Për të qenë sa më i saktë dhe konkret me lexuesit e shfletova edhe njëherë Fjalorin Enciklopedik, për t’u bindur më shumë rreth kuptimit të termit “censurë”, që as më pak dhe as më shumë, jepte shpjegimin se, nuk ishte gjë tjetër veçse vënia nën kontroll të rreptë e organeve të medias, artit dhe kulturës nga pushteti në fuqi… Duke qenë një dukuri e sistemeve diktatoriale, ku shtypja, varfëria dhe skamja fshiheshin nga censura e vendosur prej pushteteve mizore e të paprekshme, dhe jeta paraqitej sikur të ishte një festë e pafundme, sot, në demokraci ngjan paksa si artificiale të ndodhë një gjë e tillë, kur mendon se tani, ato që duhet të zotërojnë në media janë mendimi dhe fjala e lirë. Por, për fat të keq, kontrolli i medias nga biznese klienteliste me pushtetin, sot duket një fakt i kryer, gjë që duket nga mungesa e guximit dhe e kurajës civile për të zhbiruar nëpër tunele të pëgëra, sepse ndryshe, shpërfaqja e të vërtetave lakuriqe do të binte ndesh me interesat e botuesve apo pronarëve të TV-ve, të cilat financojnë e ndërkohë shpërblehen prej pushtetit. Mosparaqitja e qartë e projektit për rikonstruksionin e stadiumit të Elbasanit, hija që mbulon tenderat dhe financimet rreth tij, janë një tjetër censurë e bosëve në demokracinë tonë, interesat e të cilëve shkojnë plotësisht ndesh me ato të shoqërisë, që nga ana e saj kërkon të shfaqen në media të vërtetat dhe jo mashtrimi. E ndryshme, por e rafinuar, censura shfaqet në çdo rast, kur shihet se demaskimi i së keqes u bën dëm pikërisht atyre që e kultivojnë atë. Të tilla janë edhe përpjekjet që bëhen nga disa të ashtuquajtur “moderatorë televizivë”, që kur ndonjë i ftuar i tyre guxon të thotë ndonjë të vërtetë të hidhur që e shohin dhe e prekin të gjithë në përditshmërinë e kësaj jete, ata, si t’i ketë pickuar gjarpri, hidhen përpjetë duke ia prerë fjalën, duke e çuar diku tjetër vëmendjen, vetëm si e si që të mos i zbulohen petët lakrorit dhe kështu të mos i prishen punët e të mos i shkelen interesat bosit përkatës! Ose, një formë tjetër censure është edhe kur dikush si rastësisht, në rrugë apo diku tjetër gjatë një bisede në kafe, të thotë se, “ti, mirë bën që kritikon këtë llum që na rrethon, por kush të dëgjon, prandaj, lëre fare se nuk ka mbetur që ta rregullojmë ne këtë vend!”…
Kur nga disa krerë të lartë të FIFA-s bëhej e ditur se, Anglia e pat humbur të drejtën për të organizuar finalet e një Botërori, ngaqë media e saj paskej folur për korrupsion në selinë e institucionit më të lartë të futbollit ndërkombëtar, përgjigjja e ardhur nga ishulli mbretëror ishte se, lirinë e shtypit atje e vlerësojnë më shumë se milionat që mund të përfitohen nga biznese të tilla…
No comments:
Post a Comment