Vladimir Karaj
Në Partinë Socialiste janë 111 veta të regjistruar për një takim me ministren Mimi Kodheli. Kryesisht burra, që bëjnë ecejake apo flasin në grupe në hollin ku presin t’u vijë radha, t’u thërrasin numrin dhe të ngjiten në zyrën ku i pret ministrja. Shumica, për të mos thënë të gjithë, kanë vetëm një hall: janë në kërkim të një vendi pune. “I sati je ti në listë?”,- pyet një nga burrat atë që kishte në krah,
“I 83-ti”- përgjigjet ky. “Hajde”,- i thotë tjetri, “nuk të vjen radha ty sot”, dhe si e kap përkrahu, e tërheq drejt daljes. Dikush është duarthatë, dikush tjetër ka dosje që medoemos ka edhe ngjyrat e fushatës së fundit apo ndonjë logo të PS mbi të. Skena është e ngjashme ose të paktën një riprodhim i asaj që ndodhte në PD, këtu e 8 vjet më parë. Vetëm se me ngjyra dhe personazhe të rinj. Pasi ka ardhur në pushtet, partia duhet të ndajë tani vendet e punës për militantët dhe njerëzit që punuan fort për fitoren. Socialistët premtuan punë gjatë fushatës, por kryeministri Rama këmbënguli se do të ngrejë një administratë të depolitizuar profesionistësh. Por ajo që po ndodh, nuk i ngjet shumë kësaj, qoftë edhe vetëm nga zhvendosja e atyre që quhen takime me popullin në zyrat e Partisë Socialiste, në vend që të bëheshin në ministri. Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, përmes një njoftimi të publikuar edhe në faqen e saj në FB njoftonte në fund të vitit që shkoi se kushdo mund të aplikonte për vendet e reja të punës në administratën publike. Por mjaft prej atyre që janë interesuar, zbuluan se një pjesë e mirë e vendeve ishin zënë. Madje, për një pjesë të pozicioneve (të cilat ne mundëm t’i verifikonim) që qëndrojnë vakante në faqen e Drejtorisë së Administratës Publike, ka tashmë të emëruar.
Zyrtarisht këta janë të komanduar dhe do t’u nënshtrohen konkurseve, por praktikisht, siç edhe nuk kanë munguar rastet, janë po ata që e kanë fituar vendin e punës në konkurse të mëparshme. Madje, ndërsa lexon edhe kërkesat ndonjëherë specifike për drejtorë në drejtori apo specialistë duket sikur janë bërë për të përmbushur kritere të kandidatit të parazgjedhur. Pjesa më e madhe e fituesve janë ngushtësisht të lidhur me PS apo LSI, sipas përkatësisë partiake të ministrit drejtues. Kjo e bën të vështirë të besohet se konkurset që janë shpallur kanë qenë të ndershme. Madje, po ashtu e bën të vështirë të besohet atë që thoshte kryeministri në dhjetor, për krijimin e një administrate të ndarë nga politika dhe në shërbim të qytetarit, ndërsa krijon dashja pa dashje idenë se jemi brenda rrethit vicioz që duhej të ishte shmangur. Rrethi që paracakton fatin e të emëruarit në administratë, që përfundon në fund të mandatit të partisë për të cilën ai ka punuar në fushatën e fundit dhe që ndëshkon pa dallim shqiptarët të vuajnë nga një administratë partiakësh.
“Ne nuk do t’i gjejmë punë njeriut, por njeriun punës”! Kjo ishte në fakt motoja e kryeministrit në fushatë dhe pas saj. Por ndërsa mori në dorë shtetin, ai duket i lëkundur përballë presionit të madh, që vjen nga militantët e papunë. Ndërsa aleati i tij, LSI menjëherë pas marrjes së pozicioneve që do të kishte në qeveri apo drejtori të rëndësishme aplikoi zëvendësime të shpejta dhe në masë, PS u duk se nuk do të ndryshonte asgjë në mënyrë drastike, duke krijuar valë pakënaqësie në masën e përkrahësve të saj. Në faqet sociale të deputetëve apo edhe të vetë kryeministrit, ankesat se vendet e punës po ziheshin nga njerëzit e LSI ishin rutinë, ndërkohë që PS duket se nuk po lëvizte për të plotësuar pritshmëritë e militantëve të saj. Vala e pakënaqësisë duket se ka qenë e tillë që e ka detyruar më në fund PS-në të lëvizë me shpejtësi në plotësimin e kërkesave. Vetë Rama ka pasur disa ditë më parë një takim në Njësinë Nr.5, ku edhe është folur pikërisht për vendet e punës me njerëz që më herët kanë punuar në fushatë për PS. Së fundmi, ai ka urdhëruar ministrat e PS-së të presin me radhë në takime ditore, njerëz që duan të qajnë me ta hallet e që kryesisht kanë të bëjnë me një vend pune. Dy ditë më parë, ishte Damian Gjiknuri, dje Mimi Kodheli. Dhe me radhë, për ministrat është përcaktuar një orar takimesh me njerëzit në zyrat e socialistëve. Por kjo apo konkurset fiktive në mënyrë të qartë e largojnë PS prej premtimit dhe angazhimit të marra në fushatë. Njerëz që kanë qenë të pranishëm në takimin që Rama kishte me socialistë të angazhuar në Minibashkinë 5, thonë se ai edhe aty e ka përsëritur se nuk do të ketë shkarkime masive. Megjithatë, shkarkimet nuk kanë munguar. 15 punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në Tiranë u larguan nga detyra sepse një kontroll kishte zbuluar se ato nuk u kthenin përgjigje në kohë qytetarëve. Shkarkime në grup ka pasur thuajse në çdo drejtori që ka numër të madh punonjësish dhe pritet që vendet vakante të mbushen tani nga të rinj, që përzgjidhen prej administratorëve të PS. Ndërkohë kjo periudhë po shfrytëzohet edhe për shkak të vonesës së zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese për aktin normativ që pezullon ligjin për nëpunësin, duke krijuar edhe vakuumin për lëvizje në administratë.
Por a do i kënaqë kjo kërkesat për punë në vend? Normalisht që jo! Heqja e një grupi dhe punësimi i një grupi tjetër mban vendin në të njëjtën situatë si ajo e 23 viteve të fundit, e ndërkohë numri në total i vendeve të punës në administratë nuk është aq i madh sa për të plotësuar kërkesat e gjithë atyre që u është premtuar një vend pune në shtet. 82 000 është sipas të dhënave numri i atyre që paguhen nga buxheti i shtetit, prej të cilëve, pjesa dërrmuese janë mësues (38 mijë) që në një masë të madhe kanë më shumë se 20 vjet në punë, ndërsa pjesa e mbetur ndahet mes policive të sektorëve të ndryshëm dhe një grushti punësh të privilegjuara pas skrivanive në zyra ministrish apo institucionesh. Numri i atyre që i presin këto punë dhe numri i atyre që u janë premtuar, janë disa herë më shumë sesa numri i karrigeve. Këtu duket se fillon edhe telashi i parë dhe ngërçi para të cilit kanë dështuar gjithë qeveritë, përfshi atë që sapo u largua: Krijimi i një administrate efikase dhe larg duarve të politikës, emërimeve nepotike apo partiake.
Ajo që binte në sy dje, ndërsa njerëzit ishin grumbulluar në hollin e PS ishte pikërisht homogjeniteti. Pjesa më e madhe njiheshin mirë me njëri- tjetrin dhe bisedonin në grupe dhe njiheshin me emra dhe profesione. I përkisnin të lindurve të brezit 1950-1970 dhe shumica ishin me arsim të lartë, që shënohej përkrah emrit të secilit në listën e pritjes së bërë publike. Pjesa më e madhe janë aty për të rivendikuar vende të punës të humbura 8 vjet më parë. Mjaft e theksojnë fort këtë. Janë të shkarkuar sipas tyre padrejtësisht prej PD dhe presin që PS t’i kthejë në punët që kanë pasur apo në të tjera të ngjashme. Të tjerë ndërkohë larg prej këtu do t’i humbasin këto vende pune dhe për ta kjo do të jetë njësoj e padrejtë. Shteti sigurisht do të vijojë të ngarkohet me penalitete prej gjykatave për lëvizjet e paargumentuara të të punësuarve në administratën civile, ndërsa politika deri tani e paaftë për të krijuar vende dhe hapësira të reja punësimi do të vijojë të mbahet fort te vota në shkëmbim të vendit të punës në administratë e për rrjedhojë përdorë këtë të fundit për të kënaqur sadopak militantët dhe ata që e kanë ndihmuar drejt pushtetit. Në fund, sidoqoftë askush nuk do të kënaqet. Mjaft prej militantëve do të mbeten në zyra pritjeje duke turfulluar se në vendet që u takojnë atyre, janë ende ata të PD-së. Njësoj si militantë të kësaj force turfulluan deri në fund të mandatit qeverisës. Nga ana tjetër, të pushuarit nga puna do të mbushin kafenetë dhe numri i familjeve në hall do të jetë i njëjtë.
Lëvizjet në administratë; dy të paguar për një vend pune
Komisioni i Shërbimit Civil në raportin e 2012-ës thotë se administrata qendrore apo vendore nuk ka marrë parasysh asnjë prej vendimeve të tij që kryesisht kanë të bëjnë me kthimin në detyrë të personave të shkarkuar padrejtësisht. “100 për qind e vendimeve nuk janë zbatuar”, thoshte kryetari i KSHC, i cili pohonte se dëmi ekonomik prej kësaj është i madh, por se institucioni i tij nuk mund ta llogariste atë. Raste flagrante u regjistruan në drejtori të rëndësishme, Policia e Shtetit, dogana dhe tatime. Dëmi që këto të fundit i kanë shkaktuar arkës së buxhetit nga shkarkimet e padrejtat llogaritej në 2012 rreth 1.7 milion dollarë dhe vetëm për 7 punonjës të lartë të kësaj pjese të administratës (Ministrisë së Financave), shteti duhej të paguante 200 mijë dollarë si dëmshpërblim për largimin nga puna, nga ana tjetër 200 mijë dollarë paguheshin edhe për 7 zëvendësuesit e tyre. Bashkimi Europian dhe institucionet e asistencës ndërkombëtare në Tiranë, i mbushën raportet plot me këshilla për të ndalur së paku shkarkimin e personave për të cilët shteti shqiptar dhe partnerët e huaj kishin paguar mijëra euro në trajnime. Ndërkohë BE po mban ende si kopan mbi kokë dhënien apo jo të statusit kandidat duke patur parasysh në këtë edhe emërimet dhe lëvizjet në administratën publike dhe tentuar të frenojnë revanshin e radhës. Administrata mbetet një prej kërkesave themelore për të avancuar në procesin e integrimit. Raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili shënon edhe dëmin financiar të shkaktuar nga shkarkimet e paligjshme dhe të paargumentuara, thonë se vendi vazhdon ende të paguajë faturë financiare prej vitit 2006, kur ishte dhe masa më e madhe e lëvizjeve në administratë pas ardhjes në pushtet të së djathtës. Kjo faturë sipas raportit rritet edhe për shkak të mosrespektimit të vendimit të gjykatave për të kthyer në vendin e punës të larguarit.

No comments:
Post a Comment