Kryetari i PD Lulzim Basha në një
intervistë për analistit Janus Bugajski në televizionin AS bën një tablo
të detajuar të pikpamjeve të opozitës për të gjitha hapat e qeverisë së
re. Basha merret kryesisht me ekonominë dhe taksat duke thënë se me
rritjen e taksave dhe me mosmenaxhimin e situatës ekonomike po rrezikon
ta kthejë vendin në një “Greqi” të dytë. Ndërkohë kreu I PD-së thotë
se nuk ka probleme me protagonizmin e Berishës në parti dhe shton se është ai kryetari dhe ai do të drejtojë hapjen e partisë për të rinjtë në zgjedhjet e reja brenda saj.
Më lejoni t’ia nis me performancën e qeverisë së re. Muaji i mjaltit mori fund shumë shpejt, siç është prirja në rajon. Kemi qenë dëshmitarë të një sërë debatesh mjaft të nxehta tashmë mes qeverisë dhe opozitës. Po ia filloj me ekonominë, sepse ajo është thelbi i gjithçkaje me peshë për qytetarët shqiptarë. Kryeministri i ri deklaroi se vendi po përballet me probleme ekonomike, si borxhi i madh publik, për shkak të politikave të qeverisë së mëparshme të PD-së. Si i përgjigjeni kësaj deklarate? A është vendi në krizë financiare, me sa arrini të shihni ju?
Vendi po përjeton një degradim në perspektivën ekonomike dhe kjo ka ndodhur gjatë tre muajve të fundit. Dëshmia për këtë nuk vjen nga opozita, por nga burime të besueshme ndërkombëtare, siç ndodhi së fundmi me Standard&Poors e cila e uli në gradë Shqipërinë nga B+ në B, nga e qëndrueshme në negative. Është hera e parë që Shqipëria ulet në këtë nivel që nga viti 2007. Vlerësimi B+ erdhi falë politikave fiskale mjaft mirë të matura, disiplinës së politikës fiskale, e çiftuar kjo me një largpamësi tejet të mirë sa i përket investimeve të huaja, dhe nga injektimi jo thjesht i kapitaleve, por i optimizmit në ekonominë shqiptare, për të cilën Banka Botërore tha vetëm një javë më parë me gojën e përfaqësuesit të saj në Tiranë se ishte ekonomia e vetme në rajon që mbeti e imunizuar nga recesioni global. Në të vërtetë, vijoi të rritej gjatë këtyre pak viteve të fundit. Këtë e thotë Banka Botërore, gjegjësisht i njëjti këshilltar që po këshillon tani qeverinë e z. Rama. Pra, më shqetësuesja e kësaj pjese të retorikës së z. Rama, është se pas 100 ditësh me mandat si Kryeministër, ai vijon të flaës si të ishte në opozitë, duke fajësuar të kaluarën, dhe duke mos u fokusuar tek e tashmja. Dhe duke mos u fokusuar aspak tek e ardhmja. Kjo është tejet shqetësuese, sepse gjendja e ekonomisë në Shqipëri, dhe krahas saj, vendet e punës dhe mirëqenia e aq shumë shqiptarëve, varet nga shumë faktorë. Por njëri prej faktorëve më të rëndësishëm është mobilizimi i maxhorancës dhe qeverisë për të vijuar politika, programe dhe veprime që nxisin rritjen dhe optimizmin, që e hapin Shqipërinë më tutje si ndaj investimeve të brendshme si ndaj atyre të jashtëme. Por, po ndodh e kundërta. Një klimë paniku po nxitet në vend si pasojë e masave represive dhe anti-ligjore që po dëmtojnë si stabilitetin ashtu dhe perspektivën e stabilitetit, siç tha vlerësimi i S&P. Por po dëmtojnë gjithashtu edhe instrumentat qeveritare për të ndikuar në perspektivën ekonomike. Sulmi më i qartë kundër ekonomisë shqiptare ishte Akti Normativ me anë të të cilit u ndryshua Buxheti 2013. Dhe asokohe, ne e paralajmëruam qeverinë duke thënë se kjo është një këmbanë alarmi, dhe se Shqipëria po shtyhet drejt recesionit.
Si u ndryshua saktësisht buxheti?
-U ndryshua duke shumëfishuar borxhin. Në vitin 2012, qeveria jonë planifikoi një buxhet i cili u ekzekutua për 8 tetë muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që qeveria jonë ishte akoma në pushtet. Dhe, imagjinoni, për tetë muajt e parë të këtij viti, qeveria jonë, në rrugën drejt zgjedhjeve, me një partner koalicioni të humbur, me mbajtjen e zgjedhjeve dhe humbjen e tyre, përsëri arriti të kishte një performancë në mbledhjen e të ardhurave vetëm 4.3 % më pak se sa plani. Kjo do të thotë se mesatarisht në çdo muaj ajo qeveri mblodhi 15 milionë dollarë më pak se sa plani. Qartësisht, një performancë më e ulët se plani, por në masën 15 milionë dollarë më pak. Duhet vërejtur se qeveria arriti të përmbante borxhin e Shqipërisë duke kursyer 50 milionë dollarë, dhe kurseu 10 milionë dollarë të tjerë duke ulur shpenzimet. Pra, ajo i dorëzoi Qeverisë Rama një defiçit vjetor prej 120 milionë dollarë, por dorëzoi po ashtu kursime në vlerën 60 milionë dollarë. Pra, një gropë prej 60 milion dollarë. Gropa në buxhetin e Qeverisë së Shqipërisë, kur ne ia kaluam pushtetin qeverisjes socialiste, ishte 60 milionë dollarë. Me ardhjen e tyre në pushtet, ndodhi më e çuditshmja. Në vend se t’u qëndronin besnik premtimeve për të mbledhur më tepër të ardhura, ata jo vetëm që s’e bënë këtë, ata jo vetëm që nuk u angazhuan të mblidhnin ato që ne kishim planifikuar, jo vetëm që nuk performuan në nivelin tonë të ulët, pra me 15 milionë dollarë më pak në muaj, por ata dekretuan një Akt Normativ, me pushtetin që u jep ligji, me anë të të cilit ata u angazhuan para publikut shqiptar se qeveria e re do të kishte një performancë katër herë më të keqe se qeveria e mëparshme. Kjo është absurde. Kjo është si t’i thuash publikut: “Po, ne jemi qeveria e re. Por e dini çfarë, në një nga detyrat themelore, siç është mbledhja e të ardhurave, ne do të performojmë më dobët se qeveria e mëparshme. Dhe këtë do ta miratojmë me votat tona në Parlament.” Krahas kësaj, ata kontraktuan marrjen e një huaje prej 400 milionë dollarë. Është pikërisht kjo politikë, e kthyer tashmë në Ligj të Buxhetit si rezultat i veprimit të tyre, që, pikërisht siç thamë ne, përkeqësoi perspektivën ekonomike në sytë e ekspertëve, si S&P dhe agjensi të tjera me reputacion. Ne i paralajmëruam të mos e bënin. S’kishin asnjë arsye për ta bërë. Por paniku u krijua, dhe ai tani ka ndikuar në vlerësimin e Shqipërisë. Kjo do të thotë se çdo euro dhe dollar që qeveria shqiptare merr hua është më e shtrenjtë se një apo dy javë më parë. Pa dyshim, këto janë para që dalin xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Pra, ju po thoni se duhet të mblidhen më tepër taksa?!
-Unë po them se qeveria jo vetëm që s’ka një plan ekonomik, por ajo s’ka plan për të përballur sfidat me të cilat ballafaqohet Shqipëria. Nuk ka vetë-disiplinë. Në njërën anë ne shohim se merr hua sasi të mëdha, në anën tjetër shohim se pjesë të huasë shkojnë për shpenzime operative. Shohim se Qeveria shpenzon për të dekoruar zyrat, për të krijuar hapësira të reja zyre, për të blerë pajisje operative për qeverinë.
Pra, ju propozoni riorganizim të shpenzimeve qeveritare, mbledhje më të madhe të të ardhurave…
Ne i thamë qeverisë se Akti Normativ ishte shenjë paniku dhe paaftësie. Ne u bëmë thirrje që të mos e bënin. U bëmë thirrje të vijonin me të njëjtin plan që kishim ne. Si dhe, siç pret kushdo nga një qeveri e re, të përmirësonin mbledhjen e të ardhurave dhe të kishin një plan më të mirë shpenzimesh. Të gjitha këto ranë në vesh të shurdhët. Qeveria e z. Rama e kishte vendosur në mënyrë të njëanshme, pa na përfshirë ne si opozitë në debat, dhe pa përfshirë as biznesin dhe të gjitha grupet e interesit, në një kohë që të gjithë ishin kundër saj. Ata vazhduan dhe bënë atë që sot po na shpaguan në mënyrë të tillë. Si rezultat i kësaj, kemi një përkeqësim të defiçitit. Shqipëria ka tani një defiçit më të lartë. Si rezultat i defiçitit më të lartë dhe projeksionit më lartë të defiçitit, vendi është ulur në gradë nga S&P. Kjo do të ketë dhe pasoja më të thella teksa ne po i afrohemi vitit të ardhshëm fiskal. Më e qarta, është se qeverisë i mungon plani ekonomik. Ka premtuar 300 mijë vende të reja pune. –Do ju pyesja tani… -S’kemi parë asnjë hap të vetëm.
A po stepen tani investitorët?
–Janë të tronditur! Sot, sipas ligjeve shqiptare, duhet ta kishim votuar buxhetin më 30 nëntor. Ndërkohë që flasim, qeveria s’ka shpalosur ende projekt-buxhetin e saj. Ne s’e dimë se ç’do të ndodhë me taksat! Në media lexojmë të dhëna jozyrtare që tregojnë se të gjitha taksat do të rriten. Një tjetër shkelje e premtimeve, sepse gjatë fushatës ata premtuan se 98% e shqiptarëve do të paguajnë më pak. Por, ç’është më e keqja… Por ne s’dimë akoma asgjë! S’dimë se sa ndikim do kenë ndryshimet në paketën fiskale. S’dimë ç’ndryshime do të zbatohen mbi TVSH-në, taksën korporative dhe taksën e të ardhurave. A do të vazhdojnë me taksën e sheshtë apo do të fusin taksën progresive? Dhe kjo përgjigje në vetvete dëmton biznesin, dëmton besimin e biznesit të vogël e të mesëm në Shqipëri. Dëmton besimin e korporatave vendase, tremb investitorët e huaj, shkatërron vende pune dhe dëmton konsumin. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se konsumi është në rënie të vazhdueshme gjatë 90 diteve të fundit.
Pra, a mendoni se do të ketë një barrë më të madhe fiskale për shtresën e mesme?
Më lejoni të konkludoj! Përkeqësimi i perspektivës ekonomike është, pra, një skenar i vetë-shkaktuar. Askush s’ka thënë se situata ishte e përsosur. Ne i kishim të qarta sfidat! Por madje dhe në kulmin e efekteve të krizës në 2012, ne ia arritëm të mbanim në këmbë rritjen ekonomike, pa përjetuar as edhe një muaj recesion. Tani krejt befas, si rezultat i akteve të kësaj qeverie, ne shohim se ekonomia ka marrë me shpejtësi rrugën drejt të panjohurës. Ne shohim se shifrat dhe besueshmëria tek ekonomia janë në rënie. Dhe ky është njëri aspekt i pasigurisë që ka ardhur si pasojë e mungesës së një plani qeveritar, nga mungesa e transparencës për masat që ka zgjedhur të paraqesë dhe nga mungesa e plotë e transparencës dhe përgjegjësisë sa i përket Buxhetit 2014, i cili mbetet një mister edhe në këto momente. Dhe kjo, ilegalisht!
Duke iu kthyer pyetjes mbi shtresën e mesme. A do të presin shqiptarët të taksohen më tepër, sidomos sipërmarrësit e vegjël dhe profesionistët?
Kjo është ajo që po dëgjojmë! Me sa duket, qeveria po harton një paketë që do të rrisë taksat. Dhe ne jemi fuqimisht kundër saj. Jo nga një këndvështrim populist. Do të ishte goxha e lehtë për opozitën t’i drejtohej publikut: “Po ju marrin më tepër para nga xhepat tuaj!” Dhe vërtet do të nxirren më tepër para nga xhepat e shqiptarëve, në vend se të hyjnë në xhepat e tyre. Ajo që na shqetëson ne është se kjo lëvizje vjen si pjesë e mungesës së një plani, vizioni apo programi. Përkundrazi, ajo ka për të dëmtuar njërin prej aseteve të pakta që një vend i vogël si Shqipëria kishte në të pozicionuarit e vetes si vend konkurrues: taksa e sheshtë ishte njëra prej përparësive që investitorët, sidomos ata ndërkombëtarë, identifikuan në konsiderimin apo vendimin për të operuar investime në Shqipëri.
Disa njerëz do të argumentonin se ky s’është thjesht faji i një qeverie shqiptare. Pra, rënia e rritjes ekonomike vjen nga ndikimi afatgjatë i krizës financiare dhe recesionit evropiane. Cila është përgjigja juaj?
S’ka dyshim se situata globale, ajo evropiane dhe ajo tek fqinjët tanë ka patur një ndikim negativ në ekonominë tonë. Më parë ju tregova se rritja ra nga 7 përqind në 2005-2009 në 2-4% në 2009-2013. Po megjithatë ishte rritje! Dhe ishte më tepër nga sa tregojnë vendet e rajonit, siç tha BB-ja këtë javë. Kjo s’qe dhuratë nga qielli. Kjo s’qe diçka që thjesht ndodhi. Ishte rezultat i një politike dhe vizioni të qartë, e cila bazohej në taksimin e ulët, shpenzime të ulëta qeveritare, investime të mëdha publike dhe një politikë e rritjes së vazhdueshme, por e kujdesshme dhe e mirëplanifikuar, e pensioneve dhe pagave në sektorin publik, pa cënuar konkurrencën në sektorin privat. Kjo politikë e kujdesshme, e çiftuar me një trajtim skajshmërisht të matur të borxhit dhe problemit të shërbimit të borxhit e shpuri vendin atje ku ne ishim. Por ne po ecnim në teh. Qeveria mund të bëjë dy gjëra: mund të ndihmojë për ta fokusuar vendin që të vijojë të ecë në atë linjë të drejtë pozitivisht, ose mund ta shtyjë vendin në greminë.
A mund të bëhet Shqipëria një Greqi tjetër?
Pa dyshim, shpresoj që jo! –A ka gjasa! –Sigurisht që ka! Në këtë situatë, gjithçka mund të ndodhë! Është përgjegjësi e qeverisë për t’u zgjuar dhe të heqë dorë nga shfaqjet dhe propaganda televizive populiste dhe me mentalitet opozitar, dhe të fokusohet në çështje mjaft të rëndësishme, delikate e urgjente të ekonomisë që ndikojnë tek secili shqiptar, pavarësisht nëse është votues i opozitës apo i qeverisë. Kjo është urgjente, është delikate! Kjo po ndodh tani! S’ka aspak kohë dhe vend për populizëm dhe politikë në kuptimin më të ngushtë të fjalës! Tani është koha për veprim të përbashkët dhe PD-ja ka një plan, ka një platformë dhe një alternativë. Ne u treguam të gatshëm ta ndanim atë me qeverinë, kur ata rishqyrtuan buxhetin, por s’ishin të gatshëm ta bënin. Dhe ne e ndamë me publikun. Sërish, ne kemi një platformë! Kemi alternativën tonë! Do ta ndajmë këtë javë me grupet e interesit, grupet e biznesit dhe sindikatat pikëpamjen tonë se si do trajtuar kjo situatë. Qeveria është e mirëpritur të angazhohet me ne. Kjo është dhe duhet të ngrihet mbi politikën e ditës. Po flasim për një situatë me risk të lartë për stabilitetin ekonomik. Nëse s’merren masa, recesioni mund të nisë me pasoja shkatërrimtare për mijëra, në mos qindra mijëra, vende pune. Pra, për mirëqenien e qindra mijëra, familjeve shqiptare, që do të nënkuptonte, siç thatë dhe ju, destablitet social.
Cili është roli i FMN-së? Ku qëndron FMN-ja sa u përket huave dhe kushteve që i shoqërojnë ato?
Pyetje goxha e mirë! Nëse pesë muaj më parë do të më pyesnit se ç’do të bëja, do t’ju thoja: “Asgjë! Ne s’kemi nevojë për ata! Po e menaxhojmë vetë! Po e bëjmë mirë! Duam një plan të fokusuar nga rritja, sigurisht, me garancitë e vetë-disiplinës financiare dhe fiskale!” Kjo është ajo që do t’ju thoja 5-8 muaj më parë. Sot, përballë arbitraritetit, paparashikueshmërisë dhe natyrës së rrezikshme të këtyre masave që qeveria po merr pa u konsultuar me askënd, unë ju them se një program i FMN-së, e cila imponon disa masa kursimi! –Papërgjegjshmëria me të cilën qeveria po e menaxhon problemin është e frikshme. Dhe është detyra jonë si politikanë, si shërbestarë publikë, të parandalojmë gjërat dhe të shmangim gjërat, e jo të reagojmë mbasi gjërat ndodhin. Në këtë rrjedhë të ngjarjeve, vendi ka marrë me shpejtësi udhën drejt greminës, e cila do të pasqyrohet në mirëqenien dhe punësimin e çdo shqiptari. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë, dhe po vijojmë ta bëjmë, që të mos tregohet kaq e papërgjegjshme me këtë çështje vendimtare. Por s’po na e vënë veshin. Pra, me këto kushte, partneriteti me FMN-në së paku, shpresojmë se ata do të jenë në gjendje të imponojnë mbi qeverinë njëfarë përgjegjshmërie dhe vetëpërmbajtje, në mos një program dhe një vizion, që qeveria s’e ka dhe të cilën vendi nuk shpreson ta marrë nga FMN-ja, sepse duhet të vijë nga brenda vendit, dhe duhet të marrë parasysh interesat e shqiptarëve.
Pra, ju e përkrahni rolin e FMN-së këtu?
–Padyshim jemi në përkrahje të prezencës së FMN-së në Shqipëri si një mënyrë për të garantuar që vendi të mos dalë nga kontrolli. Dhe këtë e them me një keqardhje të madhe, sepse besoj se qeveria, nëse do të kish zgjedhur të vepronte me përgjegjësi, nëse do të kish hequr dorë nga retorika elektorale, ajo jo vetëm që do të kishte parandaluar tatëpjetën, siç ka ndodhur deri më tani, por madje do të kishin përfituar nga vrulli pozitiv që çdo qeveri e re ka kur merr detyrën për t’i dhënë një shtysë të re ekonomisë. Dhe kjo s’duket në horizont!
Mbesim këtu! Gjegjësisht, ç’duhet bërë për të gjeneruar investime të huaja dhe vende pune, pra ato premtime që u bënë gjatë fushatës elektorale?
Një pyetje e mirë për Kryeministrin, sepse ai akoma s’i është përgjigjur kësaj pyetjeje. Ne iu përgjigjëm kësaj pyetjeje për tetë vjet. Dhe për tetë vjet ne pamë se portofoli i investimeve direkte në Shqipëri u rrit vit pas viti, pavarësisht krizës. Shumëçka prej kësaj u përkthye në vende pune për shqiptarët, në hapjen e industrive të reja në një kohë tejet të vështirë. Ju kujtoj se ishte një kohë tejet e vështirë për rajonin. Pra, ajo që lipset tani është një qeveri që të ketë pikë së pari largpamësinë se si dëshiron t’i qaset çështjes skajshmërisht delikate të rritjes ekonomike dhe stabilitetit ekonomik. Që të ketë vullnetin për të ndërmarrë veprime, atëherë kur veprimi duhet. Që të ketë përgjegjësinë për të qenë e përmbajtur në ato sfera që lypin përmbajtjen e qeverisë. Por, po lëshohen sinjale të kundërta. Bizneset po shënjestoren abritrarisht. Shteti po sillet si pirat, si kaçak, brenda strukturave të veta. Javën e shkuar pamë se njerëz të panjohur shkatërruan sistemin on-line të tatimeve. Dhe si rezultat, me mijëra e mijëra shqiptarë u vunë në radhë sepse ata s’mund të depozitonin më on-line të dhënat. Ky është një akt kriminal. Më tepër se sa 4.5 milionë deklarime të biznesve janë zhdukur nga sistemi. Mijëra biznese e kanë patur të pamundur të depozitonin aplikimet në kohë. Kësisoj i është hapur më tepër dera arbitraritetit nga ana e inspektorëve tatimorë dhe trajtimit të pabarabartë, gjë e cila është pa dyshim njëra prej arsyeve për informalitet. Pra, me veprimet e saj, me arbitraritetin e saj, me mungesën e qartësisë, me mungesën e planit, qeveria po mbjell frikë e pasiguri.
Në një vend që gjatë tetë viteve të fundit ka sjellë më tepër formalitet në këtë sektor, pikërisht si rezultat i procedurave të qarta e më të shkurtra dhe i përdorimit të teknologjisë së informacionit, kjo qeveri po shkakton më tepër informalitet. Dhe ky është një kombinim vdekjeprurës për vendet e punës: arbitraritet, pasiguri, informalitet.
Një komponent i rëndësishëm i biznesit dhe investimeve është transparenca. Në kuadër të fushatës anti-korrupsion, si do të reagonit, nëse një ish-ministër i PD-së arrestohet nën akuzat për korrupsion? Prokuroria ka marrë një padi për ish-Ministrin tuaj të Mbrojtjes, z. Imami. Si do të reagonit ndaj kësaj?
Gjë e mirë që ju e perifrazuat siç duhet! Ju thatë fushatë anti-korrupsion! Unë s’besoj se korrupsioni luftohet nëpërmjet fushatave. Pikërisht me këtë po përballemi. Ne po përballemi me një shfaqje. S’ka asnjë plan, s’ka asnjë program! Ka një shfaqje që është bërë për të krijuar zhurme, por jo për të arritur atë që është elementare për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE-së, e cila është luftë e vërtetë ndaj korrupsionit. Përse e them këtë? Ajo që qeveria duhet të tregojë në këtë luftë, është vullneti politik. Vullneti politik në luftën ndaj korrupsionit është mjaft i rëndësishëm, është kyç. Dhe, sigurisht, ka disa faza në këtë luftë, ku drejtësia duhet të kryejë punën e saj. Por çfarë shohim nga kjo qeveri në muajt e parë në detyrë?! Forma më e hapur dhe më e dënueshme e korrupsionit është korrupsioni politik! Kjo qeveri erdhi nëpërmjet zgjedhjeve të organizuara nga qeveria jonë, të cilat ne i humbëm, dhe që u konsideruan të lira dhe të drejta nga ODIHR, pavarësisht akuzave të shumta për deformim të votës. Ironikisht, jo nga ana qeverisë, por për këtë u akuzua opozita. Kalimi i pushtetit, apo rotacioni, u krye paqësisht. Kjo qeveri pati shansin të provonte në Korçë kredencialet e veta mbi votën e lirë, për të cilën bërtiste me të madhe kur ishte në opozitë. Dhe ç’ndodhi?! Shqiptarët panë dhe dëgjuan blerje votash jo në cep të rrugës, por në një rrafsh klinik profesional, në Korçë. Korrupsioni politik është forma më e lartë e korrupsionit. Kjo qeveri jo vetëm që ka dëmtuar dhe njollosur reputacionin e saj, sa i përket aftësisë për të organizuar zgjedhje të lira dhe të drejta. Vendi jo vetëm që ka marrë një vulë në shtyllën fondamentale dhe ekzistenciale si një vend i lirë dhe demokratik me sundim të ligjit nga blerja e votës, sepse në thelb blerja e votës është ekzekutim i demokracisë. Por qeveria është ekspozuar gjithashtu edhe ndaj formës më të lartë të korrupsionit, sipas organizmave më të lartë të luftës kundër korrupsionit, atë politik. Dhe korrupsionin politik s’e pikasim thjesht në blerjen e votës në Korçë, por edhe në emërime, të cilat janë jo vetëm të paligjshme në nivelet më të larta: në dogana, në tatime, në polici, por edhe tek pronat e shqiptarëve, ku njerëz që janë qartazi të lidhur me interesa të posaçme brenda grupit parlamentar të z. Rama po emërojnë lakejtë apo asistentët e tyre për të drejtuar borde dhe sipërmarrje që menaxhojnë prona publike të shqiptarëve, siç është rasti me Albpetrolin. Dhe kjo po ndodh dita ditës. Nga z. Rama na u premtua një sistem arsimor i depolitizuar, dhe për këtë qëllim ai filloi një të ashqtuquajtur proces konkursesh për të zgjedhur krerët e Drejtorive Arsimore në rrethe. Secili konkurs degjeneroi në zgjedhjen e numrit një apo numrit dy të PS-së në rrethe, duke kulmuar në Tiranë ku vetë Kryeministri u ul për katër orë në një orvatje për t’i dhënë legjitimitet procesit, dhe ku të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre se zonja që u zgjodh ishte ajo që figuronte në një spot elektoral të PS-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Në Policinë e Shtetit, në shkëputje nga tradita që qe konsoliduar gjatë tetë viteve të fundit, ka patur emërime në majë të hierarkisë të njerëzve që s’plotësojnë kërkesat ligjore për detyrën që marrin, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm. Por, të cilët janë qartësisht të lidhur me aktivitetin e PS-së gjatë kësaj periudhe, dhe sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit, ku dokumentet e KQZ-së tregojnë qartë se këta njerëz po kryenin funksione që i besohen vetëm njerëzve më të besuar të partisë. Ka raste kur kanë qenë dhe kandidatë zyrtarë të PS-së, siç është rasti me Drejtorin e Personelit në Policinë e Shtetit. Pra, kjo s’është mënyra për të treguar vullnetin për të luftuar korrupsionin.
-E kuptoj por…
-Kjo është vetëm njëra anë e asaj që kanë bërë. Kanë shënjestruar në mënyrë diskriminuese çështje të veçanta që aludojnë për një gjueti shtrigash dhe se s’ka vullnet për të luftuar korrupsionin. E kam thënë që në fillim, nëse maxhoranca është gati, dhe ne si opozitë jemi gati, të këqyrim çdo akuzë që ata kanë bërë kur ishin në opozitë.
-Pra, asnjë ish-ministër s’është i paprekshëm!
–Sigurisht! Askush! Dhe ne e kemi vërtetuar këtë! Por, ç’ka ndodhur! Dëgjojmë që Ministrja e Mbrojtjes del dhe thotë: “Ka abuzime me detyrën dhe me pushtetin, si dhe shkelje të parimit të barazisë në tendera në Ministrinë e Mbrojtjes! Dhe, ndaj, ne po çojmë në Prokurori një dosje të hartuar nga ekspertë, ndaj ministrit dhe pesë a gjashtë bashkëpunëtorëve të tij!” Kush është ky grup ekspertësh? Cilat janë akuzat? Si arritën në këtë konkluzion? A ishte ky një proces ligjërisht i autorizuar? Apo ishte urdhër politik? Këto janë pyetje që i bënë njerëzit, e jo ne, në orët e para mbasi u mbajt kjo konferencë absurde për shtyp. Pa asnjë informacion tjetër përveç se disa “eskpertët” kishin punuar mbi një dosje, duke e lidhur ministrin me tendera, kur dihet fare mirë se ministrat s’kanë asnjë autoritet mbi tenderat. Por kjo është çështje tjetër, që i ngelet drejtësisë dhe hetimit ta shqyrtojë. Dhe pak orë më vonë, Kryeministri del në Facebook me një fjali të vetme: Të ndëshkohet për korrupsion ish-Ministri i Mbrojtjes! Lëshohet një fetva. Ajatollahu i madh foli! Sundimi i ligjit: e flakaritur nga dritarja. Po Kushtetuta dhe ndarja e pushteteve?! Kryeministri, Ajatollahu foli! Ai është Kryeministër, ai është Prokuror i Përgjithshëm, ai është gjykatës suprem. Dhe ai ka zgjedhur që një njeri, i cili, meqë jemi këtu, ka qenë subjekt i akuzave të vazhdueshme politike dhe personale nga vetë z. Rama. Ata nuk janë krejt të panjohur për njëri tjetrin edhe në të kaluarën. Kanë qenë të dy profesorë në Akademinë e Arteve. Më saktë, të dy kanë qenë lektorë në Akademinë e Arteve. Krejt befas, shohim diçka të tillë. Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese. Ky s’është një realitet gjeo-politik evropian. Kjo s’përfaqëson atë që është apo duhet të jetë Shqipëria!
Paradoksalisht, a s’bëhet kjo pjesërisht për t’i treguar BE-së se Shqipëria po plotëson kushtet për të çrrënjosur korrupsionin?
Ky është demonstrimi më i keq që mund të japësh për vullnetin për të luftuar korrupsionin. Nëse në njërën anë, ti ble vota, vendos bashkëpunëtorët ekonomikë më të ngushtë në krye të pronave publike të Shqipërisë, nëse shkel ligjin dhe punëson militantë në Policinë e Shtetit, në Dogana dhe në Tatime, ky është korrupsion politik. Është forma më e lartë e korrupsionit. Dhe nëse në anën tjetër, thjesht për hir të shfaqjes, ti u vihesh pas kundërshtarëve të mirënjohur politikë, dhe madje edhe kur nis një çështje për të cilën nuk shfaq as edhe një grimë transparencë, ti del në një rrjet social e shkruan jo me vullnet për të luftuar korrupsionin kudo qoftë, por me një dënim, në kuptimin gjyqësor. Nëse ti e dënon kundërshtarin tënd politik, kjo quhet gjueti shtrigash. Dhe s’besoj se BE-ja, apo ndonjë vend tjetër, pret të shohë këtë nga Shqipëria. Sepse kjo s’është luftë ndaj korrupsionit, kjo është shfaqje. Më lejoni ta përfundoj duke thënë se korrupsioni kërkon vullnet të fortë politikë, të cilin kjo qeveri s’e ka, sepse ka vërtetuar të kundërtën. Kërkon infrastrukturën e duhur, e cila përgjithësisht ekziston. Dhe kërkon jetësim. Ata kanë sjellë në Parlament një propozim me ndryshime të Kodit të Procedurës Penale dhe të Ligjit Anti-Mafia, që ne e miratuam, duke propozuar që korrupsioni të trajtohet njësoj si terrorizmi. Gjë të cilën tentuam ta bënim dhe ne kur ishim maxhorancë. Por ne mësuam nga gabimet tona dhe mësuam se s’mund të kesh në një gjykatë të vetme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, të gjitha paditë, sepse në vend se të ndihmosh luftën kundër korrupsionit, ke për ta ndërlikuar luftën kundër korrupsionit, në njërin krah. Dhe së dyti, s’luftohet korrupsioni me shfaqje. Korrupsioni luftohet me instrumenta të organizuar e funksionalë që zbatojnë ligjin. Dhe OPDAT-i, pjesë e Ambasadës së SHBA-së, dhe OSBE-ja, dolën dhe thanë: “Zotërinj, ajo që keni propozuar ju është politike, s’është e ligjshme! Ju po tregoni se keni vullnet, por ajo që po propozoni s’ka për të përforcuar luftën ndaj korrupsionit, madje ka për ta dobësuar atë!” Dhe këto shkresa janë publike. Mediat i kanë publikuar ato. Të gjithë i njohin. Deputetët tanë e kanë bërë të qartë këtë në Komisionet e Kuvendit. Deri më tani s’kemi parë asnjë reflektim nga maxhoranca. Gjë e cila flet dhe një herë për argumentin që shtrova më parë dhe për të cilin ju më pyetët. Pra, duket se ka një shtysë të qartë! I vetmi vullnet që qeveria ka është që të angazhohet në një shfaqje sikur gjoja po lufton korrupsionin, jo vetëm duke zgjedhur “gjuetinë e shtrigave” si instrumentin për ta bërë këtë. Por në çdo aspekt tjetër, deri më tani, ajo mjerueshëm po dështon në luftën kundër korrupsionit, e cila unë besoj, dhe PD-ja beson, se është kyçe për progres. Ndaj, ne jemi të vendosur të bëjmë çmos për një luftë të vërtetë ndaj korrupsionit.
Duke marrë në konsideratë gjithçka thatë, e ardhmja duket vërtet e zymtë. Ekonomia është buzë greminës, potencial për paqëndrueshmëri sociale për shkak të masave të rrepta të kursimit dhe mungesës së investimeve, mungesës së vendeve të reja të punës dhe në të njëjtën kohë, më shumë atmosferë e ndezur politike, që ju po thoni se qeveria po përfshihet në “gjueti shtrigash” kundër opozitës, duke e larguar vëmendjen nga ekonomia. Eshtë përshkrim i saktë i…?
Eshtë përshkrim tepër i saktë dhe e kemi thënë këtë. Kemi thënë që paaftësia, mungesa e çfarëdolloj plani për të mbajtur premtimet, mungesa e çfarëdolloj plani apo vullneti për t’u marrë me problemet e vërteta të Shqipërisë, që janë: ekonomia, mirëqenia, vende pune, po e çon këtë qeveri ditë pas dite në përplasje me demokracinë dhe shtetin ligjor. Sa herë që ata bëjnë një shfaqje bombastike, e bëjnë duke shkelur parimet ligjore, garancitë dhe liritë e Kushtetutës që mbrohen në këtë vend në emër të qytetarëve tek të cilët ndikojnë. Marrim për shembull të ashtuquajturin akt famëkeq të mbylljes së kazinove. 6 000 policë, me pak fjalë, gjithë forca policore efektive në Shqipëri u urdhëruan të “mbyllnin” kazinotë ilegale për më shumë se dy javë. Sa ndjekje penale? Sa të ardhura informale për shtetin? Cili është ndikimi? Shumica e kazinove janë ende të hapura, u hapën përsëri. Cili është ndikimi? Çfarë ka fituar publiku nga e gjithë kjo?
Asgjë.
Arbitraritet, po. Qeveria po zbaton një masë, që do kishte turpëruar edhe sherifin e Notingamit. I ka dhënë Zyrës së Inspektoriatit Ndërtimor autoritetin për t’ia shkatërruar shtëpinë kujtdo shqiptari, pa paralajmërim, edhe nëse është ndërtuar sipas rregullave, edhe nëse pronari mund t’u tregojë lejen e ligjshme të ndërtimit, nëse sherifi i Notingamit, ose kryeinspektori gjykon se ajo leje është dhënë duke shkelur ligjin, duke e lënë autoritetin që me Kushtetutë i jepet gjykatës, për një çështje që në këtë vend, sipas Kushtetutës, duhet të zgjidhet vetëm nga qeveria lokale, në lidhje me shenjtërinë e pronës që mbrohet në nenet e para të Kushtetutës së Shqipërisë në kundërshtim me parimin e mirëmbrojtur të sigurisë dhe parashikueshmërisë ligjore dhe procesit të drejtë, që janë po ashtu procese kushtetuese në duart e një personi arbitrar.
Po sjell vetëm këtë shembull, por ka shumë raste të tjera si ky, që tregojnë se s’ka vetëm pasiguri në sensin ekonomik, që s’ka vetëm papërgjegjshmëri në çështje si lufta kundër korrupsionit, ku nuk ka vullnet për ta luftuar, por vetëm vullnet për t’u dukur, për t’u dukur dhe për të bërë propagandë, por kemi një degradim të shtetit ligjor në Shqipëri që filloi kur ata anuluan njëanshmërisht, ilegalisht dhe në mënyrë anti-kushtetuese ligjin e punonjësit publik, që u miratua me konsensus dhe brenda natës u anulua jo nga Parlamenti, por nga Këshilli i Ministrave. Ky ishte sulmi fillestar dhe ne e paralajmëruam diçka të tillë. Nëse qeveria me kaq lehtësi do mund të mënjanonte konsensusin mes partive kryesore dhe do e bënte diçka të tillë, jo nëpërmjet një vendimi tjetër parlamentar, por nëpërmjet një vendimi qeveritar, pas dyerve të mbyllura, katër orë para se të hynte në fuqi, përtej ligjit tek i cili ndikonte, përtej garancive që ai ligj i jepte administratës civile, që tani po persekutohet. Ndërsa ne flasim, kemi të dokumentuara më shumë se 2 000 raste pushimesh të padrejta në sistem. Kjo tregon që kjo qeveri nuk e konsideron opozitën partnere në realitetin demokratik të Shqipërisë, një kundërshtare në sensin politik, por e konsideron armike me të cilën duke vepruar në mënyrë që vendimet e vjetra të merren pa marrë në konsideratë funksionimin e Parlamentit, funksionimin e opozitës, funksionimin e demokracisë. Kjo ka shkatërruar besimin, ka shkatërruar mundësinë për dialog. Ju e dini që është paksa vështirë të arrish besimin në Shqipëri. Në shumicën e demokracive, madje, edhe në demokracitë më të përparuara, besimi vjen në këmbë, por ikën me kale, dhe këtu pikërisht kjo ka ndodhur. Dhe pas kësaj, ka bërë sulm pas sulmi kundër Kushtetutës, kundër shtetit ligjor. Po, jemi të shqetësuar se po përballemi me degradimin e shtetit ligjor, me degradimin e rendit dhe sigurisë publike. Nëse zëvendëson profesionistët me militantë, nëse fillon të përdorësh policinë, nëse abuzon me policinë për çështje jashtë mandatit të saj ligjor, ose, më keq akoma, e urdhëron për operacione të paligjshme, atëherë e prish fare atë besueshmëri dhe ligjitimitetin e policisë, së pari dhe më e rëndësishmja, brenda vetë policisë dhe pastaj mes policisë dhe një publiku më të gjerë. Dhe pasojat janë të qarta. Një përkeqësim në rendin dhe sigurinë publike dhe një përkeqësim në shtetin ligjor. Shtyllat më thelbësore u goditën dhe qeveria nuk ka plotësuar ende 100 ditë në pushtet. Kjo është një çështje mjaft shqetësuese. Pasi e thashë këtë, për t’u kthyer te pyetja juaj e parë, ne si opozitë kemi bërë gjithçka dhe po vazhdojmë të bëjmë gjithçka që Shqipëria të marrë statusin kandidat. Kjo mund të duket paradoksale…
Statusin kandidat në BE?
-Statusin kandidat. Dhe disa mund të thotë që është hipokrizi, por unë do ju them pse nuk na e kanë dhënë, edhe pse kemi bërë të pamundurën. Ky është viti i dytë që Komisioni e rekomandon statusin. Herën e parë kërkonin me rreptësi miratimin e tre ligjeve, gjë që u përmbush. Dhe që atëherë, Shqipëria ka mbajtur zgjedhje, ndodhi rotacion i qetë dhe statusi nuk është anëtarësi, nuk është as hapje negociatash. Kjo periudhë është rishikuar. Dy herë është dhënë vendimi i një organizmi të besueshëm, si Komisioni Evropian, dhe për mendimin tonë, nuk ka asnjë arsye që Këshilli, vendet anëtare, ta vonojnë statusin. Këto probleme kanë dalë gjatë kësaj kohe dhe janë vërtet të rënda. Unë e di që aleatët dhe miqtë tanë, partnerët në NATO, shumë prej tyre janë edhe anëtarë të BE-së, i dinë dhe i ndjekin zhvillimet tek ne, por unë u kam thënë, u kemi thënë me sa fuqi kemi pasur, që mosdhënia e statusit për Shqipërinë nuk do zgjidhë asnjë nga këto çështje. Përkundrazi, shmangia e vëmendjes nga Shqipëria, mohimi i statusit do ndihmojë kauzën e papërgjegjshmërisë, arbitraritetit dhe arrogancës së qeverisë. Në anën tjetër, dhënia e statusit nuk do i kushtojë më shumë para Bashkimit Evropian, nuk do jetë nevoja që të na japin të drejta, për shembull, lëvizja e lirë pa viza. Këtë e kemi, por do dërgojnë një sinjal të fortë që Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe ky sinjal do të thotë që sjellja e qeverisë, si edhe e opozitës, si edhe e të gjitha forcave të tjera në shoqëri duhet të përmbushë atë standard të lartë të BE-së. Një standard i lartë presim që statusi të imponojë mbi këtë qeveri dhe mbi gjithë shoqërinë. Ndërsa mohimi i statusit, do të thotë: “Në rregull tani. U jeni kthyer marifeteve të vjetra. Po zhbëni çka keni arritur deri më tani? Atëherë, rrini aty ku jeni!”
Ç’ndikim do ketë mohimi i statusit kandidat apo shtyrja për më vonë e statusit kandidat pas dy javësh, kur Këshilli i Evropës të marrë vendimin? Ç’ndikim do ketë te Shqipëria për sa u përket marrëdhënieve politike? Do i thellojë polarizimet politike në vend, do i rrisë trazirat shoqërore? A do ketë ndoshta edhe reagime të ashpra nacionaliste në Shqipëri?
Vështirë të parashikosh se cilat do jenë reagimet e veçanta, por do ju them që sa u përket ndikimit të përgjithshëm do jetë i njëjti ndikim sa vlerësimi i “Standard’s and Poor” në ekonomi, por 10 herë më i fuqishëm në sensin negativ dhe do përhapet në të gjithë sektorët e shoqërisë. Do jetë një sinjal tepër negative për shoqërinë në përgjithësi. Padyshim, më fuqishëm, do jetë një sinjal për qeverinë, por në çdo gjë që bën qeveria, në çdo gjë që thotë ky kryeministër, duket sikur s’i intereson aspak.
Nga ky këndvështrim, s’do i ngulitet në kokë atij apo ndjekësve të tij në qeveri atë që mund t’u kishte ngulitur në kushte të tjera. Nga ky këndvështrim, duhet ta kuptojmë që kemi të bëjmë me nivelin më të lartë të papërgjegjshmërisë që mund të jetë dëshmuar edhe nga një udhëheqës ballkanik kohët e fundit, që ishte fare e qartë edhe në mënyrën si ai u dha zgjidhje çështjes së armëve kimike.
Do flasim pas pak për këtë.
Nga ky këndvështrim, është tepër e rëndësishme që sinjalet të jenë: “dhënie e statusit se vendi ka arritur ato që ka arritur”, ashtu siç tha Komisioni në raportin e tij të dytë, por për rrugën që na prêt, ta bëjë të qartë që nga një vend që gëzon statusin e vendit kandidat për shkak të arritjeve të bëra deri në tetor, kur erdhi rekomandimi, pritet shumë më tepër për të përmbushur edhe hapat e tjerë dhe jo t’i thonë “jo” statusit dhe “jeni krejt vetëm në këtë rrugë”.
Plus problemeve të brendshme politike dhe sociale që mund të sjellë mohimi i statusit, si do ndikojë në marrëdhëniet me fqinjët që e kanë marrë këtë status. E kam fjalën për vendet si Serbia, Mali i Zi, Maqedonia.
Eshtë proces i bazuar në merita. Kështu ka thënë Komisioni dhe BE-ja nëpërmjet institucioneve të tyre të shumta. Por sipas këndvështrimit tim, dhënia e statusit për Shqipërinë është e vonuar. Se çfarëdo që ishte arritur në Maqedoni apo në Serbi, apo në Mal të Zi, kur ata e morën statusin, nuk ndryshonte shumë nga një këndvështrim pozitiv nga ato që kishte arritur Shqipëria para një viti, para dy vitesh, madje, edhe tre vjet më parë. Por kjo është diçka që s’kontrollohet nga ne. Ky vendim u përket të tjerëve, s’e marrim ne. Ata duhet të marrin në konsideratë rrezikun e perceptimit të standarteve të dyfishta ose akoma më keq, e realitetit të standarteve të dyfishta dhe shumë kutive të Pandorës që ky realitet hap në një realitet të mbushur me thashetheme, që bie kollaj pre e dramës…
I bazuar në komplote…
-I bazuar në komplote. Në një realitet politik që bie pre e dramës si ai i Ballkanit Perëndimor.
Më lejoni të kalojmë në një tjetër… E di që do i kthehemi shumë herë kësaj pyetjeje, por të flasim për një tjetër çështje që ka kaluar në disa mënyra, por mendoj se do ketë pasoja. Cili është këndvështrimi juaj për vendimin e qeverisë, për mënyrën si qeveria e menaxhoi çështjen e lëndëve kimikë sirianë, për të cilët qeveria jonë kërkoi shkatërrimin në Shqipëri. Do ju bëj një pyetje specifike. Ju e kritikuat qeverinë për mungesën e transparencës, por më duket se gjithë procesit, nga të dyja palët, si nga ajo amerikane, edhe nga ajo shqiptare dukej sikur i mungonte qartësia dhe shpjegimi për publikun shqiptar për ato çka iu kërkuan me saktësi Shqipërisë. Me fjalë të tjera, shumë njerëz kishin faj në këtë mes, shumë palë kishin faj. Si e shikoni ju? Cila është përgjigjja juaj?
Përgjegjësia në Shqipëri i mbetet qeverisë shqiptare. Vendimet në këtë vend merren nga qeveria e këtushme, nga zyrtarët e zgjedhur këtu. Nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë dilemë. Në retrospektivë, përputhet me modelin e mungesës së transparencës dhe përgjegjësisë, që shohim në të gjitha veprimet e tjera të qeverisë që kur mori pushtetin. Ata kanë marrë pushtetin, por nuk kanë pranuar të ndërmarrin përgjegjësinë. Mungesa e transparencës, mungesa e përgjegjshmërisë, mungesa e përgjësisë ishin përbërësit që krijuan krizën e armëve kimike në Shqipëri. Publiku reagoi dhe ky është lajm i mirë.
Do dilja te kjo çështje.
-Publiku reagoi kundër mospërfilljes… Shoqëria civile në veprim.-Shoqëria civile nuk pranoi të mospërfillej nga zyrtarët e zgjedhur. Brenda të njëjtit muaj, nëse mund ta them kështu, kishim një ngjarje të pashpresë, të trishtë, të rrezikshme si blerja e votave, që ndikoi më shumë në atë incidentin që ishte filmuar apo edhe në shumë të tjerë gjetkë, korrupsioni i të rinjve, i shpirtit të të rinjve deri atje ku ka të bëjë aktivizmi politik. Duke iu thënë atyre, “Nuk ka rëndësi ç‘bindje ke! Eja merri ata 20 dollarë. Vota jote vlen 20 dollarë”. Dhe nga ana tjetër, tre javë më vonë, kemi demonstrimin më shpresëdhënës, masiv, të fuqishëm të shpirtit të pathyeshëm të lirisë në një shoqëri të hapur, që është rinia del në rrugë pa asnjë skenar, pa pankarta, pa reklama të shtrenjta,…
Pa bindje partiake…
-Pa bindje partiake. Dhe e mposhtën, me shënime të shkruara në pëllëmbë të duarve dhe në faqe arbitraritetin dhe arrogancën, mungesën e transparencës dhe papërgjegjshmërinë e qeverisë. Ishte një reagim kundrejt mosdëgjimit të tyre. Dhe e bëri të qartë që kjo shoqëri ka arritur tashmë një masë maturie që s’e toleron dot më mosdëgjimin, mospyetjen për çështje që ndikojnë rrënjësisht në jetët e çdo shqiptari. Kjo të jep shumë shpresë dhe duhet t’jua them edhe arsyen. Si opozitë, jua thashë me çfarë jemi përballur këta tre muajt e parë të qeverisjes. Me arbitraritetin, me hipokrizinë, mungesën e dialogut, shkelje të konsensusit dhe pastaj, shtyllat themelore të demokracisë si: vota e lirë dhe shteti ligjor, kanë marrë goditje, në rastin e shtetit ligjor, kanë marrë goditje javore, për të mos thënë ditore. Dhe nëse diçka e tillë bashkohet me indiferentizmin, padyshim që është vdekje e demokracisë si nuk kemi parë ndonjëherë. Jo, demokracia është realitet ditor, përgjegjësia e qeverisë kundrejt qytetarëve të vet është realitet ditor. Detyrim ditor. Transparenca është detyrim ditor i qeverisë. Dhe kjo ka të bëjë me vlerën themelore, thelbësore të identitetit evropian, që është dinjiteti i individit.
Njerëzit dolën në protestë për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe dinjiteti mund të sigurohet vetëm nëse demokracia nuk vepron një herë në katër vjet, por vepron përditë. Dhe kështu kemi dalë nga kjo situatë: me një frymëzim për një lloj të ri demokracie, për një demokraci të re. Një demokraci ku dinjiteti njerëzor është thelbësor, një demokraci ku përgjegjësia e qeverisë kundrejt popullit të vet, e të zgjedhurve kundrejt zgjedhësve është çështje ditore, jo një herë në katër vjet dhe kjo është ajo që Partia Demokratike po propozon si qasjen e vet, si vizionin e vet, sidomos në këto kohë, kur po fillojmë edhe zgjedhjet partiake në gjithë vendin.
Në fakt, më nxorët shumë mirë, direkt e te Partia Demokratike. E ardhmja e partisë dhe gjendja e saj. Tani ju jeni kryetari zyrtar i partisë, por cila është marrëdhënia juaj me ish-krytarin Sali Berisha. Ç’rol luan ai tani në parti? Zyrtarisht, ju jeni kryetari i ri i partisë. E kontrolloni ju partinë? Ka fraksione atje? Duhet bashkuar? Cila është gjendja e partisë?
Sapo dolëm nga zgjedhjet me humbje dhe unë jam kryetari i partisë në opozitë. Detyra ime kryesore është pikësëpari të udhëheq përpjekjet për një opozitë të fortë ballore, por edhe opozitë që bazohet te faktet, argumentet dhe arsyeja.
Detyra ime tjetër e rëndësishme është të drejtoj tentativën për riorganizimin, rigjenerimin, për unifikimin e gjithë kontributeve historike të një partie tashmë 23-vjeçare në historinë e Shqipërisë, e cila e ka dhënë kontributin e vet si në opozitë dhe në qeveri në periudhën më transformuese në vend në historinë moderne. Nuk është “faqe e bardhë”. Partia ka një histori dhe në këtë histori të partisë janë kontributet e themeluesve, të atyre që i rezistuan opozitës së fortë të viteve 1997-2005, të atyre që dhanë shumë në çuarjen e vendit para, me arritje të pamohueshme në periudhën 2005-2013-të, si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndryshimi i infrastrukturës, stabiliteti dhe progresi ekonomik, por që duhet edhe të reflektojë për arsyet pse shqiptarët më 23 qershor votuan që partia dhe koalicioni ynë të dilte në opozitë. Eshtë periudhë reflektimi, analize…
Po bëni rivlerësimin…
-Dhe ripërtëritjeje. -Po. Kjo është pjesë e detyrës sime, drejtimi i një përpjekjeje që s’mund të jetë vetëm e imja. Eshtë përpjekje e partisë si një e tërë. Dhe në këtë proces, po përpiqem të përdor të gjitha mjetet që ka partia demokratike në dispozicion, si edhe të identifikoj potencialin e ri dhe të hap dyert për potencialin e ri, për rininë që të ketë mundësinë e demonstrimit të këtyre kapaciteteve brenda Partisë Demokratike dhe ta japin këtë kontribut brenda Partisë Demokratike, që është dhe mbetet, edhe në kushtet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, streha e lirisë e të gjithë shqiptarëve.
Sali Berisha është lideri historik i kësaj partie, që nga momenti i themelimit deri në momentin kur vendosi të jepte dorëheqjen dhe të merrte përgjegjësinë për humbjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, për të cilat ai mund të mbajë vetëm përgjegjësinë e tij, por përgjegjësia s’ishte kurrë personale.
Partia zhvilloi zgjedhjet. U zgjodha kryetar me mbi 80 përqind të votave, më shumë se 42 mijë vota, që, sa për dijeni, 42 mijë persona erdhën në zgjedhje, që, sa për informacion, kam lexuar diku se ishte numri i njëjti i anëtarëve që ka partia jonë simotër në Poloni, ndaj doja t’ju tregoja masivitetin, shkallën në të cilën demokratët zgjodhën të merrrnin pjesë në këtë proces, por z. Berisha vazhdon të jetë një aset tepër i çmuar në luftën opozitare me përvojën e tij të madhe dhe me reputacionin e tij brenda Partisë Demokratike, jashtë Partisë Demokratike, brenda Shqipërisë, brenda vendeve me shumicë shqiptare dhe në arenën ndërkombëtare.
Shumë shpesh më pyesin në Uashington, kush e kontrollon Partinë Demokratike? Kryetari i ri apo i vjetri?
Besoj se “kontrolli i partisë” është një term i përgjithshëm. Po mundohemi, sa më shumë që mundemi, ta lejojmë Partinë Demokratike të kontrollohet nga sovrani që janë demokratët. Dhe ky është një nga qëllimet e procesit që sapo kemi nisur. Që anëtarët e partisë të përfshihen sa më shumë dhe të kenë mundësi vendimmarrjeje, që nga vendimet funksionale te zgjedhjet politike.
Po. Por ju jeni vendimmarrësi përfundimtar.
-Unë jam vendimmarrësi përfundimtar, unë jam kryetari i Partisë Demokratike, unë kam atributet dhe përgjegjësinë për të drejtuar Partinë Demokratike.
Kur do zhvillohet konventa?
-Sapo e kemi nisur procesin. Qëllimi është ta përfundojmë procesin e analizimit dhe reflektimit, analiza, si edhe zgjedhjet vendore të partisë brenda dy muajve të ardhshëm dhe procesin përfundimtar, përfshi edhe konventën ta mbyllim në muajin shkurt.
Rëndësi ka mënyra si bëhet dhe jo shpejtësia me të cilën bëhet.
Ka të ngjarë të ketë ndryshime në program duke parë rezultatin e dobët në zgjedhje?
Ne besojmë që rezultati zgjedhor duhet përdorur për të reflektuar për shumë çështje, por nuk besojmë që shqiptarët votuan kundër gjërave pozitive që kemi arritur nëpërmjet programit tonë, më themeloret nga të cilat janë: liria, liria e individit në një shoqëri, përgjegjësia e qeverisë, por jo e një shoqërie të drejtuar nga shteti dhe padyshim, vlerat tona themelore sa u përket çështjeve të brendshme dhe të jashtme, që, ashtu siç thashë, jemi përgjegjës për një valë arritjesh pozitive gjatë viteve të qeverisjes, ndaj nuk kemi arsye për të riparë thelbin e vlerave dhe parimeve në bazë të të cilave u krijuam 23 vjet më parë dhe në bazë të të cilave kemi arritur shumë suksese në qeveri dhe në opozitë. Ajo që duhet të bëjmë doemos është të reflektojmë thellë mbi mesazhin e votuesve, sidomos për çështjet e komunikimit me qytetarët, të mësojmë si ta dëgjojmë zërin e tyre, të mësojmë t’i kuptojmë kritikat e tyre, të mos shpërfillim analizat e keqmenaxhimit të pushtetit në nivele të ndryshme dhe në fund të nxjerrim përfundime racionale, progresive që do përqafohen jo vetëm nga anëtarët e Partisë Demokratike, por edhe nga e gjithë shoqëria. Ky është një parakusht para nisjes së fushatës sonë të dytë, që është një fushatë për të bashkuar forcat me shumicën e shqiptarëve edhe një herë.
Në përfundim, shumë shkurt, doja t’ju pyesja, për t’ju vlerësuar edhe disa minuta për postin tjetër si kryebashkiak i Tiranës. U bënë më shumë se dy vjet që jeni kryebashkiak, thuajse dy vjet e gjysmë tashmë. Ku mendoni se jeni për sa u përket objektivave, të zotimeve që bëtë gjatë fushatës, për sa i përket rizhvillimit të Tiranës, për sa i përket… Në veçanti më intereson çështja e buxhetit. Thuajse çdo qeveri kufizohet nga çështja e buxhetit, pavarësisht planeve që kanë. Sa keni mundur të arrini? Çfarë shpresoni të arrini tjetër gjatë mandatit tuaj?
Eshtë kohë e mirë për reflektim, fundi i vitit. Dhe do e bëjmë edhe në mënyrë zyrtare. Shoh rezultatet e këtij viti, të kombinuara me ato të vjetshmet, që përbëjnë dy vite të plotë të administratës sime, pa përjashtuar edhe katër muajt e 2011-tës dhe shikoj premtimet… Them se kemi arritur shumë gjëra. Tirana ka plan urbanistik, të cilin s’e ka pasur për 23 vjet. E bëra premtimin dhe e mbajta. Tani ka filluar puna. Cilësia e jetës në qytet është përmirësuar si rrjedhojë e ndërhyrjeve të fuqishme, të vogla, mesatare dhe të mëdha në infrastrukturën publike nga ujësjellës-kanalizimet te cilësia e rrugëve dhe trotuarëve në shtimin e numrit të pemëve, si edhe të hapësirave të gjelbra në qytet te zgjidhja e çështjes së cilësisë nëpër kopshte, çerdhe dhe shkolla. Kemi patur mundësinë që të implementojmë për herë të parë në Shqipëri, besoj edhe më gjerë në rajon, një politikë ekonomike nga perspektiva e qeverisjes vendore, kemi ulur taksat, kemi eliminuar tarifat, kemi hapur një fond garancish që për herë të parë u jep mundësinë sipërmarrësve të rinj të Tiranës deri në moshën 35-vjeçare të navigojnë më lehtë në marrjen e një kredie deri në 50 mijë dollarë dhe javën që shkoi firmosa garancitë për gjashtë kreditë e para, që nuk është vetëm një risi në qeverisjen vendore, por edhe një oksigjen tejet i nevojshëm për ekonominë e qytetit, por edhe një gjest shprese dhe frymëzimi për rininë për t’u përfshirë në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, në aktivitete sipërmarrëse dhe si rrjedhojë, hapin më shumë vende pune, sjellin më shumë të ardhura, më shumë mirëqenie, por çka është më e rëndësishmja, më shumë shpresë. Eshtë tepër e rëndësishme ta mbash qytetin optimist për ekonominë dhe të ardhmen e vet.
Do thosha që kemi bërë progres shumë të mirë në projektet strategjike. Këtu afër vendit ku ndodhemi, bulevardi i ri nuk është më thjesht një plan apo një skicë. Skica ka mbaruar. “Grimshaë Architects” nga Londra ka bërë punë të shkëlqyer. Partnerët tanë të Fondit të Zhvillimit të Abu Dabit, Fondit të Zhvillimit të Kuvajtit, si edhe shteti i Katarit po na ndihmojnë me fonde. Kompani të shquara, pasi kanë siguruar fondet ndërkombëtare për dy pjesë, për bulevardin dhe lumin i janë futur punës.
Ky projekt strategjik do i japë Tiranës një dimension të munguar. Imagjinojeni! Hyrja kryesore do dyfishohet në drejtim të veriut dhe atje do takohet me lumin e Tiranës. 6-10 herë më i madh se lumi i Lanës, që më pas do rehabilitohet dhe do krijojë një korridor blu dhe të gjelbër, duke i shtuar hapësira të gjelbra, hapësira argëtuese, duke shtuar më shumë mundësi për ndërtim, por edhe mundësi për parqe argëtuese, për muze, për aktivitete të tjera publike, duke hapur edhe vende të lira pune gjatë këtij procesi dhe duke rritur edhe perspektivën për vende pune në një fazë të mëvonshme.
Stacioni i ri i trenit, sepse i vjetri u zhvendos, është pjesë e një projekti tjetër që kemi nisur me BERZH-in, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe ata tani po hapin tenderin. Do jetë koncension i plotë, ndaj s’do u kushtojë para qytetarëve të Tiranës, që do të thotë se do vijë një investues, do hapen më shumë vende pune për zbatimin e këtij projekti dhe në fund të projektit, do ndërtohet një terminal multi-modal modern me stacion treni. Në të ardhmen atje do jetë edhe një linjë tramvaji, që do hyjë deri në zemër të qytetit, të gjithë autobusët interurbanë do ndalojnë atje, ndaj s’do ketë më autobusë interurbanë që bllokojnë trafikun, në rrugë. Me Bankën Botërore, IFC-në jemi në proces përfundimi të kushteve dhe të japim një tjetër koncension për grumbullimin dhe përpunimin e plehrave. Qëllimi është që vitin tjetër, plehrat brenda unazës së vogël të qytetit të grumbullohen nëntokë dhe që kjo qasje të ndiqet për të gjithë qytetin gjatë pesë viteve të ardhshme, duke siguruar një pastërti më të madhe për qytetin, por edhe në një mënyrë më ekologjike, s’do ketë më kosh plehrash mbi sipërfaqje dhe përpunimi i plehrave do bëhet në një mënyrë që procesi i riciklimit dhe përpunimit të mos zënë më shumë hapësirë, duke krijuar më shumë “landfill”-e, por për të krijuar vlera për komunitetin dhe Shqipërinë si një e tërë.
Mendoj se kemi bërë progres të mire sa u përket politikave ekonomike dhe hapjes së vendeve të punës në qytet, përmirësimi i cilësisë së jetës në qytet me investime kudo, në çdo lagje. Do doja të kisha sjellë disa foto si ishin më parë dhe si janë aktualisht. Dhe në ndjekjen fuqimisht të vizionit tonë për një Tiranë moderne dhe evropiane nëpërmjet projekteve strategjike që tani s’janë më thjesht një vizion, por një realitet që po zbatohet.
Shihni probleme me pushtetin qendror sa u përket disa planeve të reformave që keni, planeve të rindërtimit në Tiranë? Sepse në disa raste, duhet të bashkëpunoni me pushtetin qendror.
Nuk ka mungesë vullneti nga bashkia e Tiranës për të bashkëpunuar, se, së pari, në axhendën tonë ne kemi interesin e qytetarëve të Tiranës: demokratë, socialistë. Apo të të tjerëve pa parti. Ky është këndvështrimi që unë kam ndjekur dhe vazhdoj të ndjek si kryebashkiak i Tiranës. Ju siguroj që do vazhdoj ta bëj diçka të tillë në çdo çështje që lidhet me qytetarët e Tiranës. Sa i përket palës tjetër, atëherë, shpresoj të jetë bashkëpunuese.

No comments:
Post a Comment