Monday, October 3, 2011

Eshtë ekonomia, o idiot

DRITAN PRIFTI
“It’s the economy, stupid” (Është ekonomia, o idiot). Kjo ka qenë parulla e fushatës që solli Bill Clinton në krye të Shtëpisë së Bardhë, në një përballje me figurën më të fuqishme të politikës amerikane të 50 vjetëve të fundit, George H.W. Bush. Bill Clinton ishte një figurë pothuajse e panjohur në nivel kombëtar në SHBA, guvernator për vetëm një mandat në shtetin Arkansas. Kurse G.H.W. Bush ishte Presidenti në detyrë i SHBA, ish zv.President i SHBA për mandatin paraardhës, ish-drejtor i CIA, patriark i familjes më të fuqishme politike në SHBA, me lidhje themelore që nga Wall Street deri në burimet e naftës në Amerikë dhe Arabi Saudite. Megjithatë, Bill Clinton, i brishtë, i panjohur dhe pa muskujt e Bush, e mundi në një betejë historike presidentin në detyrë të SHBA, që kërkonte një mandat të dytë si President. Magjia e Bill Clinton ishte shfrytëzimi i një situate ekonomike jo shumë pozitive që SHBA po kalonte. Situata që kalonte SHBA në atë kohë, ishte shumë-shumë më e lehtë se situata që kalon SHBA sot. Situata ekonomike e SHBA, në fushatën presidenciale Bush-Clinton, nuk ka asnjë krahasim me situatën katastrofike ekonomike që po kalojnë sot shqiptarët. Megjithatë, në Shqipëri, opozita nuk e ka idenë se si mund të përfitojë politikisht prej kësaj qeverisjeje skandaloze 6-vjeçare të Berishës, që e ka zhytur shqiptarin e thjeshtë të mendojë vetëm për bukën dhe djathin, vetëm për mbijetesën dhe asgjë më shumë.
“Është ekonomia, o idiot”, mund të ishte parulla kryesore e luftës së Edi Ramës për të fituar mbështetje të gjerë popullore kundër koalicionit të vjedhjes PD-LSI, tashmë të provuar në vjedhjen e votave dhe pasurisë publike. Por, Edi Rama vazhdon luan në fushën e Berishës, luan me mjete politike në një fushë, që me Berishën nuk ka fituar kurrë asnjë lider socialist. Me Berishën, politikisht nuk ka fituar kurrë asnjë lider socialist. Berisha burgosi Nanon politikisht dhe asnjë gjemb nuk i hyri në këmbë, as atij dhe as gjyqtarëve që u përdorën politikisht për këtë dënim të padrejtë. Ishte koha e përmbysjes së komunizmit, dhe Berisha luajti kartën e antikomunistit para botës dhe shqiptarëve, për t’i bërë që të gjithë të mbyllnin gojën ndaj një burgosjeje politike. Berisha u largua nga pushteti me revoltë popullore në vitin 1997, pasi kishte kryer një krim kundër popullit të vet, duke lejuar dhe mbrojtur vjedhjen masive të kursimeve të shqiptarëve nëpërmjet skemave piramidale, dhe përsëri me zgjuarsi politike i siguroi vetes amnisti për këto krime, që askush s’ia kishte bërë ndonjëherë popullit shqiptar, veç Enver Hoxhës. U rikthye në pushtet në 2005, pa marrë shumicën e votës popullore të shqiptarëve, por duke stimuluar dhe shfrytëzuar përçarjen e Partisë Socialiste. Mundi Fatos Nanon në tavolinë, duke i marrë Presidentin konsensual, kur nuk kishte asnjë shans ligjërisht ta merrte atë. Mundi PS-në në tavolinë, duke siguruar një Kod Zgjedhor për zgjedhjet e 2005-s, që arriti t’i japë PD-së rreth 27 mandate deputetesh më shumë, pa fituar shumicën në zonat elektorale, por duke shfrytëzuar përçarjen brenda së majtës politike. Në 2005-n, Berisha nxori Fatos Nanon në pension të parakohshëm, pasi e kishte futur dhe në burg politik. Tani ai e josh Nanon sërish, duke e përdorur të copëtojë edhe një herë PS-në, duke i ofruar iluzionin e zgjedhjes si President i Republikës, me kusht që të shpartallojë dhe një herë PS-në, për t’i dhënë Berishës, në 2013-n, mandatin e tij të tretë në qeverisje. Berisha barazoi në zgjedhjet e 2009-s, por qëndroi në pushtet përsëri falë përçarjes dhe aleancave me pjesë të së majtës. Sigurisht, në këtë pjesë u gënjeva edhe unë, sepse për inat të Edi Ramës, i dhamë pushtet një dysheje të rrezikshme, që në këtë akord politik po zhvatin çdo gjë që u del përpara nga pasuria publike e shqiptarëve. Rama humbi në 2009-n politikisht, humbi në 2011-n zgjedhjet në Tiranë përsëri padrejtësisht, por politikisht, dhe për shkak të gabimit të tij për të mos kryer reformë zgjedhore përpara zgjedhjeve lokale. Berisha ka ditur gjithmonë ta mbajë Ramën të inatosur, të vendosur në veprimet bojkotuese vetëshkatërruese dhe të demaskuar plotësisht në arenën ndërkombëtare. Berisha ka ditur të mbajë ndërkombëtarët të karikuar kundër Ramës, për faj të bojkotit të Ramës, duke bërë kështu që bojkoti i Ramës të mbyste gjithë thirrjet e drejta të opozitës për asgjësimin e demokracisë dhe votës së lirë në këtë vend. Berisha ka ditur të përdorë mjeshtërisht shumicën e djathtë në institucionet europiane, por edhe paratë e qeverisë për lobbing në SHBA, për t’i bërë problemet e mëdha të demokracisë shqiptare të bien në veshin e shurdhër të ndërkombëtarëve.
Edhe sot që Rama dhe Partia Socialiste ofrojnë një pakt të sinqertë politik për të ecur më shpejt drejt Europës, Berisha e quan “ultimatum” dhe “akt për bllokim të Parlamentit”. Ka gjasa që Berisha përsëri të besohet nga ndërkombëtarët. Ai di të luajë bukur politikisht, si askush tjetër në politikën shqiptare. Tashmë, Berisha po përdor zënkat e Ramës me një grup të udhëhequr nga Arben Malaj dhe Kastriot Islami, për të frymëzuar një copëtim tjetër në PS. Ka futur në lojë dhe Fatos Nanon. Gjasat janë që, nëse Bamir Topi, pas largimit nga President, do krijojë një parti të re të djathtë, Berisha do nxisë me çdo mjet këtë grupim të krijojë një parti të re të majtë, mbase me bekimin e Fatos Nanos si President. Përsëri Berisha është një hap përpara Ramës, politikisht. Berisha e di që me korrupsionin galopant, me krizën financiare dhe varfërinë që ka mbytur shqiptarët, nuk ka shans që shqiptarët të votojnë sërish atë në 2013-n. Si mjeshtër i madh i politikës, Berisha ka bërë skenarin se si të mbijetojë politikisht përtej 2013-s.
Kurse Edi Rama duket se nuk e njeh ende zgjuarsinë politike të Berishës. Edi Rama vazhdon të luftojë me mjete politike në kërkim të një marrëveshjeje politike, që afron Shqipërinë me Europën, por i zgjat jetën Berishës në pushtet. Nuk është fundi i botës nëse Berisha gllabëron edhe Presidentin e ri. Nuk është fundi i botës nëse Berisha gllabëron edhe Prokurorinë, Gjykatat dhe institucionet e tjera të pavarura. Përkundrazi, ky është fundi i Berishës. Berisha do t’i marrë të gjitha institucionet brenda një viti kalendarik, duke filluar nga Presidenca e Prokuroria, deri tek entet dhe institucionet e tjera të pavarura. Kjo është rruga e vetme e Berishës dhe Metës, për të mbuluar dhe fshehur në “mënyrë demokratike” gjithë krimet dhe shpërdorimet që kanë bërë në këto 8 vite të fundit. Ata duan çdo pushtet në Shqipëri. Në ndonjë rast, ata do t’i japin pak pushtet ndonjë socialisti anti-Ramë, për t’u shtirur se po ndajnë pushtet, por është e sigurt, që cilindo emër të përdorin, ata do ta kenë atë emër, dhe çdo gjë tjetër, në kontroll të plotë, 100%.
Për mendimin tim, Edi Rama nuk ka asnjë shans tjetër për të fituar mbështetjen e shqiptarëve, veçse duke iu drejtuar atyre masivisht. Rama nuk ia del dot me intrigat e brendshme, nuk ia del dot me paratë e Berishës dhe Metës. E vetmja rrugë është të krijojë një aleancë të gjerë popullore, duke shkuar qytet më qytet, fshat më fshat dhe shtëpi më shtëpi. E vetmja rrugë është të bisedojë me popullin e varfër, të rraskapitur dhe të pakënaqur me gjendjen e tyre, për të siguruar mbështetje për një projekt të ri politik. Popullit i duhet folur hapur se çfarë do bëjë Edi Rama ndryshe në qeverisje. Vetëm aleanca e madhe, e sinqertë dhe e llogaritur mirë me elektoratin e gjerë, mund të shpëtojë Ramën dhe Shqipërinë nga thundra e Berishës dhe Metës. Ata na kanë shkelur me këmbë dhe do ta bëjnë çdo ditë që ne vazhdojmë t’i lejojmë ta bëjnë.
“Është ekonomia, o idiot”. Njerëzit po vdesin për bukë.  Fshati po lëngon nga varfëria, mungesa e investimeve, përbuzja e pushtetit. Kurse PS kërkon pakte politike me Berishën. Ky është kulmi i paaftësisë. Nëse njerëzit nuk ballafaqohen me një alternativë të besueshme që sot, nëse njerëzit nuk e prekin dhe njohin liderin e opozitës e figurat e saj, brenda një fushate elektorale 30-ditore është e pamundur të mbysësh zërin dhe investimin miliarda lekë të qeverisë. Qeveria do të hedhë para si asnjëherë tjetër të blejë votat, dhe do të gjejë plot njerëz që nga varfëria do ta shesin votën. E vetmja mënyrë që Rama dhe Shqipëria e varfër të fitojë, është që sot mbështetja opozitare të bëhet shumë e madhe, shumë e sinqertë, shumë e zjarrtë, që paraja e pushtetit të mos arrijë të blejë  aq shumë vota në fushatë, aq sa të bëjë sërish maxhorancë. Partisë i duhet dhënë detyra të punojë, të qëndrojë pranë njerëzve të thjeshtë dhe të varfër. Deputetët është mirë t’ia paguajnë ndonjëherë kafen të varfërve, t’i ndihmojnë sa munden, t’i duan gjithë vitin dhe jo vetëm në fushatë. Votat që fitohen me dashuri dhe kujdes, është vështirë të shiten me para.
Është e pafalshme që opozita ka humbur terren elektoral në fshatin shqiptar. Është e vërtetë që në fshat votat blihen lehtë dhe forca e parasë së pushtetit ka ndikim. Fshati shqiptar jeton më keq se në kohën e komunizmit sot. Dallimi i vetëm është që prona ka kaluar private. Kujdesi i shtetit për fshatarin është i papërfillshëm. Varfëria është e madhe. Puna e madhe e fermerëve ka bërë që ata të mbijetojnë, të shkollojnë fëmijët dhe përmirësojnë sadopak gjendjen e tyre. Të ishte për qeverinë, fshati do kishte vdekur. Me këtë braktisje, varfëri të madhe, fshati duhet të ishte mbështetës i së majtës dhe Partisë Socialiste. Por, nuk është kështu. Këtu mbase duhet filluar puna për të ngritur aleancën e re të socialistëve me popullin e thjeshtë.
Pastaj duhet kaluar te papunësia dhe rinia. Me një papunësi që shkon 30%, opozita nuk duhet të ndalë asnjë sekondë. T’i evidentojë, t’i japë alternativë, t’i japë shpresë, t’i hapë shtëpinë e përbashkët. Rininë ta çojë peshë me padrejtësitë që i bëhen. Diplomat universitare, që blihen pa shkuar në shkollë, punët që zihen nga kushërinjtë e pushtetit dhe mundësitë që fshihen nga klani i shtetit, e kanë bërë rininë shqiptare të vlojë.
“Është ekonomia, o idiot”.  Shumica dërrmuese e shqiptarëve e vuajnë ekonominë e dobët, xhepat bosh, mungesën e perspektives së besueshme për të ardhmen. Këtu duhet të jetë opozita. Ka rrezik që, të paktën me demagogji, këtë fushatë ta fillojë Saliu dhe ta lërë Ramën spektator. Berisha nuk ka turp të thotë që Shqipëria është pas Gjermanisë apo broçkulla si këto. Opozita nuk bën lojë me deklarata, ajo ulet me popullin dhe krijon një lidhje me të, afishon alternativa të besueshme qeverisjeje dhe nuk i jep oksigjen qeverisë, qoftë dhe kur bëhet fjalë për postin e Presidentit. Ç’mund të bëhet me Presidentin, është me mirë ta vendosë populli me referendum, sesa t’i lutemi Berishës, i cili kurrë nuk ka për ta lëshuar këtë pushtet me dëshirë.
“Është ekonomia, o idiot”. Kur është ekonomia kaq dobët dhe kaq pa alternativë zhvillimi, populli ka tendencë të bëhet me opozitën dhe të përmbysë qeveritë. Clinton fitoi kundër Bushit, atëherë kur askush nuk e mendonte. Edi Rama mund të fitojë shumë më lehtë kundër Berishës dhe Metës, mjafton të mos ngatërrohet me këmbët e veta dhe  të përqendrohet te vota e popullit që vuan dhe është i pakënaqur.
Shanset janë që ekonomia jonë të shkojë keq dhe më keq në dy vitet e ardhshme. Ekonomia mund ta përmbysë Berishën, kurse politika e deritanishme e opozitës s’ka asnjë shans.

Sunday, October 2, 2011

Të enjten në mbrëmje Presidenti Topi duhet që të ishte teleshikues

Nga Kastriot MYFTARAJ Kur ambasadori i vendit aleat më të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA-ve, del në mbrëmje në televizion në prime time, në një intervistë të gjatë, Presidenti i Republikës, pra kryetari i shtetit pranë të cilit ky ambasador është akredituar, nuk mund të dalë në të njëjtën orë, për një intervistë po aq të gjatë, në një televizion tjetër. Kjo nuk është gjë tjetër veçse një sfidë krejt e pavend. A thua u mbaruan ditët kur mund të dilte Presidenti në televizor? Presidenti Topi i bëri një sfidë të tillë ambasadorit amerikan Arvizu, duke dalë në emisionin e Sokol Ballës, “Top Story”,
të enjte në mbrëmje në të njëjtën orë që ambasadori Arvizu gjendej në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. Nuk ishte koincidencë, se dalja e ambasadorit amerikan qe paralajmëruar prej disa ditësh. Ishte pra një sfidë e qëllimshme. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasiqë ambasadori Arvizu foli për një celulë të organizuar antiamerikane që vepron në Tiranë, me mbështetje të huaj. Presidentit Topi nuk do t’ i shkonte kurrë në mendje që t’ ia bënte këtë sfidë ambasadorit amerikan, nëse nuk do t’ ia kërkonte dikush që ka shumë pushtet mbi të. Pyetja është se cili ka aq pushtet mbi Presidentin Topi saqë ta përdorë si një puppet on a string për të bërë një veprim të tillë, aq më tepër në kohën që ambasadori amerikan kishte folur për një celulë të organizuar antiamerikane në Shqipëri. Merret vesh, Celula antiamerikane qenka aq e fortë sa e sfidoi ambasadorin me anë të kryetarit të shtetit. Edhe për arsyen se ambasadori Arvizu ishte i pari ambasador amerikan që, pak ditë më parë në Ora News, kishte folur gjerësisht për antiamerikanizmin dhe për ekzistencën e një qendre të organizuar të tij në Tiranë, intervista tjetër e ambasadorit, ajo në Tv Klan, pritej me shumë interes. Në kohën që të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, brenda apo jashtë vendit, qenë të interesuar që të dëgjonin se çka do të thoshte ambasadori të re, për celulën- dhe ai tha shumë për ata që dinë të kuptojnë- Presidenti Topi doli t’ u thoshte shqiptarëve: “Më shikoni e më dëgjoni mua, dhe jo ambasadorin”. A thua nuk kishte ditë tjetër Topi për t’ ju përgjigjur Berishës pas nëntë muajsh, për fjalët e bulevardit? Topi priti nëntë muaj, mund të priste edhe një javë për t’ u thënë shqiptarëve se është një zotëri bulevardi. Meqënëse jemi këtu, një njeri me dinjitet nuk thotë për veten se unë jam zotëri bulevardi, por ua le të tjerëve ta thonë këtë për të.Presidenti Topi të enjten në mbrëmje bëri lojë të dyfishtë, sipas traditës politike nga vjen, asaj të Esat Pashë Toptanit. Topi, nga njëra anë iu bind urdhërit të Celulës dhe e sfidoi ambasadorin me praninë e tij televizive njëkohësisht me të, në anën tjetër deshi të shfajsohet për sjelljen e tij, kompatibile me Celulën. Presidenti Topi duket se qe prekur shumë nga fjalët e ambasadorit për celulën e organizuar antiamerikane në Tiranë dhe doli shpejt që t’ u japë përgjigje fjalëve të Berishës të nëntë muajve më parë. Me këtë Topi duket se donte që të shfajësohej për disa veprime të tij, të cilat i di ai, dhe që e implikojnë me celulën antiamerikane për të cilën foli ambasadori. Pra, Topi, deshi që t’ u thotë amerikanëve se disa veprime të tij, duhet që t’ i shohin si të ardhura nga zemërimi që i shkaktoi thënia e Berishës. Por këtu lind pyetja se për çfarë është fyer Presidenti Topi. Sokol Balla, në intervistën e së enjtes shfaqi një pamje televizive ku kryeministri Berisha thoshte: “Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk janë gjë tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi”. Çfarë lidhje ka këtu Presidenti Topi? Berisha e ka fyer në këtë rast Topin vetëm nëse ky i fundit e ka quajtur atë që ndodhi në 21 janar tek kryeministria “ngjarje në bulevard”. Dhe meqënëse të gjithë e dinë se Presidenti Topi e ka thënë këtë, atëherë del se Berisha e ka quajtur Topin horr bulevardi. Kjo është arsyeja që Topi heshti atëherë kur foli Berisha, jo se ia kurseu Berishës fjalët që kishte ndërmend.Por, në rast se në 21 janar na paska ndodhur një ngjarje në bulevard, atëherë pse dreqin bëhet gjithë kjo zhurmë për 21 janarin? Se ka katër të vrarë? E jo, sipas logjikës “ngjarje në bulevard”, në 21 janar ka pasur vetëm katër qytetarë të rrëzuar në bulevard. A ia vlen gjithë kjo zhurmë për katër qytetarë të rrëzuar në bulevard? 21 janari, ose është një ngjarje në bulevard dhe nuk ia vlen të merremi me të, në krejt çka ndodhi atë ditë, ose është diçka tjetër dhe kjo logjikë vlen për të gjitha momentet e asaj që ndodhi në atë ditë. 21 janari, qartësisht nuk ishte një ngjarje në bulevard. Ambasadori Arvizu, në daljen e tij të para disa ditëve në Ora News, e analizoi dhe një herë thellësisht 21 janarin në të gjithë përbërësit e tij, duke përfshirë vrasjet dhe sulmin ndaj ndërtesës së kryeministrisë. Presidentit Topi është lënduar shumë nga aludimet që bëri ambasadori se pas asaj që ndodhi në 21 janar qëndronte një celulë antiamerikane, e cila donte që më së pari të largonte nga Shqipëria, atë ambasadorin Arvizu. Prandaj, Presidenti Topi për t’ u shfajësuar komentoi fjalët e bulevardit, kinse ato e kishin errësuar gjykimin e tij. Ndoshta tani Presidenti Topi do të na thotë edhe se fjalët e Berishës për horrat dhe laviret e bulevardit janë thënë para 21 janarit!Gjithsesi këtu lind pyetja se çfarë janë ata titullarë institucionesh që e quajtën atë që ndodhi në 21 janar “ngjarje bulevardi”, nëse nuk janë “horra dhe lavire bulevardi”? Se një përcaktim u duhet bërë atyre. Pas atyre që ka thënë ambasadori për celulën antiamerikane, atyre që u ndien të fyer, u del shumë më mirë llogaria sikur të pranojnë fjalët “horra dhe lavire bulevardi”, në vend të përcaktimit tjetër që u shkon. Se bashkëpunimi për të larguar, praktikisht dhunshëm nga Shqipëria ambasadorin amerikan, duke shfrytëzuar postin e lartë zyrtar, është një veprim shumë i rëndë. Në kohën që ambasadori amerikan foli për një celulë antiamerikane në Shqipëri, çka është një çështje me rëndësi supreme për sigurinë kombëtare, Zotëria i Bulevardit, Presidenti Topi, nuk ka prej mëse dy vjetësh një këshilltar të sigurisë kombëtare në stafin e tij, duke qenë me siguri i vetmi kryetar shteti, jo më i vendeve të NATO-s, por të botës, që nuk ka një të tillë. Para disa javësh, u gjenda në një debat televiziv me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare të Topit, dhe me humor i thashë se Presidenti e zëvendësoi me një ish-komandant poste kufiri. Ish-këshilltari bëri sikur nuk e kuptoi shakanë dhe më tha se Presidenti nuk ka një këshilltar sigurie kombëtare, çka në letër është e vërtetë. Unë aludoja për një shokun e bilardos së Presidentit, i cili ndoshta i jep këshilla në këtë fushë, emri i të cili u shfaq një herë në website të Presidentit, për t’ u zhdukur përsëri shpejt.A mos ndoshta mungesa e këshilltarit të sigurisë kombëtare është një alibi për të thënë nesër Topi se ai nuk dinte se ç’ po bëhej, se ja, as këshilltar të sigurisë kombëtare nuk ka pasur! Po pse nuk e ka një të tillë? Presidenti Topi ka në stafin e vet dy këshilltarë për çështjet ligjore, dhe asnjë për sigurinë kombëtare. Rrogën e këshilltarit për sigurinë kombëtare ia jep një mikut të tij që e ka marrë specialist për informacionin e klasifikuar, a thua se ka nevojë Presidenti për një specialist të tillë, kur ky lloj informacioni i vjen, për aq sa i vjen, i gatshëm për t’ u përdorur. Aq më tepër që specialisti që ka marrë ka studiuar për matematikë. Presidenti Topi e rihapi historinë e fjalëve të bulevardit, për të cilat kishte heshtur deri më tash, se e ndjeu që celula antiamerikane për të cilën foli ambasadori, kishte kompatibilitet (për të përdorur një nga fjalët e Topit) me Celulën e Bulevardit. Presidenti Topi i lexoi saktë nënkuptimet e fjalëve të ambasadorit, se 21 janari ishte mbi të gjitha një puç kundër ambasadorit amerikan, për largimin e tij nga Shqipëria, në mënyrë që të vinte një tjetër, më i pëlqyeshëm, tip Withers. Prandaj Topi u alarmua, se ai e di se çfarë ka bërë. Topi tani kërkon që të distancohet nga Celula e Bulevardit, për të cilën e shikon se u zbulua. Topi e di se Ina Rama refuzoi të përgjigjej në komisionin parlamentar për 21 janarin, jo se nuk ishte në gjendje që ta mbante gjithë natën komisionin me fjalë, e ta çonte në “shtatë çezma” juridike e të mos u jepte ujë, por se duhej t’ i përgjigjej pyetjes se ku kishte qenë ajo gjatë ditës së 21 janarit, e cila ishte dite pune. E njëjta pyetje vlente dhe për Bahri Shaqirin. Të dy ata kishin shkuar në shtëpinë e Presidentit Topi atë ditë dhe atje prisnin lajmin për rënien e qeverisë. Edi Rama vetë, në 21 janar, udhëhoqi kolonën e demonstruesve që u nis nga thellësia e Rrugës së Elbasanit, kaloi para Ambasadës Amerikane, një sfidë e qartë për ambasadorin Arvizu dhe shkoi tek kryeministria. Praktikisht, me këtë në Shqipëri u bë e para protestë para ambasadës amerikane. Më qartë se kaq nuk kishte si ta zbulonte veten celula për të cilën foli ambasadori. Topi priste që Edi Rama me miqtë e tij në Washington dhe New York të arrinte që ta largonte ambasadorin Arvizu. Tani që kjo nuk ndodhi, Topi bën të penduarin dhe thotë se i ka bërë ato që di ai, dhe që e di se i dinë edhe të tjerë, thjesht se u fye nga Berisha. Por celula duket se e kontrollon ende fort, se e urdhëroi të dalë e të sfidojë ambasadorin amerikan të enjten, me praninë e tij televizive njëkohësisht me të. kastriotmyftaraj@sot.com.al

Çfarë ndodh kur një djalë del natën për argëtim?


Një natë jashtë, për meshkujt mund të jetë çelësi i një martese, ndërsa shkëputja e miqësisë së vjetër i dëmton ato
Tiranë, 1 Tetor 2011 NOA/ Arlinda Koçi - Ju mund të prenotoni bileta për teatër, organizoni darka me miqtë dhe t'i kushtoni vetes dhe pamjes tuaj shumë rëndësi.
Por një studimi ri ka treguar se, gratë të cilat fusin hundët në përpjekje për të menaxhuar jetën shoqërore të burrave të tyre, janë duke i hapur kështu probleme jetës së tyre në çift.
Shkencëtarët amerikanë zbuluan se, njerëzit të cilët nuk kanë kohë të mjaftueshme rezervë për të shpenzuar me miqtë e tyre, mund të ndjehen më pak tërheqës tek partneret e tyre.
Ata thonë se gratë, të cilat në mënyrë të vazhdueshme i kanë prerë lidhjet me miqtë e vjetër të burrave të tyre, për të krijuar kështu miqësi me çifte të reja, dëmtojnë ndjenjat e meshkujve dhe çojnë në lindjen e konflikteve brenda marrëdhënies.
Studiuesit thanë se nuk ka asgjë të keqe nëse gratë merren me organizimin e aktiviteteve të ndryshme sociale, pasi dihet se gratë priren të jenë më të organizuara.
Studimi sugjeron se gratë duhet të nxisin burrat e tyre të kalojnë kohë me miqtë e tyre, vetëm meshkuj, edhe nëse ato nuk kanë dëshirë ta bëjnë këtë.
Kërkuesit i analizuan të dhënat nga "National Social Life, Health and Aging Project", një studim i 3.000 personave në Çikago, nga mosha 57-85 vjeç.
a.k/NOA

Shqipëri që flet me vete apo Shqipëri që flet për vete?!

ARIAN GALDINI
  Qëllimi themelor i këtyre radhëve është ngasja e domosdoshmërisë që të gjithë ne qytetarët shqiptarë të fillojmë të hulumtojmë brenda vetes sonë. Të hulumtojmë për të vërtetat e mëdha. Të fillojmë të pyesim veten, më parë se të tjerët. Të fillojmë t’i përgjigjemi vetes, më parë se të tjerëve. Të mëtojmë e sfidojmë veten, më parë se të tjerët. Të gjykojmë më parë veten, e jo të tjerët. Të përsosim më parë veten, e jo t’u kërkojmë llogari të tjerëve. Në fakt, e gjithë çështja është që ne qytetarët shqiptarë, secili individualisht e më pas të gjithë së bashku si komunitet, të gjejmë vetveten e të rigjejmë dinjitetin. Nga Vermoshi në Konispol, nga Prishtina në Tetovë, nga Ulqini në Malësi, është e ngutshme kthesa e madhe për nga vetëhulumtimi, vetëdijësimi, vetëvendosja, lirivendosja, drejtvendosja e dinjitetvendosja. Shqiptari mbijetues me 5 kile hekur që mbante gjithmonë me vete, me kokën e ulur dhe frikën në palcë, me luftën në deje dhe zemëratën e ankimtarinë në shpirt e gojë, me burracakërinë në qoshe dhe burracakërinë në sheshe, me vetanakësinë dhe vetëgjyqësinë, me dyshimin dhe mosbashkëveprimin, nuk përputhet dot me kohët e reja. Ky lloj shqiptari mbijetues na bën të papërputhshëm me vetë qytetarinë, por edhe me demokracinë, lirinë dhe ekonominë e tregut. Por më e keqja është se ky lloj shqiptari na bën të papërputhshëm edhe me sfidat e reja mes kombeve e sidomos me sfidat e globalizmit. Dhe ne humbasim lider pas lideri, udhëheqësi pas udhëheqësie, parti pas partie. Humbasim kohë, humbasim para, humbasim shanse, humbasim prona, humbasim punë, humbasim drejtësinë, humbasim të drejta, humbasim Kushtetutën, humbasim ligje, humbasim zgjedhjet, humbasim konkurrencën publike, humbasim objektiva, humbasim ëndrra, humbasim aspirata, humbasim institucione, humbasim energji, humbasim liri, humbasim dinjitet, humbasim toka e det, humbasim Evropën, humbasim jetë shqiptarësh, humbasim shqiptarë, humbasim vetveten. Pa folur për të shkuarën e llahtarshme të diktaturës komuniste, apo për periudhat e pushtimeve, sundimeve dhe regjimeve të huaja apo vendase, të gjata apo të shkurtra, por duke u përqendruar tek periudha e pasdhjetorit të vitit 1990, për fatin tonë të keq duket qartazi se deri më sot kemi qenë në gjendje letargjie kombëtare. Gjatë këtyre 21 viteve, liderët dhe udhëheqësitë tona të majta e të djathta, së bashku me ushtritë e tyre administrative shtetërore apo partiake, së bashku me të gjithë arsenalin e tyre mediatik të agjitpropit dhe me bizneset e tyre multimilionere ia kanë dalë për mrekulli mbanë ta arrestojnë dhe gardhëzojnë shqiptarin e varfër dhe të pamësuar. Fillimisht shqiptari u gardhëzua brenda vetmisë dhe nevojave të tij bazike, e më pas u ri-orientua njëlloj si në kohët e diktaturës komuniste drejt rreshtimit, si rruga e vetme për mbijetesë. Gardhet dhe pamundësitë u bënë harta e mbijetesës për çdo shqiptar, ndërkohë që zhytja në llumin sistemik, që është vjedhja apo heshtja për vjedhjen, mashtrimi apo heshtja për mashtrimin, vrasja apo heshtja për vrasjen, zaptimi apo heshtja për zaptimin, bakshishi e ryshfeti apo heshtja për bakshishin e ryshfetin, plaçkitja e shtetit dhe privatit apo heshtja për plaçkitjen e shtetit dhe privatit, padrejtësia apo heshtja për padrejtësinë, imoraliteti dhe amoraliteti apo heshtja për imoralitetin dhe amoralitetin etj., u bënë haraçi që shqiptari i sotëm duhet të paguajë për ta bërë funksionale këtë hartë. Me këtë lloj harte dhe me këtë lloj haraçi mund të shkosh aty ku ka nevojë partia, por jo drejt dinjitetit. Me këtë hartë dhe këtë haraç, mund të shkosh drejt plotësimit të nevojave bazike private dhe familjare, por nuk mund të shkosh drejt komunitarizimit, perëndimizimit dhe qytetarisë. Me këtë hartë dhe me këtë haraç mund të bëhesh i pasur, por jo i lirë; i fuqishëm, por jo i denjë; i pushtetshëm dhe i famshëm, por jo i drejtë. Përkundrazi, sido që të bëhesh, kudo që të arrish, të jesh i varfër apo i pasur, i drobitur apo i plotfuqishëm, mbetesh mbijetues. Mbetesh mbijetues që çdo dekik, çdo ditë, çdo javë që ikën, e kalon me frikë në zemër se mos ndoshta dikush më i fuqishëm, dikush më i madh, Zoti, rrethanat natyrore, politike apo gjeostrategjike, do të t’i marrë të gjitha e t’i do të rikthehesh sërish në hiç, asgjë, bosh. Ndaj edhe ti bëhesh vullnetarisht mbrujtës e mbrojtës i flaktë i këtij sistemi. Ti shpreson e synon që jetëgjatësia e sistemit të shkojë deri përtej ditës kur ti do të mbyllësh sytë përgjithmonë, sepse kështu do të kesh shmangur rënien në hiç. Në fund të fundit, me këtë hartë e këtë haraç, a nuk je pjesë e filozofisë: “Pas meje u bëftë kiameti…”? Rëndësi ka që sa të jesh gjallë ti, të mos ndodhë rënia, hiçi, boshnaja. Harron se në vdekje jemi të gjithë të barabartë. Në jetë e ndoshta në amshim nuk kemi për të qenë kurrë të barabartë, por vdekja me siguri që është moment sublim drejtësie për të gjithë. E megjithatë, për t’iu rikthyer jetës sonë si të gjallët e këtyre 21 viteve tranzicion drejt demokracisë, lipset të themi se shqiptarin e varfër dhe të pamësuar nuk e kanë ndihmuar as elitat e ndriçuara, mendjet e holla, apo sikurse quhen ndryshe: Zejtarët e Mendjes. Këta të fundit e gjejnë më të lehtë, më logjike dhe më përfituese që të shndërrohen në intelektualë organikë gramshianë, që për të shtyrë ca metra më tutje gardhin që u është vënë këtyre, pranojnë me zell t’i shërbejnë atyre që po gardhëzojnë, plaçkitin dhe keqpërdorin Shqipërinë dhe shqiptarët. “Kur bajnë me gabue njerëzit e hollë, po gabojshin edhe trashë.” (Anton Harapi: Andrra e Pretashit,/79) Ndaj edhe Shqipëria dhe shqiptarët zhyten në hone të tilla psiko-sociale, kur të gjithë ia dinë çmimin gjithkujt e gjithçkaje, por pakkush ia di, njeh apo konsideron vlerën. Ndonëse nuk na vyen të njëmendësohemi me mendimin e shumëpërmendur se çdo popull ka udhëheqësitë që meriton, atëherë si mundemi ta shpjegojmë paradoksin kur kemi mbetur ende me drejtues politikë analogë në kohët e dixhitalit dhe high definition? Thënë gjithçka sa më sipër, vërejmë se gjithmonë kemi pasur një Shqipëri që flet me vete. Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri qytetarësh që nuk flasin dot me udhëheqësitë e tyre dhe Shqipëri udhëheqësish që nuk denjojnë të flasin me qytetarët e tyre. Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri hallexhinjsh që dinë veç të ankohen, binden, tremben, rreshtohen, përshtaten, por jo të veprojnë, kërkojnë, ëndërrojnë, punojnë për një jetë më të mirë. Gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri kotësinarësh, llumatorësh, mohimologësh, spiunësh, përrethsash, ardhiksash, që dinë veç të dëmtojnë, shpërfillin, pengojnë, bllokojnë, rrëzojnë, baltosin e dekurajojnë të tjerët. Dhe gjithmonë kemi pasur dhe ende kemi një Shqipëri të shpresës. E pikërisht për shkak të kësaj Shqipërie të shpresës ia vlen të përpiqemi të gjithë, ia vlen që të gjithë ne shqiptarët të sfidojmë vetvetet tona për përsosje, për transformim. Kur ne flasim me vete sepse na mbajnë peng si Uliksin që kërkonte Itakën, duke na vendosur pareshtur mes Shilës dhe Karibdës, pra mes alternativave: e keqja më e vogël apo e keqja më e madhe, atëherë le të kërkojmë brenda vetes arsyet e drejta, sepse ndoshta do ta gjejmë edhe kurajën për t’i thënë “Jo”, profetëve të Sindromës së Sorrës që kanë 21 vite që na shurdh-verbojnë me parimin se: “kur nuk ke pulën, do hash sorrën”. Kur ne flasim me vete sepse nuk na lënë të zgjedhim, por na shtien të votojmë, atëherë le të marrim frymë thellë një hop, të hedhim sytë drejt ndërgjegjes sonë e t’u përgjigjemi se ne zgjedhim dinjitetin tonë. Kur ne flasim me vete sepse na vjedhin, grabisin, vrasin, përçmojnë, atëherë le të bëhemi këqyrës të ndershëm të brendisë sonë dhe të kërkojmë aty forcën që buron thellë nga dashuritë, besimet, trashëgimitë, ëndrrat, aspiratat dhe dëshirat tona më të pastra, e të mos lejojmë që të na bëjnë edhe ne pjesë apo instrumente të keqnajës së tyre. T’u themi atyre se ne këtej e tutje jemi qytetarë që i dalim për zot vetes sonë, familjeve tona, qyteteve tona, vendit tonë, kombit tonë, e me vullnet të lirë kemi përqafuar parimin: “Le të rrjedhë, le të shpërthejë, le të mbulojë gjithçka mashtrimi, vjedhja, korrupsioni, e keqja, por jo nëpërmjet meje, jo brenda meje”. Nëse mundemi t’i bëjmë dot këto gjëra, atëherë Shqipëria e shpresës do të jetë ajo që do t’i mbivlejë të gjitha Shqipëritë e tjera. Nëse mundemi t’i bëjmë të gjitha këto, atëherë do të kemi një Shqipëri që flet për vete. E kur kemi një Shqipëri që flet për vete, atëherë liderët, udhëheqësitë dhe partitë janë të detyruar të dëgjojnë, binden, shërbejnë. Kur kemi një Shqipëri që flet për vete, atëherë nuk ka më mbijetues por dalëzotsa, ka qytetarë.

Arian Galdini Tiranë, më 27 shtator 2011

Festohet 20-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA

Si sot e 20 vite më parë, janë rivendosur marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Shqipërisë dhe është rihapur në Tiranë ambasada amerikane. Me rastin e kësaj dite, ambasada amerikane në Tiranë do te organizojë një sërë aktivitetesh për të festuar 20-vjetorin e rivendosjes së miqësisë midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar. Festimet, të cilat janë mbështetur edhe nga bashkia e Tiranës do të nisin sot me një panair në rrugë me shumë stenda, për fëmijë, për jetën amerikane në përgjithësi si edhe për veprimtaritë në ambasadë. Festimet për ri-hapjen e ambasadës, do të vazhdojnë gjatë gjithë javës me pritje të ndryshme dhe me një simpozium akademik, ku janë të ftuar gazetarë dhe akademikë, të cilët ’janë filmuar në vitet 1991-1992, gjatë atyre kohërave në mënyrë që të ofrojnë retrospektivën dhe pikëpamjet e tyre mbi zhvillimet sot’. Shtetet e Bashkuara, në rastet me kritike të ekzistencës së kombit shqiptar, u janë gjetur afër shqiptarëve. Shqiptarët në përgjithësi, janë mirënjohës ndaj angazhimeve të vazhdueshme të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë si dhe të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo në Ballkan. Gjatë këtyre 20-vjetëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë luajtur rolin kyç në mbrojtje të interesave shqiptare në Ballkan dhe në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike në Mars të vitit 1991 dhe ri-hapja e ambasadës amerikane në Tiranë, Tetorin e këtij viti, përbëjnë një fillim të ri në marrëdhëniet midis dy kombeve, dhe të zhvillimeve demokratike në Shqipëri si dhe në trojet shqiptare-marrëdhënie këto që vlerësohen shumë nga ana e Uashingtonit, dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë evropian.

Saturday, September 24, 2011

Tri surprizat e vjeshtës së Çiljetës


Nëse mendoni se pas impenjimeve të shumta të verës Çiljeta Xhilaga po bën pak pushim, gaboheni. Pasi e ka përshkuar bregdetin shqiptar nga Veriu në Jug me koncerte, pasi ka realizuar klipin e këngës “Sonte më dhemb zemra”, tani është momenti për plane të reja, por edhe për një program serioz dobësimi në mënyrë që të ruajë statusin e veçantë të një femre seks simbol. Ju rrëfejmë axhendën e re të Çiljetës, ku nuk bën pjesë kënga, por filmi.
Aktore në një film me kast aktorësh italianë dhe shqiptarë
Nuk e ka për herë të parë, sepse e ka provuar prej shumë vitesh në filmin “Ishte kohë për dashuri”. Me një rol të vogël në një projekt shumë të suskeshëm të Ylli Pepos, Çiljeta në la të kuptojmë se synon edhe botën e kinematografisë. Gjithsesi, nuk pamë ndonjë rol të saj në filmat e mëpasmë. Por, me sa duket, tani ka ardhur koha. Sipas disa burimeve tona, kemi mësuar se Çiljetës i është ofruar një rol i rëndësishëm në një film, i cili do të realizohet në Itali me protagonistë jo vetëm aktorë shqiptarë, por edhe emra të rëndësishëm të kinematografisë italiane. E pyetur nga gazeta për të mësuar më shumë detaje, Çiljeta na tregon se nuk ka ende diçka konktrete për të na thënë, por sapo të jetë marrë vendimi përfundimtar, do të në rrëfejë gjithçka.
Një maratonë kompeticioni me performanca liveKy është një tjetër angazhim i këngëtares. Mësohet se në një nga programet e rëndësishme të televizioneve tona, Çiljeta është thirrur për t’u bërë pjesë e një konkursi mes këngëtarësh. Kemi mësuar se do të jenë dhjetë këngëtarë shumë të njohur dhe ekspertë në të kënduarit live, ndërkohë që autori i programit ka preferuar që pjesë të këtij kompetizioni të ketë edhe Çiljetën. Duke qenë e njohur si këngëtare komerciale, ku pjesa vizive është aq e rëndësishme, saqë duket sikur muzika dhe të kënduarit del në plan të dytë, me sa duket kësaj here do kemi surpriza. Çiljeta do të këndojë live, si për të na thënë se ne jemi gabuar që nuk e kemi marrë serizisht zërin e saj. Mësohet se ajo nuk do të këndojë repertorin e saj, por këngë të njohura të emrave të mëdhenj të muzikës botërore, gjë që e vështirëson edhe më shumë këtë kompeticion. Të shohim nëse do t’ia dalë. Por, po të kemi parasysh rezultatin shumë të mirë që mori tek “Dancing”, duke u renditur e dyta, ne kemi mundur të zbulojmë një anë tjetër të Çiljetës, atë që kur merr përsipër diçka, do ta bëjë atë perfekt. Ne kemi besim që do jetë po kaq ambicioze edhe në këtë kompeticion.
Një duet me DJ Blunt për të qenë në trendNdërkohë që muaj më parë u fol për një duet të Çilejtës me Noizyn, në fakt mësojmë se ajo me të vërtetë do të realizojë një duet, jo me Noizyn por me Dj Blunt. Kënga është pothuajse gati dhe po bëhen përgatitjet e prezantimit të saj me një klip. Ndërkohë, Çiljeta këtë vit nuk do marrë pjesë tek festivali “Kënga Magjike”, pa lënë mënjanë këngët e reja, të cilat nuk do të jenë të pakta.
Gjashtë kilogramë më pak për të surprizuar AleksinAjo e ka thënë vetë që është natyrë dembele por, nëse do e shihni Çiljetën në palestër, do kuptoni se po iu fut një pune, mund të bëjë çudira. Formën e mirë fizike që e fitoi tek “Dancing”, ka vendosur ta mbajë, por pse jo edhe ta përsosë. Tashmë ajo ka hequr plot gjashtë kilogramë dhe ka si qëllim që krahas dobësimit, të tonifikohet e të bëhet me muskuj. Kështu do të mund t’i bëjë një surprizë të dashurit të saj Aleksandrit, që jeton larg dhe që ka një formë fizike shumë të mirë, sepse është mjaft i apasionuar pas palestrës. Natyrisht që jo vetëm Aleksandri, por edhe ne e mirëpresim çdo ndryshim për mirë në pamjen e Çiljetes

Tri surprizat e vjeshtës së Çiljetës


Wednesday, September 21, 2011

Arvizu: “Pas 21 janarit ka pasur celulë anti-amerikane”


AMBASADORI I SHBA, ALEKSANDER ARVIZU (MAJTAS) NGA PROTESTAT E 21 JANARIT

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, ka zbuluar dje për herë të parë se pas 21 janarit ka ekzistuar një celulë anti-amerikane në Tiranë, me drejtues dhe mbështetje biznesi. Gjatë një interviste për emisionin “Tonight” të Ilva Tares në “Ora News”, Arvizu ka folur edhe për ngjarjet e 21 janarit, projektligjin e SHISH si dhe sjelljen e maxhorancës dhe opozitës.
Sipas disa zërave, qeveria shqiptare nuk gëzon besim te anëtarët e NATO-s përsa i përket informacionit konfidencial. Sipas këtyre zërave, SHBA janë të shqetësuara për reformat e propozuara për inteligjencën dhe antispiunazhin. Është e vërtetë kjo?
Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë, ne nuk komentojmë, ndërsa për këtë çështje do të thosha se nuk jam i njohur me këtë raport.
Ju jeni i njohur me propozimin e qeverisë për të ndryshuar ligjin e SHISH-it. Si është bashkëpunimi juaj me SHISH-in?
Më duhet të mos bie dakord plotësisht, pasi bashkëpunimi me SHISH-in është i shkëlqyer. Në shumë mënyra, përsa u përket aftësive, SHISH përballet me të njëjtat kufizime që shumë prej institucioneve të tjera përballen sa i përket trajnimit, pajisjeve, personelit etj. Bashkëpunimi i përditshëm me SHISH-in është i shkëlqyer, zoti Shaqiri është një drejtor i shkëlqyer. Do të shpresoja që nëse nivelet e ndryshme të bashkëpunimit me agjenci të tjera do të ishin në të njëjtin nivel me atë të SHISH-it, do të isha shumë i kënaqur.
Ka nevojë të reformohet SHISH?
Kam dëgjuar për drafte të ndryshme, versione të ndryshme. Disa njerëz, madje, e kanë mohuar. Nuk është mirë të komentosh për një projektligj të cilin ende nuk e ke parë. E shikoj SHISH-in si një partner të vlefshëm të SHBA dhe çdo gjë që mund të forcojë rolin e tij si një institucion të pavarur është diçka që unë do të bija dakord.
A keni të njëjtën pritshmëri dhe sugjerime për selinë blu?
PD-ja ka ide, ka platformë, por ka mungesë kredibiliteti. Le të flasim për luftën ndaj korrupsionit, ose për sundimin e ligjit. Nuk ka dyshim që zoti Berisha dhe anëtarë të qeverisë së tij kanë sjellë propozime konkrete për të luftuar korrupsionin. Ai flet shpesh për këtë. Ai mund ta shpjegojë edhe më mirë se unë këtë punë. Nëse flasim për njerëzit, nëse ata janë blu apo rozë dhe do të flisnim për korrupsionin, a po përmirësohet, po përkeqësohet, apo qëndron i njëjtë? Ajo që thonë njerëzit është se nuk ka përparim, njerëzit thonë që qeveria po përpiqet, shumë mendojnë se situata është e njëjtë apo po përkeqësohet. Këshilla ime për qeverinë është që duhet të ketë një përpjekje më të konsiderueshme për të luftuar korrupsionin.
PS ka shprehur keqardhje për ndryshimet kushtetuese dhe ka kërkuar ndryshime riparuese. Cili është qëndrimi juaj?
Kur flasim për ndryshime kushtetuese, ato duhet të jenë të hapura, nuk duhet të ketë tabu përsa i përket të folurit për Kushtetutën. Kushtetuta e SHBA është amenduar në një numër shumë të kufizuar, 27 apo 28 herë. Sa u përket diskutimeve mbi reformën kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor, duhet të ndodhin në mjedis të hapur, në televizion, në shtyp.
Vitin tjetër do të kemi zgjedhjen e Presidentit të ri apo atij aktual. Mendoni se do të ketë një president konsensual me 84 vota?
Të dyja palët duhet ta diskutojnë një President konsensual. Nëse debati do të kthehet dhe do të marrë një kthesë çështja e Presidentit konsensual, kjo do të sillte një krizë në vetvete. Është mirë të ketë një marrëveshje që të lehtësohet tensioni. Nuk e kam përgjigjen për këtë. Është një gjë që u përket partive. Ajo që shqiptarët duan në rolin e Presidentit është se ata nuk duan dy burra që të zihen me njëri-tjetrin, por nuk duan dhe një figurë që aprovon dhe firmos atë që thotë pala tjetër. Të pasurit e Kryeministrit dhe Presidentit është një koncept shumë i mirë për Shqipërinë. Njerëzit duhet të kuptojnë se cila është mënyra që kjo të funksionojë.
Mund t’ju pyes se ç’mendim keni për Berishën si burrë shteti?
Nëse do të kishte një figurë dominuese politike gjatë 20 viteve të fundit, do të thosha se janë dy persona shumë të qartë, nr. 1 dhe nr. 2. Numri 2 është Fatos Nano, ndërsa numri 1 është zoti Sali Berisha, sepse ka pasur shumë politikanë të mirë, ata që janë shfaqur në skenë në vitet ‘90. Zoti Berisha është një person që ka ditur të mbijetojë politikisht në këto 20 vjet, ka qenë me të vërtetë një politikan i jashtëzakonshëm, ka qenë në pushtetin më të lartë, e ka humbur plotësisht këtë pushtet dhe ka ditur të rikthehet. Ai ka ndryshuar shumë nga ai i fillimit të viteve ’90. Njerëzit mund të emocionohen, të nxitohen, në një shoqëri demokratike kjo është pjesë e lojës dhe duhet të pranohen si një pjesë normale e diskursit politik.
Çfarë mendimi keni për kreun e opozitës, zotin Rama?
Mendoj se zoti Rama është një individ vërtet shumë tërheqës, mahnitës. Kam shpenzuar orë të tëra me të  dhe gjatë kësaj jave do të darkoj me të. Një gjë që do të dojë të thotë se ai nuk është politikan, por është artist. Ai ka pasur një karrierë fantastike, ai ka ndarë me mua disa prej historive të tij, për vitet në Francë, për pasionin e tij si artist, sepse i përket një brezi të ndryshëm nga zoti Berisha dhe Nano. Ai më ka treguar se si puna e tij e parë në administratën publike ka qenë si ministër i Kulturës ka qenë shumë popullor. Ka qenë zgjedhur tri herë si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte kaq ngushtë në rezultat për t’u zgjedhur për herë të katërt. Është një njeri karizmatik dhe është një politikan i jashtëzakonshëm.
Ju pëlqejnë editorialet e tij?
Disa më kanë pëlqyer se sa të tjerët, por pjesa më e madhe më ka pëlqyer.
Si i vlerësoni sulmet ndaj funksionarëve të lartë që mbrohen nga Kushtetuta nga ana e politikanëve dhe maxhoranacës aktuale?
Ndihem i trishtuar dhe i zhgënjyer se ka shumë artificialitet për të gjithë konceptin e krizës politike. Gjatë verës kam shkuar shumë herë në plazh dhe shumë herë kam parë anëtarë të të dyja kampeve politike duke pirë, ngrënë apo tymosur së bashku. Unë u kam thënë se kisha përshtypjen se ju nuk flisnit me njëri-tjetrin. Të jemi të sinqertë. Duket sikur ka një lloj teatraliteti dhe sikur po bëjnë një farë loje mes tyre. Është një opinion-shkruajtës shumë i mirë zoti Fatos Lubonja, të cilin unë e pëlqej shumë. Disa njerëz mendojnë se është i mrekullueshëm, disa të tjetër thonë: “Oh ky!”. Mendoj se njerëzit duhet të lexojnë disa prej shkrimeve që ai ka shkruar. Ai është shumë kritikues ndaj të dyja palëve që janë përfshirë në këtë lojë që duket si konkurs mes dy bandave që janë duke injoruar nevojat e njerëzve.
Le të kthehemi tek 21 janari. Në datën 22 janar ju keni bërë një deklaratë për këtë ngjarje. Tani, pas 8 muajsh, mund të na thoni se e kujt është përgjegjësia për protestën e 21 janarit?
Ju përmendni një ditë që e ka shumë të vështirë që e ka ndjekur. Ka pasur katër të vrarë dhe shumë persona të plagosur, policë që janë rrahur, ka pasur dhe protestues që janë rrahur nga policia pas demonstratës. Kanë kaluar 8 muaj dhe njerëzit pyesin se çfarë po ngjet. Ajo që unë dua të shoh një ditë është që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të njoftojë për publikun individët që do të akuzohen për x gjë, p.sh. për vrasjet e kryera nga pakujdesia, apo përdorimit të forcës. Këta persona do të akuzohen për vrasjen e 4 personave. Së dyti, zyra e Prokurorit njofton se në bazë të të dhënave, provave që janë mbledhur gjatë hetimit që këta individë x, y, z janë persona të cilët do të mbajnë përgjegjësi sepse kanë penguar hetimin, kanë fshehur prova, nuk kanë lejuar që hetuesit të zbulojnë të vërtetën lidhur me atë që ka ngjarë dhe së treti, Prokurori i Përgjithshëm njofton se akuza penale do të ngrihen për individët x, y, z, sepse kanë organizuar, planifikuan dhe kryen një demonstratë të dhunshme që është hartuar në mënyrë që të merrnin një reagim të ashpër nga ana e qeverisë. Dhe, mbi këtë bazë, Prokuroria do të kërkonte imunitetin e këtyre individëve e të mund të vazhdonte hetimin. Kjo është ajo që unë pres të ndodhë.
Cili ishte ai grusht njerëzish që kishin një axhendë të organizonin atë ngjarje, sipas jush?
Është tejet e qartë që ka pasur një grup njerëzish që kanë organizuar këtë demonstratë, që ajo të shndërrohej në këtë mënyrë. Nuk bëhet fjalë thjesht për përgjegjësi të asaj apo kësaj, por fakti është që 4 persona janë vrarë, kështu që këta persona janë vrarë nga persona të sigurisë. Ne kemi dërguar ekspertë nga FBI, ekspertë të kriminalistikës, janë shpenzuar shumë para, në mënyrë që të shikohen provat. Të gjithë e dinë që kjo ishte një protestë aspak e ngjashme me ato që janë zhvilluar këtu ndonjëherë. Pse ka ngjarë kjo?! Kjo duhet të jetë pjesë e hetimit. Në fazat e para kanë ardhur provokime nga turma njerëzish. Nëse ka ndodhur ndryshe, të dalë dikush e të më thotë të kundërtën, sepse unë nuk e kam parë këtë. Kam parë policinë me tymhedhëse, me mjete të pakta. Situata u përkeqësua. Deri në atë pikë, në bazë të asaj që unë kam parë, përgjigjja e Policisë ka qenë e mirë, duke parë rrethanat. Policia e Shtetit shqiptar nuk është e mirëpajisur, sepse në këto rrethana, nëse do të kisha qenë polic, do të isha larguar menjëherë. Nëse dikush do më kishte gjuajtur, do ta kisha kapur atë person.
Zoti ambasador, analistë të ndryshëm kanë shfaqur ndonjëherë për herë të parë një rritje të ndjenjës së antiamerikanizmit, sidomos për deklarimet tuaja pas ngjarjeve të 21 Janarit. Nga ajo që u zbulua nga Ëikiliks, duket se e kanë qetësuar këtë ndjenjë antiamerikane. Cili është komenti juaj për këtë?
Mendoj se po bëhet fjalë për dy fenomene të ndryshme. I pari ka lidhje me kriticizmin ndaj ShBA-së dhe i dyti është antiamerikanizmi. Të flasim për kriticizmin, dhe mendoj se është e rëndësishme dhe madje të gjithë e kuptojmë që është në rregull të kritikosh ShBA-në. Njerëzit duhet të jenë kritikë. Për kriticizmin ndihem mjaft komod, por mendoj gjithashtu që është ndihmues, mesa ai ndihmon. Le të flasim për katër komentatorët, shkrimet e të cilëve unë përpiqem t’i lexoj, për shembull Andi Bushati, Andrea Stefani, Mustafa Nano dhe Skënder Minxhozi. Mendoj që të katër ata janë miq të ShBA-së, sigurisht janë miq të mi, por të katër kanë shkruar gjëra që kanë qenë kritike, madje dhe për mua personalisht. Me Skënder Minxhozin kemi diskutuar disa herë dhe kemi rënë dakord që të mos biem dakord. Le të flasim për antiamerikanizmin. Në vende si Shqipëria njerëzit janë gati 96 për qind proamerikanë, 4 % mund të mos jenë dakord, por kjo është tjetër gjë, ndërsa ne po flasim për një gjë krejt tjetër. Më lejoni të përmend një komentues tjetër, Artur Zheji, dhe e di se disa nga shikuesit tuaj do thonë, oh Artur Zheji. Ai është dhe një opionionshkrues, shkrimet e të cilit unë i lexoj. Në prill ai ka shkruar një artikull dhe që quhej “Antiamerikanizmi i porositur”. Dhe ai ka shpjeguar një fenomen që për mua është shumë i qartë dhe që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri. Pra, ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik. Por gjithashtu në një shoqëri demokratike, unë e pranoj këtë. Por unë mendoj që kjo gjë nuk drejton siç duhet, nëse shkon kështu. Megjithatë flasim për njerëzit në Amerikë dhe ata thonë që çfarë lidhje ka kjo me këtë? Ky është një aktivitet i drejtuar, i orientuar, nuk është diçka organike. Është diçka për të cilën paguhet, është diçka që është e skicuar e hartuar në këtë formë. Ka një plan dhe të gjitha veprimet që ndërmerren për ta realizuar. Kështu që mendoj se është e rëndësishme për ta dalluar, për ta kuptuar për atë që është. Ne e dimë se ç’po ngjet këtu.
E dini dhe se kush e organizon?
Mendoj që po.
Mund ta bëni publik?
Jo. Mendoj që të gjithë teleshikuesit e dinë, madje njerëzit që e bëjnë këtë e dinë.
Po i paralajmëroni?
Mendoj se ata e dinë.
ILVA TARE

Gazetarja Rudina Xhunga i jep fund beqarisë, fejohet me diplomatin Dritan Hila


Gazetarja Rudina Xhunga. Majtas, Dritan Hila


Ajo që na bën të ngulemi para ekraneve dhe të ndjekim orë të tëra debatesh, që nga ato dhëmbë për dhëmbë në politikë e deri tek romanet, kësaj here e ka vështirë të flasë.Nuk do të donte të fliste për veten, edhe pse ajo e di shumë mirë që nuk mund t’u shpëtojë ngacmimeve të gazetarëve. Fundja, lajmi tashmë është dhënë. Ishin lulet e mbërritura “tradhtaret” që shpërndanë lajmin fillimisht në Top Channel e pastaj… Rudina Xhunga, një nga ikonat e gazetarisë televizive në Shqipëri, i ka dhënë fund beqarisë. Ditën e diel, në një ceremoni të vogël, familjare, gazetarja ka kryer ritin tradicional të fejesës. Po kush është fatlumi?! Quhet Dritan Hila dhe nuk është i panjohur për publikun shqiptar. Fillimisht një diplomat i rezervuar, ish-punonjës në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më pas analist për çështjet ndërkombëtare, emri i Hilës do të lakohej shpesh kohëve të fundit në ekrane të ndryshme televizive, apo edhe opinione e analiza në faqet e të përditshmeve shqiptare. Presim të na e thotë vetë Rudina, nëse njohja e tyre ka lindur pikërisht në studiot televizive, gjatë debateve në emisionin “Shqip”, në Top Channel, apo diku tjetër. Gjithsesi, lajmi i madh është fejesa, e cila siç edhe dihet, do të sjellë një tjetër rrjedhë në jetën e gazetares dhe moderatores televizive, e cila e ka nisur rrugën e gazetarisë qysh prej vitit 1994, së pari në faqet e të përditshmeve të kohës. Por duket se dashuria e madhe do të ishte televizioni dhe madje fronti më i egër, ai i debateve social-politike. Deri në vitin 2002 ka drejtuar emisionin politik “Dritare” në TVSH, kohë prej së cilës u shfaq në ekranin e Top Channel, ku drejton emisionin “Shqip”. Është autore e tre librave (“Të dua për sfond”, “Preja e një martese të lodhur”, “Sikur Ana”) dhe adhuron të flasë për letërsinë. E kontaktuar vetëm pak para se të hynte në emision, Rudina Xhunga preferoi të mos fliste shpejt e shpejt për këtë ngjarje të jetës së saj, por na premtoi se do të na rrëfejë gjerë e gjatë në një intervistë.
ANI JAUPAJ

Edi Martini: Josa e ka të vështirë, Vllaznia as në vend të tretë Superliga,

:11

Nga GJERGJ KOLA
Ish-trajneri dhe ish-sulmuesi shkodran analizon situatën te kuqeblutë dhe është paksa pesimist sa i përket këtij sezoni
Ka qenë vetë trajner i Vllaznisë jo shumë kohë më parë, një vit e gjysmë. Edi Martini, duke e njohur mirë situatën, ambIentin dhe elementin që ka aktualisht kjo skuadër, e konsideron të vështirë të ardhmen e kuqebluve në këtë sezon. Madje ai është pak pesimist për zënien e një vendi të tretë apo të katërt, siç pretendojnë drejtuesit e klubit. Duke folur në lidhje me Vllazninë, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kësaj skuadre, do të thoshte:
“Ndoshta nuk është fjala e gjetur që jam pesimist për të ardhmen e Vllaznisë së këtij sezoni, por mendoj se kjo skuadër do ta ketë të vështirë të shkojë dhe të arrijë ato objektiva që drejtuesit e klubit mund të kenë. Kam dëgjuar që ata pretendojnë një vend të tretë apo të katërt, por unë e shoh të vështirë këtë gjë.
Duam apo s’duam ta pranojmë, Vllaznia e këtij sezoni është shumë më e dobët sesa ajo e sezonit të kaluar. Vërtet edhe skuadrat e tjera janë në këtë gjendje, por unë dua të ndalem te Vllaznia, që e njoh mirë. Janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm. Ka ardhur mbrojtësi Petroviç, që mendoj se ka ardhur në vendin e gabuar. Ndoshta është herët të dal në një mendim të tillë, ngaqë mund të mos jetë ambientuar, por nga sa shoh, ai nuk ka ndonjë cilësi të veçantë dhe, për më tepër, është paguar shumë shtrenjtë.
Mirë ai, por është gabuar edhe me Muçën. Ky është një djalë i ri, ka të dhëna të mira, por ai do ta arrijë formën e tij më të mirë në fund të sezonit. Pikërisht atëherë kur atij do t’i mbarojë kontratën dhe do t’i shkojë i gatshëm sërish Tiranës. Ky është një gabim për drejtuesit e Vllaznisë, që firmosin kontratë njëvjeçare me këtë djalë, ndërkohë që dy shkodranët Lika dhe Bala, janë “të burgosur” te Tirana me kontrata trevjeçare dhe nuk mund t’i marrim.”
Për Josën Analiza e tij është e hollë, rreh aty ku duhet, por ndërkohë është vetë trajner dhe, si i tillë, kërkon t’i dalë në krah Josës, trajnerit aktual të kuqebluve. I pyetur nëse Josa është më pak nën presion tashmë që presidenca është jo më në dorën e një individi, por e drejtuesve të bashkisë, Martini është përgjigjur: “Josa apo çdo trajner tjetër që ka për të qenë në krye të Vllaznisë, nuk ka për të qenë kurrë i qetë. As në kushtet kur klubi drejtohet nga bashkia.
Edhe drejtuesit e këtij institucioni e kanë të qartë kërkesën e llogarisë, edhe ata e dinë kur duhet fituar një ndeshje. Përveç kësaj, trajneri vetvetiu është në presion nisur nga profesioni që ka. Një ndërrim i gabuar, një skemë e gabuar, një veprim i gabuar, sado i vogël qoftë dhe sulmet janë gati. Pastaj vetë Josa ka thënë që në pankinë ka vetëm lojtarë të rinj. Nuk do jetë aspak e lehtë për të.
Nuk mund të mbështetet 100 për qind te lojtarët e rinj Vllaznia, sepse kështu ndoshta do të binim edhe nga kategoria. Pastaj llogarit se çfarë shqetësimi do të ketë trajneri, nëse fjala vjen, mungon Sykaj në ndonjë ndeshje apo dhe ndonjë lojtar tjetër titullar. Vllaznia pati mundësinë të marrë 2-3 lojtarë të saj, si Krajën, Hotin e Kaçin, që ishin të lire, dhe nuk i mori. Të paktën për në stol do t’i nevojiteshin shumë me përvojën që kanë. Duke i menduar të gjitha këto, unë e shoh të vështirë këtë kampionat për skuadrën shkodrane.”

Tuesday, September 20, 2011

Nga vizita e përfaqësuesit të familjes Jashari në Michigan !(VIDEO…)

Alban PREDELECI Këto ditë Murat Jashari pati një vizitë në shtetin e Michiganit,ku u prit nga përfaqesues të komuniteteve fetare dhe shqiptar me banim të perhershem në këtë shtet. Pastaj me ftese të Gjok Martinit,aktivist i komunitetit shqiptar në këtë vënd kaloj një darke miqesorë dhe pune me malësor dhe përfaqesues nga biznesi shqiptar në Michigan.

Sunday, September 18, 2011

Për kokën e Edi Ramës,një natë e frikshme nga Zogaj e Frroku.(VIDEO…)

Alban PREDELECI Emisioni “Opinion” i Fevziut në TV Klan që në mes të ftuarve te tjerë ishin dhe Frrok Çupi dhe Prëç Zogaj,mund të mbahet mënd gjatë,për arsye të antivlerave në nivelet më të ulta intelektuale që shpalosen para publikut dy njerzit e pënës; Frrok Çupi dhe Prëç Zogaj. Për një cope karrige,një rroge apo për një prezence në TV shqiptare,nuk mund të ulen aq poshte njerzit e letrave,ata që pretendojnë se do tu “japin mënd” të tjerve. Atëhere vriten pak njërëz në Shqiperi,kurë ata që jane më afer se askush në parlament,në qeveri,pranë selive të partive më të medha (bile edhe i shkembejnë në mënyrë alternative) përdorin një fjalor të tillë që sikurë të mos e kisha pa atë natë “Opinionin” nuk do i zija besë asnjeriu. Për “kokën e Edi Rames” ulin aq poshtë personalitetin e tyre!! Njëri nga të pranishmit i tha Blendit se nuk ke se çfarë pyet ;se a ka ndryshua apo jo Edi Rama,pasi kemi pasqyren sonte ketu. Duke pase një konsideratë për të dy ,Prëçin e Frrokun do u bëja apel të cilet se bashku me Paulinin,Tomën e Nardin ,të mos bahen padashje vegla të politikave qorre shqiptare !!!!!! Ndiqeni videon. A ka ba mirë Blendi Fevziu që të lejoj deri në atë mase të degjeneroj konflikti apo jo ? Ata që do ta shohin le ta gjykojnë vete