Wednesday, January 26, 2011

Në vend të dhunës në rrugë, politikë në institucione

Artan Fuga

Më në fund ndodhi edhe ajo që nuk duhet të ndodhte në asnjë mënyrë.

Një manifestim në bulevardin kryesor të kryeqytetit dha dje si produkt një dhunë, e cila duhej të evitohej me çdo kusht nga të dy palët, e mbi të gjitha, u shoqërua veç goditjes së institucioneve, me dëmtime materiale të pasurisë qytetare, më e rëndësishmja: edhe me të plagosur dhe humbje jete.

Mbarë bota që u njoh shpejt me lajmin e freskoi kujtesën duke parë se shqiptarët e rifilluan edhe njëherë atë që shpresohej se kishte mbetur pas.

Ishte në fakt një dhunë e paralajmëruar. Përgatitja e demonstratës u shoqërua me deklarime politike se nuk do të ishin partitë që po e organizonin atë, se do të ishte populli, i cili, sikurse u tha kishte rrezik që nuk do të përmbahej. Po kështu lajmet e dala nga deklarime të politikanëve të tjerë flisnin për një rrezik dhune dhe se për këtë kishin lajmëruar policinë, edhe partnerët tanë të jashtëm paralajmëronin se protestat janë të ligjshme, kurse dhuna e papranueshme.

Gjithçka po grumbullohej dhe fokusohej te një ngjarje e rëndë, e njoftuar më parë, pothuajse sikur të ishte një fatalitet.

Shoqëria shqiptare ra edhe një herë preh e tentacionit të rifundosjes, sikurse muret e kalasë së Rozafës që ditën ngriheshin dhe pasdite rrëzoheshin, ndërsa tre vëllezërit nuk arrinin të gjenin gjuhën e përbashkët për të marrë vendimet që e çonin ndërtimin përpara. Duket sikur herë pas here dikush ka fatin e keq të sakrifikohet.

Sigurisht janë organet e specializuara që do të kenë punë për të nxjerrë të vërtetën për çka ndodhi dhe duhet t’a bëjnë këtë për të nxjerrë në pah të gjitha përgjegjësitë, të kujtdo qofshin, ndërsa në planin njerëzor dhe politik, ka vend të thuhet se nuk kanë asnjë lidhje protestat, manifestimet, shprehjet e vullnetit të lirë popullor, opozitar ose jo, gjithmonë të kuadratuar nga partitë dhe organizatat politike, me ushtrimin e dhunës ngado që ajo të vijë.

Dhuna ngado që të vijë, ngado që limitet e arsyes të kapërcehen, nuk i shërben aspak as njerëzve, as familjeve, as shoqërisë, as demokratizimit të vendit, as përpunimit të të gjitha mekanizmave të shtetit ligjor.

Deputetët nuk dhanë dot nëpërmjet një dialogimi politik në Kuvend kulturën e asaj që mekanizmi i transformimit demokratik, i kapërcimit të tensioneve politike, i reformimit të shtetit dhe të jetës politike nëpërmjet reformave, të kryhej nëpërmjet argumentit, perspektivave, propozimeve, aleancave politike. Skenat e fundit në Kuvendin e Shqipërisë nuk të jepnin parandjenja të qeta. Shumë tension fizik ndihej. Edhe ato parathonin mesazhe që ishin alarmante.

Shoqëria shqiptare mbështetet megjithatë në një kulturë paqësore në planin makrosocial. Sherre individuale ose grupesh të izoluara ka në kujtesë, kurse për çarje të vërteta që prodhojnë dhunë fizike dhe me armë midis pjesëve të popullsisë nuk ka pasur në traditë. Do të ishte fatkeqe që ato të mbërrinin në periudhën e demokratizimit dhe zgjerimit të lirive demokratike.

Jam krejtësisht i sigurt, dhe jo për të bërë moral, se qeliza e shoqërisë shqiptare është në thelb paqësore sepse kemi të bëjmë me një model tradicionalisht të integruar kryesisht holist, ku lidhjet familjare, klanike, zonale, etj., janë të tilla që nuk kanë lejuar një polarizim gjakderdhës apo dhunues të shoqërues. Kjo është provuar fort edhe në periudha të tjera ku dukuritë e dhunës, sado të dhimbshme, nuk kanë përfshirë dot materien e gjerë dhe të thellë të shoqërisë.

Por, si një shoqëri në transformim e sipër, ajo ka frustrimet e veta. Prej disa dekadash, midis shtatë, dhjetë ose pesëmbëdhjetë vitesh, një herë në kaq kohë, me frekuencë gati të rregullt ka njohur megjithatë tronditje të fuqishme, të cilat janë kapërcyer pa e çarë në dysh e fragmentarizuar për një kohë të gjatë.

Frustrimi sidomos në shtresa të caktuara të shoqërisë, sigurisht, kur nuk kanalizohet dot politikisht, nuk e gjen dot veten të shprehet e përkthehet në aktivitet politik brenda sferës politike, rrezikon gjithmonë të ushqejë një dhunë latente, në një farë agresiviteti dhe tensionimi që shprehet në shumë forma të jetës së përditshme, apo edhe në të tjera forma konfrontuese sikurse fatkeqësisht u bëmë dëshmitarë dje. Ka hendeqe sociale dhe ekonomike që sjellin polarizime, shtresa që jetojnë në varfëri, të paintegruara në dinamikat ekonomike të vendit, ndërsa individi ndjen se jeta politike jo vetëm që nuk e ka përfshirë dot si duhet, por edhe e ka larguar fort nga vendimmarrjet dhe interesimet e veta.

Nuk duhet të harrojmë se votimet disa herë me rradhë dëshmojnë që për partitë politike të çdo krahu nuk votojnë më shumë se çereku i popullsisë.

Bota sot është në zhvillim të shpejtë dhe Shqipërisë i duhet të integrohet në proceset globale pas dekadash izolimi të plotë, diktature totalitare, dhe rënieje ekonomike që shkonte deri në nivelet e urisë. Kapja e dinamikave europiane dhe globale nuk është një aventurë që kryhet lehtë dhe pa dhimbje. Askush nuk e ka formulën, askush nuk ka gurin filozofal, për të gjetur sesi këto dinamika mund të qeverisen më mirë. Por, gjithsesi, hapat e vendit drejt integrimit europian dhe euroatlantik nuk kanë qenë të vogla. Fuqia e popullit dhe energjitë e tija, me pengesa apo me vështirësi të konsiderueshme, kanë bërë që shoqëria shqiptare në shumë fusha të mos ketë më ngjashmëri me të shkuarën.

Vendit i duhet përparim, luftë politike, reforma të thella, por edhe stabilitet. Më kujtohet përherë thënia e Ogyst Kontit, filozofit të madh pozitivist, i cili përsëriste pafund se kombeve të pjekur iu duhet: “Rend dhe progres”.

Është e kuptueshme që klasa politike nuk e ka gjetur gjuhën e përbashkët për të zgjidhur problemet e ngritura prej dy vjetësh. Sot, nuk ka rëndësi të debatohet pa fund se kush ka të drejtë e kush e ka gabim. Problemi themelor dhe urgjent nuk është ky. Në një demokraci çdokush ka të drejtë të ndjekë perspektivën e vet politike dhe të ketë këndvështrimin e vet për ngjarjet dhe proceset që ndodhin. Ka të drejtën e vet. Puna është se stabiliteti demokratik ndonëse nuk mbështetet te konsensusi, bazohet gjithsesi te konsensusi për të pasur Të drejtë për të mos qenë në konsensus me të tjerët.

Na duhet pikërisht krijimi i atyre institucioneve të besueshme, të cilat, sikurse e kam thënë edhe një javë më parë në faqet e po kësaj gazet, të arrijnë të ndajnë shtetin e së drejtës, nga partitë, të cilat gjithashtu janë mekanizma të shprehjes të atij vullneti politik që e ushqen të gjithë shoqërinë me perspektiva politike, por nuk mund t’a identifikojnë rrafshin partiak me universin e shtetit të së drejtës.

Sot nuk ka rëndësi të ndahet se kush ka të drejtë e kush nuk ka të drejtë, urgjenca është të përparojnë me anë reformash ato institucione të shtetit të së drejtës që lejojnë ballafaqimin e perspektivave të kundërta politike brenda një mekanizmi të besueshëm të shtetit të së drejtës, pa i lënë perspektivat e ndryshme të shndërrohen nga aktivitete institucionale në përplasje në rrugë me viktima. Këto mekanizma ende nuk i kemi në nivelet që duhen, që nga kuadri ligjor zgjedhor, te modeli i drejtësisë, te raportet midis partive politike me botën e parasë, te lufta kundër korrupsionit, etj.

Mbetem i bindur se shoqëria shqiptare ka fuqi t’a kapërcejë dramën e hidhur të djeshme dhe t’a çojë energjinë e saj nëpër hullitë e politikës, jo të ndeshjeve trup më trup.

Dhuna prodhon dhunë. Kurba e saj kur del jashtë kontrolli mund të marrë përmasa eksponenciale. Ajo bëhet precedent dhe nuk e lë shtetin të qetë. Bëhet një mekanizëm riprodhues dhe klonues i vetvetes. Ajo merr legjitimitet për t’u bërë pastaj mekanizmi i vetëm realizimit të rrotacioneve politike që, në të kundërt, kanë nevojë të kryhen vetëm në mënyrë të kulturuar duke respektuar kuadrin ligjor. Dhuna riprodhon dhunën. Darkave do të debatojnë nëpër ekrane, dhe ditën do të përleshen nëpër rrugë.

Midis gjakut dhe spektaklit do të arrijmë rrezik në spektaklizimin e dhunës, ose në estetizimin e saj televiziv. Duhet gjetur forca për të ndaluar qysh në rrëshqitjen e parë.

Rruga do të ushqejë televizionet dhe televizionet do të ushqejnë rrugën. Nga dhuna virtuale drejt dhunë reale, pastaj, si në një lojë, nga dhuna reale drejt asaj virtuale, e kështu pa fundësisht shoqëria mund të hyjë në ingranazh dhune që askush nuk ka të drejtë t’ia rezervojë asaj.

Aq më shumë ajo rrezikon të dalë nga kontrolli sikurse doli dje sepse në rrafshe të tjerë, në zona dhe mikronivele të tjera, qytete, krahina, lagje, dhuna mund të shprehet sporadikisht në forma edhe më të pakontrollueshme në grupe të veçuara shoqërore apo individë. Dhuna pengon dinamikat ekonomike. Ajo mbi të gjitha merr jetë njerëzish dhe traumatizon ndërgjegjen kombëtare.

Nuk ka vend për dhunë, ka vend për politikë, për dialog, për reforma në institucione.

Sado dobësi të ketë treguar klasa politike me daljen e situatës nga kontrolli dje, rast ky për një reflektim të thellë, gjakftohtë, përsëri gjykoj se askujt nuk i intereson, partive politike jo e jo, që sistemi politik shqiptar të deligjitimohet krejtësisht duke dalë nga binarët e institucioneve sado të meta kanë ato. Të parat janë ato, partitë politike, që e mbajnë përgjegjësinë nëse do të ndodhi kështu.

Ka operatorë të fuqishëm ekonomikë, financiarë dhe në sektorë të tjerë, të brendshëm dhe të jashtë, që kërkojnë dhe duhet imponojnë stabilitet, por edhe reforma, reforma, por edhe stabilitet. Nuk jemi më as në 1991 as në 1997 kur dukej se shqiptari nuk kishte se çfarë humbiste shumë materialisht sepse pothuajse nuk kishte asgjë në zotërim.

Jetojmë në një vend që është i lidhur me detyrime ndërkombëtare shumë të fuqishme, me partnerë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian, të cilët sigurisht nuk mund të pranojnë dhe tolerojnë që një vend i cili dërgon forca për sigurimin e paqes në botë, të jetë vend i pastabilizuar së brendshmi.

Aq më shumë që kemi përgjegjësinë se nuk ka veç dhjetë vjet që shqiptarët në Ballkan patën një fitore të vështirë dhe të merituar historike që përfundoi me shpalljen e shtetit të ri të Kosovës. Askush nuk do të pranonte që ne të mos gjenim gjuhën politike të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri të paqtuar, me mekanizma juridikë dhe politikë të zhvilluar, të cilët të na lejojnë të ecim përpara.

Jetojmë në një botë që ndjen tronditje të fuqishme në planin financiar nga një krizë me pasoja të rënda për çdo popull, edhe për ata më të pasurit, që po e kalojnë dhe e përballojnë me dinjitet, duke mbledhur të gjitha forcat e tyre krijuese. Nuk ka kuptim që reagimi ynë përpara kësaj sfide madhore që i ka vendosur popujt para fatit të tyre, o sot o asnjëherë, të ishte rënia në vëllavrasje, në dhunë mes nesh, në përleshje fizike me njeri tjetrin, thirrur në ring nga partitë, sepse do të kishte qenë si sjellja e një individi që i pazoti për të përballuar sfidat e botës së jashtme, nuk gjen tjetër mënyrë për t’i shpëtuar ndjenjës së pafuqisë që e ka kapluar, veçse duke goditur veten.

Do të ishte vetëvrasje.

Ka rrjet të shoqërisë civile ndër ne që ka fuqi të debatojë politikisht, ka media të zhvilluara ku shprehet mendimi politik, ka mbi të gjitha shqiptar që nuk del në skenën politike, por që duke qenë kritik ndaj klasës politike, nuk pajtohet aspak me dhunën, por pret që zgjedhjen e tij t’a shprehë politikisht. Hëpërhë ai kërkon shumë më tepër sesa politika i jep dhe i ka dhënë atij, për aq sa e sheh atë nga ekranet televizive.

Dje ishte një dështim i dhimbshëm.

Ka vend urgjentisht të nxirren mësime sa nuk është vonë. Në vend të dhunës në rrugë, ka vend për politikë reformatore në institucione. Sot, sepse nesër do të jetë shumë vonë.

No comments: