Saturday, October 18, 2014

Dinamo Zagrebit – Crvena Zvezda, pasditja përpara përmbytjes

“Nuk pashë më nga sytë. Ju afrova një polici dhe i ulëriva: “Të keni turp. Po masakroni fëmijët!”. Ai më goditi dy herë, po duke ulëritur: “Bir kurve, je si të gjithë të tjerët!”. Në atë moment pata një reagim instiktiv. I theva nofullën me një goditje me gju.
Sapo kish mbushur të 21 vjetët, djaloshi Zvonimir Boban kishte fituar tashmë meritat e kapitenit të Dinamos së Zagrebit dhe në një intervistë të pesë viteve më pas
i kujtoi pikërisht me fjalët e mësipërme gjestet e asaj pasditeje të 13 majit 1990. Për Kroacinë, atdheun e ardhshëm të tij, ai u bë një hero, ndërsa polici që pësoi në fytyrë gjurin heroic mishëroi shtypjen e serbëve, etnisë dominuese në Federatën Jugosllave, tashmë në ditët e fundit të saj. Pak rëndësi ka nëse në të vërtetë agjenti fatkeq i Milicisë, siç quhej atëhere policia federale jugosllave, nuk ishte aspak serb, por një boshnjak mysliman dhe që, saktësisht e kundërta e një shtypësi, i përkiste kështu një prej popullsive më të shtypura të Federatës. Dhe për legjendën akoma më pak ka rëndësi që, pavarësisht se ishte i fesë myslimane, i nxorri në mënyrë kristiane faqen tjetër, bile, nofullën tjetër, jo vetëm duke ia falur Bobanit atë goditje me gju, por edhe duke pohuar se ia kuptonte arsyet.
Incidentet e shpërthyera atë ditë në stadiumin Maksimir të Zagrebit midis ultras-ve të Dinamos, Bad Blue Boys (emri e merr frymëzimin nga Bad Boys, një fil mediokër i vitit 1983 me Sean Penn që zhvillohet midis galaktikës së bandave rinore amerikane), dhe atyre mysafirë të Crvena Zvezdës së Beogradit, famëkëqinjtë Delije, një term që i korrespondon heronjve, dhe që e ka origjinën nga një këngë serbe e epokës osmane, që thoshte: “heronjtë fillojnë vallen e luftës dhe zhurma dëgjohet në Stamboll”, nuk e kishin origjinën nga rivaliteti i thjeshtë futbollistik.
Shenja e parë konkrete e furisë nacionaliste, që kish arritur të përhapej në stadiumet e futbollit jugosllav, kishte ndodhur pak më shumë se një vit më parë, më 19 mars 1989 në Beograd, kur e zakonshmja Dinamo ishte ndeshur dhe kishte mundur skuadrën tjetër beogradase të Partizanit. Në atë rast qenë tifozët mysafirë kroatë ata që provokuan trazirat, duke e festuar fitoren e bujshme sipas mënyrës së tyre: me hedhje shaskash, bombash tymi dhe gurësh në daljen nga stadium. Reagimi i rivalëve të tyre serbë nuk ka vonuar dhe shpërtheu një lëshim i dendur gurësh, duke degjeneruar në fund në një luftë urbane në kuptimin e vërtetë të fjalës, me shumë përleshje trup me trup dhe mjete publike të dendura. Gjithçka në një sfond koresh luftarake me tone më shumë shoviniste se patriotike.
Megjithatë në Jugosllavi, tifozeritë ultras qenë formuar me shumë vonesë krahasuar me ato të Europës perëndimore. Me përjashtim të një episodi të izoluar në shtator të 1978, kur mbështetësit e Partizanit të Beogradit mbollën panic mbi trenin që duhej t’i çonte në Sarajevë për ndeshjen kundër skuadrës vendase, grupet e para të organizuara e kishin parë dritën e diellit vetëm në vitin 1982. Fillimisht qenë të kufizuar në dy skuadrat kryesore të Beogradit, Crvena Zvezdës dhe Partizanit. Por qysh nga mesi i viteve Tetëdhjetë fenomeni ishte zgjeruar, për shpirt imitimi ndaj më të njohurve hooligans anglezë, në të gjitha qytetet më të rëndësishme të vendit.
Edhe pse respektivisht vendeve të tjera të lindjes europiane Jugosllavia gëzonte një shkallë hapjeje të padiskutueshme, ishte megjithatë gjithmonë e qeverisur nga një regjim totalitar dhe e survejuar nga një polici asfiksuese, që nuk ngurronte të përdore grushtin e hekurt për të shtypur sinjalet minimale të trazirave nëpër stadiume. Por nga viti 1989, me liberalizimet e paraqitura nga Kreministri i ri i Federatës, Ante Markoviç, u futën zgjedhjet e para të lira në të gjitha republikat dhe, për pasoja, edhe dara policore u zbut ndjeshëm. Ndjenjat e identiteteve kombëtare, që pas Luftës së Dytë Botërore vetëm qenë hibernuar në brendësi të Jugosllavisë socialiste, mundën të shoreheshin sërish me ngarkesën shkatërrimtare të tyre. Në Kroaci, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte njohur një pavarësi të shkurtër nën regjimin e Ustashëve të Ante Paveliçit, u shfaq lidershipi i HDZ-së (Hrvatska Demokratska Zajednica), Bashkimit Demokratik Kroat, domethënë lëvizjes indipendentiste të drejtuar nga Presidenti i ardhshëm i republikës Franjo Tuxhman.
Në zgjedhjet e para të lira të 7 majit 1990 pikërisht HDZ-ja siguroi një mazhorancë parlamentare dërrmuese, në përfundim të një fushate elektorale të mbajtur me tone kundërvënieje të egër ndaj republikës së Serbisë, në fakt kombi qendërzues, e qeverisur nga ana e saj nga një lider i fortë njëlloj nacionalist dhe ekstremist: Sllobodan Milosheviç.
Në këtë atmosferë tashmë të nxehur deri në paroksizëm, edhe kalendari i kampionatit jugosllav vuri dorën e tij dhe vetëm 6 ditë më vonë, më 13 maj, bëri që të ndesheshin në Zagreb simbolin e krenarisë futbollistike kroate, Dinamon, pikërisht me homologen e saj serbe, Crvena Zvezdën e Beogradit.
Tifozët e rinj beogradas, Delije-t, të kryesuar nga një zotëri më pak i ri prej pothuajse 40 vjeçësh që quhej Zheljko Raznatoviç, më pas trishtueshmërisht i njohur me emrin luftarak Arkan, arritën në kryeqytetin kroat gjithsej në 3000 veta.
Vetë Arkan, në një intervistë të nëntorit 1994 për gazetën e Beogradit Uniteti serb, pohoi se e kish “parashikuar luftën pikërisht në vijim të asaj ndeshjeje në Zagreb”, pothuajse sikur të ishte bërë fjalë për një stërvitje ushtarake. Dhe qysh gjatë udhëtimit me tren Delije-t e tij, jo akoma të inkorporuar në trupat famëkeqe paraushtarake të Tigrave, u sollën si një hordhi e pakontrollueshme, duke shkatërruar vagonat dhe duke terrorizuar pasagjerët. Pastaj, sapo zbritën në stacionin e Zagrebit nuk arritën të përmbaheshin nga thyerja e pjesës më të madhe të dyqaneve gjatë rrugës drejt stadiumit Maksimir.
Brenda stadiumit, edhe ultras-ët kroatë, të ashtuquajturit Bad Blue Boys, nuk ja përtuan së qëni më poshtë se armiqtë e urryer të tyre dhe përgatitën terrenin për grindjen, duke kënduar kore provokimi ndaj tyre. Dhe, si për të provuar se incidentet nuk qenë paraprakisht të ideuara nga një palë e vetme, gazetari amerikan Franklin Foer, në librin e tij Hoë Football explains the Ëorld, ka kujtuar sesi një sasi e madhe gurësh dhe lënde djegëse u mblodhën dhe u fshehën me kujdes në brendësi të Maksimirit nga tifozët e Dinamos qysh përpara ndeshjesh.
Tensioni u ngrit me shpejtësi. Sapo qendra e zërit e stadiumit ndërpreu transmetimin e muzikës rrok për të filluar leximin e formacioneve të të dyja skuadrave, policia e dobët e pranishme në stadium e humbi krejtësisht kontrollin e situatës. Tifozët serbë i kaluan në masë gardhet e hekurta dhe pushtuan tribunën e sipërme të anës së tyre, fatmirësisht e shkretë nga spektatorët. Si të kapërthyer nga një furi shkatërrimtare shkulën të gjitha objektet e vetme të lidhura me dobët me betonin, duke u hakërryer sidomos ndaj tabelave publicitare dhe stolave prej plastike, që nisën t’i hedhin në ajër sikur të ishin cingla.
Ndërsa milicia, në një uniformë anakronike antirebelim dhe me helmetën e çuditshme me strehë në kokë, qëndronte duarlidhur duke gëzuar shfaqjen, disa prej ultras-ve më të guximshëm kroatë kaluan në kundërsulm. Por, të mbytur prej inferioritetit numerik të madh në sektorin beogradas, u kapën me shkelma, grushta dhe të shtyra. Për fat të mirë, ndeshjet e dhunshme trup me trup zhvilloheshin akoma vetëm me duar. Por vetëm një vit më pas, shumë prej tifozëve të organizuar më luftarakë të këtyre dy skuadrave do të mund t’i kurorëzonin ëndërrat e tyre të luftës, duke u rekrutuar midis njësive të çrregullta dhe duke rrokur pushkë e pistoleta të vërteta në fushat e betejës të Sllavonisë, të Krajinës dhe të Bosnjes. Dhe në kujtim të atyre që nuk do të arrinin të ktheheshin në shtëpi, shteti kroat do t’u kushtojë në mbarim të luftës një monument shqetësues pikërisht përpara stadiumit Maksimir, me këtë mbishkrim: Mbështetësve të skuadrës që në këtë fushë filluan luftën kundër Serbisë me 13 maj të 1990.
Në këtë “luftë në miniaturë”, që nga shkallët e stadiumit u spostua në fushën e futbollit, duke bërë që të riktheheshin me vrap në dhomat e zhveshjes lojtarët e terrorizuar (përveç sypatremburit Boban dhe pak të tjerëve), qe ndoshta një mrekulli që nuk pati ndonjë të vdekur. Në fakt, tifozët zagrebas, për t’u ardhur në ndihmë shokëve të tyre në vështirësi në sektorin kundërshtar, i shkatërruan gardhet ndarëse dhe e pushtuan në mënyrë masive fushën e blertë. Më të avancuarit prej tyre arritën në tribunën përballë dhe arritën që të fusnin në dorë parullat e tifozerisë beogradase, të cilat i valëvisnin si trofe lufte në mes të ekzaltimit të stadiumit.
Në këtë pikë, edhe milicia e përgjumur u detyrua që të shkundej nga limontia e pëlqyeshme e asaj pasditeje maji të ngrohtë e me diell dhe të hyjë në veprim. Pa pikën e dëshirës, policët nxorën shkopinjtë e gomës, lëshuan bomba me gaz lotsjellës dhe futën në veprim zjarrfikëset qesharake dhe të vjetra me turi të dalë. Por ndërsa 3000 Delije-t beogradas ktheheshin të frikësuar në shkallët e sektorit të tyre, më të shumtit në numër Bad Blue Boys kroatë, të egërsuar pa masë prej ndërhyrjes, megjithëse e flashkët, i dhanë shpirt e trup guerriljes. Në mënyrë të pashmangshme shumë u dëmtuan dhe midis 70 minutave përleshje në brendësi të Maksimirit dhe 3 orëve të tjera jashtë në qytet, u numëruan 59 të plagosur midis tifozëve dhe 79 midis agjentëve të milicisë, 17 tramvaje dhe disa dhjetëra makina të parkuara të shkatërruara. Mbi 132 njerëz të arrestuar.
Gazetat e të nesërmes, si kroate, ashtu edhe serbe, nuk i kushtuan dhe aq rëndësi efektit të përleshjeve të Zagrebit dhe ia atribuan shkaqet një huliganizmi gjenerik stadiumi. Por vetëm pak muaj më pas, me 26 shtator të 1990, kësaj radhe në Split, në hapjen e kampionatit të fundit të futbollit të Jugosllavisë së bashkuar, një ndeshje tjetër, ajo midis Hajdukut dhe Partizanit të Beogradit, u bë shkëndija për incidente të reja me sfond etnik. Kur gjatë zhvillimit të pjesës së dytë Partizani kryesonte me rezultatin 2 me 0, ultras-ët e rinj splitas pushtuan fushën e blertë dhe kërkuan me zë të lartë krijimin e një lidhje futbollistike kroate të ndarë nga ajo jugosllave. Për kroatët Partizani ishte akoma më i urryer se Crvena Zvezda, duke qenë historikisht skuadra e ushtrisë dhe e policisë jugosllave. Dhe, si për një shaka të hidhur të historisë, pikërisht Franjo Tuxhmani qe në detyrën e Presidentit të klubit Partizan gjatë viteve Pesëdhjetë, kur ishte akoma një gjeneral i ushtrisë jugosllave.
Në këtë rast të fundit, tifozët nuk u kufizuan me pushtimin e fushës së blertë duarbosh, por duke bërë një hap të vogël cilësor përpara, morën me vete edhe leva hekuri. Dhe, si sinjal që edhe shpirtrat gjithnjë e më shumë po ndizeshin në mënyrë të rrezikshme edhe në planin politik, e shkulën flamurin jugosllav me yllin e kuq në qendër, që valëvitej në shtizën më të lartë të stadiumit, për ta zëvendësuar me atë kroat me shqytin me shqytin në gurë shahu.
Nga lufta e vitit 1991, përveç se mbi të gjithë ish Jugosllavinë, një natë e gjatë ra edhe mbi futbollin dhe u desh që të pritej 18 gushti i vitit 1999 që të mund të rishikoheshin sëbashku në fushë formacionet serbe dhe kroate. Më së fundi kjo qe radha e mirë dhe në stadiumin e Crvena Zvezdës së Beogradit, të quajtur edhe Marakana (me k, për ta dalluar nga origjinali), mbi shpirtrat e shuar nga pothuajse pesë vite konflikt i përgjakshëm qetësia mbizotëroi ndaj dhunës. Por një fair play në kuptimin e vërtetë ishte (dhe mund të thuhet se është edhe sot) akoma larg. Dhe, duke treguar kronikën e kësaj ndeshjeje një korrespondent i italianes “Repubblica” shkroi se me dëgjimin e himnit kombëtar të tyre “të 11 lojtarët kroatë i mbajtën të gjithë për 2 minuta dorën në zemër, kurse 50 mijë spektatorët serbë në tribunat e stadiumit gishtin e mesit të ngritur”.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
www.bota.al

No comments: