Departamenti i Shtetit thuajse në çdo raport e nxin qeverinë. Por duket se këtë herë një shuplakë e fortë ka ardhur nga shërbimi sekret amerikan...
Ndërkombëtarët vijojnë t’i japin goditje të fortë qeverisë
shqiptare. Ndonëse kryeministri tenton ta heqë veten si revolucionar dhe nuk i pranon konkluzionet e ndërkombëtarëve, për agjencitë e huaja Shqipëria vijon të jetë një vend i mbytur nga korrupsioni dhe krimi.Departamenti i Shtetit thuajse në çdo raport e nxin qeverinë. Por duket se këtë herë një shuplakë e fortë ka ardhur nga shërbimi sekret amerikan. CIA ka përditësuar të dhënat për Shqipërinë dhe ka renditur disa problematika. Duke filluar nga qeverisje dobët, korrupsioni, krimi etj.
“Sfidat për Shqipërinë përfshijnë qeverisjen e dobët, korrupsionin, përshtatjen klimatike, cenueshmërinë ndaj goditjeve të sektorit të energjisë dhe emigracionin e punëtorëve”, theksohet në raport.
Po ashtu vendi ynë vijon të mbetet një vend ku gëlon droga. “Shqipëria një vend burimi për kanabisin dhe një pikë aktive transporti për organizatat shqiptare të narkotrafikut që lëvizin droga të paligjshme në tregjet evropiane”, theksohet më tej.
Në raport një hapësirë i është kushtuar edhe Forcave të Armatosura. Sipas CIA, edhe pse Shqipëria është anëtare e NATO-s, ka një forcë ushtarake tepër modeste.
“Forcat e Armatosura Shqiptare (FASH) janë përgjegjëse për mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe territorit të vendit, asistencën për sigurinë e brendshme, ofrimin e ndihmës humanitare dhe fatkeqësive, si dhe pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare; është një forcë e vogël, pak e armatosur që i është nënshtruar një përpjekjeje modernizimi për të përmirësuar aftësinë e saj për të përmbushur misionet e NATO-s, duke përfshirë trajnimin dhe blerjen e pajisjeve; FASH ka kontribuar me një numër të vogël forcash në disa misione të NATO-s që kur Shqipëria u bashkua me NATO-n në 2009, duke përfshirë misionet paqeruajtëse/stabiliteti në Afganistan, Kosovë dhe Irak, dhe grupe luftarake shumëkombëshe në Bullgari dhe Letoni; ka kontribuar gjithashtu në misionet e BE-së dhe OKB-së (2024)”, thekson raporti.
Kjo goditje vjen në një kohë kur vetëm një ditë më parë Rama i hodhi poshtë konkluzionet e ndërkombëtarëve. Ai u pyet te VOA mbi këto raporte dhe tha se në shumë raste bazohen mbi spekulime.
“Korrupsioni ishte një temë shumë e debatuar për gati dy vjet në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ishte një temë e debatuar me një kahje, por ishte një temë e debatuar me të dyja kahjet, që do të thotë se në këtë debat për korrupsionin ka shumë; ka natyrisht të vërteta, që në rastin e Shqipërisë ne nuk mund t’i mohojmë, ka shumë të pavërteta që janë atraktive në arenën politike dhe mediatike, ka shumë analiza, që mbështeten mbi shumë spekulime, por, për t’u kthyer dhe për të mbyllur përgjigjen: korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real, jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve...”, tha Rama.
Ndonëse kryeministrit nuk i pëlqejnë fjalët e të huajve, është fakt se Shqipëria nxin në çdo raport ndërkombëtar.
No comments:
Post a Comment