Thursday, February 17, 2011

Numerologjia e karrierës politike të Erion Veliajt

Nga Kastriot MYFTARAJ

Erion Veliaj, në rrethe shumë të ngushta ka filluar të shprehë mendimin se një fatalitet numerologjik e bën atë të jetë pasardhësi i Edi Ramës në krye të PS. Sipas kalkulusit të Erion Veliajt, ai gjendet në raport me Edi Ramën, ashtu siç ishte Edi Rama

në raport me Fatos Nanon. Kështu, Fatos Nano qëndroi në krye të PS për 14 vite (1991-2005). Kur Edi Rama e zëvendësoi Fatos Nanon në krye të PS, në 2005, Edi Rama ishte 41 vjeç. Kur Edi Rama të mbushë 14 vjet në postin e kryetarit të PS, në vitin 2019, Erion Veliaj, i cili ka lindur në 1979, do të jetë 40 vjeç, pra vetëm pak më i vogël se Edi Rama në 2005, çka Erioni e shikon si paradhënie që i jep fati.
Koincidencat numerologjike e inkurajojnë edhe më tepër Erionin. Fatos Nano i fitoi zgjedhjet parlamentare në vitin 1997, gjashtë vite pasi u bë kryetar i PS. Sipas kësaj, del se Edi Rama, duhet t’ i fitojë zgjedhjet në 2011, se në këtë vit mbushen gjashtë vite qëkurse ai është bërë kryetar. Pastaj, Edi Rama do të bëhet kryeministër ashtu si Nano në 1997, dhe PS do të rrijë tetë vite në pushtet deri në 2019, kur PS-së i mbaron mandati i dytë parlamentar, ashtu si në 2005. Më tutje, në kalkulusin e Erionit, Edi Ramës i duhet që të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PS-së pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2019, çka do ta çojë Erionin në karrigen e kryetarit të PS-së. Nëse zgjedhjet parlamentare nuk mbahen në vitin 2011, por në 2012, Erioni mendon se përsëri nuk është keq, se pas dy mandatesh të PS-së në pushtet, në 2020, Erioni do të jetë 41 vjeç, pra fiks sa ç’ ishte Rama në 2005. Madje, meqënëse Rama ka lindur në korrik dhe Erioni në dhjetor, ky i fundit mendon se ka më tepër hapësirë për kombinacione numerologjike me moshën e vet.
Për Erionin problemi kryesor është se PS duhet t’ i humbë patjetër zgjedhjet e treta parlamentare në radhë pas zgjedhjeve të ardhshme, duke e llogaritur të sigurt që zgjedhjet e ardhshme parlamentare i fiton PS. Nëse PS fiton tre zgjedhje parlamentare rresht, Erionit i prishet krejt llogaria, kurdo që të mbahen zgjedhjet e para parlamentare, këtë vit, vitin tjetër, apo në 2013. Se kështu i bie që Edi Rama të qëndrojë kryeministër deri në 2023, 2024, apo 2025, kur Erioni do të jetë përkatësisht 44, 45, 46 vjeç. Këtu prishet jo vetëm numerologjia, por edhe çdo shans i arsyeshëm për t’ u bërë pasardhës i Edi Ramës, se ndërkombëtarët, për shkak të postulatit të tyre të shkëputjes së liderëve nga periudha e politikës konfliktuale, e cila tashmë u duk se përfshin jo vetëm vitet 1997-1998 por edhe vitin 2011, zëvendësuesin e ardhshëm të Edi Ramës, kurdo që të vijë do ta kërkojnë të tillë që të mos i ketë më tepër se 40-41 vjeç, sa Edi Rama në 2005. Erioni e di mirë këtë gjë.
Erioni, me të ardhur në Shqipëri në vitin 2002, punoi fort që PS e drejtuar nga Nano t’ i humbte zgjedhjet parlamentare të radhës, në vitin 2005, ku PS kërkonte fitoren e tretë radhazi. Atëherë Erioni bëri virusin politik kundër qeverisë socialiste të Nanos. Tashmë Erioni ka një agjendë afatgjatë për të bërë virusin politik kundër qeverisë së ardhshme socialiste, në mënyrë që të mos e lejojë PS-në të fitojë tre zgjedhje parlamentare radhazi. Kështu largohet Rama nga drejtimi i PS-së dhe i hapet rruga Erionit dhe jo ndonjë tjetri.
Për Erionin, problemi imediat është se ku do ta kalojë ai periudhën midis zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe zgjedhjeve parlamentare të treta në radhë, që prej zgjedhjeve të ardhshme. Erionit do t’ i bënte shumë komoditet sikur këtë periudhë ta kalonte në krye të Bashkisë së Tiranës, se kështu do të krijonte bazën e vet personale të fuqisë, ashtu si Edi Rama në vitet 2000-2005. Prandaj Erioni lobon, siç i pëlqen të shprehet, tek plaku Soros që ky të ndërhyjë tek Edi Rama që ai të kandidojë Erionin në zgjedhjet e ardhshme vendore, si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Por këtu Erioni ka numerologjinë kundër se kur Edi Rama kandidoi për kryetar Bashkie në vitin 2000, ai ishte 36 vjeç, ndërsa Erioni në 2011 nuk i ka më tepër se 32 vjeç, madje edhe këtë moshë e mbush në dhjetor, ndërsa zgjedhjet, në çdo rast, janë më herët.
Nëse Erioni i qëndron numerologjisë së tij, ai mund të kandidojë për kryetar të Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, kur do të jetë 36 vjeç. Po ku do të qëndrojë Erioni deri në 2015? Nëse i qëndrojmë kalkulusit të Erionit ai duhet të presë në ndonjë karrige ministri. Por këtu ngatërrohet disi llogaria për Erionin se Edi Rama u bë ministër në vitin 1998, në moshën 34 vjeç. Erioni do të arrijë moshën 34 vjeç në vitin 2013. Në vitin 2013 i takon që të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare, çka do të thotë se Erioni i sjell mbrapshti PS-së. Por gjërat rregullohen lehtë nëse PS vjen në pushtet në 2011 apo në 2012, mjaft që Erioni të pranojë që të mos bëhet ministër deri në vitin 2013.
Këtu Erioni është në dilemë mes kalkulusit të vet numerologjik dhe politikës reale, se nëse ai nuk bëhet ministër që me dorën e parë, nëse ka zgjedhje të parakohshme, atëherë me siguri që do t’ i thonë që më mirë të presë vitin 2015 kur do të kandidojë për kryetar të Bashkisë. Kështu që kalkulusi numerologjik i Erionit është në konflikt interesi me interesin e PS-së për zgjedhje të parakohshme.
Erion Veliajt nuk i del mirë llogaria vetëm në një gjë, në Horoskopin Kinez, që është pasioni i tij që nga koha kur ishte në Amerikë për studime dhe ku pati një shok dhome kinez. Që nga koha që Erioni shkoi në Amerikë dhe në vazhdim kur u kthye në Shqipëri në krye të “Mjaft”, atij i eci mirë me Horoskopin kinez. Që atëherë, Horoskopi kinez u bë pasioni i tij sekret, të cilin e ndan me fare pak njerëz të besuar.
Erioni ka lindur në 1979 që është Viti i Deles, sipas Horoskopit Kinez. Gjërat filluan të ngatërrohen në vitin 2009, i cili sipas Horoskopit kinez ishte viti i kaut. Në këtë vit Erioni doli në zgjedhjet parlamentare si kryetar partie, dhe megjithëse socialistët kanë bindjen se nëse hapen kutitë e votimit do të zbulohet se e majta ka më shumë vota, asnjëri prej tyre nuk beson se partia e Erionit ka më tepër vota në kuti se rezultati zyrtar. Si duket kombinimi i kaut me delen rezulton fatkeq në gjithçka tjetër përveç atyre party me meshkuj të veshur si femra, që Erioni u detyrua që ta pranonte botërisht se kishin ndodhur vërtet tek “Mjaft”.
Horoskopi kinez nuk paralajmëron asgjë të mirë as në duelin Veliaj-Rama. Sipas horoskopit kinez, Fatos Nano dhe Edi Rama kishin lindur në të njëjtën shenjë në horoskopin kinez, në Vitin e Dragonit, se si viti 1952 kur ka lindur Nano, ashtu dhe viti 1964 kur ka lindur Rama, është Viti i Dragonit sipas horoskopit kinez. Pra, dueli Nano-Rama ishte një duel dragonësh, i cili u nda në vitin 2005, që sipas Horoskopit kinez ishte viti i Gjelit të Kuq. Një ndër dy dragonët e PS-së do të bënte gjelin e vetëm që do të këndonte në parti dhe si i tillë mbeti Rama.
Në rastin Rama-Veliaj, lufta mes deles dhe dragonit nuk është e vështirë që të parashikohet. Viti 2011, sipas Horoskopit kinez është Viti i Lepurit. Kur ka një konflikt mes Dragonit dhe Deles, i pari nuk ka kundërshtim që delja të bëjë edhe lepurin, rol që Erioni mund ta bëjë edhe në pozicionin që është sot. Për fatin e keq të Erionit, viti 2019 do të jetë Viti i Derrit sipas horoskopit kinez. Sipas supersticioneve të Erionit, të gjitha gjasat janë se karriera politike e Erion Veliajt ka marrë fund. Tekefundit, a mund të imagjinohet një Erion Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili me Lëvizjen “Mjaft” lufton kryeministrin Edi Rama? Edi Rama ka më shumë fantazi se Erioni dhe në çdo rast di sit a bëjë qesharak. E shumta që mund të arrijë Erioni është që të bëhet deputet i PS-së, dhe këtu do të jetë i lumtur nëse kur të arrijë moshën që ka Edi Rama sot, pra 46 vjeç, nuk do të jetë ish-deputet, por ende deputet. Edhe në këtë rast Horoskopi kinez nuk paralajmëron ndonjë gjë të mirë se viti 2025, kur Erioni do të jetë 46 vjeç, është viti i Gjarprit sipas Horoskopit kinez, dhe kombinimi i Deles me Gjarprin nuk është aspak inkurajues për delen.
Horoskopi kinez në këtë rast ndoshta thjesht paralajmëron, në një koincidencë ironike, se PS në prag të zgjedhjeve të vitit 2019, 2020, 2021, edhe sikur Erioni të ketë sukses, fakti që Erioni do të punojë fort në prapaskenë për humbjen e zgjedhjeve nga kjo parti, aq më tepër edhe për shkak se socialistët do të kenë në kujtesën historike të tyre atë që bëri Erioni për dy vjet e ca para zgjedhjeve të vitit 2005, në mos do ta dëbojnë fare nga partia, së paku as që do ta shkojnë ndërmend që ta bëjnë kryetar të PS-së.
Të gjitha këto duket se do të sjellin tek Erionin sëmundjen e hershme të politikanëve të rinj të PS-së, të cilët kanë më tepër ambicje se mbështetje në parti, pra bashkëpunimin sekret me PD, siç bëri Ilir Meta dikur. Kështu që Erioni pritet të përfundojë si një Ilir Metë i ri, në version të shfiguruar, se Ilir Meta pas bashkëpunimit të parë me Berishën, në vitet 1992-1996, u bë zëvendëskryeministër dhe kryeministër, ndërsa Erioni nuk pritet që ta ketë këtë fat. Kështu që Erion Veliaj do ta mbyllë karrierën politike, ose ashtu siç e filloi tek “Mjaft”, duke luftuar për rrëzimin e PS-së nga pushteti, ose si Ylli Manjani, si zëvendësministër në një qeveri të ardhshme të PD, kur kjo parti të rikthehet në pushtet. Ndoshta Erioni do të jetë zëvendësministër për komunitetin LGBT në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, dhe do të krenohet që e mbylli karrierën duke siguruar një shtesë në emrin e gjatë të kësaj ministrie. Natyrisht nëse Erioni nuk e kalon kohën gjyqeve, me pasionin e madh që ka për të bërë padi në gjykatë, me ç’ rast duket se së shpejti gjykata e Tiranës do të duhet që të krijojë seksionin gjyqësor të posaçëm me emrin “Veliaj”. Kështu Erioni do t’ u kushtojë shumë taksapaguesve shqiptarë për të cilët bën sikur rri natën pa gjumë, natyrisht me ndihmën e muzikës. Ndonëse Erioni nuk ka qenë kurrë në jetën e vet taksapagues se edhe ato paratë me të cilat ai paguan ndonjë taksë vendore, në fakt i paguan me para të marra nga ndërkombëtarët, të cilat i kontabilizohen shtetit shqiptar si asistencë teknike.
kastriotmyftaraj@sot.com.al

8 maji, Uollfarth: Partitë të përmbushin detyrat

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Uollfarth, është ndalur sërish në përgatitjet për zgjedhje lokale të 8 majit. Ku i ka bërë edhe një herë apel partive politike që të përmbushin detyrat për zgjedhjeve vendore të tetë majit. Në takimin e zhvilluar sot për projektin e adresave elektronike, ambasadori ka theksuar se sistemi modern i Ministrisë së Brendshme do të përdoret edhe për zgjedhjet. Ai tha se regjistri i gjendjes civile siguron të dhënat për kartat e reja të identitetit, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e qasjes së publikut në shërbime publike dhe private, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e transaksioneve dhe marrëdhënieve. “Dua të kujtoj që të dhënat e siguruara nga regjistri i gjendjes civile u përdorën edhe për listat e votuesve në zgjedhjet e kaluara, siç ishin zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat sipas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR për Vëzhgimin e Zgjedhjeve kishin përmirësim të dukshëm në krahasim me zgjedhje të mëparshme. Në 8 maj 2011 do të zhvillohen zgjedhjet e reja vendore. Modernizimi i regjistrit të gjendjes civile dhe sistemi i ri i adresave siguruan bazën për të pasur lista më të sakta votuesish. Ashtu si çdo nivel i administratës, edhe të gjitha partitë politike duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre në përgatitjet për ditën e Zgjedhjeve”, tha ai. Uollfath u shpreh se “qytetarët e këtij vendi meritojnë absolutisht asgjë më pak se kaq”. Në fjalën e tij ai është ndalur në aspektet teknike të adresave të reja duke theksuar rëndësinë që ka futja e elementëve të teknologjisë moderne. “Një tjetër arritje është fakti që 90% e njësive të qeverisjes vendore janë pajisur me sistemin elektronik të adresave. Pjesa e mbetur prej 10% është në fazën përfundimtare. Si rezultat, është mundësuar lidhja e 75% të popullsisë me sistemin e adresave. Është bërë një punë e madhe, por mbetet ende shumë për të bërë. Tashmë kemi të dhënat dhe ekzistojnë mundësitë teknike për t’i dhënë çdo qytetari një adresë individuale. Tani duhet vazhduar puna për lidhjen e të dhënave të regjistrit të gjendjes civile dhe sistemin e adresave – kështu që çdo qytetar të jetë në gjendje të tregojë ku banon”, tha Uollfarth.

Topalli-Dokle, debatet në seancë jashtë kamerave

Ndryshimet e rregullores së Kuvendit, ku përfshihet edhe iniciativa e maxhorancës për heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti, janë shoqëruar me debate të ashpra mes palëve. Nga ana e tyre, socialistët e quajtën këtë nismë të shumicës, si demagogjinë e radhës. “Barazimi i deputetëve të ndershëm me ata që u kërkohet imuniteti është i pavlerë. Nuk mund të krahasohen deputetët e ndershëm, qoftë nga PD qoftë nga PS, me ata të cilëve prokuroria u kërkon heqjen e imunitetit. Absolutisht t’u hiqen imunitetet, atyre që Prokuroria e kërkon! Nuk kemi asnjë ekuivok për këtë. Procedura për këtë është e përcaktuar ekskluzivisht.
Pse e bëni sot dhe për më tepër pse vetëm për njërin nga deputetët?! Ju digjet xhani për drejtësinë?! Aspak! Por si gjithmonë po përdorni demagogjinë! Po bëni lojën e të ndershmit”, deklaroi deputeti Namik Dokle. Por gjatë fjalës së tij ai është ndërprerë disa herë nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila pretendonte se Dokle po shkelte hapur rregulloren e Kuvendit. Më pas seanca ka pasur edhe momente tensioni, duke u ndërprerë për rreth 15 minuta pas protestave të socialistëve. “Gazeta Shqiptare” boton sot të plotë replikat Dokle-Topalli të bëra pa praninë e kamerave.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, mbaroi koha! Faleminderit! Z.Patosi ju lutem fjala juaj për të mbrojtur kërkesën tuaj!
NAMIK DOKLE
Po flas në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Më jepni fjalën ju lutem!
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, ju lutem zbatoni rregulloren! Z.Patozi keni të drejtën tuaj deri në 5 minuta. Rregullorja është rregullore.
NAMIK DOKLE
Pa lexoje njëherë rregulloren...
JOZEFINA TOPALLI
Neni 27, pika 4 e rregullores thotë: “Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura”. Z.Dokle, ju folët 5 minuta. Ju lutem z.Patozi keni të drejtën e 5 minutave tuaja për të mbrojtur kërkesën tuaj.
NAMIK DOKLE
O zonjë, lexoje mirë rregulloren!
JOZEFINA TOPALLI
Rregullorja është rregullore për Namik Doklen, për Astrit Patozin, për mua dhe për secilin prej jush. Rregullorja respektohet pikë për pikë. Gërmë për gërmë.
NAMIK DOKLE
Kur kam qenë kryetar Kuvendi, kurrë nuk ju kam ndërprerë fjalën sa herë keni folur në emër të grupit...kurrë. 100 herë e kërkonte fjalën Berisha. Kurrë s’i kam ndërprerë fjalën, as atij, as juve.
JOZEFINA TOPALLI
Unë po të lexoj rregulloren Z.Dokle, që ju keni qenë ish-kryetar Parlamenti. Ju e dini sa e rëndësishme është rregullorja. Faleminderit z.Dokle. Ju shfrytëzuat të drejtën tuaj për 5 minuta për të folur për rendin e ditës.
NAMIK DOKLE
Unë nuk lëviz prej këtu pa mbaruar fjalën.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle. ju keni qenë kryetar parlamenti. Nuk ka gjë më të rëndësishme sesa rregullorja. Respektoni rregulloren. Ju lutem lëruni të tjerëve të drejtën e fjalës.
NAMIK DOKLE
Ti fut në kalendar një nismë antikushtetuese për kufizim imuniteti për të futur deputetët në burg. Tani ti nuk na jep ne të drejtën e fjalës. Çfarë Parlamenti është ky? Çfarë demokracie është kjo zonja Topalli?
JOZEFINA TOPALLI
Rregullorja në nenin 27 thotë që “Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura”.
NAMIK DOKLE
Leri moj këto broçkulla ti. Mos më trego mua rregulloren
JOZEFINA TOPALLI
Në bazë të nenit 64, pika 2 ju tërheq vëmendjen z.Dokle. Ju lutem mos bllokoni foltoren. Ju lutem respektoni rregulloren që është e qartë, e prerë. Ju lutem zini vendin tuaj dhe leni vendin kryetarin e grupit parlamentar të marrë fjalën e tij dhe të mbrojë kërkesën e tij. Z.Dokle, ju falenderoj. Thatë shpjegimet tuaja. Ju keni të drejtë të jeni kundër ndryshimit të kalendarit dhe kryetari i grupit ka të drejtë të bëjë kërkesën e tij.
NAMIK DOKLE
O zonjë, je në terezi ti apo jo? Nuk lëviz unë prej këtu. Më jep fjalën...
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, në bazë të nenit 64, pika 2, ju tani keni vërejtje.
NAMIK DOKLE
Po më tremb tani?
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, një ish-kryetar parlamenti gjënë më të shëmtuar që mund të bëjë është që të tentojë të bllokojë seancë, të shkelë rregulloren dhe të mos pranojë respektimin e rregullores. Z.Dokle, respektoni nenin 27, pikën 4.
NAMIK DOKLE
A je në terezi ti apo jo? Më jep fjalën moj ti zonjë. Ti paske rrëshqit fare.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, keni vërejtje për herë të tretë dhe këto regjistrohen në procesverbal. Z.Dokle respektoni rregulloren. Mos tentoni të bllokoni Parlamentin dhe rendin e ditës së sotme. Do jenë seanca plenare që do votojë. Faleminderit z.Dokle. Unë mbas seancës plenare do mbledh Byronë për z.Dokle për shkelje të rregullores dhe tentativë për bllokim të seancës plenare, bazuar në nenin 65, pika 4 të rregullores.
NAMIK DOKLE
Moj zonjë, unë kam dhënë dorëheqjen nga kryetar Kuvendi për mbrojtjen e parlamentarizmit dhe respektimin e Kushtetutës dhe t’i më flet mua këtu si mësuese filloreje e edukatore kopshti e më tregon mua se do mbledhësh Byronë. Po kush je ti moj zonjë?
JOZEFINA TOPALLI
Po do mbledh Byronë për të gjykuar, për këtë sjellje të pahijshme, fyese që kërkon të bllokojë seancën plenare të Kuvendit nga z.Namik Dokle. Ju lutem z.Dokle lironi foltoren, respektoni nenin 27 të rregullores dhe rregulloren në tërësi. Z.Dokle, ti po bllokon Parlamentin në një mënyrë të pashembullt për një ish kryetar Parlamenti. Uluni dhe zini vendin e mos bllokoni Parlamentin. E paparë në historinë e një parlamentarizmi që një ish kryetar Parlamenti të bllokojë Parlamenti, të shkelë rregulloren, të shkelë Kushtetutën dhe të mos lejojë kolegët që të marrin fjalën.
NAMIK DOKLE
Mos më fol mua ti sikur të dhimbset parlamentarizmi ty, se keni vrarë katër qytetarë mes bulevardit.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, parlamenti është gjëja më e shtrenjtë për çdo deputet.
NAMIK DOKLE
Më jep o zonjë fjalën, se nuk ulem unë pa mbaruar fjalën time.
JOZEFINA TOPALLI
Z.Dokle, shumë njerëzisht ju kërkoj që pasi të pini ujin, të zini dhe vendin tuaj.

Xhaxhai i Aleks Nikës: Dyshimet e mia për vrasjen


Shekulli Online

Marku ngjan si një statujë e mbushur me dhimbje, nga e cila duket se s'do nxjerrësh asnjë fjalë. I heshtur dhe i vrarë nga çfarë ka ndodhur më 21 janar dhe pas tij, e ka të vështirë të bindet nëse duhet të flasë fort, apo duhet të jetë i matur për të respektuar më shumë kujtimin e nipit të tij, djalit të vetëm që ka lënë në shtëpi katër motra dhe dy vajza. Ka disa brenga të cilat kërkon t'i sqarojë. Ato kanë të bëjnë me Aleksin, me familjen Nika, me Sali Berishën dhe njerëzit e tij që po rivrasin sipas tij Aleksin me mungesën e respektit për ikjen e tij.




A e dinit ku ishte Aleksi më 21 Janar.?
S'kam pas nevojë të pyes. E dija pa më thënë as ai vetë se do ishte në Bulevard. Aleksi ishte një socialist. Nuk ka pas nevojë të më thoshte ku ishte. E dija që ishte në bulevard. Nuk e dija që nuk do të kthehej më gjallë. Dhe kjo më bën të ndjehem se jetoj kot, pa asnjë motiv nëse drejtësia nuk vihet në vend.


Si mësuat për vdekjen e tij?
Si gjithë të tjerët. Fillimisht nga televizioni, që ishte plagosur. Pastaj pashë Prec Zogaj në televizion që bëri thirrje për ndihmë në Spitalin Ushtarak. Duke qenë se është një mik i familjes sonë, u prekëm dyfish kur dikush tentoi të shpifë dhe për apelin e tij të dhimshëm nga Spitali Ushtarak. Më tej si gjithë të tjerët jetuam me shpresën e pakët se Aleksi do t'ia dilte mbanë. Por nuk mundi siç e patë.


Duket që e përjetoni shumë rëndë ikjen e tij. A do ta këshillonit të mos vinte në protestë më 21 janar?
Aleksi nuk ishte djalë që mund ta ndalje për të shkuar në një protestë. Ajo ishte një protestë e ligjshme, ishte një demonstratë e ligjshme dhe kushtetuese. Askush nuk ka tejkaluar të drejtën që t'i merrej jeta. Gjithçka që ka ndodhur me katër qytetarët e vrarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur është antikushtetuese dhe duhet të marrë dënimin kapital. Askush të mos mendojë se gjaku i tyre do bëhet ujë. Unë jam vetë jurist dhe kam punuar në administratën e lartë të shtetit shqiptar. Ashtu si unë dhjetëra qindra juristë në këtë vend e dinë mirë kur mund të përdoret arma dhe po aq mirë se nuk mund të merret jeta e një njeriu të pafajshëm në bulevard për arsye politike. Pikërisht duke ditur se jetojmë në një shoqëri të lirë dhe demokratike, duke ditur të drejtat tona qytetare, nuk do të kisha këshilluar të mos shkonte, pasi nuk shikoja asnjë rrezik nga një demonstratë e qytetareve kundër qeverisë, pasi kane parë me sytë e tyre se si zv.kryeministri i vendit bën pazare për miliona euro kur në shtëpitë e mijëra shqiptarëve nuk ka as ushqim mjaftueshëm. Do të më dukej krim ta kisha këshilluar të ndalej, duke e ditur që jemi shoqëri demokratike dhe më duket krim i shumëfishtë tani përdhosja e vdekjes së tij nga ata që e vranë .


A njihej Aleksi si socialist në Lezhë?.
- Po. Gjithkush që e njihte e dinte që ishte dhe socialist. Ishte një qytetar normal. Kishte një shtëpi të mrekullueshme, të ndërtuar me punë të ndershme dhe një biznes të vogël të qëndrueshëm ku kish punësuar motrat dhe familjen e vet. Nuk ishte njeri që vuante për bukën e gojës. Nuk kishe nevojë të paguhej për të ardhur në miting siç kërkon ta përdhosë kujtimin e tij Lulëzim Basha. Nuk kish nevojë për asgjë, përveç drejtësisë për të cilën doli në rrugë.


A mendoni se është vrarë aksidentalisht apo ka pas goditje selektive ndaj tij?

Nuk e them dot me plot gojën pa përfunduar çdo hetim dhe gjykim. Por di të them se vrasja e Aleksit ndryshon paksa nga tri vrasjet e tjera. Skaneri të krijon dyshime se është qëlluar me snajper me një goditje selektive .
Unë nuk mund të them se dikush porositi vrasjen e tij, por po pres me shpirt në dhëmbë të mbarojë hetimi dhe çështja t'i kalojë gjykatës. Kam një dyshim se segmente të caktuara në Lezhë, të lidhura me pushtetin, nëse e kanë identifikuar në bulevard mund ta kenë seleksionuar për ta vrarë. Por kjo është e gjitha, dyshim i imi. Po presim drejtësinë.


-Ka pas probleme në Lezhë Aleksi?
- Jo. Aleksi nuk ka pasur asnjë problem. Ai ishte një djalë që e respektonte gjithë Lezha dhe ata që e njihnin. Por të tjerë, biles nga ata që kanë hapur zjarr nga brenda gardhit të kryeministrisë kanë pas disa probleme në Lezhë, kanë pas disa interesa financiare në zaptime tokash dhe përdorim të pushtetit. Lus Zotin të mos bashkohen këto gjëra, pasi do të ishte një krim i mafies politike.


- Kur flisni për vrasjen e Aleksit në familje flisni për një vrasje aksidentale apo politike?
Është një vrasje për arsye politike e urdhëruar nga njerëzit më të fuqishëm të pushtetit. Në zyrë ka qenë kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i brendshëm Lulëzim Basha. Unë e njoh Komandantin e Gardës Ndrea Prendin dhe kam besim se ai e di mirë që njeriu nuk vritet me duar në xhepa në bulevard. Ai duhet të ruajë autoritetin e tij dhe të Gardës jo duke fshehur gardistët, por duke dëshmuar para drejtësisë kush i urdhëroi.
Garda por dhe çdo formacion tjetër ushtarak e ka të ndaluar të përdorë armën në publik. Ne pamë në kamera policë që gjuanin tek piramida jashtë kryeministrisë. Ne pamë policë që qëllonin drejt mbi turmën. Ligji për përdorimin e armëve u shkel publikisht para syve të miliona shqiptarëve. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë. Disa nga ata që kanë vrarë shihet qartë që janë militantë që mbrojnë pasuritë dhe pushtetin e tyre të dyshimtë. Ndaj ne duam të dimë kush dha urdhër. Ne e duam këtë përgjigje. Po presim në qetësi, por jo aq të qetë. Po presim në gjakftohtësi, por jo aq të ftohtë. Po presim një fjalë nga drejtësia. Po presim një shenjë. Diçka duhet të na thonë. Lus Zotin të mos vazhdojnë më disa fytyra të urryera politike të vazhdojnë e të thonë se ishin rrugaçë, kokëpalarë dhe banditë. Lus Zotin për fëmijët e tyre, jo për ata të Aleksit se ata ngelën pa babë. Të gjithë duhet ta kuptojnë se ne nuk mund të lëmë të rivrasin ata që i vranë. Një herë i vranë tinëzisht me plumb dhe tash po i vrasin përditë me fjalë. Duhet ta dijnë se jemi gjallë.


E keni fjalën për fjalorin e kryeministrit?
Edhe për fjalët e tij. Unë e njoh atë. Kam jetuar vite të tëra komshi me të. Ai po na e vret djalin për së dyti. Unë besoj se ai më njeh. Nëse do t'i kishte ndodhur ajo që i ndodhi Aleksit, djalit të tij, ne nuk do silleshim ashtu si po sillet ai me djalin tonë. Nuk do ta fyenim, nuk do ta përdhosnim, por do ta respektonim dhe do ta ngushëllonim. Ai po thotë gjëra të rënda. Po thotë se vramë 3 apo 4 por mund të vrisnim dhe 300 se ishte puç. Pastaj tërhiqet nga fjala puç. Pastaj fyen përsëri të vdekurit. Ka një kufi. Nuk ka vetëm ai fëmijë, ka pas dhe Aleksi. Nuk ka vetëm ai mbesa, kam dhe unë që tani i kam jetime për shkak të tij. Ai s'mund të na përdhosë edhe të vdekur. Është mirë t'i hapë rrugë drejtësisë, pasi e drejta vonon por nuk harron. Dikush do ta vendosë atë. Ne duam ta vendosin gjykatat e lira. Nëse Berisha kërkon rrugë të tjera keq për atë. Desha t'u them dy fjalë dhe atyre të tjerëve rrotull tij. Nëse do t'u kishte ndodhur atyre kjo fatkeqësi, edhe sikur viktima të kish faj ne do të shkonim t'i ngushëllonim dhe nuk do të qeshnim si Jozefina, nuk do fyenim gjakun e tyre. Ajo nuk di të sillet as si nënë, as si motër as si femër. Desha t'i them Sokol Olldashit, se Aleksi nuk kish nevoje te punësohej në polici bashkiake, se kishte biznesin e tij, ku mund të merrte dhe Olldashin polic kur të ikë nga pushteti, me kusht që të mos pinte më.
Ata u sollën si shtazë me vdekjen e Aleksit. Tentuan të prishnin me lidhjet e tyre të pista dhe funeralin e Aleksit. Kësaj nuk ja arritën, por tradhtuan veten se kanë gisht tek kjo plagë që na kanë hap..


Kanë tentuar t'ju prishin funeralin?
-Po. Kanë manipuluar me një njeri të tyre të sjellë aty me kamerë amatore për të inskenuar diçka të turpshme. Nuk ia arritën. Ne e falënderojmë nga zemra Edi Ramen, dhe ata që respektuan kujtimin e Aleksit. Motrat e Aleksit, dhe babai i tij kanë shprehur falënderimet publikisht të nesërmen e varrimit. Ata që sajuan skenën u fshehën si minj dhe mbyllën telefonat që atë ditë. Por ne na kanë rëndu, pasi kane dash të na përdorin edhe pasi na vranë. Edi Rama do të jetë pjesë e familjes sonë, pasi respektoi atë që bëri Aleksi. Nga te tjerët pres drejtësi. Pres të mos pengojnë zbardhjen e krimit.


-Meqë hymë te politika, a shikoni rrezik që politika dhe diplomacia të ndërhyjë në hetim?
Po shikojmë që ka presione. Ka disa herë dhe deklarata që të bëjnë pesimistë. Pashë dhe ambasadorin amerikan në krah të një kryepolici duke e lavdëruar për profesionalizëm. Unë nuk e di ç'profesionalizëm ishte ai, por di të them se ata shkelën çdo ligj dhe vranë katër njerëz të pafajshëm. Unë di që në SHBA e kanë të shenjtë ligjin.. As deklaratat e tij për të bërë barazim situatën e demonstruesve me gjakun e derdhur nga pushteti, nuk më duken normale, por kjo është punë e tij. Nuk mund të vihet në plan të parë shkelja e ligjit mbi tubimin dhe të lihet në harresë terrori shteteror që derdhi gjak. Por thashë, kjo është punë e atij zotërisë. Në fund të fundit, djalin tonë nuk e vrau ai, por pushteti im dhe unë ja kërkoj qeverisë shqiptare drejtësinë ose gjakun. Gjakun e Aleksit as e falim dhe as nuk do ta lëmë të humbasë. Ne ja kërkojmë shtetit tonë. Ne presim që atë të zbardhë Prokuroria. Frika e atyre që kanë vrarë, nuk e mund dot drejtësinë dhe as që na frikëson dot ne që kemi mbetur gjallë. Dikush do ta vërë në vend drejtësinë.

Tuesday, February 15, 2011

Basha: Asnjë azilkërkues në zonën Shengen


2 muaj pas liberalizimit te vizave, shifrat flasin për një lëvizje dinjitoze të shqiptarëve15 shkurti, për Ministrinë e Brendshme, përkon me 2 mujorin e momentit kur shqiptarët nisën udhëtimin e parë pa viza në të gjithë zonën Shengen.

Për të bërë një bilanc të qartë dhe konkret se cila është ecuria e deritanishme, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, thërriti në një tryezë të përbashkët, përfaqësuesit e lartë të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Jashtme, të Bashkimit Europian, por edhe faktorët jo më pak të rëndësishm sic janë agjencitë dhe operatorët turistikë, të cilët zoti Basha i ka konsideruar si një hallkë tepër të rëndësishme në sensibilizimin e mosshkeljes së rregullave të kërkuara.

Por pas 2 muajsh, që kur u krye lëvizja e parë pa viza, Ministri i Brendshëm bëri publik shifra të cilat ai i cilësoi si dinjitoze në të gjithë rajonin dhe duke e quajtur këtë process si të suksesshëm dhe të kaluar si një provë të suksesshme me vendet e Bashkimit Europian.

“ Sot është 2 muaj që prej momentit të liberalizimit të vizave dhe ky është momenti për t’u ndalur në ecurinë e këtij proçesi, çfarë ka sjellë kjo lëvizje e lirë. Prej 15 dhjetorit dhe deri dje në mesnatë kanë ushtruar të drejtën e lëvizjes së lirë mbi 126 mije qytetarë shqiptarë. 39 mijë janë rikthyer pasi e kanë përdorur këtë të drejte që ditën e parë. Refuzimi për hyrjen e shtetasve ka qënë 2 % ose afro 700 persona, cfarë e bën këtë një shifër rekord në të gjithë rajonin. Procesi lëvizjes së lirë është është mjaft normale”, tha Ministri Basha duke theksuar një fakt tepër të rëndësishëm dhe që nga shumë përfaqësues të opozitës u paragjykua, sic është kërkimi i azilit. Zoti Basha tha se shifra e azilkërkuesve ëshët zero, të cilën ai nuk ngurroi t’a quaj tepër mbresëlënëse dhe dinjtoze veçanërisht në sytë e partnerëve ndërkombëtare dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Në këtë kontekst, Ministri i Brendshëm falenderoi agjencitë dhe operatorët turistikë të cilët ai i quajti si një faktor mjaft të rëndësishëm për arritjen e kësaj shifre zero të azilkërkuesve por edhe të refuzimit të hyrjeve.

Sërish ministri Basha përsëriti faktin se çfarë pasojash do të sillte kërkesa për azil nga shqiptarët dhe duke bërë një thirrje-kujtesë për ata të cilët ndodhen jashtë për të mos shkelur afatet e qëndrimit në vendet e zonës Shengen.

LULËZIM BASHA: PPE, indinjatë për dhunën e 21 Janarit

Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka treguar në studion e “ABC News” atmosferën në të cilën u miratua rezoluta e Partive Popullore EvropianeMinistri i Brendshëm, Lulëzim Basha, ka treguar në studion e “ABC News” gjithë atmosferën në të cilën u miratua rezoluta për Shqipërinë nga Partitë Popullore Evropiane.

Z. Basha, a mund të na thoni diçka rreth PPE-ve dhe Asamblesë Politike të saj, që miratoi rezolutën për Shqipërinë?
PPE ka grupin më të madh parlamentar në Parlamentin Evropian, ka tre nga figurat kryesore, 14 kryetarë qeverish, 2 qeveri të qendrës së djathtë, një organizatë e fuqishme e Bashkimit Evropian që shpreh qëndrime të rëndësishme për politikat e zgjerimit.

Nuk kemi të drejtë vote, por sikundër Partia Demokratike është mazhorancë në Shqipëri, PPE është mazhorancë në PE.

Asambleja politike kishte një axhendë të ngjeshur, por 70 partitë anëtare kishin si diskutim këtë dhe vetë Buzek ishte aty.

Unë personalisht i informova për situatën dhe rezoluta mbi Shqipërinë pati një vendimmarrje unanime, asnjë kundërshtim, asnjë abstenim.
Prania ime ishte për një përgjithësim të informacionit, por përfaqësuesit e PPE-ve janë funksionarë të lartë në Bashkimin Evropian, ose europarlamentarë dhe aksesin e kanë pasur nga shumë burime, nuk mund të them që isha në një dhomë ku nuk ishin të informuar.

Reagimi ishte indinjatë dhe shqetësim i thellë, për atë hap mbrapa 2 muaj nga heqja e vizave, kjo zgjoi indinjatën e tyre, shqetësim që është shprehur edhe në rezolutë.

Çfarë përmbante konkretisht rezoluta e PPE-ve?
Rezoluta ishte shumë e qartë, konstatoi se ka pasur një tentativë për të marrë pushtetin me dhunë, kjo u konstatua nga ngjarjet e 21 janarit, rreth sulmit rrethim prej 5 orësh të Kryeministrisë.

Kemi shqetësimin e faktorit evropian që në një vend ku ka patur zgjedhje të lira, ka pasur qeveri demokratike, janë përmendur “mjetet dhe teknikat e dhunshme”.

Ka konstatime në pjesën hapëse ku përshëndeten hapat e prokurorisë për zonën e Shkodrës, ambasadat e kanë përcjellë këtë dhe ka zënë vend në këtë rezolutë nuk ka pasur vend dyshim as për zgjedhjet e 2009, si të lira dhe të ndershme.

A ishte rezoluta edhe produkt për zgjidhje?
Ka një produkt që duhet lexuar me kujdes, i kërkohet Edi Ramës të ndalë përshkallëzimin politik dhe të bashkëpunojë brenda institucioneve të Shqipërisë, kërkohet një angazhim për OSBE ODIHR-in dhe e treta ka të bëjë me një hetim gjithëpërfshirës.

Rezoluta analizon një moment të rëndësishëm për aspiratat, por edhe për vetë gjendjen e vendit dhe se çfarë do të thotë kjo për qytetarët shqiptarë.

Saturday, February 12, 2011

VEJUSHA E ARKANIT DHE KULTURA SHQIPTARE

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image Ceca Razhnjatoviq

Nga EMIN AZEMI

Rënia e ngadalshme e barrierave kufitare në kuptimin e këmbimit të ideve, vlerave e kapitalit, është një favor që duhet vënë në lëvizje. Maqedonia ka të nënshkruara disa protokolle bashkëpunimi me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të rajonit. Por, nga ajo që mund të shohim në praktikë, pak po bëhet që këto dokumente bashkëpunimi të bëhen realitet. Ekzistimi i një hapësire kulturore te shqiptarët, ka qenë me vite të tëra një ëndërr. Të qenit të ndarë në pikëpamje shtetërore-administrative, shqiptarëve nuk ua mohon ambicien që të ngrenë në një nivel më të lartë bashkëpunimin kulturor.

Jo se atyre ua ka ndaluar dikush, por fitohet përshtypja sikur shqiptarët, sidomos ata në Maqedoni, janë bërë peng të politikave ditore që prodhojnë konjunkturat politike, ato që janë tash në pushtet dhe ato që dikur ishin. Një diplomat i huaj që shërben në Shkup ishte mahnitur nga performanca artistike e një grupi muzikor nga Tirana, të cilin kishte pasur rast ta shikojë në verën (e shkuar) të Ohrit. Por, atij i ishte dashur të shkojë në Ohër që të bindet se te forcat krijuese shqiptare ka vlera të krahasueshme edhe me ato botërore.

Lajmet e fundit nga Tirana e Prishtina tregojnë për disa paraqitje dinjitoze të artistëve të teatrit, muzikës e pikturës, në metropolet e ndryshme të botës. Ndonjë prej tyre madje është kthyer edhe i shpërblyer brenda një konkurrence të rreptë vlerash e afinitetesh krijuese të përmasave të përbotshme. Në Shkup si më dendur na rastis të shohim pllakate që lajmërojnë ardhjen e ndonjë ylli të folkut nga hapësirat e ish-Jugosllavisë. Madje, thuhet se dhjetëra taksi të Shkupi kishin bartur tifozë të çmendur nga Kosova, që kishin ardhur për ta dëgjuar vejushën e Arkanit, Ceca Razhnjatoviq.

Që të jetë absurdi më i madh, ishte Ministria e Kulturës e Maqedonisë ajo që ndau një shumë marramendëse parash për organizimin e këtij koncerti. Për vejushën e Arkanit u çua në këmbë tërë një ministri dhe mijëra shqiptarë për ta mbajtur gjallë frymën e një arti të deplasuar dhe të mykur. Aferim! Në Shkup kemi harruar kur është organizuar ndonjë koncert i Filarmonisë së Tiranës, ndonjë shfaqje teatrore e Prishtinës, apo është ftuar ndonjë shkrimtar shqiptar i kalibrit të Kadaresë, ndonjë artist i formatit të Belushit. Ne sikur jemi bërë pjesëmarrës të një histerie kolektive për të përtypur jovlerat që na i servon çarshia maqedonase dhe injoranca shqiptare (e injektuar në politikë). Sikur të kishim prurje më të shumta të vlerave krijuese shqiptare në Shkup, me siguri do të zbeheshin edhe stereotipet për shqiptarët që janë të ngulitura te një pjesë e opinionit maqedonas dhe te shumë diplomatë të huaj. Këta të fundit madje nuk do të kishin nevojë të shkojnë në Ohër "ta shuajnë etjen" për të dëgjuar a shikuar një trupë të shkëlqyeshme artistike shqiptare.

Një shërbim të keqafirmimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar po i bëjnë edhe disa kasnecë të bajraktarizmit nga Maqedonia, të cilët vetëprezantimin e tyre në Tiranë a Prishtinë e vendosin mbi do farë linjash monopolizuese, duke i mëshuar telit të përjashtimit të gjithçkaje që nuk është e rrethit a lobit të tyre krijues. Tashmë është bërë e modës që kasnecët e tillë t’i kenë "mediet e tyre", "kritikët e tyre" dhe "lavdëruesit e tyre" që prodhojnë "yje të vegjël" në orbitën e madhe rreth së cilës rrotullohet vetëm ylli i tyre i preferuar. Mediokriteti i tillë që paketohet si vlerë përfaqësuese është një ushqim i përkohshëm që mund të shuajë urinë e rastit, por kulturës shqiptare në përgjithësi i krijojnë tejngopje me pompozitete që janë shumë larg të qenit realiste e të paanshme. Shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm politikanë dhe krijues mediokër. Për t’i ofruar ata të tjerët që kanë pak më shumë vlera, nevojitet një qasje tjetër, një menaxhim tjetër kulturor, i cili në asnjë mënyrë nuk do të duhej të ishte në duart e aparatçikëve partiakë.

Është mirë që CV-të e aparatçikëve t’i lëmë pa këtë pjesë të punëve shqiptare.

Marrë nga "Fakti" e Shkupit

Zbardhet biseda në PE: Ja ç'mendojnë vërtet për krizën në Shqipëri


Ato që nuk thonë kurrë në deklarimet publike. Zbardhet biseda mes Lajçak, Svoboda, Kukan, Boshtinaru etj, pasi i dërguari në Tiranë, u tregon për bisedat konfidenciale me Berishën dhe Ramën

Nuk ka shqiptarë që nuk e ka bërë së paku njëherë me zë të lartë këtë pyetje: "Ore çfarë mendojnë vërtet këta ndërkombëtarët, si e kanë hallin që flasin me arra në gojë?" Dhe një përgjigje mund ta merrni nga zbardhja e kësaj bisede mes zyrtarësh të lartë të BE-së të angazhuar për të zgjidhur krizën në Shqipëri. Në këtë komunikim të lirshëm midis tyre, ata janë shumë më pask "zyrtar" se në deklarimet publike. Biseda zhvillohet ne Parlamentin Europian, pak pasi Lajcak ka raportuar çfare ka biseduar me Berishen e Ramen ne takimet koke me koke ne Tirane


Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues i BE-së për krizat në Ballkan:


"Situata në përgjithësi është më e qetë se përpara, por kriza politike po thellohet. Ata mendojnë se nuk mund ta zgjidhin këtë krizë dhe presin ndihmën tonë. Ndërkohë që ata nuk janë ende gati për të bërë pjesën e tyre të punës. Ata besojnë se Bashkimi Europian do të zgjidhë problemin në vend të Ramës e Berishës, çfarë nuk është normale. U mundova të tregohem i qartë me ta se BE nuk ndërmjetëson. Aty ka disa hapa pozitivë. Së pari, siç e dimë, Z. Berisha hoqi dorë nga protesta dhe u lejua që të merret në pyetje Garda e Republikës. Në anën tjetër, pas demonstratës së parë, të tjerat kanë qenë shumë të qeta e të paqshme, Rama potencialisht i ka kontrolluar ato. Tani, mesazhi im, më i rëndësishëm, ndaj z. Berisha, ishte që të ulej përshkallëzimi i situatës. Pata një diskutim të ashpër mbi faktin pse organi i komisionit hetimor parlamentar nuk është i duhur, pse është i gabuar e se i duhet dhënë fund retorikave. Ai u mundua që ta kuptonte. Kryeministri tha se do të ishte mbështetës e se ai po kërkon që situata të stabilizohet. Ai u demonstrua shumë konstruktiv e me tha: 'Vetëm më thuaj ç'të bëj tani'. Dhe unë i thashë atij, se ishte përgjegjësia e tij që të kujdesej për gjithë këtë histori. Ata kanë shumë frikë se mos humbasin liberalizimin e vizave dhe luten që kjo të mos ndodhë. Ju fola për zgjedhjet lokale e që të ndjekin axhendën europiane, çfarë mbetet ende për t'u bërë në mënyrë që të përmbushet lista e kërkuar. Të dy palët po e konsiderojnë mundësinë e dialogut. Rama nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe qëndrimin e Komisionit se Shqipëria është vend parlamentar funksional. Rama do të donte që ne të shpreheshim për zgjedhjet e parakohshme dhe ai na fajëson pse BE nuk shpreh një mesazh të qartë mbi këtë. Në përgjithësi vizita ishte e dobishme. U shpjegova atyre se, nëse do të duhej që të vinim për të tretën herë, duhet të kishim, përtej qëndrimeve, edhe diçka konkrete. Jam i shqetësuar mbi zgjedhjet lokale, pasi socialistët po bojkotojnë emërimet në komisionet zgjedhore. Rama më tha se ai do të preferonte që të shtynte zgjedhjet lokale, me qëllim që kjo periudhë të përdorej për të punuar mbi ligjin elektoral. Unë jam gati të shkoj atje përsëri dhe mezi pres që të ketë diçka konkrete. U kam thënë se kjo nuk është e mirë për vendin e për popullin".

Pas rrëfimit të Lajçak për atë që kishte parë dhe dëgjuar në Shqipëri, komentet e eurodeputetëve për qëndrimet e Berishës dhe të Ramës kanë shkaktuar të qeshura në sallë, por u kërkua dhe një "plan B" nga ana e BE-së për rrugëdalje nga situata.

Hannes Swoboda, zëvendëskryetar "S&D" në PE:

"Besoj se me të gjithë kolegët biem dakord se atje duhet të mbahen zgjedhjet siç duhen. Nevojitet që zgjedhjet lokale të jenë të ndershme, demokratike dhe transparente".


Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE:

"Kur ju niset të flisnit, u bëra optimist për pak kohë. Ju thatë se Sali Berisha, kryeministri i vendit ju kishte thënë 'na thoni ç'të bëjmë, dhe ne do ta bëjmë'. E pabesueshme, Berisha pranon se ka bërë gabim, kjo më bëri të isha optimist. Por, pastaj, ju më kthyet në realitet. Është e rëndësishme, nëse ata seriozisht duan të bisedojnë me njëri-tjetrin, por ju treguat sesi ata janë skeptik mbi këtë dialog. Duhet të ecim më tutje. Seriozisht, mund të themi ç'të duam për kryeministrin dhe shefin e opozitës, por Rama refuzon legjitimitetin e zgjedhjeve të kaluara, nuk njeh qeverinë si legjitime. Bie dakord me ty se zgjedhjet lokale janë të rëndësishme. Nëse shtyhen për hir të dialogut mirë, por nuk jam i sigurt, nëse do të arrihej dialogu ndërkohë. Jam skeptik që dy apo tre javë kanë për të sjellë dialogun mes Ramës e Berishës, nëse shtyhen zgjedhjet lokale përtej 8 majit. Ndaj, shko atje prapë e bëj diçka".

Vicktor Bostinaru, zëvendëskryetar i delegacionit për Ballkanin, PE:

"Prape i njëjti muhabet. Janë gati ata për dialog? Nëse është kështu unë do të isha partizan, por në vëzhgimin tim, e me informacionet që të gjithë ne kemi, Parlamenti Europian u propozoi një marrëveshje, një draft me disa pika. Dhe ata erdhën, Berisha tha 'Kurrë!' e askush nuk i tha 'boll veprove kështu' e madje disa prej tyre, përsërisin këngën e Berishës. Së dyti, çështja e korrupsionit mes ish-zëvendëskryeministrit e ish-ministrit të Ekonomisë. A dini ju, nëse qeveria ka marrë ndonjë masë? Është e lehtë të fajësohet veç njëra palë, t'i kërkohen veprime demokratike e kushtetuese. Komisioni Europian përsëriste kërkesën për dialog e ja ku jemi me krizën që, sipas Berishës, ishte puç ndaj shtetit organizuar nga Edi Rama, e papritmas na doli se edhe Presidenti Republikës, Bamir Topi, ishte pjesëmarrës, por edhe Prokurorja e Përgjithshme, Rama, nuk e di si është emri i saj. Edhe shefi i SHISH që nuk paska dhenë informacione mbi këtë grusht shteti. Kush mund të besojë tani për gatishmërinë dhe objektivitetin e z. Berisha për t'i dhënë fund krizës politike me anë të dialogut. Kur ai hedh poshtë edhe njerëzit që i ka emëruar vetë. Asnjë prej këtyre nuk ishte i opozitës, të gjithë u zgjodhën nga partia e tij. Unë nuk besoj për vete. Ndaj pyetja ime është kush është Plani B?"

Jelko Kacin, eurodeputet, grupi liberal:

"Unë mendoj se Rama nuk do që të emërojë njerëzit në komisionet zgjedhore, sepse ka frikë të tregojë emrat e komisionerëve të tij, pasi ata do të ekspozoheshin kështu ndaj korrupsionit e mund të kërcënoheshin".

Miroslav Lajçak, drejtori menaxhues i BE-së për krizat në Ballkan:

"E rëndësishme është që të nxitet mbajtja e zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri. Ata nuk duan të paguajnë asnjë çmim për çfarë po bëjnë. Ne nuk mbajmë anë. Rama do të ishte më i besueshëm, nëse do të kritikonte funksionimin e institucioneve nga brenda Parlamentit. Nëse ai nuk beson tek anëtaret e vet se nuk do të korruptohen në komisionet zgjedhore, atëherë nuk ka më shpresë. Për Berishën, nëse atij nuk i pëlqejnë njerëzit, mirë, por nuk duhet kurrë që ai të sulmojë institucionet. Ne duhet të vëzhgojmë mirë zgjedhjet lokale".