Monday, May 18, 2026

Pacolli shpërthen ndaj Valon Llukës: Unë të pasurova, ti më tradhtove! Drejtësia do të të vijë si rrufeja


 Debati mes biznesmenit Behgjet Pacolli dhe Valon Llukës lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës është tensionuar edhe më tej.

Përplasja e fundit erdhi pasi përfaqësues të kompanisë së lidhur me Llukën nuk lejuan hyrjen e punonjësve të kompanisë “Mabco” në kantierin e aeroportit.

Pacolli e cilësoi këtë veprim si të paligjshëm dhe me elementë kriminalë, duke akuzuar ish-bashkëpunëtorin e tij për tradhti, falsifikim dokumentesh dhe tentativa për përvetësim të pronave.

Në një reagim publik, ai deklaroi se Valon Lluka kishte qenë pjesë e grupit “Mabetex” për afro 18 vite dhe kishte përfituar financiarisht gjatë kësaj periudhe, por sipas tij më pas ka shkelur besimin e dhënë.

Pacolli pretendon se Lluka ka ndërmarrë veprime të paligjshme për tjetërsimin e pronave dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara. Ai shton se konflikti po shoqërohet me presione dhe tensione të vazhdueshme prej muajsh, ndërsa shprehet i bindur se drejtësia do të japë përgjigje për këtë çështje.

“Ti falsifikove dokumente dhe veprove pas shpine për muaj me radhë”, shkruan Pacolli në reagimin e tij, duke e akuzuar ish-zyrtarin për shantazh dhe bashkëpunim në atë që ai e quan “vepër kriminale”.

Përplasja mes palëve lidhet me kontrollin dhe menaxhimin e projektit të Aeroportit të Vlorës, një investim me vlerë të konsiderueshme që prej kohësh është shoqëruar me debate, akuza dhe procese gjyqësore.

Postimi i plotë i Pacollit:

Kjo që po ndodh në Vlorë, ky terrorizim i grupeve kriminale ndaj punonjësve të investitorit të vetëm Mabco (pronarit të 98% të kuotave), i cili është i ekspozuar me mbi 300 milionë euro në Vlorë, i inkurajuar nga vendime gjyqësore të përkohshme, joligjore dhe jokushtetuese, e ka zanafillën te veprimet e pamoralshme, të dënueshme, mashtruese dhe tradhtare të Valon Llukës. Ai erdhi në grupin Mabetex, kaloi nëpër shumë funksione, u pasurua dhe në fund, pas 18 vitesh, tregoi fytyrën e tij të vërtetë dhe tradhtoi besimin që ia kishim dhënë.

Siç po e shihni, prej 9 muajsh jemi duke u përballur çdo ditë me trauma marramendëse, në kërkim të së drejtës dhe në përpjekje për të evituar më të keqen.

Tani po te drejtohem ty, A  nuk të mjaftonte paga prej 30 mijë eurosh (me të gjitha të mirat e mirëkuptimin që kishe), por fute duart edhe te tjetërsimi i pronës që nuk është e jotja. Si munde ta shesësh pronën e huaj? Kush të shtyu ta bësh atë? E bëre për një përqindje, ashtu siç të kishte premtuar partneri yt në këtë vepër kriminale, nëse do ta kryenit me sukses këtë akt të shëmtuar.

Ti falsifikove dokumente, vula dhe çdo gjë tjetër. Pse, para se ta kryeje këtë akt të shëmtuar, nuk erdhe të kërkoje ndihmë, si herët e tjera? Ndoshta do të të kisha ndihmuar. Pse e mbajte këtë akt të fshehur për më shumë se 5 muaj, derisa rastësisht e zbuluam, pse unë nuk kisha bërë asnjë hulumtim, sepse kisha besim tek ti?

Ti i përbuze të gjitha: përbuze bujarinë dhe shtëpinë time. Mos harro se drejtësia, herët a vonë, vjen si rrufeja.

No comments: