetet
e mënyrën me të cilat ka nisë e vijue lufta e madhe evropiane, kisha me
thanë se barbarësia dhe egërsia e popujve ka pak ose aspak të përpjekun
me dëshirën për liri e pamvarësi të tyne. Kur popuj e kombe, në emën të
“qytetnisë” kanë vra e pre fëmijë, gra, pleq e të mbetun që kanë ba me
vdekun prej urie e gazepit me mijëra njerëzish të pafat në ditë; që kanë
djegë e rrenue, jo vetëm katunde e qytete, por mbarë krahina të
pamatuna; që kanë thye çdo të drejtë ndërkombëtare dhe njerzore dhe kanë
pre në besë me qindra mijëra robsh të ramë në dorë, – e megjithate sot
ata munden me qenë shtete të lira; – po atëherë, pse nuk mundet me qenë
Shqipnia e lirë ku, nëmos tjetër, gra nuk vriten, ku nuk gjindet nji
vorr i nji të vdekuni urie, ku ndorja e besa edhe ndaj armikut janë të
pathyeshme?
Kongresi i Versajës më 1919
Serbt, në kohën e luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çelë nanave
shqiptare barkun dhe foshnjet e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada
porsi pisha për me shndritë natën me to, dhe sot Konferenca ua ka
trefishue madhësinë e shtetit të tyne. Grekët kanë kryqzue gjinden
shqiptare bash ne të XX qindvjetë, ndersa sot Konferenca e ka menden me
ia dhanë mandatin që me i shtrue e me i qytetnue disa kombe të tjera,
kupto, Shqipninë. Pra tash, shqiptari, i cili nuk i njef këto “qytetni”
në veten e vet, pse s’mundet me dalë shtet më vete, i lirë e i pamvarun?
Por edhe me pasë për ta marrë barbarinë si shprehje vetore të shpirtit
të njeriut, unë mundem me thanë pa droje kundershtimi, se kombi shqiptar
nuk asht diftue aspak ma i egër e barbar se disa kombe të tjera të
qytetnueme, kur këta kanë qenë po me ato garanci që ka pasë kombi
shqiptar. Ah, po, duket çiltas, se nuk “duen” me e qitë Shqipninë shtet
më vete e të pamvarun, dhe kjo jo sepse shqiptarët na qenkan barbarë e
të egjër, por sepse këta nuk kanë sot për sot nji ushtri e nji flotë të
veten me të cilën të mund t’u dalin zot tagreve të veta. Ose thanë ma
qartë, u vehet kamba shqiptarëve vetëm sepse këta janë ma të ligësht
ushtarakisht dhe jo sepse janë ma barbarë se kombet e tjera të Ballkanit.
Asht gabim me thanë se të marrunit e gjakut shënon barbarinë e nji
kombi, në qoftë se ne nën fjalën barbari kuptojmë egërsinë ose
breshtninë e shpirtit të tij, ashtu siç duen me e kuptue kundërshtarët e
tonë, kur e kanë fjalën për kombin shqiptar. Të marrunit e gjakut buron
prej ligjeve të jashtme dhe prej të metave të organizimit shoqnor të
nji kombi, dhe jo gjithmonë prej gjendjes shpirtnore të tij. E vërteta e
këtyne fjalëve përcaktohet edhe prej historisë së popujve për të cilët
nuk mund të thohet se kanë qenë të egër e breshtnorë. Në Biblën shenjte
lexohen këto fjalë : Në se dikush godet një tjetër me gur dhe mund t’i
shkaktojë vdekjen, ai asht një vrasës dhe asht i dënuem me vdekje.
Njeriu i ngarkuem me hakmarrë viktimën, e vret vrasësin me rastin e
parë. (Num. XXXV, 19, 21) Po kështu edhe në Iliadë, në librin e IX,
gjejmë këto vargje që unë po i la simbas përkthimit të Montit:”… Il
prezzo qualcuno accetta del’ucciso figlio o del fratello; e l’uccisor,
pagata del suo fallo la pena, in una stessa citta dimora col placido
offeso.” (Ndëshkimin sejcili e pret si të drejtë për vrasjen e të birit
ose të të vëllait; dhe ai që e bën këtë vrasje për shpagim, mund të
jetojë pastaj i qetë në të njejtin qytet me atë familje së cilës i bëri
vrasjen – fyerjen e parë.)
Duket pra mirëfilli se prej të marrunit të gjakut – vendetta – nuk
mund të thohet se kombi shqiptar asht barbar e që nuk asht i zoti me u
qeverisë në vetvete dhe i pamvarun. Por “JO!” thonë kundërshtarët tonë.
Të metat e organizimit shoqnor, si dhe të marrunit e gjakut në Shqipni,
nuk janë të shkaktueme prej faktoreve të jashtëm, por rrjedhin prej
gjendjes shpirtnore të egër të kombit shqiptar. Me fjalë të tjera,
shqiptari vret njeriun për instikt dhe jo për nji arsye e cila edhe mbas
mentalitetit e bindjes së tij, të jetë e mbështetun mbi nevojë të të
ruejtunit të jetës, të gjasë ose të nderit të vet. E për në qoftë se
asht e vërtetë, – sikurse njimend asht e vërtetetë! – se poezia
popullore asht pasqyra e shpirtit të nji kombi, kjo duket çiltas, –
thonë ata, – prej kangëve popullore shqipe, sepse të tana, ose gati të
tana, tregojnë punë të veçanta vrasjesh ose gjaku.
Përpara se ndokush mund ta thonte me arsye se kombi shqiptar nuk
shfaqet kurrë i bashkuem në nji shtet, kishte me u dashtë ma parë që
historia të caktonte se nga e ka rrajën ky komb, kë ka fis e vëlla mbi
botë, – sepse ky nuk ka mbijt vetvetiu mbi botë, – e se deri ku
përfshihej vendi i tij. Por këto historia ende s’i ka përcaktue, e
kushedi se kur ka me mujt me i përcaktue, sepse historia e kombit tonë
gjindet e shtjellueme mbrenda hijeve të muzgëta të kohëve ma të vjetra.
Masandej do të ishte dashtë që historiografët e hershëm, mbi të cilët
mbështeten historianët e sotshëm, t’i kishin dajtë me nji emen të vetëm
të tanë elementet prej të cilit përbahet ky komb. Kush mundet me e thanë
me siguri se shqiptarët, ilirët, maqedonasit, thrakejt, epirotët janë
që të gjithi të nji fisi apo jo? Prandaj kurrkush nuk mund ta thotë me
siguri se shqiptarët s’kanë qenë kurrë të bashkuem më nja dhe s’kanë
qenë shtet më vete. Por edhe po e zamë se shqiptarët s’kanë qenë kurrë
të bashkuem në nji shtet të vetëm. Megjithkëtë armiqt tonë nuk kanë
arsye kur thonë se për këtë shkak kombi shqiptar nuk duhet qitë shtet më
vete, por ky vend duhet nda ndërmjet tyne si gja e pazot. Kush i mban
mend grekët të bashkuem nën nji skeptër dhe kunorë mbretnore përpara së
XIX qindvjetë? Sa jetë ka flamuri i Greqisë? Jo vetëm që grekët edhe në
kohën ma të lumnueshme të historisë së tyne s’kanë qenë të bashkuem nën
nji shtet, por këta kanë thirrë ushtritë e hueja për me shtypë
shoqishoqin bash mbrenda kufijve të vet.
E pse pra shqiptarët, të cilët gjithmonë ia kanë vu pushkën të
huejve, dhe që qenë faktori ma i parë i pamvarësisë greke, nuk duhet të
kenë liri dhe pamvarësi për arsye se s’na paskan qenë kurrë të bashkuem
në nji shtet? Siç e dishmojnë vetë diplomatët e sajë, Franca ka hy në
luftë botnore vetëm për me i dalë zot integritetit dhe pamvarësisë së
Serbisë. Epo, aso kohe, serbt nuk kanë qenë të bashkuem me Kroaci e Mal
të Zi e Sloveni, me të cilët sot po thohet se na qenkan të tanë prej nji
fisi. Mirpo nuk po kuptohet qartë arsyeja përse sot shqiptarët do të
bahen rob të serbëve dhe të grekëve. A për arsye se deri dje edhe kombi i
tyne nuk ka qenë i bashkuem në nji shtet të pamvarun?
Mandej, sa për atë fjalën tjetër që thonë kundershtarët tonë, se
kombi shqiptar duhet mbajtun për barbar për arsye se asht i ndamë nder
krahina dhe fise, nuk duket se asht ma me themel se ato të shpifunat e
tjera mbi të cilat u fol ma sipër. Tuj qenë e themelueme jeta shoqnore
mbi bashkësi të interesave, prej vetit vjen si rrjedhojë se shteti, i
cili ngallitet (mbahet gjallë) prej asajë bashkësie, nuk mund të
përshtrihet ma përtej se sa i mbërrin forca që do t’i mbrojë ato
interesa. Tash, tuj qenë se populli shqiptar, për shkak të pushtimeve të
huej të vazhdueshme, nuk mujt me i organizue forcat e veta në mënyrë qi
me mbrojtë e me drejtue interesat e përbashkëta të kombit, këtij iu
desh domosdo me u nda në disa grupe ma të vogla, e aty, përmbrenda
qarkut të mundësisë që natyra dhe pozicioni gjeografik u jipte do
familjeve me u vëllaznue dhe me i mbrojtë interesat e veta, me modelue
“shtetin” e me organizue jetën e vet shoqnore. Dhe ky ishte i vetmi
sistem jete shoqnore që mund të realizohej deri më sot në Shqipni. Në
njanën anë shqiptari nuk donte t’i shtrohej pushtuesit të huej, në anën
tjetër pushtuesi i huej nuk e lente shqiptarin me i organizue forcat e
veta në mënyrë që ky ta shtrinte pushtetin e vet mbi të gjithë kombin.
Shqiptarit iu desh me e lokalizue pushtetin e vet në krahina të veçanta
tuj i mbajtë së bashku parimet e kanunit kombëtar si rregull jete.
Prandej fakti që kombi shqiptar gjindet i ndamë ndër fise, nuk rrjedh
prej shpirtit të tij ekcentrik dhe barbar, por prej faktoreve të
përjashtme të cilat ai nuk kishte mënyrë se si me i shndërrue. E, me e
vertetue se kombi i ndamë në shumë fise nuk asht gjithmonë barbar,
mundet me u vërtetue edhe prej historisë. Sllavët e Malit të Zi, ku prej
forcës së pozicionit gjeografik të vendit, ku edhe se vetë e kanë zanat
pushkën, gjithmonë kanë qenë të lirë e më vete. E për ma tepër, për ma
se 50 vjet rrjesht, sa mbretnoi mbi ta Nikolla i I-rë, kanë pasë nji
formë qeverie të thuesh kryekëput si nder kombe të tjera të qytetnueme. E
mirë pra atëherë: Në të tanë Malin e Zi, kur ka nisë lufta
turko-ballkanike, ka qenë vetëm nji shtypshkrojë e vetme qeveritare si
dhe kanë pasë nji të vetme fletore politike, e edhe kjo qeveritare. Por
nuk ka pasë asnji shkollë të mbajtun me paret e popullit. Ndërsa që në
Shqipni, që prej viti 1908, kur qe shpallë Konstitucioni i Turkisë, e
deri në fillim të luftës ballkanike, pra në ma pak se katër vjet, u
ngrefën shtatë shtypshkronja, u themeluen ma se njizet fletore politike e
të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë të tjera
fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të kombit
shqiptar.
U përpiluen të tana tekstet për shkollat fillestare e disa edhe për
shkolla të mesme. E kështu, sot më sot, mësimi jepet shqip ndër të
gjitha shkollat e Shqipnisë. Janë botue edhe shumë vepra letrare me
randësi të cilat e kanë çue nalt ndjesinë kombëtare tuj i dhanë në pak
kohë shumë zhdrivillim gjuhës shqipe, fakt ky që, në kohë të pushtimit
austro-hungarez, kjo gjuhë qe përdorue për gjuhë zyrtare ndër të gjitha
zyrat administrative. Mbrenda kësaj kohe qenë mbajtë tre Kongrese
Gjuhësie ( pra nuk është Kongresi i parë i gjuhës shqipe ai i mbajturi
në vitin 1972) si dhe qenë disa shoqni letrare, e tj. e tj… E gjithë kjo
veprimtari asht zhvillue pa kurrnji ndihmë prej anës së qeverisë.
E po përse tash, inteligjenca sllave, e cila në Mal të Zi, gjatë 50
vjetëve jetë kostitucionale nuk përfton kurgja të re në lamë të
qytetnisë, na duhet sot të mbahet si ma e naltë dhe ma e hollë se
inteligjenca shqiptare e cila në pak vjet krijoi nji gjuhë letrare dhe
asht e ngjizun me nji mentalitet të ri për kombin? Zotni! Le të lihet
nji herë në paqe shqiptari dhe le t’i jepet kohë me nxanë, dhe atëherë
ju keni me pa se ai ka me shkue gjurmë më gjurmë ( hap pas hapi ) me
kombe të tjera të Ballkanit gjatë rrugës së qytetnimit dhe të
përparimit.
Kombi shqiptar i ka dhanë burra në za për urti perandorisë së
Bizancit. Diplomatët ma të mirë dhe gjeneralët ma të vlefshëm të
mbretnisë së turkisë, shqiptarë kanë qenë. Shqiptar ka qenë edhe
statisti italian Françesk Krispi, kështu shqiptar ka qenë edhe Papa
Klementi i XI-të si edhe Kardinal Albani. E në se bazohemi në
memorandumin e shkruem nga Venizellosi, të cilin ia ka paraqitë
Konferencës së Paqes, shqiptari asht sot edhe gjeneralisimi i ushtrisë
greke.
Por, për me ju a mbushë mendjen edhe ma mirë se kombi shqiptar nuk e
ka namin ma të vogël se kombet e tjera të Ballkanit, këtu due me ju pru
fjalët që shkrimtarë me vlerë kanë lanë të shkrueme mbi shqiptarët.
Shkrimtari francez Hecquard, në librin e vet “ Histoire et descriptions
de la Haute Albanie” , ka shkrue se në histori të shqiptarëve “ndeshen
prova të lumnueshme energjie, inteligjence dhe aktiviteti.” Ma poshtë
thotë: “Ata kanë ruejt doket e burrninë ashtu si vetëm mund ta ruejshin
burrat e hershëm të cilëve u këndohet kanga. Për ma tepër, githmonë këta
i kanë dhanë burra në namë e në za Greqisë së hershme, Perandorisë së
Bizancit, Turkisë e Greqisë së kësokohshme”. Mandej Lordi Bajron gërthet
nga ana e vet: “Përmbi karpa të Sulit e gjatë bregut të Pargës, ka
burra si veç motit i bajshin nanat dorike; atje ka ende do familje për
të cilat kisha me thanë se janë të fisit e të gjakut të Heraklidëve.”
Dëshmi janë këto, Zotni të mij, të cilat kishin me ja shtue namin edhe
nji kombit ma të madh e të qytetnuem.
…
Tash, Zotni, mbasi ju diftova se kush janë dhe shka janë shqiptarët,
më duhet t’ju flas për të drejtat e tyne. E po ju tham se shqiptarët
kanë të drejtë
a) për nji pamvarësi politike;
b) gjithnji mbrenda kufijve gjeografikë e etnografikë të Shqipnisë.
Mbi pamvarësi të kombit shqiptar nuk kam shumë fjalë me ju thanë. Dihet
se kjo e drejtë ka qenë njohtë, sigurue dhe dorëzanue me nji traktat të
Pushteteve të Mëdha të Antantës, pra, me fjalë të tjera edhe prej
Francës, që prej Nandorit të vitit 1912 në Konferencën e Ambasadorëve në
Londër. Këto Pushtete mandej ia kanë ba me dijtë botës mbarë se
traktatet ndërkombëtare ata nuk i mbajnë për shtupa letre, por i
respektojnë si akte të cilat prekin nderin e kombeve që i kanë
nënshkrue. E njimend, po e zamë se anglezi thotë se ja ka nisë nji lufte
të përgjakshme e të shëmtueme, por këte e ka ba vetëm për erz të firmës
që ai e ka pasë vu për pamvarësi dhe neutralitet të Belgjikës.
Pamvarsia e kombit shqiptar pra, në se do marrë si nji punë e kryeme dhe
e dorëzanueme mbi erz të kombeve të mëdha të Europës, tash ne nuk na
mbetet tjetër veçse me folë për kufij të natyrshëm të shtetit shqiptar,
dhe kjo asht nji çashtje po aq me randësi sa edhe ajo e
pamvarësisë.Pushtimet e hueja dhe intrigat e paemen të nji diplomacie
bakalle të pashpirt e të pazemër, kaq fort ia kanë shndërrue dhe
perçudnue fizionominë gjeografike dhe etnologjike Shqipnisë, saqë sot
nji i huej, sado i drejtë dhe i papajambajtas (që nuk mban anë) memzi
mundet me e njohtë me nji të këqyrun. Edhe nji nanë shpesh e ka të
vështirë me e njohtë fytyrën e të birit kur këtë t’ia ketë përçudnue me
varrë e me përgjakje arma e armikut. – Prandaj lypset të përcaktojmë ma
përpara disa kritere të sigurta mbas të cilave mandej me përskajue
kufijt e natyrshem të Shqipnisë. Simbas parimit të autodeçizionit,
sejcili popull që mund të thotë se ka nji homogjenitet të pakëputun e të
pandamë në vetvete, ashtu si ky përcaktohet prej klauzolave të teorive
willsonjane, ka të drejtë, ose në mos tjetër do të kishte të drejtë që
ai vetë me e nda kuvendin mbi sharte të veta politike e ekonomike dhe me
u nderue si shtet i lirë dhe i pamvarshëm. Ky shtet, masandej,
gjeografikisht do të përshtrihej deri ku kapet kombësija e pandame e
vijueshme e atij populli. E në rast se në ndonji skutë toke të këtij
shteti gjinden të shartuem elemente të huej, aty vullneti i popullit do
të vertetohej nëpërmjet të nji plebishiti, mandej liria e tij do të jetë
e dorëzanueme dhe e sigurueme siç duhet dhe sa duhet.
Simbas këtyne parimeve, asht punë e arsyeshme që shteti shqiptar të
përshtrihet gjeografikisht deri ku mbërrin kombësia e popullit shqiptar e
vijueshme dhe e pandame prej centrit të vet. Sepse tagri i
autodeçizionit nuk asht e lidhun me individë ose me grupe të caktuem
njerëzish, por me nji “avrom” të gjithëmbarshëm prej të cilit përbahet
kombi. Prandaj çdo zvoglim që i bahet tokës së Shqipnisë, i pambështetun
mbi këto parime, do me thanë se ai i bahet dhunshëm dhe me të padrejtë.
Por në bazë të cilit kriter ka për të mujt me u caktue të përshtrimit e
kombësisë shqiptare? Mbas gjuhës, i vetëm ky në këtë rast asht kriteri
ma i patundshëm dhe që nuk mund të lihet kurrsesi mbas dore. Populli
shqiptar flet nji gjuhë krejt të veten që, tuj lanë mënjanë
transformimet e natyrshme të elementëve të cilëve nuk i ka pshtue asnji
gjuhë tjetër deri më sot, kurrfare nuk mund të unjisohet me gjuhë të
tjera keltike, latine, gjermanike, sllave ose helenike, me përjashtim ku
puqet me to me rranjë të bashkueme indo-gjermane. Prej këtej pra rrjedh
që që të gjithë ata që e flasin këtë gjuhë, kanë një kombësi krejt më
vete e krejt të ndame prej asaj të kombeve të tjera të Europës. Sepse
nuk ma merr mendja që nji tjetër popull i gjallë i Europës t’ia ketë
imponuar shqiptarit nji gjuhë që dhe as nji tjetër popull europian mos
ta ketë folë. Për ma tepër, nji gjuhë e dekun, nuk i imponohet nji
populli mbarë. Por as populli shqiptar nuk ka mujt me ia tatue popujve
të tjerë gjuhën e vet.
Gjuha tatohet ose me forcë të armëve, ose me forcën e kulturës e të
qytetnimit. Por si prej njanës, si prej tjetrës pikpamje, shqiptari nuk
ka qenë ma i fortë se popujt që ka përbri. Prandej nuk ka si të mohohet
se të gjithë ata që flasin shqip, janë të kombësisë shqiptare. E për
këtë arsye, shteti sqiptar, duhet të përshtrihet gjeografikisht deri ku
përfshin gjuha shqipe. Tuj pasë caktue këto parime ose kritere, të
shohim tash se cilët do të jenë kufijt gjeografikë të shtetit shqiptar.
Por, per me u diftue krejt të papajamajtshëm në këtë çashtje plot me
gënjeshtra si dhe aq pahijshëm shoshitë prej armiqve, këtu unë due me ia
lanë fjalën, Zotni, shkrimtarit tuej të sipërpërmendun, z. Rene Pinon i
cili ka qenë në Shqipni dhe e ka pa vetë me sy tuj e prekë vetë me dorë
se kush mundet me pasë arsye mbi këtë çeshtje.
Zotni Pinon pra, në artikullin që prumë prej “Revue des deux mondes”,
tuj folë mbi kufijt e Shqipnisë, thotë: “Prej fushave të Vardarit e
deri në Adriatik, prej Thesalisë e deri në Mal të Zi, zot toke asht
shqiptari, në daç sepse ky hyni këtu mbrendë ma i pari, në daç sepse ky
ndolli ma i forti”. E tanë krahina e Kosovës e cila prej Konferencës së
Londonit (1913) i qe lëshue Serbisë, dhe mbarë Çamëria, “Epiri i
Nordit”, të cilin e lakmon aq shumë Greqia, janë të banueme kryekëput
prej shqiptarësh dhe prandaj e drejta e lypë që të numrohen me shtet
shqiptar. “
Dhe mos të mendohet se zotni Pinon asht shty tepër me këto fjalë,
sepse e vërteta e këtyne fjalëve duket çiltas edhe prej statistikave të
cilat qysh prej vitit 1909 e tektej, janë ba përmbi proporcione
etnologjike të popullsisë së Shqipnisë. Prej këtyne statistikave zyrtare
del në shesh se në krahinat e lëshueme prej Konferencës së Londonit
serbëve dhe grekëve, të paktën, 80 përqind të popullsisë janë thjesht
shqiptare. Serbt na thonë se banorët e Kosovës me prejardhje janë të
gjithë sllav, por, gjithnji siç thonë ata, përdhuni dhe me kohë janë
çoroditë tuj u kthye në shqiptarë. Këtë fjalë e thonë edhe grekët për
banorët e Epirit të nordit. Por ata nuk thonë të vërtetën sepse, po të
ishte e njimendët se banorët e Kosovës janë sllavë dhe ata të Epirit të
nordit grek, atëherë serbia nuk do të kishte mbytë e gri deri më sot
afro dyqind mijë vetë në Kosovë dhe Greqia nuk do të kishte djegë ma se
treqind e gjashtëdhjetë katunde në Epir të nordit tuj e kryqëzue gjinden
përsëgjalli, posë atyne pesëdhjetë mijë vetave që i kanë vra dhe i kanë
lanë me dekë prej urie dhe sikletit.
Popujt e qytetnuem munden, po, në furinë e nji kryengritjeje me vra
në trathti mbretënt e mbretneshat e veta e me i dhunue trupat e tyne
mbas vdekjes, por nuk mbrrijnë kurrë me gri – e në ç’mënyrë mandej! – me
qindra e mijëra vëllazën “bashkëqytetarë” të vet. Qyshse serbt kanë vra
me qindra mijëra njerëz në Kosovë, dhe grekët kanë djegë qindra e
qindra katunde në Epir të nordit, dëshmon qartë se as banorët e Kosovës
nuk duhet të kenë qenë serb, as ata të Epirit të nordit nuk kanë qenë
grek.
Jo jo, Zotni të nderuem! Janë vra gjindja me qindra mijëra në Kosovë
dhe janë djegë me qindra e qindra katunde të Epirit të nordit për të
vetmen arsye se grekët e serbët duen me e shue farën shqiptare në ato
krahina për me mujt me i thanë mandej Konferencës së Paqes se atje nuk
ka shqiptarë. Oh, sa arsye ka pasë ai i moçmi kur ka thanë: “Ubi
solitudinem faciunt, pacem appellant.” Pra, sa ta kenë shkretnue vendin,
do të venë mandej paqen.
Por për me i forcue ma tepër fjalët e z. Rene Pinon mbi kufijt e
Shqipnisë, këtu due me ju përmendë se çka shkruente mbi këtë çashtje
Lordi Fritznaurice, mis i Komisjonit të Rumelisë Lindore, mbi Foreign
Office e që masandej qe botue në nji Libër Bleu (në diplomaci –
asnjanës) të vjetës 1880. Ai shkruen: “Për me folë se shka asht kombi
shqiptar, i bie me u përshtri edhe mbrenda kufijve të Serbisë e të Malit
te Zi. Krahina e Kosovës, shka merr prej Mitrovice e poshtë, asht krejt
shqiptare dhe ka vetëm nji skundill fort të vogël serb. Statistikat
bullgare e greke, mbi të cilat qeveritë e Sofjes e të Athinës themelojnë
pretendimet e veta mbi Monastir, Ohër e Korçë, janë mbështetë në rrena e
leni ma ato pretendime të Greqisë që janë ba pa kurrfarë turpi.”
Qe pra, Zotni, se deri ku duhet të përshtrihet Shqipnia e ç’kufij
duhet të ketë shteti shqiptar. Mbas dëshmisë së këti diplomati ingliz në
za, Konferenca e Paqes kishte me ba nji paudhni të përgjakshme po nuk e
nxuer e nuk ia ktheu Shqipnisë ato tokë të cilat Konferenca e Londonit,
kundra çdo gjyqi e drejtësie, në vitin 1913 ia shkëputi Shqipnisë për
me ia lëshue grekëve dhe serbve.
Tuj ju falë nderit me gjithë zemër për mirësi që keni dashtë me më
dëftue në këtë rasë, do ta mbyll këtë ligjeratë të përvujtë me ato fjalë
që me 24 nandor 1880 thonte në Parlamentin italian Madero Savini kur
Europa pat çue anijet e veta përpara Ulqinit për me e ngushtue Turkinë
që me ia lëshue Malit të Zi tokët e Shqipisë. E qe çka foli në atë rasë
deputeti italian: “Pse francezve nuk u mbushet mendja me heqë dorë nga
Alsace-Loren? Pse nuk do të guxojshit ju, deputetë italianë, me heqë
dorë prej viseve italiane që gjinden nën Austri ? Pse i keni dalë zot
Greqisë kundra Turqisë në Kongresin e Berlinit ? Vetëm mbështetun në
parimin e kombësisë! E pra, kujtoj unë, se, për me qenë burra fjale, ne
na duhet me thanë edhe për Shqipni ato çka thamë edhe për të tjerë në
Paris, Romë, Athinë, Varshavë… Në mos paça harrue, siç kam ndi prej
profesorëve të mij, Grotius ka pasë thanë se tashma asht ba si zanat me
ua shndrrue zotin popujve. Por përkundrazi, Jan-Jacques Rousseau
gërthet: “Ani, ndërrojani zotat, por të paktën pyetni këto bagëti
njerëzore që quhen popull !”