Sunday, December 29, 2024

SEN BERNIE SANDERS: Two Americas, the people vs. the billionaires

 

Senator  Bernie Sanders

Është e vështirë të mos e vësh re. Vendi ynë po evoluon me shpejtësi në dy Amerika.

Një Amerikë që përbëhet nga më pak se 1 mijë miliarderë, të cilët zotërojnë një sasi të paparë pasurie dhe pushteti, dhe që asnjëherë nuk kanë qenë në një pozicion kaq të mirë sa sot. 

Pastaj është Amerika tjetër, ku jeton shumica dërrmuese e amerikanëve. Ajo përbëhet nga dhjetëra miliona familje, të cilat përpiqen çdo ditë të sigurojnë bukën e gojës, të paguajnë faturat dhe që shqetësohen se fëmijët e tyre do kenë një standard jetese edhe më të ulët se ata.

Në Amerikën e parë, të pasurit blejnë jahte 500 milionë dollarëshe, të pajisur me helikopterë, pallate 270 milionë dollarësh me 30 dhoma gjumi luksoze, ishuj privatë, një flotë të tërë avionësh për të udhëtuar në mbarë botën, apo edhe anije hapësinore për të udhëtuar deri në skajet e jashtme të atmosferës së Tokës.

Ata kanë mundësi të blejnë kujdesin shëndetësor më të mirë që ekziston, i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat ​​më të mira, dhe presin të jetojnë jetë shumë të gjatë se të tjerët. Në këtë Amerikë, 3 njerëzit më të pasur (Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg) zotërojnë më shumë pasuri se gjysma e shoqërisë sonë që gjendet në fund të shkallares ekonomike: mbi 165 milionë njerëz.

Dhe pasuria e tyre vetëm sa po rritet. Vetëm Musk zotëron aktualisht mbi 450 miliardë dollarë, dhe së bashku këta tre burra kanë një pasuri prej 955 miliardë dollarësh. Dhe nuk janë vetëm këta të tre. Një për qind e njerëzve të pasur, zotërojnë më shumë pasuri se 90 për qind e njerëzve më të varfër, dhe hendeku midis shumë të pasurve dhe gjithë të tjerëve po rritet çdo ditë e më shumë.

Në Amerikën tjetër, klasa punëtore lufton vetëm për të siguruar nevojat bazë të jetesës. Në këtë Amerikë, mbi 60 për qind e njerëzve tanë jetojnë me ndihmë sociale, miliona të tjerë punojnë për paga mjerane. 85 milion janë të pasiguruar, dhe më shumë se 20 milion familje shpenzojnë mbi gjysmën e të ardhurave të tyre të kufizuara vetëm për pagimin e qirasë apo kredisë, dhe mbi 60.000 vdesin çdo vit sepse nuk kanë mundësi të shkojnë në kohë tek mjeku.

Në këtë Amerikë, 25 për qind e të moshuarve përpiqen të mbijetojnë me më pak se 15.000 dollarë në vit, ndërsa prindërit përpiqen t’i rrisin fëmijët e tyre në një komb që ka shkallën më të lartë të varfërisë së fëmijërisë nga thuajse çdo vend tjetër i madh.

Dhe për shkak të stresit dhe kujdesit të pamjaftueshëm shëndetësor, njerëzit që punojnë jetojnë shumë më pak se të pasurit. Në këtë Amerikë, punëtorët janë të frikësuar për vdekje se nëse ju prishet makina, nëse i sëmuret fëmija, nëse pronari i shtëpisë u rrit qiranë, nëse divorcohen, nëse gratë mbeten shtatzënë, nëse për çfarëdolloj arsye e humbin punën, pasi do të gjejnë veten në mesin e një katastrofe financiare.

Por le të jemi të qartë. Vendi ynë nuk po përjeton vetëm një nivel të paprecedentë të të ardhurave dhe të pabarazisë pasurore. Sot kemi më shumë përqendrim të pronësisë se sa kemi pasur ndonjëherë. Sektor pas sektori - nga kujdesi shëndetësor, bujqësia, shërbimet financiare, energjia, transporti - një pjesë e vogël e korporatave të mëdha, kontrollojnë se çfarë prodhohet dhe sa dhe si ne si konsumatorë paguajmë për produktet e tyre.

Vetëm 3 kompani në Wall Street (BlackRock, Vanguard dhe State Street) kontrollojnë asete me një vlerë 22 trilion dollarë. Këto 3 kompani janë aksionere kryesore në rreth 95 për qind të kompanive S&P 500, duke ushtruar një kontroll të madh mbi korporatat më të mëdha në botë.

Asnjëherë më parë në historinë amerikane, kaq pak konglomerate mediatike, që të gjitha në pronësi të klasës së miliarderëve, nuk kanë pasur kaq shumë ndikim mbi publikun. Vlerësohet se 6 korporata të mëdha mediatike, zotërojnë tani 90 për qind të asaj që sheh, dëgjon dhe lexon populli amerikan.

Ky grusht korporatash përcakton se çfarë është “e rëndësishme” dhe çfarë diskutojmë, dhe çfarë është “e parëndësishme” dhe që duhet ta shpërfillim. Në rast se përdorni një llogari të mediave sociale për të lexuar lajme, shanset janë që ajo të jetë në pronësi të miliarderëve Musk, Zuckerberg ose Trump.

Nëse lexoni Washington Post, Fox ose Los Angeles Times, atëherë lajmet janë në pronësi të miliarderëve Bezos, Murdoch ose Patrick Soon-Shiong. Por ajo që duhet të në shqetësojë nuk është vetëm pronësia dhe kontrolli i miliarderëve mbi ekonominë dhe median.

Të pasurit po blejnë edhe qeverinë tonë dhe po e shkatërrojnë demokracinë amerikane. Si asnjëherë më parë në historinë e SHBA-së, ne nuk kemi parë një klasë sunduese me kaq shumë pushtet politik. Si rezultat i vendimit katastrofik të Gjykatës së Lartë kundër organizatës United Citizen (Qytetarët e Bashkuar), miliarderët dhe fondacionet e tyre, mund të shpenzojnë shuma të pakufizuara parash për fushatat politike.

Dhe pikërisht këtë po bëjnë. Gjatë zgjedhjeve të këtij viti, vetëm 150 miliarderë shpenzuan gati 2 miliardë dollarë për të blerë politikanë që e mbështesin axhendën e tyre, dhe për të mposhtur kandidatët që kundërshtojnë interesat e tyre të veçanta.

Pra miliarderët që përfaqësojnë vetëm 0.0005 për qind të popullsisë sonë, mbështetën 18 për qind të shpenzimeve totale të fushatës. Kjo nuk është demokraci. Nuk është respektim i parimit  “një person, një votë”. Kjo nuk është ajo që duhet të përfaqësojë ky vend.

Në fjalimin e tij të famshëm në Gettysburg në vitin 1863, presidenti Abraham Lincoln foli për “një qeveri të popullit, nga populli dhe për popullin”. Mjerisht sot kemi “një qeveri të shtresës së miliarderëve, të dalë nga miliarderët, dhe që qeveris kryesisht për shtresën e miliarderëve”.

Sot jemi në një moment kyç dhe të paprecedentë në historinë  e Amerikës. Ose do të luftojmë për të krijuar një qeveri dhe një ekonomi që funksionon për të gjithë, ose do të vazhdojmë të ecim me shpejtësi në rrugën drejt oligarkisë dhe të sundimit të super të pasurve. Zgjedhja është e qartë. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur demokracinë dhe drejtësinë. /Përshtati "Pamfleti"

BURIMI “Fox News”

No comments: