Sunday, December 11, 2011

Kalërimi i Blendi Fevziut me librin e Enverit në dorë


Nga Pirro Prifti
Publiciteti i paprecedent i librit për Enver Hoxhën me të dhëna arkivore `të papara`, me shfaqje butaforike `të papara` në mjedise sociale, universitare  e politike, të Blendi Fevziut, po japin një imazh të çuditshëm të këtij kalorësi që na kujton të shkuarën tonë  të hidhur.
Efektet e publicitetit të këtij libri të zakonshëm janë duke dhënë efekte paradoksale përsa i përket qëllimit dhe mesazhit që jep ky libër biografik dhe për mendimin tim – krejtësisht të njëanshëm përsa i përket jetës dhe marëdhënieve të diktatorit gjatë asaj periudhe  kur e drejtoi me grusht të hekurt Shqipërinë dhe shqiptarët. Përse paradoksale?
Së pari, publiciteti është duke u bërë për qëllime thjesht komerciale, por duke përdorur fjalën kyc-Enver Hoxha, emër që tërheq vëmëndjen dhe sot e kësaj dite, sepse ende në shoqërinë shqiptare, në politikën shqiptare, në zhvillimin ekonomik të shtetit shqiptar, janë duke drejtuar, jetojnë dhe marrin pjesë aktorë dhe faktorë të rëndësishëm, që e kanë jetuar atë periudhë, e rrjedhimisht ende nuk është rreshtur interesi ndaj kësaj figure gjithashtu paradoksale.
Së dyti, brendia e librit e trumbetuar për dokumente arkivore të veçanta, për histori të veçanta e për ngjarje të veçanta, është një fiasko e plotë. Në të nuk ka dokumente arkivorë me të vërtetë të rrallë, por ka thashetheme që ne i përmëndnim që në kohën e merhumit. Nuk ka histori të veçanta, por ka histori të perifrazuara ndryshe, nuk ka ngjarje të veçanta, por ka pasqyra filmike që japin reminishencën e së kaluarës.
Së treti, për personin e diktatorit janë shkruar, janë duke u shkruar dhe do të shkruhen histori e libra të tjerë (ashtu sikurse shkruhen edhe për personalitete historike të vëndeve të ndryshme), dhe secili nga autorët e pasqyron personalitetin përkatës sipas këndvështrimit të tij. Në këtë libër, duket qartë cinizmi dhe keqdashja për të sharë, thjesht për të shkarkuar ato emocione negative të asaj kohe, por tashmë pas 20 e ca vitesh, duke krijuar përshtypjen e njohur e të  përcaktuar aq bukur nga presidenti çek Vlaslav Havel, për komunistët e kohës së demokracisë  se, `ata janë më antikomunistë se antikomunistët`, duke vërtetuar kështu në këto raste edhe teorinë e njohur të kompleksit të inferioritetit : `shaje sa më shumë që të barazohesh në vlerë absolute me të sharin`.
Së katërti, në libër, sidomos kapitulli i 18 për Nënë Terezën, ka të pavërteta, por dhe shtrembërime të tjera historike, që për mendimin tim janë të paargumentuara me dokumentet arkivore, ashtu si  pretendon autori.
Po të hidhemi tek efektet që po shkakton ky publicitet i marrë, mund të them se publiciteti i paprecedent i Fevziut po shkakton  të ashtuquajturin `efekt Flutur` në mjediset sociale, politike, profesioniste, e të tjera jashtë vendit.  Sikurse dihet, për ata që nuk e dinë, efekti Flutur është një term që e përdorin shkencëtarët për të spjeguar teorinë e Kaosit, term i gjetur saktë nga matematikani Edward Lorenc. Përse?
Sepse tek historianët dhe studiuesit, libri nuk sjell asgjë të re, përveçse frazave plot mllef alla Fahri Balliu.
Tek populli, publiciteti jonormal dhe për mendimin tim tërësisht tregtar, përmendja e Enver Hoxhës, ngjall kureshtje sipas komuniteteve, p.sh: atyre të persekutuar thonë: ..po ky ç`m.. ka që na kujton qafirin…?
Kurse tek komunitetet që kanë patur dobi, thonë: ..ë, më ja lumsha Blendit, ja ky do të ishte një komunist i vërtettë në atë kohë,  por ja do puna ta shajë…
Tek politikanët shqiptarë, libri është nostalgjik, por ata shtojnë se.. ‘më mirë do të ishte të mos na i kujtonte këtë emër, e sidomos tani që po integrohemi..’
E së fundmi në Kosovën e lirë për nga pushtuesi serb, por ende e robëruar nga fanatizma fetare dhe imazhi mistik i Enver Hoxhës, libri është një sukses thjesht për kuriozitetet që ata nuk i dinë dhe as nuk i kanë dëgjuar.
Ndërsa për pjesën kur flet për homoseksualizmin e Enver Hoxhës, mund të them se  është krejtësisht e gabuar nga ana e shkencës mjekësore.  Në psikiatri, homoseksualët në përgjithësi nuk janë agresivë, prepotentë, arrogantë, intrigantë dhe nuk përfshihen në politikë si lidera. Për Enver Hoxhën, termi më i mirë, sipas historisë personale të tij (gjithashtu të dëgjuar nga të gjithë me thashetheme, sepse nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë këtë akuzë), mund të quhet biseksual. Këta po, janë të 99-ave.
Në përfundim, mund të them që është për të ardhur keq që libra të mirëfilltë letraro- artistikë, historikë, fantastiko-shkencore dhe për fëmijë, nuk po e gjejnë  lexuesin shqiptar, pikërisht sepse publiciteti, ashtu sikundër dhe në shumë aspekte të tjera të shoqërisë shqiptare, është në dorë të politikës dhe jo në dobi të lexuesit.
Këtu kanë përgjegjësi sigurisht organizuesit e panaireve, shtëpitë botuese tërë borxhe, mediat televizive të blera nga politika, universitetet private që nuk promovojnë literaturën profesionale të pedagogëve të tyre, por merren me shkrues të tipit Vanjek etj, etj. Le të shpresojmë se libri i vërtetë artistik, ai historik, dhe zhanre të tjera letraro-artistike, të fillojnë të rivlerësohen dhe të marrin atë që u takon nga shoqëria dhe lexuesi, në vend që të vazhdojmë të qëndrojmë në efektin flutur të politikës, e cila ka eklipsuar tërë shoqërinë shqiptare, aq sa ne  shohim edhe sot njëlloj sikundër dhe në kohën e Enverit, me dyshim të huajt e BE, kur ata na kritikojnë për probleme të ngjashme, duke na udhëzuar se:..” standartet arrihen nëpërmjet profesionistëve, teknokratëve, meritokratëve, dhe jo nëpërmjet politikanëve allasoj shqiptarë”.

No comments: