Thursday, December 11, 2014

Kukullat e Dhjetorit

Nga Artur Zheji
Lëvizja dhjetoriste ishte një Lëvizje Kukullash. Kukulla shumëngjyrëshe, që laheshin një herë në javë, ose një herë në muaj. Kukulla të bukura, të mençura ose budallaqe. Kukulla të mërzitura me teatrin e vjetër dhe në kërkim të një teatri të ri. Teatri të ri kukullash. Kukulla me ndjenja të vërteta, por donin s’donin, me një rrip pas zverkut. Kukulla të vetëdijshme apo kukulla të pavetëdijshme se çfarë po ngjiste.

Kemi 24 vjet që e shohim këtë teatër të dyfishtë, ku dhe për ironi kemi një festë zyrtare, për një nga skenarët më falsë të Historisë më të Re të Shqipërisë. Jo se kjo që po them është një gjë e re, por rraskapitja e kësaj parade kukullash dhe marionetash, që u kurdisën nga zyrat e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, kjo rraskapitje pra është shndërruar në një neveri çoroditëse që duhet të mbyllet.
Pasi që edhe ciklin e Gënjeshtrës së tyre historike, besoj se e kryen. Heroikja e rreme e Dhjetorit të rremë polli pushtete mbi pushtete. Polli pasuri dhe ngriti vila e pallate. Heroikja e rreme rroku pushtete dhe stamposi e gdhendi medalje. Medalje të rreme, të një beteje që nuk ishte dhe të një kryengritjeje që u sajua me një regji të trashë.
Mirëpo, mjerimi ynë shqiptar është se vijojmë e tjerrim një të Pavërtetë mbas një të Pavërtete pararendëse. Jemi pra, edhe këtë fundviti, në kulmin e Diktaturës së Gënjeshtrës. Në vatrën e një talljeje kombëtare, me data fiktive, heronj fiktivë dhe për rrjedhim me një zallamahi të përçudnuar realitetesh të stisura në formë letrare të shërbimeve inteligjente, duke fshehur trashë, por mjaftueshëm për hutinë ku ndodhej turma e pangrënë dhe jo për faj të vet e palarë. Mirëpo 24 vite më vonë, edhe turma përgjithësisht lahet më shpesh dhe ushqehet disi. Ka një pasaportë dhe ka thyer brenda mitin e Parajsës së Perëndimit të Pamundur.
Dhe ka ardhur koha, koha që në të vërtetë ka kaluar ka kohë, që të thuhet e të pranohet një herë e mirë se në Shqipëri, në Dhjetorin e vitit ’90 nuk ka patur as revolucion dhe as përmbysje natyrale të Diktaturës komuniste. Sigurimi i Shtetit, i trajnuar bukur mirë nga shkolla e madhe e spiunazhit të KGB-së ruse, ishte padyshim një organizatë perfekte dhe për t’u pasur zili.
Si organizim, si inventar kukullash të kurdisura, si pasuri dosjesh të trasha dhe pengmarrëse, si nivel “kuadrosh” dhe si njohësja më e mirë e situatës në vend. Sigurimi i Shtetit kishte aparatin më të mirë funksionues në Shqipëri. Ishte i motivuar, me trajtim ekonomik special dhe drejtohej nga njerëz me bindje të forta besnikërie ndaj pushtetit dhe udhëheqjes së saj.
Askush në Shqipëri nuk mund të krijonte një Organizatë të dytë që të mund të konkurronte Sigurimin. Dhe nuk ishte aspak habi, që ishte Sigurimi, që krijoi simbas një skeme në tavolinë, “pluralizmin demokratik”, simbas porosive të “Udhëheqjes”. Për të pilotuar ndërrimin e sistemit, por njëkohësisht për të lënë në duart e “partishme” resurset ekonomike, resurset e influencave dhe monopolin e kryeveprës së tyre monumentale: “Monopolin e Dosjeve”. Në të cilat “Dosje”, dergjet së paku 1/3 e shqiptarëve, si bashkëpunëtorë apo si të përgjuar.
Jam larguar nga Shqipëria më 20 Nëntor 1990. I bindur se nuk do të kishte ndryshime të vërteta, por edhe kureshtar sa më s’ka për “Botën e Lirë”. Me vizë të rregullt të marrë nga “Gabriela”, konsulle simpatike e Ambasadës Italiane, një italianissima me bisht kali dhe fytyra më e qeshur në atë zymtësi që na rrethonte. Çuditërisht, konsullata për të përballuar fluksin e kërkesave dhe me lejen e autoriteteve shqiptare (?!), i kishte zyrat e improvizuara, mbas dyndjes së sajuar të ambasadave, te një ambient i Qytetit Studenti.
Më kujtohet fare mirë, turma e madhe e shpresëtarëve për një vizë, se si adhuronte në distancë ata që hynin dhe dilnin me “dream vizën” nga Gabriela e Ambasadës. Me sy qarës dhe fytyra të trishtuara dhe të paushqyera. Dhelpra,  Qeveria shqiptare e asaj kohe, që kish tmerr dhe frikë maniakale nga shërbimet diplomatike perëndimore, e kish toleruar atë zyrë konsullore, pikërisht aty, në mes të mijëra studentëve të etur për liri aventurash dhe liri seksuale në radhë të parë, sepse paranë nuk e njihnin ende dhe pushtetin nuk e kishin konceptuar kurrë si të mundshëm.
I kam njohur dhe i kam prekur “dhjetoristët” të gjithë ose 99% të tyre. Pikëza të një turme në valëzim dhe kaq. Të ndërtosh sot mitin e tyre, ashtu si edhe dje, do të thotë të gënjesh, thjesht për përfitime politike imediate, në kurriz të historisë. “Dhjetoristët” nuk kanë më dhjamë për të tiganisur farsa të reja. Doktori ua nxori fundin prej kohe. Edhe antiberishistët dhjetoristë e kanë harxhuar karburantin e asaj hiçmosgjëje të kurdisur nga të tjerë gjithashtu. Sigurisht emocione kishte. Rënia e hekurave dhe këputja e zinxhirëve është një lumturi më vete.
Porse nga ky gëzim i sinqertë kolektiv që përjetonte ngordhjen natyrale të dinozaurit, tek mburrja se ishin “ata”, dhjetoristët, një pjesë e tyre “sigurimsa aktivë”, që e vranë “ata”, Sistemin dhe i futën”ata”,  shpatën në zemër dinozaurit, kjo po që është, në më të paktën e vet, një bezdi e madhe, edhe për inteligjencën më mesatare.
Kjo Shqipëri e shpartalluar që prodhon pak ose aspak gjëra me vlerë, ka groposur veten me këto punishte e fabrika gënjeshtrash, që gatit biografira të falsifikuara liderësh, që duket sikur janë “pagëzuar” në “ujin e bekuar” të Dhjetorit heroik.
Dhe mendoj se, nëse do të ketë një hapje të vërtetë Dosjesh, të cilat Sigurimi i Shtetit, nuk dihet se si, por i ka ruajtur të pahapura deri më sot, në cilësinë e “Sekretit Shtetëror”, e pra nëse do të ketë një transparencë të tillë, të cilën e dyshoj, “Dosja e Dhjetorit” do të jetë Kryevepra, për të cilën grafomanët e shumtë shqiptarë do të kenë subjekt për qindra libra.
Por ndërkohë, “Dëmi Historik” është kryer. Por të paktën do të mund të mbyllet njëherë e mirë “Teatri i Kukullave të Dhjetorit”, që të shpëtojnë stomaqet tona nga të përzierët e përvitshëm, nga ky ushqim i kalbur retorik.
Dhe kjo nuk është pak.

No comments: