Monday, May 18, 2026

Kaos në kantierin e Aeroportit të Vlorës! Përplasen dy firmat, pengohet hyrja në kantier! Ndërhyn policia

 


Tensionet mes dy kompanive që operojnë në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës janë rikthyer sërish këtë të hënë, duke sjellë bllokimin e hyrjes së një pjese të punëtorëve në zonën e punimeve.

Sipas informacioneve paraprake,

përfaqësues dhe punonjës të njërës prej firmave kanë penguar hyrjen e stafit të kompanisë tjetër në kantier, duke mos i lejuar të vijojnë punën. Situata ka krijuar tension në ambientet e aeroportit, ndërsa është dashur edhe ndërhyrja e policisë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Burime pranë projektit bëjnë me dije se përplasja lidhet me mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes kompanive MABCO Constructions dhe 2A Group, të cilat prej muajsh janë në konflikt për administrimin dhe kontrollin e punimeve në aeroport.

Sipas pretendimeve të MABCO Constructions, punimet po pengohen në mënyrë të padrejtë nga pala tjetër, ndërsa 2A Group argumenton se hyrja e disa punonjësve dhe nënkontraktorëve në kantier është e paautorizuar.

Sipas informacioneve, punonjësit e kompanisë Mabco dhe nënkontraktorët e saj janë telefonuar një natë më parë dhe janë njoftuar që të mos paraqiteshin në punë gjatë ditës së sotme. Megjithatë, për shkak se nuk kanë marrë një komunikim zyrtar, ata janë paraqitur në kantier, por nuk janë lejuar të futen brenda ambienteve të aeroportit.

Burime nga terreni bëjnë me dije se ndalimi ka prekur punonjësit që operojnë në terminal, në zonat e jashtme të aeroportit, si edhe stafin zjarrfikës.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë MACBO, nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar për pezullimin e punimeve apo ndalimin e stafit. Ismet Pacolli pretendoi se bllokimi i hyrjes së punonjësve është bërë në mënyrë të padrejtë dhe jashtë procedurave ligjore.

Po sipas tyre, hyrja e stafit është penguar nga VIA, kompani që është pjesë e konsorciumit të aeroportit.

Pala e MACBO thekson se çështja mes kompanive ndodhet aktualisht në gjykatë dhe se vetëm drejtësia duhet të vendosë për vijimin e punimeve dhe raportet mes palëve.

Ndërkohë, afati për përfundimin e punimeve nga firmat e përfshira është fundi i muajit maj, me mundësi shtyrjeje deri në 3 muaj të tjerë, çka e çon afatin final në muajin gusht.

Konflikti mes dy palëve nuk është i ri. Në javët e fundit janë raportuar edhe episode të tjera tensioni në kantier, përfshirë akuza reciproke për bllokim punimesh dhe pengim të stafit në terren.

Aeroporti i Vlorës, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, vijon të shoqërohet me përplasje mes palëve të përfshira në realizimin e tij.

No comments: