Sunday, March 30, 2014

Enver Hoxha: Paçrami dhe Lubonja, ju jeni lecka dhe kufoma politike pa vlerë

Nga: FATOS VELIU - Fjala e fundit e Enver Hoxhës mbylli atë mori diskutimesh të Plenumit IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, i cili
ishte thirrur posaçërisht nga Enver Hoxha për të diskutuar dhe dënuar Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Ka qenë pikërisht pasditja e datës 28 qershor e vitit 1973, kur ai kërkoi largimin nga Partia të dy njerëzve të artit dhe propagandës, "drama" e të cilëve kishte filluar gjashtë muaj më parë, kohë kur ishte zhvilluar Festivali i 11-të i këngës në Radio- Televizion.
Lubonjës dhe Paçramit iu desh të dëgjonin për tri ditë me radhë diskutime dhe akuza të panumërta nga pothuaj të gjithë anëtarët e plenumit, që vetëm pak ditë më parë kishin qenë shokë dhe miq të afërt të tyre. E ndërsa kishin folur me radhë edhe njerëzit e hierarkisë më të lartë të asaj kohe, si, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Ramiz Alia etj., në ditën e tretë e mori fjalën vetë Enver Hoxha. Si për t'i dhënë më shumë zjarr asaj që po ndodhte në atë sallë dhe për të justifikuar vendimin që do të merrej në fund të atij fjalimi, ai ngriti tonin duke bërë një analizë nga e para. U mundua të evidentonte me "fakte e shifra" ato që ai i quante gabime të pafalshme të dy njerëzve. Në fjalën e tij Hoxha bëri etiketime dhe akuza të panumërta, duke filluar nga ato më ordineret. Nuk ngurroi t'i quante plehra dhe njerëz të sëmurë, të paaftë dhe arrogantë, apo të tjera akuza që i çonin ata drejt dënimit të padiskutueshëm. Përfundimi i fjalës së tij ka qenë propozimi për masën që duhej të merrej ndaj tyre. "Unë propozoj, - tha ai, - si të gjithë ju, që Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja të përjashtohen nga Partia si anëtarë të saj, të përjashtohen nga Komiteti Qendror si anëtarë të këtij forumi të lartë udhëheqës të Partisë, të përjashtohen gjithashtu nga të gjitha funksionet e tjera udhëheqëse në shtet". Kaq do të duhej që për dy kuadrot e lartë të fillonin peripecitë dhe stërmundimet e vuajtjeve ku do të varionin deri në syrgjynosjen në burgjet e sigurisë së lartë, për të dalë prej andej vetëm pas viteve '90. Gjithçka ka ndodhur në 26-28 qershor, kur është mbajtur plenumi që do të njihej në historinë e shtetit komunist si "plenumi që goditi armiqtë në kulturë". Këto pjesë të detajuara nga fjala e fundit e Enver Hoxhës në atë plenum, për herë të parë bëhen publike në mënyrë tepër të hollësishme nga redaksia e "Gazetës Shqiptare", vetëm sot, kur mbushen plot 41 vite nga ato ditë të tmerrit për njerëzit kryesorë që drejtonin strukturat e kulturës shqiptare të viteve '70.

(Vijon nga numrat e kaluar)

Partia duhet të na kritikojë që nuk i kemi dënuar më shpejt
Partia ka të drejtë të na kritikojë ne, që u treguam më tepër të durueshëm nga sa duhej me ju, që duke ua vënë vazhdimisht në dukje gabimet, shkonim me shpresë se do të ndreqeshit, e tepruam me këshilla përpara kryeneçësisë suaj për të ecur nga gabimi në gabim. Por, ne i themi Partisë se, këta nuk i kemi lejuar të livadhisnin si të donin.
* * *
Në çdo veprimtari të tyre këta i prisnin pritat e Partisë. Është e vërtetë se disa herë u gjendën në befasi organizatat bazë, ku ata dhe disa njerëz të tyre vepronin në kundërshtim me vijën. Fadili dhe Todi kanë përdorur edhe mashtrimin, edhe mohimin, si rrufjanë të vërtetë politikë, për të vënë në gjumë për një kohë disa organizata bazë dhe disa kolektiva, deri edhe komitetin e Partisë të rrethit të Tiranës. Por, hileja ka dalë sheshit, gënjeshtra i ka kurdoherë këmbët të shkurtra.
* * *
"Kam menduar dhe mendoj se për të pasur një zhvillim të drejtë dhe më të mirë të letërsisë dhe të arteve duhen kapërcyer disa fenomene të tilla si, sentimentalizmi, natyralizmi, skematizmi etj. Duhet të çlirohemi gjithashtu dhe përfundimisht nga çdo ndikim i një lloji rryme letrare klerikaliste që ka ekzistuar para Çlirimit me temat e veta të preferuara mbi ekzotikën, ruajtjen e zakoneve patriarkale, largimin nga problemet shoqërore dhe hyjnizimin e disa virtyteve mbiklasore, shoqëruar me mënyra të foluri dhe pamje të jashtme aspak esenciale; Duhej bërë një luftë e vendosur për të çrrënjosur koncepte e pikëpamje të huaja nën ndikimin e rrymave dekadente borgjeze e revizioniste, në përmbajtje dhe në mjetet shprehëse që mbjellin pesimizmin, fatalitetin, kotësinë e jetës dhe pamundësinë për ta transformuar botën; Duhej të kapërceheshin edhe ato skema konfuze për letërsinë dhe artin e shkollë sovjetike që nuk qenë në gjendje t'i presin rrugën, por përkundrazi hapën rrugë për revizionizmin në Bashkimin Sovjetik e vende të tjera. Dhe kam luftuar me gjithë këto drejtime. Po ku qëndron gabimi? Këto çështje nuk janë bërë të qarta në masën e gjerë të shkrimtarëve e artistëve edhe kjo flet për një punë të dobët të Partisë në rreth, të organizatave bazë në institucionet kulturale e artistike dhe timen, që drejtoj këto sektorë.
Po kështu nuk munda të krijoj gjithmonë marrëdhënie normale në mes të gjithë krijuesve, të krijoj edhe atë të ashtuquajtur ambient artistik, por ka ndodhur që për disa prej tyre, në veprat e të cilëve ka patur ndikime dhe shfaqje të llojeve të ndryshme, janë përdorur shprehje si natyralistë, skematik, konservator, modernist, etj. Reagimi im këtu nuk ka qenë i tillë, që t'u pritej rruga gjërave të tilla. Pas kritikës që u bë në Plenumin e 15-të të Komitetit Qendror të Partisë ndaj disa veprave me ndikime të huaja borgjeze e revizioniste, pati një punë më të mirë dhe rezultatet në krijimtarinë letrare dhe artistike qenë më të mëdha; mirëpo kjo bëri të nënvlerësohej rreziku i ndikimeve të huaja dhe unë për këto nuk tërhoqa vëmendjen e organizatave bazë për të mos e harruar këtë rrezik, duket edhe unë e nënvlerësova, gjë që çoi në rënien përsëri në gabime të tilla".
* * *
"E kam quajtur veten me koncepte të formuara, kjo është e vërtetë", thotë Fadil Paçrami, në autokritikën e tij. Dhe ne i themi atij se e besojmë, se për çka mendonte, konceptet e tij ishin të formuara. Konceptet e Fadil Paçramit nuk ishin vetëm liberale e moderniste, por ato janë më parë koncepte antiparti e revizioniste, në ideologji, në politikë, në kulturë e në art, në çështjet organizative dhe në veprimtarinë praktike. Konceptet e formuara kishin edhe objektivat e caktuara.
* * *
Nuk është ashtu, siç duan të maskohen këta elementë antiparti, se gjoja pa dashur kanë gabuar kundër disa shkrimtarëve o artistëve të kohëve para vitit 1960. Jo, kjo është një gënjeshtër. Këta elementë kanë qenë kundër së kaluarës së shkëlqyer të popullit tonë, kundër patriotizmit të zjarrtë të tij të çdo periudhe të historisë, këta mohonin dhe urrenin kulturën e lashtë të popullit tonë, doket dhe zakonet e mrekullueshme përparimtare, ata mohonin dhe urrenin këngët, muzikën, folklorin e tij, i quanin këto "gangrenë" të muzikës që ata donin të restauronin në atdheun tonë socialist. Këta ishin kozmopolitë nga më të degjeneruarit.
* * *
Sa e drejtë ka qenë vija e Partisë sonë në ruajtjen e pasurisë së madhe të popullit dhe të atdheut, e asaj pasurie të madhe shpirtërore që e ka mbajtur gjallë kombin tonë, në stuhi e në furtuna! Sa drejt kanë luftuar Partia dhe njerëzit e artit e të kulturës sonë popullore për të spastruar ferrat që mbysnin këtë kopsht kaq të lulëzuar dhe e nxorën në dritë dhe në bazën e saj, duke ndjekur traditën e bukur, krijuan vazhdimin e natyrshëm të saj, kulturën e një vendi socialist, të mbështetur fort në truallin dhe në gurrën kombëtare, i ruajtën asaj format e bukura dhe i zbukuruan përmbajtjen, i dhanë përmbajtjen socialiste, revolucionare! Ata ia zhvilluan këtë përmbajtje revolucionare, pse kjo përmbajtje revolucionare nuk na ra as nga qielli, as na u soll me valixhe nga jashtë, por e trashëguam nga të parët tanë. Leninizmi dhe Partia jonë na mësojnë të mbështetemi fort këtu, pse këtu i kanë bazat revolucioni dhe socializmi, në popull, në klasën punëtore.
Më në fund Partia
ju kapi
Ja, ju kaluat nga e gjithë shosha e Partisë dhe mbërritët deri këtu, në instancën e lartë të saj, në Komitetin Qendror, i cili gjykoi veprimtarinë tuaj. Ç'tha Partia për ju? Ju dënoi njëzëri me të drejtë, me ndërgjegje të plotë dhe të pastër, në bazë të fakteve që vërtetojnë veprimtarinë tuaj. Juve ju gjykuan drejt, realisht dhe drejtësisht masat punonjëse.
Ju s'keni dashur të korrigjoheni
Partia ka pasur parasysh edhe të kaluarën tuaj, kurdoherë drejtësisht ju ka çmuar dhe me ndërgjegje ju ka dhënë dorën, është përpjekur ajo dhe ne udhëheqja e saj që t'ju korrigjonim, po ju s'keni dashur, ju e keni përbuzur Partinë, udhëheqjen dhe ndihmën e tyre. Ju keni menduar se jeni "njerëz të mëdhenj", "njerëz të paprekshëm", "udhëheqës të një Shqipërie të re të ardhshme dhe të një Partie tjetër", që ëndërronit.
Edhe tash nuk e kuptoni
Ju edhe tash, përpara këtij gjykimi të drejtë dhe dënimeve të merituara që u bëjmë veprimeve tuaja armiqësore, në veten tuaj thoni "s'ka gjë, ne jemi përsëri njerëzit e shquar të një së ardhmeje, për ne do të flasë Perëndimi, do të flasë Beogradi, do të flasë Moska", siç flet për Liri Belishovën dhe plehra të tjera.
* * *
Kjo është e vërtetë, pse ju jeni të tyret, ideologjikisht dhe politikisht; për Partinë tonë ju jeni komplotistë dhe, duke menduar se vendi ynë dhe Partia ishin në krizë për arsye të rrethimit kapitalisto-revizionist, ju aktivizuat veprimet tuaja armiqësore. Nesër mendonit se do të dilnit si shpëtimtarë të situatës.
Ju nuk dinit as të maskoheshit
Ju, si elementët anti-Parti që përmenda në fillim, nuk u maskuat me parulla mëngjarashe, por gjykuat se rrethanat ndërkombëtare kërkonin që të punonit dhe të dilnit me parulla të djathta. Vigjilenca e Partisë jua shkatërroi planet dhe ëndrrat.
Por, ne ju themi se ju jeni lecka, ju nuk jeni asgjë, jeni dhe do të jeni kufoma politike dhe ideologjike, pa as më të voglën e vlerës.
Këshillat tona
Ne ju këshillojmë të njihni thellësisht gabimet e mëdha dhe të rrezikshme tuajat. Duhet të spastroni kokën dhe ndërgjegjen nga shumë gjëra të këqija që kanë zënë rrënjë tek ju, të ulni kokën në punë dhe në punë të spastroheni, të bëheni njerëz të rinj. Ëndërrimet e sëmura nuk e shërojnë njeriun, përkundrazi ato e sëmurin më shumë. Ne ju themi se konvaleshenca juaj do të jetë e gjatë, duhet të ndihmoni veten që t'ju ndihmojë Partia. Kjo nuk ka munguar t'ju ndihmojë dhe mos harroni se ju e keni përbuzur dhe shkelmuar ndihmën e saj. Partia kurrë s'ka qenë dhe nuk do të jetë hakmarrëse ndaj atyre që gabojnë, qoftë edhe rëndë, siç gabuat ju, por dijeni se Partia nuk e ka zakon t'ju fërkojë krahët, ajo do t'u godasë akoma më ashpër, në rast se do të vazhdoni në gabimet tuaja.
Për Paçramin dhe
Lubonjën unë
propozoj dënim
Duke marrë parasysh gabimet e rënda në vijën e Partisë të Fadil Paçramit dhe të Todi Lubonjës, duke marrë parasysh se këto gabime të tyre të shumta u vërtetuan plotësisht me fakte në diskutime të hapura dhe të bazuara nga e gjithë Partia, nga baza dhe deri në Komitetin Qendror, duke marrë parasysh se të dy këta nuk e kanë vlerësuar, përkundrazi e kanë përbuzur ndihmën e madhe e të vazhdueshme që u ka dhënë Partia për një kohë të gjatë, me qëllim që t'i ndreqnin gabimet e tyre dhe të korrigjoheshin; duke marrë parasysh se qëndrimet e tyre anti-Parti, si në teori edhe në praktikë kanë dëmtuar Partinë, shtetin dhe ndërtimin e socializmit dhe se për këto faje të rënda të tyre këta të dy bënë një autokritikë shumë të cekët, false dhe formale, unë propozoj, si të gjithë ju, që Fadil Paçrami dhe Todi Lubonja të përjashtohen nga Partia si anëtarë të saj, të përjashtohen nga Komiteti Qendror si anëtarë të këtij forumi të lartë udhëheqës të Partisë, të përjashtohen gjithashtu nga të gjitha funksionet e tjera udhëheqëse në shtet...
Punë të mbarë!
...Atëherë, shokë dhe shoqe, ju uroj shëndet dhe punë të mbarë për triumfin e ideve të Partisë!
Rroftë Partia!

Todi Lubonja jetoi deri në moshën 83-vjeçare
Në datën 19 nëntor 2005 pushoi së rrahuri zemra e njeriut të
letrave, 83-vjeçarit Todi Lubonja. Todi Lubonja, emri i të cilit ka hyrë fuqishëm në historinë e Shqipërisë komuniste.
Lubonja është njohur si njeriu që u bë simbol i goditjeve politike të Enver Hoxhës në fushën e artit dhe të kulturës.
Ishte pikërisht Plenumi IV i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, që u mbajt në qershor të vitit 1973, ai që kryqëzoi me dorë të hekurt figurën e Todi Lubonjës, i cili në atë kohë, në moshën 50-vjeçare drejtonte organin më të rëndësishëm të shtetit, pikërisht atë të Radio-Televizionit Shqiptar. Ajo suferinë që shkatërroi jetën e intelektualit të njohur e pati shkëndijën gjashtë muaj para se të zhvillohej ai plenum i llahtarshëm, dhe pikërisht në 22-24 dhjetor (1972), kur u zhvillua Festivali i 11-të i këngës në Radio-Televizion, të cilin Enver Hoxha e dënoi në mënyrën më urgjente nga Vlora, ku ndodhej për të pushuar. Pas gjithë atyre furtunave të tmerrshme të tipit komunist, fundi i 50-vjeçarit Lubonja do të ishte vetëm burgu i Burrelit.
Të njëjtin fat pati edhe i biri i tij, publicisti dhe analisti i njohur, Fatos Lubonja.
Liria e tyre u sigurua vetëm pas viteve '90.
Pasi doli nga burgu, Lubonja rikrijoi lidhjet me shokët e tij të hershëm, Ramiz Alinë dhe Agim Meron, në praninë e të cilëve ai pinte kafen e përditshme.
Gjithsesi, jeta e tij, e cila veç shkëlqimit fatkeqësisht u shoqërua edhe me vuajtje dhe sakrifica të panumërta, u fik nëntë vjet më parë në sallën e reaminacionit të spitalit të neurologjisë, ku u ishte nënshtruar mjekimeve intensive pas një "ishemie cerebrale" që e kishte goditur prej dy javësh.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

No comments: