Sunday, July 6, 2014

Zgjedhjet në PD, prapaskenat e luftës politike


Çfarë po ndodh në zgjedhjet e brendshme të PD dhe cilët janë hierarkët e rinj demokratë që po zgjidhen këto ditë në krye të degëve. Mesazhet e Bashës dhe lufta për pushtet mes konservatorëve dhe prurjeve të reja. Roli i Berishës dhe dallimet me liderin e ri
Ditën e zgjedhjes në krye të PD-së, thuajse një vit më parë, Lulzim Basha do ta përqendronte angazhimin e tij politik tek vizioni i ri dhe qëndresa
e themeluesve, duke i mëshuar jo pak përvojës së drejtuesve të Partisë Demokratike ndër vite apo edhe lidershipit historik të Sali Berishës. Një slogan i çmueshëm ky në parim, por që në Partinë Demokratike, eksperienca tregoi se duhej më shumë se kaq. Që prej zgjedhjes së tij në krye të opozitës, Lulzim Basha ka ecur jo pak me mesazhet e tij politike për zgjedhjet e reja në PD. Edhe pse me vonesë, (të qenit në opozitë ia lejon këtë luks), ai ndërmori turin e parë në bazë, për t’u përqendruar tek hapi i parë dhe më thelbësor, ai i përgatitjes së një partie me listë anëtarësie që deri një vit më parë funksiononte ende me fletore e letra bakalli kur flitej për votim brenda saj.  Përgatitja disamujore e një regjistri të plotë të anëtarësisë, e para herë e zhvilluar në PD, ishte hapi i parë konkret për shmangien e sherreve jo të pakta që lindnin në parti, sa herë që bëheshin zgjedhje. Basha u tha demokratëve se kjo listë rezultoi e suksesshme edhe pse zyrtarisht kjo forcë politike nuk ka bërë ende një bilanc se sa është rritur ky numër, cilës kategori i përkasin më shumë, pasi në Tiranë ku po ndiqet edhe një projekt pilot gjërat janë ende në proces.
Pushteti i votës
Me hartimin e listës së anëtarësisë, Basha duket i bindur se vota do të jetë ajo që do të vendosë hierarkinë në parti. Në mesazhet e tij politike nëpër rrethe Basha nuk është përqendruar fort tek analiza e zgjedhjeve dhe jo pa qëllim. Ai e shfrytëzoi këtë fazë kryesisht në procesin e parë të partisë që u shoqërua edhe me përvjetorët e PD-së nëpër rrethe. Rasti i parë konkret ishte disa muaj më parë në Lezhë ku në 23-vjetorin e themelimit të PD-së, krahas bashkimit dhe ripërfshirjes, ai kërkoi reflektim dhe pranim të përgjegjësive për ato gjëra që nuk u bënë mirë në tetë vite të qeverisjes: “…Nuk do mungojë asnjë zë demokrati e demokrateje nga tesera e parë te tesera më e re e ku do shohim njëri-tjetrin në sy dhe do reflektojmë thellë e bindshëm për gjithçka kemi bërë mirë e shumë mirë dhe ato që s’kemi bërë mirë e për të cilat duhet pikësëpari brenda familjes sonë e pastaj para çdo shqiptari të kërkojmë ndjesë e t’u themi se jemi gati për të pranuar përgjegjësitë tona…”. Pas “festimeve” të përvjetorëve të partisë nëpër degë, opozita kaloi në fazën e dytë dhe më të rëndësishme atë të votimit nga baza; nga seksionet dhe grupseksionet e deri tek zgjedhjet e kryetarit në degë. Duke e paralajmëruar analizën, por pa e theksuar fort në çdo fjalim, Basha u përqendrua tek postulati për votën e lirë, pasi në këndvështrimin e tij, fjala dhe vota e lirë mbeten përcaktuese për çdo analizë, reflektim apo edhe ringritje të një partie politike. “…PD ka vendosur në themel të organizimit të saj, në themel të sistemit të saj të karrierës dhe të promovimit të vlerave, një parim të shenjtë që është vota e lirë e anëtarëve të PD. Se vetëm me votë të lirë, sot e nga mot, do ta bëjmë PD-në më të madhe, më të fortë, më të bashkuar, më tërheqëse për rininë, më të sigurt në rrugën e saj të fitores si alternativa e pushtetit të së djathtës dhe qendrës në Shqipëri”, – është shprehur Basha në një prej kuvendimeve zgjedhore që po zhvillohen në bazë.
Drejtuesit e rinj
Por a mjafton vetëm slogani për votën e lirë dhe pushtetin e votës tek anëtari i PD-së për të fituar ndershëm kushdo që aspiron meritokracinë partiake? Beteja konkrete për gjetjen e kësaj përgjigjeje ka nisur me zgjedhjen e krerëve të partisë nëpër degë, bash aty ku kërkohet riqarkullimi i elitave e për pasojë edhe rinovimi i figurave drejtuese që prej vitesh në PD kishin krijuar një lloj oligarkie të palëvizshme.  Deri më tani, nga 38 degët e PD-së janë zgjedhur kryesisht drejtuesit e degëve jo me shumë peshë në PD, si Fushë-Krujë (Sabri Karaj), Kurbin (Altin Biba), Mallakastër (Arjan Llanaj), Përmet (Arben Dosti), Sarandë (Hariz Mema), Krujë (Dragush Vogli), Peqin (Diell Çela), Lezhë (Paulin Marku), Fier (Luan Baçi) ndërsa në Tepelenë pritet të zhvillohet një raund i dytë votimi mes kandidatëve Hatixhe Qendro dhe Vehip Çela. Në listën e sipërme thuajse të gjithë drejtuesit e zgjedhur kanë qenë kontribues në jetën politike të partisë, asnjë prej tyre nuk ka qenë kandidat surprizë, veç faktit që është shtuar edhe elementi biznesmen siç rasti i Sarandës, Peqinit apo Fierit. Së fundmi, zgjedhjet kanë përfunduar edhe në Kukës dhe Gjirokastër, ku ende nuk janë zyrtarizuar fituesit.
Pikëpyetjet e procesit
A ka ndryshuar Partia Demokratike në sjellje, mentalitet,  në respektimin e rregullave dhe parimeve që ajo vetë ka vendosur për zgjedhjet e reja, apo Lulzim Basha ka ndryshuar thjesht kostumin e liderit partiak? Deri në këtë fazë të zgjedhjeve, ku nuk janë përcaktuar ende drejtuesit e degëve të mëdha të PD-së, është e vështire të jepet një përgjigje. Ajo që dihet me siguri është se bërrylat kanë filluar të lëvizin dhe kryesisht brenda rrymave në PD. Mbështetësit e të ndjerit “Olldashi” i mëshojnë fort idesë se problemi kryesor në këtë parti është se nuk ka rregulla loje, nuk po respektohen ata që kanë dhënë kontribute dhe se drejtuesit e ardhshëm, pavarësisht sloganeve po paracaktohen nga kryetari. Rasti më i dukshëm i klaneve brenda saj është Korça, një qytet ku njihet influenca e ish-sekretarit të Përgjithshëm të PD, Ridvan Bode. Por përtej para pak ditësh në krye të PD-së së Korçës u zgjodh Andrea Mano, një preferencë e kryetarit Basha.  Përballë tij garonte një tjetër figurë, Gjergji Grabocka, ish-kryetar seksioni dhe një prej drejtuesve të PD-së së Korçës ndër vite i cili gëzonte mbështetjen e Ridvan Bodes. Edhe pse Bode nuk ka shprehur publikisht pakënaqësi ndaj Bashës, rezervat e tij për mënyrën se si po veprohej në degë nuk kaluan pa u shënjuar. Në një intervistë televizive, Bode do të shprehej se udhëzimi i Bashës nëpër degë përfaqësonte vetëm vullnetin e disa individëve dhe jo strukturave: “…Mirë është që të tilla kufizime të vijnë përmes organeve dhe jo përmes individëve. Jo vetëm nga kryetari, pavarësisht se ka vetëm një mandat. Por rrethanat janë të tilla që më shumë u përdor udhëzimi i kryetarit sesa vendimi i forumeve të tjera që edhe mund të ishin mbledhur”. Përpos përplasjeve, hatërmbetjeve apo edhe garës për influencë, në zgjedhjet e PD-së së Korçës fitoi Andrea Mano. Numri i konsiderueshëm i votave që Mano fitoi kundrejt kandidatit tjetër Grabocka nuk shërbeu aspak për të shuar pakënaqësitë në këtë degë. Megjithatë, Basha e ka gati parimin e tij: “Askush nuk ka tagër t’u mbajë dorën apo gojën demokratëve, askush nuk ka tagër t’u bëjë suflerin apo t’u mbyllë opsionet”. Por Korça nuk është përballja e parë e Bashës me klanet në PD. Rasti i ngjashëm duket se po ndodh edhe në Shkodër. Edhe pse kandidatët për të drejtuar partinë në këtë degë janë të shumtë, debatet brenda saj janë ndezur jo pak dhe kryesisht mes grupit të dërguar nga qendra dhe klanit të palëvizshëm të Jozefina Topallit. Jo pa qëllim kjo e fundit, në një intervistë televizive, pak para zhvillimit të zgjedhjeve më të rëndësishme në degën e PD-së së Shkodrës shigjetoi Bashën duke theksuar se gjatë procesit të ripërtëritjes, është shmangur i gjithë zinxhiri i drejtimit të selisë blu. “Është një mënyrë krejt tjetër e drejtimit të PD-së, të cilën nuk e kam parë kurrë në PD. Është krejt ndryshe, nuk di si me ia vu emrin, por nuk e kam parë në PD. Sigurisht ripërtëritja është e rëndësishme dhe kjo ka qenë konstante në PD. Ka nevojë sigurisht për ripërtëritje vlerash, por shmangia e gjithë zinxhirit nuk ka ndodhur kurrë në PD. Duhet parë. Unë nuk do ta kisha bërë, është një model që unë s’e njoh”, – u shpreh Topalli. E njëjta situatë po ndodh edhe në Durrës. Deri më tash flitet për dy kandidatë në garë; Dritan Burgia dhe Ardian Muka. Edhe në këtë degë përplajset janë të shumta. Mbështetësit e kreut aktual të PD-së, Igli Cara pretendojnë se ndihen të mënjanuar, përpos pakënaqësive që ata kanë edhe për udhëzimin, përmbajtja e të cilit përjashton direkt Carën nga gara duke qenë paralelisht edhe deputet. Zgjedhjet nuk kanë përfunduar as në PD-në e Vlorës ndërkohë që njihen përplasjet mes kreut të deputetëve të këtij qarku Astrit Patozi me koordinatorin e dërguar nga qëndra për Vlorën, Enkelejd Alibeaj.  Në Lushnjë, në krye të PD-së u zgjodh Myslim Murrizi, një emër i njohur për veprimtarinë politike në parti. Deri në zgjedhjen e tij në krye të PD-së së Lushnjës pati kandidatë të dorëhequr deri një natë para votimit, kandidatë të shtuar ditën e votimit, pretendentë se ishin mënjanuar nga gara dhe pakënaqësi për procesin. Edhe Murrizi u zgjodh në fund të procesit me një numër të konsiderueshëm votash. Murrizi ka qenë ish-deputet i PD-së ndër vite. Ai njihet si deputet i “Dushkut” ndërsa ishte sërish pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit atëherë kur kjo degë mori një rezultat tepër të ulët.  Një tjetër figurë aspak e panjohur dhe jo risi ishte edhe ajo e zgjedhjes së Aurel Bylykbashit në Elbasan. Aurel Bylykbashi ka qenë kryetar i PD-së së Elbasanit në vitet 2005-2009, periudhë e cila kapi edhe kryesimin e deputetëve të qarkut nga Lulzim Basha në zgjedhjet e 2009-ës. Bylykbashi ka qenë deputet i PD-së ndërsa ishte përfshirë sërish në listën e kandidatëve të Elbasanit në zgjedhjet e 23 qershorit. Bylykbashi nuk arriti të fitonte një tjetër mandat deputeti për shkak së rezultati në këtë qark doli zhgënjyes për PD-në.
Basha vs Berisha
E ndërsa me zgjedhjet, PD po lundron mes të shkuarës dhe së ardhmes, kryetari i ri po ngulmon dita-ditës t’i japë një fytyrë të re opozitës, përmes komunikimit publik. Në javët e fundit, rastet nuk kanë qenë të pakta! Basha ka spikatur me vizionin e tij të moderuar përballë qendrestarëve në operacionin e Lazaratit, për ta thelluar më pas këtë avantazh me demarche-in për reformën territoriale. Përballë kumteve të luftës që vinin nga Facebook-u i ish-kryeministrit Berisha, ai i dha mbështetjen operacionit të policisë kundër narkotrafikut. Kjo lëvizje u pasua edhe nga një tjetër, edhe më e papritur; lideri i opozitës u fut në debatin për ndarjen e re territoriale, m’u atëherë kur dukej se mazhoranca do të marshonte e vetme drejt votimit. Palët janë ende larg arritjes së një konsensusi, por tanimë nuk mund të thuhet që PD e humbi shansin, pa iu afruar fare fushë-betejës. Gjithsesi, fryma e Berishës vazhdon të lëvizë “oksigjenin” në korridoret e SHQUP-it. Legjenda urbane vazhdon të ushqehet me pandehmat për një rikthim të mundshëm të tij, aq sa vetë Berisha u detyrua ta përgënjeshtronte fort këtë opsion në një intervistë televizive. “Nuk do të kthehem më kurrë, as si kryeministër, e as si President”,-deklaroi ai, duke mohuar njëherëzi edhe synimin për të marrë sërish frerët e PD-së ndër duar. Ajo që në fakt shihet me interes është roli që Berisha do të ketë pikërisht tek zgjedhja e drejtuesve të PD-së në degët kryesore të vendit. Deri më tash, ajo që dihet me siguri është se me asnjë prej drejtuesve të zgjedhur në degët kryesore të saj si Korça, Elbasani, Fieri, Berisha nuk ka asnjë kontradiktë apo qejfmbetje personale. Madje dy prej tyre kanë qenë dikur të promovuar nga Berisha në etapa të caktuara të jetës politike të partisë.  Një analizë më e hollësishme mbi rolin që ai do të luajë, do të duket vetëm pas zgjedhjeve të krerëve të PD-së në zona të nxehta si Durrësi, Shkodra, Vlora, dhe së fundmi edhe Tirana. Një proces ky që do të hedhë më shumë dritë mbi dilemën e marrëdhënieve Basha-Berisha e do të tregojë nëse ka vërtet dallime mes tyre, apo koha i ka rreshtuar si bashkëudhëtarë në politikë!

No comments: