Sunday, January 30, 2011

The day after

Artur Zheji
Duke ndjekur pamjet e procesionit përkujtimor të Opozitës, duke parë bodyguardët e shumtë dhe trupgjatë të Ramës, duke dëgjuar heshtjen dhe duke deshifruar heshtjen e komanduar, ndien gjithashtu edhe një zbrazëtirë logjike dhe një ngërç moral, në lidhje me atë që ndodhi fare pak ditë më parë.
Përse duhej të ndodhte? Po sikur të mos ndodhte? Përse të mos shmangej? Janë këto disa pyetje që derdhen vetiu, siç derdhet vetiu lëngu nga një gotë e rrëzuar. Pavarësisht asaj që ndodhi apo nuk ndodhi më 28 janar, mund të bëhet një analizë e shpejtë sesi ndodhi, që më 21 janar t’i jepej jetë një ballafaqimi të zymtë, me të plagosur dhe të vdekur. T’i jepej jetë një sfide të egër dhe luftarake, me bindjen se “Ora erdhi! Pushteti është mbas dere! Mjaft të zgjatësh dorën dhe mund ta kapësh! Një sulm, dy sulme dhe kështjella prej letre e pushtetit të Berishës, do të shkërmoqet?!”
Shumëkush mendoi se ultimatumet ndaj Berishës, pak ditë përpara demonstratës së 21 janarit, kishin një mbështetje, apo buronin nga një nxitje, që shkonte përtej kabinetit të kryebashkiakut apo kryeopozitarit, një mbështetje nxitëse dhe përkrahëse sa e brendshme po aq edhe e jashtme. Mendohej, gjithashtu, se ishte studiuar mirë e qartë klima e përgjithshme nën kornizën e të cilës do të ndërmerrej “revolucioni” që po ndizej. Mendohej se reaksioni zinxhir emocional dhe fryma pasonjëse do të bënte punën e mbetur, që duhej vetëm të fillonte te sheshi “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kryeministrisë. Mendohej se shqiptarët do të kapeshin nga virusi i vetëshkatërrimit, si në vitin ‘97 dhe në vitin ‘98. Mendime ogurzeza, por gjithsesi mendime dhe supozime legjitime.
Fatmirësisht ky virus vetëshkatërrimi u konstatua se paskësh rënë në gjumë të thellë ose paskësh vdekur te shqiptarët e shekullit të ri ku kemi hyrë. Ky virus u nxor nga epruveta e kujtesës së 14 viteve më parë, me qëllim ri-përhapjen e epidemisë së vjetër. Shqiptarët duket se e shmangën këtë virus dhe, më mirë akoma, duket se kishin fituar imunitet prej tij. Lajm i mirë ky për shqiptarët. Qartësia e ambasadorit Arvizu në deklarimet e veta, deklaratat e Departamentit të Shtetit me zërin e Tomas Kantrimen, hodhën dritë dhe shpërndanë mjegullën e keqkuptimeve, mbi të cilat u stisën dhe u futën në qarkullim shumë pandehma. Njëra prej tyre ishte pandehma që “fliste” për një klimë jo vetëm kombëtare, por edhe ndërkombëtare që favorizonin rënien e Berishës. Mbi këtë pandehmë, që rezulton e rreme, u krijua me shumë art dhe konspiracion një frymëzim i rremë, nxitës dhe motivues… Se pushteti i ri është afër. Se Berisha i ka ditët të numëruara. Se Berisha është i izoluar. Se imazhi i Kryeministrit i ka kuotat e kredibilitetit në pikën më të ulët. Por tanimë mund të themi se qëndrimi amerikan është i kristaltë dhe pa ekuivok: “Shqipëria është një vend që deri në vitin 2013 ka një axhendë të paracaktuar politike, zgjedhje lokale në maj 2011, zgjedhje politike më 2013.”
Pra, u artikulua më qartë se kurrë ndërkombëtarisht që lëvizja më e ashpër politike e PS-së, me qëllim provokimin e rënies së Qeverisë dhe “dorëzimin” e Berishës, nuk ka asnjë mbështetje ndërkombëtare. Duket qartë se skenari i sulmit politik për përmbysje ka një “kleçkë” të pakapërcyeshme, moskonsultim me aleatët e huaj, një kuturisje emocionale, pra, jashtë kontekstit europian dhe sidomos jashtë kontekstit gjeopolitik aktual. Mendja të shkon menjëherë te ekzistenca e një skenari më të vogël, fshehur nën pelerinën e një skenari më të madh. Me sa duket, në skutën e mendimeve të veta më të fshehta, Edi Rama, krejt në mënyrë gjeniale, nën tymnajën e një sulmi masiv dhe të zhurmshëm politik antiqeveritar, ka përpunuar skenarin e vet të zgjedhjeve lokale, të cilat do të jenë të helmuara nga tri vrasjet, nga urrejtja e skajshme e palëve, e pra politike në mënyrë të skajshme dhe jo qytetare.
Jo, pra, një betejë e pritme për kryeqytetin që është në agoni dhe për qytetet e tjera në lëngatë të thellë, por një betejë vetëm politike, me akuza të ndërsjella me termat agresivë, si “Vrasës” apo “Puçistë”. Rama në këtë rast përdori me mjeshtëri ambiciet e të shumtëve përreth tij, duke fshehur skenarin e vogël real të zgjedhjeve të majit, nën mjegullën e skenarit të madh, të pamundur, të marrjes së Pushtetit politik, me forcën e “popullit”. Humbësit e mëdhenj do të jenë qytetarët, të cilët nuk do të kenë hapësirë dhe rol në Zgjedhjet e pritshme, të cilat do të jenë, mjerisht, jo Zgjedhje për Qytetet, por Zgjedhje e polarizuar Politike.
Ky është “suksesi” i vërtetë që mbërriti Rama me demonstratën e 21 janarit, sigurimin e një beteje të drejtpërdrejtë me Berishën, duke sfumuar dhe zvogëluar rolin e çdo figure tjetër. Me sa duket, Rama mendonte se kjo ishte e domosdoshme: “një betejë e madhe politike kombëtare, për të futur kësisoj edhe një herë lehtësisht në xhep Bashkinë e Tiranës.” Aleatët dhe këshilltarët e tij do të kenë kohë të kuptojnë këtë strategji të Kryetarit, por ata janë tepër inatçorë për ta kuptuar këtë strategji mendjehollë. Por kur ta kuptojnë, do të jenë vonë. Rama do t’i ketë zëvendësuar pa dhimbje me të tjerë. Kjo është politika

Ilva Tare: Tonight ose rikthimi te natyra e saj

Alfred Lela

Mëndafshi i këmishës që mban veshur dhe lëkura e saj kanë një të përbashkët me të dhe Televizionin: puthiten. I ka të kursyera ngjyrat që ka hedhur mbi vete: bluja e bluzës gërshetohet me një gri të çelët të pantallonave; buzëkuqi i trëndafiltë me vathët e vegjël të artë poshtë një kurore të vogël floknaje të kuqe. Ndoshta sepse e di që është ekrani ai që i ka ngjyrat me shumicë e ndaj ajo duhet të kursejë të sajat. Ndoshta sepse e di se i ftuari i saj i parë është një kombinim i ngjyrave të pakta tashmë: të gjitha i janë zbehur; fasada e pallateve të Tiranës, koloriti i teshave të dikurshme të ndërruara tash me klishenë e kostumit blu-a-gri të politikanit; aksioni politik i ngërthyer në mërzinë e kontrastit të së bardhës me të zezën. Krejt si dallimi mes demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe përshpirtjes civile të një jave më vonë. Megjithatë, duket se ata të dy ishin të prerë për natën e parë të njëri-tjetrit: ajo për rikthimin në Televizion dhe ai për rikthimin te politika normale. Kanë qenë mbrëmë në orën 21.00 në ekranin e Ora News në emisionin Tonight: Ilva Tare dhe Edi Rama.

Kur pyet një prej anëtarëve të stafit të Ora-s se pse ky emision; pse edhe një tjetër dreq emisioni për t’ia shtuar luzmës së deritashme në këtë qytet ku bisedat e kafeneve kthehen në debate televizive në mbrëmje, ai të thotë: është ndryshe. Te ndryshe, kjo ndajfolje diskrimnuese mënyre, janë mbërthyer të gjitha platformat e emisioneve televizive në ekranet e Tiranës. Prandaj të mbetet ta shmangësh këtë ndryshe dhe t’i hedhësh së pari një sy studios ku Ilva Tare do të ulet me të ftuarit çdo të premte e të martë për Tonight-in e saj. Është e madhe dhe e bardhë; në qendër ka konturet e një globi ku shtrihet bota me konturet e saj; mbi të një tryezë, që është në fakt një ekran; ngjitur me të profili i hajthëm i zonjës Tare do të qëndrojë më këmbë duke pyetur të ftuarin e ulur përballë. Në këtë kuptim, në organizimin e studios gjërat, në fakt, duken ndryshe.

Por, jo aq ndryshe sa për të të bërë të vetin. Fillimi i talk show-t të Tares i ngul gjilpërën e parë skepticizmit të amullt. Drejtuesja është sharp as a knife (e mprehtë si thikë) do të thoshin amerikanët. Sytë i ka te kamera; të fortë, kërkues, të palëvizshëm, a thua se po luan me të atë lojën e vjetër “kush i ul i pari”. Të tilla i ka edhe pyetjet, pa byk pauzash ndërmjet, me një ton dhe kënd nga i cili as mund të shtosh e as nuk mund të heqësh asgjë. Edhe pyetjet ndjekëse (follow up questions) i ka si goditje në brinjë, duke e trajtuar të ftuarin si kundërshtar në ring, të cilit ia merr për goditje poshtë brezit dredhitë ndaj pyetjeve të saj. E gjithë kjo, në kushte të tjera, do t’i shkaktonte të ftuarit acarime të njëpasnjëshme, por në ndërkohë ajo përkul kokën, zbeh timbrin duke “të arrestuar” me një koketëri së cilës nuk mund t’i ikësh aq lehtë.

Atëherë, po, Ilva Tare duhet të jetë ndryshe. Ndryshe jo në atë kuptimin se theksin e saj e ka përmbytur tonaliteti i anglishtes, të cilën e ka pasur gjuhë të parë gjatë katër viteve të fundit. As diploma e fortë nga London School of Economics; karriera e gjatë në televizione ku ajo ndërmjetësoi një lloj tjetër gazetarie; as përvoja me të ashtuquajturin CNN arab Al Jazeera-n; as në atë se ajo tani është beqare, pas një martese anglo-arabe deri diku të panafakë. Për ta rimarrë asosacionin me këmishën nga kreu i këtij profili, Ilva Tare dhe Televizioni puthiten. Dhe ky, me sa duket, është një rikthim i lëkurës te këmisha.

Nga intervistat e Zef PERGEGES



Persekutimi Gjosho Vasia,

GJOSHO VASIA

Saturday, January 29, 2011

Rama rrëfehet në “Tonight” me Ilva Tare


Pak orë pas përfundimit të demonstratës homazh në nder të viktimave të 21 janarit, kryetari i opozitës Edi Rama i pranishëm në emisionin “Tonight” nga gazetarja Ilva Tare deklaroi se kjo nuk ishte një luftë për pushtet dhe një luftë personale, por homazh në nderim të viktimave të pafajshëm. Më tej, Rama shtoi se rruga e protestës do të vijojë, kjo për ti dhënë fund kësaj qeverie dhe për një garanci ndaj qytetarëve që të rizgjedhin.

“Nderimi për këta tre burra te pafajshëm, për ata shqiptarë të zakondshëm në rrugën e kësaj proteste. Nuk erdhën për të marrë zyrën e Saliut, por erdhën për tu bashkuar me të tjerë për një Shqipëri më të mirë, ishte një detyrim më i madh sepse të rinim për të dëgjuar partnerët ndërkombëtarë. Besoj se anullimi i demostratës do të ishte zëvëndësimi i gradës me frikën. Do të ishte pranimi i frikës dhe zhytje nga një errësirë për të cilën duam të dalim sa më parë”.


Ndërsa e konsideroi demonstratën e sotme si një mesazh dhënë njëzëri nga populli shqiptar, kryesocialisti shtoi se kjo demostratë u provokua rëndë, ndaj ndodhi 21 janari.

“Demostrata e 21 janarit u provokua rëndë për ato arsye te cilat dalin në pahë dita ditës. Eshtë i pari i një regjimi kusarie dhe matrapazllëku që e refuzojnë, dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet për të, sepse mbi të rëndon vrasja e njerëzve të pafajshëm. Në demostratën e 21 janarit, pati një provokim të përsëritur, dhe arsyet janë duke dashur që të vendosë një gjendje të re me opozitën”.


“Demostruesit kanë pasur një reagim që nuk hyn në kornizën e nje proteste paqësore, se në 21 janar është provokuar rëndë nga qeveria dhe nga duart që çorientuan dhe policinë”.


Ndërsa kryeministri Sali Berisha akuzon kryeprokuroren Ina Rama dhe Edi Ramën për një puç shteti ndër të cilat duhet të paguhet, kreu i PS-së theksoi se në këto kushte po ndodh një grusht shteti i bardhë.
“Ajo që po ndodh është zhvilimi i një grushti shteti pa tanke, pa mjete ushatarake, por që synon kapjen e institucioneve nga qëndra e pushtetit ekzekutiv. Ky puç shteti i bardhë po organizohet dita ditës. Në këto kushte, kur ka një dhunë të përminutëshe të Saliut dhe regjimit të tij për të deligjitimuar Prokurorinë e Përgjithshme, mbase ka qënë një mënyre për ti dhënë një legjitimitet të plotë hetimeve nga ekspertë amerikanë”.


Kryesocialisti Rama siguroi komunitetin ndërkombëtar, por edhe të gjithë popullin shqiptar se e gjithë çfarë kërkohet është një proçes politik i arsyeshëm e të vendosen në tavolinë interesat e vendit.

Kisha e Shna Ndout në Laç, nis pelegrinazhi dimëror

Dita e 17 janarit është një ditë e veçantë për Kishën e Shna Ndout në Laç, pasi ndryshe konsiderohet se dita e shenjtë e kësaj kishe dhe është dita e pelegrinazhit për stinën e dimrit.

Njerëz nga qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë kanë ardhur për t’u lutur në Kishën e Shna Ndout, kishë e cila për të gjithë pelegrinët është e shenjtë.

Ndërkohë që pas 3 muajsh, në stinën e verës fillon pelegrinazhi i 13 të martave, të cilat përkojnë me ditën e 13 qershorit, Ditën e Shënuar të Kishës së Shna Ndout.

Pelegrinë jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga jashtë saj vijnë për t’u lutur gjatë pelegrinazhit të 13 të martave të Shna Ndout.

Kisha e Shna Ndout në Laç, renditet ndër 6 vendet më të mëdha të pelegrinazhit në botë।

Mark Marku: Rama foli në anglisht para shqiptarëve

Deputeti demokrat e quan absurd fjalimin në anglisht sot të kryesocialistit gjatë konferencës për shtyp
Politikë
Mark Marku: Rama foli në anglisht para shqiptarëve
Deputeti demokrat e quan absurd fjalimin në anglisht sot të kryesocialistit gjatë konferencës për shtyp
28 janar 2011 18:39
“Fjalimi i Ramës në anglisht ishte një gjë absurde dhe paradoksale, pasi ai para tij kishte vetëm dy gazetarë italianë dhe gazetarë shqiptarë.

Dukej më shumë si një fjalim për ndërkombëtarët, sesa ata që kishte përballë dhe shqiptarët”.

Ky ka qenë pohimi i deputetit demokrat, Mark Marku, gjatë një interviste në studion e “ABC News” duke komentuar konferencën që kreu socialist mbajti pas manifestimit homazh të mesditës së sotme.

Sipas tij, opozita përveçse në rrugë siç po e nxjerr kreu i saj Edi Rama, ka vend për ta zhvilluar betejën e saj të ligjshme në parlament, ku ajo ka një numër të konsiderueshëm votash.

“Nuk mund të vendoset dialog me një forcë që përjashton veten”, tha më pas ai, duke iu drejtuar metodave që ka përdorur deri tani opozita.

E duke përmendur pretendimin e vazhdueshëm të opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, ai tha se ato në fakt ishin zgjedhje që i njohur gjithë bota.

“E përse duhet të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar? Që të bëjmë realitet ëndrrat e Partisë Socialiste? Ajo ka si ëndërr zgjedhjet e parakohshme”, tha më pas Marku.

A ishte 21 janari një grusht shteti?

Piro Misha

Sipas kryeministrit të vendit, në 21 janar në Tiranë ka patur një tentativë për grusht shteti. Sipas tij, kjo tentativë vazhdon, duke përfshirë, veç opozitës, prokuroren e përgjithshme dhe SHISH-in. Ministra, deputetë, nëpunës dhe mediat afër qeverisë, e trajtojnë këtë tashmë si fakt të mirëqënë. Po a qe vërtet kështu? Përgjigja e kësaj pyetje ka mjaft rëndësi, sepse akuza për grusht shteti duket se s’është thjesht pjesë e arsenalit të zakonshëm propagandistik të përdorur jo rrallë për të kërcënuar e trembur kundërshtarin, apo për t’i dhënë zemër e mobilizuar të vetët. Kjo akuzë ka përligjur refuzimin e kryeministrit për t’iu bindur urdhër ndalimit të lëshuar nga prokuroria për gjashtë krerët e gardës të akuzuar për vrasje. Me të është përligjur përdorimi i armëve të zjarrit dhe vrasja me to e tre demonstruesve, duke paralajmëruar madje, se në raste të tilla është e ligjshme të vriten jo tre, por dhe tridhjetë e më shumë vetë! Në këtë kontekst, kryeministri kërcënoi publikisht liderin e opozitës se do të ndëshkohej ‘në mënyrë ekzemplare e fatale”, nëse provonte dhe një herë të rrethonte kryeministrinë. Sërish në emër të pandehmës së një grushti shteti në vazhdim, kryeministri mblodhi gjeneralët e ushtrisë, duke kërcënuar me një fjalor vërtet rrëqethës se ‘do t’i shtypte kokën’ të gjithë atyre që do provonin ta përsërisnin një tentativë të tillë. Gjithnjë në emër të saj, policia ka kryer në orët e ditët pas ngjarjes një sërë veprimesh që në çfarëdo kushti do të ishin të dënueshme, siç është përdorimi abuziv i dhunës me të ndaluarit.
Sidoqoftë, pyetja e parë që shtrohet është, përse kësaj here kryeministri akuzoi për grusht shteti dhe jo më për ‘rebelim për të rrëzuar pushtetin’, siç ka bërë, për shembull, për atë që ndodhi më 1997! Sepse dihet që fjala grusht (apo puç) shteti ka një konotacion teorik e praktik të përcaktuar qartë: një grusht shteti nënkupton përpjekjen e befasishme për të rrëzuar e marrë pushtetin e shtetin nga forca e segmente të caktuara brenda vetë shtetit, sidomos ushtrisë. Në tekstin e tij tashmë të mirënjohur, “Një doracak për një grusht shteti", politologu dhe historiani i njohur amerikan Edward Lutwak, shpjegon se “Grusht shteti kemi atëhere kur një segment i vogël, por i rëndësishëm i aparatit shtetëror (zakonisht ushtria por jo vetëm ajo) përdoret për të përmbysur qeverinë, duke marrë kontrollin e saj.”Atëhere natyrshëm, del pyetja: Ç’ka parasysh Berisha kur akuzon për grusht shteti, po qe se s’e përdor këtë term në mënyrë figurative, apo siç përdorej vend e pavend fjala puçist gjatë viteve të diktaturës, për të akuzuar e dënuar çdo armik të mundshëm? Dhe duke vazhduar më tej në të njëjtën linjë: a është në kontakt kryeministri i vendit me kryetarin e shtetit? Ligji përcakton qartë masat që duhen marrë kur rendi kushtetues e siguria kombëtare janë të kanosura. Përse ai s’ka kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Sigurisë? Në kushtet e një grushti shteti në vazhdim, pranohet qoftë dhe shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme. Atëhere, përse s’e kërkon këtë masë, përderisa vendi, sipas tij, përballet me një rrezik të tillë? Përse s’arreston autorët e komplotit? Kudo në botën demokratike, nëse verifikohet e provohet se ndodh grusht shteti, autorët e një krimi kaq të rëndë, meritojnë ndëshkim të plot ligjor. Ç’do të thotë ai vallë, kur paralajmëron të mos e provojnë sërish. Kur bëhet fjalë për tentativë të mirëfilltë grusht shteti, një herë mjafton e tepron. Po kur premton se do t’i amnistojë të gjithë, sigurisht përveç Ramës, çka parasysh? Sepse, me ç’dimë, tagrin për të ndëshkuar e amnistuar e ka tjetërkush dhe jo kryeministri.
Po ka dhe diçka tjetër që të bie në sy. Nëse ai është i bindur se ka qenë tentativë për grusht shteti, përse në vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të seancës të mbledhur me urgjencë në darkën e 23 janart, fjala grusht shteti s’përmendet asgjëkundi. Aty bëhet fjalë për krijimin e një Komisioni parlamentar hetimor për të hetuar “Veprimtarinë e institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.”
S’ka asnjë dyshim se në 21 janar në Tiranë ndodhi diçka tepër e rëndë. Pamë veprime të dhunshme që kishim vite pa i parë, të cilat në çdo rast e rrethanë janë të dënueshme. Në vartësi të optikës me të cilën njerëz të ndryshëm i shohin ngjarjet, faji i vihet njërës apo tjetrës palë si shkaktare të dhunës, por sidoqoftë ligji është fare i qartë se kush janë veprimet e ndëshkueshme për raste të tilla. Ka të tjerë që e fajësojnë opozitën jo vetëm që s’qe në gjendje të kontrollonte turmën e demonstruesve, por dhe për gjuhën nxitëse të përdorur përpara demonstratës. Dhe s’ka dyshim se dinamika e përgjegjësitë e asaj që ndodhi duhen gjykuar me gjakftohtësi e përgjegjësi, për t’i dhënë gjithkujt atë që meriton sipas ligjit (e vetëm ligjit). Por ama, s’ke si të mos shtrosh pyetjen, a mjaftojnë veprimet e dy tre qind vetëve që godasin policinë me gurë, çadra apo shkopinj, që të shpallet se paskemi patur një tentativë për grusht shteti? Sepse atëhere natyrshëm lind pyetja, po 14 shtatori i disa viteve më parë ç’ishte, kur turma me armë në dorë, e prirë nga ata që sot janë në pushtet, hyri dhe shkatërroi jo pak institucione, përfshirë kryeministrinë, ndërkohë që personi që sot mban vendin e zevendësministrit të mbrojtjes, doli në ekranin e televizionit shtetëror për të shpallur ngadhënjimtar marrjen e shtetit?
Sigurisht, s’përjashtohet që kryeministri të ketë të dhëna të tjera veç atyre që ka bërë publike dhe nëse ai arrin të sjellë prova bindëse se vërtet ka patur plane për një tentativë të tillë, unë i pari do isha në krah të qeverisë në mbrojtje të rendit kushtetues. Por atëhere pyetja shtrohet, përse s’i çon këto prova në institucionet e duhura të cilave kushtetuta iu jep të drejtën të hetojnë e ndëshkojnë autorët. Sepse në asnjë vend demokratik, kryeministri s’mund të jetë njëkohësisht prokuror, gjykatës dhe ekzekutiv. Thelbi i demokracisë qëndron pikërisht në ndarjen dhe pavarësinë e këtyre roleve. Përndryshe kemi hyrë në një rrugë ku vija ndarëse mes shtetit ligjor dhe atij antiligjor, hollohet mjaft, duke rrezikuar të këputet.
Në mbasditen e 21 janarit në mes të Tiranës u vranë tre njerëz. Të cilët, së paku nga sa u pa në televizione, në çastin kur u vranë s’po bënin asgjë të paligjshme, që të përligjte vrasjen e tyre me plumb. U plagosën, po me plumba, shumë të tjerë. Dhe nga të gjitha të dhënat e deritanishme, tregohet me gisht Garda e Republikës. Sigurisht, do të jenë hetimet ato që do provojnë të vërtetën, e cila duhet të dalë me çdo kusht, por le të jemi të qartë: nëse s’i shkohet deri në fund kësaj historie jo vetëm që do të krijohet një precedent me pasoja të paparashikueshme, por drejtësia në Shqipëri, edhe kështu mjaft e kontestueshme, ka për të marrë goditjen fatale. Në një shoqëri demokratike jeta e njeriut është mbi gjithçka tjetër.
Fatkeqësisht, përvoja e viteve të tranzicionit na ka mësuar se në politikën shqiptare ka shumë papërgjegjshmëri. Është kjo papërgjegjshmëri që e ka shndërruar politikën në një sherr pafund. Është kjo papërgjegjshmëri që e ka katandisur demokracinë e brishtë shqiptare në një shfaqje të deformuar ku mbizotëron logjika e më të fortit, duke demonstruar orë e çast muskujt në një garë ku mbizotëron logjika atavike sipas së cilës kush bërtet e kërcëllin më fortë dhëmbët, e tregon se është i zoti të rreshtojë më shumë trima pas vetes, shpallet fitimtar.
S’besoj të ketë shumë shqiptarë, me përjashtim të ca kokave të nxehta, që të mos jenë dakord me thirrjen që i bëhet këto ditë politikanëve shqiptarë për të ulur tonet. Unë do t’i bëja thirrje të kafshojnë gjuhën përpara se të hapin gojën të flasin, sepse siç thotë urtësia popullore, fjala të vret. Prova për këtë kemi plot. Duke nisur nga seanca e turpshme e fundit parlamentare. A s’ishte ajo një paralajmërim i tragjedisë që ndodhi? Dhe s’ka dyshim se tash e tutje politikanëve tanë u duhet kërkuar me forcë që të heqin dorë njëherë e mirë nga retorika e forcës, duke u treguar të përgjegjshëm për atë që thonë. Duke i kërkuar kryeministrit që të sillet e flasë siç i ka hije një kryeministri, pa shpërthime të papranushme si ai i seancës së fundit parlamentare; duke i kërkuar kryetares së Parlamentit që të kuptojë se cili është roli i saj institucional, duke mos i hedhur më orë e çast benzinë zjarrit; duke i kërkuar opozitës që të përdorë një gjuhë të përgjegjshme e të moderuar.
Por s’duhet harruar se ngjarjet e 21 janarit grisën përfundimisht në sy të të gjithëve fasadën e normalitetit të jetës sonë politike e institucionale. Dhe për t’u kthyer në normalitet, s’mjafton thjesht t’i hedhim ca ujë zjarrit. Duhen kërkuar rrënjët e thella të krizës, arsyet e atyre deformimeve jo të pakta që karakterizojnë sot jetën shqiptare, për t’i hapur rrugë vërtet një zgjidhjeje të qartë, të besueshme e afatgjatë politike.

Roli i fesë dhe laiciteti

Tonin Gjuraj

Nëse flitet, pas vitit ’90-t, për rishfaqje globale të shoqërisë civile, ka qenë pikërisht roli që feja ka luajtur në këtë proces, e cila e ka vënë atë në fokus të analizave të sotme. Roli dhe qëndrimet e feve në vendet e Europës Lindore e Qendrore dhe të Amerikës Latine, demokratizimi i tyre (veçanërisht katolicizmi pas Koncilit të Dytë të Vatikanit), shfaqjet e mobilizimit publik të Islamit në kohën e sotme etj., dëshmojnë se fetë dhe institucionet fetare vazhdojnë të kenë një ndikim të konsiderueshëm në jetën publike dhe në përpjekjet demokratizuese të këtyre vendeve.

Fetë në Shqipëri, ndoshta ndryshe prej feve në Europën Perëndimore, janë shfaqur shpesh si aktorë politik dhe kjo i dedikohet mesa duket historisë komplekse të tyre, si pasojë e ndërhyrjeve konstante të të huajve, si dhe të kaluarës represive ndaj tyre gjatë sundimit të regjimit komunist. Historia e hidhur e feve në këtë vend dhe ngjarjet e 20 viteve të fundit, tregojnë se kishat dhe asosacionet fetare mund të ofrojnë mundësi të mëdha bashkëpunimi, përkujdesjeje e vëmendjeje më të madhe ndaj njerëzve dhe problemeve sociale. Vetë fetë monoteiste mbrojnë me forcë pikëpamjen se personi njerëzor nuk është individ abstrakt, por dinjiteti i tij realizohet vetëm në komunitet, jo thjesht në komunitetin e tij/saj fetar, por në një komunitet më të gjerë jetësor. Pjesë përbërëse e këtij komuniteti të gjerë jetësor është edhe shkolla.

Institucioni social i shkollës është një agjent i rëndësishëm i socializimit, ku bashkëjetojnë dhe ndërveprojnë individë me background-e të ndryshme familjare, fetare etj. Për sa kohë një simbol fetar, që bartet nga një nxënës në shkollë, nuk nxit urrejtje për një nxënës tjetër dhe nuk thyen kodin e etikës që mund të ketë hartuar shkolla, atëherë ai/ajo mund ta mbajë atë. Në Angli, për shembull, çështja e simboleve fetare vërtet është çështje diskutimi, por shkollat në përgjithësi lihen të vendosin vetë mbi këtë çështje. Gjykatat japin vendime rast pas rasti, por në këtë vend kemi të bëjmë kryesisht me fëmijë emigrantësh. Megjithatë, kjo mbetet një praktikë anglo-saksone, ndërsa Shqipëria dhe disa vende të ish-Lindjes komuniste kanë përqafuar, mesa duket, një praktikë ligjore napolonike, ashtu si Franca, ku shteti sanksionon gjithçka.

Harmonia ndërfetare në Shqipëri është pasuri e madhe kombëtare, që lidhet me historinë e këtij vendi, traditën, Rilindjen Kombëtare, mendësinë dhe qasjen kundrejt çështjeve dhe simboleve fetare. “Rregullimet” ligjore të imponuara nuk bëjnë asgjë tjetër veçse shtojnë paragjykimet e ndërsjella midis shtetit dhe bashkësive fetare, ose midis vetë atyre. Vetë fetë janë diverse, por në rastin e shoqërisë shumëfetare shqiptare shfaqen si denominacione, as eklesi, as kulte. Duke marrë formën specifike të denominacionit, ato mbajnë dhe ruajnë marrëdhënie shoqërore e miqësore me qeverinë dhe fetë e tjera, si dhe nuk pretendojnë të jenë i vetmi besim fetar i ligjshëm i kombit, pra në këtë rast nuk kemi fe zyrtare. Feja është e ndarë nga shteti, ndërkaq organizatat fetare ruajnë marrëdhënie të mira me të dhe njëra-tjetrën. Megjithëse anëtarët e një denominacioni të caktuar mund të besojnë se besimi i tyre fetar është i vetmi besim i vërtetë, ata gjithashtu njohin të drejtën e njerëzve të tjerë të kenë pikëpamje të ndryshme mbi çështje të caktuara.

Laiciteti përbën një vlerë të madhe për shoqëritë moderne, veçanërisht për një vend shumëfetar, siç është Shqipëria. Laicitet do të thotë një ndarje e dallueshme e sferës fetare prej sferës publike, por jo ndarje absolute midis tyre. Fetë dhe veprimtaritë e tyre nuk duhen parë si të shkëputura nga veprimtaritë publike, por si pjesë përbërëse e rëndësishme e tyre. Shekullarizimi në kohën tonë nuk është një forcë e gjithëpushtetshme. Ai e transformon fenë, por nuk e zhduk atë. Natyrisht pranohet se shekullarizimi ka ulur ndjeshëm rëndësinë e fesë, por fetë botërore vazhdojnë të jenë një element kryesor i identifikimit kulturor dhe burime të fuqishme të diversitetit kulturor. Modernizimi dhe arsimi sot kanë ndikuar në uljen e besnikërisë ndaj kishës, por megjithatë nuk kanë munguar polemikat midis fesë dhe shtetit, për çështje nga më të ndryshmet.

Shqipëria tregon se ekziston një ndarje e qartë e Kishës me shtetin, por dinamika e institucioneve fetare ka qenë e pranishme gjatë tranzicionit dhe roli i feve është shfaqur dukshëm edhe në sferat publike. Prononcimet dhe/ose ndërhyrjet e fundit të përfaqësuesve fetarë lidhur me projektligjin për simbolet fetare në shkolla nisen, në gjykimin tim, nga preokupacioni dhe dashuria e tyre për individin, që të nxisin përfaqësuesit politikë të hartojnë ligje e politika sa më të drejta, sa më sociale dhe të pranueshme për njerëzit.

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale-UET

Wednesday, January 26, 2011

Prokuroria, urdhër ndalimet për gardën të diskutueshme

Ardit Halili
image

Organi i akuzës nuk ka filluar hetimet kundër organizatorëve të demonstratës edhe pse ka materiale të mjaftueshme për ketë

Prokuroria u tërhoq dje nga urdhër ndalimet për drejtuesit e gardës, duke lënë të kuptohet se ajo ishte vetëm pjesë e lojës. Madje në një konferencë për shtyp Prokuroria e Përgjithshme vlerësoi se çështja e refuzimit nuk ishte aq skandaloze sa ishte paraqitur nga opozita, por “Thjeshtë një çështje teknike që ha diskutim”. Kjo tërheqje e prokurorisë erdhi pas tre ditësh heshtje nga ky institucion, i cili me gjithë dhunën që shpërtheu në kryeqytet ende nuk ka asnjë akuzë ndaj organizatorëve të demonstratës së dhunshme.

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar se nuk ka nisur akoma hetimet kundër organizatorëve të protestës, edhe pse ka prova të servirura nga policia se ata kanë qenë nxitësit e dhunës. Kryeprokurorja gjatë një konference të dhënë ditën e djeshme në prani të ambasadorit të SHBA-së, është shprehur se hetimet e para që prokuroria e Shqipërisë po bën do të bazohen tek pasojat që ka pasur gjatë protestës. Ndërsa ka bërë të ditur se vetëm më vonë do të fillojnë hetimet mbi organizatorët “Hetimi i mëpasshëm do të tregojë nëse kemi pasur një aktivitet të ndryshëm”, - tha zonja Rama.

Sipas prokurores së Përgjithshme hetimet e para ku organi i akuzës do të zhvillojë konsistojnë në referimit të ngjarjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, “hetimet konsistojnë në vrasjen e tre personave dhe gjithashtu ka filluar hetimet referuar materialeve që policia e shtetit ka dorëzuar në prokurori, për veprat penale të “Shkatërrimit të pronës” dhe “Kundërshtim të punonjësve të policisë dhe goditjes së tyre”. E pyetur se nëse kanë filluar hetimet për një grusht shteti nga ana e opozitës znj. Rama është përgjigjur se ato janë akuza me sfond politik, pasi sipas kryeprokurores nga ana e policisë nuk ka pasur asnjë material që të provojë këtë fakt. “Nga Policia e Shtetit presim materialet e referime për të nisur hetimet”, -deklaroi Ina Rama.

Gjatë konferencës për shtyp, prokurorja e Përgjithshme shqiptare ka kërkuar zyrtarisht ndihmë nga ekspertë të Shteteve të Bashkuara për hetimin e demonstratës së dhunshme të 21 janarit, ku humbën jetën tre persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Për të gjitha këto, kryeprokurorja theksoi se duhet një hetim objektiv dhe i pavarur, çka, sipas saj, do të vijë me ndihmën teknike të ekspertëve amerikanë. “Prokuroria ka nisur hetimet për këtë çështje që ditën e protestës, duke angazhuar në hetim të gjithë trupën gjyqësore. Rezultatet e kësaj veprimtare hetimore me profesionalizëm të lartë, është i nevojshëm t’i nënshtrohen një sërë ekzaminimesh ligjore”, - sqaroi zonja Rama. Ajo shtoi se ndihma e kërkuar do të garantojë hetimin më të besueshëm.

E pyetur nga mediat për mosekzekutimin e urdhrit të prokurorisë për ndalimin e 6 gardistëve, Kryeprokurorja u përgjigj se “Urdhër-ndalimet lëshohen për persona të dyshuar, kemi pasur dyshime që këta persona janë përfshirë në ngjarjet e 21 janarit. Ekzekutimi i këtyre urdhër arresteve do na ndihmonte të zbardhnim ngjarjen”, -tha ajo. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeprokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, ambasadori amerikan Alexander Arvizu konfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me hetimet për demonstratën e të premtes së 21 janarit. “Sipas ligjit shqiptar, zyra e prokurorisë merret me hetimin e ngjarjeve dhe unë konfirmoj mbështetjen e SHBA-ve për këtë zyrë në lidhje me këtë investigim. Do ta marr, do ta lexoj dhe do ta shqyrtoj me kujdes kërkesën e kryeprokurores, që më është drejtuar mua dhe gjithashtu do ta dërgoj në Uashington. Besoj se përgjigjja do të jetë pozitive”, - u shpreh ambasadori amerikan. Ndërsa theksoi gatishmërinë për të shqyrtuar me kujdes kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e një asistence teknike në këtë investigim, ambasadori Arvizu i bëri thirrje Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, të anulojnë ose të shtyjnë tubimet e lajmëruara për këtë javë. “Hetimi i shkaqeve që çuan në ngjarjen e së premtes, është një çështje thelbësore. Shpresoj që Kryeministri Berisha dhe udhëheqësi i opozitës të marrin në konsideratë anulimin e tubimeve ose shtyrjen e tyre”, - tha ambasadori Arvizu.

Në vend të dhunës në rrugë, politikë në institucione

Artan Fuga

Më në fund ndodhi edhe ajo që nuk duhet të ndodhte në asnjë mënyrë.

Një manifestim në bulevardin kryesor të kryeqytetit dha dje si produkt një dhunë, e cila duhej të evitohej me çdo kusht nga të dy palët, e mbi të gjitha, u shoqërua veç goditjes së institucioneve, me dëmtime materiale të pasurisë qytetare, më e rëndësishmja: edhe me të plagosur dhe humbje jete.

Mbarë bota që u njoh shpejt me lajmin e freskoi kujtesën duke parë se shqiptarët e rifilluan edhe njëherë atë që shpresohej se kishte mbetur pas.

Ishte në fakt një dhunë e paralajmëruar. Përgatitja e demonstratës u shoqërua me deklarime politike se nuk do të ishin partitë që po e organizonin atë, se do të ishte populli, i cili, sikurse u tha kishte rrezik që nuk do të përmbahej. Po kështu lajmet e dala nga deklarime të politikanëve të tjerë flisnin për një rrezik dhune dhe se për këtë kishin lajmëruar policinë, edhe partnerët tanë të jashtëm paralajmëronin se protestat janë të ligjshme, kurse dhuna e papranueshme.

Gjithçka po grumbullohej dhe fokusohej te një ngjarje e rëndë, e njoftuar më parë, pothuajse sikur të ishte një fatalitet.

Shoqëria shqiptare ra edhe një herë preh e tentacionit të rifundosjes, sikurse muret e kalasë së Rozafës që ditën ngriheshin dhe pasdite rrëzoheshin, ndërsa tre vëllezërit nuk arrinin të gjenin gjuhën e përbashkët për të marrë vendimet që e çonin ndërtimin përpara. Duket sikur herë pas here dikush ka fatin e keq të sakrifikohet.

Sigurisht janë organet e specializuara që do të kenë punë për të nxjerrë të vërtetën për çka ndodhi dhe duhet t’a bëjnë këtë për të nxjerrë në pah të gjitha përgjegjësitë, të kujtdo qofshin, ndërsa në planin njerëzor dhe politik, ka vend të thuhet se nuk kanë asnjë lidhje protestat, manifestimet, shprehjet e vullnetit të lirë popullor, opozitar ose jo, gjithmonë të kuadratuar nga partitë dhe organizatat politike, me ushtrimin e dhunës ngado që ajo të vijë.

Dhuna ngado që të vijë, ngado që limitet e arsyes të kapërcehen, nuk i shërben aspak as njerëzve, as familjeve, as shoqërisë, as demokratizimit të vendit, as përpunimit të të gjitha mekanizmave të shtetit ligjor.

Deputetët nuk dhanë dot nëpërmjet një dialogimi politik në Kuvend kulturën e asaj që mekanizmi i transformimit demokratik, i kapërcimit të tensioneve politike, i reformimit të shtetit dhe të jetës politike nëpërmjet reformave, të kryhej nëpërmjet argumentit, perspektivave, propozimeve, aleancave politike. Skenat e fundit në Kuvendin e Shqipërisë nuk të jepnin parandjenja të qeta. Shumë tension fizik ndihej. Edhe ato parathonin mesazhe që ishin alarmante.

Shoqëria shqiptare mbështetet megjithatë në një kulturë paqësore në planin makrosocial. Sherre individuale ose grupesh të izoluara ka në kujtesë, kurse për çarje të vërteta që prodhojnë dhunë fizike dhe me armë midis pjesëve të popullsisë nuk ka pasur në traditë. Do të ishte fatkeqe që ato të mbërrinin në periudhën e demokratizimit dhe zgjerimit të lirive demokratike.

Jam krejtësisht i sigurt, dhe jo për të bërë moral, se qeliza e shoqërisë shqiptare është në thelb paqësore sepse kemi të bëjmë me një model tradicionalisht të integruar kryesisht holist, ku lidhjet familjare, klanike, zonale, etj., janë të tilla që nuk kanë lejuar një polarizim gjakderdhës apo dhunues të shoqërues. Kjo është provuar fort edhe në periudha të tjera ku dukuritë e dhunës, sado të dhimbshme, nuk kanë përfshirë dot materien e gjerë dhe të thellë të shoqërisë.

Por, si një shoqëri në transformim e sipër, ajo ka frustrimet e veta. Prej disa dekadash, midis shtatë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh, një herë në kaq kohë, me frekuencë gati të rregullt ka njohur megjithatë tronditje të fuqishme, të cilat janë kapërcyer pa e çarë në dysh e fragmentarizuar për një kohë të gjatë.

Frustrimi sidomos në shtresa të caktuara të shoqërisë, sigurisht, kur nuk kanalizohet dot politikisht, nuk e gjen dot veten të shprehet e përkthehet në aktivitet politik brenda sferës politike, rrezikon gjithmonë të ushqejë një dhunë latente, në një farë agresiviteti dhe tensionimi që shprehet në shumë forma të jetës së përditshme, apo edhe në të tjera forma konfrontuese sikurse fatkeqësisht u bëmë dëshmitarë dje. Ka hendeqe sociale dhe ekonomike që sjellin polarizime, shtresa që jetojnë në varfëri, të paintegruara në dinamikat ekonomike të vendit, ndërsa individi ndjen se jeta politike jo vetëm që nuk e ka përfshirë dot si duhet, por edhe e ka larguar fort nga vendimmarrjet dhe interesimet e veta.

Nuk duhet të harrojmë se votimet disa herë me rradhë dëshmojnë që për partitë politike të çdo krahu nuk votojnë më shumë se çereku i popullsisë.

Bota sot është në zhvillim të shpejtë dhe Shqipërisë i duhet të integrohet në proceset globale pas dekadash izolimi të plotë, diktature totalitare, dhe rënieje ekonomike që shkonte deri në nivelet e urisë. Kapja e dinamikave europiane dhe globale nuk është një aventurë që kryhet lehtë dhe pa dhimbje. Askush nuk e ka formulën, askush nuk ka gurin filozofal, për të gjetur sesi këto dinamika mund të qeverisen më mirë. Por, gjithsesi, hapat e vendit drejt integrimit europian dhe euroatlantik nuk kanë qenë të vogla. Fuqia e popullit dhe energjitë e tija, me pengesa apo me vështirësi të konsiderueshme, kanë bërë që shoqëria shqiptare në shumë fusha të mos ketë më ngjashmëri me të shkuarën.

Vendit i duhet përparim, luftë politike, reforma të thella, por edhe stabilitet. Më kujtohet përherë thënia e Ogyst Kontit, filozofit të madh pozitivist, i cili përsëriste pafund se kombeve të pjekur iu duhet: “Rend dhe progres”.

Është e kuptueshme që klasa politike nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët për të zgjidhur problemet e ngritura prej dy vjetësh. Sot, nuk ka rëndësi të debatohet pa fund se kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Problemi themelor dhe urgjent nuk është ky. Në një demokraci çdokush ka të drejtë të ndjekë perspektivën e vet politike dhe të ketë këndvështrimin e vet për ngjarjet dhe proceset që ndodhin. Ka të drejtën e vet. Puna është se stabiliteti demokratik ndonëse nuk mbështetet te konsensusi, bazohet gjithsesi te konsensusi për të pasur Të drejtë për të mos qenë në konsensus me të tjerët.

Na duhet pikërisht krijimi i atyre institucioneve të besueshme, të cilat, sikurse e kam thënë edhe një javë më parë në faqet e po kësaj gazet, të arrijnë të ndajnë shtetin e së drejtës, nga partitë, të cilat gjithashtu janë mekanizma të shprehjes të atij vullneti politik që e ushqen të gjithë shoqërinë me perspektiva politike, por nuk mund t’a identifikojnë rrafshin partiak me universin e shtetit të së drejtës.

Sot nuk ka rëndësi të ndahet se kush ka të drejtë e kush nuk ka të drejtë, urgjenca është të përparojnë me anë reformash ato institucione të shtetit të së drejtës që lejojnë ballafaqimin e perspektivave të kundërta politike brenda një mekanizmi të besueshëm të shtetit të së drejtës, pa i lënë perspektivat e ndryshme të shndërrohen nga aktivitete institucionale në përplasje në rrugë me viktima. Këto mekanizma ende nuk i kemi në nivelet që duhen, që nga kuadri ligjor zgjedhor, te modeli i drejtësisë, te raportet midis partive politike me botën e parasë, te lufta kundër korrupsionit, etj.

Mbetem i bindur se shoqëria shqiptare ka fuqi t’a kapërcejë dramën e hidhur të djeshme dhe t’a çojë energjinë e saj nëpër hullitë e politikës, jo të ndeshjeve trup më trup.

Dhuna prodhon dhunë. Kurba e saj kur del jashtë kontrolli mund të marrë përmasa eksponenciale. Ajo bëhet precedent dhe nuk e lë shtetin të qetë. Bëhet një mekanizëm riprodhues dhe klonues i vetvetes. Ajo merr legjitimitet për t’u bërë pastaj mekanizmi i vetëm realizimit të rrotacioneve politike që, në të kundërt, kanë nevojë të kryhen vetëm në mënyrë të kulturuar duke respektuar kuadrin ligjor. Dhuna riprodhon dhunën. Darkave do të debatojnë nëpër ekrane, dhe ditën do të përleshen nëpër rrugë.

Midis gjakut dhe spektaklit do të arrijmë rrezik në spektaklizimin e dhunës, ose në estetizimin e saj televiziv. Duhet gjetur forca për të ndaluar qysh në rrëshqitjen e parë.

Rruga do të ushqejë televizionet dhe televizionet do të ushqejnë rrugën. Nga dhuna virtuale drejt dhunë reale, pastaj, si në një lojë, nga dhuna reale drejt asaj virtuale, e kështu pa fundësisht shoqëria mund të hyjë në ingranazh dhune që askush nuk ka të drejtë t’ia rezervojë asaj.

Aq më shumë ajo rrezikon të dalë nga kontrolli sikurse doli dje sepse në rrafshe të tjerë, në zona dhe mikronivele të tjera, qytete, krahina, lagje, dhuna mund të shprehet sporadikisht në forma edhe më të pakontrollueshme në grupe të veçuara shoqërore apo individë. Dhuna pengon dinamikat ekonomike. Ajo mbi të gjitha merr jetë njerëzish dhe traumatizon ndërgjegjen kombëtare.

Nuk ka vend për dhunë, ka vend për politikë, për dialog, për reforma në institucione.

Sado dobësi të ketë treguar klasa politike me daljen e situatës nga kontrolli dje, rast ky për një reflektim të thellë, gjakftohtë, përsëri gjykoj se askujt nuk i intereson, partive politike jo e jo, që sistemi politik shqiptar të deligjitimohet krejtësisht duke dalë nga binarët e institucioneve sado të meta kanë ato. Të parat janë ato, partitë politike, që e mbajnë përgjegjësinë nëse do të ndodhi kështu.

Ka operatorë të fuqishëm ekonomikë, financiarë dhe në sektorë të tjerë, të brendshëm dhe të jashtë, që kërkojnë dhe duhet imponojnë stabilitet, por edhe reforma, reforma, por edhe stabilitet. Nuk jemi më as në 1991 as në 1997 kur dukej se shqiptari nuk kishte se çfarë humbiste shumë materialisht sepse pothuajse nuk kishte asgjë në zotërim.

Jetojmë në një vend që është i lidhur me detyrime ndërkombëtare shumë të fuqishme, me partnerë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian, të cilët sigurisht nuk mund të pranojnë dhe tolerojnë që një vend i cili dërgon forca për sigurimin e paqes në botë, të jetë vend i pastabilizuar së brendshmi.

Aq më shumë që kemi përgjegjësinë se nuk ka veç dhjetë vjet që shqiptarët në Ballkan patën një fitore të vështirë dhe të merituar historike që përfundoi me shpalljen e shtetit të ri të Kosovës. Askush nuk do të pranonte që ne të mos gjenim gjuhën politike të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të paqtuar, me mekanizma juridikë dhe politikë të zhvilluar, të cilët të na lejojnë të ecim përpara.

Jetojmë në një botë që ndjen tronditje të fuqishme në planin financiar nga një krizë me pasoja të rënda për çdo popull, edhe për ata më të pasurit, që po e kalojnë dhe e përballojnë me dinjitet, duke mbledhur të gjitha forcat e tyre krijuese. Nuk ka kuptim që reagimi ynë përpara kësaj sfide madhore që i ka vendosur popujt para fatit të tyre, o sot o asnjëherë, të ishte rënia në vëllavrasje, në dhunë mes nesh, në përleshje fizike me njeri tjetrin, thirrur në ring nga partitë, sepse do të kishte qenë si sjellja e një individi që i pazoti për të përballuar sfidat e botës së jashtme, nuk gjen tjetër mënyrë për t’i shpëtuar ndjenjës së pafuqisë që e ka kapluar, veçse duke goditur veten.

Do të ishte vetëvrasje.

Ka rrjet të shoqërisë civile ndër ne që ka fuqi të debatojë politikisht, ka media të zhvilluara ku shprehet mendimi politik, ka mbi të gjitha shqiptar që nuk del në skenën politike, por që duke qenë kritik ndaj klasës politike, nuk pajtohet aspak me dhunën, por pret që zgjedhjen e tij t’a shprehë politikisht. Hëpërhë ai kërkon shumë më tepër sesa politika i jep dhe i ka dhënë atij, për aq sa e sheh atë nga ekranet televizive.

Dje ishte një dështim i dhimbshëm.

Ka vend urgjentisht të nxirren mësime sa nuk është vonë. Në vend të dhunës në rrugë, ka vend për politikë reformatore në institucione. Sot, sepse nesër do të jetë shumë vonë.