Saturday, December 14, 2013

Dy dhjetorët e Arben Imamit

Nevila Perndoj
Në dhjetor të vitit ‘90 ata ishin miq. Të dy ishin pedagogë në Institutin e Lartë të Arteve, kur iu bashkuan lëvizjeve të vitit 1990 kundër diktaturës komuniste. Arben Imami do t’i kërkonte asokohe mikut të tij Edi Rama që të qëndronte në PD-në e sapoformëzuar. Vetë Rama do të largohej pa hyrë ende mirë, për shkakun kryesor, “Berisha”, të cilin asokohe ai e cilësonte “komunistin tipik” e për pasojë jo të duhurin për të drejtuar partinë e parë opozitare. Vite më pas asaj ngjarjeje, Imami në një rreth miqsh do të pohonte se “nëse më 8 dhjetor në Tiranë do të ishin dhe dy miqtë e mi, Edi Rama dhe Artur Zheji, (të dy jashtë shtetit, njëri në Greqi dhe tjetri në Itali) historia e PD-së do të ishte ndryshe”.

Vetë pedagogu i Arteve dhe një nga aktorët më të njohur të kohës u bashkua me Lëvizjen studentore më 10 dhjetor 1990. Më 11 dhjetor, ai lexoi lajmërimin për krijimin e PD-së, ndërsa dy ditë më pas, në emër të demokratëve rishtarë bëri deklaratën pro Ramiz Alisë. Prej asaj kohe, të dy ata morën drejtime krejt të ndryshme. Dikur miq, më pas kundërshtarë të thekur të Berishës, ndërsa sot në një betejë të ashpër politike mes tyre. Pas më shumë se dy dekadash, Rama kërkon që ish-miku i rinisë së hershme, Arben Imami, të ndëshkohet për korrupsion.
Themelues dhe mocionist
Arben Imami është një nga themeluesit e Partisë Demokratike. Në ditët e para të themelimit të partisë së parë opozitare pas diktaturës, ai u zgjodh nënkryetari i saj, dhe kryetar i Komisionit Elektoral. Në zgjedhjet e vitit 1991, Imami mori mandatin e deputetit, si dhe postin e kryetarit të Grupit parlamentar të PD-së. Një vit më pas, ai zgjidhet kryetar i komisionit parlamentar të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Asokohe, ai njihej gjithashtu si një nga miqtë më të afërt të Liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari. Në prill të vitit 1992, Imami konkurron me Pjetër Arbnorin për postin e kryetarit të Parlamentit. Por pas tri raundesh votimi, Imami humbi përballë Arbnorit me dy vota diferencë. Imami humbi një tjetër betejë më pas, atë të drejtimit të partisë përballë Eduard Selamit, duke sjellë kontradiktat e para me Berishën, që çuan më pas në përgatitjen e një mocioni kundër politikës trinome Berisha-Meksi-Selami. Vetë Berisha do të shprehej shumë vite më pas se ai mocion ka qenë i vetmi akt politik me vlerë i tranzicionit. Në gusht të vitit 1992, Arben Imami përjashtohet nga PD-ja dhe në të njëjtin vit, në muajin shtator, së bashku me Neritan Cekën e Preç Zogajn ai krijon Aleancën Demokratike, ku deri në vitin 1997, mban detyrën e sekretarit të Përgjithshëm. Nga viti 2000 deri në 2002, ai zgjidhet kryetar ekzekutiv i kësaj partie .
Përplasjet me Berishën
Gjatë kësaj periudhe, Imami shënjon ndërkohë përplasje të forta me Sali Berishën. Ai u godit nga ish-njerëz të SHIK-ut në vitin ‘96 ndërsa përplasja e madhe me Berishën kulmoi në vitin 1997 ku u akuzua nga opozita e asaj kohe si “gjenerali” i “rebelimit komunist”. Në marsin e vitit 1997, përtej vullnetit politik të opozitës që solli krijimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, Imami duke u nisur nga Gjirokastra, iu kundërvu me armë në krye të një tanku Qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe më së shumti marrëveshjes së marsit të firmosur në Presidencën e Sali Berishës. Por dy vjet më pas, gjithçka ndryshon për Arben Imamin. Madje edhe qëndrimi i tij për këtë ngjarje. Ai pranoi pushtetin politik të Fatos Nanos duke u zgjedhur deputet me ndihmën e PS dhe më pas ministër për Reformën. Ai bashkëdrejtoi komisionin për hartimin e Kushtetutës në vitin 1998, ndërsa në periudhën 1999-2000 largohet nga Shqipëria për të kryer studimet për “Felloëship in School of Foreign Service”, në Amerikë. Me rikthimin e tij në Shqipëri, në vitin 2001 zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë falë skemës së Dushkut me PS-në. “De jure” është Deputet i PAD-së, ndërsa kontradiktat e mëpasme me Neritan Cekën që drejtonte këtë parti, bëjnë që ai të krijonte fillimisht një fraksion politik, e më pas Lëvizjen Liberaldemokrate.
2005
Periudha 2005 e pas hap një kapitull të ri për Arben Imamin; atë të rikthimit në të djathtë, në origjinën e tij politike . Me krijimin e Komitetit të Orientimit të Politikave dhe hapjen e dyerve për të gjithë të larguarit nga partia, ish-bashkëhartuesi i Kushtetutës në cilësinë e ish-themeluesit të PD-së ftohet nga Berisha, duke u zgjedhur menjëherë anëtar i Këshillit Kombëtar nga Kongresi zgjedhor i po atij viti. Pas fitores së zgjedhjeve, Berisha i ofroi Imamit një post shumë afër vetes si drejtor i kabinetit të kryeministrit. Me afrimin e Berishës, Imami tenton që të ketë një ngritje edhe në strukturat partiake, duke shpallur asokohe edhe një platformë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, por që nuk u materializua në garë .
2009
Në vitin 2009, zgjidhet deputet dhe po me insistimin e Berishës emërohet ministër i Mbrojtjes. Këtu fillon edhe një marrëdhënie e re me opozitën ku, që me ardhjen në krye të këtij dikasteri, Imami akuzohet për lidhjet e tij me Damir Fazliç, që cilësohej nga opozita e PS-së si “njeriu i bizneseve të familjes Berisha”. Ish-pedagogu ai Arteve akuzohet gjithashtu për “trafik armësh” në Lindjen e Mesme e Libi ndërsa ngrihen pikëpyetje po nga PS-ja, (tashmë e drejtuar nga ish-miku dhe kolegu I tij, Rama) për mënyrën e shitjes së siluruesve në “Bisht-Pallë”, për nëndetëset e Pashalimanit, për shitje në kundërshtim të ligjit të trojeve të reparteve ushtarake etj. Gjatë kësaj kohe, Imami ka konflikte edhe brenda ministrisë me largimin e disa gjeneralëve. Së fundmi, një vendim i dhënë nga Gjykata e Tiranës hodhi poshtë shkarkimin e Gjeneral Abaz Lleshit, nga Imami, dikur ministër. Për të gjitha sa më sipër, opozita e dikurshme, tashmë në pushtet, ka paralajmëruar hartimin e disa dosjeve penale kundër tij. Vetë Imami e ka përkthyer këtë proces si “hakmarrje politike” që lidhet sipas tij me 21 janarin.
21 janar 2011
Arben Imami nuk ishte protagonist as nga ana e qeverisë dhe as nga akuzat e opozitës për atë që ndodhi ditën e 21 janarit ku mbetën të vrarë katër qytetarë. Ajo që nxiti një konflikt të hapur mes tij dhe opozitës së PS-së ishte pikërisht një deklaratë që Imami dha mbrëmjen e 21 janarit, dy vite më parë. Në një intervistë televizive, Imami do të deklaronte se ajo që kishte ndodhur ditën e 21 janarit ishte një grusht shteti dhe se vetë ai, atë ngjarje e kishte ndjekur nga televizori pasi gjatë ditës kishte festuar ditëlindjen e tij. Pas kësaj deklarate, nga opozita adresohen të tjera akuza që kundërshtonin versionin e Imamit. Ai u akuzua nga PS-ja se kishte blerë pajisje interceptimi elektronik disa javë pas 21 janarit dhe se pajisja në fjalë po përdorej edhe për përgjime ambientale dhe telefonatash deputetësh të opozitës. Pajisja pretendohej se ishte blerë me urdhër të tij në vlerën e 1 589 400 euro. Në po të njëjtën periudhë, socialistët pretenduan se ministri i Mbrojtjes kishte informacione se çfarë do të ndodhte më 21 janar sa kohë që sipas opozitës së atëhershme ai kishte armatosur SHIU-n dy ditë para 21 janarit. Për këtë çështje, në komisionin e Sigurisë në Kuvend mbahet edhe një mbledhje me dyer të mbyllura, ku Imami hedh poshtë akuzat e PS-së si të pafaktuara. Konflikti i tij i fundit me PS-në ishte vetëm pak ditë para dorëzimit të dikasterit, ku firmosi për kalimin e SHQUP-it tek PD-ja.
 Dosja e reklamave
Arben Imami, aq fort i konfrontuar nga opozita e kaluar, veçanërisht dy vitet e fundit të mandatit të tij si ministër i Mbrojtjes, është njeriu i parë për të cilin përgatitet një dosje penale nga ana socialistëve, pas qeverisjes tetëvjeçare të PD-së. Emri i  ishte i përfolur prej kohësh, çka i ka dhënë atij të drejtën për të supozuar se ai është “kurbani” i paracaktuar i qeverisë  Rama-Meta. Kreu I deputetëve demokratë, Paloka tha se Rama e Meta madje kanë debatuar për emrin e ministrit të parë nga PD që do të çonin në prokurori.
Imami ndodhet në një fazë të re marrëdhëniesh edhe me vetë LSI-në me të cilin ai bashkëqeverisi katër vite më parë. Pas zgjedhjeve të qershorit, ai deklaroi në një intervistë për median e shkruar se humbja e PD-së erdhi si rezultat i qëndrimit luajal me LSI-në duke lënë të kuptohet se një qëndrim ndryshe ndaj kësaj partie do të nxirrte një tjetër rezultat për të djathtën. Marrëdhëniet e acarta me PS-në si dhe një qëndrim i ri i mbajtur ndaj LSI-në, solli në fakt pak ditë më parë një deklaratë të bëftë të ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ajo u shpreh se “Imami duhet të hetohet për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, shpërdorimit të kontributeve të dhëna nga shteti dhe shkelje të barazisë në tender”. Konkretisht, ish-ministri i Mbrojtjes akuzohet se ka abuzuar me detyrën dhe me fondet shtetërore në 3 spote televizive dhe tre dokumentarë të transmetuar në media me një vlerë të 100 milionë lekëve të reja. Kaq është thënë deri më tash mbi këtë padi, ndërsa PS-ja paralajmëron se të tjera dosje do të shkojnë në prokurori, që lidhen kryesisht me akuzat që ajo ka hedhur qysh kur ishte në opozitë.
Mbrojtja e Imamit
Për të gjithë dosjen e Kodhelit, Arben Imami ka thënë vetëm një fjali konkrete për çështjen në fjalë. “Ministria e Mbrojtjes ka qenë dhe besoj do të mbetet një nga institucionet më të mira të këtij vendi dhe unë jam i bindur që nuk ka shkelje dhe nuk ka abuzime”, është shprehur Imami. E gjithë pjesa tjetër, sipas Imamit, është vetëm hakmarrje politike që ai e lidh me qëndrimin që ai ka mbajtur me 21 janar. “Është një hakmarrje politike e lidhur me pozicionet politike të 2011 dhe, me sa duket, Partia Socialiste dhe zoti Rama nuk kanë pasur rrugë tjetër, por të hartojnë qoftë edhe dosido një akuzë ordinere”, do të shprehej Imami për të dytën herë radhazi ndaj kësaj çështje. Për të vërtetuar tezën e tij, në një deklaratë të tretë të mbajtur nga selia e PD-së, Imami ngriti pikëpyetje edhe mbi procedurën që është ndjekur. “Projekt-raporti i auditit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po kontrollon ligjshmërinë e procedurës, nuk ka përfunduar ende dhe sipas afateve të përcaktuara nga ligji për auditin e brendshëm, data 11.12.2013 është afati i fundit për dorëzimin e observacioneve nga ana e anëtareve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka audituar të njëjtat procedura për vitet 2010-2012 dhe nuk ka konstatuar shkelje. Pra kallëzimi nuk ka kaluar nëpërmjet institucioneve të specializuara te Ministrisë së Mbrojtjes, apo edhe institucioneve të tjera të ngarkuara me ligj”, – u shpreh Imami duke ngritur dyshime se nën-punës të shtetit, (përfshi edhe atë) janë hetuar nga persona të paautorizuar. Në të vërtetë autorësia e kontrollit në fjalë që ka përfunduar në prokurori mbetet e pasqaruar pasi këto ditë drejtoresha e Auditit në Ministrinë e Mbrojtjes, Bardha Kola është pushuar nga puna. Kola nuk ka firmosur raport-kontrollin duke ngritur pikëpyetje mbi autorësinë e tij. Pas daljes publike nga selia e opozitës, Imami ka përfituar në të njëjtën kohë edhe një mburojë politike ku thuajse në një zë të gjithë zyrtarët e PD-së  janë shprehur publikisht se ai po sulmohet politikisht. Për çështjen në fjalë, Imami debatoi dy ditë më parë edhe në Kuvend me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndërsa dje Prokuroria ka nisur verifikimet për dosjen e tij.
 Dy ish-pedagogët e Arteve
Arben Imami dhe Edi Rama nuk kanë të përbashkët vetëm moshën. Vijnë të dy nga bota e artit, njëri aktor dhe tjetri piktorë në profesion, e më tej ish-pedagogë të Fakultetit të Arteve në ato vite, i dalin të dy kundër regjimit komunist edhe pse familjet e tyre ishin pranë atij pushteti. Por përtej ngjashmërisë dhe miqësisë së hershme, marrëdhënia e ftohtë mes tyre, në mënyrë konstante dhe në heshtje është shoqëruar me një kontradiktë personale të panjohur për publikun. Një qejfmbetje mes tyre që ka filluar disa vite pas ‘90-ës e që Arben Imami e zbulon pak për herë të parë për të mbrojtur të ardhmen e tij, jo vetëm politike. “Absolutisht të gjitha akuzat janë sulm politik, ka edhe një element personal, por është i parëndësishëm”, do të shprehej pak ditë më parë Imami.
E ardhmja
Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada, historia politike e Arben Imamit është rikthyer sërish në pikënisje kohore, në një dhjetor shumë të rëndësishëm për të. Në vitin ‘90 Imami startoi misionin e pakthyeshëm të tij për një betejë të drejtë politike. Sot ai gjendet në të njëjtën situatë, por me një ndryshim thelbësor. Ka rinisur një betejë të re politike, që do të kondicionojë të ardhmen e tij.

No comments: