Tuesday, July 31, 2012

Kadare e ka rrëfyer mënyrën si u bë shkrimtar zyrtar i tiranit në gazetën “Drita”, në 28 prill 1985, por duket se shumë vetë kanë hequr dorë nga leximi


ANALIZA E DOKUMENTIT
Romani “Dimri i vetmisë së madhe” është shkruar gjatë viteve 1971-1972. Kjo gjendet e
shënuar në faqen e mbrame të librit, numër 496, poshtë fjalës “Fund”, pak djathtas.
Viti 1971, për Kadarenë nisi me një vizitë në shtëpinë e Enver Hoxhës. Këtë e thotë vetë, në
kujtimet e tij, shkruar me rastin e vdekjes së diktatorit, prill 1985.

Takimi, s’ka dyshim, që është bërë me ftesën e tiranit. Në kujtimet e Kadaresë ai është
Udhëheqësi.


Si kuptohet nga kujtimet e Kadaresë, tirani kishte vendosur ta bënte Ismail Kadarenë shkrimtarin e tij personal dhe kështu e thirri në një takim.
Deri atëherë, diktatori nuk lejonte njeri të shkruante për të. Këtë e thotë vetë Kadareja, në kujtimet që kemi botuar sot. Kadareja jo vetëm që shkroi për të, por e
bëri, siç thotë vet, dhe personazh kryesor. Ky ishte fillimi. Më vonë Enver Hoxha është personazh në romanin “Nëntori i një kryeqyteti”, “Koncert në fund të dimrit”
dhe pastaj vdiq. Pas vdekjes së diktatorit e deri në shembjen e komunizmit, Ismail Kadareja nuk shkroi më roman të ri.
Në takimin e marsit Ismail Kadareja shkoi me të shoqen dhe vajzën e vogël, asokohe 6 vjeçe. Enveri e priti së bashku me Nexhmijen. Në foton që është bërë me
atë rast, fotoja që ka botuar dhe gazeta “Drita” për të ilustruar shkrimin dhe foroja e vetmja që ka qarkulluar gjithë kohën, gratë nuk shfaqen. Fotoja ka tre
personazhe: Enveri në qendër, Ismaili në krah të djathtë të tij, kurse në të majtë të tiranit është vajza e Kadaresë.
Sipas variantit të Kadaresë, tirani e pyet se çfarë je duke shkruar aktualisht dhe shkrimtari i thotë se po shkruaj “diçka” për prishjen me sovjetikët. Ai thotë se
thashë “diçka” ngaqë nuk ishte i sigurt në do ta përballonte temën që atij i dukej e madhe. Mund të jetë ndrojtja, por ka shumë mundësi që ai të mos e ketë pasur
në plan romanin. Mund të ketë pasur në mendje veç një tregim, ashtu siç kishte shkruar si tregime dhe romane të tjera më herët: romanin “Kronikë në gur” e kishte
botuar më parë si tregim, e po kështu dhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”.
Diktatori e fut me mjeshtëri në valle. Ato ditë radio Moska ka thënë se shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë e kanë braktisur regjimin nga mallëngjimi për Bashkimin
Sovjetik. Për të mbushur boshllëkun, kishte thënë më tej Moska, regjimi kishte nxjerrë qarkullim disa shkrimtarë si skematikë si I. Kadare. Tirani ia kujtoi këto
Kadaresë, dhe shkrimtari padyshim e mori mesazhin. Ashtu si në mbledhjen e korrikut 1961, kur “një shok” i tha Enveri ishte kurioz të dinte përse nuk fliste asnjë
nga të rinjtë, dhe Kadare menjëherë doli në podium e mori fjalën, ashtu dhe në takimin e 1971, Kadare e mori mesazhin dhe për këtë arsye ekziston romani “Dimri i
vetmisë së madhe”.
Në kujtime, Kadare thotë që kisha nisur punën për romanin “Dimri i madh”, por ky titull doli shumë vonë, pasi “Dimri i vetmisë së madhe” ishte botuar. Në një biografi
të Ismail Kadaresë, të botuar në gazetën “Drita”, 10 mars 1985, përmendet romani “Dimri i vetmisë së madhe” dhe jo “Dimri i madh”. Një muaj më vonë, Kadareja
vetë s’ka guxim ta përmendë, një roman që s’ka qenë kurrë i ndaluar. Thjesht doli nga qarkullimi se i mbaruan kopjet dhe u botua një variant i tij, sipas standardeve
të regjimit, më i mirë.
Në kujtimet e tij, Ismail Kadareja rrëfen gjithashtu, diçka që e ka thënë dhe në një intervistë, se si e ka ndihmuar në romanet e tij veprat e ndryshme të Enver
Hoxhës ose kujtimet e tij. Në intervistën e vitit 1979 (Dosjeri 20 korrik 2012), Kadareja flet për romanin që punonte, një roman që, sipas tij, do të trajtonte betejën e
tretë të regjimit komunist shqiptar, prishjen me Kinën. “Dokumentet e Partisë sonë, sidomos veprat e shokut Enver “Imperializmi dhe revolucioni” dhe “Shënime për
Kinën” do të jenë një ndihmë e pallogaritshme në punën time,” thotë ai në atë intervistë. Në kujtimet që botojmë sot, Kadareja rrëfen se si pas takimit me tiranin
shkoi në shtëpi dhe mbajti shënim rrëfenjat e diktatorit për Gjirokastrën dhe pastaj i përdori si materialin bazë për novelën e tij “Breznia e Hankonatëve”.


Në këto kujtime ai përmend dhe një element tjetër, për të cilin ka qenë në media javët e fundit, shkëmbimin e dhuratave me familjen e diktatorit. Ku ai largohet nga
shtëpia, diktatori i thotë të shoqes, Nexhmijes, që të zgjedhë diçka në bibliotekën e tij dhe t’ua japë miqve. Kështu Nexhmija i dhuroi veprën e plotë të Balzakut në
frëngjisht. Veç kësaj, diktatori i dhuroi dhe një libër për etruskët, dhe ky në frëngjisht.
Tashmë është i njohur fakti që Kadareja dhe Nexhmija janë në një çështje gjyqësore për zotërimin e dorëshkrimit të romanit “Dimri i vetmisë së madhe”. Nexhmija
pretendon se ai ia ka dhuruar, Kadareja pretendon se ia ka dhuruar nga frika, ngaqë ajo ishte faktikisht numri i dy i regjimit. Po Enver Hoxha, nga kush u tremb që
ia dhuroi Balzakun Kadaresë? Mos vallë ia dhuroi për ta terrorizuar?
E vërteta është e thjeshtë: ata kanë shkëmbyer dhurata. Dhe dhuratat janë dashuria e kthyer në formë të dukshme.

Titulli i origjinalit: Kujtime për shokun Enver Hoxha
Ismail Kadare
Kam pasur fatin ta takoj disa herë shokun Enver, në raste të ndryshme, disa në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancash të Kuvendit
Popullor. Megjithëse të shkutëra, ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, por veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me Të në vitin 1971, në shtëpinë e
Tij.
Në një ditë marsi, bashkë me time shoqe dhe vajzëne vogël u ndodhëm atje për vizitë. Na priti shoqja Nexhmije me vajzën. Shoku Enver nuk ndodhej në shtëpi dhe
nuk e dinim në do të kishim fat ta takonim apo jo.
Ishim duke biseduar gjallërisht, kur u hap një nga dyert e sallonit dhe në të, i gjatë dhe qeshur, u duk shoku Enver. Meqenëse unë isha përballë derës, e pashë i
pari kur hyri dhe u ngrita menjëherë në këmbë, duke i habitur për një grimë bashkëbiseduesit, të cilët me siguri kanë thenë me vete: “ç’pati ky?”
Pastaj të gjithë kthyen kokat andej nga kishte hyrë shoku Enver.
- Të vij dhe unë? – tha ai duke qeshur. – S’besoj se ju prish muhabetin.
Megjithëse disa herë gjatë kohës që po bisedonim dhe sa herë që më dukej se dëgjoja zhurmën e ndonjë makine, përfytyroja se si mund të vinte, asnjëherë nuk
mund të përfytyroja një ardhje të më të natyrshme, të gëzueshme e njerëzore.
Ai u ul midis nesh, duke krijuar aty për aty një atmosferë jashtëzakonisht të përzemërt. Na pyeti me radhë për shëndetin, e mori në prehër vajzën 6 vjeçe dhe i tha,
duke përdorur një fjalë të vjetër gjirokastrite:
- Ngalasëm ti, të të ngalas dhe unë (përqafomë ti, të të përqafoj edhe unë).
Shoku Enver më se ç’kisha shkruar kohët fundit dhe unë i thashë se kisha në shtyp një roman për Gjirokastrën me titull “Kronikë në gur”.
- Do ta lexoj me kënaqësi, - tha Ai. – Gjirokastra është pasionante dhe këtë e themi jo se jemi andej, - shtoi Ai, duke vështrur me një buzëqeshje ngacmuese të
tjerët, - por se kështu është vërtetë. Apo jo? Por në mos gaboj ti ke botuar një tregim me këtë subjekt.
- Po, iu përgjigja. – “Qyteti i jugut”, por mendova ta zgjeroj e ta shdërroj në një roman.
- Mirë ke bërë. – Ai heshti një grimë pastaj vazhdoi: - Kam edhe unë nja njëqind e ca faqe shënime për Gjirokastrën. Ta dija që po bëje një roman, mund të t’i jepja
t’i shfrytëzoje, sepse unë s’besoj se do të kem kohë ta shkruaj atë libër (Ishte fjala me sa duket për librin “Vitet e vegjëlisë”, që e mbaroi dhe e botoi disa vite më
vonë).
S’dija me ç’fjalë ta falënderoja për besimin si dhe për fisnikërinë e këtyre fjalëve, sepse duhej të ishin tepër të rralla rastet në botë kur një autor të dhuronte aq
bujarisht librin e tij të pabotuar për ta shfrytëzuar dikush tjetër.
Kur shoku Enver më pyeti pastaj me se po merresha aktualisht, iu përgjigja se “po shkruaja diçka për prishjen me sovjetikët”.
Në të vërtetë kisha filluar punën për romanin “Dimri i madh”, por në përgjigjem time, në vend të fjalës “roman” thashë “diçka”, dhe këtë e bëra pa menduar, si një
mbrojtje instiktive, nga që ende s’isha i sigurt se do ta përballoja temën e madhe, të cilës i kisha hyrë.
Për fat, apo ndoshta ngaqë unë i thashë fjalët nëpër dhëmbë, shokut Enver nuk i tërhoqi vëmendjen ky detaj.
- Hm, sovjetikët, - tha ai. E ke lexuar në ahxanse se ç’ka thënë ditët e fundit Radio-Moska për ty? – dhe qeshi me të madhe.
Unë e kisha lexuar dhe ishte vërtet për të qeshur. Midis marrëzive të tjera, Radio-Moska në një nga emisionet e saj kishte thënë se gjithë shkrimtarët seriozë
shqiptarë e kishin bojkotuar letërsinë dhe nuk shkruanin më në shenjë mallëngjimi dhe proteste për prishjen me sovjetikët. Për të mbushur boshllëkun e krijuar,
vazhdonte Radio-Moska, shteti kishte nxitur ca pseudoshkrimtarë të rinj si një farë I. Kadare me shokë, që të shkruanin e të botonin veprat e tyre, që ishin aq
skematike e pa kurrfarë vlere artistike, sa që u ngjanin kryeartikujve të gazetave.
Nuk më kishte shkuar mendja se kjo mendjelehtësi e Radio-Moskës do të më bënte një shërbim të madh e të papritur: hapjen prej shokut Enver të bisedës se çfarë
kishte ndodhur në Moskë dhjetë vjet më parë.
Pas të qeshurës, Ai u mvrenjt dhe tundi kokën ngadalë, si të thërriste një kujtim jo të këndshëm.
Pastaj, ndërsa pinte kafenë, filloi të fliste me një ton të ndryshëm nga ai që kishte folur gjer atëherë, të rëndë e të menduar. Ai foli për udhëtimin e Tij në Moskë atë
dimër të paharruar dhe për disa nga takimet e Tij me “hrushovianët”, duke bërë krahasimin e tyre m takimin e parë me Stalinin. Pastaj tregoi një episod me
Kosiginin në darkën e Kremlinit, në prag të mbledhjes dhe kalimthi diçka për vizitën ku ishte rezidenca e delegacionit tonë, për “vizitat” e mysafirëve të natës,
Mikojanit, Torezit, etj.
Do të dëshiroja që Ai të fliste me orë të tëra për këtë, por për fakt të keq ëndërra ime për të dëgjuar sa më tepër hollësi nga ngjarja monumentale, personazh
qendror i së cilës ishte Ai vetë, qe e shkurtër. Shoku Enver hapi një bisedë tjetër, dhe unë s’pata guxim ta pyesja për Moskën.
Më vonë, gjatë procesit të punës për romanin unë shfrytëzova gjallërisht arkivat, u njoha me dokumentet e Partisë, me procesverbalet e mbledhjes së Moskës, si
dhe me dëshmitë e ndryshme të personelit teknik që shoqëronte dokumentacionin. Leximi i dokumentacionit, sidomos i fjalimit të shokut Enver, i porosive,
shënimeve të Tij anash tekstit, ishte me të vërtetë tronditës. Disa herë rreshtat e shënimeve të Tij në marxhinalet e faqeve, të kurbuara lart ose poshtë për arsye të
ngushticës së vendit, u ngjanin degëve të lisave që i lëkund stuhia. Dhe vërtet në të gjitha ato fjalë, replika, rreshta e shënime ndihej fuqishëm stuhia e kohës.
E megjithatë duhet ta them se biseda e rastësishme e shokut Enver më dha mua si shkrimtar diçka të pazëvendësueshme nga asgjë tjetër për romanin që po
shkruaja. Krejt atmosfera e pjesës së dytë të veprës me nëntitullin “Mysafirë në kështjellë”, vizioni i përgjithshëm i saj, ngjyrat, simfonizimi, tragjizmi dhe pesha e
saj, e kanë zanafillën te ajo bisedë e Udhëheqësit. Në bisedën e Tij kishte një kolorit të jashtëzakonshëm: me një frazë apo nënvizim Ai jepte rrëzëllimin e
llampadarëve të festës mbi darkën e Kremlinit, apo hijet tinzare mbi fytyrën e Mikojanit, qetësinë monumentale të darkës me Stalinin apo komicitetin e figurës së
Hrushovit. Dhe mbi të gjitha biseda e Tij, sado e rasti të ishte, ngërthente fuqishëm gjithë dimesionet e dramës.
Më vonë, kur puna për romanin po avanconte, disa shokë të mi shkrimtarë më sugjeruan të kërkoja mundësinë për një takim me shokun Enver, por unë nuk guxova
ta bëj këtë: Kisha gjithmonë ndrojtjen se mos nuk e mbaja dot premtimin për të realizuar një vepër që të ishte e denjë për ngjarjen e madhe, por kisha dhe një arsye
tjetër, edhe më të rëndësishme: Unë kisha punuar në shtypin letrar dhe e dija se shoku Enver e kishte ndaluar në mënyrë të prerë të shkruhej për figurën e Tij. Në
qoftë se unë do të arrija të realizoja një takim me Të për veprën që po shkruaja, ç’do të ndodhte sikur Ai, gjatë bisedës, të merrte vesh se unë e kisha Atë
personazh qendror historik në romanin tim? Kisha shumë frikë: se ashtu si në raste të tjera me shkrimtarë të tjerë, Ai do të ndalonte një gjë të tillë, dhe kjo do të
ishte një katastrofë për romanin tim.

Po le të kthehemi te takimi me shokun Enver.
Pas bisedës për Moskën, ra fjala për fuqinë shpirtërore të popullit tonë dhe për lashtësinë e tij. Më pyeti nëse e kisha lexuar një libër të francezit Zaharia Manjani
për etruskët dhe gjuhën shqipe, dhe kur unë i thashë se e kisha dëgjuar, por nuk e kisha lexuar, më tha se do të ma jepte. Dërgoi dikë ta merrte, duke i thënë:
- E kam lënë sipër oxhakut.
Biseda u bë prapë e lirë dhe e gëzueshme dhe në një çast u kthye përsëri te Gjirokastra, te “Sokaku i të marrëve”, që ishte ndoshta rruga e vetme në botë me
këtë emër dhe që ne e njihnim aq mirë, si edhe te plakat e mençura, në kundërshtim me emrin e sokakut, të shtëpive gjiroakstrite.
- Vetëm nga tregimet e tyre për mënyrëne ndriçimit të shtëpive, për futjen e vajgurit apo evoluimin e llampave mund nxjerrësh përfundime interesante të karakterit
socialekonomik, - tha shoku Enver.
I habitur dëgjova të fliste për to, në një mënyrë që nuk e kisha lexuar asgjëkund.
(Pasi u ktheva në shtëpi dhe shënova në një fletore gjithçka që dëgjova prej Tij për ngjarjen e Moskës, në një fletë të veçantë shënova “Projekt për një novelë”. Në
formë kronike. Vajguri, kripa, jetët, vdekjet, gjyqet, ekonomia, breznitë”. Ishte bërthama e novelës që shkrova më vonë “Breznia e Hankonatëve”, e cila ishte
veçanërisht e dashur për mua, veç të tjerash, edhe për historinë e gjenezës së saj).
Kishim ardhur për një vizitë të shkurtër pasdite dhe ora po shkonte 8.30. Megjithëse kishim dëshirë të madhe të rrinim ende, ne morëm leje të largoheshim. Para se
të iknim, shoku Enver na dhuroi gjithashtu librin e Zaharia Manjanit “La fin du mistere etrusque”.
Ishim në këmbë, në çastin që do të ndaheshim, kur i tha shoqesh Nexhmije:
- Shko në bibliotekë dhe zgjidh diçka tjetër.
Shoqja Nexhmije u kthye pas pak me veprat komplete të Balzakut në frëngjisht.
- O, e mbushe me Balzak, - bëri shaka shoku Enver. Ishte shakaja e hollë e njeriut të informuar në mënyrën më të plotë për diskutimet që bëheshin kudo në botë
lidhur me raportin mes letërsisë realiste të shekullit XIX dhe asaj bashkëkohore, diskutime në të cilat Balzaku ishte në qendër të kundërvënieve dhe që nuk kishin
kaluar pa një farë jehone edhe te ne.
Duke falënderuar për librat e dhuruar, unë i thashë shokut Enver se pavarësisht isha shkrimtar bahskëkohor, e pëlqeja shumë Balzakun.
- Po si do t’i ngrini gjithë këto libra? – tha shoku Enver kur po ndaheshim. Aiu drejtua shoqes Nexhmije: - Shiko për një makinë për t’i çuar mysafirët gjer në shtëpi.
Këto ishin çastet e fundit nga ky takim i paharruar.
Gazeta “Drita”, 28 prill 1985, faqe 8-9-10.

Monday, July 30, 2012

Kadareja rrëfen për rolin e diktatorit në karrierën e tij


Shkruar nga Çelo Hoxha
Në mbledhjen e korrikut 1961 Enveri i dërgoi mesazh që ai të fliste në emër të shkrimtarëve të rinj, kështu nisi
ngjitja e shpejtë e Kadaresë
ANALIZA E TEKSTIT
Në korrik 1961, në një nga sallat e Universitetit të Tiranës, u zhvillua një mbledhje e gjerë e shkrimtarëve dhe
artistëve të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e diktatorit. Shkrimtarët, siç tregon Ismail Kadareja në kujtimet e tij, gjendeshin në një konflikt brezash, të vjetrit përballë të
rinjve. Në kujtimet e tij, botuar në gazetën “Drita” më 28 prill 1985, Kadareja tregon me detaje se si ai nisi, u ngjit pikiatë në letërsinë shqipe, i shtyrë nga një dorë e
fshehtë.
Dora e fshehtë ishte ai që Kadareja e quan udhëheqësi: diktatori Enver Hoxha.
Në mbledhje të vjetrit flisnin njëri pas tjetrit. Në një nga pushimet e mbledhjes “një shok” i Kadaresë që rrinte në presidium, iu afrua shkrimtarit 25-vjeçar dhe e pyeti:
“Pse nuk flet askush prej jush”. Ata që s’flisnin ishin të rinjtë.
Shoku i presidiumit ia bëri këtë pyetje, me porosi të Enver Hoxhës. Diktatori kishte kërkuar që të fliste dhe dikush nga të rinjtë dhe, përmes “shokut”, ai zgjodhi
Ismail Kadarenë. Pyetja e “shokut”, pse nuk flet askush nga ju, ishte sugjerim që Kadareja të merrte fjalën e të fliste në emër të të rinjve.
Dhe kështu ndodhi. Kadareja menjëherë shkroi fjalimin në pjesën tjetër të pushimit. Në seancën e pasdites mori fjalën. Foli i pari nga të rinjtë.
Kur doli në podium, diktatori i dha shenjë se kishte mbështetjen e tij dhe e siguroi se “shoku” kishte patur miratimin e tij të zgjidhte mes të rinjve personin që do të
bëhej lideri i tyre. Kur Ismail Kadareja doli në podium, ende pa nisur fjalën, diktatori ndërhyri për t’i dhënë kurajë e për t’i konfirmuar mbështetjen e tij: “Ja, tani do
t’ju dëgjojmë dhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur.”
Pas këtij inkurajimi, Ismail Kadareja u bë me krahë dhe ende s’e ka pushuar fluturimin e tij në shërbim të komunizmit. Ja si e përshkruan vetë: “Këto fjalë të Tij ma
dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm që e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i Tij, shtova mjaft fraza që nuk i kisha të
shkruara.”
Gjithë vepra e Kadaresë është ajo që ai rrëfen për atë mbasdite: një tekst i shkruar dhe disa fjalë ekstra, të shtuara nga entuziazmi.
Shkrimtarët, të vjetër e të rinj, folën gjithë ditën, por në fund sigurisht nuk ranë dakord për asgjë. Ata thjesht ishin aty për të argëtuar diktatorin. Zgjidhjen e kishte
vetëm ai dhe ai nuk i merrte leje kujt kur zgjidhte të fliste.
Ato që Ismail Kadareja thotë për fjalimin e diktatorit atë ditë, nuk janë thënë ende as për fjalët e profetëve. Kadare ka qenë i magjepsur nga ai njeri.
Fjala që mbajti diktatori në atë mbledhje, sipas Kadaresë, ka qenë leva shtytëse për shumë shkrimtarët të rinj, mes tyre dhe Kadareja, që u ngjitën me shpejtësi në
piramidën e letrave shqipe.
“Mund të thuhet me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të viteve ‘60 ia detyron lançimin e tij këtij fjalimi”, - thotë Kadareja në kujtimet e tij. Ne s’kemi asnjë arsye
pse t’i vëmë në dyshim fjalët e tij.
Dikush mund t’i vejë në dyshim kujtimet e Kadaresë, por ne nuk kemi arsye për një gjë të tillë. Ato që rrëfen Kadareja janë të besueshme edhe për faktin se janë në
harmoni me mënyrën e funksionimit të gjërave në një regjim totalitar. Enver Hoxha, si udhëheqës totalitar, ishte në kontroll të gjithçkaje dhe askush nuk mund të
pretendojë se ka patur një karrierë publike të shkëlqyer pa përkrahjen e tij.
Në 1961-shin, ndërkohë që marrëdhëniet kishin marrë tatëpjetën, Enver Hoxha kishte nevojë për përkrahjen e shkrimtarëve dhe artistëve, sepse ata ishin njerëzit
që do të bënin propagandën. Në mars qeveria kishte nxjerrë një vendim për dhënien e lejeve krijuese, duke u dhënë shkrimtarëve dhe artistëve mundësinë e
kushteve më të mira të punës, që do të thoshte, se një pjesë e tyre nuk do të merrej me gjë tjetër veç punës letrare dhe artistike.
Në korrik ai organizoi mbledhjen që sheshoi problemin midis brezave dhe sigurisht u kujtoi të gjithëve, sidomos brezit të ri, se ata mund të llomotitnin për gjithçka e
gjithë kohën, por ajo që kishte rëndësi ishte fjala e tij. Të vjetërve ua zbuti nivelin e arrogancës, kurse të rinjve u dha kurajë dhe u hapi rrugën që të viheshin në
shërbim të tij. Kujtimet e Ismail Kadaresë janë, në një farë mënyrë, shprehje e mirënjohjes për ndihmën që Enver Hoxha i dha në 1961shin.
Kjo është një gjë e mirë, sepse tregon që ai ka qenë njeri me karakter. Veçse, për aq kohë sa mendonte se komunizmi ishte i përjetshëm.
Për shkrimin e këtyre kujtimeve Kadareja dhe adhuruesit e tij mund të mundohen ta justifikojnë me “ashtu ishte koha”, por është fakt që askush nuk e ka detyruar t’i
shkruante ato kujtime. Me shkrimin në gazetën “Zëri i popullit”, 15 prill 1985, Kadareja e kishte bërë detyrën, për t’u justifikuar te eprorët e tij politikë, të cilët, ishte
normale, prisnin diçka nga pena e tij në lidhje me vdekjen e Enver Hoxhës. Shkrimi i kujtimeve, shkrimi i elegjisë, shkrimi në gazetën “Le Mond” në mbrojtje të Enver
Hoxhës, janë shumë për t’u justifikuar me “ashtu ishte koha” ose “nga frika”.
Titulli i origjinalit: Kujtime për shokun Enver Hoxha
Ismail Kadare
Tani që Udhëheqësi i vendit nuk është më midis nesh, kujtimet për Të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale, por një
pjesë siu generis, që nuk përfshihet në librat, fjalimet, ditaret, porositë e letrat e tij, por është e shpërndarë në qindra, në mijëra njerëz. E megjithëse e tillë, kjo
pjesë e veprës, këto kujtime që Ai ka lënë, biseda në fjalë, gjeste, pamje, gjendje shpirtërore, janë një pasuri e tërë që ndihmojnë për të plotësuar e ndriçuar anë të
tëra të personalitetit të tij si udhëheqës, burrë shteti, mendimtar marksist, filozof, shkrimtar dhe njeri.
Kujtimet për Të nuk kanë nevojë për zbukurime, ato kanë nevojë vetëm për saktësi, sepse duke qenë të sakta ato e kanë vetvetiu brenda edhe bukurinë dhe
thellësinë dhe peshën e vërtetë. Prandaj ata që kanë pasur fatin të kenë kujtime me Të, janë të ndërgjegjshëm se ç’thesare të çmuara mbajnë në duar, thesare,
pasurinë e të cilave duhet t’ua zbulojmë të gjithëve.
***
Në verë të vitit 1961, klima letrare në vendin tonë ishte sa e gjallë aq edhe e komplikuar. Të angazhuar në luftën e madhe që bënte populli e Partia për përballimin e
bllokadës së re revizioniste, që porsa kishte filluar, forcat krijuese ishin në një aktivitet të plotë. Ishte e natyrshme që në këto kushte, kur kërkoheshin rrugë të reja
zhvillimi për ta bërë letërsinë tonë edhe më shumë të lidhur me problemet e kohës, të kishte mjaft debate e polemika, disa herë të mprehta.
Klima letrare u komplikua pikërisht nga disa keqkuptime që lindën gjatë debateve lidhur me traditën dhe novatorizmin në letërsinë shqipe të realizmit socialist.
Polemika, e cila shpërtheu edhe në shtypin letrar, kishte rrezik të çonte drejt ndarjes artificiale të shkrimtarëve, në të rinj e në të vjetër, gjë tepër e dëmshme,
sidomos në kushtet ku po ndodhej vendi ynë, kur më tepër se kurrë kërkohej forcimi i unitetit.
Në një atmosferë të tillë, në korrik të vitit 1961 në Tiranë u organizua një mbledhje e madhe e gjithë forcave krijuese. Mbledhja do të ishte vendimtare për t’i dhënë
një zgjidhje apo një zhvillim të mbarë debatit që po vlonte prej kohësh. Por mbledhja merr një rëndësi edhe më të madhe, sepse në të asistonte shoku Enver Hoxha.
Mbledhja u bë në një nga sallat e Universitetit të Tiranës. Në një pjesë të materialeve të saj u pasqyruan ato keqkuptime e teprime që ishin shfaqur gjatë polemikës
së deriatëhershme. Duhet thënë, se për ne, shkrimtarët e rinj, gjendja ishte jo pak e vështirë. Nga disa autoritet të kritikës e të letërsisë u bënë shkrime disa herë
të pamerituara ndaj nesh. Kishte rrezik të thellohej ndarja artificiale në “të rinj” e “të vjetër” dhe zhvillimi i letërsisë sonë të ngadalësohej prej koncepteve
konservative.
Shoku Enver, i cili asistoi në të gjitha seancat, dëgjonte me vëmendje diskutimin e secilit.
Në një nga pushimet, një shok, që ishte në presidium, më tha:
- Përse nuk flet askush prej jush? Me sa kuptova unë nga biseda e tij në pushim, shoku Enver dëshiron t’ju dëgjojë edhe ju të rinjve.
Këto fjalë sikur më hoqën në çast një farë mpirje që më kishte zënë gjatë kësaj mbledhjeje. Nxora një letër dhe fillova të përgatitem me shpejtësi.
Në seancën e pasdites kërkova fjalën. Isha i pari që po flisja nga “të rinjtë” dhe merret me mend që auditori priste me interes se si do t’u përgjigjeshim ne shumë
kritikave që u bënë.
Në kohën që zura vend për të folur përpara mikrofonit, shoku Enver, i cili me siguri e kishte kuptuar tronditjen shpirtërore të shkrimtarëve të rinj në këtë mbledhje,
tha:
- Ja, tani do t’ju dëgjojmë dhe juve. Jeni të rinj, por jeni të pjekur.
Këto fjalë të Tij ma dhjetëfishuan guximin dhe unë jo vetëm që e lexova diskutimin me zë të vendosur, por aty për aty, i nxitur nga inkurajimi i Tij, shtova mjaft fraza
që nuk i kisha të shkruara.
Pas meje folën edhe të tjerë. Shoku Enver vazhdonte të dëgjonte me vëmendje çdo diskutim. Tani Ai dhe gjithë mbledhja kishin dëgjuar të dy palët polemizuese.
Duhet thënë se teprime e keqkuptime kishte nga të dy anët, edhe nga ne “të rinjtë”, por, megjithatë, nuk mund të thuhet se të dy palët kishin të drejtë, ose të dy
palët kishin gabim. Dikush kishte në thelb të drejtë e dikush jo.
Ishte pikpërisht ky thelb që kapi në mënyrë të shkëlqyer shoku Enver në fjalimin e tij që pritej me padurim. Ai i bëri një zbërthim të thellë marksist-leninist problemit,
foli për raportin dialektik midis traditës dhe novatorizmit, shpjegoi se shkrimtarët e rinj s’ka si të kenë interesa të tjera nga ato të popullit e të Partisë, se ata janë të
lidhur me vendin e me kohën, dhe se ndarja në “të rinj” e “të vjetër” nuk i shërben askujt.
Fjala e shokut Enver pati një efekt të jashtëzakonshëm në të gjithë jetën letrare artistike. U shpërndanë menjëherë keqkuptimet që kishin lindur gjatë debatit, u lanë
mënjanë etiketat e kota që i kishim vënë njëri-tjetrit, u kuptuan se shumë probleme të ngritura në valën e polemikës ishin fiktive dhe se gjithë shkrimtarët, të rinj e të
vjetër në moshë, punonin për një qëllim.
E çliruar kështu, në sajë të ndërhyrjes së Udhëheqësit prej një tensioni të kotë e të dëmshëm, letërsia jonë njohu menjëherë një zhvillim të ri e të vrullshëm, në
kundërshtim me profecitë e zymta të hrushovianëve që prisnin shkatërrimin e saj. Takimi dhe fjalimi i shokut Enver me shkrimtarët dhe artistët në korrik të vitit 1961,
hyri kështu në historinë e letërsisë shqipe. Mund të thuhet me bindje se gjithë brezi i shkrimtarëve të viteve 60 ia detyron lançimin e tij këtij fjalimi.
Gazeta “Drita”, 28 prill 1985, faqe 8-9-10.
Kadare: Si më zgjodhi shoku Enver shkrimtarin e tij personal